Ngjarje në tokë

0

Gjekë Marinaj

Ngjarje në tokë, një përmbledhje e veprës së poetit dhe politikanit shqiptar Preç Zogaj, flet për përvojën kolektive të popullit shqiptar gjatë periudhës që çoi drejt rënies së komunizmit në Evropën Lindore dhe menjëherë pas saj. Vargjet e Zogajt, të krijuara midis viteve 1985-2010, janë një analizë e brendshme e një populli që, pas disa dekadash, sapo doli nga një prej diktaturave më të izoluara dhe më të egra të botës. Vepra ka një karakter të shquar kombëtar dhe këto vjersha zbulojnë lidhjen e fortë të Shqipërisë me Perëndimin, duke përfshirë emra të vendeve të tilla si Firencja në Itali dhe Kalifornia në Amerikë, si edhe ikona të tilla të letërsisë evropiane si Shekspiri, Gëtja dhe Balzaku.

Shumë nga vjershat janë shkruar në fillim të kësaj periudhe (1985-2010) dhe sjellin imazhe të trishta të një populli të traumatizuar, që në atë kohë jetonte në një katund të mbushur me armë dhe municione, përfshi edhe armët kimike të periudhës komuniste, si dhe minat tokësore, të mbetura nga lufta në Kosovë. Shihni këto vargje nga poezia “Demografike”, të shkruara në shtator 1990, pikërisht kur komunizmi po shembej: “Sa rrinë duarkryq/ në skutat e natës, frikës?/ Sa vuajnë burgimin për fjalë?/ Sa presin shërim në spitale?/ Sa mbyten në pikën e shpresës?/. Po ashtu, edhe vargu i fundit te poezia “Të gjitha vdekjet”, shkruar në nëntor 1990, na jep një portret fantazme të përvojës shqiptare: Të gjitha vdekjet fillojnë e marrin frymë./ Kthehen, vështrojnë, buzëqeshin,/ ikin dhe prapë s’na marrin me vete.

Aty nga vitit 2000, poezia e Zogajt nis të pasqyrojë progresin në luftën e mundimshme të Shqipërisë për të korrigjuar kulturën e vet dhe për kalimin në një shtet që vetëqeveriset i lirë. Megjithëse temat dhe përfytyrimet e zymta mbizotërojnë përsëri, disa poezi kanë një notë më shpresëdhënëse, si te poezia “Vdekja ikën dhe vjen”, shkruar në gusht 2000. Duke iu drejtuar bashkëkohësve të vet, në vargun e pestë e të gjashtë ai shkruan: “Çfarë diversioni t’i kapje/ duke u plakur kujdesshëm/ këndej së dielës!/ Duke u bërë bisht/ klithmave, helmeve!

Poezitë e periudhës së mëvonshme, kur demokracia e brishtë shqiptare u stabilizua më mirë, na sjellin një ton edhe më pozitiv. Shkruar në vitin 2002, poezia “Vetmia trokiti në gjumin tim” të grish për të lënë pas të shkuarën tragjike dhe të përqafosh një të ardhme më të mirë.. Pas shumë poezive që shprehin irritim nga pagjumësia e vazhdueshme, kjo poezi nis duke thënë se ‘vetmia’ e mesnatës i është rikthyer vetëm pas një mungese të gjatë. Këtë herë, në vend të përfytyrimeve të hijeve të të vdekurve, vetmia ‘Më shikonte me ngulm sikur më thoshte:/ shumë po e zgjat me njerëz të dashur, të padashur,/ me ngjarje që vdesin e s’dinë të mbarojnë./ Por unë të pres me durim sa herë të duash! Strofa e katërt mbyllet me një notë akoma më shpresëdhënëse: “Të gjitha kujtimet i kisha liruar / si Aristoteli skllevërit e tij./ E ardhmja përpara nuk kishte të sosur,/ po njihja nënën e parë, yllin me emrin Venerë,/ shihja njerëz flurorë, në Rrugën e Jezusit/ duke i kthyer vizitën pas dy mijë vjetësh.” Këto fjalë e sigurojnë lexuesin se, sipas mendimit të Preç Zogajt, populli shqiptar ndoshta ka filluar të triumfojë në rehabilitimin e vetes si një komb i pavarur në shekullin e 21-të.

prec-zogaj1

Vitet e para

Në mesin e viteve 1980, Preç Zogaj doli si një nga poetët e rinj shqiptarë, shumë premtues, në një kohë kur vendit të tij i duheshin poetët më shumë se kurrë. Gjatë katër dekadave paraardhëse, populli shqiptar kishte vuajtur nga një shtypje e fuqishme nën diktaturën e Enver Hoxhës. Njerëzit burgoseshin me vite thjesht se ankoheshin për varfërinë në të cilën jetonin apo se shprehnin pakënaqësi ndaj regjimit. Ekzekutimi ishte një mënyrë e preferuar ndëshkimi për njerëz të tillë si Gjin Jaku e Ndue Jaku, dajat e babait të Zogajt, që u pushkatuan për kundërshtimin e qeverisë. Ishte ky lloj represioni që i detyronte poetët si Zogaj t’i shprehnin emocionet e tyre në një heshtje absolute.

Ndryshe nga sot, kur një poet në Shqipëri e fiton statusin e tij mbi bazën e cilësisë së veprës së tij letrare, statusi i poetit gjatë regjimit komunist përcaktohej nga qeveria, e cila përpiqej t’i përdorte poetët e vendit si instrumente për të lavdëruar ideologjinë komuniste. Në kuadrin e letërsisë shqipe të socializmit, kishte tre lloje kryesore poetësh. Me përjashtim të Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, që si atëherë edhe tani konsiderohen si viganët e letërsisë shqipe, kategoria e parë e poetëve përbëhej nga ata që punësoheshin nga qeveria për të shkruar atë që në thelb ishte propagandë. Shumë prej tyre jetonin në Tiranë, ku gëzonin shtëpi të lira dhe shumë privilegje të tjera që iu jepeshin nga qeveria në këmbim të shërbimeve të tyre. Ata nga populli quheshin ‘poetucë’, sepse ishin poetë kukulla që nuk kishin ndonjë talent të vërtetë. Kërkesa për punën e tyre ishte që këngët e tyre dhe lavdërimet ndaj qeverisë të ishin të fuqishme, të shpeshta dhe të shkruara në formën e vjershës.

Atëkohë u shfaq edhe kategoria e dytë e poetëve, si Zogaj, Rudolf Marku, Bardhyl Londo, Dodë Kaçaj, Ndoc Gjetja, Mujo Buçpapaj, Agim Spahiu, Dakë Kaqaj, Adem Istrefi, Moikom Zeqo dhe Ilirian Zhupa. Këta ishin individë shumë të talentuar, por meqenëse mbetën absolutisht pasivë ndaj politikës dhe politikanëve, nuk gëzonin ato privilegje që iu ishin dhënë poetëve kukulla. Shumica e tyre ishin redaktorë të botimeve apo gazetave kryesore. Kjo nënkuptonte se ata duhet të bënin një punë të vërtetë dhe pjesë e kësaj pune ishte edhe transformimi i shkrimeve inferiore të kukullave të kategorisë së parë, që nuk shkruan dot në një format të botueshëm. Kjo do të thoshte gjithashtu se kjo kategori e dytë e poetëve duhet të gjente kohë, përveç punëve të tyre, për të ndjekur pasionin e tyre për të shkruar vepra të reja.

Nëse Zogaj dhe i tërë grupi i poetëve, të cilit i përkiste ai, nuk arrinte dot të zbatonte urdhrat e regjimit komunist, ata mund të binin në kategorinë e tretë të poetëve, në të cilin futeshin edhe mësues të tillë shkollash si Vilson Blloshmi dhe Genci Leka. Ata të dy u ekzekutuan sepse me veprat e tyre e bënin regjimin të papërshtatshëm: Blloshmi, sepse kishte shkruar një poezi me titull ‘Sahara’, ku e krahasonte Shqipërinë me një shkretëtirë pa miq në botë; kurse Leka, sepse kishte shkruar poezi pesimiste dhe jorealiste që nuk pajtoheshin as me ideologjinë e partisë komuniste të Shqipërisë, as edhe me marksizëm-leninizmin. Trupat e të dy poetëve-mësues u zhytën diku në një kanal më 17 korrik 1977. Atëkohë Zogaj ishte vetëm njëzet vjeç, ndërsa libri i tij i parë me poezi po kundërshtohej përsëri nga shtëpitë botuese shqiptare, që kontrolloheshin nga qeveria.

Për familjet e atyre që ishin ekzekutuar nga qeveria, humbja e të dashurve ishte vetëm një pjesë e problemeve të tyre. Shpesh këto familje damkoseshin si njerëz të rrezikshëm, që kishin të drejtë vetëm për punë krahu dhe arsim të kufizuar. Për këtë arsye, meqenëse dajat e babait të Zogajt ishin ekzekutuar si armiq, shanset e tij për të ndjekur arsimin e lartë ishin shumë të pakta. Por me udhëzimet e fshehta të Nush Radovanit, një përkthyes, shkencëtar dhe matematikan shqiptar, Zogaj fitoi një konkurs kombëtar letërsie dhe siguroi mundësinë të vazhdonte studimet në një shkollë të mesme ku specializoheshe për kulturën shqiptare.

Duke e kuptuar rëndësinë e studimit, Zogaj u bë një lexues i zellshëm. Ai e kalonte shumicën e kohës së lirë duke studiuar letërsinë shqiptare dhe atë botërore. Në vitin 1975, në bibliotekën e shkollës gjeti një botim shqip të Uollt Uitmanit, Fije bari, që e frymëzoi në shkrimet e tij të para poetike. I vetëdijshëm për faktin se një nga hapat më të rëndësishëm drejt përgatitjes për t’u bërë poet ishte arsimi universitar, ai i kushtoi vëmendje të madhe studimeve në shkollën e mesme dhe u diplomua me nota të shkëlqyera në vitin 1976.

Pas tre vjet punë si punëtor bujqësie, Zogaj më në fund u pranua në Universitetin e Tiranës në vitin 1979, por vetëm me ndërhyrjen e figurave të shquara të letërsisë shqipe, Llazar Siliqi dhe Dritëro Agolli, që atëherë ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kur Zogaj u diplomua për gjuhë shqipe dhe letërsi, pas katër vjetësh, ai e pa se kishte përsëri nevojë për një ndihmë të fuqishme për të nisur karrierën e tij si shkrimtar. Megjithëse ai e kishte fituar konkursin kombëtar për një vend në gazetën Zëri i Rinisë, atë e lejuan të fillonte punë vetëm pas ndërhyrjes që bëri në favor të Zogajt, Sekretari i Parë i KQ të BRPSH-së, Mehmet Elezi. Puna në gazetë përfshinte si shkrimet ashtu edhe redaktimin e faqeve letrare, ku botoheshin pjesë të shkrimtarëve dhe poetëve të rinj shqiptarë.

Aty nga viti 1990, Zogaj e kishte paraqitur veten si një gazetar i mirënjohur dhe një figurë letrare e respektuar. Ai deri atëherë kishte botuar dy libra me poezi, Emrat tuaj (1985) dhe E pakryer (1987), një libër me tregime të shkurtra, Njëri nga ata (1986) dhe një libër me novela, Vonesa (1989). Në fillim të dhjetorit 1990, Zogaj u përfshi thellë në trazirat politike të vendit, që çuan në përmbysjen e qeverisë komuniste në Shqipëri. Ai u angazhua edhe për vendosjen e një sistemi pluralist qeverisjeje dhe ndihmoi për të kryer zgjedhjet e para të lira në historinë e Shqipërisë. Brenda pak javëve ai u bë një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe u caktua për të drejtuar punën e gazetës së partisë, Rilindja Demokratike, e cila u botua për herë të parë më 5 janar 1991. Më pak se tre muaj më pas, më 31 mars 1991, Zogaj u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në qershor të atij viti ai u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kurse më pas ka shërbyer edhe si këshilltar i presidentit të Shqipërisë.

Përveç pjesëmarrjes në politikë, që nga viti 1990 ai ka botuar edhe trembëdhjetë libra. Ato përfshijnë gjashtë përmbledhje të tjera me poezi: Këmbësor në qiell, 1995; A thua do të vish duke qeshur, 1998; Kalimi, 1999; Qielli i gjithkujt, 2000; Pas erës së re, 2004 dhe Gjallë unë pashë, 2008, si dhe shtatë libra të tjerë me prozë politike dhe artistike. Novelat e tij përfshijnë Agjenti i gjyshit, 1993; Pa histori, 1994 dhe Kufiri, 2007.

Deri më sot, një nga veprat e Zogajt, që ka gjetur udhën e saj të përkthimit, është Terre sans kontinent, e cila u botua në frëngjisht në vitin 1995 dhe që u prit mirë nga kritika për përdorimin me nikoqirllëk të fjalës dhe strukturën logjike. Occurence on Earth është vëllimi i parë poetik i Zogajt që u botua në anglisht në vitin 2010.

Estetika dhe filozofia poetike

Zogaj është një admirues i madh i këngëve epike folklorike, legjendare dhe historike të Shqipërisë së Veriut. Kjo ka lidhje, sepse një pjesë e poezive të tij frymëzohen nga gjeografia e atyre viseve dhe iu dedikohen familjes dhe fqinjëve të tij, të cilët jetojnë ende atje. Ndërsa si poet Zogaj është i dashuruar thellësisht me bukurinë e veçantë natyrore të Shqipërisë, me malet e thepisura dhe bregdetin piktoresk të Adriatikut, si politikan ai interesohet gjerësisht për aspektet sociale, ekonomike dhe politike të vendit të tij. Si rezultat i kësaj, një pjesë e madhe e lëndës kulturore të kësaj prejardhjeje gjen shprehje në poezitë e tij, e cila përfshin edhe tema që lidhen me ndryshimet e tanishme të sistemit politik shqiptar, rënien ekonomike, që u thellua në një krizë, rënien e vlerave morale të njerëzve dhe konfuzionin e vendit, ndërkohë që bënte kalimin nga një shoqëri e izoluar në një pjesëtar të botës së lirë.

Nga një këndvështrim më i gjerë, Zogaj është një poet, që ka si qëllim të artikulojë me sukses thelbin e gjuhës, konceptet themelore të kulturës shqiptare, ndërkohë që kërkon me zell të fitojë besimin e lexuesve të vet. Në një intervistë personale të vitit 2008, poeti bashkëkohor shqiptar, Rudolf Marku, i karakterizon poezitë lirike të Zogajt si “një produkt të ndjenjave të tij të vërteta, duke kërkuar vazhdimisht një gjuhë të larmishme dhe me ndjenjë.” Marku vë në dukje se Zogaj i kushton një vëmendje të veçantë zgjedhjes së fjalës, ritmit dhe sintaksës poetike. “Rrallë gjendet një poezi që i ngjan poetit [vetë], ashtu si ajo e Zogajt, çka është një tregues i qartë se ai beson në atë që shkruan.” Si rrjedhojë e kësaj, Zogaj vlerësohet gjerësisht si një nga poetët më të besueshëm të Shqipërisë.

Shumica e poezive të Zogajt janë pothuajse të çliruara nga gjuha artificiale apo “me lulka” dhe kanë një natyrë autobiografike, të shkruara në vetën e parë. Poezia e tij “E mora për dore trishtimin”, e shkruar në vitin 1991, na jep një shembull:

E mora për dore trishtimin,

Shkova ta mbys në lumë,

Po rrjedha ishte e cekët.

E hodha në krah si hobe,

Shkova ta hedh nga shkëmbi,

Por toka ishte afër.

Atëherë e lidha në djep,

Dy ditë e net e përkunda,

Po gjumi s’e zuri.

Tani bares në rrugë

Me trishtimin tim në fytyrë:

Më falni u them të gjithëve!

Ashtu si në këtë poezi, ai e përdor vetën e parë “Unë” për të krijuar një ton intim, rrëfyes, që është një mënyrë tjetër për të grishur besimin e lexuesit. Ai e përdor me sukses edhe vetën e parë shumës “ne” për të shprehur solidaritet me lexuesin e tij, siç shihet në vargjet e poezisë “Ngjarje në tokë”: “Në ato gryka të thella,/ Midis dëborës dhe erës,/ po vinë të zezat gra,/ plot e përplot me lutje: O Zot, më të mirën ndër ne,/ pranoje në ahiret e tua!” Edhe poezitë e tij të mëvonshme e ruajnë këtë ton, ndërkohë që lëvizin drejt një stili narrativ, me një strukturë argumentuese, që përbëhet nga pjesë të ndryshme, të cilat lidhen logjikisht me njëra-tjetrën në një mënyrë koherente.

Duke zgjedhur temat e tij Zogaj shkruan se ai nuk shkruan asnjëherë pa një qëllim specifik në mendje. Ai e shtjellonte këtë gjë në një intervistë personale në vitin 2008, “Çdo motiv poetik ….është një krijim. E shkruara vjen si një nevojë për të shënuar apo përjetuar krijimin. Shkrimet e mia janë një bisedë e jashtëzakonshme me veten, një bisedë shumë intime që artikulohet, ….., është një bisedë e zhvilluar me gjuhën e poezisë me ….tema dhe përfytyrime të rralla…” Kur Zogaj nisi të shkruante poezi, ai përdorte kryesisht një formë poetike standarde, të zakonshme për atë kohë, që përbëhej nga strofa katërvargëshe, zakonisht me një rimë fundore në formën ab/ab. Shumica e poezisë shqipe buronte nga traditat epike dhe folklorike dhe shumica e poetëve të vendit në atë kohë shkruanin ende në forma klasike. Po ndërsa Zogaj përdorte strofën katërvargëshe, ai e shihte disiplinën e rreptë metrike si një “bezdi”. Megjithatë, leximi i veprave të Uitmanit dhe Pablo Nerudës e përmbysi perceptimin e tij mbi rimën dhe metrikën. Tani, ndërkohë që krijonte poezinë e tij, që prirej drejt elegjiakes, ai kërkon një truall të mesëm midis formave të rrepta klasike dhe vargjeve të lira, duke kërkuar atë që ai e quan një “lloj muzikaliteti, i cili buron nga kumbimi” i figurave dhe ideve.

Në disa nga poezitë e tij Zogaj përdor veçori të tragjedive, baladave popullore dhe epikës klasike shqiptare. Megjithatë, në vend të epikës klasike, e mbushur me vargje narrative të gjata dhe e shprehur nga personazhe dramatike të zgjedhur me kujdes, Zogaj i thjeshton këto vepra në mikrostruktura poetike. Poezia e tij “Koha shtesë”, na jep një shembull:

 

Lezhë, verë, viti 2004.

Së gjalli dikush jeton

Si kujtim, si shenjë

Për të palindur që s’do mund t’i shohim.

Quhet Ndoc Gjetja

Gjashtëdhjetëvjeçar.

Njëherë për njëherë

Kemi zor ta takojmë.

Asnjëri prej nesh s’është gati

Të merret me zemrën e vet,

Duke i hequr atij kapelën.

 

Me poezinë e tij, mjaft të ngjeshur, Zogaj i paraqet lexuesit figurën e Ndoc Gjetjes (9 mars 1944 – 7 qershor 2010), një poet mjaft i admiruar nga populli shqiptar para, gjatë dhe pas periudhës së komunizmit. Ai e nis poezinë duke dhënë një informacion të përmbledhur dhe duke shmangur vargjet e stërholluara të formës epike. Vargu i parë na jep vendin e poezisë: Lezha, një qytet në Shqipërinë Veriore, në verë të vitit 2004. Me një gjuhë mjaft lakonike, tre vargjet e tjera të strofës së parë lidhen me rëndësinë e heroit të poezisë, me vetëm tri fjalë figurative “Së gjalli dikush jeton,” pasuar nga dy krahasime, “si kujtim”, që tregon të kaluarën dhe “si shenjë”, që simbolizon të tanishmen. Strofa e parë mbyllet me një metaforë për një të ardhme shumë të largët, “për të palindur që s’do mund t’i shohim”. Zogaj tregon atë që vjen pas me dy strofa dyvargëshe dhe me një ndryshim të stilit. Në strofën e dytë thuhet thjesht “Quhet Ndoc Gjetja,/ Gjashtëdhjetëvjeçar”. Këtu zëri i poetit ndryshon nga një njeri që flet si poeti me poetin, që flet si një njeri, me një ndryshim me fjalë jo të figurshme të një regjistri të përditshëm, që vazhdon deri në fund të poezisë. Duke pasur parasysh që atëherë kishte diçka që nuk shkonte, pasi atëkohë Gjetja ishte shumë i sëmurë, dy vargjet e strofës së tretë “Njëherë për njëherë/ Kemi zor ta takojmë”, japin shpresën se gjendja fatkeqe e tanishme e heroit është vetëm e përkohshme. Strofa e fundit shpreh në mënyrë ë përmbledhur nderim që ka vendi për një figurë të dashur në tri vargje të shkurtra, por të fuqishme, duke përdorur vetën e parë, të cilën Zogaj e përdor me sukses për të folur jo vetëm për veten, por për të gjithë miqtë e tij shqiptarë.

Duke përdorur teknika dhe risi të tilla, Zogaj është bërë një nga poetët e mirënjohur dhe mjaft të vlerësuar në Shqipëri. Madje edhe duke punuar si anëtar i qeverisë, ai është përpjekur të shmangë atë reputacion cinik që hera-herës lidhet me politikanët dhe të kërkojë për të fituar besimin e lexuesve të vet, duke i grishur ata të bashkohen me mendimin e tij mbi përvojën shqiptare. Veprat e tij shprehin për gjithë botën që të zë syri shpresën në përpjekjet që bën Shqipëria, një Ngjarje në tokë, që është bërë një nga shenjat dalluese të kohës sonë.

 

 

SHPËRNDAJE