Ç’do të sjellë ne rajon banka aziatike e udhëhequr nga Kina?

0

Wang Xiuqiong & Wei Shuhang

Në më pak se dy vjet pasi u propozua, Banka Aziatike për Investime në Infrastrukturë (AIIB), është fare pranë hapjes dhe ka pritshmëri të larta që do të gjallërojë ekonominë dhe financat rajonale.
Banka AIIB e propozuar nga Kina ndërmori një hap kyç përpara në 29 qershor kur përfaqësuesit e 57 vendeve të ardhshme themeluese u mblodhën në Pekin për ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshje që përcaktonte kornizën dhe strukturën drejtuese të bankës.
Banka pritet të nisë punën nga fundi i këtij viti nëse marrëveshja do të miratohet nga ligjvënësit në 10 vendet e ardhshme themeluese dhe nëse kapitali fillestar i nënshkruar nuk është më pak se 50 përqind i kapitalit të autorizuar.
Një takim i kryenegociatorëve u mbajt në gusht për të diskutuar rreth kandidatëve për presidentin e ardhshëm të AIIB-së. Jin Liquin, një ish-zëvendësministër i financave të Kinës dhe sekretar i përgjithshëm i Sekretariatit të Ndërmjetëm Shumëpalësh, u zgjodh unanimisht Presidenti i ardhshëm i AIIB-së.
I propozuar nga Presidenti kinez Xi Jinping në tetor 2013, AIIB-ja është një përgjigje për thirrjen e kohës.
“Banka mbërrin në momentin e duhur si një institucion funksional shumëpalësh”, tha Han Liqun, një studiues në Institutin Kinez për Marrëdhënie Ndërkombëtare Bashkëkohore.

Ulja e Deficitit Financiar

Me një hendek të thellë ndërmjet nevojave infrastrukturore të Azisë dhe aftësisë së institucioneve financiare ekzistuese, AIIB-ja më shumë plotëson sesa konkurron me huadhënësit ekzistues shumëpalësh.
Banka Aziatike për Zhvillim (ADB) vlerëson se Azisë i nevojiten 750 miliardë dollarë amerikanë në investime infrastrukturore në vit deri në 2020-n. Banka Botërore dhe ADB-ja kanë respektivisht vetëm 220 miliardë dollarë amerikanë dhe 160 miliardë dollarë amerikanë në kapital të nënshkruar.
Pavarësisht rritjes së shpejtë ekonomike dhe tregtare në dekadat e fundit, ekonomitë e shteteve aziatike janë ngadalësuar për shkak të kërkesës së dobët globale. Investimet në porte, hekurudha apo rrugë, fusha ku Azisë i duhen përmirësime të mëdha, shikohen si një mjet ideal për të mbështetur rritjen.

Megjithatë, vendet e zhvilluara po shtrëngojnë rripin në ndihmën ndaj kombeve në zhvillim pas krizës globale financiare, ndërsa si Banka Botërore dhe ADB-ja po përballen me kritika të efektshmërisë së tyre, duke e bërë të nevojshme kërkimin për burime të tjera financimi, tha Han.
Banka do të jetë e përputhshme me huadhënës të mirënjohur ndërkombëtarë në vend që të konkurrojë me to, ka thënë Ministri kinez i Financave Lou Jiwei.
“Historikisht, themelimi i bankave rajonale të investimeve duke përfshirë ADB-në dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk i dobësuan institucionet e mirënjohura. Në të kundërt, ato përforcuan organizatat shumëpalëshe financiare dhe çuan përpara më fuqimisht ekonominë botërore,” Lou i tha agjencisë Xinhua në mars.
Ham beson se AIIB-ja do të stimulojë një seri tjetër financimesh mbështetëse nga vendet e zhvilluara për kombet në zhvillim për investime në infrastrukturë dhe për të rritur ekonomitë e tyre.
Banka Botërore dhe ADB-ja kanë thënë që janë të gatshme të punojnë së bashku me AIIB-në në financimin e ndërtimit të infrastrukturës në rajon.
Banka do të sigurojë financime kryesisht për ndërtimin e rrugëve, urave, porteve, limaneve dhe projekteve ujore, si dhe godinave mjekësore dhe arsimore, thotë Zëvendësministri kinez i Financave Shi Yaobin.
AIIB-ja do të ketë një kapital të autorizuar prej 100 miliardë dollarësh amerikanë dhe kapitali fillestar i nënshkruar pritet të jetë rreth 50 miliardë dollarë.
Shuma e kapitalit fillestar është relativisht e vogël, por pritet të çojë në fonde shtesë.
Kreditë e AIIB-së ka të ngjarë që do të stimulojnë investimet private prej më shumë se 10 herë më të mëdha nga kapitali i autorizuar, që do të thotë rreth 1 trilion dollarë amerikanë në kapital privat, tha Zong Liang, zëvendësdrejtori i Institutit Ndërkombëtar të Financës në Bankën e Kinës.
“Nëse investimi në AIIB shkon mirë, investitorë të tjerë do të bashkohen”, tha Zong.
Banka gjithashtu do të zgjerojë tregun e kapitaleve të Azisë pasi do të financojë projekte përmes emetimit të obligacioneve dhe transaksioneve ndërbankare përveç përdorimit të kapitalit të nënshkruar, sipas Liu Ligang, një ekonomist pranë Bankës AZN.

Një Bankë Transparente dhe e Hapur

Ekspertët thanë që nenet e marrëveshjes së AIIB-së përkrahin një standard të lartë me huadhënësit e tjerë shumëpalësh.
Nenet janë profesioniste dhe të ngjashme me ata të Bankës Botërore dhe ADB-së. Ellen Frost, një këshilltare me eksperiencë në East-West Center me bazë në Sh.B.A, tha për revistën kineze Caijing.
Në përgjigje të shqetësimeve që Kina mund të përdorë bankën për interesat e saj diplomatike, marrëveshja e AIIB-së ndalon ndikimin politik nga secili prej anëtarëve të saj.
As banka dhe as presidenti i saj, punonjësit me eksperiencë apo anëtarët nuk mund të ndërhyjnë në çështjet politike të secilit prej vendeve anëtare, apo të marrin vendime nën ndikimin politik të ndonjërit prej anëtarëve, thotë marrëveshja.
Presidenti i ardhshëm i AIIB-së ka siguruar që AIIB-ja do të ketë një qëndrim me tolerancë zero ndaj korrupsionit në operacione.

Ministri kinez i Financave Lou ka premtuar një mekanizëm mbikëqyrës për të siguruar politikëbërje të hapur dhe transparente, duke nënvizuar se AIIB-ja do të bazohet në eksperiencën e bankave ekzistuese shumëpalëshe dhe do të themelojë një strukturë me tri nivele duke përfshirë një këshill, një bord drejtorësh dhe stafin drejtues.
Kina është aksionari i dytë më i madh në bankë me një përqindje aksionesh prej 30.34 përqind dhe të drejtë vote prej 26.06 përqind, e ndjekur nga Italia dhe Rusia.
Kina qëllimisht nuk e ka kërkuar fuqinë e vetos pasi përqindja e aksioneve dhe të drejtat e votës në fazën fillestare janë një “rezultat natyral” i rregullave aktuale dhe mund të dobësohen me shtimin e anëtarëve, Zëvendësministri kinez i Financave Shi Yaobin i tha Xinhua.
Shtatëdhjetë e pesë përqind e aksioneve të bankës shpërndahen ndërmjet shteteve të Azisë dhe Oqeanisë, ndërsa pjesa e mbetur prej 25 përqind u jepet shteteve jashtë rajonit.
Ndërsa banka zgjeron anëtarësinë, shtetet jashtë rajonit mund të rrisin aksionet e tyre, por pjesa e tyre nuk mund të tejkalojë 30 përqind. Çdo anëtari do t’i shpërndahet një pjesë e kuotës bazuar në madhësinë e ekonomisë.
Kina ka thënë se AIIB-ja do të mbajë një qëndrim të hapur dhe përfshirës ndaj anëtarëve të rinj në të ardhmen dhe do të mirëpresë gjithmonë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë për t’iu bashkuar.
Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, të cilat kryesojnë respektivisht Bankën Botërore dhe ADB-në, kanë vendosur deri tani të jenë jashtë nismës.
AIIB-ja do të japë financime përmes operacioneve të tregut publik dhe mund edhe t’u japë ndihmë joanëtarëve në raste të caktuara, duke treguar transparencën dhe hapjen e saj, tha Han.
“Me një mekanizëm kaq të hapur, edhe nëse Kina do të dëshironte ta shndërronte AIIB-në në një mjet për qëllime hegjemoniste, do të ishte shumë më e vështirë se sa imagjinohet për t’u realizuar dhe nuk do të ishte në interesat e Kinës”, tha Han.

 

SHPËRNDAJE