Dështojnë bisedimet për koalicionin

Gjermania fiton, Merkel humbet

0
AFP

Të japim lajmin e mirë si fillim: rrëzimi i negociatave të koalicionit në Berlin e ka shpëtuar vendin nga një qeveri në stagnacion, një qeveri pa vizion apo ambicie. Nëse Kancelarja Angela Merkel do të arrinte të formonte një aleancë ndërmjet Kristian-Demokratëve (CDU), Unionit Social Kristian Bavarez (CSU), miqve të biznesit, Demokratëve të Lirë (FDP) dhe të Gjelbërve, vendi, në fakt, mbarë kontinenti – do të ishte përballur me katër vite stagnacion, me në qendër të saj një qeveri gjermane që më shumë do të krijonte përçarje sesa t’i mbante të bashkuar. Të katër partitë e përfshira nuk do ta plotësonin njëra-tjetrën në mënyrë konstruktive. Përkundrazi, do të ndesheshin vazhdimisht me njëra-tjetrën.

Edhe nëse mjaft politikanë gjermanë kanë deklaruar të kundërtën gjatë zënkave të muajit të shkuar: dëshira e zgjedhësve nuk ishte të sajohej një koalicion me parti që nuk mund të punojnë bashkë. Askush, përpos atyre që ishin të përfshirë, nuk ëndërronte për një kabinet me kryekonservatorët e CSU, ambientalistët e Gjelbërt dhe oportunistët e FDP në të njëjtën tryezë. Fakti që një koalicion i tillë  ishte subjekti i negociatave në radhë të parë, është thjesht rezultat i një tradite ku koalicionet e mundshme interpretohen si të jenë dëshirat e elektoratit. Megjithatë, nuk pati asnjë mandat serioz për këtë aleancë specifike.

Duke u larguar nga bisedimet, FDP dha një kontribut për kthjelltësinë politike në Gjermani, ndonëse nuk ishte ky qëllimi i partisë. Ata që votojnë për të Gjelbërtit, në përgjithësi nuk shpresojnë për një koalicion me FDP, ndërsa mbështetësit e CSU nuk kanë veçse përbuzje për të Gjelbërtit. Dhe, vlen të theksohet, pikërisht kështu duhet të jenë gjërat.

Rivaliteti ndërmjet partive është lëngu jetik i demokracisë sonë dhe detyra e tyre e parë nuk është të sigurojnë mirëqenien e shtetit, por të pasqyrojnë diversitetin e shoqërisë gjermane. Social Demokratët duhet t’ua kujtojnë votuesve këtë tani që partisë po i drejtohet një breshëri thirrjesh për ta rimarrë në konsideratë, për të mirën e vendit vendimin e tyre për t’iu shmangur një vazhdimi të koalicionit të tyre me konservativët e Merkel. Për më tepër, mbetet ende i vlefshëm interpretimi fillestar i rezultatit të zgjedhjeve të 24 shtatorit, sipas së cilit elektorati mezi po pret ta heqë qafe koalicionin Merkel-SPD.

Për ku kështu Merkel

Me prishjen e tanishme të bisedimeve dhe me synimin e SPD për të dalë në opozitë, nuk ka më koalicione të mundshme në horizont – dhe vlen të thuhet që sistemi politik gjerman tashmë e gjen veten në një krizë. Për vite me radhë, spektri partiak në Gjermani ka qenë duke u copëzuar teksa skajet e tij radikalizoheshin, deri në atë pikë sa tani shtatë parti të ndryshme politike janë ulur në parlamentin gjerman. Përballë një përbërjeje të tillë, sistemi po dështon dhe nuk po prodhon më opsione të qarta për koalicione me të cilat votuesit gjermanë ishin tashmë të mësuar.

Të bëhet thirrje për zgjedhje të reja do të ishte njëlloj si të shtyheshin zgjedhësit drejt një “arresti” të detyruar derisa të nxirrej një rezultat i pranueshëm për aparatin politik. Dhe nëse kjo do të ndodhte, ka gjasa që Alternativa për Gjermaninë (AfD) partia populiste e krahut të djathtë do të ishte ndër të vetmet parti që do të përfitonte. I vetmi opsion tjetër do të ishte një qeveri minoriteti. Eksperimenti është sprovuar në disa raste në shtetet gjermane pa krijuar shumë dëme, por nuk është tentuar asnjëherë në nivel federal. Ndërkaq, argumenti i vajtueshëm, që ekonomia më e fortë e Europës nuk mund ta përballojë financiarisht një qeveri të lëkundur, nuk është fort i bindshëm.

Ndonëse, pyetja më e rëndësishme është se çfarë ndodh me vetë Merkelin. Kjo mund të shënjojë fillimin e fundit të karrierës së saj si kancelare. Në ditët e fundit, është bërë e qartë se një pjesë e konsiderueshme e fuqisë që ajo ka mbajtur dikur ka avulluar – nisur me faktin që, kur kaloi afati i bisedimeve për koalicionin që ajo kishte vendosur të Premten e shkuar, nuk pati kurrfarë pasojash. Të Dielën në mbrëmje, nuk ishin veçse vetë negociatat që u erdhi fundi, por të gjithë metodës Merkeliane të qeverisjes.

Për vite me radhë, ajo e ka trajtuar politikën veçmas ideologjive – dhe një koalicion me FDP dhe të Gjelbërtit do të kishte qenë arritja kurorëzuese e kësaj qasjeje. Do të kishte dhënë prova që edhe ambientalistët dhe dashamirësit e tregtisë së lirë mund të punojnë së bashku, për sa kohë dora e Merkelit është aty për t’i mbajtur të gjithë nën kontroll. Por e gjithë kjo tashmë i përket së shkuarës. Kjo krizë është kriza e Merkelit. Do të jetë interesante të shohim si do kërkojë ajo ta trajtojë – dhe nëse ajo do t’i dorëzohet.

Megjithatë, e njëjta gjë vlen edhe për ata që investuan kapital politik në këtë aleancë të jashtëligjshme. Udhëheqësit e të Gjelbërve dukeshin të gatshëm për të dhënë së tepërmi dhe me gjasa do të përballen me kritika të ashpra nga Brenda partisë. CSU në Bavari po shpërbëhej shumë më parë dështimit të negociatave dhe partia padyshim, do të pendohet që nuk doli vetë nga skena. FDP do t’i mbajë sytë ngulur në rezultatet e sondazheve të opinionit për të parë sa keq mund të ndëshkohet partia. Dhe CDU e Merkel? Do të mblidhet rreth lideres dhe do të vijojë të përcjellë atmosferën idilike të kënaqësisë, të premtuar nga kancelarja. Por do të jetë një mesazh i zhveshur nga besueshmëria e tij.

SHPËRNDAJE