Zgjedhjet dhe partitë politike që nga viti 1991
Shqipëria do t’i zhvillojë zgjedhjet parlamentare, më 23 qershor 2013. Këto janë zgjedhjet e shtata radhazi që nga rënia e regjimit komunist më 1992. Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga zhvillimi i zgjedhjeve të para pluraliste, ende ekzistojnë pikëpyetje mbi aftësitë dhe vullnetin e partive politike për të organizuar zgjedhje të lira dhe të drejta, bazuar
në standardet ndërkombëtare.
Anëtare e NATO -s që nga prilli i vitit 2009, Shqipëria ka aplikuar gjithashtu për anëtarësim në Bashkimin Europian, por gjatë tre vjetëve të fundit, Komisioni Europian ka hezituar t’i akordojë statusin e vendit kandidat, si hap i parë në këtë proces, për shkak të mospërmbushjes së kritereve. Qeveria dhe opozita në Shqipëri fajësojnë njëra-tjetrën për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat dhe ndonëse integrimi europian është një objektiv
madhor i përbashkët, qeveria dhe opozita nuk kanë arritur dot të punojnë së bashku
për ta shpejtuar këtë proces.
Kompromiset dhe konsensusi janë një gjë e rrallë në jetën politike të Shqipërisë së pas komunizmit. Mosmarrëveshjet e thella politike dhe një konflikt thuajse i përhershëm në këta njëzet vjet, e ka burimin, midis të tjerash, pikë së pari te mungesa e vullnetit dhe aftësive për të pohuar legjitimitetin e pushtetit përmes proceseve zgjedhore demokratike.
‘Zero Sum game’- si karakteristika themelore e politikës shqiptare gjatë dy dekadave të fundit – i ka nxitur dhe vijon t’i nxitë partitë në garë t’i fitojnë zgjedhjet me çdo çmim.
Deformimi i standardeve demokratike në zgjedhje apo mospranimi i rezultateve kanë goditur herë pas here stabilitetin, madje edhe sigurinë e vendit, gjatë një tranzicioni të vështirë, për fundin e të cilit askush nuk flet me siguri Shqipëria është i vetmi vend europian në Ballkanin Perëndimor që ende ballafaqohet me zgjedhje të kontestuara. Me gjithë reformat e ndërmarra si dhe përparimin që herë-herë është bërë në proceset elektorale, nuk mund të thuhet me siguri se është kaluar me sukses testi i transferimit/ konfirmimit të pushtetit përmes një procesi zgjedhor të paktën të pranueshëm nga palët në garë.
Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, ku pritet të rinovohet parlamenti me 140 anëtarë, do të jenë një test i ri për vullnetin dhe aftësitë e elitës politike për të realizuar zgjedhje të lira dhe të drejta, për t’u ndarë nga një trashëgimi konfliktesh, mosmarrëveshjesh dhe kontestimesh për themelin e një sistemi demokratik: zgjedhjet demokratike. Por në të njëjtën kohë, zgjedhjet do të jenë edhe një test për aftësitë e shoqërisë shqiptare, si dhe shkallën e modernizimit e demokratizimit të saj.
Zgjedhjet do të kenë rëndësi vendimtare për stabilitetin e vendit dhe zhvillimin ekonomik, në një kohë kur Shqipëria po ndjen gjithmonë e më shumë efektet e krizës ekonomike.
Përparimi i Shqipërisë në përgatitjen për anëtarësim në BE varet nga suksesi i reformave të brendshme dhe pikë së pari, nga funksionimi normal i sistemit politik dhe institucioneve. Në këtë kontekst një proces normal, legjitim, i bazuar në ligje dhe proceduara, do të ishte investimi në rrugën e duhur. E kundërta nuk do të thotë vetëm thjesht ruajtje e status quo-së.
Një proces i diskutueshëm zgjedhor, ku nuk do të respektoheshin ligjet dhe nuk do të plotësoheshin standardet ndërkombëtare, do të përbënte një kthim prapa, që do të ishte shumë i dëmshëm për aspiratat dhe pritshmëritë e shoqërisë shqiptare.
Në vijim është një raport informues rreth zgjedhjeve në Shqipëri, partive politike në garë, programeve dhe ambicieve të tyre koalicioneve, si dhe konteksteve politike dhe ekonomike.
Zgjedhjet – një histori kontestimesh dhe mosmarrëveshjesh
Në Shqipëri tradita e një sistemi politik shumëpartiak dhe e zgjedhjeve me kandidatë dhe parti aletrnative është relativisht e varfër dhe është e lidhur kryesisht me qeverisjen në vitet njëzetë dhe tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo përvojë gjithsesi embrionale ka qenë shume
fragmentare dhe u mbyll tragjikisht me vendosjen e regjimit komunist pas Luftës
së Dytë Botërore. Në dhjetor 1945, regjimi komunist organizoi zgjedhjet e para parlamentare pas ardhjes në pushtet. Ato ishin zgjedhjet e para dhe të fundit pluraliste
(për aq sa këto zgjedhje mund të quheshin të tilla,) që organizuan komunistët. 1) Menjëherë pas zgjedhjeve regjimi komunist ndërmori një fushatë terrori ndaj opozitës liberale që sa kishte filluar të shfaqej. Një numër kandidatësh të opozitës që po ravijëzohej, të cilët konkurruan në këto zgjedhje si kandidatë të pavarur u arrestuan dhe u përndoqën me ashpërsi. Pas kësaj, zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ishin thjesht një absurditet
tragjikomik. Ato mbaheshin rregullisht çdo katër vjet për të zgjedhur anëtarët e
parlamentit, pa parti apo kandidatë alternativë.
Krijimi i partive apo organizatave politike, përveç Partisë Komuniste, ishte i ndaluar me kushtetutë. Zgjedhjet fitoheshin sigurisht nga kandidatët e Frontit Demokratik, pas të cilit qëndronte Partia Komuniste dhe fitoheshin me rezultate fantastike, që shkonin në mënyrë të vazhdueshme deri në 99.99%. Pjesëmarrja në zgjedhje gjithashtu ishte po 99,99 për
qind nëse jo 100 për qind. Mospjesëmarrja në zgjedhje konsiderohej tradhti ndaj partisë dhe atdheut dhe shoqërohej me dënime të përcaktuara kryesisht me burgime, por edhe me internime dhe humbje të së drejtës elektorale.
Me këtë trashëgimi të rëndë dhe absurde të proceseve elektorale Shqipëria organizoi zgjedhje pluraliste për herë të parë, pothuajse pas gjysmë shekulli, më 31 mars 1991. Opozita përfaqësohej nga Partia Demokratike, e krijuar në dhjetor 1990, pas lëvizjes së studentëve në Universitetin e Tiranës. Procesi elektoral u zhvillua në një atmosferë kaotike, frikësimi e madje edhe dhune. Opozita, megjithëse korri një fitore të pastër në qytetet e mëdha, nuk mundi gjithsesi t’i fitonte zgjedhjet. Rasti i zgjedhjeve të 31 marsit 1991 ishte, midis të tjerash, një shembull i plotë ku opozita (në atë kohë Partia Demokratike) konkurronte jo me Partinë e Punës/Komuniste në pushtet, por me shtetin, me të gjithë aparatin shtetëror, burokracinë shtetërore, resurset shtetërore, materiale dhe njerëzore, duke përfshirë edhe instrumentet dhe institucionet e dhunës dhe të terrorit, si policia
sekrete me të cilat ende mund të vijohej të frikësoheshin qytetarët shqiptarë. Përdorimi i të gjithë makinerisë shtetërore, përfshi edhe instrumentet e dhunës, si dhe makinerinë e propagandës (bazën e të cilit e përbënin institucionet publike të informimit, si Radio Televizioni Shqiptar) nuk ishte diçka e re në zgjedhjet e 31 marsit. Kjo ishte një praktike e zakonshme gjatë proceseve tragjikomike të zgjedhjeve në periudhën e regjimit komunist.
Por në zgjedhjet e para pluraliste, më 31 mars 1991, kur duhej të konkurronin partitë, shteti dhe institucionet e tij u përdorën kundër opozitës.
Për fat të keq, një praktikë e tillë, por sigurisht në rrethana dhe në përmasa të tjera, pra, praktika e përdorimit të shtetit në favor të partisë në pushtet vijoi të ishte e pranishme në të gjitha proceset elektorale që vijuan më tej.
Më 22 Mars 1992, zgjedhjet parlamentare të organizuara nga një qeveri teknike, pas dorëheqjes së qeverisë së fundit komuniste në maj 1991, sollën në pushtet opozitën jokomuniste, të përfaqësuar nga Partia Demokratike
Zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992 kanë hyrë në historinë post komuniste të Shqipërisë si një nga proceset e pakta elektorale të pakontestuara nga partia humbëse. Megjithëkëtë, është e vështirë që këto zgjedhje të merren si rasti i pastër i proceseve elektorale të pakontestuara. Dhe kjo, pikë së pari, për faktin se me këto zgjedhje Shqipëria ndryshoi jo qeverinë, por regjimin dhe një regjim që e kishte humbur krejtësisht legjitimitetin). Më 26 maj 1996, Shqipëria organizoi zgjedhjet parlamentare të radhës.
Kjo ishte ballafaqimi i parë elektoral midis Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë
Socialiste/ish-Partia e Punës në opozitë dhe nga shumë aspekte vështrohej si një test real i mundësisë së funksionimit të demokracisë së brishtë shqiptare. I gjithë procesi rezultoi në një dështim. Partia Socialiste dhe aleatët e saj të vegjël i braktisën zgjedhjet me akuzën e një procesi të manipuluar. Ajo që mund të kishte qenë një fitore normale e Partisë Demokratike u komprometua dhe kandidatët e qeverisë “fituan” pothuajse në të gjitha zonat elektorale). Opozita socialiste nuk i njohu rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe bojkotoi parlamentin, si dhe institucionet e tjera. Brenda pak muajve, vendi thuajse u përfshi nga anarkia, me rënien e skemave piramidale që shoqëroi dështimin e procesit zgjedhor. S’ka dyshim se kriza e rëndë e vitit 1997, më e rënda në historinë moderne të Shqipërisë, që çoi në rënien e shtetit, është e lidhur me dështimin e skemave piramidale, por s’ka dyshim që
kishtw edhe një faktor politik: dështimi i elitës politike për të organizuar zgjedhje bazuar në standardet ndërkombëtare.
Pak më shumë se një vit pas zgjedhjeve politike të vitit 1996, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, të cilat u mbajtën në një situatë shumë të rëndë dhe në praninë e një force ushtarake shumëkombëshe, që u thirr për të mbajtur rregullin dhe rendin. Zgjedhjet e 29 qershorit 1997, të mbajtura nën një klimë tensioni, të mungesës së kontrollit të shtetit dhe të ligjit mbi territorin, të mungesës së sigurisë, të pamundësisë së lëvizjes së kandidatëve në gati gjysmën e territorit, më shumë se sa një proces zgjedhor, ishin përpjekje për
një zgjidhje institucionale të krizës në Shqipëri. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj. Për një kohë, Partia Demokratike e Presidentit Berisha që doli në opozitë nuk e njohu këtë proces zgjedhor si të lirë dhe të drejtë. Ashtu sikundër socialistët e kishin bojkotuar parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 26 majit, edhe demokratët bojkotuan parlamentin pas zgjedhjeve të 29 qershorit 1997.
Në jetën politike të Shqipërisë së pas komunizmit kishte filluar kështu të ravijëzohej një karakteristikë gjithmonë e më mbizotëruese: zgjedhje të kontestuara, bojkotim i institucioneve dhe një përfshirje gjithmonë e më të madhe e komunitetit ndërkombëtar.5) Nëse bëhej një lloj përparimi sado i dobishëm, gjithsesi ai nuk ishte thelbësor dhe nuk prekte thelbin e problemit: heqjen dorë nga synimi për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve dhe për
të organizuar një proces zgjedhor legjitim, të bazuar në ligje dhe procedura.
Zgjedhjet parlamentare të radhës, të mbajtura më 24 qershor 2001, ishin testi i dytë pas dështimit më 26 maj 1996. Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë politike mjaft konfliktuale. Një përpjekje e qeverisë për të manipuluar rezultatin në favor të kandidatëve të vet, duke shfrytëzuar një vakum ligjor përmes kandidatëve, të cilët u paraqitën edhe si përfaqësues të partisë edhe në të njëjtën kohë, të pavarur, dështoi pas ndërhyrjes së OSBE, ODIHRit.
Megjithëkëtë, qeveria arriti të ndryshonte rezultatet në mënyrë më të sofistikuar dhe gati ligjore. Procesi i votimit u shty në një nga njëqind zonat elektorale dhe në një zonë të vetme, Partia Socialiste në pushtet udhëzoi anëtarët dhe mbështetësit e vet të votonin për partitë aleate. Dhe çudia ndodhi: nga një zonë elektorale u shpallën si deputetë më shumë se dhjetë kandidatë të partive aleate të qeverisë. Partia Socialiste arriti të siguronte përmes këtij manipulimi tre të pesat e vendeve në parlament, gjë që i mundësonte shumicën e kërkuar
për zgjedhjen e presidentit si dhe të të gjitha institucioneve të pavarura. Partia Demokratike e ish-Presidentit Berisha në opozitë e kundërshtoi këtë fitore të madhe të socialistëve, të sajuar me mjete “ligjore” dhe nën presionin ndërkombëtar, socialistët u detyruan të mos e përdornin pushtetin e tre të pestave. Presidenti më 2002 u zgjodh me konsensusin e opozitës.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 mund të shënohen si procesi i parë elektoral që bëri të mundur kalimin e pushtetit nga qeveria, Partia Socialiste, te opozita, Partia Demokratike, e cila kthehej në pushtet pas tetë vjetësh në opozitë. Akuzat e opozitës për deformim të procesit zgjedhor dhe shkelje të proceduarave, përsëri nuk munguan, por në fund të fundit zgjedhjet kishin bërë të mundur transferimin e pushtetit nga qeveria te opozita. Partia Socialiste në pushtet prej tetë vjetësh, hyri në këto zgjedhje e përçarë. Pas përplasjeve të brendshme në Partinë Socialiste, një fraksion i kësaj partie, i udhëhequr nga ish-Kryeministri
Ilir Meta (2001) ishte larguar dhe kishte krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI). S’ka dyshim se kjo përçarje ka ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, krahas faktorëve të tjerë që kishin të bënin me keqqeverisjen dhe humbjen e besimit të qytetarëve. Por për shkallën e ndikimit që pati përçarja brenda të majtës në humbjen e Partisë Socialiste vetëm mund të hamendësohet, ashtu sikundër është mjaft hipotetike
pyetja se si do të silleshin palët në garë e në mënyrë të veçantë opozita, nëse rezultati
nuk do të kishte qenë i favorshëm. Gjithsesi ky argument nuk është thjesht një çështje kurioziteti. Fakti është që zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 bënë të mundur për herë të parë transferimin e pushtetit nga qeveria te opozita. Por gjithsesi mbetet e diskutueshme nëse më në fund partitë politike shqiptare po shkonin drejt pjekurisë politike dhe nëse proceset zgjedhore po shkonin drejt normalizimit duke u ndarë nga një trashëgimi e rendë
manipulimesh, mosbesimi dhe konflikti politik, që godiste në mënyrë ciklike stabilitetin
dhe sigurinë e vendit.
Në zgjedhje parlamentare të vitit 2009, u rishfaq sërish karakteristika dominuese e proceseve zgjedhore të Shqipërisë postkomuniste: mospranimi i rezultateve dhe bojkotimi i institucioneve. Partia Socialiste në opozitë e akuzoi qeverinë e kontrolluar nga Partia Demokratike për manipulim të zgjedhjeve dhe kërkoi hapjen e kutive. Opozita socialiste e radikalizoi protestën përmes bojkotimit konsistent të parlamentit dhe institucioneve të tjera për një kohë të gjatë dhe në krye të një viti të këtij bojkoti një numër deputetësh të PS hynë në greve urie përballë zyrës së kryeministrit. Në prill 2009, Shqipëria ishte pranuar anëtare e NATO-s, por vetëm pas katër muajve parlamenti i saj ishte jashtë funksionit, ndërsa opozita
parlamentare, krahas protestave për mos-njohjen e rezultateve, kishte shkuar deri në një aksion in extremis, duke u futur në grevë urie me kërkesën për hapjen e kutive të votimit, për të rinumëruar votat. Rezultatet e zgjedhjeve në fakt nuk i dhanë një shumicë qeverisëse asnjërës prej dy partive kryesore. Por Partia Demokratike arriti të krijonte një shumicë qeverisëse duke ftuar në koalicion partinë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). LSI kishte konkurruar në zgjedhjet e vitit 2009 si një parti opozitare dhe kishte kërkuar mbështetjen e votuesve për të larguar nga pushteti Partinë Demokratike dhe për “nxjerrë në pension politik” Kryeministrin Sali Berisha. Por pas zgjedhjeve, LSI i bashkoi votat e marra me PD-në në një qeveri të përbashkët. Opozita socialiste vijoi protestat dhe bojkotimin e parlamentit për më shumë se një vit nga mbarimi i zgjedhjeve.
Një histori e ngjashme kontestimesh dhe përplasjesh politike midis partive politike në Shqipëri, kryesisht të dy partive të mëdha PD dhe PS, është shënuar edhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve administrative për qeverisjen vendore. Më 26 korrik 1992, në zgjedhjet e para administrative pas rënies së regjimit komunist, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë
pohuan jo pa entuziazëm organizimin e një procesi përgjithësisht demokratik.
Një numër problemesh që u vunë re gjatë fushatës elektorale apo ditës së votimit kishin të bënin me mungesën e përvojës së organizimit të zgjedhjeve dhe kulturën politike të përgjithshme të shoqërisë.6) Përndryshe procesi ishte ligjor dhe i drejtë.
Zgjedhjet administrative të vitit 1992 mbeten të vetmet procese demokratike të pranuara plotësisht nga partitë në garë. 7) Për Partinë Socialiste, ish-Partinë Komuniste, ndoshta ishte shumë herët për të pretenduar ardhjen në pushtet në nivelin vendor, kur vetëm tre muaj më parë ajo kishte humbur zgjedhjet parlamentare në një ballafaqim elektoral, që siç u vu në
dukje më sipër Shqipëria ndryshoi regjimin dhe jo thjesht qeverinë.
Ashtu sikundër gjatë zgjedhjeve parlamentare, pothuajse të gjitha proceset elektorale për qeverisjen lokale gjatë dy dekadave që pasuan që nga procesi i parë, më 26 korrik 1992, u krijua i njëjti model: Përpjekje për të manipuluar apo influencuar rezultatet dhe me humbësin që sigurisht nuk i pranon rezultatet. Njëzet vjet pas mbajtjes për herë të parë të zgjedhjeve lokale vendi u ndodh afër anarkisë politike dhe destabilizimit, me përfundimin e
zgjedhjeve lokale në Tiranë, më 2011. Partia Socialiste akuzoi qeverinë për manipulim
të numërimit të votave në Tiranë, ku konkurronte Edi Rama, Kryetari i Bashkisë dhe njëherazi Kryetari i PS . Kandidati i PS, Rama në fund të numërimit të votave kryesonte me një diferencë jashtëzakonisht të vogël votash, vetëm dhjetë, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi rinumërimin votave dhe fitues u shpall kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Partitë, programet, koalicionet Pavarësisht se në skenën politike shqiptare
kanë hyrë edhe “lojtarë të rinj”, zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 do të jenë një “betejë” midis Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë Socialiste në opozitë dhe sigurisht koalicioneve përkatëse që janë ndërtuar ose do të ndërtohen. Këto dy parti kanë dominuar skenën politike shqiptare në njëzet e tre vjetët e fundit dhe megjithëse në Shqipëri janë krijuar dhe funksionojnë mjaft parti të tjera, sistemi politik ka qenë gjithmonë bipolar, me këto dy parti që kanë ndërruar njëra-tjetrën në pushtet. Ky dominim bipolar dhe thuajse
absolut i skenës politike gjithsesi ka filluar të tronditet, që me zgjedhjet më të fundit
parlamentare të vitit 2009. Asnjëra prej dy partive të mëdha, PD dhe PS, nuk arriti të
siguronte në ato zgjedhje një shumicë qeverisëse. Rezultati midis tyre ishte shumë i
ngushtë dhe Partia Demokratike, që kishte arritur të dilte e para në zgjedhje, mundi të
krijonte një qeveri me ndihmën e LSI-së, një parti e majtë.
Gjasat janë që sistemi bipolar me dy parti të mëdha të tronditet edhe më shumë dhe
ndoshta të vihet në pikëpyetje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për shkak
edhe të dy partive të reja politike që kanë hyrë në lojë: Aleanca Kuq e Zi dhe Fryma
e Re Demokratike. Dy partitë e mëdha në Shqipëri kanë pothuajse të njëjtën udhëheqje,
gati si njëzet vjet më parë, mirëpo dominimi i këtyre partive duket se do të ndihmohet shumë nga natyra e sistemit zgjedhor, një proporcional rajonal që nuk krijon mundësi dhe konkurrim të lirë për partitë e vogla, sidomos për partitë e reja, nëse ato nuk bashkohen në koalicione me njërën prej dy partive të mëdha.
Partia Demokratike në pushtet që nga viti 2005 synon të marrë një mandat të tretë në këto zgjedhje. E krijuar më 1990, Partia Demokratike ishte opozita e parë jo komuniste në Shqipëri. Më shumë se sa një parti politike, PD ishte një front an-tikomunist që korri një fitore të shkëlqyer më 1992. Pesë vjet më vonë, demokratët do ta linin pushtetin në kushtet e një anarkie të plotë pas rënies së skemave piramidale, që shoqëruan zgjedhjet parlamentare të 26 Majit 1996.
PD u rikthye në pushtet më 2005 pas një keqqeverisje dhe korrupsioni të spikatur nga ana e socialistëve. PD udhëhiqet nga Sali Berisha që nga krijimi i saj, një udhëheqës i fortë dhe i pakonkurrueshëm, që në fakt ka dominuar jo vetëm Partinë Demokratike, por të gjithë politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit, më shumë se dy dekada më parë. Prej vitit
1997 shumë anëtarë të lartë të udhëheqjes së PD-së e kundërshtuan udhëheqjen e z. Berisha duke e akuzuar për autoritarizëm dhe metoda jo demokratike të kontrollit të partisë dhe qeverisjes së vendit, kur ishte në pushtet dhe u larguan nga Partia Demokratike, duke krijuar parti të reja në opozitë me PD-në. Disa prej udhëheqësve të larguar konkurruan për lidershipin e PD dhe humbën. Por nga viti 2004 dhe sigurisht 2005, kur PD erdhi në pushtet, pothuajse të gjithë ish-kundërshtarët e z. Berisha u rikthyen në parti dhe morën poste të rëndësishme në kabinetin qeveritar, por jo në parti. Programi i Partisë Demokratike është kryesisht i një partie të qendrës së djathtë. Në Shqipëri është e vështirë ende që partitë të dallohen nga programet. Në to ka pak ose aspak ideologji. E majta dhe e djathta përcaktohen si të tilla jo aq nga programi politik dhe ekonomik se sa nga trashëgimia e së kaluarës: socialistët, ish-Partia Komuniste, duhet të jenë patjetër të majtë dhe demokratët të djathtë apo të qendrës së djathtë. Megjithëkëtë, gjithsesi ka filluar të ravijëzohet një lloj
ndarjeje ideologjike. Për herë të parë në Shqipëri taksimi dhe politikat që lidhen me të janë bërë realisht objekt i fushatave elektorale dhe i programeve politike. Për herë të parë ndoshta në njëzet vjet tranzicion, dy partitë e mëdha “po meritojnë” emërtimet e majtë dhe e djathtë. Partia Demokratike këmbëngul se do të vijojë të aplikojë taksën e sheshtë prej 10 për qind si një mundësi për të rritur investimet dhe përmes kësaj punësimin e qytetarëve,
sidomos të rinjve. Ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë besojnë se taksa e sheshtë prej 10 për qind është mjaft tërheqëse për investimet e huaja, por edhe vendase, për të cilat, me gjithë prezencën në rritje, vendi ka ende nevojë të madhe. Eshtë e vështirë të gjenden ndryshime në programet e partive shqiptare kur është fjala për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjatë tetë vjetëve të fundit, kur në qeveri ka qenë Partia
Demokratike e Sali Berishës, vendi arriti të anëtarësohet në Aleancën e Atlantikut Verior. Prej vitit 2011 qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të udhëtojnë pa pasur nevojë e vizave në vendet e Zonës Shengen të BE-së. Kjo është një arritje e shkëlqyer që pikë së pari po ndihmon në modernizimin e shoqërisë, por sigurisht edhe ekonominë, shkëmbimet tregtare apo cilësinë e edukimit. Qeveria shqiptare, nën drejtimin e demokratëve, kërkoi anëtarësi
në BE pak ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 29 qershorit 2009, por Komisioni Europian e ka refuzuar tri herë radhazi statusin e vendit kandidat, si hapi i parë në procesin e anëtarësimit.
Qeveria e qendrës së djathtë e Dr. Berishës akuzon opozitën socialiste se ka penguar përparimin e vendit drejt afrimit me BEnë. Demokratët në qeveri e mbështesin këtë akuzë në bojkotimin e institucioneve nga socialistë, duke filluar për një kohë të gjatë me parlamentin, por gjatë vitit të fundit edhe për shkak të refuzimit të opozitës për të mos votuar tre ligje, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar. Në Shqipëri nuk ka ndonjë parti politik, organizatë apo qofte edhe ndonjë individ me influencë që të kundërshtojë anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Vëzhgues perëndimorë thonë se Shqipëria do
ta kishte marrë statusin e vendit kandidat nëse qeveria dhe opozita do të kishin rënë dakord në parlament për të miratuar tre ligjet. Më shumë se sa përmbajtja e ligjeve, duket se për Brukselin ishte e rëndësishme fryma e konsensusit dhe kompromisit. Po kështu, argumenti i opozitës socialiste për të kushtëzuar miratimin e tre ligjeve me zbatimin e ligjeve të tjera dhe jo me substancën e ligjeve, ishte gjithsesi i gabuar.
Megjithëktë ekuacioni tre ligje baras Europë që ende qëndron në fasadën e parlamentit
të Shqipërisë është i pavërtetë Gjatë gjashtë muajve të fundit, është vënë re një rritje e populizmit dhe e retorikës nacionaliste, ku të gjitha partitë flasin për çështjen kombëtare dhe avancimin apo zgjidhjen e saj. Ky është një zhvillim i ri në politikat shqiptare, që filloi në fakt
me daljen në skenë të Aleancës Kuq e Zi, fillimisht si një lëvizje shoqërore dhe më pas si një parti politike. Ideja për të qenë korrekt me patriotizmin duket se është mbizotëruese në të gjitha partitë politike, por pavarësisht se flamurin e çështjes kombëtare e kanë marrë lojtarë të rinj, Partia Demokratike vijon të pretendojë se kjo është një ekskluzivitet i saj.
Partia Socialiste vjen në këto zgjedhje pas tetë vjet opozitë. Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve do të varet në një masë të madhe e ardhmja e lidershipit të sotëm të socialistëve, sidomos e ardhmja politike e kryetarit të saj, Edi Rama. Gjatë më shumë se dy dhjetëvjeçarëve, që nga koha kur Partia e Punës (partia komuniste) u shndërrua në Parti Socialiste, në udhëheqjen e saj kanë ndodhur disa ndryshime të rëndësishme. Për një kohë relativisht të gjatë socialistët u udhëhoqën nga Fatos Nano dhe në një farë mënyre, Partia
Socialiste identifikohej me Fatos Nanon, ndonëse ndoshta jo aq në mënyrë absolute
si në rastin e Partisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj. Gjithsesi, Sali Berisha me
partine e vet dhe Fatos Nano në krye të PS-së, ishin dy politikanët që dominuan
më shumë se kushdo tjetër jetën politike të Shqipërisë të pas komunizmit. Sali Berisha
vijon ta bëjë këtë gjë edhe sot. Përplasjet brenda Partisë Socialiste ose më saktë midis Fatos Nanos, udhëheqësit historik të socialistëve dhe Ilir Metës, një prej kryeministrave socialistë, çuan në shkëputjen e këtij të fundit nga partia dhe krijimin e një partie tjetër, LSI-në.
Në zgjedhjet e vitit 2005, Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe Fatos Nano dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe nga politika aktive. Socialistët zgjodhën si kryetar partie Edi Ramën, që në atë kohë ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Rama ishte lidhur me socialistët më 1997 kur Fatos Nano e ftoi të bashkohej me kabinetin socialist, si ministër i Kulturës, pas fitores së PS-së në këto zgjedhje. Karrierapolitike e Edi Ramës me socialistet do të
vijonte me zgjedhjen në krye të Bashkisë së Tiranës, të cilën e drejtoi për tre mandate,
më shumë se një dekadë. Në krye të Partisë Socialiste Rama humbi zgjedhjet e parlamentare të vitit 2005. Ndërsa më 2011 humbi edhe drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Nëse Edi Rama nuk arrin t’i sjellë socialistët në pushtet pas tetë vjetësh opozitë, ai, siç ka deklaruar edhe vetë do të largohet nga politika.
Nga pikëpamja e programit duket se Partia Socialiste po përpiqet të shkojë në një pozicion ideologjik normal, të qendrës së majtë. Socialistët e Edi Ramës propozojnë në thelb taksën progresive dhe debati me demokratët (PD) është i lidhur pikërisht me debatin e taksimit, pra për llojin e taksës. PS thotë se do të hapë vetëm vitin e parë të qeverisjes 300 mijë vende
pune, çka është në fakt afërsisht e barabartë me gjysmën e familjeve shqiptare, që aktualisht jetojnë në Shqipëri.8) Ose më shumë se sa të paktën 40 për qind e fuqisë punëtore të Shqipërisë. PS thotë se do të ulë koston e jetesës për 95 për qind të shoqërisë përmes taksës progresive. Ashtu si gati të gjitha partitë shqiptare (të paktën 67 janë regjistruar deri tani për zgjedhjet), PS thotë se do të zgjidhë çështjen e pronës, një nga problemet themelore të pazgjidhura të tranzicionit shqiptar.
Partia Socialiste dhe lideri i saj flasin për rilindje të Shqipërisë, për çmontimin e një regjimi të korruptuar, të mbajtur në këmbë nga PD dhe LSI. Fushata e socialistëve gjithsesi duket se ka marrë një kthesë të fortë, kur në fillim të këtij muaji (prill), LSI, partneri kyç në koalicionin qeverisës, të drejtuar nga PD, u largua nga qeveria dhe deklaroi se do të bashkohet me opozitën. Ky është një rast shumë i rrallë në historinë moderne të partive dhe
të pluralizmit. Në janar 2011, Ilir Meta, Zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë dha dorëheqjen nën akuza për korrupsion dhe Partia Socialiste organizoi menjëherë një protestë kundër qeverisë së korruptuar, ku u vranë katër protestues. Edi Rama dhe PS tani që kanë ftuar në koalicion një pjesë të qeverisë për të mundur pjesën tjetër, Partinë Demokratike dhe
nuk flitet më për rilindje. Vëzhgues lokalë dhe ndërkombëtare pohojnë se koalicionin PS-LSI e kanë orientuar interesat afatshkurtra të pushtetit personal të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Ftesa publike që Edi Rama i ka bërë LSI-së për t’u bashkuar e për të “mundur” Berishën, si dhe koalicioni PSLSI do të ketë implikime afatshkurtra dhe afatmesme. Me bashkimin me LSI socialistët mendojnë se mund të marrin më shumë vota, por nga ana tjetë, një segment
Partia Socialiste dhe lideri i saj flasin për rilindje të Shqipërisë, për çmontimin e një regjimi të korruptuar, të mbajtur në këmbë nga PD dhe LSI. Fushata e socialistëve gjithsesi duket se ka marrë një kthesë të fortë, kur në fillim të këtij muaji (prill), LSI, partneri kyç në koalicionin qeverisës, të drejtuar nga PD, u largua nga qeveria dhe deklaroi se do të bashkohet me opozitën. Ky është një rast shumë i rrallë në historinë moderne të partive dhe të pluralizmit.
Në janar 2011, Ilir Meta, Zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë dha dorëheqjen nën akuza për korrupsion dhe Partia Socialiste organizoi menjëherë një protestë kundër qeverisë së korruptuar, ku u vranë katër protestues. Edi Rama dhe PS tani që kanë ftuar në koalicion një pjesë të qeverisë për të mundur pjesën tjetër, Partinë Demokratike dhe nuk flitet më për rilindje i moderuar i shoqërisë shqiptare, që në fakt bën diferencën, mund të mos jete të shumë i inkurajuar nga kjo aleancë, përkundrazi debatet në media tregojnë një zhgënim të kësaj pjese të popullsisë, të cilës Rama dhe socialistët u kishin premtuar rilindje dhe largimin nga pushteti të PD-LSI-së. Për sa iu takon programeve, aleanca PS-LSI vë në pikëpyetje pikërisht atë që po shfaqej të ishte risia e këtyre zgjedhjeve, debati për taksimin me propozimin e PS-së për taksën progresive, për të cilën LSI, për aq kohë sa ishte në qeveri me PD, ishte shprehur kundër. Por implikimet më serioze do të jenë në të ardhmen e afërt nëse ky koalicion del fitues. Rikthimi i rivaliteteve midis Edi Ramës dhe Ilir Metës është shumë i mundshëm nëse ky i fundit me partinë e tij do të arrinte të ishte përsëri kingmaker nëse koalicioni i krijuar majtas del fitues.
Lëvizja Socialiste për Integrim, një fraksion i Partisë Socialiste, i shkëputur më 2004, është nën drejtimin e Ilir Metës, kryeministër në qeverisë socialiste të viteve 2002- 2004. Ndarja e Partisë Socialiste erdhi kryesisht për shkak të luftës për pushtet midis dy figurave rivalizuese Nano dhe Meta. Kjo përçarje e të majtës mendohet se ka qenë njëra prej arsyeve të humbjeve të njëpasnjëshme të socialistëve në zgjedhjet parlamentare apo lokale. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, LSI kandidoi e vetme duke arritur të sigurojë katër vende në parlamentin prej 140 deputetësh, të mjaftueshme për të fituar rolin e kingmaker-it.
Ndonëse LSI, siç u tha, në këto zgjedhje u shfaq si një parti opozitare dhe u bëri thirrje
qytetarëve të votonin për të në mënyrë “që të largonin nga pushteti Partinë Demokratike
dhe të nxirrnin në pension politik Sali Berishën,” në përfundim të zgjedhjeve i bashkoi votat me PD-në, duke i dhënë kësaj mundësinë të krijonte qeverinë. LSI ishte në qeveri gjatë katër vjetëve të fundit duke zotëruar tre vende në kabinet nga portofolat më të rëndësishme, Ministrinë e Ekonomisë, të Shëndetësisë dhe të Punëve të Jashtme. Vetë Meta mbajti postet e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe më pas postin e ministrit të Ekonomisë, nga ku dha dorëheqjen i akuzuar për korrupsion. Ndonëse është e
vështirë që programi i LSI-së të sugjerojë vendosjen e kësaj partie në spektrin ideologjik,
gjithsesi ajo perceptohet si e majtë edhe për shkak të faktit se thjesht ka qenë një fraksion i socialistëve. LSI la postet e saj në qeveri në fillim të këtij muaji (prill) vetëm dy muaj e gjysmë përpara mbajtjes së zgjedhjeve duke deklaruar se do t’i bashkohet opozitës, Partisë Socialiste dhe do të ndërtojë një koalicion të përbashkët. LSI ka lënë të kuptohet se ka në program integrimin e vendit, ndonëse është e vështirë të bësh ndonjë lidhje midis emrit lëvizje socialiste për integrim dhe integrimit evropian. Për sa kohë që LSI ka qenë në
qeveri me Partinë Demokratike të Kryeministrit Berisha, ajo është shprehur kundër aplikimit të taksës progresive, që është në themel të programit të Partisë Socialiste.
Aleanca Kuq e Zi u shfaq fillimisht si një lëvizje shoqërore dhe u regjistrua si parti politike një vit më parë (mars 2012). AKZ nuk e ka fshehur një profil nacionalist si lëvizje shoqërore dhe si parti politike. Gjatë një viti AKZ ka bërë kujdes që të dëshmohet si mbrojtëse e vetme
e vendit, e kombit, e interesave kombëtare. AKZ ka qenë e kujdesshme për të sjellë
në sytë dhe vëmendjen e publikut një numër çështjesh themelore për shtetin dhe kombin,që sipas saj nuk janë respektuar nga qeverisja dhe partitë e deritanishme ose në rastin më te keq, janë tradhtuar, si çështja e kufirit detar me Greqinë. Aleanca Kuq e Zi flet për bashkim kombëtar madje duke propozuar edhe mbajtjen e një referendumi mbarëkombëtar. Udhëheqësi i AKZ-së, Kreshnik Spahiu, ka bërë kërkesë në KQZ për një “referendum që duhet mbajtur në vend për bashkimin me Kosovën” me qëllim që të dy vendet të bashkohen në rrugën e tyre drejt integrimit europian.9)
Vendosja e AKZ-së në një spektër ideologjik është gjë e vështirë ashtu sikundër edhe mbështetësit e saj, të cilët nuk mund të thuhet se përfaqësojnë vetëm një shtresë të shoqërisë. Po kështu edhe programi i AKZ nuk sugjeron ndonjë një qartësi ideologjike. Në rastin e partive në Shqipëri, përveç ndarjes e majtë e djathtë, që vjen nga trashëgimia e kaluar, në komunistë dhe jo komunistë, është gjithsesi e vështirë identifikimi i partive dhe dallimi i tyre, bazuar te programi politik. Megjithëkëtë, AKZ flet për krijimin e një shteti të fortë, bazuar te ligji, për kompromise mbarëkombëtare, për zhvillimin e ekonomisë dhe çlirimin e saj nga koncesionet kurruptive.
Fryma e Re Demokratike është një fraksion i ri në Partinë Demokratike, në fakt i dyti pas Partisë së Re Demokratike, që themeloi Genc Pollo në përpjekjet e tij të hershme për të marrë lidershipin e PD-së. FRD udhëhiqet nga ish-Presidenti Bamir Topi, një figurë e rëndësishme e Partisë Demokratike që arriti të zgjidhej president në vitin 2007. Në udhëheqje të saj është edhe Gazmend Oketa, ishministër dhe zëvendëskryeministër në
qeverinë e PD-së, 2005- 2009, si dhe një numër zyrtarësh të tjerë të rangjeve më të ulëta të PD. FRD pretendon të jetë një parti e qendrës së djathtë. Kjo vërehet edhe në programin e saj, por gjithsesi programi i kësaj partie ashtu sikundër edhe i AKZ-së dhe sigurisht edhe i partisë më të madhe në opozitë, PS-së apo vetë PD-së në qeveri është rreth ndërtimit dhe
forcimit të shtetit. E ardhmja politike e të dy partive, AKZ dhe FRD do të varet shumë nga rezultatet që do të arrijnë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Të dyja partitë kanë deklaruar se nuk janë të gatshme të bëjnë koalicione paraelektorale
me dy partitë e mëdha,. Mirëpo AKZ, sipas medieve, po përpiqet të negociojë me PS-në, për t’u bashkuar me këtë koalicion.
Nga krahu tjetë, Partia Demokratike e ka lënë të hapur shtegun për t’i dërguar një
ftesë FRD-së. Në Shqipëri funksionojnë edhe një numër partish të vogla, si PBDNJ, e identifikuar kryesisht me minoritin grek në Shqipëri, kryesisht atë grek, që aktualisht ka një
deputet në parlament. Partia për Drejtësi dhe Unitet, që identifikohet kryesisht me komunitetin çam. Kryetari i saj, një ish-zyrtar i doganave u zgjodh deputet në parlament
në emër të PS më 2009. PDIU ka edhe një deputet tjetër në parlament.
Përveç disa partive të djathta tradicionale, si Partia e Ballit Kombëtar, Partia e Legalitetit, që, në fakt, nuk arritën të zhvilloheshin kurrë, ekzistojnë edhe disa parti të vogla në spektrin e majtë, si Partia Socialdemokrate apo fraksione të saj, që aktualisht nuk kanë asnjë vend në parlament.
Sistemi zgjedhor aktual inkurajon krijimin e koalicioneve me sa më shumë parti ku edhe një votë e vetme mund të bëjë diferencën.
__________________________________________________
1. Ligji elektoral i paraqitur nga qeveria komuniste e Hoxhës u
ndryshua pas kudnërshtimeve nga disa prej anëtarëve liberalë
të saj, duke lejuar që në zgjedhje të konkuronin edhe kandidatë
të pavarur. Zgjedhjet u fituan nga Fronti Demokratik, pas të cilit
qëndronin kandidatët e partisë komuniste që sigurian 82 përqind
të votave, ndërsa kandidatët e pavarur që në fakt përbënin opozitën
aritën të mernin vetëm 6,3 përqind.
2. Ndërkaq përveç Partisë Republikane dhe Partisë Socialdemokrate,
ishin krijuar dhe disa parti të tjera të vogla.
3. Shqipëria ishte vendi i fundit i ish-Lindjes komuniste që ndahej
nga regjimi komunist. Shanset që ky regjim të mbahej në këmbë
vetëm në Shqipëri ishin pothuajse zero.
4. Partia Demokratike fitoi 87 për qind te vendeve ne parlament,
ndërsa bashkë me aleatët e saj deri në 93 për qind, ndërsa
opozita vetëm 7 për qind të vendeve.
5. Zgjedhjet u mbajtën nën prezencën e një force ushtarake
kryesisht të vendeve anëtare të BE-së, të udhëhequr nga Italia,
përfshi edhe Rumaninë dhe Turqinë. OSBE udhëhoqi prezencën
ndërkombëtare. Prej këtij viti OSBE vijoi të mbante një prezencë
në Shqipëri. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të jetë i përfshirë
në një shkallë të rëndësishme në politikat e brendshme dhe
në mënyrë të veçantë në rastet e zgjedhjeve.
6. Për shembull, votimi familjar në disa zona të Shqipërisë vijon të
shënohet si një parregullsi dhe mosrespektim i ligjit edhe sot që
kanë kaluar më shumë se njëzet vjet. Por deformimi i proceseve
elektorale në Shqipëri nuk ka ardhur si pasojë e parregullsive të
kësaj natyre apo të ngjashme, por me manipulime të rezultateve
dhe mospranimit të tyre.
7. Është interesante të kontestohet se të vetmet procese elektorale,
për zgjedhjet parlamentare apo për zgjedhjet vendore, më demokratike
dhe të pa kontestuara janë ato të fillimit të tranzicionit
politik në Shqipëri, ndonëse mungonte tërësisht përvoja e një
konkurrimi pluralist të partive, si edhe mungonte përvoja për të
organizuar dhe administruar një proces zgjedhor.
8. Të paktën pesëdhjetë për qind e fuqisë punëtore të Shqipërisë ndodhet
në Greqi dhe Itali. Kriza ekonomike në këto vende sidomos në
Greqi, ka detyruar një numër emigrantësh të kthehen në Shqipëri
9. Presidenti kosovar e kundërshtoi bashkimin me Shqipërinë. (17
shkurt 2013). Gjendet në http://www.worldbulletin.net/?aType=h
aber&ArticleID=103468