Ekonomia kineze përshtatet me “normalen e re”

0

Wang Yaguang, Xu Xueyi & Qiang Yong

Jinjiang dikur ishte një qytet në lulëzim industrial, një vend që prodhonte këpucë dhe veshje për vitrinat e supermarketeve amerikane dhe evropiane.

Por ditët e sotme, qyteti në bregdetin juglindor të Kinës, si shumë prej bazave të tij të prodhimit, po humbet avantazhin e tij për shkak të rritjes së pagave dhe mungesës së risisë së produkteve.
“Po shqyrtoj mundësinë e largimit në Bangladesh”, tha Genghuang, një vendas i Jinjiang i cili zotëron një fabrikë këpucësh. “Biznesi këtu pothuajse ka mbaruar”.
Lin tha se volumi i eksportit të kompanisë vazhdon të rritet, por pagat në rritje, vlerësimi i juanit dhe konkurrenca e forte në çmim po e shtrydhin më tej marzhin aktual minimal të fitimit sa një grimcë.
Pas anëtarësimit të Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2011, krahu i lirë i punës nxiti bumin e saj të eksporteve dhe e fuqizoi ekonominë duke e shndërruar në të dytën më të madhe në botë. Por, sektori prodhues i Kinës po has vështirësi në ditët e sotme: nga njëra anë i shtrënguar nga tregje me kosto pune edhe më të ulëta si Vietnami dhe Malajzia, dhe prapëseprapë në vështirësi për t’u zhvendosur në një zinxhir me vlerë më të lartë të shtuar për shkak të konkurrencës në rritje nga kombet e zhvilluara.
Rreth 3,000 km nga Jinjiang, në qytetin verilindor të Harbin, një sëmundje e rëndë ekonomike po i detyron kompanitë të bëjnë ndryshime rrënjësore për të mbijetuar.

Harbin Boiler Company Ltd (sh.p.k.), një prodhues shtetëror i pajisjeve të energjisë termike, po përballet me goditje të dyfishtë, ngadalësimi i ekonomisë dhe një fushatë kombëtare për të ulur ndotjen dhe shkarkimet.Me porositë dhe fitimet në tkurrje, kompania nuk ka zgjedhje tjetër përveç ndryshimit, tha presidenti i saj Wang Dexing.
Në pjesën më të madhe të dekadave të fundit, provincat verilindore të Heilongjiang, Jilin dhe Liaoning ishin bazat e industrisë së rëndë kineze, e cila mundësoi rritjen e shpejtë të kombit falë ndikimit të bumit të ndërtimit. Tashmë me ngadalësimin e ekonomisë dhe në një tranzicion të dhembshëm i cili e ka lëkundur industrinë e rëndë, askund më tepër se këtu në verilindje nuk ndjehet goditja e këtij ngadalësimi dhe dhembja e tranzicionit.
Heilongjiang, Jilin dhe Liaoning u renditën në pesëshen e fundit të 31 rajoneve provinciale në territorin kinez për rritjen e PBB-së në gjysmën e parë të vitit. Rritja mesatare prej 4.6 përqind ishte 2.4 pikë përqindje më e ulët se shkalla kombëtare.
Për të rritur konkurrueshmërinë, Harbin Boiler Company po lufton të zhvillojë produkte të reja, të zgjerohet në tregje të ekonomive në zhvillim dhe të futen në biznese të reja si shkripëzimi i ujit të detit, pajisje për energji bërthamore dhe mbrojtjen e mjedisit, tha Wang.
Kjo është pjesë e realitetit më të gjerë ekonomik të Kinës: Shpejtësia anemike e rritjes ekonomike po e shtyn qeverinë të kërkojë burime të reja rritje duke i detyruar kompanitë vendase dhe shumëkombëshe të punojnë për një Plan B.
E ndikuar nga rënia e tregut të pronave, ngadalësimi i rritjes së investimeve dhe kërkesa e paqëndrueshme si brenda dhe jashtë vendit, ekonomia e Kinës ka ngecur gjatë dy viteve të fundit dhe pritet gjerësisht të regjistrojë rritjen më ulët në një çerek shekulli këtë vit.
Edhe pse rritja po ngadalësohet, është më e balancuar dhe e qëndrueshme, një “normale e re” siç quhet nga Presidenti Kinez Xi Jinping.
Sipas “normales së re”, rëndësia e shpejtësisë së rritjes eklipsohet nga reformat strukturore tejet komplekse që po zbatohen për të transformuar ekonominë në të atillë që të mbështetet më shumë në sektorin e shërbimeve, shpenzimin e brendshëm dhe risi.
“Ngadalësimi i rritjes ekonomike të Kinës do të thotë që qeveria po përparon me rregullimet strukturore dhe përpjekjet për politika për të trajtuar dobësitë financiare”, sipas një raporti të Bankës Botërore. Në afatmesëm, këto përpjekje po e ndihmojnë Kinën ta transformojë gradualisht modelin e saj të rritjes nga prodhimi në shërbime, nga investime në konsum dhe nga eksporte në shpenzim të brendshëm.
Qeveria ka ndërmarrë politika për të frenuar zgjerimin e shpejtë të rritjes së kredisë, të rregullojë huamarrjen nga njësitë e qeverisjes vendore dhe të eliminojë mbikapacitetet industriale të cilat ndihmojnë në uljen e investimeve në sektorë si ai i pasurive të patundshme. Në të njëjtën kohë, është përpjekur të vendosë një dysheme në ngadalësimi, me masa mbështetje të kufizuara por të shënjestruara.
Pavarësisht një disfate në bursë dhe vështirësive në rritje ekonomike, ekonomia kineze mbetet e qëndrueshme dhe po shfaq shenja transformimi, edhe pse të ngadalshme, me konsumin dhe sektorin e shërbimeve të cilët gradualisht po shndërrohen në motorët kryesorë të rritjes.
“Ekonomia e Kinës po funksionon në përgjithësi mirë, por mbeten disa probleme të cilat kërkojnë urtësinë e të gjithëve dhe përpjekje të pandërprera”, tha Presidenti Xi.
Në një takim të kryesuar nga Xi, organi më i lartë vendimmarrës i Kinës tha se qeveria qendrore do të merrte “masa efektive” për të ushqyer rritjen e qëndrueshme të konsumit, investimeve dhe eksporteve si motorë kyç të rritjes, ndërsa përshpejton “politikat e synuara” për t’iu kundërpërgjigjur trysnisë rënëse.

 

SHPËRNDAJE