Perspektiva europiane
Nëse Shqipëria anëtarësohet në BE ajo shndërohet në një vend të zhvilluar me të gjitha standartet. Krejtësisht e pavërtetë dhe e pamundshme të ndodhë. E kundërta është e vërtetë. Ndryshimi, modernizimi i vendit, shoqërisë, politikes ekonomisë e afron vendin me Bashkimin Europian.
Mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE vazhdon të jetë e lartë, shumë e lartë, krahasuar jo vetëm me anëtarët e rinj, por edhe me ata të cilët aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian në të ardhmen. Është mjaft interesante te konstatohet se edhe në kushtet e rritjes se euroskepticizmit anembanë Evropës, kjo edhe për shkak të krizës ekonomike, në veçanti krizës së eurozonës, që ka tronditur besimin në të ardhmen e projektit evropian, qytetarët shqiptarë janë entuziastë dhe mbështetës të flaktë të anëtarësimit të vendit të tyre në BE.
Gjatë një dekade, gjatë së cilës Shqipëria arriti të siguronte një stabilitet zhvillimi, duke lënë prapa një cikël krizash kronike, mbështetja e qytetarëve të saj për projektin evropian ka qenë popullor në mënyrë spektakolare dhe i pakrahasueshëm me vende të tjera. Kështu, që nga matja e parë e perceptimeve dhe opinionit që shqiptarët kanë për integrimin në BE, në vitin 2003, mbështetja për anëtarësim asnjëherë nuk është ulur nën 80 për qind, një nivel
mbështetjeje që nuk është arritur asnjëherë në asnjë vend anëtar ose jo anëtar të BE-së.
Në vitin 2009 u vu re një ulje relative e mbështetjes (nga 95 për qind më 2008, në 88,7
për qind në vitin 2009) çka u supozua se mund të ishte fillimi i një skepticizmi në shoqërinë
shqiptare për procesin e integrimit evropian, një prirje shoqëruese në pothuajse të gjithë
historinë e zhvillimit të Bashkimit Evropian. Për më tepër shpresa ishte se kjo ulje do të
paralajmëronte një kuptim të qartë të procesit dhe të rrugëve e faktorëve që e përgatisin një
vend për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në perspektivën e domosdoshmërisë të
modernizimit të shoqërisë, në fakt, duhet thënë të emancipimit të shoqërisë shqiptare, vota kundër anëtarësimit mund të ishte e dobishme dhe e domosdoshme në dy aspekte: e para, sepse mund të inkurajonte një debat lidhur me integrimin evropian dhe e dyta, në një rrafsh më të gjerë, atë të shoqërisë, mund të përbente fillesat për kultivimin e një mendimi kritik në shoqërinë e prapambetur dhe kryesisht rurale shqiptare.
Por argumentet dhe supozimet e mësipërme fatkeqësisht u hodhën poshtë vetëm një vit më vonë. Rezultatet e sondazhit më 2010 tregonin pothuajse të njëjtën mbështetje 93.4 për qind, pothuajse të ngjashme me vitet e mëparshme (2006, 2007 e 2008). Më 2011 vota pro për anëtarësimin e Shqipërisë në BE duket se arrin kuotën më të ulët gjatë dhjetë vjetëve të fundit, por gjithsesi është një votë popullore me 80.7 për qind dhe siç thamë,
e pakrahasueshme për çdo vend anëtar ose jo anëtar i BE-së. Kjo “pikë e ulët” e
mbështetjes për anëtarësimin e Shqipërisë në asnjë rast nuk mund të shpjegohet me
ndonjë ndjenjë skepticizmi për dobinë dhe mundësinë e anëtarësimit të Shqipërisë
në BE dhe aq më pak me fillimin e një kundërshtie ideologjike ndaj BE-së dhe
procesit të integrimit. Arsyeja e rënies së mbështetjes në 80.7 për qind u argumentua
me të drejtë me heqjen e regjimit të vizave me vendet anëtare të BE-së. Shpresa ishte
se përsëri, me heqjen e regjimit të vizave, mbështetja për anëtarësim në BE do të
ishte më “normale”, pra, më e ulët dhe argumenti themelor i pakundërshtueshëm
në atë kohë ishte se shqiptarët e identifikonin anëtarësimin në BE dhe gjithë procesin e integrimin evropian me mundësinë e lëvizjes së lirë dhe kësisoj mbështetja ishte popullore.
U shpresua përsëri se, një mbështetje “normale”, e ngjashme me vendet e tjera, do të paralajmëronte një mendim kritik në shoqërinë shqiptare, larg rezultateve “totalitare” me më shume se 90 për qind, të cilat të kujtojnë rezultatet e zgjedhjeve gjatë regjimit komunist. Po kështu një prirje e tillë do të sugjeronte një botëkuptim të qartë e të duhur të procesit të integrimit dhe përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE. Mirëpo ulja e mbështetjes (2011) në kushtet e mundësisë së lëvizjes së lirë të qytetarëve ishte thuajse e papërfillshme ose së paku e pamjaftueshme për të ngritur hipotezat e mësipërme të një qasjeje kritike dhe të botëkuptimit të procesit si një seri reformash të brendshme, që transformojë shoqërinë, politikën, ekonominë, funksionimin e shtetit dhe të demokracisë.
Me sondazhin më të fundit (2012) kemi konfirmimin e plotë se mbështetja për anëtarësim në BE është popullore, unike, gati “totalitare”. Në një referendum të mundshëm, 86.7 për qind e shqiptarëve do të votonin pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Shpjegimi dhe interpretimi i kësaj mbështetjeje, jashtë çdo krahasimi me vendet e tjera, është i domosdoshëm përtej kuriozitetit akademik/shkencor. Më poshtë kemi radhitur disa argumente që mund të shpjegojnë dhe interpretojnë këtë mbështetje të jashtëzakonëshme dhe të pangjashme me asnjë vend tjetër.
Së pari, dhe më kryesorja, spektri politik shqiptar nuk përfshin asnjë parti, organizatë, apo individ me influencë që ka qenë kundër projektit të anëtarësimit, edhe pse vitet e fundit janë shfaqur zëra kritikë. Kritika ka pasur më shumë të bëjë me procesin e integrimit se sa ka me BE-në apo vetë perspektivën e hyrjes në BE.
Së dyti, pritshmëritë mbi përfitimet që shqiptarët i atribuojnë anëtarësimit në BE janë shumë të larta dhe shpesh jo reale. Gjithsesi, ato përbëjnë shtysa të fuqishme për mbështetje. Për më tepër, vetë anëtarësimi në BE do të nënkuptonte fundin e tranzicionit postkomunist nga
pikëpamja sociale.
Vota pothuajse unanime e shqiptarëve për anëtarësim në BE mund të lidhet edhe me kulturën politike të shoqërisë, e cila zakonisht ka frikë të deklarojë haptazi atë çfarë mendon dhe mund të jetë veçanërisht e frikësuar për të folur kundër asaj që thotë qeveria dhe opozita, së bashku me median, OJQ-të, institucionet kërkimore, institucionet fetare, përfshirë këtu edhe “ambasadorët”, të cilët nga shumë shqiptarë shihen si shpëtimtarë, përveçse si figura udhëheqëse. Shoqëria shqiptare, në mënyrë të çuditshme reflekton një kulturë post kolonialiste, pavarësisht nga fakti që Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë koloni.5)
Së fundi, mbështetja në një shkallë kaq të gjerë, lidhet gjithashtu me glorifikimin dhe mistifikimin e Perëndimit në përgjithësi dhe të Evropës në veçanti. Kjo mund të përmblidhet në pyetjen retorike: Pse duhet ta kundërshtojmë anëtarësimin në Perëndim dhe në Evropën e zhvilluar? Mirëpo të gjitha këto argumente reflektojnë ndërkaq një qasje aspak reale:
Zgjidhja magjike vjen nga Brukseli.
Nëse Shqipëria anëtarësohet në BE ajo shndërohet në një vend të zhvilluar me të gjitha standartet. Krejtësisht e pavëvrtetë dhe e pamundëshme të ndodhe. E kundërta është e vërtetë. Ndryshimi, modernizimi i vendit, shoqërisë, politikes ekonomisë e afron vendin me Bashkimin Europian. Lista e argumenteve dhe supozimeve për mbështetjen pothuajse “totalitare” të shqiptarëve për anëtarësimin në BE është diçka e debatueshme dhe sigurisht që mund të pasurohet.
Për më shumë informacione, kontakto: aiis@aiis-albania.org