Të qeverisësh për 1 përqindëshin ose thjesht për pesë njerëz

0

Ekziston një debat global i vazhdueshëm për rritjen e niveleve të pabarazisë në botë dhe shkallët e ndryshme të fuqisë që elitat ekonomike përdorin në krahasim me të tjerët. Debati ka arritur deri edhe zhargonin popullor, i etiketuar me termat e njohur dhe shpesh të përdorur si “1-përqindëshi” kundër “99-përqindëshit”, ndërkohë që përkrahës nga të dy anët gjenden gjithandej – nga politika në media, nga protestat nëpër rrugë e deri te bordet e bankave.

Në Shtetet e Bashkuara, është fakt i mirënjohur se miliarderët më të rëndësishëm zotërojnë po aq pasuri sa pesë përqind e popullsisë, një shifër shumë tronditëse kjo. Është naive të mos besojmë se këta miliarderë zotërojnë në fakt pushtetin real, përcaktojnë politikat dhe vendimet, dhe  sigurisht përfitojnë prej tyre. Nëse përpiqemi ta analizojmë këtë në kontekstin e Shqipërisë, del në pah një lloj banaliteti i shëmtuar.

Një vlerësim thotë se Shqipëria ka shifra të përafërta shqetësuese. Javën e kaluar në parlament gati u tha se 1-përqindëshi i këtij shteti në të vërtetë përbëhet vetëm pesë njerëz. Të Enjten e kaluar, gjatë debatit parlamentar për buxhetin shtetëror të 2018-ës, një çështje kyçe e qeverisjes, dëgjuam për miliarderët e Shqipërisë, nga kush tjetër përveçse nga vetë Kryeministri edhe kryetari i opozitës. Me një siguri që anonte në arrogancë, Kryeministri Rama i përmendi pesë njerëzit më të pasur në Shqipëri (padyshim pjesë e dhjetë më të pasurve, megjithëse renditja e saktë mund të ndryshojë), taksapaguesit dhe punë-marrësit më të mëdhenj: Zamir Mane, Bashkim Ulaj, Avni Ponari, Shefqet Kastrati dhe Rame Geci. Argumenti i tij ishte se përderisa këta pesë njerëz kanë planifikuar investime për vitin e ardhshëm, dhe meqenëse do t’i bëjnë përmes sektorit bankar, pretendimi i opozitës se buxheti është një praktikë pastrimi parash nuk mund të qëndrojë. Rama mund të kishte shtuar dhe disa emra në listë për hir të saktësisë dhe gjithëpërfshirjes: Vilma Nushi, Aleksandër Frangaj, ndoshta deri dhe ish-ministrin dhe mikun e tij, Tom Doshi. Janë të gjithë pjesë e një liste publike dhe zyrtarë nga think tank-u i hulumtimit ekonomik “Pashko”. Por kjo nuk është çështja, argumenti vlen si për dhjetë, ashtu dhe për pesë.

Reagimi ishte i menjëhershëm, kryetari i opozitës uli sytë, me shumë mundësi duke u kapërdirë me siklet gjatë kohës që u përmendën donatorët e tij kyç. Vërtet, Rama vuri në pah se këta të pestë kanë qenë zakonisht mbështetës të PD-s, gati duke e shijuar me një ngërdheshje rrëzëlluese sesi arriti ta kthente simpatinë e tyre në anë të tij. Dhe pikërisht në këtë anë të debatit u fokusua media: arritjen e Ramës në kthimin e këtyre aktorëve në mbështetës të qeverisë.

E megjithatë debati ka lënë pas disa pika kryesore.

E para është se këto biznese janë fuqizuar dhe pasuruar aq shumë së pari duke përfituar nga pronat dhe burimet e pasurive natyrore të shtetit siç është kromi, nafta dhe toka,  duke i paguar  qytetarët e këtij shteti thuajse si skllever dhe në kushte pasigurie të plotë. Dhe që e gjitha kjo të realizohet, pra që të kemi pesë apo dhjetë miliarderë, ka nevojë për mbështetje të forte politike. Tani vonë Bashkia e Tiranës u ka dhënë të paktën tre prej tyre të drejtën për të ndërtuar qiejgërvishtës në qendër të Tiranës. Vetëm para një jave, një tjetër minator humbi jetën në minierat e kromit të Bulqizës, të cilat gjenerojnë miliona fitime për të paktën 30 kontrata koncesionare në atë zonë. Kontrata më e madhe i përket emrit të parë në listë.

E dyta – nga mënyra si u përdorën emrat e tyre, si u përshkrua puna e tyre dhe i gjithë toni i debatit krijojnë një përshtypje të trishtueshme se kushdo qoftë Kryeministër, çfarëdo emri të ketë qeveria, do agojë dhe perëndojë pa i kursyer mundimet për t’i kënaqur këta njerëz. Në një shtet ku varfëria është ulur këmbëkryq, ku papunësia është në rekorde të pakonkurrueshme me cilindo vend të botës së tretë, në një vend ku duan ta braktisin jo vetëm të rinjtë, me standarde të ulëta të shërbimeve bazë, në një vend të mbytur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, shqiptarët duhet të dine se çfarëdo që të ndodhë, kryeministri aktual apo dhe ai i ardhshëm, bashkë me qeveritë e tyre, do punojnë në mënyrë të palodhur për t’i mbajtur këta pesë njerëz të kënaqur.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, kemi dhe konfirmimin e radhës se kjo qeveri e ashtuquajtur socialiste, e cila po shtrembëron ideologjinë e mbrojtjes të klasës së mesme me energji dhe krenari, tregon një dashuri të llojit të veçantë për të pasurit dhe punon vazhdimisht për të rritur fitimet dhe përfitimet e tyre përmes lejeve të ndërtimit, PPP-t dhe koncesionet dhe një shumëllojshmëri formash të tjera. I vetmi lajm është se tani e njohim me emër, dhe jo vetëm me nam, se kush është 1-përqindëshi në Shqipëri.

SHPËRNDAJE