Ivan Krastev me një libër të ri në Tiranë i besojmë mosbesimit

0

Demokraci pa besim

Ky është një libër për demokracinë. Jo demokracinë si ideal, apo si bashkësi institucionesh, por demokracinë si përvojë kolektive. Është, para së gjithash, një libër për natyrën dhe burimet e zhgënjimit tonë të tanishëm me demokracinë. Edhe si koncept, edhe si realitet, demokracia po i nënshtrohet një shndërrimi të thellë. Revolucioni social dhe politik nga Woodstock-u te Wall Street-i i viteve 1970 dhe 1980; revolucionet e “fundit të historisë” të vitit 1989; revolucioni dixhital i viteve 1990; revolucioni demografik; dhe revolucioni në trurin politik, që po shpaloset mu para syve tanë, për shkak të zbulimeve të reja në shkencën e trurit dhe ekonominë behavioriste, i kanë bërë qytetarët më të lirë se kurrë më parë. Por këto revolucione, në të njëjtën kohë, ia kanë gërryer pushtetin votuesit demokratik. Të drejtat tona nuk sigurohen më prej pushtetit tonë kolektiv si votues, por i nënshtrohen logjikës së tregut financiar dhe marrëveshjeve kushtetuese në fuqi. Votuesit mund të ndryshojnë qeveritë, por për ta është megjithatë pothuajse e pamundur që të ndryshojnë politikat ekonomike. Elitat janë shkëputur prej besnikërive ideologjike dhe kombëtare, për t’u bërë lojtarë globalë, duke e lënë shoqërinë në guaskën e thyer të shtetit-komb. Ka pasur një rënie të theksuar të besimit të publikut në punën e institucioneve publike. Ky mosbesim nuk është gjë rezultat i përkeqësimit të shërbimeve publike. Vjen, përkundrazi, ngaqë votuesit e ndiejnë se e kanë humbur pushtetin – ose nga zhgënjimi i tyre me demokracinë.

Disa prej teoricienëve më të mprehtë të demokracisë moderne, përfshi këtu Pierre Rosanvallon-in në librin e tij brilant, Counter Democracy, ngulin këmbë se ne jemi alarmuar më kot me rënien e besimit tek institucionet e demokracisë përfaqësimtare. Ata thonë se mosbesimi është element kritik i sistemit politik dhe se demokracia nuk ka aq të bëjë me besimin, sa ç’ka të bëjë me organizimin e mosbesimit. Me një fjalë, ne jetojmë në një kohë kur qytetarët e zakonshëm do të jenë në gjendje të kontrollojnë, në mënyrë eficiente, punën e pushtetit ekzekutiv dhe kur votuesit do të jenë në gjendje të dëbojnë nga pushteti maskarenjtë; por megjithatë, po këta votues-qytetarë duhet ta pranojnë se nuk u përket atyre që ta vendosin se në çfarë lloj shoqërie do të jetojnë.

Po ju, a besoni ju në këtë demokraci të mosbesimit?A mund t’i gëzojmë ne të drejtat tona, pa gëzuar të drejtën për të bërë zgjedhje politike reale?Unë nuk besoj, dhe me këtë libër të shkurtër do të përpiqem të shpjegoj pse.

Ky libër nuk synon të jetë polemikë, as manual për zgjidhje problemesh. Është një reflektim që duhet lexuar për kënaqësinë e çështjeve që ngre, jo për dobinë e përgjigjeve të sakta që ofron. Është i shkruar si një pjesë xhazi, me një ton skepticizmi të gëzueshëm:skeptik ndaj nekrologjive tashmë të botuara për demokracinë, si dhe ndaj entuziazmit se demokracia mund të risillet në jetë përmes fuqisë së papërballueshme të imagjinatës teknologjike. Është një improvizim rreth një teme të demokracisë dhe të besimit. Për ta thënë thjesht: A mund të mbijetojë demokracia pa besimin?

 

IVAN KRASTEV

“Zgjedhjet nuk ndryshojnë gjë”, lexohet në një mbishkrim të shkarravitur në një mur, në qendër të qytetit tim të lindjes, Sofias në Bullgari. “Sikur zgjedhjet të ndryshonin gjë, do t’i kishin ndaluar. ”

Askush nuk e mban mend se kur u shfaq për herë të parë ky mbishkrim, as se kush e shkroi – pas gjase ndonjë i ri anarkist, ose ndonjë artist i rrugës, jo dhe aq i ri. Askush nuk e di pse pronarët e kamur të ndërtesës nuk e fshinë asnjëherë (që bashkia nuk e ka pastruar, kjo nuk përbën ndonjë mister, meqë bashkia kurrë nuk ka para për këto punë). Me kalimin e kohës, mbishkrimi filloi të shërbente si moto për aventurën e bullgarëve përmes xhunglës së demokracisë. Kur i pyesin, bullgarët nuk e humbin kurrë rastin për t’i informuar anketuesit, reporterët dhe miqtë e tyre se zgjedhjet nuk do të ndryshojnë asgjë për be. Dhe nuk janë vetëm bullgarët që flasin dhe që mendojnë kështu.

Për të ilustruar cinizmin e publikut ndaj politikës së tanishme partiake, ia vlen të ritregojmë historinë e Vladimir Bojkos. Një i ri ukrainas, Bojko është ambicioz, pragmatik dhe sipërmarrës. Në vitin 2004, ishte një nga ata mijëra të rinj që kaluan ditë dhe net të mbledhur në sheshin qendror të Kievit, për të protestuar kundër falsifikimit të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë. Ai dhe të tjerë si ai ishin simbol i ëndrrës së atij vendi për demokraci të mirëfilltë, prej së cilës prisnin që t’u sillte mbrothësi, mundësi të reja dhe ndryshim. Për fat të keq, siç e dimë, gjatë dekadës revolucionare pas- Portokalli, Ukraina përjetoi korrupsion, arrogancë dhe hubris-in e atyre në pushtet. Oligarkët ukrainas ishin të vetmit që përfituan vërtet nga ndryshimi.

Menjëherë pas ditëve të revolucionit, udhëheqësit e lëvizjes u hodhën në sulm jo vetëm kundër korrupsionit, por edhe ndaj njëri-tjetrit. Ekonomia u fut në rënie të lirë. Të ligjtë e revolucionit u ripërfytyruan, më pas, si shpëtimtarët e kombit. Sa për Bojkon, ky e humbi interesin për të ndryshuar vendin dhe u përqendrua në të fituarit e parave. Tani biznesi i tij është “rentimi i turmave”. Kompania e tij, Easy Work, ka mbledhur një databazë prej disa mijëra studentësh, pensionistësh dhe të papunësh, të cilët mund t’i mobilizojë në çast, për t’i çuar në demonstrata partish politike kudo në Kiev, dhe për t’i bërë të rrinë atje me orë dhe të brohorasin ose të protestojnë me urdhër. Për Bojkon dhe punonjësit e tij ideologjia nuk ngre ndonjë peshë, gjatë kohës që ata luajnë rolin e “qytetarëve” në demonstrata të këtilla. Çfarë ngre vërtet peshë është që paratë – zakonisht katër dollarë në orë – të paguhen në kohë. Çfarë ishte dikur aktivizëm qytetar gjatë ditëve të Revolucionit Portokalli, sot është aktivizëm mercenar. Demokracia nuk përfaqëson më politikën, por është bërë një propozim biznesi.

Natyrisht, ka arsye të thuhet se Bullgaria dhe Ukraina janë shembuj të skajshëm të zhgënjimit me demokracinë. Por është njëlloj e vërtetë se gjendja shpirtërore e votuesve bullgarë dhe ukrainas dëshmon një prirje më të gjerë. Gjatë tre dekadave të fundit, njerëzit anembanë botës kanë votuar më shumë se kurdoherë më parë, por në një numër të madh vendesh të Europës shumica e njerëzve nuk mendojnë më se vota e tyre ngre vërtet peshë.

Ka një prirje shekullare për ulje të numrit të votuesve në pjesën më të madhe të demokracive Perëndimore, dhe njerëzit që kanë më pak gjasë të votojnë janë të varfrit, të papunët dhe të rinjtë – me një fjalë, pikërisht ata që do të ishin më të interesuarit për të përmirësuar fatet e tyre. Rënia dramatike e besimit që prej viteve 1970 ilustrohet qartë nga fakti që kushdo nën moshën 40-vjeçare, në pjesën më të madhe të shoqërive Perëndimore, e ka kaluar krejt jetën e vet në një vend ku shumica e qytetarëve nuk i zënë besë qeverisë së tyre.

Kështu, edhe pse duket sikur parimet demokratike kanë fituar truall anembanë, dhe në një kohë që numri i demokracive në botë vjen duke u rritur (Libia dhe Egjipti janë nga më të fundit), besimi në pjesët përbërëse të një demokracie – partitë, zgjedhjet, parlamentet, qeveritë – ka marrë seriozisht tatëpjetën. Prof. Mary Kaldor dhe ekipi i saj në London School of Economics kryen, tani vonë, një studim për burimet e lëvizjeve të reja të protestës në Europë. Rezultatet tregojnë se shumë prej pjesëmarrësve nuk janë aq duke protestuar kundër politikave qeveritare specifike sa ç’janë duke shprehur bindjen e përgjithshme se institucionet demokratike në shumë demokraci Perëndimore janë kapur nga interesa të fuqishme, dhe se qytetarët nuk janë në gjendje të ndryshojnë asgjë. Nuk është për t’u habitur se, në këto kushte, një numër njerëzish në rritje priren të votojnë për parti të protestës ose ekstremiste. Populizmi i ri që po hedh shtat në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara nuk përfaqëson, megjithatë, aspiratat e të shtypurve, por më tepër frustrimin e të pushtetshmëve. Ky nuk është populizëm “i popullit” të hipnotizuar nga imagjinata romantike e nacionalistëve, siç ishte rasti një shekull e ca më parë. Ky është populizëm i një shumice pesimiste dhe të kërcënuar, e cila druhet se rrokullima e saj demografike do të çojë edhe në humbje të pushtetit. Me fjalët e teoricienit politik amerikan Mark Lilla, “U jep zë atyre që kujtojnë se po i nëpërkëmbin, por ky zë thotë veç një gjë, si Greta Garboja: Më lini rehat”.
Megjithëse ekspertët kanë vendosur se njerëzit e kanë humbur besimin te demokracia, gjetiu në botë qytetarët kanë dalë rrugëve për të kërkuar të drejtën e tyre për vetëqeverisje. Pikërisht në kohën kur Bojkoja po i rentonte turmat klasës politike ukrainase për katër dollarë orën, dhjetëra mijëra përfaqësues të shtresës së mesme në Moskën e Rusisë së Putinit – ose ata që fitojnë normalisht të paktën 20 dollarë orën –dolën rrugëve me bindjen se zgjedhjet e lira dhe të paanshme janë shansi i vetëm i Rusisë, për një të ardhme më të mirë. Në botën arabe, miliona njerëz kanë mësyrë barrikadat, për të kërkuar një qeveri demokratike dhe të përgjegjshme. Sa për bullgarët, këta vërtet mund të mos kenë shumë besim te demokracia, por ama nuk besojnë as edhe në alternativat. Çdo histori frustrimi dhe dëshpërimi kundërpeshohet nga një shembull energjish dhe kurajoje civike. Në analizë të fundit, je ti vetë, lexues i dashur, që e vendos nëse do të ligështohesh apo do të frymëzohesh. Ti vetë e vendos nëse demokracia është në krizë.

Një kurth për budallenjtë

Historia europiane moderne gjithnjë ka pasur dyshime të mëdha për hiret e demokracisë borgjeze. “Zgjedhjet:Një kurth për budallenjtë” – kështu e titullonte Jean-Paul Sartre-i një ese të tijën, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Francë, në vitin 1973. Një shekull më parë, Jacob Burckhardt shprehej edhe më qartë:“Unë e njoh tepër mirë historinë, që të pres ndonjë gjë tjetër prej despotizmit të masave, veç një tiranie të ardhshme, e cila do të vulosë fundin e historisë”. Që të kuptojmë mirë qëndrimin politik ndaj demokracisë në Europën e shekullit të 20-të, ka rëndësi thelbësore të kuptojmë frikën prej masave revolucionare, e cila i nënvendoset një pjese të madhe të asaj eksperience. “Ne priremi ta shohim revolucionin, në teori, si një lëvizje që do të sjellë çlirimin,” shkruante Raymond Aron në Agimi i historisë universale. “Mirëpo revolucionet e shekullit të njëzetë duket sikur kanë nxitur nënshtrimin, ose të paktën autoritarizmin.”

Edhe kur “demokracia” ishte flamuri i Europës Perëndimore në ballafaqimin e saj me komunizmin sovjetik, mosbesimi ndaj demokracisë ishte pjesë e konsensusit europian gjatë Luftës së Ftohtë. Demokracitë këqyreshin si të dobëta dhe të paqëndrueshme. Ato ishin të paefektshme, për të luftuar armiqtë shkatërrimtarë. Ato ishin tepër idealiste dhe tepër të ngadalshme për të vepruar, kur u kërkohej të merrnin vendime të vështira, në lidhje me përdorimin e dhunës. Vendim-marrja demokratike ishte dritëshkurtër, përçarëse dhe e ekspozuar ndaj demagogjisë dhe manipulimit. Dhe askush tjetër, por Winston Churchill-i ka vërejtur, diku, se “argumenti më i mirë kundër demokracisë është të bisedosh pesë minuta me votuesin mesatar”.

Në vitet 1970, kancelari social-demokrat i Gjermanisë Perëndimore, Willy Brandt, shprehte bindjen se “Europës Perëndimore i mbeten veç 20 ose 30 vjet të tjera demokraci; paskëtaj, ajo do të zhytet, pa motor dhe pa timon, në detin rrethues të diktaturës; dhe nëse diktati do të vijë nga një byro politike apo nga një juntë, kjo nuk do të ndryshojë gjë shumë”. Në fakt, ideali i mirëfilltë i klasave të mësuara të Europës ishte meritokracia, jo demokracia. Meritokracia dhe racionalizmi liberal – jo demokracia – qëndrojnë në themelet e projektit të integrimit europian. Por, ndërsa dyshimet për demokracinë ishin gjithnjë të pranishme në Europë, publiku europian kurrë nuk e humbi besimin në aftësinë e shoqërisë demokratike për t’u vetë-korrigjuar dhe në fuqinë e votuesve për të sjellë ndryshime dhe për të ndjekur një synim kolektiv.

Si shpjegohet, pra, se pikërisht në momentin kur demokracia është bërë e vetmja gjuhë politike që flitet anembanë globit, shumë njerëz në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara dyshojnë për aftësitë e regjimeve të tyre demokratike, që t’i shërbejnë synimit kolektiv? Çfarë ka ndryshuar?Unë besoj se është shkëputur lidhja midis lirisë personale të individit dhe pushtetit kolektiv të votuesve. Një herë e një kohë, individi e dinte se kish nevojë për të tjerët, që të mbronte të drejtat e veta personale; prandaj anëtarësohej në parti politike dhe futej në grevë. Tani individi ose i merr liritë e veta për të mirëqena, ose beson se ai mund t’i mbrojë ato vetë, ose duke klikuar me miun e kompjuterit, ose duke e hedhur qeverinë në gjyq. Çfarë po shohim, në këto rrethana, nuk është fundi i demokracisë, por më shumë shndërrimi i saj rrënjësor.

SHPËRNDAJE