Shqipëri – Mirë se erdhët në shtetin e PPP-së!

0

 

Ndërtimi i një stadiumi të ri kombëtar në Tiranë ka ngjallur një debat publik që i përafrohet dilemës hamletiane: të ketë arena e re e futbollit një kullë apo të mos e ketë? Ndërkohë që qeveria paraqiti një projekt me shumë fanfarë, duke deklaruar që falë partneritetit publik-privat, kjo nuk do t’i kushtojë asnjë qindarkë publikut, kundërshtimet ndaj projektit kanë qenë të shumta. Deklarata e arkitektit Italian Paolo di Nardo kundër projektit të propozuar tërhoqi vëmendjen e veçantë të medias. “Do të lidhem me zinxhirë në Tiranë, në mënyrë që stadiumi i Arenës Kombëtare të mos ndërtohet,” – tha arkitekti në një studio televizive. Arkitekti i mirënjohur italian e vizitoi këtë javë Tiranën për t’u takuar me përfaqësues të shoqërisë civile, që i kundërvihen këtij projekti. Di Nardo shtoi se stadium i ri nuk duhet të ndërtohet aty dhe se ai i vjetri, i ideuar nga Gherardo Bosio përpara Luftës së Dytë Botërore duhet të ruhet. Megjithatë, stadiumi i vjetër e ka humbur statusin e tij prej monumenti të mbrojtur që prej dhjetorit të kaluar, pas një vendimi të qeverisë që i hap rrugën prishjes së tij dhe ndërtimit të një stadiumi të ri.

Kulla e stadiumit nuk u mirëprit as nga Partia Demokratike, e cila në një konferencë për shtyp shprehu kundërshtimin jo kundrejt stadiumit në vetvete, por kundrejt kullës së propozuar. “Këtu kemi të bëjmë me një çështje financiare, jo me një arenë sportive. Midis mungesës totale të transparencës dhe konsultimeve publike, kryeministri e ka kthyer projektin në një fakt të kryer në mënyrë që ai dhe rrethi i tij të kenë mundësi të shtien në dorë pronën më të shtrenjtë në Tiranë,” tha PD në një deklaratë për mediat. Opozita është betuar se nuk do ta njohë projektin kur ai të hyjë në fuqi.

Stadiumi ngjalli një tjetër polemikë pasi Garda e Republikës i ndali gazetarët dhe përfaqësuesit e qeverisë civile të ishin të pranishëm në diskutimin publik që u mbajt lidhur me ndërtimin e stadiumit të ri. Rama deklaroi se ata nuk kishin marrë ftesa për të qenë pjesë e një diskutimi të tillë. Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur projektin, përfshi këtu strukturën e gjatë që ngjalli polemika të shumta dhe ka marrë përgjegjësi të plotë për të. Qeveria e ka paraqitur këtë stadium të ri si një shembull të mirë të partneritetit publik-privat, duke i dhënë rëndësi faktit që projekti nuk do të jetë një barrë për buxhetin e shtetit.

Rama iu përgjigj kritikëve duke postuar një foto të stadiumit gjysmë të shkatërruar Qemal Stafa me gjithë statusin: “Ky është monumenti historik që kundërshtarët e Arenës Kombëtare po përpiqen të mbrojnë.” Stadiumi i ri 50 milionë $ do të ndërtohet nga kompania shqiptare Albstar, e cila ishte ofruesja e vetme në tenderin që u mbajt në fund të shkurtit. Kompania thuhet se do ta financojë vetë projektin dhe në këmbim do të ketë mundësinë për të përdorur pjesë të godinës për motive komerciale. Projekti është ideuar nga arkitekti italian Mario Casamonti, i cili së fundmi ka punuar në stadiumin e ri të Udines në Itali.

SHPËRNDAJE