Gjithçka për zgjedhje të lira dhe të drejta

0

Dështimi për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme ka qenë një faktor kyç që ka dëmtuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe demokratik të këtij vendi. Shqipëria ka patur në mënyrë te vazhdueshme zgjedhje problematike në të kaluarën dhe manipulimi i tyre e ka çuar vendin në buzë të humnerës. Konflikti politik i tejzgjatur në Shqipëri ka qenë gjithmonë për shkak të zgjedhjeve, ligjshmëria e të cilave ka qenë vazhdimisht problematike, gjë që ka sjellë në pasoja serioze për vendin.

Burimi I parë I konfliktit politik në Shqipëri kanë qenë zgjedhjet dhe rezultatet e tyre dhe në pak raste humbësi ka pranuar humbjen të papërlyer nga manipulimi. Dështimi për të arritur zgjedhje demokratike të bazuara në standardet ndërkombëtare e ka mbajtur dhe vazhdon ta mbajë Shqipërinë në tranzicion. Si të tilla, rezultatet e manipuluara të zgjedhjeve dhe vjedhja e votës duhet të marrin fund një herë e mirë. Opozita shqiptare dhe partitë qeverisës gjenden tashmë në dy krahët e një ndarjeje të thellë dhe të pakalueshme mosbesimi. Dhe kjo për shkak se kushtet tashmë janë për manipulimin e zgjedhjeve dhe vjedhjen e votës në shkallë masive, siç nuk ka ndodhur më parë.  Opozita e thotë këtë. Por edhe vëzhguesit ndërkombëtare e thonë gjithashtu.

Rreziku vjen prej rritjes së pushtetit të parave të drogës dhe botës së krimit në politikë. Këtë javë, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, paralajmëroi publikisht për rrezikun e parave të drogës në qarkullim, të llogaritura në rreth 2 miliardë euro, të cilat mund të përdoren për të ndikuar zgjedhjet përmes blerjes së votës.  Katër vjet më pare, Partia Socialiste, e cila ishte në atë kohë në opozitë, vendosi të kandidonte për deputetë persona me pronësi të mëdha biznesi, shumica e të cilëve ishin dëbuar nga parlamenti për shkak të së kaluarës dhe lidhjeve kriminale. Të pasurit dhe të pushtetshmit – “të fortët “– kanë qenë pjesë e politikës shqiptare për 25 vjet, por Socialistët ishin të parët që sollën kriminelë të dënuar në parlament si deputetë. Gjendja u rëndua sa ishte e nevojshme të miratohej në parlament një ligj dekriminalizimi që parlamenti të pastronte vetveten. Ligji kaloi, por zbatimi i tij po përballet me rezistencë dhe udhëheqësit e partive janë ngurrues në këputjen e plotë të lidhjeve me botën kriminale të cilën e shohin si një aleat potencial për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Megjithëse do të jetë e vështirë për njerëz me të kaluar të dyshimtë për të hyrë përsëri në parlament, është plotësisht e mundur – shenjat tashme duken – që qeveria e drejtuar nga socialistët do të marrë ndihmë nga e njëjta masë e dyshimtë për t’u zgjedhur për një mandat të dytë. E ka të nevojshme ta bëjë këtë, për shkak se paraqitja e saj deri tani ka qenë e vakët dhe shkalla e mosbesimit është e madhe. Ndoshta rasti më flagrant se si paratë e pista dhe “muskujt kriminalë” mund të përdoren për të fituar zgjedhjet është mënyra se si Socialistët fituan zgjedhjet për bashkinë e Dibrës në vitin 2016, një bastion i demokratëve deri në 2015. Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk konstatuan parregullsi dhe dita e zgjedhjeve ishte e qetë, por rezultatet ishin të manipuluara dhe sipas vëzhguesve vendorë miliona euro kaluan dorë më dorë për të sjellë një rezultat në të cilin socialistët fituan 10 herë më shumë vota se sa në zgjedhjet e 2015, kur një fitore e ngushtë me 300 vota u bë e mundur për shkak të mos-dakordësisë në degën vendore të Partisë Demokratike, në të cilën një kandidat i pavarur ndau votat. Kandidati socialist i Dibrës u shkarkuar për shkak të një skandali seksual e megjithatë partia e tij fitoi përsëri. Ajo që ndodhi në Dibër ishte një rast i turpshëm se si paratë e pista dhe lidhjet kriminale mund të blejnë dhe të frikësojnë votuesit për të bërë një zgjedhje që duket e ndershme kur në të vërtetë është krejt e kundërta. Demokratët tashmë besojnë se zgjedhjet e 18 qershorit do të jenë si Dibra por në nivel kombëtar. Dhe manipulimi  tashmë ka filluar: 1 miliardë dollarë për investime privat-publik dhe falja e amnistisë për  bizneset më të mëdhenj që kanë shmangur taksat, përfshirë vjedhës të energjisë elektrike, ata që kanë kryer ndërtime të paligjshme. Por amnistitë janë gati edhe për kriminelë të dënuar në burgje. Është  paradoksale te shikosh  se  si një qeveri e cila ka predikuar zbatimin e ligjit për tre vjet, ka dënuar më  të dobëtit në shoqëri ndërkohë që ka përkëdhelur të fuqishmit, ta pasurit dhe tani është e gatshme të  amnistoje kriminelet. Nëse dikush dëshiron të kërkojë për prova për fuqinë e shtetit për të manipuluar zgjedhjet, le të dërgojnë një mision vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE për të parë si votojnë të burgosurit në zgjedhje. Zakonisht, 100 perqind e votave të të burgosurve shqiptare shkojnë për partinë që ka Ministrinë e Drejtësisë, e cila  administron  burgjet.

Sot, qeveritë e Partisë Demokratike dhe Socialiste, në bashkëpunim me Lëvizjen Socialiste për Integrim janë të gjithë përgjegjës për shkatërrimin e proceseve të kaluara zgjedhore. Për këtë arsye diçka duhet bërë për të parandaluar manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve të ardhshme.  Mbështetja e krijimit të një qeverie teknike me teknokratë për të organizuar zgjedhjet mund të duket në pamje të pare si mbështetje vetëm për opozitën. Nuk është ky rasti. Një qeveri teknike është në interesin e demokracisë shqiptare dhe të ardhmes demokratike, të qëndrueshmërisë dhe sigurisë së vendit. Një qeveri teknike nuk mund t’i mohojë Edi Ramës të fitojë një mandate të dytë – dhe të tretë -, nëse shqiptarët vendosin të zgjedhin atë pa ndihmën e personave me lidhje kriminale, brenda dhe jashtë parlamentit. Ndoshta  një qeveri teknike duhet të  organizojë zgjedhjet të paktën në dy dekada të tjera.

Asnjë reformë tjetër nuk është më e rëndësishme se sa realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të  drejta. Shpëtimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një thirrje që duhet të dëgjohet nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, tek të cilët shqiptarët nuk e kanë humbur besimin. Afatet nuk janë të rëndësishme. E rëndësishme është të ketë zgjedhje legjitime. Kushtetuta e Shqipërisë është ndryshuar në të kaluarën për të zgjeruar pushtetin e udhëheqësve politikë. Tashmë mund të ndryshohet për të siguruar një proces të lire votimi.

SHPËRNDAJE