Zhvillimi i Kinës, shansi i ri për Shqipërinë

0

Dy fjalë nga Ambasadorja e R.P. të Kinës Jiang Yu për revistën Europa

Kina, një vend 5000 vjeçar, me sipërfaqe të gjerë dhe popullsi të madhe, me histori të lashtë dhe qytetërim të zhvilluar, ka dhënë një kontribut të madh në përparimin dhe civilizimin e njerëzimit. Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës, sidomos gjatë 30 viteve të fundit kur filloi zbatimi i politikës së Reformës dhe Hapjes, Kina ka gjetur rrugën e zhvillimit nëpërmjet praktikës, duke realizuar zhvillimin e hovshëm të ekonomisë, ndryshime drastike shoqërore, tipare të cilat kanë sjellë rrjedhimisht rritjen e volumit të përgjithshëm të ekonomisë së Kinës me mbi 100 herë, duke e shndërruar Kinën në ekonominë e dytë botërore. Tani, PBB për frymë e këtij vendi lindor ka kaluar nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në atë të vendeve mesatare-të larta. Në të njëjtën kohë, ‘ylli’ në lindje po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë së ekonomisë globale.
Nga ana tjetër, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që Kina është ende vendi më i madh në zhvillim në botë. Për një jetesë më të mirë, populli i Kinës duhet të përpiqet edhe më shumë. Prandaj, zhvillimi vazhdon të jetë një prioritet për qeverinë kineze, ndërsa thellimi i reformës dhe zgjerimi i hapjes është motori i këtij proçesi. Kina gjithashtu ka hartuar me qartësi objektive “dy 100-vjetorë” – deri në 2020, në 100-vjetorin e krijimit të Partisë Komuniste të Kinës, të realizohet objektivi i një shoqërie relativisht të begatë, PBB dhe të ardhurat e kinezëve të dyfishohen në krahasim me vitin 2010; po ashtu deri në mes të këtij shekulli, në 100-vjetorin e themelimit të R.P. të Kinës, të realizohet objektivi i një vendi socialist e modern, që është i pasur, demokratik, i civilizuar dhe harmonik, si dhe të realizohet rilindja e kombit kinez. Për të siguruar një shoqëri të begatë, Kina po forcon thellimin e reformës, sundimin e ligjit dhe disiplinave partiake në mënyrë të gjithanëshme, e quajtur kjo strategjia “e gjithanëshme.”
Kina paqëdashëse, synon të bashkojë interesat e palëve të ndryshme të botës, në mënyrë që ato të ndërtojnë bashkarisht marrëdhënie të reja ndërkombëtare me në thelb bashkëpunimin dhe fitimin e përbashkët. Iniciativa “Një brez dhe një rrugë” dhe bashkëpunimi 16+1 kanë si synim, që strategjitë e zhvillimit të Kinës të lidhen me ato të vendeve të tjera, nëpërmjet bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, ku çdo palë të zhvillohet e të lulëzohet.
“Pavarësisht largësisë së dy vendeve tona, ne ndihemi si vende fqinje.” Miqësia tradicionale kino-shqiptare po shfaqet me vitalitet dhe dinamikë. Vitet e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve janë duke u zhvilluar në mënyrë të stabilizuar, me thellimin e besimit politik reciprok dhe zgjerimin e bashkëpunimeve dhe shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, kulturore dhe vendore. Dëshirojmë të konsolidojmë këtë miqësi me qarqe të ndryshme të Shqipërisë, të nxisim marrëdhëniet dypalëshe në mënyrë që ato të ngjiten vazhdimisht gjithnjë e më lart.

SHPËRNDAJE