Gazmend Freitag: Dëshira ime më e madhe është të hap një ekspozitë ekskluzive në Tiranë

0

RUDINA HOXHA

Gazmend Freitag është një artist kosovar që jeton dhe bën karrierën e tij artistike në Linz të Austrisë. Ai ka lindur më 25 maj 1968 në Pataqan i Poshtëm. Në një intervistë ekskluzive për “Tirana Times”, artisti shpreh dashurinë e tij për vendlindjen dhe për Shqipërinë në veçanti si mëmëdheu i emrave të mëdhenj si Skënderbeu, Naim Frashëri apo Andon Zako Çajupi që kanë frymëzuar talentin e tij.
“Kudo ku jetoj dhe punoj, më shoqëron vazhdimisht malli për vendin tim dhe është pjesë e jetës time,” thotë ai, duke dëshmuar ndjeshmërinë e tij shpirtërore.
Në këtë kontekst ai shprehet se dëshira e tij më e madhe është të paraqesë shumë shpejt artin e tij në Tiranë dhe në Kosovë, gjithashtu.
Veprat e Freitag përfshijnë motive të shumta: element autobiografikë, pamje nga vendlindja e tij, portrete njerëzish të ndryshëm, kujtime fëmijërie, nudo dhe skica, natyrë të qetë si dhe subjekte të tjera. Kryesisht ai përdor teknika vizatimi me lapsa, shkumësa dhe bojë, por paraqet edhe telajo me bojëra vaji, ndër të tjera.

Si përfunduat në Austri dhe cilat janë lidhjet tuaja me komunitetin artistik të këtij vendi, të përfshirë kaq shumë kulturalisht?
Gjuha e artit i hap udhën shumë mundësive për komunikim, veprime dhe afirmime. Jam integruar gradualisht në komunitetin e artit në Austri ku kam paraqitur punimet e mia në ekspozita të përbashkëta dhe personale.

Sipas pikëpamjes tuaj, i duhet një artisti të zhvendoset në një tjetër shtet për t’u bërë i suksesshëm?
Mundet, artistit shpesh i duhet të lëvizë në shumë vende për t’i paraqitur publikut jetën e tij/saj artistike. Sigurisht, ndryshe është ta paraqesësh artin tënd në Tiranën metropolitan dhe ndryshe është ta paraqesësh në provincë.

Çfarë vendi zë vendlindja në artin tuaj?
Motivet e vendlindjes time zënë shumë vend në artin tim. Përveç bukurive natyrore të vendit tim, ka edhe motive mitologjike shqiptare si figurat e Skënderbeut, Aleksandër Moisit apo të tjerëve. Kështu, kudo ku jetoj e punoj, më shoqëron vazhdimisht malli për vendin tim dhe është pjesë e jetës time.

Keni qenë më parë në Shqipëri? Sa do të donit ta shpalosnit talentin në vendin tuaj?
Në Shqipëri kam qenë në vitin 2003 për disa pushime të gjata verore. Ishte një moment i këndshëm të cilin nuk kam për ta harruar. Shqipërinë e kam dashur gjithnjë. Përgjatë gjithë fëmijërisë time, kam ëndërruar ta vizitoj – tokën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Naim Frashërit dhe Andon Zako Çajupit. Dëshira ime më e madhe është të hap një ekspozitë ekskluzivisht në Tiranë. Por edhe në Kosovë!

Cila është më e rëndësishmja për një artist që kërkon të nxjerrë në pah artin e tij: vendndodhja e galerisë apo mënyra si janë paraqitur veprat në atë galeri?
Për artistët e rinj, menaxherët dhe kuratorët kanë më shumë rëndësi. Në fakt, kontaktet janë vërtetë të rëndësishme.

Cili është mesazhi juaj për 2016-ën?
Krejt spontanisht më erdhi ndërmend shprehja e Naim Frashërit“Punë punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë.”

SHPËRNDAJE