Marrëdhëniet e reja Shqipëri-Serbi, cilat janë implikimet për Kosovën?

0

ALBERT RAKIPI

 

Abstrakt

Rritja e komunikimit politik midis Shqipërisë dhe Serbisë, përfshirë edhe iniciativat  për bashkëpunimin ekonomik, ndërsa paralajmërojnë një erë të re në marrëdhëniet midis tyre, kanë nxitur edhe një valë debati për: marrëdhëniet aktuale shtetërore midis Shqipërisë dhe Serbisë, për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, për marrëdhëniet midis dy kombeve dhe çështjen e pajtimit midis tyre, si dhe së fundi, por jo e fundit nga rëndësia, për marrëdhëniet shtetërore midis Shqipërisë dhe Kosovës në kontekstin e marrëdhënieve të reja Shqipëri Serbi.

Përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë dhe Serbisë  filluan menjëherë pas rrëzimit të regjimit të Milosheviçit dhe sidomos pas  ndryshimit të hartës politike të Ballkanit me pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Njohja e Kosovës si shtet i pavarur shënon  zgjidhjen e asaj që për shqiptarët, në njëqind vjetët e fundit, kishte përbërë thelbin e çështjes kombëtare. Gjatë dy viteve të fundit Shqipëria dhe Serbia kanë rritur komunikimin politik, si dhe kanë ndërmarrë disa hapa konkretë për të rritur bashkëpunimin ekonomik. Ndonëse përparimi është ende modest janë të gjitha shanset për një erë të re në marrëdhëniet midis dy shteteve. Miti i armiqësisë shekullore midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan, lufta e Kosovës me fushatat shfarosëse të regjimit të Milosheviçit aty, si dhe mungesa ose ndërvarësia e dobët ekonomike janë shkaku i një mbështetjeje ende të dobët vendore për të  thelluar realisht marrëdhëniet  midis dy shteteve.

Artikulli i mëposhtëm analizon marrëdhëniet aktuale midis Shqipërisë dhe Serbisë  dhe implikimet e mundshme në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës në kontekstin e afrimit të Tiranës me Beogradin.

 

Konflikti si një marrëdhënie dominuese

Pavarësisht se Shqipëria dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, nuk kanë luftuar kurrë kundër njëra tjetrës, konfliktualiteti dhe armiqësia ka qenë një marrëdhënie dominuese midis serbëve dhe shqiptarëve, por edhe një përpjekje konstante e serbëve për të dominuar në këtë marrëdhënie, të paktën qysh nga krijimi i shteteve moderne në Ballkan, periudhë ku është lehtësisht e mundshme të ballafaqohen faktet.

Nga të gjithë fqinjët e Shqipërisë, të cilët historikisht kanë qenë në një garë dhe në të njëjtën kohë në mosmarrëveshje dhe konflikte për mënyrën se si mund t’i ndanin midis tyre territoret shqiptare apo më vonë shtetin shqiptar, më 1912, Serbia dhe Mali i Zi morën “pjesën e luanit”, “40 për qind të kombit shqiptar dhe më shumë se gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët”.[1] Kjo u perceptua si një padrejtësi e madhe, për të cilën krahas fqinjëve, shqiptarët fajësuan edhe fuqitë europiane të kohës. Në mënyrë paradoksale dhe tragjike krijimi i shtetit shqiptar krijoi edhe çështjen kombëtare shqiptare, zgjidhja e të cilës më 1912, konsistonte as më pak e as më shumë në rikthimin e territoreve shqiptare të aneksuara nga fqinjët, kryesisht nga Jugosllavia, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha.

Hedhja e bazave për krijimin e një shteti modern shqiptar gjatë periudhës së Mbretit Zog u shoqërua  në pamje të parë me  një politikë të jashtme kontradiktore në mënyrë të veçantë ndaj Beogradit, por Zogu arriti të krijonte me mjeshtëri balancat e duhura ballkanike në një mjedis thuajse krejtësisht armiqësor për të ardhmen e një shteti shqiptar.

Prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë zhvilluar në kontekstin e marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë dhe Federatës Jugosllave. Një kthesë të jashtëzakonshme, thuajse të pabesueshme dhe të paimagjinueshme në marrëdhëniet tradicionale midis shqiptarëve dhe serbëve, u shënua pothuaj menjëherë pas e deri në dy tre vjetët e parë pas Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria dhe Jugosllavia komuniste shkuan me shpejtësi drejt krijimit të një aleance të veçantë me një numër marrëveshjesh, që paralajmëronin përfundimin e Shqipërisë si një pjesë e federatës.[2] Ndikimi i jashtëzakonshëm jugosllav mbi qeverinë komuniste të Enver Hoxhës ishte i shpjegueshëm me rolin që Partia Komuniste Jugosllave kishte luajtur në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Kështu Shqipëria po rrëshqiste me shpejtësi dhe pa bujë nën orbitën jugosllave, për t’u shndërruar në një nga republikat e federatës. Me nënshkrimin më 1946 të traktatit të miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke, Shqipëria dhe Jugosllavia hynë në një aleancë politike dhe ushtarake, e cila përbënte, siç u përmend më lart, një kthesë të jashtëzakonshme në politikën e jashtme të të gjithë historisë moderne të shtetit shqiptar. Kjo aleancë u forcua me nënshkrimin e traktatit të koordinimit të politikave ekonomike, bashkimin doganor dhe njëjësimin e monedhës, kurse më 1947, Beogradi paraqiti planin për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë mbi baza federative. Por më 1948 mosmarrëveshjet midis Bashkimit Sovjetik dhe Federatës Jugosllave i dhanë fund edhe muajit të mjaltit midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, brenda marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë dhe Federatës Jugosllave, pothuajse u ngrinë për më shumë se dy dekada. Por në fund të viteve gjashtëdhjetë midis të dy shteteve pati një zhvillim të ri, lidhur me një numër faktorësh që lidheshin kryesisht me dinamikën e Luftës së Ftohtë dhe zhvillimet dramatike me pushtimin e Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, si dhe për shkak të aleancës së re të Shqipërisë me Kinën. Kjo është periudha e dytë jo konfliktuale në këto marrëdhënie pas Luftës së Dytë Botërore, që mundësoi edhe një bashkëpunim mjaft dinamik midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fillim të viteve nëntëdhjetë Shqipëria e porsadalë nga komunizmi dhe Jugosllavia e mbetur e Milosheviçit ishin në prag të një konflikti ushtarak. Por pavarësisht nga fakti qe konflikti ka qene një  marrëdhënie dominuese, Serbia dhe Shqipëria, si dy shtete të pavarura, nuk kanë luftuar kurrë kundër njëra tjetrës gjatë njëqind vjetëve të fundit.

 

Drejt një kapitulli të ri.

Që nga rënia e regjimit të Milosheviçit Shqipëria është treguar e gatshme për të vendosur një dialog dhe bashkëpunim me Serbinë. Madje edhe përpara rënies së Milosheviçit, në periudha shumë të tensionuara në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano nuk pati asnjë hezitim të takohej me Presidentin serb Milosheviç në Samitin e Kretës, në nëntor 1997. Lufta në Kosovë dhe e fundit në ish-Jugosllavi ishte në prag të shpërthimit dhe ishte e vështirë të besohej se Samiti i Kretës dhe posaçërisht takimi i Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë mund të shërbente për të ndaluar konfliktin e ri midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe aq më pak të shërbente për një klimë të re në rajon. Pas Samitit të Kretës Milosheviçi deklaroi se Kosova ishte një çështje e brendshme e Serbisë dhe zgjidhja duhej gjetur duke iu garantuar shqiptarëve të Kosovës të drejtat themelore të njeriut dhe jo autonominë.

Pas rënies së Milosheviçit, dialogu politik dhe marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit hynë në një hulli normale duke pasur, në fakt, një qasje aktive, konsekuente, të diplomacisë shqiptare. Menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënie diplomatike, në janar 2001, të dy vendet janë angazhuar për një  komunikim në rritje. Në vitin 2003, Beogradin e vizitoi Zëvendëskryeministri Ilir Meta, ndërkohë që janë shkëmbyer vizita edhe nga ministrat e jashtëm.

Marrëdhëniet ekonomike, ndonëse modeste, për shkak të ndarjes dhe mungesës së komunikimit për një kohë të gjatë, kanë zgjuar interesin e të dy vendeve, ndërkohë që janë nënshkruar një numër marrëveshjesh. Shkëmbimet ekonomike, nga 233 mijë dollarë në vitin 2000 arritën në 139 milionë dollarë më 2010. Gjatë dy tre vjetëve të fundit tregtia dhe shkëmbimet janë rritur ndërsa një numër kompanish serbe konkurruese në Ballkan kanë shfaqur interes për tregun shqiptar të investimeve.  Aktualisht shkëmbimet ekonomike vjetore kapin shifrën e 173 milion eurove.[3]

Në shtator të vitit 2014 filloi fluturimet drejt Tiranës kompania ajrore Air Serbia, që realisht po lehtëson komunikimin midis dy popujve, ndërsa statistikat tregojnë se numri i turistëve serbë që zgjedhin Shqipërinë shënon një diagram në rritje.

Izolimi relativisht i gjatë i dy shoqërive, mungesa e komunikimit, përveç të tjerash edhe kulturor; padyshim miti i armiqësisë historike midis dy popujve dhe sidomos  Kosova, lufta e atjeshme dhe pavarësia e saj me një mbështetje të madhe perëndimore, nuk e bëjnë shumë të lehtë bashkëpunimin dhe integrimin. Jo pak serbë që vizitojnë Tiranën dhe Shqipërinë në ditët e sotme ndjehen  shumë të habitur kur ballafaqohen me një shoqëri të hapur dhe një mjedis  aspak armiqësor. Habia e madhe e tyre është lidhur me perceptimin që duket se ata kanë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Miti i dy kombeve historikisht armiq duket se ende mban në të shkuarën një pjesë të rëndësishme të shoqërisë serbe dhe për fat të keq edhe të elitës në pushtet. I njëjti mit vërtitet edhe në mendjet e shqiptarëve, por kryesisht në segmente të diasporës në Perëndim, por edhe në Maqedoni dhe Kosovë.

Sipas studimit më të fundit të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare shumica e shqiptarëve mendojnë se nëse ka një shtet që përbën kërcënim për Shqipërinë, kjo nuk është Serbia, siç mund të mendojë shumëkush, por Greqia.[4]

Shqipëria dhe Kosova dy vëllezër, por … secili në shtëpinë e vet[5]

Prej vitit 2008 Shqipëria dhe Kosova po përpiqen të akomodojnë marrëdhëniet e tyre si dy shtete të pavarura. Tingëllon si paradoksale dhe ironike: ajo ç’ka mendohej se do të ishte një sipërmarrje e lehtë dhe e garantuar nuk duket të jetë e tillë. Një arsye, për të cilën nuk mund të fajësohen as Tirana dhe as Prishtina, është e kaluara, ndarja dhe mungesa e gjatë e komunikimit midis dy shoqërive, elitave, mungesa ose lidhjet shumë të dobëta të të dy tregjeve. Lidhjet e tregjeve midis Shqipërisë dhe Kosovës ishin natyrore, në mënyrë të veçantë në pjesën veriore dhe lindore të Shqipërisë, deri në dekadën e parë të shekullit të njëzetë. Por vendimi i fuqive europiane për të njohur  një shtet shqiptar më 1913 i la jashtë qytetet e pastra shqiptare, si Prizreni dhe Gjakova, duke e ndërprerë të njëjtin treg natyror dhe të njëjtin qytetërim.[6] Gjatë më shumë se njëqind vjetëve të  historisë së  shtetit shqiptar, Shqipëria dhe Kosova kanë funksionuar si tregje të ndara. Krijimi, për një kohë të shkurtër, i një Shqipërie natyrore, pothuajse në kufijtë e saj etnikë gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga Gjermania naziste, mbeti shumë larg funksionimit të një shteti, tregu dhe administrate të përbashkët.[7] Megjithëse po mbushet një dekadë qysh nga Shpallja e Pavarësisë ekonomia zbulon edhe mospërputhje të tjera midis prirjeve për të bashkëpunuar dhe realitetit. Dalja e një tregu etnik midis Shqipërisë dhe Kosovës mund të duket si një çështje zhvillimi natyror, duke pasur parasysh lidhjet historike midis dy vendeve. Tani që Kosova është shtet i pavarur, në një mjedis të ngrohtë, prirja natyrore duket të jetë vërtet ajo e integrimit me Shqipërinë. Megjithatë ekonomia është një nga lidhjet më të dobëta në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës. Me qëllim që të kuptojmë atë që duket si anomali në marrëdhëniet midis dy vendeve, së pari, duhet hedhur vështrimi prapa.

Gjatë shekullit të kaluar, tregjet dhe ekonomitë e të dy vendeve kanë vepruar në izolim të plotë nga njëri tjetri. Lidhjet tregtare të fillimit të shekullit të njëzetë, të ndikuara nga sundimi i gjatë otoman, u shkatërruan me dekada të tëra. Kosova u bë pjesë e tregut të gjerë jugosllav, kurse Shqipëria u mbyll gradualisht në vetvete. Vitet e vështira 1990, kur regjimet komuniste u shembën dhe Jugosllavia u shpërbë, sigurisht që nuk ishin të favorshme për tregti të ligjshme.

Së dyti, për shumë dekada, të dyja ekonomitë kanë qenë kryesisht agrare dhe shumë shpesh në një nivel pak të zhvilluar. Në mënyrë të ngjashme me të gjitha vendet e Ballkanit shkalla e industrializimit në Shqipëri dhe Kosovë mbetet e ulët deri më sot dhe kjo e pengon integrimin në sektorët e tanishëm ekonomikë fitimprurës në shkallë globale.

Së treti, tregjet dhe ekonomitë e vendeve ballkanike po orientohen në përgjithësi drejt vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe sidomos në vendet e afërta, si Italia dhe Greqia. Shkëmbimet tregtare midis vendeve ballkanike, që nuk janë anëtarë të BE-së, janë larg potencialit të tyre, ndërsa tregjet mbeten të varfër.

Forcimi i lidhjeve ekonomike midis Kosovës dhe Shqipërisë është me rëndësi themelore për përparimin ekonomik të të dy vendeve. Nëpërmjet Shqipërisë Kosova ka dalje në det, si edhe një zgjerim të tregut të saj shumë të vogël. Autostrada Durrës-Kukës, e njohur si “Rruga e Kombit”, ka sjellë në përgjithësi ndryshime të dukshme në infrastrukturën rrugore midis dy vendeve dhe do ta lehtësojë mjaft shfrytëzimin e Portit të Durrësit nga Kosova.

Sfera sociale dhe kulturore është më dinamike. Në një farë shkalle, Shqipëria dhe Kosova duket sikur paraqesin shoqëri të ndryshme dhe nivele të ndryshme modernizimi. Feja dhe familja luajnë një rol sasior dhe ndoshta cilësor të ndryshëm në strukturën sociale të shoqërisë së secilit vend, por në të njëjtën kohë, të dyja shoqëritë pasqyrojnë tipare të përbashkëta që lidhen me shkallën e ulët të zbatimit të ligjit, organizimin e dobët të bashkësive, etj.

Lidhjet dhe bashkëpunimi midis dy shoqërive janë gjithsesi të dobëta dhe jo thelbësore.

Tregu kulturor i Shqipërisë duket dominues në Kosovë, por kjo nuk mund të thuhet për shtypin. Kur bëhet fjalë për median e shkruar të dyja shoqëritë duket sikur veprojnë plotësisht më vete.[8]

Në shumë zhvillime që lidhen me shoqërinë, shtetin, kulturën, arsimin dhe median, Kosova duket gjithnjë e më shumë e ngjashme me Shqipërinë. Megjithatë duhet diskutuar nëse kjo do të thotë se Shqipëria po eksporton një model apo nëse kjo është thjesht një manifestim i zhvillimeve kontradiktore të vetë shoqërisë kosovare?

Shqipëria ishte nga vendet e para,[9]që njohu pavarësinë e Kosovës, çka duket të jetë kontributi i vetëm në njohjen  e sovranitetit të Kosovës si shtet pavarësisht nga pretendimet dhe zotimet e diplomacisë shqiptare për të lobuar për njohje të reja.[10]

Gjatë një dekade në marrëdhëniet bilaterale, ndonëse ka më shumë  entuziazëm dhe natyrisht më pak pengesa, ka pak substancë. Duket se aty është ende mbizotëruese  kultura e tregjeve në kohën e ish-Jugosllavisë, kur Kosova ishte një krahinë e federatës dhe lidhjet me Shqipërinë ose ishin të zbehta, ose mungonin krejt. Kësisoj, Kosova një ish-njësi e Federatës Jugosllave ka zhvilluar një kulturë për tregjet dhe shkëmbimet me njësitë e tjera të  Jugosllavisë, por jo me Shqipërinë. Kjo është arsyeja që ish-pjesët e Jugosllavisë, tashmë të gjitha shtete të pavarura, nga pikëpamja  ekonomike janë drejt kthimit te përvoja e mëparshme (Back to the future). Për Shqipërinë, kur është fjala për marrëdhëniet ekonomike me Kosovën nuk mund të ketë një kthim te përvoja e mëparshme, nëse përjashtojmë sigurisht kthimin përpara vitit 1913, kur qytetet kryesore të Kosovës ishin një pjesë integrale dhe funksionuese  ekonomike me Shqipërinë e Veriut. Ndërkaq, ideja e krijimit me domosdo të një tregu të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës mbi baza etnike, pavarësisht nga dëshirat dhe parullat patriotike, populiste, duket se nuk funksionon . Të dy tregjet në Shqipëri dhe Kosovë reflektojnë një shkallë të ulët funksionaliteti dhe përbashkësia etnike është e sigurt se nuk i ndihmon dot. Pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës  midis  të dy vendeve dhe përpjekjeve të të dy qeverive ende nuk është e mundur të jetësohet një marrëdhënie ekonomike e shëndetshme. Gjatë tre vjetëve të fundit Shqipëria ka marrë nismën për mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, për të shtyrë përpara bashkëpunimin bilateral, kryesisht në fushën ekonomike, por rezultatet ende nuk janë të dukshme. Gjatë katër pesë vjetëve të fundit midis të dy vendeve janë nënshkruar një  numër marrëveshjes në fushën  ekonomike, të arsimit apo të kulturës, por shumica e këtyre nuk përmbajnë instrumente konkrete apo akte nënligjore që do të shtynin përpara në mënyrë të veçantë marrëdhëniet ekonomike.[11] Marrëveshjet vëllazërore ndërmjet dy shteteve u ngjajnë protokolleve të përgjithshme, ku palët angazhohen në parim për thellimin e bashkëpunimit, kur praktikisht midis të dy vendeve ekzistojnë barriera që e vështirësojnë komunikimin dhe bashkëpunimin ekonomik.[12] “Shqipëria e Madhe” është Shqipëria ekonomike, por nga të dyja anët e kufirit nuk është duke u propozuar asnjë nismë serioze, asnjë instrument.[13]

Varfëria e marrëdhënieve ekonomike midis të dy vendeve duhet kërkuar edhe te gjendja aktuale ekonomike e Shqipërisë dhe Kosovës, te shkalla e ulët e zbatimit të ligjit, niveli i korrupsionit, si dhe te influenca e monopoleve në ekonomitë e të dy vendeve.

Nga pikëpamja strategjike, Shqipëria dhe Kosova e shikojnë të ardhmen e tyre të përbashkët si anëtare të Bashkimit Europian[14] dhe jo në krijimin e një shteti të  përbashkët, siç spekulohet shpesh me idenë e Shqipërisë së Madhe. Në nivelin e shoqërive, shumica e qytetarëve shqiptarë në Shqipëri besojnë se marrëdhëniet me shtetin e Kosovës janë strategjike dhe qeveria duhet t’u kushtojë vëmendjen e duhur.[15] Ndërkaq shqiptarët në Shqipëri nuk e mbështesin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Vetëm 9 për qind e shqiptarëve besojnë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është pozitiv, përkundër 35 për qind që besojnë se kjo është negative, kurse 37 për qind të tjerë janë krejtësisht neutralë rreth kësaj çështjeje.[16] Tabloja nuk është e njëjtë në Kosovë, ku 81 për qind  e publikut mbështet unifikimin në një shtet të përbashkët.[17] Megjithëkëtë, udhëheqësit politikë të Shqipërisë parapëlqejnë një lloj paqartësie, me teza plot ekuivoke,[18] kur flasin për të ardhmen e dy shteteve, në përpjekje për të  mos humbur qoftë edhe votat e nacionalistëve të mbetur, të cilët flasin ende për çështje kombëtare të pazgjidhur dhe e shikojnë zgjidhjen e saj si bashkim të dy shteteve. Aktualisht në Shqipëri nuk ka një parti politike apo organizatë serioze që të mbështesë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në një shtet të përbashkët, përkundër Vetëvendosjes në Kosovë, me një platformë politike dhe aksione të qëndrueshme, por pa e rritur mbështetjen dhe kuotat në parlament. E kaluara me ndarjen e gjatë, qysh në lindjen e një shteti të pavarur në Shqipëri, lidhjet e pakta ekonomike, kulturore, njerëzore, ekonomitë e varfra, shkalla e ulët e funksionalitetit të shteteve dhe e demokracisë, si dhe prirjet dhe aksionet populiste në të dy shtetet, janë ato që përcaktojnë natyrën e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura,

Por një faktor i ri që duket se do të ndikojë në mënyrë më thelbësore dhe ndoshta më përcaktuese në të ardhmen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura, është afrimi ri i Shqipërisë me Serbinë.

 

Shqipëri-Serbi, Kosova si një betejë proxy

Kur Kryeministri i Shqipërisë vizitoi për herë të parë Beogradin në nëntor 2014, e para vizitë e një kryeministri shqiptar pas asaj të Enver Hoxhës më 1946, ishte pak ose aspak e pritshme që në axhendën e bisedimeve të ishte Kosova. Ishte e kuptueshme se më shumë se sa axhenda e bisedimeve rëndësi kishte thjesht fakti se kjo vizitë po ndodhte.

Vëmendja e shtypit lokal dhe ndërkombëtar, përfshirë dhe diplomacinë europiane, më shumë se sa te përmbajtja e axhendës, u përqendrua thjesht te fakti që një kryeministër i Shqipërisë po vizitonte Serbinë pas shumë dekadave konfliktuale.

Simbolika e ndryshimit ishte e qartë: “’Dy armiqtë e mëdhenj të Ballkanit’ po i largohen të shkuarës dhe po shkojnë drejt paqes.”

Po kështu, varfëria e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk mund të sugjeronte një axhendë të menjëhershme të marrëdhënieve dypalëshe dhe sidomos një takim të nivelit më të lartë midis dy qeverive, përveç angazhimeve në parim për të  bashkëpunuar.

Ndërkaq, janë të paktën tre faktorë që sugjeronin mospërfshirjen e Kosovës në axhendën e  akimit të dy kryeministrave.

Pikë së pari, prej vitit 2008 Kosova është një shtet i pavarur, i njohur nga më shumë se njëqind shtete, përfshirë edhe Shqipërinë. Pavarësisht se Serbia aktualisht nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, gjatë tre viteve të fundit, të dy vendet janë në një proces dialogu dhe kanë nënshkruar një numër marrëveshjesh me ndërmjetësinë e një pale të tretë, Bashkimit Europian. Përfshirja e Kosovës në axhendën bilaterale Shqipëri-Serbi, që në fakt është përfshirje e një shteti të tretë, është krejtësisht e pavend dhe përmban rrezikun e perceptimit dhe interpretimit të Kosovës si një çështje, që duhet zgjidhur midis Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo nuk ka  ndodhur madje  as përpara vitit 2008, kur statusi i Kosovës ishte ende në diskutim, pas rënies së regjimit të Milosheviçit. Shqipëria nuk i ka kushtëzuar marrëdhëniet me Serbinë pas ndryshimeve demokratike të atjeshme deri në shpalljen e pavarësisë më 2008. Gjatë kësaj periudhe, në përpjekje për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin me Serbinë, Shqipëria, kur ishte fjala për të ardhmen e Kosovës, zbatonte në marrëdhëniet me Serbinë formulën agree to disagree.

Së dyti, megjithëse mundësia që Shqipëria të ndikojë dhe të inkurajojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë gjë nuk përjashtohet, kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe ka pak shanse të ndodhë në të ardhmen,[19] midis të tjerash edhe për faktin se ajo vetë është një shtet i vogël, i dobët, ku komuniteti  ndërkombëtar vijon të ketë një shkallë të lartë ndërhyrjeje si në politikat e brendshme edhe në  politikat e jashtme. Aq më pak mund të mendohet se Shqipëria mund të ndikojë mbi Serbinë që kjo të njohë pavarësinë e Kosovës.

Së treti, përfshirja e një çështjeje, siç është pavarësia e Kosovës, për të cilën Shqipëria dhe Serbia kanë qëndrime diametralisht të kundërta, në një takim që ndodh pas disa dekadash të një gjendjeje konfliktuale, nuk do ta ndihmonte as takimin dhe as pritshmëritë për një klimë të re në marrëdhëniet midis të dy vendeve, të mbërthyera nga miti i “armiqësisë historike.”

Një faktor tjetër rrethanor aksidental, që e  përjashtonte Kosovën nga axhenda e nivelit të lartë, ishte gjithashtu incidenti në stadiumin e Beogradit me fluturimin e “dronit të famshëm,” me një flamur, që u interpretua si një flamur i Shqipërisë së Madhe. Vetëm një javë përpara vizitës së kryeministrit të Shqipërisë në Beograd Shqipëria dhe Serbia pothuajse rrëshqitën në një  përplasje që të kujtonte të kaluarën. Brenda njëzet e katër orëve qeveritë e të dy vendeve shkëmbyen Nota Proteste.[20] Ambasadorët e të dy vendeve u thirrën me urgjencë në selitë diplomatike përkatëse. Shtetarët më të lartë të të dy vendeve u përfshinë në deklarata, por edhe polemika dhe madje edhe akuza në distancë.

Këto dhe detaje të tjera ngjanin tmerrësisht shumë me atmosferën e Luftës së Ftohtë të shtatëdhjetë viteve më parë, kur Shqipëria dhe në atë kohë, Jugosllavia e Titos, i dhanë fund “muajit të tyre të mjaltit” (1948). Miti i armiqësisë historike midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan u shfaq papritur dhe në mënyrë absurde në marrëdhëniet shtetërore midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Mirëpo sado jo racionale dhe e padobishme të duket përfshirja e Kosovës në takimin e parë, pas shtatëdhjetë vjetësh, të kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, kjo ndodhi dhe diskutimi publik i qëndrimeve të ndryshme për shtetin e Kosovës nga të dy kryeministrat pothuajse e eklipsoi rëndësinë dhe simbolikën e të gjithë vizitës.[21] Fjalimi jo proporcional i kryeministrit të Shqipërisë për “çështjen e Kosovës” në Beograd u përshëndet nga udhëheqës politikë shqiptarë,[22]nga qarqe populiste  shqiptare në mënyrë të veçantë jashtë Shqipërisë, përfshirë edhe disa prej udhëheqësve politikë në Kosovë.

Në mënyrë të ngjashme edhe në Serbi, Kosova shërbeu si një “betejë (proxy)” për nacionalistët, populistët, përfshirë edhe Kryeministrin Vuçiç, i cili shprehu keqardhjen për atë që ai e quajti “provokimi i kryeministrit të Shqipërisë,” ndërsa mediat lokale, të unifikuara, glorifikuan “vendosmërinë e tij për t’u përballur me provokacionet dhe për të mbrojtur Kosovën, pavarësinë e të cilës nuk do ta njohim kurrë.”[23]

Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës dhe zyrtarë shtetërore gjithsesi treguan  vetëpërmbajtje për këtë “akt patriotik të kryeministrit të Shqipërisë në mes të Beogradit” dhe përmes komenteve pothuajse neutrale theksuan faktin që Kosova dhe Serbia janë duke biseduar aktualisht me njëra tjetrën.

Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër i Kosovës, ndërsa e “uroi Ramën për qëndrimin e tij mbi domosdoshmërinë e ‘njohjes së realitetit të një Kosove të pavarur,’” vinte në dukje faktin  e dialogut midis  Serbisë dhe Kosovës.[24]

Ndërkaq, në Tiranë dhe në Prishtinë, analistë të pavarur ndriçuan si aspekt të rëndësishëm të takimit të Rama-Vuçiç, përpjekjen e të dy udhëheqësve për të projektuar një imazh bashkëpunues të tyre në Bruksel dhe në qendra të tjera vendimmarrëse perëndimore.[25]

Prej takimit të parë, në vjeshtën e vitit 2014, kryeministrat e Shqipërisë  dhe të Serbisë kanë vijuar të takohen në mënyrë më të shpeshtë,[26] për të nxitur një klimë te re në marrëdhëniet shtetërore dhe njëherazi duke krijuar imazhin e udhëheqësve modernë, “që shikojnë nga e ardhmja.”

Megjithëse marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Serbi mbeten ende të varfra,[27] shkëmbimet ekonomike gjatë dy viteve të fundit kanë shënuar një rritje modeste,[28] ndërsa të dy administratat janë në kërkim edhe të instrumenteve të reja për të shtyrë bashkëpunimin ekonomik.[29]

Por përpjekjet për një afrim të ri midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk janë pritur mirë në Kosovë. Nga mungesa e entuziazmit dhe qëndrimet neutrale, që u vërejtën fillimisht, udhëheqësit politikë në Kosovë duken të jenë gjithmonë e më shumë kritikë për atë që po ndodh midis Tiranës dhe Beogradit. Ata mendojnë se Tirana po “nxitohet” me përpjekjet  për të thelluar  marrëdhëniet me Beogradin.

Po përse ka rezerva Prishtina ndaj  afrimit të Tiranës me Beogradin? Në nivel politik,  Kosova dhe Serbia, të angazhuara në një proces dialogu me ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur të zgjidhin ose të vënë në rrugën e zgjidhjes një numër çështjesh praktike midis të dy vendeve, të cilat kanë ndikim në jetën e përditshme të qytetarëve, pavarësisht se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Nga pikëpamja ekonomike, në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë ka më shumë substancë se sa në marrëdhëniet ekonomike Kosovë Shqipëri.

Por duket qartë se arsyeja e nervozizmit dhe kundërshtimit të Kosovës nuk ka të bëjë me zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës, në veçanti dhe as me zhvillimin e marrëdhënieve shtetërore apo afrimin e tyre per se.

Fillimisht qëndrimet e rezervuara të qeverisë së Kosovës dhe së fundi edhe  kundërshtimet e shprehura hapur kanë të bëjnë me faktin që edhe Shqipëria, edhe Serbia, vijojnë “ta mbajnë” Kosovën në axhendën e tyre dypalëshe, kur në Kosovë, de facto, Serbia nuk ka asnjë lloj sovraniteti dhe kur, de facto dhe de jure, Shqipëria e ka njohur pavarësinë e Kosovës ashtu sikundër kanë bërë më shumë se njëqind shtete, shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, shumica e Fuqive të Mëdha dhe pothuajse të gjithë shtetet demokratike.

A po përpiqet Shqipëria të luajë rolin e shtetit amë kundrejt Kosovës dhe nëse po, përse?

Kur fuqitë europiane, njëqind e trembëdhjetë vjet më parë shkuan drejt njohjes së një shteti shqiptar, duke i copëtuar territoret shqiptare, shteti që u krijua, Shqipëria, ishte shteti amë në raport me Kosovën dhe popullsinë tjetër shqiptare që përbënte komunitete kompakte në Mbretërinë e Jugosllavisë, kurse pas Luftës së Dytë Botërore, në Federatën Jugosllave. Gjatë afro njëqind vjetëve të para Shqipëria nuk mundi të luante dot rolin e shtetit amë kundrejt shqiptarëve që mbetën jashtë kufijve shtetërorë me statusin e minoritetit.

Edhe pas rënies së regjimit komunist dhe fundit të Luftës së Ftohtë, Shqipëria, një shtet shumë i dobët dhe madje i rrezikuar për vete, nuk mundi të luante rolin e shtetit amë kundrejt Kosovës apo  minoriteteve të tjera shqiptare në Federatën Jugosllave që filloi të shpërbëhej me dhunë.

Shqipëria ka mbështetur në mënyrë konsekuente politikat e Perëndimit në Ballkan dhe qëndrimi politik i saj lidhur me të ardhmen e Kosovës nuk ka qenë i ndryshëm nga qëndrimi i fuqive perëndimore, si SHBA dhe disa fuqi europiane. Pavarësisht se udhëheqësit politikë në Shqipëri kanë folur shpesh se e mbështesin pavarësinë e Kosovës, politika zyrtare e Tiranës nuk kishte mundur të formulonte një pikëpamje dhe opsion të vetin, të pavarur, rreth të ardhmes së Kosovës si një shtet i pavarur, të paktën jo deri përpara luftës në Kosovë. Do të ishte më shumë se paradoksale dhe ironike që rolin si shtet amë, të cilin Shqipëria, për arsye të njohura historike, nuk e luajti dot kundrejt Kosovës, po përpiqet ta bëjë tani, pas më shumë se 100 vjetësh, kur Kosova është një shtet i pavarur. Ndërsa nuk ka dyshim se që prej vitit 2008, Shqipëria nuk mund të ishte vendi amë për Kosovën, po shumë e diskutueshme është edhe nëse Shqipëria duhet të luajë rolin e shtetit amë kundrejt shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët përbëjnë një minoritet në Serbi. Është krejt natyrale që shteti amë  për minoritetin shqiptar në Luginën e Preshevës të jetë Kosova dhe jo Shqipëria, duke mbajtur parasysh faktin se Lugina e Preshevës është pjesë integrale e të njëjtës njësi ekonomike e kulturore, që e lidh me Kosovën përpara se ta lidhë me Shqipërinë.[30] Por nëse Shqipëria nuk mund të luajë as teorikisht rolin e shtetit amë kundrejt Kosovës, në marrëdhëniet e saj me Serbinë, a është këmbëngulja e Shqipërisë për të mbajtur “the elefant in the living room”, ashtu sikundër për Serbinë, një betejë “proxy? Shqipëria ka pretenduar në mënyrë të vazhdueshme “të shpërblehet” për politikën moderuese në një Ballkan të trazuar nga konflikte të përgjakshme, mosmarrëveshje dhe tensione që vijojnë ende edhe sot. Komuniteti ndërkombëtar ka folur shpesh për rolin konstruktiv të Shqipërisë në Ballkan dhe Shqipëria ka pritur të shpërblehet për konstruktivitetin e saj, shpërblim që në Ballkan e lidhin kryesisht me mbështetjen e Perëndimit për individët, udhëheqësit dhe jo për shtetet që këta drejtojnë. Aktualisht, ky rol i Shqipërisë në Ballkan ka ardhur duke u zbehur të paktën për tre arsye: së pari, njohja e Kosovës si shtet i pavarur me institucionet e saj shtetërore dhe qeverinë e redukton natyrshëm rolin që Tirana mund të luante potencialisht në Ballkan. Së dyti, përpjekjet e Shqipërisë për të influencuar mbi zhvillimet në Kosovë (por edhe në Maqedoni,) janë perceptuar gjithmonë e më shumë  si një qasje paternaliste, gjë që shpjegon edhe një refuzim gradual nga elitat politike në Kosovë. Së treti, përpjekjet e Tiranës për të influencuar mbi Kosovën politike  kanë përfunduar në qasje klienteliste me parti të caktuara politike ose edhe më keq akoma, thjesht në individë. Dhe së fundi, por jo pa rëndësi: krizat e herëpashershme të Shqipërisë, deri në prag të dështimit të shtetit, e kanë gërryer legjitimitetin, reputacionin dhe mundësinë e saj për të pasur një rol udhëheqës, si një model për shqiptarët në Ballkan.[31]

Përpjekjet për të ndërtuar një klimë të re në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, janë në fakt përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në pamje të parë duket paradoksale që dy shtete, të cilat nuk kanë asnjë çështje thelbësore të kontestueshme ndërmjet tyre, të kenë vështirësi për normalizimin e marrëdhënieve, në qoftë se as Shqipëria dhe as Serbia nuk përfshijnë sigurisht në axhendën dypalëshe qëndrimet e tyre për Kosovën. Dhe përfshirja në axhendën dypalëshe e një shteti të tretë, shtetit të Kosovës, është një paradoks më vete.[32]

Për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është Bashkimi Europian ai që luan rolin e ndërmjetësuesit, si një palë e tretë dhe a ka kuptim angazhimi në të njëjtin rol i Shqipërisë, i një shteti të vogël, të dobët, pa konsideruar këtu implikimet që vijnë nga fakti se deri në vitin 2008 Shqipëria ishte për Kosovën, të paktën formalisht, shteti amë? Për më tepër, Shqipëria nuk ka ndonjë mandat për të negociuar me Serbinë në emër të Kosovës dhe pritshmëritë që Shqipëria të mundet të ndikojë në marrëdhëniet Kosovë Serbi nuk ekzistojnë as në Beograd dhe as në Tiranë.[33] Kosova vetë është kundër një roli ndërmjetësues të Shqipërisë edhe sepse “Shqipëria nuk është një aktor global si SHBA apo BE-ja,” prandaj në raportet midis Kosovës dhe Serbisë, Kosova kërkon mbështetjen e SHBA ose të BE–së, që kanë edhe instrumentet për të ndikuar.[34]

Por nëse Shqipëria është një shtet i vogël dhe i dobët, me një shkallë të lartë të ndërhyrjes ndërkombëtare në politikët e brendshme dhe të jashtme, nëse vetë Kosova  nuk e dëshiron një rol ndërmjetësues të Shqipërisë në marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe nëse rolin ndërmjetësues e ka marrë një fuqi  ndërkombëtare si BE, përse Tirana këmbëngul të mbajë në axhendën dypalëshe me Serbinë “çështjen e Kosovës,” një term që, në thelb, simbolizon konceptin mitik të Shqipërisë politike postkomuniste  rreth Kosovës.?[35]

Gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit qysh nga  fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë, në “betejën” e Shqipërisë për “çështjen e Kosovës” nuk kanë munguar elementët  e proxy.“Çështja e Kosovës” edhe përpara, edhe pas pavarësisë, është përdorur, së pari, nga udhëheqësit politikë të Shqipërisë për të avancuar interesat e tyre afatshkurtra politike në luftën e tyre të brendshme politike dhe së dyti, dhe ndoshta më e rëndësishme, për të siguruar legjitimitet nga komuniteti ndërkombëtar për politika “të moderuara dhe kostruktive në Ballkan.” Nga ana tjetër, udhëheqësit politikë në Kosovë, brenda mbështetjes  dhe kontributeve që ka dhënë Shqipëria, kanë “ mirëkuptuar” edhe aspektet “proxy” brenda kësaj mbështetjeje, ndërkaq   edhe vetë udhëheqësit e Kosovës i kanë përdorur lidhjet dhe influencat me Shqipërinë në  konfliktin e tyre të brendshëm politik. Në këtë marrëdhënie komplekse midis Tiranës dhe Prishtinës nuk kanë munguar as mosmarrëveshjet, as polemikat, por për herë të parë, në marrëdhëniet politike midis “dy vëllezërve” vërehet një tensionim. “Beteja” që Tirana po zhvillon aktualisht me Beogradin për Kosovën sugjeron perceptimin se Kosova, në fakt një shtet i tretë, është thjesht një çështje që duhet të zgjidhet midis  Shqipërisë dhe Serbisë.[36] Tensionet midis  Kosovës dhe Shqipërisë u ritën në mënyrë të veçantë pas vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në tetor të këtij viti ( 2016) në Beograd. Fillimisht, zëra të pavarur në Prishtinë e krahasuan sjelljen e Shqipërisë ndaj  Kosovës me sjelljen e Serbisë ndaj Republikës Serbska dhe e refuzuan këtë qasje si krejt  të papranueshme.”[37] Zërave shumë kritikë  ndaj kësaj qasjeje të Tiranës iu bashkua edhe qeveria e Kosovës përmes komenteve të Ministrit të Jashtëm Hoxhaj, i cili e paralajmëroi Tiranën se “për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë Serbi, Kosova vetë është aktor politik dhe Shqipëria e ka të qartë këtë proces dhe …. do ta ketë të qartë edhe në të ardhmen.”[38]

Në axhendën e marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Serbisë, po zë vend gjithmonë e më shumë Kosova dhe çështje të marrëdhënieve të saj me Serbinë, që në fakt, normalisht janë çështje të një shteti të tretë dhe kuptohet që janë në mandatin e qeverisë së këtij shteti, që është shteti  iKosovës.[39]

Shqipëria dhe Serbia kanë bërë propozime për projekte në fushën e infrastrukturës rrugore, por zbatimi i këtyre projekteve, siç është, për shembull, autostrada Durrës-Nish, kuptohet që kërkon angazhimin e një shteti të tretë që gjeografikisht është midis tyre, i Kosovës. Nënshkrimi i protokolleve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Serbisë  për këto projekte të infrastrukturës ka krijuar shqetësime në Prishtinë me alarmin se marrëveshjet e nënshkruara  njohin sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.[40]

Por nuk është vetëm “mbajtja e elefantit në dhomën e ndenjjes,” kur ky “elefant” është çliruar qysh në vitin 2008, që e bën betejën “proxy” të Shqipërisë, por edhe të Serbisë, për Kosovën jo vetëm të padobishme, por edhe të rrezikshme. Me afrimin e ri të Shqipërisë me Serbinë, Shqipëria nuk i ka fshehur ambiciet e saj për të udhëhequr  bashkë me Serbinë pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë, “Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara, duke bërë së bashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas Luftës së Dytë Botërore për Europën.”[41] Po a është i zbatueshëm modeli franko-gjerman i pajtimit  në rastin e Shqipërisë dhe Serbisë? Armiqësia midis serbëve dhe shqiptarëve është një mit, jo aq i ngjashëm me armiqësinë dhe rivalitetin franko gjerman. Dhe mbi të gjitha, në konfliktin modern midis shqiptarëve dhe serbëve, çështja e Kosovës ka qenë qendrore. Megjithatë, pavarësisht nga gjendja konfliktuale, Shqipëria dhe Serbia  nuk kanë luftuar kurrë si dy shtete të pavarura kundër njëri tjetrit, siç kanë bërë Gjermania dhe Franca deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, nëse nuk përfshijmë këtu përpjekjet e Serbisë, Malit të Zi e Greqisë apo fuqive europiane për të ndarë territoret shqiptare në vigjilje të krijimit dhe të njohjes së shtetit shqiptar. Lufta, gjenocidi, vrasjet masive, shpërnguljet masive, kanë ndodhur në Kosovë dhe jo në Shqipëri. A është e mundshme që  në këto rrethana pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve  në Ballkan ta udhëheqë Shqipëria?[42] Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës, ka një përgjigje të qartë pa ekuivoke për këtë pyetje: “Normalizimi i plotë i marrëdhënieve shqiptaro-serbe nuk kalon nga Beogradi përmes Tiranës, por nga Prishtina”.[43]

 

Konkluzione

Shqipëria dhe Serbia janë dy shtete kyçe për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin  Ballkanit. Këto marrëdhënie janë strategjike dhe si të tilla ato së pari, kërkojnë një pronësi dhe mbështetje vendore, krahas mbështetjes së diplomacisë europiane.

Afrimi i ri i Shqipërisë me Serbinë ka, siç duket, edhe mbështetjen dhe pritshmëri të veçanta nga fuqitë europiane. Mbështetja e Bashkimit Europian dhe në mënyrë të veçantë e Gjermanisë për një erë të re në marrëdhëniet  ndërshtetërore Shqipëri-Serbi lidhet me pritshmëritë për idenë e pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve si dy “kombe armiq të mëdhenj” në Ballkan.

Thellimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve shtetërore  midis Shqipërisë dhe Serbisë mund të ndihmojë në ndërtimin e një klime të re midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, por pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve si dy shtete duhet të ndodhë midis Serbisë dhe  Kosovës.

Ndërkaq, në marrëdhëniet aktuale midis Shqipërisë dhe Kosovës janë përcaktues dy faktorë: njohja e Kosovës si një shtet i pavarur dhe marrëdhëniet e reja të Shqipërisë me Serbinë.

Qysh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008, Shqipëria dhe Kosova janë duke u përpjekur të zhvillojnë marrëdhënie krejtësisht të reja, tashmë si dy shtete të pavarura. Duket si paradoks, por akomodimi dhe funksionimi i Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete të pavarura dhe për më tepër, zhvillimi i marrëdhënieve midis tyre edhe tani pas dhjetë vjetësh nuk duket një sipërmarrje aq e lehtë. Hera-herës, në  kufirin shtetëror, që në fakt ndan shqiptarët, shpërthejnë “luftëra” të vogla ekonomike  për pataten, qumështin, miellin dhe në marrëdhëniet ndërshtetërore nuk ka ende shumë substancë, ndërsa ka më shumë fasadë për bashkëpunimin vëllazëror, por dhe një tendencë konstante paternaliste nga Tirana, e cila hera-herës krijon nervozizëm në Prishtinë.

Për shkaqe të njohura historike Shqipëria nuk mundi ta luante kurrë rolin e shtetit amë kundrejt Kosovës apo pakicave shqiptare në Ballkan dhe kuptohet, që çdo përpjekje për të bërë rolin e shtetit amë pas pavarësisë do të ishte absurde dhe e dëmshme. Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të pavarura, në vend të përplasjes mund të harmonizohen me politikat e tyre rajonale, në mënyrë të veçantë, ndaj minoriteteve shqiptare në shtetet e tjera fqinjë në Ballkan.

Prej vitit 2008 në marrëdhëniet midis  Shqipërisë dhe Serbisë, Kosova nuk është dhe s’mund të jetë më “elefanti në dhomën e ndenjjes”. Mosdalja nga kjo qasje injoron faktin se Kosova është një shtet i pavarur, çka mund të ketë implikime serioze për  marrëdhëniet  e saj me Serbinë. Ndërkaq, nëse nuk e minon, ajo mund të relativizojë rolin e një aktori ndërkombëtar, si palë e tretë midis Serbisë dhe Kosovës, siç është Bashkimi Europian. Dhe e fundit, por jo e fundit për nga rëndësia, një betejë “proxy” e Tiranës ka paralajmëruar një tension dhe përplasje midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Tendencat populiste dhe paternaliste në Beograd dhe Tiranë në rastin më të mirë mund të ruajnë status quo-në në marrëdhëniet shtetërore midis  Shqipërisë dhe Serbisë, pa lejuar përparim thelbësor, ndërsa mund të dëmtojnë marrëdhëniet ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Kosovës.

_________________________________________________________________

[1]Shih Elez Biberaj, Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare, ed. Albert Rakipi, (AIIS  Tiranë, 2013)

[2]Për një përmbledhje të plotë të marrëdhënieve të Shqipërisë me Federatën Jugosllave shih Elez Biberaj, “Shqipëria: një fuqi e vogël në kërkim të sigurisë” në Shqipëria dhe Kina – një aleancë e pabarabartë, (AIIS, Tiranë 2011).

[3]Shih: Albania, Serbia take further steps to normalize  relations, në Tirana Times, Maj 2014 at http://www.tiranatimes.com/?s=Albanian+Serbia+Relations&paged=2

[4] Shih Albanian Serbian Relations in the eyes of the Albanian public opinion 2015, Alba Cela, Albanian Institute for International Studies, Tiranë,  2015, f. 22

[5]  Ideja e  Presidenti te ndjerw   Ibrahim Rugova, “Jemi dy vëllezër, por jetojmë në shtëpi të ndara” cituar nga

Jan Braathu Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë,  Tetor 2015 , ne  www.telegrafi.com,

[6]D. Heaton Armstrong, Abania – The six months Kingdom. (AIIS  2012)

[7]Shih Bernd Fischer, Albania between wars dhe Paskal Milo, Udhëkryqe shqiptaro-gjermane. (Toena , 2016)

[8]Asnjë gazetë që shtypet në Shqipëri nuk shitet në Kosovë dhe anasjelltas, megjithëse nismat nuk kanë munguar nga të dyja anët e kufirit.

[9] Por sigurisht pas njohjes ndërkombëtare të SHBA dhe Fuqive Europiane.

[10]Nisma më e fundit e diplomacisë së Shqipërisë për  anëtarësimin e Kosovës në UNESCO  dështoi në mënyrë të bujshme, me abstenimin  edhe të disa shteteve europiane, që prej vitesh e kanë njohur pavarësinë e saj.

[11]Shih Gazeta Ekspres

[12]“Albania still doesn’t recognize certificates of origin issued by Kosovo authorities which makes the export of Kosovo products to Albania difficult and causes unnecessary long lines and wait-times at the Vermice border crossing point with Albania,” Naim Gashi, an economy professor with the University of Prishtina has told Radio Free Europe in its local Albanian service.

[13] Se sa  jo reale dhe qesharake  është   teza e Shqipërisë së Madhe, që pretendohet nga të tretët,është e mjaftueshme  observimi i marrëdhënieve ekonomike. Më 1946  Shqipëria po përfundonte si një republikë e  shtatë e Jugosllavisë  përmes  një  numri instrumentesh ekonomike në mënyrën më të pabujshme.

[14]Shiko  Albert Rakipi  “Il Piemonte  Albanese E Bruxelles,   nw Limes  Nr.2, 2008 Rome

[15]Sipas një studimi të fundit të Institutit Shqiptar te Studimeve Nderkobmwtare  88 për qind e shqiptarëve në Shqipëri i shohin marrëdhëniet me Kosovën si të rëndësishme nga pikëpamja strategjike, kundrejt 99 për qind që shohin si partner strategjik Italinë, 94 për qind Bashkimin Europian dhe 90 për qind Shtetet e Bashkuara. Shih Albania Twenty Years After: People on state and democracy . (Albanian Institute for International Studies, Tirana 2011 or at www.aiis-albania.org)

[16] Po aty

[17]Mbështetja për një Shqipëri natyrore duket spektakolare në Kosovë me 81 për qind, por kjo shifër duket e diskutueshme po të kemi parasysh faktin që Vetëvendosja, që është i vetmi organizim politik serioz, që mbron idenë e bashkimit Shqipëri-Kosovë pati vetëm 12 për qind mbështetje në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

[18] Seria e mbledhjeve  të  përbashkëta të  dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës  u hap me takimin e parë  që  u mbajt  në Prizren. Mbajtja e mbledhjes  së parë  pikërisht në Prizren, me një skenografi  te zgjedhur me kujdes  plot flamuj, me dy prijës, sigurisht që  synonte  simbolikën  e historisë së bashkimit,  Lidhjen e Prizrenit.

[19] Në vitin 2015 Shqipëria mori një rol udhëheqës në përpjekjet e Kosovës për tu anëtarësuar në UNESCO por  përpjekjet dështuan madje me abstenimin e disa shteteve që  edhe e kanë njohur pavarësinë.

[20] Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i paraqiti më 16 tetor 2014 një notë proteste qeverisë serbe, ku theksohej se  Qeveria e Shqiperise   “hedh poshtë me vendosmëri baltosjen politike të ndërmarrë nga udhëheqësit kryesorë të Serbisë kundër popullit dhe shtetit shqiptar” shiko Zeri i Amerikës   http://www.zeriamerikes.com/a/deklarat-e-ditmir-bushatit/2486075.html. Nota e protestës e Qeverisë shqiptare ishte në fakt një përgjigje ndaj notës së protestës ndaj qeverisë serbe.

[22]http://infoalbania.al/adem-demaci-dhe-menduh-thaci-vleresojne-deklaratat-e-rames-ne-beograd/

 

[23]B92

[24] Shih: Maja Ponatov ‘Historic’ Albanian visit to Serbia leaves bitter aftertaste at https://www.euractiv.com/section/enlargement/news/historic-albanian-visit-to-serbia-leaves-bitter-aftertaste/  November13, 2014.

[25]Shih: Enver Robelli “Vizita e Edi Ramës në Beograd  dhe Selamet e panevojshme nga Kosova. Koha,net 12 Tetor 2014

[26]  Krahas takimeve  në vende të treta në mars 2015  Kryeminsitri Vuçiç vizitoi Tiranën, ndërsa kryeministri i Shqipërisë   vizitoi Beogradin në tetor të ketij viti( 2016)

[27] Tregtia  si në kohen e mesjetës. Shih Tirana Times.

[28]Albania’s exports to Serbia rose to 3.2 billion lek (€23.3 mln) in 2015 but imports were seven times higher at almost 21 billion lek (€153 mln), according to INSTAT, Albania’s state statistical INSTAT.   For more see Albania-Kosovo trade exchanges continue to remain lower than with Serbia at Tirana Times.com November 2016

[29]Në tetor   të këtij viti ( 2016) Shqipëria dhe Serbia  krijuan   dhomën  e përbashkët të tregtisë  me  synimin për të inkurajuar shkëmbimet ekonomike dhe investimet potenciale.

[30]  Rama Takohet me Vuçiç, Të bëjmë atë që Franca dhe Gjermania bënë pas Luftës së Dytë Botërore. Shih  Gazeta Dita 21 prill 2015

[31]Shih: Takling Albanian Foreign Policy,A. Rakipi, te vendoset titulli   I intervistes sime  botuar ne Turqi

[32] Dhe po kaq paradoksal ishte propozimi  italian në verën e vitit 2014 për të  shërbyer  si një palë ndërmjetësuese midis Shqipërisë dhe Serbisë, kur midis  këtyre të dy vendeve  nuk ka asnjë mosmarrëveshje që të kërkojnë ndërmjetësimin e një pale të tretë, sigurisht nëse  në marrëdhëniet midis Shqipërisë  dhe Serbisë nuk  përfshihet  një shtet i tretë, Kosova.

[33] Shih: Serbia-Albania Relations: A Fragile Work in Progress As Albania’s PM visits Serbia, experts argue that improving Belgrade-Tirana relations are a result of their leaders’ hope of pleasing the EU rather than a real breakthrough between the two countries. Natalia Zaba – See more at: http://www.balkaninsight.com/en/article/serbia-albania-relations-a-fragile-work-in-progress-10-13-2016#sthash.cTXRwJYa.dpuf

 

[34] Komente të Ministrit të Jashtëm  Hoxhaj, shih në http://www.gazetadita.al/hoxhaj-nuk-na-duhet-ndihma-e-shqiperise-per-dialogun-me-serbine/

[35] Qysh nga  fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë  dhe gjatë 25 vjetëve të fundit në axhendën e bisedimeve me të tretë  nga Presidenti , kryetari i qeverisë, ministri i jashtëm deri te kryetari i komunës.

[36] Gjatë takimit më të fundit tetor  2016  të kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd, Kosova  ishte  çështja që dominoi diskutimet publike të të dyve  përballë një komuniteti  studiuesish  dhe gazetarësh . Për më shumë shih  Belgrade Security Forum,tetor 2016

[37] Shiko Dastid Pallaska “Pallaska: Shqipëria nuk mund të sillet me Kosovën si Serbia me  Republikën Srpska. Sipas  analistit dhe Juristit Pallaska“Republikën Srpska e ka krijuar Serbia, ndërsa Kosovën e kanë krijuar njerëzit e saj me luftë dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.” http://telegrafi.com/pallaska-shqiperia-nuk-mund-te-sillet-kosoven-si-serbia-republiken-srpska-video/

[38]http://www.gazetadita.al/hoxhaj-nuk-na-duhet-ndihma-e-shqiperise-per-dialogun-me-serbine/

[39]Gjatë takimit informal, por publik të  kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd, më 12 tetor 2016, çështjet që dominuan këtë takim ishte vendimi  qeverisë së Kosovës për të  shtetëzuar Trepçen,  arrestimi i drejtorit  shqiptar të Policisë së Mitrovicës  dhe të ngjashme.

[40] Nënshkrimi i një protokolli bashkëpunimi midis  Serbisë dhe Shqipërisë  për projektet infrastrukturës  shih Laura Hasani, Shqipëria dhe Serbia ‘zhbëjnë’ Kosovën
[41] Po aty.
[42]Pajtimi shqiptaro-serb: Këpucët e mëdha për Ramën dhe Vuçiçin, Enver Robelli, Koha Jonë, 24.10. 2016
[43]Komente të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Klan Kosova TV.
SHPËRNDAJE