Të rinjtë kinezë i rikthehen traditës

0

Guo Ying

 

I veshur në stilin e Dinastisë Han e cila sundoi Kinën 1,800 vjet më parë, 6-vjeçari Chen Quanjin këndon këngë klasike kineze me disa fëmijë të tjerë të pothuaj së njëjtës moshë ndërsa tundin kokën majtas-djathtas.
Në vend që të marrë mësime në piano apo të shkojë në udhëtime jashtë vendit, Chan i kaloi pushimet e tij të verës në Institutin Chengxian Guoxue (për studime tradicionale kineze) në Guozijian, institucioni më i lartë arsimor në Kinë nga shekulli i 13 deri në të 19-in.
Chen ka zotëruar Dizigui-n (Standardet për të qenë një fëmijë dhe student i mirë), një libër i lashtë kinez që daton më shumë se 300 vjet më parë. Ai thotë se strofat me tri germa janë të kuptueshme dhe mjaft të lehta për t’u shqiptuar.
“Vëllezërit dhe motrat më të mëdhenj duhet të shoqërohen me më të vegjlit; këta të fundit duhet të respektojnë dhe të duan më të mëdhenjtë. Vëllezërit dhe motrat që kanë harmoni në marrëdhëniet e tyre janë të sjellshëm ndaj prindërve”, citon Chen nga vepra.
Me shumicën e nxënësve të moshës 4 deri 10 vjeç, Instituti Chengxian Guoxue synon të zgjerojë ekspozimin e fëmijëve ndaj kulturës tradicionale përmes njohjes me Konfucianizmin, kaligrafinë kineze dhe vlera të tjera tradicionale, thotë drejtori Ji Jiejing.
“Kultura tradicionale kineze nuk duhet të humbë hapin me të rinjtë kinezë pasi nevojitet për zhvillimin e tyre moral dhe kultivimin e karakterit të tyre. Pak urtësi e përçuar përmes klasikëve kinezë mund t’i ndihmojë fëmijët të përballojnë sfidat në jetët e tyre,” thotë Ji.
“Si një lloj ndriçimi i mendjes, mendoj se mësimi i tradicionales kineze mund të fillojë në një moshë të hershme, pothuaj rreth katër vjeç, kështu që filozofia do të ngulitet thellë në zemrat e tyre”.
Popullariteti i Institutit Chengxian Guoxue pasqyron një rigjallërim të interesit për kulturën tradicionale. Vitet e fundit, mania e studentëve kinezë për të mësuar anglishten, në një farë mase, ka çuar në lënien pas dore të gjuhës së tyre amtare, veçanërisht trashëgiminë kulturore tradicionale kineze. Kështu që ka pasur një thirrje urgjente për një sistem shkollor që i jep rëndësinë e duhur mësimit të kulturës tradicionale.
Rajoni Tongzhou i Pekinit është një flamurtar i mësimit të kulturës tradicionale. Më shumë se 50 shkolla fillore dhe të mesme atje zhvillojnë mësim të detyrueshëm të gjuhës kineze, duke u përqendruar një herë në javë në traditat e kulturës. Ata po testojnë tekstet shkollore eksperimentalë gjatë mësimit, gjë e cila nisi në 2009-n.
“Përpiqemi të gjejmë mënyra risore për të ngulitur kulturën tradicionale te studentët, si këndimi i klasikëve me gjimnastikën e mëngjesit dhe zhvillimi i konkurseve të të shkruarit të dy-vargëshve”, thotë Lu Hongli, i Qendrës së Trajnimit dhe Kërkimit të Mësuesve në Tongzhou.
“Ata gradualisht zhvillojnë një ndjesi estetike ndaj klasikëve kinezë dhe frymës së kulturës kineze”, tha Lu.
Tekstet eksperimentuese shkollore të përdorura në Rajonin Tongzhou u zhvilluan nga Qendra Tradicionale e Kulturës dhe Artit Kinez. Me nismën e Ministrisë së Arsimit, ata janë të parët në një seri tekstesh eksperimentues shkollorë në mbarë vendin për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm.
Qendra po punon gjithashtu me kurrikulën e shkollës së mesme me metoda për të vlerësuar mësimin e kulturës tradicionale dhe modelet e ndryshme për testim.
Zhang Jian, Sekretari i Përgjithshëm i Qendrës për Kulturën dhe Artin Kinez, thotë se kultura tradicionale kineze pashmangshmërisht do të përfshihet në gaokao (provimet e përvitshme të regjistrimit në Kolegjet kineze).
“Kjo do t’u japë nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme një shtysë për të mësuar kulturën tradicionale. Por, testimi nuk është qëllimi përfundimtar. Procesi i të nxënit padyshim do të përmirësojë standardet morale të nxënësve dhe të ushqejë dashurinë e tyre për trashëgiminë kulturore kineze”, thotë Zhang.
Qeveria gjithashtu po udhëheq lëvizjen. Në prill 2014, Ministria e Arsimit nxori një udhëzues për mësimdhënien e kulturës tradicionale nga shkolla fillore deri në universitet. Udhëzimi kërkonte që në tekstet shkollore të shkollave fillore dhe të mesme të futeshin më tepër mësime rreth kulturës tradicionale.
Presidenti Xi Jinping i bëri jehonë kësaj pikëpamjeje kur vizitoi Universitetin Normal të Pekinit në shtator 2014. Ai shprehu mosmiratim për vendimet që hiqnin poezitë dhe esetë klasike kineze nga tekstet shkollore.
“Gjenet kulturore kineze duhet të mbillen në mendjet e të rinjve”, tha Xi.
Botimet e Gjuhës dhe Kulturës Kineze, një nga botuesit më në zë të teksteve shkollore, ka rishikuar tekstet shkollore të gjuhës kineze duke e rritur pjesën e kulturës tradicionale nga 30 përqind në 50 përqind. Nëse miratohet, Ministria e Arsimit do t’i lejojë tekstet për përdorim.
Sipas Wang Xuming, presidenti i Botimeve të Gjuhës dhe Kulturës dhe një ish-zëdhënës i Ministrisë së Arsimit, rëndësia themeltare e “gjuhës amtare” duhet të theksohet në kurrikul dhe kultura tradicionale kineze duhet të zërë vend kyç në mësimin e gjuhës kineze. Ai gjithashtu bën thirrje për mënyra më të efektshme dhe krijuese në mësimdhënie për t’i bërë klasikët më tërheqës.
“Për shembull, vendosëm pyetje të hapura sqaruese në tekstet shkollore si “Si do ta lidhnit Konfucianizmin me shoqërinë moderne?’ për të nxitur të menduarit e nxënësve. Shpresojmë të ndërthurim mësimet me çështje bashkëkohore me shpresën se nxënësit mund të përdorin urtësinë e lashtë për të zgjidhur problemet aktuale”, thotë Wang.
Entuziazmi i përtërirë për kulturën tradicionale kineze ka sjellë një kërkesë në rritje për mësues të specializuar në këtë fushë. Disa kolegje dhe universitete kanë nisur kurse të posaçme universitare dhe pasuniversitare në këtë lëndë. Ministria e Arsimit gjithashtu njoftoi se kultura tradicionale kineze do të shndërrohet në një fushë zyrtare diplomimi duke filluar nga viti i ardhshëm.
Profesor Guo Qiyong, dekani i Shkollës së Klasikëve Kinezë në Universitetin Wuhan, thotë që kultura tradicionale i ofron Kinës rrënjët ideologjike për t’u zhvilluar dhe përparuar si një komb. Pa këtë, gjuha kineze do të humbte identitetin e saj në prirjen e globalizimit.
“Është veçanërisht e rëndësishme që brezat e rinj të Kinës të trashëgojnë kulturën kineze dhe të forcojnë identitetin e tyre kombëtar”, thotë Guo.

 

SHPËRNDAJE