Ndërkombëtarët: kur bashkohen arroganca “elitare” dhe injoranca

0

Intervistë me Ylljet Aliçkën, autor i librit “Ndërkombëtarët”

 

  • Çfarë është libri “Ndërkombëtarët”? Si dhe pse ju lindi kjo ide? A ka lidhje ai me faktin se ju keni punuar për një kohë në një përfaqësi të huaj në Tiranë?

 

Ideja më lindi nga një mllef personal, gjatë punës sime në një përfaqësi ndërkombëtare: mllef dhe peng që s’dija si ta shkarkoja. I përfshirë në suazën e një romani, natyrisht që drejtpërsëdrejti apo tërthorazi problematika individuale merr një dimension më të gjerë nga realiteti i sotëm, realitet i cili, sipas meje, dëshmon se është më i ndërlikuar, dhe më i copëtuar, se parimet e vetë organizmave ndërkombëtare dhe se shpesh parimet  në bllok, apo rregullat universale,  mbeten të pa përshtatura në raste e situata specifike.

Përmbledhtas, fjala është për një roman që pati për objekt traumatizmin e mjaft shqiptarëve nga racizmi dhe diskriminimi. Të përballur me një arrogancë “elitare” (shpesh e përzier me injorancë) shumë shqiptarë (me post ose pa post, brenda dhe jashtë vendit) janë përshtatur duke u nënshtruar.

Personazhet e romanit janë nëpunësit ndërkombëtarë, shpesh, anonim në vendet e tyre, të cilët me të ardhur në Shqipëri, gjatë “lodhjes dhe rropatjes për të ndihmuar këtë vend apo për tu treguar vendasve rrugën e përparimit” u merr kuptim të ri jeta falë  përkujdesjes dhe mikpritjes së “indigjenëve”. Nga ana tjetër shpesh jam ngacmuar nga dilema nëse ka një masë që të vlerësojë diferencat kulturore ndërmjet vendeve në tranzicion (Shqipëria) për të kaluar për pasojë në pabarazitë dhe diskriminimet, kur pranohet që çdo kulturë që bart vlera nënkupton edhe hierarkinë e tyre.

 

  • Ju vetë keni qenë një “ndërkombëtar” në Francë, duke punuar si Ambasadori i Shqipërisë aty. Çfarë ndryshimi ka të jesh një ndërkombëtar në France si ambasador i Shqipërisë dhe të jesh një Ndërkombëtar në Shqipëri si Ambasador?

 

Diametralisht të kundërta. Krahas  përvojës së çmuar të punës, jetesës, njohjes, kontakteve në një nga metropolet botërore të kulturës, diplomacisë dhe jo vetëm, të qenit ndërkombëtar në Francë më ndihmoi të kuptoj më mirë, sado që me vonesë, se nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se popujt e tjerë, se glorifikimi pa kushte i gjithë asaj që vjen nga jashtë dhe nënshtrimi servil ndaj saj nxit pështirosjen dhe të fundos më keq në pozitat e nënshtrimit.

 

  • A e ka lexuar librin ndonjë nga ndërkombëtaret me të cilët keni punuar. Ç’përshtypje kanë patur?

Të të gjitha llojeve por një pjesë e konsiderueshme  përshtypje negative, madje për një periudhë kohe me mjaft telashe  apo shqetësime serioze në nivelin personal: dikush prej tyre më kërcënoi me gjyq (u frenua më pas nga vetë zyrtarë eprorë të tij), ndërsa dikush tjetër më rezulton se ka paraqitur ankesë zyrtare pranë instancave më të larta të shtetit shqiptar, për të “ndaluar librin dhe dënuar autorin”. Kam marrë vesh se hierarkia e lartë shtetare shqiptare e ka refuzuar këtë propozim, duke dalë në mbrojtje të autorit. Natyrisht që u mbetem mirënjohës.

Por së fundi, dua të kujtoj se mbrojtjen më domethënëse e mora atë kohë nga vetë instancat e larta ndërkombëtare, nga Qendra e përfaqësisë ndërkombëtare ku punoja, duket në respekt të parimit të shenjtë të kulturës europiane që i përkisnin, pra mbrojtja e fjalës dhe lirisë së shprehjes.

 

  • Po ju vetë, ҫfarë mendimi keni për rolin që luajnë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri?

 

Nuk ka dyshim, se pas rënies së regjimit Shqipëria do  rrezikonte shumë mbijetesën e saj pa ndihmën dhe asistencën ndërkombëtare, ardhur kryesisht nga dy aleatët e saj strategjikë SHBA dhe Bashkimi Europian. Por nga ana tjetër është vërtet alarmant imazhi negativ që ka mbizotëruar e vazhdon të mbizotërojë sot (megjithë përmirësimet) në një pjesë të opinionit ndërkombëtar për Shqipërinë e shqiptarët, i cili krahas zhgënjimeve dhe deziluzioneve në planin individual, është shndërruar në një pengesë serioze në planin politik e atë institucional.

Pa dashur të përjashtoj dukuritë negative që ka gjeneruar vetë një pjesë e shoqërisë shqiptare brenda  dhe jashtë vendit, pra vlerat  apo antivlerat  që trashëgon e bart aktualisht shoqëria shqiptare, dhe njëkohësisht pa dashur të anashkaloj vlerën dhe ndihmën e paçmuar ndërkombëtare ndaj Shqipërisë, kam mendimin se një pjesë jo e pakët përgjegjësie apo faji për klishetë apo shabllonet e krijuara për imazhin negativ Shqipërisë e shqiptarëve, e kanë dhe “të jashtmit”.

Ndër mendësitë zotëruese, aspak e papërfillshme që e ka favorizuar këtë imazh dhe që ka qarkulluar shpesh në nivele individësh (të huaj), ka të bëjë me faktin se sa më shumë ta nxish artificialisht realitetin e vendit (në rastin tonë të Shqipërisë) ku punon dhe jeton një institucion apo përfaqësi e huaj, aq më shumë kjo “rastësisht përkon” me privilegje apo përparësi financiare në planin ekonomik e më gjerë. Kurse në planin shpirtëror kjo prirje shkon në favor të mendësive narcistike të ndërkombëtarit, si dhe dëshmon (vetëdëshmon) për “kurajën dhe heroizmin” për të punuar dhe “rrezikuar kokën në këtë shkretëtirë”.

Kam përshtypjen se mjaft të huaj, anonim në vendet e tyre, me të ardhur në Shqipëri, gjatë “lodhjes dhe rropatjes për të ndihmuar këtë vend apo për tu treguar vendasve rrugën e përparimit” u merr kuptim të ri jeta, falë përkujdesjes dhe mikpritjes së “indigjenëve”. Është kjo arsye që shumë prej ndërkombëtarëve nuk ndahen dot apo trishtohen pa masë kur largohen nga Shqipëria.

SHPËRNDAJE