E jashtëzakonshmja, Margaret Theçër

1

Margaret Theçër, kryeministrja e Britanisë nga viti 1979 deri në 1990-ën, ndërroi jetë në 8 prill në moshën 87 vjeçare.  Ky është një vlerësim i trashëgimisë së saj në Britani dhe botë

Një numër i konsiderueshëm ministrash kanë jetuar në 10 Downing Street po aq gjatë, apo dhe me gjatë se Margaret Theçër. Disa prej tyre kanë fituar po të njëjtin numër zgjedhjesh – Toni Bler, për të përmendur vetëm njërin prej tyre. Por Zj. Theçër (më vonë Lady Thatcher), e vetmja femër që është zgjedhur kryeministre e Britanisë, ishte e para banore e 10 Downing Street e cila krijoi një trashëgimi “-izmi” gjatë jetës së saj. Ajo la pas një markë politikash dhe një grup bindjesh që akoma rezonojnë sot e kësaj dite, nga Varshava në Santiago e deri në Uashington.

Cilat ishin bindjet e saj? Në rastin e Zj. Theçër, rruga më e shpejte drejt rikrijimit të saj politik kalonte zakonisht përmes çantës së saj të dorës. Ndërsa po përgatitej të mbante fjalimin e saj të parë si udhëheqëse në konferencën e Partisë Konservatore (Torët) në vitin 1975, një shkrues fjalimesh u përpoq ta frymëzonte duke cituar Abraham Linkolnin:

 

Nuk mund të fuqizohen të dobëtit duke dobësuar të fortët.
Nuk mund të krijohet begati duke shkurajuar lulëzimin ekonomik.
Nuk mund të ndihmohet punëmarrësi duke shkatërruar punëdhënësin.

 

Kur fjalim-shkruesi mbaroi, Zj. Theçër rrëmoi në çantën e saj dhe nxori një copë të vjetruar gazete me disa rreshta të shkruar mbi të. “E mbaj gjithmonë me vete,” i tha ajo.

Dhe kjo ishte një përmbledhje mëse e drejtë e filozofisë së saj. Zj. Theçër besonte se shoqëritë duhet t’i inkurajonin dhe t’i shpërblenin ata që guxonin të rrezikonin, sipërmarrësit, të cilët më vete krijonin atë pasuri pa të cilën qeveritë nuk mund të bënin dot asgjë, e jo më të ndihmonin të varfrit. Një vend mund të begatojë vetëm duke i inkurajuar njerëzit të kursejnë dhe shpenzojnë jo më tepër nga ç’fitojnë; plëngprishja (dhe akoma më keq, huamarrja) ishin për Theçërin rruga më e shkurtër drejt vetë shkatërrimit. Thelbi i Theçerizmit ishte një shtet i fortë dhe një ekonomi e lirë.

Për Zj. Theçër, sistemi i saj ishte sa i moralshëm aq edhe ekonomik. Ky sistem iu kundërvu perandorive të “së ligës” të komunizmit dhe socializmit. Kolapsi i Bashkimit Sovjetik në 1991 erdhi si pasojë e shumë shkaqeve, por bindjet e Theçërit përbënin një faktor jetik në këtë drejtim.

Bindjet e saj përputheshin përsosmërisht me trazirat politike në vitet 70-të dhe 80-të. Por në thelb ato nuk ndryshonin nga bindjet me të cilat ajo u mbrujt në shtëpinë e saj në Grantham, një qytezë provinciale në Anglinë lindore, ku edhe u lind në 1925-ën. Njeriu që pati ndikimin më të madh mbi jetën e saj ishte i ati, Alfred Roberts, një pronar ushqimoreje mbi dyqanin e të cilit Margareta u lind dhe u rrit.

Ai ishte pjesë e të respektuarës klasë të mesme, asaj që Marksi e quajti me përçmim si petit borgeoisie. Duke punuar për bashkinë për 25 vjet, këshilltari Roberts, një Metodist i përkushtuar, predikoi vlerat e lulëzimit ekonomik, vetndihmesës dhe punës së palodhur. Margareta e re, gjithmonë e gatshme për të mësuar, u frymëzua nga shembulli i të atit.

Një vajzë e zgjuar dhe e zellshme, ajo u diplomua në Oksford në degën e kimisë. Po në Oksford filloi të aktivizohej me Partinë Konservatore. Në mënyrë që të integrohej sa më mirë në një parti që asokohe konsiderohej si grupim i shtresave të larta aristokratike, ajo u distancua nga prejardhja e saj e vobektë dhe u martua me një biznesmen të suksesshëm, Denis Theçërin, i cili financoi karrierën e saj politike. Ndërsa studionte për avokati dhe tek kërkonte të hynte në parlament, ajo filloi të vishej dhe të fliste ashtu siç e kërkonte sëra e lartë: një grua tradicionale e klasës së mesme të lartë, me një shtëpi të këndshme në fshat dhe me fëmijë që studionin në shkolla publike ekskluzive. Ajo hyri në parlament në 1959 duke fituar lehtësisht si përfaqësuese e Finçlit, një zonë elektorale në veri të Londrës, dhe shumë shpejt arriti të bëhej zëvendës-ministre në 1961.

Në të njëjtën kohë që Theçëri u nda nga e kaluara e saj në Grantham, edhe Britania e pasluftës po shkëputej njëherë e mirë nga vlerat dhe politika e vjetër. Qasja politike e vendit ndërroi thellësisht kah  të majtës gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjë që çoi në një fitore të padiskutueshme të Partisë Laburiste, udhëhequr nga Klement Atlli në 1945. Duke u mbështetur në kolektivizmin e detyruar të viteve të luftës, qeveria e Atllit nisi shtetëzimin e industrive dhe prezantoi shtetin e mirëqenies sociale. Për një gjeneratë politikanësh, të cilët qenë përballur me papunësinë në masë gjate viteve 30-të, punësimi i plotë u bë synimi kryesor i jetës politike.

Zj. Theçër, ashtu si pothuajse çdo politikan ambicioz i kohës së saj, u përshtat me këtë prirje politike. Por, për të mbajtur punësimin “e plotë”, qeverive pasuese, qofshin ato Laburiste apo Konservatore, iu desh të ndërhynin gjithmonë e me në detaj në ekonomi, nga përcaktimi i rrogave e deri në diktimin e çmimeve. Në këtë mënyrë, ato shkatërruan sipërmarrjet private dhe liritë ekonomike, të cilat supozoheshin se ishin në qendër të programit të Konservatoreve. Kjo ishte, siç është shprehur intelektuali i preferuar i Zj. Theçër, Fridrih Hajek, “rruga drejt bujkrobërisë”.

Disa pak intelektualë dhe politikanë, Enok Pauelli dhe Kith Xhozefi mes tyre, përqafuan dhe trumbetuan filozofinë e Hajekut. Por ata u përqeshën si disa kokëkrisur të rrezikshëm dhe Theçëri ishte e kënaqur të ngjiste shkallët e karrierës duke qëndruar me turmën. Ajo u bë Sekretare e Arsimit në qeverinë e Eduard Hithit në 1970-74. Në fillim Hithi u përpoq të prezantonte një qasje të tregut të lirë në menaxhimin e ekonomisë, por shumë shpejt, i turpëruar, u detyrua të ndërronte kurs në kahun e kundërt kur papunësia e kaloi kufirin e një milion vetëve. Në atë moment qeveria filloi të shpenzonte pa teklif për të ulur papunësinë dhe në 1975 inflacioni u ngrit në 25%, gjë që i detyroi njerëzit të grumbullonin rezerva të mëdha ushqimore.

Ky ishte momenti vendimtar që e shndërroi Zj. Theçër në një Theçeriste. Shndërrimi i saj u frymëzua nga Xhozefi, i cili argumentoi se vetëm qasja e tregut të lirë do ta shpëtonte vendin. Kjo lloj politike, jashtëzakonisht e guximshme për kohën, u bë axhenda e saj për 15 vitet e ardhshme.

Zj. Theçër, një patriote e flaktë, kishte mbetur e zhgënjyer dhe e tronditur nga dobësimi akut i Britanisë që nga viti 1945. Britania nuk kishte humbur vetëm perandorinë e saj; aty nga mesi i viteve 70-të ajo nuk ishte më as fuqia më e madhe në Evropë. Kritika e Xhozefit dukej si rruga e më e mirë për t’i dhënë fund kësaj tatëpjete, madje dhe për t’i dhënë jetë një ringritjeje. Ajo çka Britanisë i nevojitej më shumë në atë moment ishte rikthimi i menjëhershëm i sipërmarrjeve private dhe mbështetja në forcat vetjake.

Keshtu ndodhi që Zj. Theçër u rilind si një shtëpiake Granthami. Ja ku u zhduk zëri i çjerrë, kapelet dhe perlat e dikujt që aspironte të bëhej dama e madhe e Partisë së Torëve; ja ku u shfaq zëri i ngrohtë, fotot e kuzhinës me përparësen e shtëpiakes dhe predikimi i pafund për sipërmarrjet e vogla familjare dhe për llogaritë e balancuara. Është e vërtetë që ajo e trumbetoi pa fund filozofinë e Hajekut (librat e të cilit e kishte zakon t’i nxirrte pa një, pa dy nga çanta) por ishte stili populist ai që e ktheu atë në një fitimtare.

 

 

Zonja nuk është nga ato që tërhiqen

Zj. Theçër fitoi zgjedhjet për lidershipin e Partisë Konservatore në vitin 1975, duke mundur Hithin me një diferencë të konsiderueshme. Kurrë më parë një grua ishte zgjedhur në një post kaq të lartë në politikën britanike. Me dy binjakët e saj, një vajzë dhe një djalë – edhe këtu mund të themi se kishte mbizotëruar efikasiteti – me punën dhe energjinë e jashtëzakonshme ajo të ngjante me Supergruan, heroinën e librit me të njëjtin titull të Shirli Konranit, një nga më të shiturit e kohës në Britani. Rusët u përpoqën ta përqeshnin duke e quajtur “Zonja e hekurt”, por kjo vetëm sa ja rriti vlerat në sytë e publikut dhe ajo, e dashuruar pas këtij titulli, e përdori gjithmonë në avantazhin e saj.

Por ajo u tregua edhe e kujdesshme. Plotësisht e ndërgjegjshme se një pjesë e mirë e partisë së saj, pa përmendur fare pjesën derrmuese të popullit, nuk i mbështesnin politikat e saj të reja, ajo lëvizi pa u ndjerë, duke caktuar disa nga mbështetësit e saj më të afërt në pozicione kyçe, por pa dhënë ndonjë shenjë për shkëputjen radikale që synonte nga e kaluara. Ajo shfrytëzoi më shumë pakënaqësinë në rritje kundrejt Partisë Laburiste, e cila u tregua e paaftë t’i kontrollonte sindikatat gjatë “dimrit të pakënaqësisë” në 1978-79, dhe arriti të fitonte zgjedhjet e vitit 1979.

Sidoqoftë, sapo mori pushtetin në dorë, ajo i bëri menjëherë të qarta qëllimet e saj të vërteta. Shpenzimet e qeverisë u reduktuan për të kontrolluar ofertën monetare, ndërkohë që vlera e monedhës u lejua të luhatej: të dyja këto politika shënonin një shkëputje radikale nga ortodoksia e pasluftës. Subvencionet industriale u përgjysmuan, një akt që çoi shumë biznese drejt falimentimit. Në sfondin e një recensioni global, rezultati qe një rritje e shpejtë e papunësisë. Aty nga vitit 1981, kur të papunët numëronin 2.7 milionë, policia po sulmohej me bomba molotov nga protestuesit nëpër rrugët e qyteteve britanike.

Ky ishte edhe momenti më i vështirë i Zj. Theçër. Për pak kohë, ajo u bë kryeministrja më e urryer e të gjitha kohërave në Britani. Shumica e kolegëve të saj prisnin që ajo të tërhiqej, por ajo këmbënguli me të sajën. “Kthehuni po të doni, por Zonja nuk është nga ato që tërhiqen,” kishte deklaruar ajo vetëm një vit më parë. Ajo i pushoi të gjithë ata ministra, “të lagështit”, të cilët sigurisht që kërkonin të ndryshonin drejtim dhe e mbushi kabinetin me njerëz që ndanin të njëjtën ideologji me të. Buxheti i vitit 1981 përmbante akoma më shumë shkurtime në shpenzime si pasoje e recesionit, duke e ndrydhur akoma më tej kërkesën; 364 ekonomistë i dënuan politikat e saj në një letër të botuar në revistën Times.

Ishte ky moment më shumë se çdo tjetër që i dha jetë reputacionit të saj për një vendosmëri të pamëshirshme. Me ekonominë që dergjej akoma në shesh, karriera e saj politike mori një kthesë për mirë kur Argjentina pushtoi ishujt Falkland në prill 1982. E zemëruar po aq sa dhe e tronditur, Zj. Theçër krijoi një task-force për të rimarrë ishujt 13,000 km larg në Atlantikun e Jugut. Argumentet e saj – se do të mbronte zgjedhjen e ishullorëve për të qenë britanikë dhe se nuk do “t’i shkonte pas idesë” së diktaturës argjentinase – jehuan fortë në popullin britanik, i cili deri në atë moment ishte dekurajuar nga vitet e shumta duke humbur e duke u tërhequr.

Kjo situatë, por edhe paaftësia e tmerrshme e Partisë Laburiste nën Majkëll Futin, i mundësuan një fitore të padiskutueshme në 1983, gjë që e lejoi të vazhdonte me ndryshime strukturore akoma më thelbësore në ekonomi. Në 1984 filloi vala e madhe e privatizimeve, ku u shitën gjigantë të tillë si British Telecom, British Gas dhe British Airways. Individët u inkurajuan të blinin aksione, duke krijuar në këtë mënyrë njëfarë imazhi te “kapitalizmit popullor”.

Pasi e dominoi lehtësisht armikun në Atlantikun Jugor, ajo iu fut punës kundër “armikut të brendshëm”: në BBC; në universitete; dhe në qeveritë lokale, pjesën më të madhe të të cilave ajo thjesht i zhduku nga ekzistenca. Por viktima e saj e parë ishte puna e organizuar, një faktor që e kishte bërë vendin pothuajse te paqeverisshëm – sidomos Sindikata Kombëtare e Minatorëve (SKM), e udhëhequr nga Artur Skargilli.

SKM e kishte gjunjëzuar qeverinë e Hithit me anë të taktikave militante. Përplasja e pashmangshme erdhi në 1984-85 kur SKM hyri përsëri në grevë. Zj. Theçër u tregua më e duruar se minatorët, duke argumentuar se ajo ishte një betejë e të drejtës së menaxhimit për të menaxhuar kundër përdorimit arbitrar te pushtetit të sindikatës, dhe fitorja e saj i theu njëherë e mirë sindikatat. Sipas perspektivës britanike, kjo ishte arritja më e madhe e saj.

Në të njëjtën kohë ajo nuk e kishte humbur as talentin për pragmatizëm. Ushtria Republikane Irlandeze (IRA) nxori në pah forcën e hekurt në shpirtin e Zj. Theçër: ajo nuk u dorëzua përpara anëtarëve të lëvizjes, të cilët e ndërmorën një grevë urie vetvrasëse për të fituar të drejtën të trajtoheshin si të burgosur politikë; po kështu nuk e humbi toruan në 1984 kur IRA u hakmor duke hedhur në erë hotelin ku Partia e Torëve po mbante konferencën vjetore, një akt që desh i mori jetën edhe kryeministres. Megjithatë në 1985 ajo i la mënjanë ndjenjat vetjake dhe nënshkroi Marrëveshjen Anglo-Irlandeze, e cila i jepte njëfarë pushteti Irlandës së Veriut dhe përgatiste rrugën për marrëveshje të mëvonshme drejt paqes.

Ai vit ishte ndoshta apoteoza e kryeministrisë së Theçërit. Suksesi i politikave të saj brenda dhe jashtë e bënë atë, bashkë me Ronald Reganin, avokaten më të shquar në botë të një kapitalizmi të rigjallëruar. Nën qeverisjen e saj, marrëdhëniet e veçanta anglo-amerikane nuk ishin veçse një shfaqje e adhurimit reciprok. Ajo ishte një luftëtare e paepur e luftës së ftohtë, e adhuruar kudo ku vizitoi përtej murit të Berlinit si një flamurtare e lirisë, një atribut të cilin e ka merituar shpeshherë.

 

Një akt mbretvrasës

Mandati i tretë kulmoi në një poshtërim vetjak, edhe pse jo nga duart e elektoratit britanik. Në shtëpi Zj. Theçër nisi reformimin e shtetit të mirëqenies sociale, duke u përpjekur të prezantonte njëfarë konkurrence midis “ofruesve” të shëndetësisë dhe arsimit dhe t’u jepte shkollave, spitaleve dhe doktorëve familjarë më shumë përgjegjësi në vendimmarrje (një përpjekje pra që i anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur burokratët e urryer të qeverive lokale). Në politikën e jashtme ajo u përball me “problemin evropian” – fakti që Tregu i Përbashkët Evropian (të cilin ajo e kishte mbështetur) po kthehej gjithmonë e më shumë në një Bashkim Evropian.

Reformat e brendshme të Zj. Theçër e vunë atë përballë kundërshtarëve më të egër e më të aftë se Z. Skargill. Sindikatat e klasës së mesme, të tilla si Sindikata Kombëtare e Mësuesve dhe organe të tjera profesionale të respektuara si Shoqata Mjekësore Britanike, argumentuan se Zj. Theçër kishte bërë pakt me djallin për ta shkatërruar shtetin e mirëqenies sociale, edhe pse shpenzimet reale në sektorin publik kishin pësuar një rritje. Shumë nga votuesit e pavendosur filluan të ndiheshin nervozë. I njëjti nervozizëm kapi edhe disa nga deputetët e Torëve. Papritur “njerëzit e tyre” po ankoheshin për “atë gruan”. Dhe nervozizmi i tyre u shtua më tej nga përçarjet gjithnjë e më të thella brenda partisë midis eurofilëve dhe euroskeptikëve, një hendek ky që nuk mund të injorohej më.

Ajo që e perkeqesonte më tej situatën ishte sjellja pothuajse perandorake e Zj. Theçër. Pas fitores së tretë ajo filloi gjithnjë e më shumë t’i referohej vetes si “ne” dhe të sulmonte ashpër çfarëdolloj opozite. Ajo përdori një klikë besnikësh për të thurur politikat e qeverisë dhe i injoroi deputetët e tjerë. Për më tepër ajo e bëri zakon t’u kërkonte kolegëve nëse ata ishin “njeri prej nesh”. Madje edhe gazeta Sunday Telegraph, një organ i Torëve, e akuzoi atë për “triumfalizëm borgjez”.

Në tetor 1989 Najxhëll Louson, kancelari i saj, dha dorëheqjen mëse i irrituar nga fakti që ajo po përpiqej të sabotonte politikën e tij për të kopjuar markën gjermane. Ajo e ngarkoi partinë e saj me një “taksë votimi”, e cila u kërkonte dukëve dhe pastruesve të paguanin të njëjtën shumë për shërbimet publike të ofruara nga qeveria lokale – një taksë kaq jopopullore sa pasuesi i saj në qeverinë e Torëve e hoqi menjëherë nga qarkullimi. Ajo e trajtoi çështjen evropiane me një retorikë gjithnjë e më të ashpër, siç ndodhi në Bruzh në 1988: “Ne nuk i kemi zvogëluar me sukses kufijtë e shtetit në Britani vetëm që t’i shohim këta kufij të rivendosen në një nivel evropian.”

Kjo çoi me shpejtësi në një sërë gabimesh taktike të njëpasnjëshme, të cilat e bindën partine e saj se kishte ardhur koha që Zj. Theçër të largohej, një akt mbretvrasës që e tronditi krejtësisht Zonjën e Hekurt, ndërkohë që Torëve iu desh një gjeneratë e tërë ta merrnin veten nga pasojat e krijuara. Në nëntor 1990 Xhofri Hou, i vetmi veteran i mbetur nga kabineti i saj në 1979, dha dorëheqjen si zëvendës kryeministër kur ajo refuzoi të pranonte një afat kohor brenda të cilit Britania duhej të bëhej pjesë e monedhës së përbashkët. Në fjalimin e dorëheqjes përpara parlamentit, ai i përmblodhi të gjitha vështirësitë e të punuarit me të duke përdorur lojën e kriketit si referencë: “Është njësoj sikur të dërgosh gjuajtësit e tu të parë në fushë vetëm për të zbuluar, në momentin që luhet topi i parë, se shkopinjtë e tyre janë thyer nga kapiteni i skuadrës.”

Majkëll Heseltajni, kundërshtari i saj më karizamtik nga kahu i majtë i partisë, menjëherë e sfidoi udhëheqjen e saj. Zj. Theçër e fitoi raundin e parë të zgjedhjeve, por jo me aq avantazh sa të shmangte një raund të dytë. Si rrjedhim, ministrat e kabinetit të saj e bindën se kishte ardhur koha të tërhiqej për të mirën e partisë.

 

Një hije gjithmonë e pranishme

 E gjykuar nga perspektiva e rëndësishme historike, trashëgimia më e madhe e Zj. Theçër ishte përhapja e lirisë – me mundjen e totalitarianizmit në formën e tij më të egër në Bashkimin Sovjetik – dhe  rigjallërimi i traditës së ekonomisë liberale që kishte mbetur në hije qysh prej vitit 1945.

Kombinimi i saj i bindjeve ideologjike me  ndikimin global mundësoi që Britania të luante një rol domethënës në kolapsin e Bashkimit Sovjetik, një rol ky disa herë më i lartë nga ndikimi real i politikës britanike në botë. Zj. Theçër ishte e para politikane britanike që nga koha e Uinston Çërçill, që u mor seriozisht nga udhëheqësit e të gjitha fuqive të mëdha. Ajo ishte një heroinë e vërtetë për politikanët opozitarë në Evropën Lindore. Vullneti i saj për të qëndruar në krah të “Ronit të dashur” për të bllokuar ekspansionizmin sovjetik ndihmoi në promovimin e një mënyrë të re të të menduarit në Kremlin. Por gatishmëria e saj për të punuar me Mihal Gorbaçovin, udhëheqësin sovjetik, gjithashtu ndihmoi në dhënien fund Luftës së Ftohtë.

Revolucioni privatizues i Zj. Theçër u shtri anembanë botës. Vendet e tjera të BE-së ndoqën shembullin e saj, edhe nëse nuk përdorën të njëjtën retorikë: në periudhën 1985-2000 qeveritë evropiane shitën asete shtetërore me një vlerë 100 miliardë dollarë amerikanë, ku përfshiheshin gjigantë të mëdhenj kombëtarë si Lufthansa, Volkswagen dhe Renault. Vendet ish-komuniste e përqafuan me ngazëllim një strategji të tillë: aty nga viti 1996 Rusia kishte privatizuar rreth 18,000 sipërmarrje industriale. India e lehtësoi pjesërisht legjislacionin e licencave, duke i hapur rrugën një lumi të vërtetë kompanish të suksesshme. Në të gjithë Amerikën Latine qeveritë përqafuan liberalizimin e tregut. Pavarësisht nëse ky liberalizim u bë siç duhej apo në mënyrë të gabuar, të gjithë ndoqën shembullin britanik.

Në shtëpi trashëgimia e saj është paksa më e komplikuar. Mbizotërojnë paradokset. Ajo ishte një Tori e vërtetë, e cila e margjinalizoi Partinë e Torëve për një gjeneratë të terë. Torët nuk qenë më një parti kombëtarë dhe u tërhoqën në jug dhe në zonat rurale, ndërkohë që pothuajse pushuan së ekzistuari në Skoci, Uells dhe në qytetet veriore. Toni Bler përfitoi më shumë nga revolucioni i Zj, Theçër se Xhon Mejxhëri, pasuesi i saj: me sindikatat që e kishin humbur pushtetin e tyre dhe me të majtën plotësisht të diskretituar, ai u tregua i aftë ta rimodelonte partinë dhe ta shiste me sukses imazhin e ri në Anglinë e Mesme. Mazhoranca e tij e madhe në 1997 nisi 13 vite të dominimit të Laburistëve të Rinj.

Ajo ishte gjithashtu një armike e shtetit të madh, e cila qeverisi në një periudhë të karakterizuar nga ekspansioni i konsiderueshëm i shtetit. Përçmimi i saj për këshillat e majtë që dominonin pjesën dërrmuese të qyteteve britanike ishte kaq akute sa ajo bëri më shumë se çdo kryeministër tjetër i pasluftës për t’i shtrënguar qeveritë lokale brenda një rrjete gjithnjë e më të ngushtë kufizimesh. Ajo nuk kishte kohë për idenë e bashkiakëve të zgjedhur me votë, të cilët bashkëngjisnin pushtetin e vërtetë me përgjegjësinë e vërtetë. Britania u bë gjithnjë e më shumë si Franca e karakterizuar nga centralizimi i lartë dhe gjithnjë e më pak si Amerika e decentralizimit të lavdishëm.

Sidoqoftë arritjet e saj nuk mund të mohohen. Ajo e ktheu përmbys atë që mentori i saj Kith Xhozef e quajti “efekti arpion”, sipas të cilit shteti shpërblehet për dështimet e tij me një pushtet akoma më të madh. Me përjashtim të masave emergjente të ndërmarra pas krizës financiare të viteve 2007-08, nuk ka pasur përpjekje për rishtetëzimin e industrive apo rikthimin e politikës për të zgjedhur fitimtarë.

Falë saj, qendra gravitacionale e politikës britanike kaloi në mënyrë dramatike drejt të djathtës. Laburistët e rinj të viteve 90-të dolën në përfundimin se ata mund ta shpëtonin Partinë Laburiste nga shkatërrimi vetëm duke përvetësuar parimet në thelb të Theçerizmit. “Supozimi duhet të jetë se aktiviteti ekonomik është më mirë në duart e sektorit privat,” deklaroi Z. Bler. As ai e as pasuesit e tij nuk do të ëndërronin t’u ktheheshin ditëve të shtetëzimit dhe pushtetit të pakontrolluar të sindikatave.

Zonja vazhdon të hedhë hijen e saj mbi botën e sotme. Ajo ishte një figurë përçarëse dhe çështjet që ajo trajtoi vazhdojnë të debatohen dhe të përçajnë. Shteti britanik ka vazhduar të zgjerohet pas një periudhe përmbajtjeje. Deficitet kane arritur qiellin. Marrëdhënia e disa kompanive (kësaj radhe më shumë bankat se prodhuesit)  me qeverinë është tepër e ngushtë. Margaret Theçëri dhe “-izmi” që ajo krijoi vazhdojnë të jenë po aq domethënës sot sa dhe në vitet 80-të.

 

 

Gjykime të ndara

 Si kujtohet Zonja e Hekurt jashtë Britanisë

Njëkohësisht e dashur dhe e urryer në shtëpi, Margaret Theçër shkaktoi të njëjtat reagime të polarizuara jashtë Britanisë. Ato nisën pikësëpari në anën tjetër të ngushticës së La Manshit. Gjatë kohës si kryeministre ajo pati marrëdhënie të vështira me udhëheqësit francezë, pavarësisht ngjyrave të tyre politike. Fransua Miterrani ka thënë dikur se ajo kishte gojën e Merilin Monrosë dhe sytë e Kaligulës. Zhak Shiraku, një ish-president i të djathtës, u kap gjatë një samiti evropian duke thënë: “Ç’kërkon më tepër nga mua ajo shtëpiakja? Koqet e mia mbi pjatë?”

Një ambivalencë e tillë karakterizoi reagimin francez ndaj vdekjes së saj. Fransua Holand, presidenti socialist, lëshoi disa fjalë të matura, duke u shprehur se ajo kishte një marrëdhënie ‘të hapur dhe besnike” me Francën. Ai veçoi vetëm një arritje: vendimin për të ndërtuar tunelin e La Manshit. Z. Shirak lëshoi një deklaratë ku njiheshin “mosmarrëveshjet në të kaluarën” si dhe “respekti reciprok”, duke lavdëruar “vendosmërinë” e saj. Le Figaro, një gazetë e kahut të djathtë, u ankua se Francës i mungonte një udhëheqës si ajo; por e majta shpërtheu me një lumë të vërtetë llumi. Një titull në ballinën e Liberation e quante atë “Zonja Vdekje”. Sa për Zhan Luk Melenshonin, nga e ashtuquajtura e majta revolucionare, ai shkroi në twitter se ajo “do të zbulonte në ferr atë qe u kishte shkaktuar minatorëve” dhe e quajti thjesht si “të neveritshme”.

Amerikanët, përkundrazi, u shprehën si rrallëherë me një zë të vetëm. Politikanët e së majtës dhe të djathtës e lavdëruan Theçërin për punën e saj në shtëpi dhe jashtë, por edhe e quajtën – e pazakontë kjo – një mike të vështirë, e cila, në disa momente jetike, e kishte nxitur Amerikën t’u qëndronte besnike parimeve të saj. Amerikanët rrallëherë ruajnë vlerësime kaq te larta për udhëheqësit e huaj.

Në kujtimet e republikanëve, Zj. Thetçër është e pandashme me Ronald Reganin, shenjtin laik të lëvizjes konservatore. Vdekja e saj rizgjoi edhe njëherë me krenari kujtimin e arritjeve paralele të këtyre dy miqve: si udhëheqës politikë të cilët arritën t’i shpëtonin vendet përkatëse nga një ndjenjë fatale e tatëpjetës së pashmangshme, por edhe për triumfet e tyre të përbashkëta, nga ku mund të veçojmë deklaratat e tyre te guximshme dhe të sinqerta për mizorinë dhe dobësinë e sistemit komunist.

Por udhëheqësit e sotëm republikanë, të stërlodhur nga disfatat zgjedhore, gjithashtu kujtojnë me ëndje sertësinë kokëforte të saj. Xhon Boehner, Zëdhënësi i Dhomës së Përfaqësuesve, kujton në veçanti deklaratën e saj, “Humbje? Nuk e njoh kuptimin e kësaj fjale.”

Edhe demokratët kanë dëshirë të veçojnë momente të të kaluarës së saj si një udhëzim për partinë e tyre. Ata kanë supozuar se Regani fitoi vota për politikat e tij me natyrë të djathtë gjatë viteve 80-të vetëm për arsyen e thjeshtë të sharmit të tij prej babaxhani; por fakti e do që edhe Zj. Theçër po fitonte zgjedhjet në Britani me një platformë të mbështetur tek tregu i lirë, në reduktimin e pushtetit të sindikatave dhe në liritë individuale, ndërkohë që figura e saj vazhdonte të ishte sa jopopullore, aq edhe acaruese. Ajo çka Zj. Theçër na e bëri të qartë, thotë Al Fromi, themeluesi i Këshillit të Udhëheqjes Demokratike, e cila ndërtoi bazat për Bill Klintonin dhe partinë e tij në rifitimin e pushtetit gjatë viteve 90-të, ishte se “ne po shisnim produkte të cilat askush nuk donte t’i blinte. Kjo na shtyu të prodhonim ide të reja.”

Ata që shpresojnë që Hillari Klinton të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 – ku mesa duket mund përfshihet edhe Barak Obama – flasin qëllimisht për aftësinë e Zj. Theçër për të shkërmoqur barrierat gjinore. E njëjta gjë është vënë në dukje nga gra të tjera në botë. Në Norvegji, Sin Jensen, udhëheqësja bionde me vullnet të hekurt e Partisë Progres të tregut të lirë, e quajti Theçërin një model frymëzimi. Dhe në Korenë e Jugut, Park Geun-hye, e para udhëheqëse femër në vend, e cila ka vite që krahasohet me Theçërin dhe për më tepër vazhdon ta inkurajojë këtë krahasim, shprehu “dhimbjen e madhe” për vdekjen e saj.

Aktualisht, Zj. Park po përjeton variantin e saj të Falklandeve përballë kërcënimeve të Koresë së Veriut; por është Shinzo Abe, kryeministri i Japonisë, i cili duket se është frymëzuar më shumë nga Theçëri luftëtarja, në përballjen e tij me Kinën mbi ishujt Senkaku/Diaoyu. Ai e ka pranuar se u përlot gjatë një skene te filmit “Zonja e Hekurt” ku Zj. Theçër, e luajtur nga Meril Strip, flet për luftën përpara parlamentit britanik.

Reagimi i kinezëve nuk ka pasur ndonjë ndjenjë të ngjyrimeve të tilla, edhe pse Theçëri është një heroinë për ultra-liberalët dhe madje vlerësohet me njëfarë respekti nga pjesa dërrmuese e akademikëve të lidhur me qeverinë. Pjesa më e madhe e shtypit u përqendrua në marrëveshjen e vitit 1984, e cila çoi në kalimin e Hong Kongut në duart e Kinës në 1997. Por gazetat kineze nuk harruan pa vënë në dukje nënshtrimin e saj përpara vullnetit të palëkundur të Kinës në 1982, kur, e frymëzuar nga fitorja në Falklande, ajo u përpoq ta shtynte Kinën drejt një marrëveshjeje që do të mundësonte vazhdimësinë e ndikimit britanik në Hong Kong edhe pas vitit 1997. Deng Xiaopingu e bëri të qartë se diçka e tillë ishte e papranueshme dhe Theçëri u tërhoq menjëherë. Gazeta Beijing Times, e botuar në gjuhën kineze, në një përmbledhje që i bëri karrierës së Theçërit në faqen e saj të internetit, përfshiu edhe disa foto të rrëzimit të Zonjës së Hekurt poshtë shkallëve të Pallatit të Madh të Popullit, pasi kishte marrë refuzimin e autoriteteve kineze. Global Times, një gazetë në anglisht me një qasje nacionaliste, vuri re se që nga koha e Zj. Theçër si kryeministre, Anglia nuk ka pasur më zonja ose zotërinj të hekurt – pjesërisht për shkak të “rënies së fuqisë evropiane”, gjë që e ka bërë të pamundur ekzistencën e qëndrimeve të patundura.

 

Lufta dhe paqja

Një respekt i pikëlluar, i karakterizuar nga përdorimi i kujdesshëm i fjalëve, karakterizoi reagimin e shumë vendeve dhe institucioneve që kishin pasur të bënin me Theçërin. Në Bruksel, Hoze Manuel Barrozo, presidenti i Komisionit Evropian, tha se ajo do të mbahej mend njëkohësisht për kontributet dhe për rezervat e saj kundrejt projektit evropian. Martin Shulci, presidenti i Parlamentit Evropian, vuri në dukje se ajo kishte qenë një evropiane e përkushtuar “në fillim” – pa shtuar se cili kishte qenë qëndrimi i saj më vonë. Ne Afrikën e Jugut, mazhoranca e Kongresit Nacional Afrikan (të cilën Theçëri e quajti dikur një organizatë terroriste), deklaroi se “kishte qenë një nga viktimat e politikave të saj”, dhe u ankua mbi “dështimin e saj për të izoluar aparteidin” duke rënë dakord për sanksionet.

Në Rusi, edhe pse presidenti Vladimir Putin shprehu vlerësimin e tij për rolin e saj historik, nekrologjitë qenë të shkurtra dhe nuk dolën në faqet e para të gazetave. Domethënës është fakti që Mihal Gorbaçovi – e famshme është deklarata e Zj. Theçër se ai ishte një njeri me të cilin mund të merrej vesh – shkroi një tribut për të në gazetën Guardian të Britanisë, në vend që të zgjidhte ndonjë nga gazetat e shumta ruse. Edhe pse gjatë vizitës së saj në Moskë në 1987 ajo la mbresa të thella tek intelektualët rusë, Zj. Theçër nuk ka pasur lidhje dhe ndaj nuk ngjall interes në Rusinë e Z. Putin.

Komentet më të ashpra nga të gjithë kanë ardhur nga Argjentina, gjë që s’është aspak për t’u çuditur. Aty Shoqata e Veteranëve të Argjentinës e dënoi atë si një luftëdashëse dhe një legjislator i fraksionit peronist të opozitës e quajti atë një “simbol të agresionit, shkatërrimit dhe vdekjes”. Zor se mund të quhet më diplomatik reagimi i gjeneralit Guijermo Garinit, dikur një zëdhënës për Augusto Pinoçetin, diktatorin ushtarak të Kilit në vitet 80-të. Pinoçeti, vuri në dukje gjenerali, “e kishte shumë për zemër”.

SHPËRNDAJE