Nga Albert Rakipi
Më 1945, Gjergj Kokoshi, ministri i Arsimit i qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, kërkoi ndryshimin e ligjit zgjedhor me të cilin do të mbaheshin zgjedhjet e 2 dhjetorit të
vitit 1945, të parat pas ardhjes në pushtet të komunistëve. Sipas Kokoshit, një mendje kritike dhe liberale, ligji zgjedhor ishte antidemokratik sepse në thelb u hiqte qytetarëve të drejtën për të zgjedhur, pasi konkurronte vetëm një parti, ajo komuniste, e prezantuar si Fronti Demokratik. Pas kundërshtimit të z. Kokoshi, Enver Hoxha lejoi të kishte edhe një alternativë zgjedhjeje: opozita liberale, që kishte filluar të shfaqej, u fut në garë me kandidatë të pavarur. Kjo përpjekje e opozitës së parë shqiptare për të pasur një proces demokratik zgjedhor përfundoi në mënyrë tragjike: Opozita liberale arriti të merrte rreth shtatë për qind të votave, por kandidatët e saj që konkurruan si të pavarur, pas zgjedhjeve u përndoqën në mënyrë ekstreme: u pushkatuan ose u burgosën.
Për 45 vjetët që vijuan, në çdo katër vjet në Shqipëri përsëritej tragjikomedia e zgjedhjeve. Kishte një ligj, sipas të cilit zgjedhjet ishin demokratike, të lira, të fshehta dhe të drejtpërdrejta. Nuk mungonte as fushata elektorale dhe sigurisht të parat përgatiteshin listat zgjedhore, lista e kandidatëve, nuk mungonin as edhe takimet e kandidatëve me zgjedhësit, madje as dhoma e fshehtë. Ajo që mungonte ishte pamundësia e zgjedhësve për të zgjedhur, për të vetmen arsye themelore se mungonte partia alternative dhe kandidatët alternativë. Gjashtëdhjetë vjet pas dëshmorit të parë të zgjedhjeve demokratike, ministrit Gjergj Kokoshi, që u bë theror dhe njëzet vjet pas rënies së diktaturës ne kemi arritur që t’u heqim qytetarëve në mënyrë demokratike të drejtën për të zgjedhur. Ndonëse janë
të gjitha: ligji demokratik që siguron zgjedhje të lira e të fshehta, të drejta, demokratike, europpiane, perëndimore…. Dhe shumë më e rëndësishme se sa ç’thotë germa e ligjit, dhe ndonëse ekzistojnë disa parti politike me kandidatë alternativë, qytetarët nuk kanë të
drejtë të zgjedhin, por thjesht të votojnë listën e përgatitur nga vetëm një njeri – nga kryetari i partisë. Dhe nuk ke asnjë alternativë zgjedhjeje: Përveçse të shkosh ose të mos shkosh te kutia e votimit. Po ke edhe një mundësi tjetër, në fakt totalitare – të votosh listën tjetër, por sigurisht të gjithë listën ‘tjetër”.