Shtëpia ime në jug

0

Jerina Zaloshnja

Duhet të jetë aty rreth orës katër pasdite, kur  Ilia Vasili vë në hell, si çdo të premte, një qengj të njomë dhe një duzinë pulash. Çdo gjysmë ore e lyen qengjin me një lëndë që s’e njoh, i vë një letër ngjitëse tek koka për t’i mbajtur trutë që mund edhe të fluturojnë gjatë rrotullimit në hell. Ia bëjnë cërr-cërr të gjashtë pulat. Lëngu vjen i mirë, pa hile. Aromë bagëtie. E gjitha vjen nga pjekja.

Pederasti, kushëriri i parë i plakut, që thotë se vjen në “Sany Bic Hotel” për tu dhënë turistëve makina me qira (por ne të gjithë e dimë pse vjen këtu ai), provon mishin me gisht dhe lëpihet me gjuhën e hollë.

– Një arsye më shumë për të mos e ngrënë këtë dreq mishi – thotë Bebe – por është pikërisht Bebe që i mbaron i pari të gjitha. Të gjithë përpiqemi të buzëqeshim me veprimin “origjinal” të pederastit, ndërsa ky do të rrijë pak e do të zhduket pasi t’u ketë hedhur një sy burrave. Do të vijë prapë një xhiro natën, do të provojë me gisht mishin me gjuhën e hollë, në kohën kur vijnë klientë të rinj, mirëpo thonë se askush nga të këtushmit nuk ia var këtij të gjymti. Ndërsa pederasti u kënaqkërka vetëm me shqiptarët. Ma ka thënë rastësisht një djalë i ri, që vërtitej hotelit kur e pyeta: “Po ti me ç’punë merresh e ç’bën këtej?”. Djaloshi ma tha copë se këtu ka punë që…, “të luash mendsh, 10 mijë dhrahmi seanca”…

Pederasti e paska tepruar prej kohe,- tha djali,- e ka lënë gruaja, ka rënë keq në sy. Vetë plaku Vasil i ka thënë dy ditë më parë: “Qërohu këndej se na qelbe”, por ai ka bërë sikur s’ka marrë vesh.

Në katër pasdite, në “Sany Bic Hotel” shkëmbejnë turnin edhe kurvat. Zogëzat e reja janë duke u kthyer prej plazhit. Në trup u kanë mbetur pakujdesshëm thërrmijat, diell e rërë dhe ashtu vrik i afrohen dhe ndukin plakun, duke i thirrur: “Papu, papu”, skenë që u ngjall kërshëri të gjithëve, ndërsa plaku përpiqet të fshijë me dorë pështymën delikate të kurvave, se sidoqoftë pështymë është. Sinjora plakë, vajza e madhe e plakut, me flokët e verdhë në lejla, në krye të tryezës numër një, nuk është “duke qëndisur pëlhurë”, punë që e bën aty nga ora tre e natës, por sidoqoftë i ngjan pelës së lodhur. Është duke pritur vajzat, kurvat e tjera më të reja.

Sinjora plakë…plakë që plakë, por ua hedh të gjithave. Thonë se burrin e ka mjek “plastiko” në Jordani; (pikërisht kështu më ka thënë vetë plaku: Burri i Dhorës është mjek plastiko që do të thotë mjek për operacionet plastike). Ia ka hedhur në shesh gjoksin e parë dhe ia ka bërë të ri fringo të dytin, punë për t’u pasur zili. I ka vënë rregull të përsosur në hundën e rrëmujshme e të tjera, aq sa kur hyri sivjet për së pari në hotel, Dhora, ose siç i thonë këtej pari “sinjora plakë”, me flokët që thashë dhe një palë gjyzlykë alla Zhaklinë Onasis, i la pa mend të gjithë. Sido që më e vjetra në sojin e kurvave që shëtitin hotelin, sinjora thonë se qëndis mirë pëlhurë deri edhe në tre të natës.

Bebe asnjëherë nuk e ka besuar këtë punën e qëndismës së pëlhurave. Kujton se e kam nga zilia femërore për sinjorën plakë, që nuk është se nuk më kap herë pas here. Por unë i jam betuar e stërbetuar Bebesë, se ma ka treguar vetë sinjora dhe se as që kish për të më thënë se ç’bënte në tre të natës, as unë vetë nuk do ta kisha pyetur sikur të mos kish ndodhur dy vjet më parë një ngjarje e papritur.

Im bir, në atë kohë katërvjeçar, kish filluar të shfaqë shenja somnambulizmi. Ne e vinim në gjumë dhe pinim “recina” me plakun Vasili e Xhorxhin, (ky e ka emrin Jorgo dhe jeton në Tripoli, po unë e Bebe e thërresim Xhorxh, meqë ka punuar disa vjet në Çikago si ndreqës makinash), ndërsa sinjora plakë më shpëtoi djalin nga mbytja e sigurtë poshtë në det. Kur djali po futej në ujë ashtu përgjumësh e ne pinim, sinjora plakë la atë punë përgjysmë dhe e shpëtoi… Më kujtohet se si më kaloi tmerri i parë pas ngjarjes, unë vetë e kam pyetur zonjën: “Po ti si u gjende në tre të natës poshtë tek deti? Atëherë ajo më është përgjigjur me pafajësinë e kurvës së mirë, se e paskësh zakon të “qëndisë pëlhurë” edhe në tre të natës. Ja kjo është e gjitha dhe nuk kam ndonjë arsye për të trilluar. Dama plakë, në tryezën numër një të “Sany Bic Hotel”, është treguar e gatshme dhe krejt e mirë me mua dhe të them të drejtën nuk mund t’ia harroj për tërë jetën. Sidoqoftë, plaku thotë se më e mirë nga kjo është Vula, vajza tjetër farmaciste, (që nuk para duket këndej hotelit, veç të shtunën si është bërë gati qengji), por që i bleu më në fund plakut një makinë fringo të re, një mercedes gri, pa iu dridhur dora dhe që plaku e përdor për të blerë qepë e domate, për të çuar çdo ditë çarçafët e papastër në lavanderinë e qytetit 15 minuta larg.

***

Jam duke pirë kafenë e orës katër me Bebe, kur plaku Vasil më thërret: “Nina eja këtu të thuaç!” (Do të thotë eja këtu të përkthesh), ndërsa ngrihem me gjithë dashurinë time të mundshme drejt këtij njeriu, sikur më ka ndodhur që ditën e parë. Përpara më del një zonjë franceze, “france” siç thotë plaku. Ajo kërkon të dijë se ku i ka të dyja dhomat e prenotuara në “Sany Bic” këtu e dy muaj më parë. Plaku thotë: “S’ka problem, tani, ora, gati, subito”, ndërsa unë e përkthej në italisht. Kjo është gjuha jonë e vjetër, që e dimë vetëm unë, plaku, Bebe dhe askush tjetër. Në fakt, në momentin që ka mbërritur çifti francez, të 30 dhomat e hotelit janë krejtësisht të zëna për sezonin e verës, por plaku thotë: Ç’do gjë, gati”. Pastaj hidhet e pyet zonjën: “A hingërtë faji”, që do të thotë çfarë dëshironi të hani dhe përpiqet të fitojë kohë nga ky incident i vështirë, që po i ndodh shpesh kohët e fundit. Ja se çka ngjarë: francezët kanë prenotuar dhomë me faks dy muaj më parë, plaku është përgjigjur si gjithmonë “kur të doni”, por e ka harruar sakaq…

Plaku ka filluar të harrojë. Në fakt kjo është mënyra e punës së tij… Tani kërkon t’u japë francezëve “faji” e “Amstel” falas për të fituar kohë, ndërsa i telefonon një mikut me shtëpinë 20 minuta larg për t’i strehuar. Francezët vazhdojnë të kërkojnë hotelin si dhe “kolacionen” më pesë e gjysmë të mëngjesit, që në fakt mund t’ua përgatisë vetëm sinjora plakë, po që rastësisht do t’i binte fati që qëndiste në pëlhurë këtë natë. Befas ata kuptojnë atë që nuk po e kupton ende siç duhet plaku i hotelit; se këtu punët nuk venë aq mirë sa ç’duket, se ka rrëmujë e një lloj konfuzioni të pashpjegueshëm; se duhet të kthejnë nga sytë këmbët dhe se duhet të gjejnë një hotel tjetër në qytet sa pa rënë nata…Dhe nisen. Plaku, si tërheq një herë hundët, thotë me keqardhje të sinqertë: “Bu, bu ç’pësova” dhe futet në kuzhinë të marrë komandën, të presë me dorën e tij mishin e qengjit dhe të gjashtë pulat për klientelën.

Sikur të qe vetëm incidenti me “francetë” që thamë, ngjarja do të kish kaluar pa vënë re në ekipin e përhershëm të pushuesve të “Sany Bic Hotel”, 30 km në jug të Igumenicës. Mirëpo diçka ka filluar t’ia bëjë kërr-kërr si mokër e prishur dhe këtë ndjesi në buzë nuk e ndryshojnë dot as kurvat që ndërrojnë turn dy herë ditën, as pederasti dhe as lezetllëqet e tjera të “Sany Bic”.

Sa pa u ulur mirë, Bebe më thotë me një lloj kënaqësie se kanë ardhur do shqiptarë në hotel dhe duhet t’u japim dorën.

– Është një grua e gjatë dhe një burrë i shkurtër, – thotë Bebe.

-Me nder jush, këtu bie era mut, -thotë gruaja sa hap gojë. Kuptohet menjëherë se mysafirët janë jevgj nga Shqipëria. Janë duke kaluar një natë në hotel, nisen të nesërmen për në Gjermani. Jetojnë atje si refugjatë prej 10 vjetësh dhe nuk kuptojnë sesi është mbushur plot e përplot puseta e banjës në dhomën e hotelit. Habiten me krimbthat e vegjël që edhe shëtitin natën nëpër dhomë. Bebe u thotë me mirësi se krimbat janë të vegjël dhe nuk prishin punë, se krimba të vegjël ka kudo në “Sany Bic”; se “Sany Bic Hotel” nuk është një hotel si gjithë llojet e njohura; se gjithnjë do të gjesh të prishur një pusetë a diçka tjetër; se ka miza që pështyjnë me shumicë në tryezën e gatimit dhe kuzhinierja Efi vjen më ora dy të drekës (por kur i teket nuk edhe nuk vjen fare), porse ky është vendi më i mirë e më i habitshëm për pushime vere. Çifti i evgjitëve nuk para e kupton Beben. I them këtij se nuk është e lehtë t’ua shpjegosh të gjitha me dy fjalë evgjitëve nga Gjermania, meqë historia e këtij vendi nis së paku këtu e 30 vjet më parë.

***

Kur Ilia Vasili i ri, ardhur nga Gjermania, i zbriti karavës në Igumenicë, në dorë mbante një valixhe me flori. Dikush nga turma, duke e parë, ka mërmëritur: “Po ky qenka si Shën Vasileu”, meqë Ilia në atë kohë ka qenë i bukur e madhështor si një shenjt, – thotë Efigjenia nga Piluri. Edhe sot zor të të zënë sytë plak më të bukur, ashtu i madh e i shëndetshëm, flokëbardhë e mustaqebardhë. (E vetmja pikë e dobët them se është ngjashmëria e habitshme në portretin e plakut me Enver Hoxhën). Valixhen me flori e ka mbaruar duke ngrënë shkëmbin buzë detit 20 km në jug të Igumenicës dhe duke ngritur aty “Sany Bic Hotel”, ishullin e jetës së tij. Ka ndërtuar 30 vila, të gjitha shtëpiza të vogla, restorantin me nam, këndin e lojërave për fëmijë. Ka nxjerrë ujin nga mali. E gjitha pastaj është rërë e det. Po janë edhe ullinjtë e Ilias që i ka mbjellë vetë, dhjetëra rrënjë fiq e portokalle; rrushi që të varet mbi supe te restoranti, kokrrat e kajsive që të bëjnë pis këmishën kur të bien mbi sup, limonin (një kokërr vjen një gjysmë kile)… Janë edhe barbarozat, nenexhiku, majdanozi e mendra (më kujtohet sesi gjyshja ime i kish marrë me vete edhe në Tiranë saksitë me erëzat e Delvinës) dhe të gjitha erërat e njohura që vijnë nga Jugu.

I them Bebës atë që edhe ai e ka menduar prej kohe se këtu ndihem çuditërisht si në shtëpinë time të jugut. Më thotë se në të vërtetë kjo është shtëpia jonë e jugut, shtëpia e ëndrrës sonë të jugut, ajo që kujtuam se do ta kishim kur të plakemi, por që siç duken punët as që kemi për ta parë me sy.

“Sany Bic Hotel”, me tabelën e shtrembër në krye të rrugës, (vetëm sivjet pashë se plaku më në fund e kish ndrequr tabelën duke i vënë dritëzat që mungonin), ka qenë restoranti më i mirë dhjetë vjet më parë në zonën e Igumenicës. Një grup turistësh austriakë që kanë ardhur këtu qysh 15 vite të shkuar, tregojnë se s’kishe ku të hidhje kokrrën e fikut darkave në restorant. Si u ngrit duke “ngrënë” malin, hoteli u shndërrua vetvetiu në një burim të jashtëzakonshëm kënaqësie e fitimi. Shërbimi punonte 24 orë pa ndërprerje. Vetëm në kuzhinë punonte një ekip prej 15 vetash. Ilia Vasili e ktheu hotelin në shtëpinë e tij.

Kur kemi ardhur në fillim krejt rastësisht në këtë vend sa për t’u shlodhur e për të pirë kafe, (por as atëherë as tani unë e ti nuk e morëm me mend se shtëpia e plakut do të na kthehej në diçka krejt të domosdoshme. Për mua është si vendi ku, ti e di, mund të marr frymë, është krejtësisht vendi im i jugut dhe shtëpia që s’e kam pasur kurrë – thotë Bebe),- më kujtohet fare mirë se i solla plakut një dhuratë të vogël nga Shqipëria. Iu luta ta mbante në këndin e shtëpisë, ndërsa ai nxitoi dhe e vuri në raftin e parë të restorantit, aty ku ka vënë dhjetëra e dhjetëra shishe me pije nga më të çuditshmet. Dhurata ime ndenji aty ku është edhe sot, pranë dy shisheve me rum xhamajke. Vetëm atëherë kuptova se ky vend, restoranti, vetë hoteli, rrënjët e kumbullave, dardhat dhe një kokërr limoni që vjen një gjysmë kile, mishi e të gjashtë pulat, vetë helli, të gjitha veç e veç apo së bashku , kurvat sezonale e pederasti, pastaj ne të gjithë të tjerët, ekipi i zakonshëm i pushuesve, janë shtëpia e këtij njeriu.

Xhorxhi nga Çikagoja ose Jorgua, siç e thërrasin vetë grekët, thotë fjalinë e njohur që ja ndiej prej kohësh (fjalitë e Jorgos unë e Bebe i kemi shkuar në mend shumë herë në Tiranë, kur rrekemi të ngjallim ditët tona të shtëpisë së jugut) se plaku duhet të heqë dorë një ditë e t’ia kalojë administrimin djalit të mirë me emrin Spiro; se duhet një dorë tjetër të shkundë amullinë e zhurmën e vazhdueshme si ndryshku “kërr-kërr”.

Xhorxhi nuk ka parë skenën që tregova më sipër, sesi plaku e ktheu “francenë” nga sytë këmbët sidoqë ky i fundit kish prenotuar vendin dy muaj më parë. Xhorxhi nuk e ka ndier se në ndonjë dhomë për shkak të pusetave vijnë erëra të papranueshme, siç qe rasti i evgjitëve. Por s’duhet të ketë parë as krimbat e padëmshëm, ata për të cilët Bebe thotë me një lloj dhembshurie: “Eh, po janë të vegjël, s’të bëjnë gjë”. Mirëpo duhet pak vëmendje për të parë se punët nuk shkojnë si më parë në shtëpinë e plakut; se duhet një dorë e re për t’i dhënë shkëlqimin e parë këtij vendi dhe atëherë me siguri ka për të ngjarë si në kohën kur duhet të rrije në radhë një gjysmë ore për të ngrënë një darkë të përmendur te Ilia Vasil.

Spiro Vasil, djali i madh i zotit Ilia që jeton në Zvicër, ka së paku dy vjet që thotë se nëse babai e hedh këtë pasuri në dorën e tij, “Sany Bic” mund të kthejë rrugë, të shpëtojë nga falimentimi. Vjen të babai çdo verë me gjithë familjen. Gruaja së bashku me të bijtë, pronarët e rinj të mundshëm, rrinë si pas gjahut, në pritje të ngjarjes së madhe. Pas gjahut duket se rrinë edhe kurvat që ndërrojnë turn dy herë ditën, ato qe thërrasin “Papu” e “Papu”; dera e gjerë e Vasilëve aq vëllazëri e farefisni sa të lodhet fryma. Të gjithë kërkojnë një copëzë nga “Sany Bic Hotel” tani që duket se plaku “do ta lërë” shtëpinë e tij. Spiroja, pronari i ri më i mundshëm, thotë se gjithçka do t’i nënshtrohet një remonti të rëndë përfundimtar, do të ndërtohen tubacionet e ujit, kuzhina e shërbimi po se po; do të riparohen vilat e banjat do të hidhen në shesh, mund të përfundojë dhe hoteli disakatësh që ka hedhur rrënjë prej vitesh pranë vilave, po ka mbetur siç qe. Do të ngrihet një pishinë buzë detit dhe komoditete të tjera. Thotë gjithashtu se “Sany Bic Hotel” nuk do të rrijë siç rri plaku tani me sytë nga dera në pritje të mysafirëve të rastësishëm. Çdo veprim Spiroja do ta mbyllkërka disa muaj përpara sezonit të plazhit, me agjencitë turistike në Evropë dhe kështu fitimi është i garantuar. Dhe rri në pritje të një firme nga babai, që duket se po vonon në mënyrë të pakuptimtë.

-Pse vonohesh gjysh të hedhësh firmën? – i thotë Bebe me një lloj ngurrimi.

-“Po mirë mo, tani, ora, septembrio, shumë-shumë november”, përgjigjet plaku në gjuhën tonë të vjetër (atë që e marrin vesh shumë-shumë ai që flet, unë e Bebe dhe kërrkush tjetër). Kjo do të thotë se formalitetet e firmës plaku ka ndërmend t’i përfundojë në fund të këtij sezoni. Thotë se si ta ketë marrë i biri “Sany Bic”-in, vetë Ilia do të ujisë rrënjët e luleve, do të rrisë karafila e borzilokë, do të bëjë xhiro me makinë në Selanik deri po deshe edhe në Athinë, do të qerasë me uzo ose “recina” gjithë miqtë e vjetër. Firmën, siç thotë, ka vendosur ta hedhë. Mirëpo nuk dashka të lëshojë “klicet” që do domethënë kyçet. Ato “klicet” që i kanë marrë jetën e që i mban të lidhur pas belit, me një rrip mrekullisht të lerosur por të bukur, ashtu siç mund të jenë vetëm “klicet” e këtij njeriu, “klicet” e jetës pas pantallonave gri, “klicet” që vetëm ato s’mund të humbin, e që mund t’i ketë vetëm plaku e që “djali i hingërt” do t’i mbajë vetëm ai e as në vdekje s’mund t’ia shkulësh.

Të gjithë në “Sany Bic Hotel” biem në një mendje (them biem në një mendje ngaqë e njohim kaq mirë, po kaq mirë njëri-tjetrin sa pothuaj i njohim rrënjët e dhëmballët) se plaku duhet të lëshojë udhë më në fund e t’ia lërë të birit epokën e re. Është plakur xha Ilia. Tani edhe fle, teksa rri në karrige. Im bir sa herë e ka tundur nga supet duke i thënë: “Ngrehu gjysh, erdhën mysafirë”. Kuzhina ka nisur të bjerë erë, shërbëtorët “bëjnë kumande” më tepër nga ç’duhet. Mirëpo ndërsa mendojmë këtë, të gjithë ne kemi harruar gjënë më të rëndësishme në këtë histori se pyll e mal e det ka ngado (e hallall ndonjë krimbushkë që s’të bën dëm), por askund nuk mund të gjendet një krijesë që t’i ngjasojë plakut Ilia Vasil. Ne të gjithë vijmë këtu në “Sany Bic” ngaqë na tërheq ky njeri, përfundimisht ky, harresa e bukur “klycet” e gjithë të tjerat. Të gjithë ne e ndjejmë papritur se s’do të jetë kurrë më ai që është “Sany Bic Hotel” pa dorën e plakut, sado që i biri ta ktheje edhe një herë përmbys.

***

U hëngrën me një frymë brenda një natë qengji dhe të gjashtë pulat në prush. Kështu ngjet gjithnjë kohët e fundit. Plaku kujton se gatuan për dy ditë, deri të dielën, mishi mbaron që të premten në darkë. Qirja Maria, e shoqja e Ilias dhe padronia tjetër e “Sany Bic” shpejton të mbledhë rrëmujat e fundit. Kanë ikur prej kohe kamerieret për “parenë” e fundjavës. Zonja plakë, qirja Maria, detyrohet të ngrihet vetë.

Siç duken punët, këtë të premte sinjora plakë do të ketë qëndisje nën pëlhurë (por im bir nuk ka shanse të zgjohet më), kurvat e tjera veshin veshjet e pasdarkes. Ja sikur është duke ardhur edhe vetë pederasti, ai që premton shëtitje xhaba me makinë. Unë e Bebe ja heqim një “recine” të lehtë sipas zakonit…

Im bir thotë se vitin tjetër vera të na gjejë në Itali, fqiun e detit tjetër.

-Mund edhe të shkojmë, i them. Çmimet këtu pritet të jenë të kripura, për shkak të pronarit të ri.

Mirëpo thellë-thellë ne të dy, si dhe Bebe, por edhe plaku që bën sikur fle por mban vesh, e dimë se kjo që po themi është e gënjeshtërt. Përherë ka për të ndodhur ashtu siç na ka ngjarë që në krye. Atëherë, kur unë isha çupë e re, Bebes nuk kishin nisur t’i binin flokët dhe vetë djali as që ish konceptuar. Ne do të jemi gjithnjë në rendje për nga shtëpia e këtij njeriu. Shtëpia e jugut, që është krejt si shtëpitë tona, të jugut tonë. Plot borzilokë, nerënxë dhe damarë të ngjashëm. Thuajse krejt e njëjta gjë.

Nga dera e kuzhinës është duke dalë Llambrinija, (shqiptarja që e ka jetën nga zoti Ilia), me një kusi të madhe dhe thikë në dorë. I thotë plakut: “Qirje Vasili u mbarua gazi” dhe ulet të grijë qepë për darkë. Plaku thotë: “Ne, (që do të thotë po) dhe e sheh këtë grua të vogël me një lloj dashurie përzier me qortim e kushedi çë.

SHPËRNDAJE