Qeveria spanjolle shpalli 21 dhjetorin si datën kur do të mbahen zgjedhjet e reja në Katalonjë, me qëllimin për të rivendosur stabilitetin dhe shtetin ligjor pas një krize të tejzgjatur e cila kulmoi me referendumin e jashtëligjshëm të mbajtur nga «qeveria» katalanase më 1 tetor.

Pavarësisht ndërhyrjeve, ndonjëherë brutale, të policisë, votimi për Referendumin u mbajt pothuajse në mbarë Katalonjën, duke i dhënë 90% të votave në favor të pavarësisë – por me një përqindje të lartë abstenimesh që shkonin deri në 58%, kryesisht nga zgjedhësit anti-pavarësisë. Madridi zyrtar i shpalli menjëherë zgjedhjet e pavlefshme, vendosi gjendjen e emergjencës në bazë të nenit 155 të Kushtetutës së Spanjës, shkriu qeverinë autonome të sapo-zgjedhur, e vendosi nën kontrollin e autoriteteve spanjolle, dhe i vuri prangat pothuajse të gjithë ministrave të cilët arritën të kapin : kreu i qeverisë, « Presidenti » Carles Puigdemont, dhe katër ministra të tjerë  u arratisën në Bruksel për të shmangur arrestimin – si dhe liderët e dy lëvizjeve kryesore popullore katalanase.

Ne të gjithë i kemi ndjekur zhvillimet e kësaj krize të cilën zor se ndonjë europian – me përjashtim të katalanasve dhe spanjollëve – kishte dëgjuar apo ishte preokupuar për këtë më parë. Dy vizione politike përballë njëri-tjetrit, shteti ligjor dhe rendi vs. e drejta e njerëzve për të vendosur vetë mbi fatin e tyre; legjitimiteti i një monarkie të centralizuar pesëqind vjeçare vs. thirrja për pavarësi e një populli, historia e së cili daton që nga koha e Karlit të Madh, krenarë për traditat e tyre, kulturën dhe gjuhën, të shtypur prej mbretërve Burbonë në shekullin e tetëmbëdhjetë dhe nga diktatura e Frankos në 1939 dhe që ka zgjedhur qeveri autonomiste pothuajse qëkurse Spanja iu rikthye demokracisë në 1978.

Një zgjidhje e vështirë

Është e vështirë të zgjedhësh mes këtyre dy logjikave. Bashkimi Europian, në tërësi, ka mbajtur anën e Madridit, sigurisht përderisa Spanja është anëtare e klubit. Por në të njëjtën kohë, në asnjë vend në Europë një qeveri demokratike e ka lënë një krizë të brendshme të ziejë deri në atë pikë sa në Spanjë, pa marrë mundimin të gjejë së pari një zgjidhje apo një rrugëdalje.

Si për t’i përkeqësuar gjërat, qeveria qendrore konservatore e Partisë Popullore (PP), e kryesuar nga Manuel Rajoy, duket të ketë bërë çmos për t’i fryrë zjarrit të autonomizmit në Katalonjë. Në Mbretërinë e Bashkuar, David Cameroon i lejoi qytetarët skocezë të mbanin një referendum për pavarësi, dhe fitoi; e njëjta gjë ndodhi më parë edhe në Kanada me Québec. Dhe në Francë, nacionalistët korsikas, një pjesë e madhe e të cilëve kishin advokuar haptazi për pavarësi dhe kishin lidhje me terrorizmin, kanë tanimë kontrollin e një rajoni të cilit i është dhënë më shumë fuqi se cilido rajon tjetër francez.

Historia, madje dhe gazetaria, nuk janë dhe as nuk duhet të jenë të informuara nga një reagim i menjëhershëm emocional ndaj eventeve që dalin nga hiçi sepse ne nuk i kemi kushtuar mjaftueshëm vëmendje krizës që shtjellohej para syve tanë. Sa për Katalonjën, ajo është qeverisur prej kohësh nga borgjezë, shpeshherë mendjengushtë dhe nacionalistë, të cilët në vitet 1990, mbështetën një qeveri konservatore në Madrid, pikëpamjet e së cilës në ekonomi dhe shoqëri ndaheshin edhe nga ata, në një shtet ku pesha e institucionit të katolicizmit romak ende mbizotëron. Dhe, duke qenë të moderuar dhe jo nga ata që i fryjnë zjarrit – ndryshe nga ETA baske – ata kanë qenë historikisht në favor të njëfarë paktizmi me qeverinë qendrore për të përforcuar autonominë e tyre, të kthyer në fuqi nga Kushtetuta e vitit 1978.

Kështu, ata negociuan me qeverinë socialiste të Zapateros për një status të ri, apo Estatut, i cili u dha më shumë fuqi dhe të drejtën për ta quajtur veten si një komb brenda Spanjës. Kjo gjë u miratua në vitin 2006 nga një referendum për katalanët, si dhe nga parlamenti spanjoll. Partia Popullore e dërgoi këtë vendim menjëherë në Gjykatën Kushtetuese së cilës iu deshën katër vite për të anuluar pikat kryesore të Estatut-it. Një vit më pas, PP erdhi në pushtet nën udhëheqjen e Z. Rajoy.

Që prej asaj kohe ata kanë refuzuar çdolloj ri-negociate me Barcelonën. Kjo politikë e papërkulur, e bashkuar me pozicionimin nacionalist spanjoll nga disa politikanë madrilenë, dhe mediat, duke përfshirë këtu fatkeqësisht të përditshmen prestigjioze El Pais, si dhe termat përçmuese të cilat përdoren ndonjëherë kundra katalanëve, duke i portretizuar si egoistë, tradhtarë, në mos nazistë – i dhanë krahë nacionalizmit katalanas, duke shtyrë kështu lëvizjen margjinale për pavarësi drejt mazhorancës në parlament.

Kjo lëvizje ka bërë përpara vetëm në saje të suksesit të saj. Dhe politikanët që janë si të gjithë, pra, as më të mirë as më të këqinj, as më shumë e as më pak të korruptuar se sa politikanët e tjerë spanjollë, në një vend të njohur për praktikat korruptive, dy partitë më të mëdha – të moderuarit PDeCat (Partia Demokratike dhe Europiane e Katalonias) e Z. Puigdemont dhe të majtët ERC (E Majta Republikane e Katalonias) – më provincialë, më pak të dalë, kishin frikë mos i tejkalonte tjetri. Ata duhej gjithashtu të mbështeteshin në të majtën ekstreme CUP (Kandidaturën e Bashkuar Popullore) për të arritur të bënin pjesë në mazhorancë në Parlament.

Të nxitur kështu nga shpresat e tyre, ata nuk morën në konsideratë dy faktorë madhorë. Në frontin e brendshëm – të përfshirë në minoritetin e madh të katalanasve të cilët rrjedhin nga zona të ndryshme të Spanjës, por jo vetëm, shumë syresh janë integruar plotësisht në shoqërinë nacionaliste katalanase – kjo rilindje e irredentizmit ka instrumentalizuar përkrahjen e nacionalizmit të ripërtërirë spanjoll, apo veçanërisht atij kastilian. Një ndjenjë kjo e përdorur gjerësisht nga politikanët spanjollë, të së djathtës e të së majtës, për t’i bërë thirrje synimeve të veta politike, sikurse ishte vendosur të trajtonte baskët gjatë viteve të errëta të terrorizmit të ETAs.

I ka dhënë guxim gjithashtu ekstremit më reaksionar të shoqërisë spanjolle, ku Z. Rajoy duket të jetë relativisht i moderuar. Disa liderë të PP kanë kërkuar zbatimin e nenit 155 nëse nevojitet edhe në rajone të tjera autonome si shteti bask, por edhe në disa të qeverisura nga të majtët si Castilla La Mancha apo Andalusia. Partia e re konservatore Ciudadanus (Qytetarët) po e tejkalon Rajoyn dhe duke kërcënuar pozicionin e PP, po kërkon të shpërbëhen disa nga të drejtat e Katalonias, përfshirë këtu ato për përdorimin e gjuhës katalanase.

Por ajo çka nuk kuptuan gjithashtu liderët katalanë, ndryshe nga ç’e ëndërronin, ishte se opinioni publik europian nuk ka ndonjë simpati të veçantë për ata që portretizohen si “separatistë” – ndonëse kjo ka ndryshuar disi pas referendumit të fundit. Për më tepër, ata nuk kuptuan se nuk kishte gjasa që ndonjë qeveri europiane të dilte kundra një tjetre, por do t’i qëndronin besnikë solidaritetit europian, në të mirë e në të keq, qoftë thjesht nga simpatia ose ngaqë përballen dhe vetë me probleme të ngjashme.

Zbutja e krizës

Megjithatë, politika nuk është vetëm arti i të luajturit kundër njëri-tjetrit. Është para së gjithash arti i shpërbërjes së krizës dhe zbutjes së ndjenjave të ashpra. Sidomos në kohë të tilla për shoqërinë katalanase që është tani e ndarë në dy gjysma thuajse të barabarta.

Sondazhet dëftojnë që asnjëra palë nuk mund të arrijë një fitore të sigurtë më 21 dhjetor. Një ose dy karrige më shumë për pro apo kundra pavarësisë, në varësi të ditës kur janë kryer sondazhet, dhe një mazhorancë absolute e paparashikueshme. Gjë kjo që mund t’i japë një rol kyç aleatëve të Podemos, Catalunya en Comu (Katalonia e Bashkuar), të ndarë gjithashtu në çështjen e pavarësisë.

Në vend të zbusë gjakrat, Madridi ka zgjedhur rrugën më të vështirë: pezullimin e autonomisë së Katalonias për të parën herë qëkurse është rivendosur demokracia, duke refuzuar së paku ta marrë në konsideratë diskutimin mbi ndonjë ndryshim në marrëdhëniet spanjolle-katalanase ; duke dërguar në burg të prangosur, si të jenë kriminelë, liderët autonomistë e duke i kërcënuar me 10 deri në 50 vite heqje lirie për rebelim, kryengritje apo dredhi – disa shkelje që nuk janë as të renditura në kodet penale europiane.

Për të dhënë një shembull, një terrorist islamist, ideatori i vrasjes gjakftohtë të 3 nxënësve hebrenj, një mësuesi dhe tre ushtarëve në Francë në vitin 2012 u dënua më herët këtë vit me « vetëm » 20 vite burg. Kur anti-autonomisti Miquel Iceta, lider i socialistëve katalanas kërkoi lirimin e të burgosurve në mënyrë që të qetësohej situata dhe të shmangej rritja e ndjenjave pro-pavarësisë, kolegu i tij i partisë, ish-president i Parlamentit Europian, Josep Borell iu përgjigj se përpara se të zbutim, duhet të « dezinfektojmë ». Ndërkaq, ministrja e mbrojtjes Maria Dolores de Cospedal i tha ushtrisë se roli i tyre ishte « të ishin përgatitur kundrejt çdo sulmi ndaj demokracisë ».

Kërcënimet nuk ndihmojnë

Cilido të jetë rezultati i zgjedhjeve të së Enjtes, Katalonia do të mbetet e ndarë. Megjithatë të gjithë katalanasit do të duhet të jetojnë, punojnë, dhe eventualisht të qeverisin së bashku. Nëse ata që përkrahin pavarësinë do të jenë fituesit, do t’u duhet t’i shtrijnë dorën atyre të cilët politikat e tyre i kanë mënjanuar. Ata janë paralajmëruar tashmë nga Madridi se nëse diskutohet sërish pavarësia, do të vendoset sërish zbatimi i nenit 155 me të gjitha pasojat e tij të tmerrshme.

Por nëse fitues do të jetë një koalicion i lëkundshëm anti-pavarësisë ndërmjet socialistëve, PP dhe Ciudadanus, atyre gjithashtu do t’u duhet të qetësojnë e të bindin nacionalistët se ata nuk do të bëhen qytetarë të klasit të dytë në vetë vendin e tyre, dhe në vendin e tyre brenda Spanjës. Kërcënimet e përparësisë që vijnë nga Madridi nuk do të ndihmojnë.

Është koha që institucionet spanjolle ta kuptojnë se vendi i tyre, si cilido vend demokratik, nuk mund të mbahet harmonikisht vetëm nëpërmjet kërcënimit të përdorimit të forcës dhe dënimeve me heqje lirie. Atyre do t’u duhet të bindin disa miliona përkrahës të pavarësisë së Katalonias që Spanja mund të jetë sërish një vend mikpritës për ta. Kjo nuk është punë e lehtë por është e detyrueshme për Spanjën nëse ajo do të rifitojë stabilitetin e saj politik, shoqëror dhe ekonomik, dhe të mbetet një fuqi e madhe në Europë.

 

SHPËRNDAJE