Visho Ajazi, kreu i Shërbimit Inteligjent Shqipëtar, SHISH-it, dha dorëheqjen pa dhënë asnjë shpjegim për vendimin e tij. Kjo dorëheqje e papritur ka ngritur shumë pikëpyetje, posaçërisht sepse ndodhi në një kontekst zhvillimesh të reja politike në vend – të lidhura me hetimin e dyshimeve se ish-ministri i brëndshëm është i përfshirë me trafikuesit e kanabisit.

SHISH-i ka qënë thellësisht i përfshirë me përpjekjet parandaluese dhe zbuluese, në luftën kundër kanabisit në Shqipëri. Nuk është sekret që shërbimi i inteligjencës është shpesh institucioni i duhur në luftën kundër krimit të organizuar – përfshirë ketu dhe trafikantët e drogës.

Sigurisht, kjo përpos shqetësimeve të tjera të lidhura me sigurinë kombëtare, sikurse parandalimin e terrorizmit. Shërbimi inteligjent Shqipëtar ka mundur të parandalojë sulme terroriste në të kaluarën, në bashkëpunim me shërbime partnere. Për këto, duhet përgëzuar.

Atëherë, çfarë qëndron pas kësaj dorëheqjeje?

Opozita thotë se Ajazi dha dorëheqjen për shkak të presionit qeveritar, si rezultat i përfshirjes së SHISH-it në zbulimin e trafikut të drogës dhe në hetimin lidhur me Saimir Tahirin, ish-ministrin e brëndshëm.

Fakti që Ajazi nuk ka folur publikisht dhe nuk ka dhënë asnjë arsye për dorëheqjen ka krijuar çoroditje.

Dorëheqja ndodhi pikërisht kur lidhjet midis aleatëve të djeshëm, PS-së dhe LSI-së opozitare, kanë ndryshuar në mënyrë negative dhe Kryeministri, Edi Rama, me Presidentin, Ilir Meta, nuk janë në relata të mira. Të dy duhet të bien dakort për të pushuar dhe miratuar drejtorin e ri të SHISH.

Pra, ku qëndron dorëheqja e Ajazit në këtë kontekst? Shumica e Socialistëve dhe media-s afër qeverisë e kanë pare Ajazin si njeriun e nominuar nga ish-kryeministri Demokrat, Sali Berisha, dhe, natyrshëm, e kanë lidhur me opozitën. Kështuqë dorëheqja e tij shihet në këtë kontekst. Ramës i duhet një person më i besuar si spiun i parë.

Megjithatë, për një vend kaq mikroskopik, i cili sillet sikur të ishte qëndra e botës, ka edhe skenare të tjera për këtë zhvillim – presione nga faktorë të jashtme, etj – teori konspirative të cilat ndonjëherë duket sikur kanë lindur në këtë rajon por nuk do të vdesin kurrë.

Por është tërësisht e mundshme që asnjë nga shpjegimet e mësipërme të jetë i vertetë. Shpjegimi mund të jetë shumë më i thjeshtë, jo i lidhur me zhvillimet apo konfliktet politike – as me përkushtimin e SHISH tek trafiku ndërkombëtar i drogës, as me reformën në drejtësi, as me Kryeministrin, as me Presidentin, as me fuqi të jashtme. Mund të ketë qenë diçka personale. Dhe mediokre. Por mund të jetë edhe një arsye shumë e rëndësishme e cila mund të perbëjë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Çështja është se shefi i inteligjencës është dorëhequr pa dhënë asnjë shpjegim.

Kjo është e gabuar. Trashëgimia e rëndë e komunizmit ku të gjithë shefat e Sigurimit me perjashtim të Gramoz Ruçit, kanë dhënë “dorëheqjen” vetëm kur janë shkuar në plumb nëse nuk vareshin në litar, ka marrë fund.

Shqipëria është një vend demokratik, dhe qytetarët duhet të dinë motivet pas dorëheqjes së shefit të inteligjencës. Na duhet të vendosim standarde evropiane – dhe këto standarde kërkojnë sinqeritet.

 

Tirana Times (tiranatimes.com)

SHPËRNDAJE