Frida Kahlo: Një jetë në pasqyrë

Sëmundja, dashuria e turbulluar dhe arti. Historia e ikonës meksikane të artit

0

Piktura e saj e parë ishte një portret i vetes të cilin ja dha djaloshit që dashuronte. Të dy porsa ishin përfshirë në një aksident të tmerrshëm. Pas mbarimit të shkollës, autobuzi ku kishte hipur bashkë me Alehandron për tu kthyer në shtëpi u përplas nga një tramvaj. Shpina e Fridës u thye në tre pika, femuri, brinjët dhe këmba e majtë ishin thyer, një tub mbajtës i kishte hyrë nga njëra anë dhe dilte prej vaginës së saj. Një shkatërrim që i kushtoi asaj 32 operacione gjatë gjithë jetës. E gozhduar në shtrat për shumë vite me pjesën e bustit në allçi, ajo gjeti ngushëllim tek leximi dhe piktura. Prindërit e saj i dhanë një krevat të madh me një pasqyrë mbi të në mënyrë që të shihte veten teksa pikturonte.

Rreth Frida Kalos është ndërtuar një legjendë e vërtetë dhe figura e saj është kthyer në ikonë globale të kulturës meksikane të viteve 1900, pararendësja e lëvizjes feministe. Lindur në vitin 1907 në Coyoacan, afër Mexico City, asaj i pëlqente të thoshte se viti i lindjes ishte 1910, pasi thellësisht ndjehej vajzë e Revolucionit Meksikan.

Kur vendosi se piktura do të bëhej jeta e saj, i tregoi punimet e saj Diego Riveras, një piktor i famshëm i kohës, që u impresionua nga ‘’stili modern’’ i saj. Lidhja ndërmjet të dyve nuk ishte vetëm artistike, së bashku ata u përfshinë në politikë përmes Partisë Komuniste Meksikane dhe u martuan gjithashtu. Rivera asnjëherë nuk ishte një bashkëshort besnik. Por Frida gjithashtu pati një numër marrëdhëniesh me të dy gjinitë. Kur mbeti shtatzënë me Riverën, trupi i saj i gozhduar në krevat nuk e lejonte të bëhej nënë dhe kjo ishte vuajtje e madhe për të, Rivera i qëndroi pranë: u kthyen së bashku për të jetuar në Meksikë, por në dy shtëpi të ndryshme që lidheshin nga një urë në mënyrë që secili të kishte hapësirën e vet artistike. Në vitin 1939 ata u ndanë sërish: tradhëtia e kushedisatë e Riverës këtë herë ishte shumë serioze pasi e dashura e tij e re ishte Kistina Kalo, motra e Fridës. U divorcuan. Por një vit më pas u martuan sërish.

Për Fridën, Rivera ishte njeriu i jetës së saj, gjithashtu nga pikëpamja artistike. Nga ai ajo përvetësoi një stil naiv, që e bëri të pikturonte vetë-portrete të vegjël frymëzuar nga tradita të artit folklorik dhe para-Kolumbian, një mënyrë për të afirmuar identitetin e saj meksikan. Kritikët, në subjektin e artit të saj, kanë folur për mjerimin revolucionar, Estridentizmin dhe Realizmin Magjik. ‘’Ata menduan se edhe unë isha surealiste – thotë Kalo – por nuk kam qenë kurrë e tillë. Gjithnjë kam pikturuar realitetin tim, jo ëndrrën time’’. Ajo kurrë nuk pushoi së vuajturi: këmba e djathtë ishte prerë dhe një embolizëm në mushkëri e vrau atë në moshën 47 vjeçare. Hiri i saj ende ruhet në Shtëpinë e saj të Kaltërt (Casa Azul), tashmë vendi i Muzeut të Frida Kalos. Fjalët e fundit që shkroi në ditar ishin: ‘’Shpresoj që fundi të jetë i gëzueshëm dhe shpresoj të mos kthehem asnjëherë’’. Frida Kalo ishte gruaja e parë latino-amerikane që u portretizua në një stampë poste të Shteteve të Bashkuara, lëshuar në 21 qershor 2001. Jeta e saj është rrëfyer në dy filma, madje edhe një album nga grupi Coldplay është frymëzuar nga një frazë e shkruar prej saj në një prej pikturave të përfunduara tetë ditë para vdekjes: ‘’Viva la vida’’ (Rroftë Jeta).

SHPËRNDAJE