Kafe turke apo kafe greke?

1

Besnik Mustafaj

Në nëntor 1991, afro një vit pas rënies së diktaturës, unë isha ndërkohë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kam udhëtuar për herë të parë në Greqi. Parlamenti Europian organizonte në Selanik një mbledhje me parlamentarë të rajonit. Më shoqëronte Donika, gruaja ime.  Asokohe ajo  ishte 31 vjeç, dhe e kishte premierë jo vetëm vizitën në Greqi, por edhe daljen jashtë.

Mbërritëm në Selanik në buzëmbrëmje. Donika donte një kafe para se të dilnim për shëtitjen e parë.  Zumë vend në barin e hotelit. Kamerieri, një burrë rreth të dyzetave, i shkurtër e me një trup të mbushur, nuk do ta harroj kurrë pamjen e tij, ishte afruar te tryeza jonë me ca hapa të vegjël, gazmorë dhe me një fytyrë shumw miqësore, na pyeti çfarë dëshironim.

-Do të më pëlqente një kafe turke, – tha Donika. – Ma bëni dot?

-Çfarë thatë, zonjë?- u përgjigj kamarieri i ndryshuar sakaq.

Gruaja ime u bë gati të përsëriste kërkesën, por i mbeti fjala në buzë përpara vështrimit të acaruar të kamerierit. Ajo u kthye nga unë dhe më pyeti në shqip nëse kishte bërë ndonjë gabim. Ajo kishte pasigurinë e njeriut që gjendet për herë të parë në një kafene të huaj dhe porosit në gjuhë të huaj.

-Jo,- iu përgjigja më shumë për ta qetësuar. As unë nuk e kisha kuptuar se ç’ndodhi. Pse u mërzit kamerieri?

Donika nuk   kishte më dëshirë për kafe.

-Dalim!-m’u drejtua ajo. – Shkojmë diku tjetër!

Kamerieri na pa që po ngriheshim e nuk na ftoi të qëndronim. Vetëm më pyeti mua me një anglishte të çalë, gjuha me të cilën i ishte drejtuar gruaja ime, nëse  flisja italisht.

-Po,- iu përgjigja, pa e marrë me mend se ku donte të dilte.

Ai kërkoi të dinte se në ç’gjuhë kisha folur me zonjën. Kur unë i shpjegova se ishim shqiptarë, fytyra e tij u acarua  përsëri.

-Nuk mund të vini në shtëpinë tonë të na provokoni, – tha ai dhe bëri të largohet.

-Prisni!- e ngrita unë zërin pavetëdijshëm.

-Nuk lejoj të më provokoni, – nguli këmbë ai.

Ishte e kotë ta zgjasja. I bëra shenjë gruas të dilnim.

Nuk shihja asnjë arsye për zemërimin e tij. Kisha përshtypjen se ai burrë ishte thjesht pak budalla.

– Këtu jemi në Greqi,- tha ai pas shpinës tonë, –  dhe pihet kafe greke ose ekspres. Nguleni mirë në kokë: kafe greke. Kafen turke pijeni në vendin tuaj, po deshët.

Në barin tjetër, Donika dhe unë porositëm kafe greke, të shtyrë më shumë nga kureshtja për të zbuluar  se ç’dallim kishte ajo nga kafja turke. Ishte krejt e njëjta, në shije e në ngjyrë, me atë që ne në Shqipëri e kishim pirë gjithmonë dhe vazhdojmë ta pijmë si kafe turke.

Të drojtur siç ishim në atë fillim të daljes tonë në dritë, gruaja ime dhe unë nuk guxuam të pyesnim njeri se ku e kishim shkelur me kamerierin. Më vonë do të mësonim të vërtetën e “ provokimit” tonë, siç do të zbulonim të çuditur se edhe njerëzit e rritur në lirinë europiane i kishin ende të shumta simptomat e trashëgimisë së keqe të së kaluarës.

 

SHPËRNDAJE