A po shpërbëhet Europa?

0
Një i ri gjermano-perëndimor në përpjekje për të shembur Murin e Berlinit

 

Sikur të më kishin futur në një koma të induktuar në janar 2005, do të kisha rënë në gjumin e përkohshëm si një europian i lumtur. Me zgjerimin e Bashkimit Europian dhe përfshirjen e mjaft demokracive post-komuniste, ëndrra e 1989-ës së “rikthimit të Europës” e miqve të mi të Europës Qendrore po bëhej realitet. Shtetet anëtare të BE ishin dakordësuar mbi një traktat kushtetues, të cilit i referohen si kushtetuta europiane. Projekti i paprecedent i unionit europian monetar dukej se po trazonte skepticizmin e thellë që unë apo mjaft të tjerë para meje kishim shprehur. Ishte fantastike të udhëtoje nga njëri cep i kontinentit në tjetrin, pa kontrolle kufitare brenda zonës në zgjerim e sipër të shteteve që aderonin në marrëveshjen Schengen dhe me një monedhë të vetme në xhep – të përdorshme anekënd eurozonës.

Madridi, Varshava, Athina, Lisbona, dhe Dublini ndiheshin sikur po përkëdheleshin nga rrezet e diellit që depërton nëpërmjet dritareve të sapohapura të pallateve të lashta të errëta. Periferia e Europës po afrohej me bërthamën historike të kontinentit: Gjermaninë, vendet e Beneluksit, Francën dhe Italinë e Veriut. Të rinjtë spanjollë, grekë, polakë dhe portugezë flisnin me tone optimiste mbi shanset e reja që u ofronte Europa. Edhe Britania e famshme euroskeptike po përqafonte të ardhmen e saj europiane nën qeverisjen e Tony Blair. Paskëtaj erdhi Revolucion Portokall pro-europian në Ukrainë. Ndërsa shihja protestuesit paqësorë në Kiev të valëvisnin flamurin europian me yjet e verdhë dhe sfondin blu, unë këndoja nën zë himnin europian – muzikën e Beethoven për “Ode of Joy” (Odën e gëzimit).2

Po të zgjohesha nga koma në janar të 2017, do të kisha vdekur në vend nga shoku. Ngase tani ka krizë dhe shpërbërje ngado ku hedh sytë: eurozona është kronikisht disfunksionale, Athina e shndritshme është zhytur në mjerim, spanjollët e rinj me doktoratura kanë përfunduar si kamerierë ne Londër ose Berlin, fëmijët e miqve portugezë kërkojnë punë në Brazil dhe Angola, dhe periferia e Europës po devijon nga bërthama e saj. Nuk ka një kushtetutë europiane, duke qenë se ajo ishte refuzuar nga referendumet në Francë dhe Holandë gjysmën e dytë të 2005-s. Liria e lavdishme e lëvizjes për të rinjtë polakë dhe europiano-lindorë e qendrorë ka kontribuuar tani në një referendum shokues të votuar nga vetë vendi im, Britania, për t’u larguar nga BE. Dhe Brexit sjell me vete perspektivën e heqjes së kombësisë time europiane në përvjetorin e tridhjetë të 1989.

Një hero i ri liberal në 1989, Viktor Orbán, është tashmë një populist nacionalist i cili po udhëheq Hungarinë drejt autoritarianizmit dhe vlerëson në mënyrë eksplicite shembullin “joliberal” të Kinës së Xi Jinping dhe Rusisë së Vladimir Putinit. Kontrollet kufitare janë rivendosur ndërmjet shteteve Schengen (“përkohësisht”, sigurisht), në përgjigje të valëve të refugjatëve nga Siria, Iraku dhe Afganistani – zona ku e ashtuquajtura politika jonë e jashtme europiane ka rezultuar të jetë si petulla në ujë. Për t’i vënë kapak, një përpjekje e guximshme për të përmbyllur punët e pambaruara të revolucionit portokall në Ukrainë u shpërblye me aneksimin e Krimesë dhe ndërhyrjen e vazhdueshme të dhunshme në Ukrainën lindore – veprime këto që na sjellin ndërmend më shumë Europën e 1939-s, sesa atë të 1989-s. Ichabod! Ichabod! Iku lavdia nga shtëpia jonë e përbashkët europiane.

Ky kalim spektakolar nga drita në errësirë ngre pyetje interesante mbi periodizimin dhe mënyrën sesi historianët ndikohen nga kohërat në të cilat ata shkruajnë. Një nga historitë më të shkëlqyera të Europës së shekullit të njëzetë, “Kontinenti i errët” i Mark Mazower, i botuar në 1998 për herë të parë, është një përjashtim i pjesshëm, i shkruar me vetëdije kundra triumfalizmit të viteve 1990. Megjithatë edhe vetë Mazower arriti në përfundimin se “krahasuar me periudhat e tjera historike dhe pjesë të tjera të botës së sotme, banorët e kontinentit gëzojnë një kombinim të jashtëzakonshëm të lirisë individuale, solidaritetit shoqëror dhe paqes.”

Pak historianë mund të kenë qenë më skeptikë mbi banalitetet e europianizimit liberal sa Tony Judt. Ai disektoi dhe i sfidoi ato në një set leksionesh të botuara origjinalisht në 1996 si “Një iluzion i madh?” Megjithatë edhe ai ra dakord në kapitullin e fundit të vëllimit të tij imponues të historisë së Europës që prej 1945-s, “Paslufta” të botuar në momentin e një triumfi në dukje në 2005-n, me këto fjalë të forta optimiste: “Pakkush do ta kishte parashikuar gjashtëdhjetë vite më parë, por shekulli i njëzetenjë-të mund t’i përkasë Europës.”

Kam patur gjithnjë dyshimet e mia mbi periodizimin e sugjeruar në titullin e Tony Judt, duke implikuar që periudha e pasluftës u shtri nga 1945 deri në 2005. Zhvillimet në secilën epokë kanë shkaqe dhe pasoja më afatgjata nga sa implikohet në datat fikse, por më ngjan të jetë më bindëse t’i referohemi periudhës së pasluftës nga 1945 deri në 1989, ose së paku deri në 1991, me rrëzimin e Bashkimit Sovjetik.

Periudha e historisë europiane pas rrëzimit të murit të Berlinit në 1989 mund të quhet, në stenografi, periudha e “pas-murit”. Por kështu do të përballeshim me një tjetër pyetje: A jemi ende në këtë periudhë? Apo përfundoi periudha e pas-murit gjatë kohës që unë isha në koma, diku midis pikës kulminante në fillim të 2005 dhe pikës fundore që kemi arritur sot? Data të tilla janë gjithmonë të kontestueshme, por duket bindëse të sugjerojmë që kriza financiare e 2008-2009, që filloi në Shtetet e Bashkuara por që u përhap shpejt në Europë, të ketë filluar një periudhë të re të karakterizuar nga tri kriza të mëdha: të kapitalizmit, të demokracisë dhe të projektit të integrimit europian.

Ka gjithmonë vijueshmëri në pauza të tilla dhe një prej tyre është ngritja dhe ringritja e paqtë e Gjermanisë. Pasi mori papritur në 1989-1990 atë që Fritz Stern do ta kujtonte me mall si “shansin e dytë”, me bashkimin e shpejtë dhe paqësor që pasoi rënien e Murit të Berlinit, Gjermania që prej asaj kohe e ka shfrytëzuar mirë shansin e saj. Do të kishte qenë një burim kënaqësie për Stern-in, një kronikues i pashoq i lulëzimit intelektual të Gjermanisë në fillim të shekullit të njëzetë, që fuqia ekonomike dhe politike e Gjermanisë së fillim-shekullit të njëzetenjë-të shoqërohet nga njëfarë rinovimi i fuqisë intelektuale. Disa prej analizave më të mprehta mbi Europën dhe pakënaqësitë e saj tani vijnë nga akademikë gjermanë.

Philipp Ther është një historian gjerman në Universitetin e Vjenës. Pavarësisht se versioni në anglisht i librit të tij titullohet “Europa që prej 1989-s: një histori”, dhe ai sugjeron në parathëne se po përpiqet të vazhdojë “Pasluftës” e Judt-it, “në terma kohorë dhe me një fokus më të theksuar në historinë sociale dhe ekonomike,” ajo nuk është një histori e Europës në tërësinë e saj. Në indeksin e librit të tij ka vetëm një referencë të François Mitterrand dhe asnjë të Giulio Andreottit. Kjo e tija është një histori post-komuniste e Europës Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë shumë Gjermaninë, me një kapitull të gjatë krahasues mbi Europën Jugore. Ndryshe nga libri i Judt-it, ky ka një tezë qendrore, tezën bërthamë, që pasqyrohet më së miri në titullin e botimit gjerman: “Rregulli i ri në kontinentin e vjetër: një histori e Europës neoliberale.” Në qendër të tij është një argument mbi atë çka politikat ekonomike “neoliberale” i shkaktuan shoqërive të Europës post-komuniste.

Edhe pse voluminoze, vepra e Therit gjallërohet nga anekdotat personale dhe vëzhgimet, duke nisur nga udhëtimi i tij i parë në “Lindje” në 1977, në moshën dhjetë vjecare. Ai ka kapituj stimulues mbi atë çka ai quan “ko-transformim” i Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, si dhe mbi boom-in e kryeqyteteve si Varshava, të cilat kontrastonin në mënyrë të theksuar rajonet më të varfra të vendit, të njohura në Poloni si “Polska B.” Edhe pse e pazakontë për një akademik gjerman, ai ngandonjëherë mund ta bëjë punën shkel-e-shko, duke dhënë gjykime të prera të bazuara mbi vetëm dy a tri burime.3

Megjithëkëtë, teza e tij qendrore kërkon të merret seriozisht në konsideratë. Ai argumenton që një “tren neoliberal,” i vënë mbi shina nga Britania e Margaret Thatcher dhe Shtetet e Bashkuara të Ronald Reagan, nisi të përshkojë Europën në 1989.” Ai shprehet se e përdor neoliberalizmin si “një term neutral, analitik,” dhe sqaron ndarjen midis historisë intelektuale dhe rrethanave specifike shoqërore dhe politike të implementimit të tij. Përmbledhja e tij e tri shtyllave të ideologjisë neoliberale nuk tingëllon plotësisht neutrale:

Besimi i verbër në treg si një gjykatës në thuajse të gjitha marrëdhëniet njerëzore, mbështetja irracionale mbi racionalitetin e pjesëmarrësve në treg, përbuzja ndaj shtetit e shprehur nëpërmjet mitit të “qeverisë së madhe”, dhe zbatimi në mënyrë uniforme i recetave ekonomike të Konsensusit të Uashingtonit.

Ai konsideron se tiparet kryesore të neoliberalizmit, sikurse u zbatuan në Europën Lindore, ishin liberalizimi, çrregullimi dhe privatizimi, dhe se pasojat e zhvendosjes sociale dhe pabarazisë në rritje ishin shumë të dëmshme.

Kjo kritikë mbi impaktin e neoliberalizmit në Europën post-komuniste duhet trajtuar me shumë rezerva. Së pari, sikurse Theri vetë nënvizon, e vetmja gjë më e keqe e të paturit një transformim neoliberal të ekonomisë është të mos kesh fare një transformim neoliberal. Shikoni performancën e zymtë të Ukrainës, Rusisë dhe Rumanisë. Në 1989, Polonia kishte thuajse të njëjtën GDP per capita si Ukraina; një çerekshekulli më vonë, GDP per capita e Polonisë përbënte gati 10 përqindëshin e Gjermanisë së sapo-bashkuar në 1991, dhe 53 përqind të Gjermanisë vetëm njëzet vite më vonë.4

Së dyti, përdorimi i tij i termit “neoliberalizëm” rrezikon mbivlerësimin e dimensionit ideologjik. Po, ka patur “Theçërianë lindorë” siç ishte Václav Klaus, babain themelues të transformimit ekonomik të Republikës Çeke – dhe Klaus ishte akoma më theçërian sesa vetë Thatcher. Por kjo nuk ishte një lëvizje massive ideologjike si komunizmi apo fashizmi në vitet 1920-30, që udhëhiqej nga liderë të cilët besonin fanatikisht në rrymat përkatëse. Shumë prej atyre që përqafuan politikat “neoliberale” pas 1989 e bënë këtë në mënyrë pragmatike, për mungesë të ndonjë alternative të besueshme.

Në foto: Tadeusz Mazowiecki, kryeministri i parë demokratik i Polonisë dhe Jacek Kuroń, ministër i Punës dhe Politikave Shoqërore.

I tillë ishte rasti i kryeministrit të parë post-komunist të Polonisë, Tadeusz Mazowiecki, i cili në vitet e mëparshme anonte nga kristian-socialistët. Kujtoj gjithashtu dhe Bronisław Geremekun, një këshilltar udhëheqës i Solidaritetit dhe më vonë, ministër i jashtëm polak, ndërsa më shpjegonte mbështetjen e tij për “terapinë e shokut” neoliberal me një metaforë. Shiko, më tha, ekonomia e centralizuar është si një bunker i madh betoni, të cilit i nevojitet një buldozer gjigand për ta rrëzuar. Fundja fundit, ata do të kishin qenë të kënaqur të kishin dhe një version social-demokrat skandinav të kapitalizmit. Por së pari do t’u duhej ta ndërtonin atë kapitalizëm nga rrënojat e bunkerit komunist.

Kjo më shpie në një tjetër konkluzion. Është shumë mirë që Philipp Ther e mbulon me ironi TINA – There Is No Alternative (Nuk ka asnjë alternativë) të Znj. Thatcher, dhe që thekson, me argëtim, që alternativlos (pa alternativë) është shpallur si fjala më e shëmtuar gjermanisht e vitit 2010. Por cila ishte alternativa konkretisht? Përndryshe si do të kishin krijuar ata një ekonomi tregu? Historianët nuk janë aspak të detyruar të eksplorojnë atë që nuk ka ndodhur, por shpeshherë, jo gjë do ta pasuronte punën e tyre.  

Thënë kjo, mendoj se Ther ka një argument të mirë. Elitat post-disidente dhe reformiste, përfshirë këtu edhe ato që vijnë nga e majta demokratike, shkuan mjaft larg në përqafimin e një transformimi radikal ekonomik (neo)liberal. Ther jep shembullin e disidentit veteran polak Jacek Kuroń. Ai mund të kishte shtuar që Kuroń në vitet e fundit të jetës së tij u pendua thellësisht për mbështetjen e tij të zëshme, kur ishte ministër në qeverinë e Mazowieckit, për një liberalizëm ekonomik që pati kaq pasoja të dhimbshme shoqërore — jo pak për punëtorët që kishin qenë shtylla e Solidarnost. Adam Michnik, kryeredaktor i së përditshmes Gazeta Wyborcza për çerekshekullin e shkuar, bëri vëzhgimin e famshëm që “zemra ime është në të majtë, por portofoli në të djathtën.”

Së paku, elitat polake urbane, liberale mund të kishin gjetur një gjuhë më të mirë publike për të treguar që ata kujdeseshin për ata që po paguanin haraçin për kokë të këtij tranzicioni. Ata mund të kishin bërë më tepër për të ndihmuar punëtorët të cilët kishin humbur punët e tyre në kompanitë e mëdha shtetërore për të gjetur punësim të ri dhe të merituar, dhe, kur t’ua lejonte buxheti, ata mund të kishin ndjekur një politikë sociale më aktive.

Ajo “zemra në të majtë” ishte pak e dukshme në sytë e miliona polakëve në qytetet e vogla dhe në rajonet më të varfra të “Polska B”, të cilët e ndjenin veten si të margjinalizuar dhe të lënë mbrapa nga buldozeri i liberalizmit ekonomik. Ia vlen të përmendet që ata ishin gjithashtu të mënjanuar nga liberalizmi shoqëror, kur flitej për çështje si aborti, çështjet gjinore dhe orientimi seksual, të cilat erdhën me hapjen kah Europës Perëndimore. Këtu ishte baza e elektoratit në kurriz të së cilit populistët e partisë Ligj dhe Drejtësi u ngjitën në pushtet në vitin 2015, duke ofruar kështu një kombinim ideologjish nacionaliste, katolike, tipike të së djathtës, si dhe premtime të mëdha mbi përfitimet nga ndihmat sociale dhe ndërhyrjet e shtetit në ekonomi, të cilat historikisht ishin lëvizje tipike të së majtës. Pra, një reagim kundër pasojave të liberalizmit ekonomik dhe shoqëror kërcënon tani arritjet e liberalizmit politik.

Banka Qendrore Europiane. Foto: kortezi e Agjencisë së Shtypit Europian.

Ther sugjeron që Europa Jugore mund të zëvendësojë Europën Lindore në disa nga hartat mendore të Europianëve Perëndimorë, duke zënë vendin e saj si Tjetri i imagjinuar. Ai ia vë gishtin akronimit PIGS të ndërtuar për katër vendet Europiano-jugore të eurozonës të përçara nga kriza: Portugalia, Italia, Greqia dhe Spanja. (Fyerja ishte origjinalisht PIIGS derisa Irlanda, I-ja e dytë, doli vetë nga kriza.) Por kapitulli i Therit mbi Europën Jugore duket si Mbreti Lir pa mbretin, sepse diskutohet vetëm kalimthi ç’është në zemrën e tragjedisë Europiane Jugore: të metat e thella të hartimit të eurozonës dhe strategjitë e papërshtatshme të ofruara nga shtetet kreditore të Europës Veriore, kryesisht Gjermania.

Kjo është një temë që haset në librat e Claus Offe, Hans-Werner Sinn, Joseph Stiglitz, dhe François Heisbourg, për të emërtuar vetëm katër prej tyre. Të ardhur prej perspektivave të ndryshme ideologjike dhe kombëtare, të gjithë pajtoheshin me idenë se ishte një gabim i madh për të krijuar eurozonën me strukturën dhe përmasat e saj të tashme—një monedhë e përbashkët pa një thesar të përbashkët dhe duke prangosur bashkë nëntëmbëdhjetë ekonomi mjaft të ndryshme nga njëra-tjetra. Me synimin për të ushqyer bashkimin Europian, euro është faktikisht duke e ndarë Europën. Ka ringjallur zemërim ndërmjet Greqisë dhe Gjermanisë dhe ka përhapur mëri si në jug dhe në veri. Vijueshmëria e politikave të tanishme do të rezultojë më së miri në Europën Jugore që do të çalojë prej vitesh për të dalë nga eurozona, me rritje të ulët, papunësi të lartë, dhe një kulturë të sprovuar nga mungesa e shpresës.

Këta autorë propozojnë zgjidhje të ndryshme. Me qartësi të mrekullueshme karteziane, Heisbourg shkruan: “Me monedhën e tanishme euro në thelb të problemit, zgjidhja duhet të jetë heqja e saj në mënyrë gjakftohtë dhe me marrëveshje të përbashkët.” Kjo është racionale, por a është e vërtetë? Offe nuk pajtohet, dhe cilëson se euro “është një gabim, që po të hiqet do të jetë një gabim edhe më i madh.” Stiglitz dhe Sinn ofrojnë një smörgåsbord* reformash pak a shumë radikale, të cilat unë nuk kam as hapësirën as kompetencën teknike për t’i vlerësuar.

Një zgjidhje mund të gjendet në Gjermaninë e Angela Merkel dhe Wolfgang Schäuble të cilët duhet të reshtin së trajtuari ekonominë si një degë e teoloogjisë. Offe vëzhgon sesi në fjala për buxhetin në gjermanisht është Haushalt, që do të thotë literalisht shtëpia(k) ndërsa fjala gjermane për borxhin është Schuld që gjithashtu përkthehet si faj. Shtypi gjerman, cilëson ai, u është referuar vazhdimisht PI(I)GS si “mëkatarë fiskalë.” Për të përshtatur Biblën: paga e mëkatit është borxhi.

Kjo sëmundje kronike e eurozonës ka ushqyer populistë të së majtës e të së djathtës, të jugut e të veriut. Partia populiste gjermane Alternative für Deutschland, për shembull, filloi si një parti anti-euros, përpara se të fitonte më shumë ndjekës si një parti anti-emigracionit, pas fluksit të lartë të refugjatëve vitin e shkuar. Dhe as nuk ia kam nisur ta diskutoj krizën e refugjatëve, që po trondit akoma shoqërinë gjermane, krizën e Brexit, krizën e Ukrainës, përballjen sfiduese të Rusisë së Vladimir Putinit ndaj sigurisë Europiane dhe demokracive Europiane; krizën e terrorizmit (Franca, një ndër shënjestrat kryesore të terrorizmit islamik, është ende në gjendjen e emergjencës); kriza demografike; pasiguria që po pllakos të rinjtë e kontinentit, të njohur tashmë si “prekariati”. Të gjitha këto janë të ndryshme por që përforcojnë reciprokisht krizën ekzistenciale gjithëpërfshirëse që po kërcënon të gjithë projektin e pas-1945 së Bashkimit Europian. Dhe janë të gjitha ushqim për metastazën e politikave populiste.   

Të Dielën, 4 dhjetor 2016, Austria vendosi të mos zgjidhte për president një populist të krahut të djathtë, Norbert Hofer, e megjithatë ai mori 46 për qind të votave. Në të njëjtën ditë, mes diskutimeve për Trumpismo, Italia votoi kundër referendumit për reformat kushtetuese të propozuara nga kryeministri Matteo Renzi. Pavarësisht së shumë votuan kundër thelbit të propozimeve, kjo i dha një shtytje Lëvizjes me Pesë yje të udhëhequr nga humoristi Beppe Grillo.

E kam përdorur fjalën “populist” shpesh herë pa u ndalur për ta përcaktuar. Por a nuk është një term gjithëpërfshirës për partitë, lëvizjet, dhe kandidatët presidencialë që nuk i pëlqejmë? Çfarë është populizmi? Kjo është pyetja që i adresohet në një libër të shkurtër të shkëlqyer Jan-Werner Müller, një akademik gjerman që tani jep leksion në Princeton. Müller kujton sesi Richard Hofstadter dha një herë një fjalim me titullin “Të gjithë flasin për populizmin, por askush nuk mund ta përcaktojë,” e megjithatë ai bën përpjekjen më serioze që mund të kem parë ndonjëherë për t’i dhënë termit një kuptim koherent kontemporan.

Populistët flasin në emër të “popullit”, dhe shprehen se legjitimiteti i tyre i drejtpërdrejtë nga “populli” përfshin të gjitha burimet e tjera të autoritetit politik legjitim, qofshin këto gjykata kushtetuese, kryesia e shtetit, parlamenti, apo qeverisja lokale dhe shtetërore. Slogani “Unë jam zëri juaj” i Donald Trump është një deklaratë klasike populiste. Po kështu është dhe kundërpërgjigja e kryeministrit turk ndaj akuzave të BE që ka shkelur vijën e kuqe me shtypjen e lirisë së medias: “Vijën e kuqe e vendos populli.” Po kështu është edhe kryetitulli i Daily Mail që denoncon si “Armiq të Popullit” tre anëtarë të trupit të lartë gjykues britanik të cilët vendosën që parlamenti duhet të kryente një votim mbi Brexit. Ndërkohë, nacionalistët e krahut të djathtë polak justifikojnë një përpjekje të vazhdueshme për të neutralizuar gjykatën kushtetuese polake bazuar në pretendimin që populli është “sovrani”.  

Lëvizja tjetër kyçe populiste është të identifikohet si “popull” (ose Volk) ajo çka rezulton të jetë në fakt vetëm një pjesë e popullit. Një citim i Trump nga fushata e tij elektorale e përmbledh këtë më së miri: “E vetmja gjë e rëndësishme është njëjësimi i popullit,” tha Donald, “sepse popujt e tjerë nuk vlejnë.” Nigel Farage i UKIP e mirëpriti votën e Brexit si një fitore për “popullin e thjeshtë”, “popullin e mirë”, “popullin e vërtetë.” 48 për qind prej nesh të cilët votuam më 23 qershor 2016 që Britania të qëndronte në BE nuk jemi as të thjeshtë, as të mirë, madje as të vërtetë. Tani duhen “njerëzit e tjerë” të jenë të vëmendshëm: meksikanët dhe myslimanët në Shtetet e Bashkuara, kurdët në Turqi, polakët në Britani, myslimanët dhe çifutët në mbarë Europën, si dhe Sintit dhe Romët, refugjatët, emigrantët, njerëzit me ngjyrë, gratë, kozmopolitanët, homoseksualët, dhe për të mos përmendur “ekspertët,” “elitat,” dhe “median mainstream.” Mirë se erdhët në një botë Trumpizmi të shfrenuar!

Populizmi, argumenton Müller, është armik i pluralizmit. Synimi i tij është demokracia pluraliste, liberale, me ato kontrollet dhe balancat jetike kushtuese dhe shoqërore që parandalojnë çdo “tirani të mazhorancës” nga mbizotërimi ndaj të drejtave individuale të njeriut, masat mbrojtëse për minoritetet, gjykatat e pavarura, një shoqëri civile e fortë dhe media e pavarur dhe e larmishme.

Müller nuk e pranon termin “demokraci joliberale,” me argumentin se i lejon njerëzve si Viktor Orbán të shpallin se Hungaria ka thjesht një tjetër lloj demokracie, që është autentikisht demokratike në një tjetër mënyrë. Ajo çka ka bërë Orbán, për shembull në marrjen e frerëve të medias, e gërryen nën të demokracinë. Megjithatë, mendoj se na nevojitet një term për të përshkruar çfarë ndodh kur një qeveri që lind nga një formë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme po rrëzon themelet e demokracisë liberale por pa ngritur ende diktaturën—mundet edhe të mos synojë fare të shkojë drejt diktaturës, madje. Fjalë si neoliberalizmi, globalizmi dhe populizmi janë në vetvete fenomene me variacione domethënëse kombëtare, rajonale dhe kulturore. “Regjimi hibrid” tingëllon gjerësisht i paspecifikueshëm, prandaj deri kur dikush të shpikë ndonjë term më të përshtatshëm, unë do vazhdoj të përdor “demokracinë joliberale”.

Nëse epoka e pas-murit shtrihet nga 1989 në 2009, në çfarë epoke jemi tani? Me siguri nuk do ta kuptojmë për një apo tri dekada. Në një ditë të keqe të Europës, dhe pati shumë të tilla në 2016, njeriu ka vërtetë dëshirë të bjerë në një koma të induktuar, por kjo nuk është koha për të ngrirë. Jo, ne të cilët kemi besim tek liria dhe liberalizmi duhet t’i kundërpërgjigjemi ushtrive të Trumpizmit që po përparojnë. Pika fillestare e të luftuarit mirë është të kuptojmë ekzaktësisht se cilat janë pasojat e zhvillimeve të tilla të ngjashme, si ndryshimet e shpeshta teknologjike—të cilat i kanë mënjanuar aq shumë njerëz sa që ata tani votojnë për populistët, të cilët kërcënojnë themelet e liberalizmit politik si brenda, ashtu dhe përtej kufijve të shteteve të tyre. Pasi të marrin një diagnozë të saktë, e majta dhe e djathta liberale duhet të arrijnë në krijimin e politikave dhe të një gjuhe tërheqëse ndaj këtyre politikave, për të fituar mbrapsht votuesit e pakënaqur. Nga rezultati i kësaj sfide do të varet karakteri dhe e ardhmja e epokës sonë momentalisht të paemërt.

 

Përktheu: Sara Kelmendi

 

*Smörgåsbord - shën. i përkthyesit. Vakt skandinav, i përdorur kryesisht në Suedi, i stilit bufe, me një sërë pjatash të ndryshme të ngrohta dhe të ftohta.

1.Timothy Garton Ash “Europe’s Endangered Liberal Order,” Foreign Affairs, Mars/Prill 1998, ribot. History of the Present: Essays, Sketches, and Dispatches from Europe in the 1990s (Random House, 2000).  ↩

2. Shihni “The Country Summoned Me” dhe (Timothy Garton Ash, Timothy Snyder) “Orange Revolution in Ukraine” në Facts Are Subversive: Political Writing from a Decade Without a Name (Yale University Press, 2010).

3. Përfshirja e Gjermanisë Lindore në agregatin e figurës gjermane për 1991 krijon një mbivlerësim statistik të shkallës reale të arritjeve të Polonisë.
SHPËRNDAJE