Më në fund, ai ia morri shpirtin vetes me punë, pikërisht në tre të mëngjesit të së dielës. Sigurisht që kjo nuk u përmend në nekrologji. Aty shkruhej se vdiq nga një tromboze koronare – të paktën kjo më vjen ndër mend – por gjithkush mes miqve dhe kolegëve të tij e kishte kuptuar menjëherë përse-në e vërtetë. Ai ishte një Tip A i përsosur, i fiksuar pas punës, një rast klasik, i thanë ata njeri-tjetrit dhe tundën kokat – dhe për pese apo dhjetë minuta mendja u shkoi te jeta që bënin.
Ky njeri, që më në fund ja morri shpirtin vetes me punë, pikërisht në tre të mëngjesit të së dielës, në ditën që e kishte pushim, ishte 51 vjeç dhe zëvendëspresident.
Ai ishte, gjithsesi, një nga gjashtë zëvendëspresidentët dhe njeri prej atyre të cilët presupozoheshin se, nëse presidenti ndërronte jetë apo dilte në pension brenda një periudhe të arsyeshme, do të ngjiteshin në fronin e Olimpit.
Fili e dinte këtë.
Ai punonte gjashtë ditë në javë, pesë nga të cilat deri në tetë apo nëntë të natës, në një kohë kur kompania e tij kishte prezantuar javën katër-ditore të punës për të gjithë, me përjashtim të ekzekutivit. Ai punonte si ata Njerëzit e Rëndësishëm. Ai nuk kishte “interesa të tjera” jashtë programit, veç në mund të klasifikohet si e tillë ndeshja e golfit që luante njëherë në muaj. Për Filin, puna ishte gjithçka. Në zyrë hante gjithmonë sandviçë me sallatë vezësh. Sigurisht që ishte mbipeshë, rreth 10 kg mbipeshë. Por ai nuk shihte diçka për tu shqetësuar në këtë mes, meqë nuk pinte duhan. Të shtunave, në vend të kostumit, Fili vishte një xhakete sportive për në punë, sepse ishte fundjavë. Ai kishte plot vartës që punonin për të, ndoshta gjashtëdhjetë të tillë, dhe shumica e tyre kishin mendim të mirë për të pjesën më të madhe të kohës. Tre prej tyre do të konsiderohen seriozisht për vendin e tij të punës. Nekrologjia nuk e përmendte një gjë të tillë.
Por aty qenë listuar saktësisht ata që i ‘kishin mbijetuar” vdekjes se tij. Ai kishte lënë pas gruan e tij, Helenën, dyzetë e tetë vjeçare. Një grua e mirë, pa ndonjë aftësi të veçantë për tu shquar, e cila punonte në një zyrë përpara se të martohej dhe të bëhej nënë. Ajo, sipas fjalëve të së bijës, kishte hequr me kohë dorë nga përpjekja për të konkurruar me punën e tij, qyshkur fëmijët ishin akoma të vegjël. “E di sa shumë ka për t’ju munguar,” i tha një mik nga kompania. “Më ka munguar me kohë,” u përgjigj ajo.
“E përmalluar për vite me radhë,” ajo duhet ta ketë harruar atë pjesë të vetën që ndjente diçka të vërtetë për të.
Asaj “nuk kishte për t’i munguar asgjë.”
“I dashuri” më i madh në moshë nga fëmijët e tij “të dashur” është një drejtues i përkushtuar në një kompani prodhimi në jug të vendit. Një ditë e gjysmë përpara funeralit, ai brodhi nëpër lagje në kërkim të të atit, duke pyetur fqinjët se çfarë njeriu kishte qenë.
Atyre u erdhi turp.
Fëmija i tij i dytë është një vajzë, 24 vjeçe dhe e sapomartuar. Ajo jeton afër së ëmës dhe ato janë pranë, por sa herë që ishte vetëm me të atin, në makinë rrugës për diku, ata s’kishin pasur gjë për t’i thënë njeri tjetrit.
Më i riu është njëzetë, një djalosh që ka mbaruar shkollën e mesme dhe i ka kaluar dy vitet e fundit, ashtu si plot shokë të tij, në punë të ndryshme pa bereqet, aq sa t’i mjaftojnë për të mbushur stomakun dhe për jetën e natës. Kishte qenë ai që qe përpjekur të afrohej me të atin, “t’i hynte atij në zemër”, aq sa ky të kalonte më tepër kohë në shtëpi. Ai ishte i preferuari i të atit. Gjatë dy viteve të fundit, Fili i gdhinte netët me mendjen tek i biri. Dikur djali kishte thënë, “Unë dhe im atë vetëm sa flemë këtu.”
Në funeral, presidenti gjashtëdhjetë vjeçar i kompanisë i tha vejushës dyzetë e tetë vjeçare se i ndjeri pesëdhjetë e një vjeçar kishte qenë shumë i rëndësishëm për kompaninë, do u mungonte po shumë dhe do ta kishin të vështirë ta zëvendësonin. Vejusha nuk e pa në sy. Kishte frikë se mos tjetri do arrinte t’i lexonte zemërimin e hidhur dhe, në fund të fundit, ajo do kishte nevojë që ky t’i rregullonte çështjet financiare të të ndjerit – aksionet dhe gjëra të tjera si këto.
Fili ishte nervoz, mbipeshë dhe punonte më shumë nga ç’duhej. Nëse nuk ishte në punë, ai shqetësohej për të. Fili ishte një Tip A, i lindur për një atak në zemër. Do e shquaje menjehere, madje dhe në mes të turmës. Ndaj, kur më në fund ai ja morri shpirtin vetes me punë, pikërisht në orën tre të mëngjesit të së dielës, askush nuk shqeu sytë. Nga ora pesë e pasdites së funeralit, presidenti i kompanisë kishte filluar, sigurisht pa rënë në sy, me takt dhe shkathtësi, të kërkonte të dhëna për zëvendësin e Filit. Një prej atyre të tre. “Cili nga ju ka punuar më fort?” i pyeti ai.