Kryeministri socialist Edi Rama dhe udhëheqësi kryesor opozitar Lulzim Basha u takuan dy herë brenda javës në zyrën e Presidentit për të diskutuar zgjidhjen e bllokimit politik përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Kriza e zgjatur politike shqiptare duket se po drejtohet kah përplasjeve të paparashikueshme që vendi vështirë se mund t’i përballojë. Është koha për një zgjidhje me të gjithë të fituar. Dhe kjo revistë beson se përfundimi më i mirë në këtë kohë do të ishte një koalicion i madh kombëtar – një qeveri që bashkon socialistët, demokratët dhe të tjerët.

Ky bashkim i madh kombëtar do të punonte për një vit dhe do të kishte një agjendë reformash të dyanshme në fushat e drejtësisë, zgjedhjeve dhe luftës kundër drogës. Këto reforma janë në thelb të problemeve të mëdha me të cilat përballet Shqipëria dhe janë të një rëndësie të tillë që kërkojnë konsensus të gjerë dhe besim tek sistemi.

Koalicioni njëvjeçar gjithashtu do të hapte rrugën për një proces zgjedhor të besueshëm në vitin 2018. Kjo është gjithashtu agjenda që bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë, meqë është zgjidhja më e mirë për qëndrueshmërinë e Shqipërisë ashtu si dhe për rrugën drejt integrimit evropian.

Nëse asgjë nuk bëhet dhe zgjedhjet zhvillohen pa opozitën, ashtu sikurse është rasti i tanishëm, është e mundur që vendi të përballet me zgjedhje të parakohshme pas një viti gjithsesi sepse një parlament i mbizotëruar nga një parti e vetme do të helmatisë më shumë ambientin dhe mungesën e legjitimitetit.

Ashtu siç gjërat janë tani, të dyja palët e krizës politike, Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama dhe Partia Demokratike në opozitë e Lulzim Bashës, po i përmbahen me këmbënhulje kërkesave nga njëra-tjetra – kërkesat më të mëdha të mundshme që nuk të çojnë askund por vetëm në një të panjohur të rrezikshme, e cila mund të përfshijë përplasje të dhunshme në rrugë ndërmjet aktivistëve dhe ta sjellë Shqipërinë përsëri në një parlament të mbizotëruar nga një parti që nuk e ka parë prej dhjetëvjeçarësh.

Për këtë arsye është e domosdoshme një qeveri e gjerë për interesat e vendit. Por në fund të fundit është gjithashtu në interesin e partive dhe udhëheqësve individualë të përfshirë, duke i dhënë atyre një mundësi ligjore për të konkurruar në zgjedhjet vitin tjetër me disa reforma konsensuale pas tyre, duke përfshirë luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar, që shihet nga opozita si kërcënim ndaj zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Një qeveri me bazë të gjerë është gjithashtu një rrugë për të shpëtuar të dyja palët. Një qeveri teknike e mbushur me ekspertë – e kërkuar nga demokratët – do të kishte qenë politike gjithashtu, për shkak se anëtarët e saj do të ishin zgjedhur dhe miratuar nga partitë, kështu që një koalicion i madh është shpëtimi për demokratët.

Në anën tjetër, një koalicion i madh nuk dëmton as socialistët, meqë ata po drejtohen kah një përplasjeje të madhe me opozitën, përfundimi i së cilës nuk mund të parashikohet.

Më e rëndësishme, shtyrja e zgjedhjeve për një vit për të lejuar që të rrënjosen reformat dhe besimi do të kishte një ndikim të mirë mbi qëndrueshmërinë e vendit dhe rrugës së tij për në BE. Si fillim, të ecurit përpara me konsensus, virtualisht do të siguronte hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE, një hap që tashmë është në pritje.

Bashkësia ndërkombëtare – e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – duhet të mbështesin këtë zgjidhje si zgjedhjen më të mirë për Shqipërinë në udhën e saj drejt shtetit plotësisht demokratik të bazuar mbi vlerat më të mira të lirisë dhe ligjit.

Pavarësisht gjendjes në dukje të pashpresë, ka një rrugëdalje nga kriza nëpërmjet së cilës mund të fitojnë të gjithë dhe kjo është koalicioni i madh kombëtar.

SHPËRNDAJE