Ç’do të bëjmë me të kaluarën?

0

Miratimi i ligjit për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit nga parlamenti dhe një zhvillim tragjik, siç ishte ai i zbulimit të një varreze të pushkatuarish nga regjimi komunist, e kanë rikthyer debatin rreth trashëgimisë kriminale të diktaturës.
Njëzet e pesë vjet pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ku u eksperimentua diktatura më ekstreme e mundshme, pyetja, se çfarë do të bëjmë me të kaluarën, nuk ka marrë ende një përgjigje të plotë, të drejtë dhe të dobishme.
Debati për të kaluarën, në Shqipëri dhe fillimisht edhe në të gjitha vendet ish-komuniste, ka qenë i përqendruar kryesisht te ish-bashkëpunëtorët e policise seekrete (Sigurimit të Shtetit) te regjimit komunist dhe ndalimi ose kufizimi i tyre për të mbajtur poste në institucionet shtetërore apo administratën publike. Me pak fjalë, debati publik për të shkuarën e kryesisht atë komuniste ka qenë i përqendruar te ligji i lustracionit, i ngjashëm në koncept me procesin e denazistikimit në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
Pothuajse të gjitha ish-vendet komuniste të Lindjes kanë miratuar ligje të posaçme për lustracionin. Ndonëse miratimi dhe zbatimi i ligjeve të lustracionit në vende të ndryshme të Lindjes është mirëpritur si një përpjekje e domosdoshme për t’u ndarë me të shkuarën komuniste, nuk kanë munguar edhe kritikat për vetë thelbin e ligjit dhe në mënyrë të veçantë, për zbatimin e tij.
Në një numër vendesh ish-komuniste, përfshi edhe Shqipërinë, individë, parti politike apo institucione të ndryshme, janë përpjekur të krijojnë avantazhe politike përmes të ashtuquajturit ligj për lustracionin, duke e përdorur politikisht këtë ligj për të goditur kundërshtarët politikë.
Duket se Xhorxh Oruelli e ka njohur në mënyrë gati fatale pushtetin e të shkuarës mbi të ardhmen, kur në librin e tij “1984” thoshte se kush kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen dhe ai, që kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën.
Po çdo të bëjmë me të shkuarën, pavarësisht fatalitetit që paralajmëron Oruelli?
Arsyeja përse ligjet e lustracionit, të miratuara e të zbatuara në të gjitha vendet ish-komuniste, janë kritikuar dhe kontestuar në shkallë të ndryshme, në vende të ndryshme, ka qenë pikërisht sepse ato kanë synuar të kontrollojnë të ardhmen përmes kontrollit mbi të shkuarën.
Sigurisht, ky nuk mund të jetë rasti i ligjit më të fundit të miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë. Mirëpo ndërkaq është e vështirë të besohet se ky ligj mund të ndihmojë në ballafaqimin me të shkuarën kriminale të kohës të komunizmit dhe ndarjen me të.
Pikë së pari, ligji i miratuar rishtazi, i është larguar thelbit të të gjitha ligjeve, që miratuan dhe zbatuan vendet ish-komuniste menjëherë pas rënies së regjimeve totalitare. Ligji shqiptar nuk e përmban komponentin e lustracionit. Praktikisht kjo do të thotë se ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit në të gjitha nivelet nuk do të jenë objekt i këtij ligji. Ligji nuk parashikon asnjë kufizim për pjesëmarrjen e tyre në politikë apo në administratën e lartë publike. Sipas këtij ligji, ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit mund të konkurrojnë për çdo zyrë publike, përfshi edhe organin më të lartë ligjvënës, parlamentin.
Kundërshtarët kryesorë të ligjeve të lustracionit në ish-Lindjen komuniste janë mbështetur te argumenti se përjashtimi nga konkurrenca për poste publike i të gjithë bashkëpunëtorëve të policive sekrete të regjimeve komuniste, i largohej thelbit të dhënies apo mbajtjes së drejtësisë dhe i fajësonte qytetarët në mënyrë kolektive. Duket se Polonia ka aplikuar një qasje më kritike në çështjen e lustracionit duke shmangur fajësimin kolektiv të ish-bashkëpunëtorëve të policisë sekrete.
Çdo qytetar, përpara se të aplikojë për një vend pune në administratën publike, duhet të bëjë një deklaratë nëse ka qenë apo jo bashkëpunëtor i policisë sekrete të kohës së komunizmit. Pas kësaj deklarate, institucioni i posaçëm, që merret me shqyrtimin e krimeve të së kaluarës, e verifikon deklaratën e çdo qytetari. Brenda këtij institucioni funksionon një departament i posaçëm i prokurorisë, që ka për detyrë të verifikojë nëse ka kryer apo nuk ka kryer krime qytetari, i cili ka pranuar se ka qenë bashkëpunëtor i policisë sekrete.
Përvoja e vendeve të tjera të Europës Lindore sugjeron gjithashtu që objekt i ligjit të lustracionit duhet të jenë jo vetëm ish-bashkëpunëtorët, por edhe zyrtarë të institucioneve të zbatimit të ligjit apo të institucioneve të drejtësisë në regjimet diktatoriale apo autoritariste.
Dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri janë vetëm një element i dosjes së diktaturës komuniste. Jashtë debatit dhe veprimit kanë mbetur gjyqet politike, që kanë dhënë dënime me vdekje ose dënime të tjera të rënda. Duket se në Shqipëri ne jemi pajtuar me idenë se gjykatësit apo prokurorët e kohës vërtet kanë dhënë dënime me vdekje apo të tjera, por ata janë të pafajshëm pasi kanë zbatuar legjislacionin e kohës. Por a është e vërtetë kjo? Fatos Lubonja, në librin e tij Ridënimi, sjell një dëshmi tronditëse: një gjyq i montuar me akuza false dhe dëshmi të rreme ka shërbyer për të dënuar me vdekje Fadil Kokomanin, Vangjel Lezhon dhe Xhelal Koprenckën, si dhe me disa dhjetëra vite burg ish-të burgosur të tjerë politikë.
Pra, ç’do të bëjmë me këtë dosje dhe të tjera të ngjashme me to, që nuk janë objekt i ligjit të miratuar në parlament.
Nëse ka dëshmi të plota se gjykatësit apo prokurorët kanë dhënë dënime me vdekje pa asnjë provë (dhe dosja e dëshmuar nga Lubonja është vetëm njëra prej tyre), atëherë ç’do të bëjmë me këto dosje?
Çekët kanë një përgjigje për këtë pyetje. Në qershor të vitit 2008, 87 vjeçarja Ludmilla Brožová-Polednová, ish-prokurore në kohën e regjimit komunist, u dënua me tetë vjet heqje lirie me akuzën e vrasjes nga gjykata e shkalles se pare ne Prage.Prokurorja Ludmilla Brožová-Polednová, më 6 qershor të vitit 1950, duke qenë pjesë e një paneli prokurorësh, kishte dënuar me vdekje një kundërshtare të regjimit, “një tradhtare”, pa pasur asnjë provë dhe asnjë evidencë të shkeljes së ligjeve të kohës. Kjo eshte pervoja e Republikes Ceke.
Përjashtimi i komponentit të lustracionit nga ligjvënësit shqiptarë u arsyetua me përvojën e vendeve ish-komuniste dhe në mënyrë të veçantë, atë të Gjermanisë. Mirëpo si shpjegohet fakti që në Gjermani edhe pas dy dekadash, politikanë dhe deputetë gjermanë kanë qenë të detyruar të japin dorëheqjen nga postet e tyre, pasi kanë pranuar se kanë qenë bashkëpunëtorë të Stasit. Rasti më i fundit është ai dhjetorit të vitit 2009, kur një numër ligjvënësish të parlamentit të Landit të Brandenburgut, që i përkisnin partisë ish-komuniste, pranuan se kishin bashkëpunuar me policinë sekrete të ish-Gjermanisë Lindore .
Dhe së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, a do të kishte qenë i mjaftueshëm një ligj, që do të kishte përfshirë edhe komponentin e lustracionit, bazuar te përvojat e vendeve të tjera, kur asnjëra prej tyre nuk e përjashton lustracionin për t’i dhënë një përgjigje të besueshme pyetjes “Çfarë do të bëjmë me të kaluarën? Si do tua tregojmë këtë fëmijëve tanë dhe brezave të tjerë që do të vijnë?”
Praktikisht, Shqipëria, si një nga diktaturat ekstreme komuniste, nuk ka një muze të plotë për të dëshmuar të kaluarën tragjike dhe krimet e kryera në kohën e komunizmit, ndërsa mungojnë librat, filmat e dokumentarët, me të cilët nuk kontrollohet, por ndërtohet e ardhmja. / A.R.

SHPËRNDAJE