Ushtrime populisto-nacionaliste të Tiranës

Albert Rakipi

0

Është gjithkund – në portalet e lajmeve dhe televizion. Është dhe në stacionin televiziv dixhital personal të Kryeministrit në Facebook – ERTV. Le ta quajmë “shfaqja speciale”.

Përfshin pjesëtar të qeverisë, parlamentit, autoritete lokale, kryetarin e bashkisë dhe personelin gjithashtu. U ndodhën dhe disa të rinj për të  imituar plotësisht stilin e revolucionit kulturor Kinez. Këtë javë ndodhi në Lushnje, pastrimi i një lulishteje, por mund të ndodhë dhe në vënde të tjera.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave doli me një korrëse bari, ndërkohë që kryetari i komisionit ekonomik parlamentar po i jepte udhëzime përdorimi. Ministri i Bujqësisë kishte veshur doreza të cilat, çuditërisht, kishte zgjedhur t’i kombinonte me kostumin e zakonshëm që mban gjatë takimeve qeveritare.

Të tjerët ishin veshur gjysmë seriozë dhe gjysmë sportivë, por e gjithë skena dukej sikur cirku kishte zbritur në qytet dhe kurioziteti i kalimtarëve ishte i madh. Të tjerë shikonin mes dritareve me po aq kuriozitet, por  edhe ne një ndjenjë frike për t’u afruar.  (Punë qeverie, përse të ngatërohemi)

Dy parrulla të mëdha mund të dalloheshin në sfond – “Shqipëria që Duam” dhe “Të Pastrojmë Shqipërinë”.

E gjithë skena u bë dhe më surreale kur u bashkua vetë Kryeministri. Ishte, pa dyshim, ideatori dhe protagonisti kryesor. Ndërkohë që pjesëtarët e qeverisë vazhdonin të pastronin lulishten dhe të mblidhnin mbeturinat, të gjithë mbanin një sy nga ‘i madhi’, ndërkohë që autoritetet lokale nxituan për ta takuar dhe mirëpritur.

I veshur tërësisht ndryshe nga të tjerët, as me kostum tradicional e as me rroba sportive , me një kombinim  surrealist të së zezës me të gjelbrën  mjaftueshëm për të habitur  katrundarëet e rrethinave  me shportat  e   perimeve dhe te vezëve në duar  u shfaq vetë ai Kryeministri.Me një vështrim nga lart duke I parë të gjithë dhe në të njëjten kohë askënd “ I madhi” bëri dy-tre hapa drejt skenës duke vendosur me bezdi një pale syze dielli të zeza që i ngjanin shumë atyre të John Lennon.

Kjo skenë, aq e përafërt me revolucionin kulturor Kinez, është në fakt thelbi populist i qeverisë së tanishme Shqiptare.

Por është e njëjta metodë populiste e përdorur rregullisht në politikën e jashtme. Por zakonisht, në Nëntor, ushtrirmet populiste të Tiranës janë më të shpeshta dhe me  shumë ngjyra. Nën parrullën “Një komb, dy qeveri, një e ardhme” jo një, por dy mbledhje të përbashkta u realizuan këtë javë me qeverinë e Kosovës – një në Korçë dhe një në Vlorë.

E dyta u zhvillua Ditën Kombëtare të Flamurit. Flamuj të mëdhenj, fjalime, garda shtetërore – dhe një duzinë me marrëveshje që u nënshkruan. Në fakt, shumica, nëse jo të gjitha, ishin memorandume bashkëpunimi mes dy qeverive. Megjithatë, nuk kanë as afat kohor dhe as instrumenta për zbatim.

Përtej shfaqjeve populiste dhe patriotike, marrëdhënjet e vërteta mes dy shteteve  Shqipërisë dhe Kosovës janë  shumë modeste, të varfëra.

Gjatë 2016-s, tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës arriti 164 milion Euro, ndërkohë që tregtia mes Shqipërisë dhe Serbisë arriti 166 milion Euro. Kjo pavarësisht faktit se që 2014-n, Shqipëria dhe Kosova kanë organizuar disa takime të përbashkëta qeveritare.

Këto takime të përbashkëta janë shfaqja e rradhës plot ngjyra dhe flamuj, por shumë të ngjashme me skenën e Lushnjes, me ministrat që pastrojnë lulishten të rrethuar nga parrulat: “Shqipëria që Duam” dhe “Të Pastrojmë Shqipërinë”.

Pamja e ministrave duke pastruar lulishten e Lushnjes i bëri disa të qeshin. Shqipëria nuk do pastrohet mes shfaqjeve, por mes politikave. Marrëdhënjet me Kosovën gjithashtu nuk do të zhvillohen mes një shfaqjeje, por mes politikave, sepse, siç e kemi pare, këto takime burokratike nuk e ndihmojnë zhvillimin ekonomik mes dy vëndeve. Jo vetëm që dy qeveritë nuk propozojnë metoda për të rritur bashkëpunimin ekonomik, por në realitet ekzistojnë barriera midis dy shteteve që e ndalojnë këtë zhvillim. Ndërkohë, shfaqja e radhës  në Korcë dhe në Vlorë me  parrullën  e re “Një komb, dy qeveri, një e ardhme” – shkon më tej fjalëve të thjeshta populiste dhe shfaqjes së pastrimit të lulishtes në Lushnje. Fiton një status të ri: Tirana u rikthehet  here here ushtrimeve populisto nacionalsite.

Qeveria nuk është e vetmja që ndërmer  ushtrime populisto nacionalsite Gjithashtu dhe Presidenti vizitoi Medvegjën, një komunë e banuar nga qytetarë Serb të kombësisë  shqiptare, pra minoriteti   shqiptar në Serbi. Imagjinoni Presidentin Grek  të  hynte në Shqiperi  vetëm për për të vizituar një fshat të minoritetit  grek.  Patriotët dhe nacionalistët  dhe jo vetëm do të kishin bërë hatanë.

Por ushtrimet  populisto-nacionaliste, ndryshe nga pastrimi i Lushnjes, mund të jenë dhe individuale. Takimet e përbashkta qeveritare këtë javë  u paraprinë prezantuan nga një propozim I ardhur nga Ministri i Diasporës – shumë kreativ dhe ekzibicionist në praktikën e tij të populizmit dhe nacionalizmit. Ministri deklaroi se nga 1 Janari i vitit tjetër, Shqipëria dhe Kosova duhet të hapin kufinjtë dhe të bashkohen.

A ju kujtohet ? Kur vjen urdhri për të filluar lufta, ushtari i mirë Zhvejk, – në rast se ju  kujtohet,- , i hutuar  thotë: “Mirë që u çmendën të gjithë, po pse të gjithë në një ditë?

Ushtrimet populisto-nacionaliste të Tiranës po bëhen më të shpeshta, sidomos në Nëntor. “Nuk dua të punoj në Tiranë në Nëntor,”  ankohet një diplomat i lartë I perëndimit.,  “ Ju e kuptoni duhet të hartoj raporte të gjata, me shpjegime pikërisht për gjithë këto  që ndodhin dhe që ju i konsideroni ushtrime populisto-nacionaliste.”

Këshilla ime ishte e thjeshtë: Të lutem, tregoju shefave në Perëndim shfaqjen e pastrimit të Lushnjes nga qeveria dhe abstrago: Çfarë rezultatesh sjell kjo shfaqje në pastrimin e vertetë të Shqipërisë?

SHPËRNDAJE