Drejt një Euro-Bashkimi: Pa një integrim të mëtejshëm, krizat e tjera presin prapa portës

0

 Grupi Glienicker

Grupi Glienicker: Armin von Bogdandy (Instituti Max-Planck për të drejtën krahasuese dhe të drejtën ndërkombëtare), Christian Calliess (FU Berlin),  Henrik Enderlein (Shkolla e Qeverisjes Hertie), Marcel Fratzscher (DIW), Clemens Fuest(ZEW), Franz Mayer (Uni Bielefeld), Daniela Schwarzer (SWP), Max Steinbeis (Verfassungsblog), Constanze Stelzenmüller (Fondi Gjerman Marshall), Jakob von Weizsäcker (Thüringer Wirtschaftsministerium), Guntram Wolff (Bruegel)

Njëmbëdhjetë ekonomistë, politologë dhe juristë gjermanë – Grupi Glienicker – bëjnë propozime për një Evropë më të integruar.

 

Kriza, çfarë krize?

 Nëse marrim për bazë opinionin publik në Gjermani, atëherë nuk ka arsye të shqetësohemi për Evropën. Periudha kur frikësoheshim se mos shembet euroja duket se është mjaft e largët. Tregjet financiare janë qetësuar. Defektet që prej krijimit të bashkimit monetar duket se janë mbuluar dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy pati mundësinë të pretendonte, para Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, pa u kundërshtuar, se ‘’rreziku ekzistencial ndaj euros’’ është zhdukur.

Ne mendojmë se kjo është thellësisht e gabuar. Nuk ka arsye përse të ulim vigjilencën. Përkundrazi, vetëkënaqësia e një pjese të madhe të publikut gjerman në lidhje me krizën e euros është jo vetëm e pabazuar, por edhe e rrezikshme. Asnjë nga problemet themelore të krizës së euros nuk është zgjidhur – as kriza bankare, as kriza e borxhit kombëtar as edhe kriza e aftësisë konkurruese. Problemet e borxhit kombëtar vazhdojnë të përshkallëzohen. Bankat janë të tejmbushura me kredi të këqija, që e kanë gjymtuar sektorin privat. Në vendet e krizës, një brezi të tërë po i mohohet jetesa dhe mundësitë. Kufijtë e spektrit politik në këto vende po bëhen gjithnjë e më radikale. Dhe gatishmëria për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për eurozonën duket se po bie me shpejtësi.

Ne – 11 ekonomistë, avokatë dhe politologë gjermanë – nuk mund të pranojmë perspektivën e lojës me kohën dhe të vëmë bast se kriza eventualisht do të kalojë. Evropa ka probleme strukturore që kërkojnë zgjidhje strukturore. Edhe pse kjo nuk është një pikëpamje popullore për momentin, jemi të bindur se bashkimi monetar do të ketë nevojë për një integrim më të thellë dhe ka nevojë veçanërisht për një qeverisje ekonomike evropiane mjaft të fuqishme.

Ne flasim si qytetarë gjermanë, por edhe si qytetarë të Bashkimit Evropian, si pjesë e një komuniteti me qytetarët e tjerë të BE-së. Kjo nuk është kontradiktë: Gjermania ka interes të kapërcejë frikën rreth një bashkimi në lëvizje dhe të mos pengojë propozimet konstruktive duke i parë si përpjekje për të nxjerrë para nga xhepat e gjermanëve.

Parimi mos-dorëzanisë, ku deklarohet se asnjë shtet nuk mund të shpëtojë një shtet tjetër nga falimentimi, ishte i drejtë. Por nëse zbatimi i tij shkakton dëme të pallogaritshme, as debitorët e as kreditorët nuk do ta besojnë pohimin se shtetet duhet të marrin përgjegjësi të drejtpërdrejtë për veten. Arkitektura e zonës së euros mund të jetë e shëndetshme dhe e qëndrueshme vetëm nëse parandalon dëme të tilla paralele. Kjo kërkon një integrim më të thellë në katër fusha.

 

  1. Debitorë të përgjegjshëm kanë nevojë për kreditorë të përgjegjshëm

 Traktati i Mastrihtit supozonte se rregullat e përbashkëta të borxhit do të zgjidhnin problemin e rritjes së papërgjegjshme të tij. Greqia tregoi se ky ishte thjesht iluzion. Ndaj, forcimi i rregullave të borxhit kombëtar me një pakt fiskal ishte i drejtë. Por është gjithashtu e vërtetë se kriza nuk do të ishte parandaluar nga pakti fiskal në vetvete, në vende si Spanja dhe Irlanda. Rreziqet fiskale që u grumbulluan në këto vende u shkaktuan nga borxhi i tepruar i sektorit privat.

Nëse borxhi është publik apo privat, ai bëhet problem për bashkimin monetar vetëm nëse kreditorët privatë nuk i marrin humbjet e tyre për llogari të vet, por i shoqërizojnë ato. Por kjo është pikërisht ajo që ndodhi: borxhet e institucioneve financiare dhe të bankave në veçanti u shoqërizuan. Bankat patën mundësi ta bënin diçka të tillë pasi e dinin se rëndësia e tyre në sistem nuk do t’u jepte taksapaguesit evropianë alternativa, përveç se t’i shpëtonin ato.

Për ta ndaluar këtë lojë një herë e mirë, zona e euros ka nevojë për një bashkim bankar të fortë. Mbikëqyrësi i vetëm bankar duhet të sigurojë që sektori bankar ka një bazë të qëndrueshme kapitale. Mekanizmi i përbashkët i ristrukturimit të bankës duhet t’i bëjë kreditorët përgjegjës: nëse bankat kanë humbje të mëdha, fillimisht aksionarët duhet të mbushin boshllëkun pastaj zotëruesit e obligacioneve dhe pas tyre kreditorët e vjetër dhe në fund fondet bankare të financuara nga vetë bankat. Vetëm pasi të jenë shteruar këto opsione mund të gjejmë shpëtim te taksapaguesit evropianë.

Në parim, Këshilli Evropian e pranoi këtë në verën e vitit 2012. Por ne parashikojmë se zbatimi do të dështojë në pranverë të vitit 2014. Deri në maj 2014, Mekanizmi i Vetëm Mbikëqyrës Evropian do të kryejë teste tensioni dhe duhet t’u nxjerrë kartonin e kuq bankave të sëmura. Por si do të funksionojë kjo nëse askush nuk e di se si do të rikapitalizohen apo likuidohen bankat në një rast emergjence? Pa një mekanizëm zgjidhjeje, mbikëqyrësit do të vijojnë t’i fusin nën tapet problemet që kanë bankat me bilancin dhe Evropa do të përballet me një dekadë të llojit japonez për sa i përket ngecjes ekonomike. Koha po kalon shpejt. Zgjedhjet evropiane të vitit 2014 nuk duhet të jenë justifikim për të vonuar zgjidhjet e problemeve strukturore të zonës së euros.

  1. Përgjegjësia dhe solidariteti shkojnë dorë për dore

Përgjegjësia e shteteve anëtare nënkupton përgjegjësinë e taksapaguesve të tyre. Ndaj është e pashmangshme që taksapaguesit do të duhet të mbajnë një pjesë të madhe të ngarkesës së krizës dhe do të vuajnë nga reformat e dhimbshme. Por përgjegjësia ka kufi, kur jetesa kërcënohet. Nëse në Greqi, Portugali apo Spanjë një brezi të tërë i mohohet shansi për të jetuar një jetë produktive, ky nuk është thjesht një problem grek, portugez apo spanjoll, por një problem që na prek të gjithëve si qytetarë të BE-së.

 Bashkimi monetar nuk mund të jetë i qëndrueshëm në çdo kohë pa një mekanizëm të kontrolluar transferimi. Situatat në të cilat një vend i zonës së euros vuan një emergjencë akute likuiditeti dhe është i detyruar të zbatojë masa shtrënguese drakoniane mbi popullsinë e tij duhet të mbetet përjashtim. Për të parandaluar ekstreme të tilla na duhet një mekanizëm sigurimi i zonës së euros për të lehtësuar pasojat fiskale të një rënieje të menjëhershme ekonomike. Zona e euros duhet të themelojë një sistem sigurimesh ndaj papunësisë për të plotësuar sistemet kombëtare: të gjithë vendet që e organizojnë tregun e tyre të punës në përputhje me nevojat e bashkimit monetar mund të jenë të pranueshme për pjesëmarrje. Kjo do të krijonte një mekanizëm për të kundërvepruar ndaj recesioneve të thella me stabilizatorë automatikë evropianë. Ndaj kohezioni makroekonomik i zonës së euros do të forcohej dhe integrimi i tregut evropian të punës do të përshpejtohej.

Në fakt, një lëvizshmëri më e madhe e tregut në bashkimin monetar është i nevojshëm urgjentisht. Gjermania nuk duhet të ankohet rreth mungesës së punëtorëve të aftë, kur shumë të tillë janë të papunë në Spanjë. Të papunët në vendet e krizës duhet të kenë mundësi të gjejnë punë në vende të tjera të zonës së euros, duke ndjekur kurse gjuhe dhe duke i ofruar atyre trajnime.

Për më tepër, në mjedisin e tanishëm të normave të ulëta të interesit, vende si Gjermania këshillohen të investojnë në infrastrukturën e tyre dhe në këtë mënyrë të krijojnë kërkesën në zonës së euros.

  1. Demokracia dhe sundimi i ligjit duhen forcuar

 Në një bashkim, shtetet anëtare duhet të jenë të afta reciprokisht të mbështeten te fakti që qeveritë e tyre janë të zgjedhura në mënyrë legjitime, ligjet e tyre janë të shkruara në mënyrë legjitime dhe qytetarët e tyre janë të lirë dhe të barabartë para ligjit. Anëtarët e mundshëm duhet të pranojnë, pra, që mund të rishikohen në thellësi për standardet e tyre demokratike, kushtetuese dhe të drejtave themelore. Duke u bashkuar, një shtet merr përsipër detyrimin që të vazhdojë t’i përmbushë këto standarde. Por BE-së i mungojnë instrumentet efektive dhe të besueshme për të zbatuar këtë detyrim – si në rastin e Hungarisë.

Kjo mund të bëhet problematike nëse një shtet anëtar përjeton kriza të ashpra ekonomike. Eksperienca ka treguar se kriza të tilla i bëjnë shoqëritë radikale dhe kërcënojnë institucionet demokratike.

Është e papranueshme që BE-ja mund të rregullojë më me sukses shkeljet e ndihmave shtetërore se sa shkeljen e rregullave demokratike apo kushtetuese. BE-ja duhet të jetë e pajisur me mekanizma sanksionesh për t’u siguruar se shtetet anëtare mund të mbështeten te njëri-tjetri dhe se qytetarët e tyre nuk janë të pambrojtur kundër minimit të rendeve të tyre kushtetuese.

Bashkimi Evropian është një komunitet me ligje. Autoriteti i ligjit evropian varet nga funksionimi i legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit në shtetet anëtare. Aty ku diçka e tillë nuk ndodh, themelet e bashkimit kërcënohen. Promovimi i sundimit të ligjit duhet të jetë prioritet më i madh se sa, për shembull, politika bujqësore.

  1. Kohezioni: duhen siguruar të mirat publike

 Bashkimet politike mund të ofrojnë të mira publike që çdo vend nuk do të ishte i aftë t’i ofronte i vetëm. Shtysa fillestare e integrimit evropian ishte sigurimi i paqes. Mbrojtja efektive e kufijve të jashtëm, trajtimi njerëzor i refugjatëve dhe azilkërkuesve në zonën Shengen, tregjet e brendshme dhe mbrojtja e mjedisit tonë, janë gjithashtu të mira publike që BE-ja është përkushtuar t’i ofrojë. Sigurimi i një monedhe të përbashkët e të qëndrueshme është një e mirë publike për zonën e euros.

Limiti i përgjegjësive të shteteve anëtare në një krizë arrihet kur furnizimi me të mira të tilla publike është në rrezik. Nëse një shtet anëtar nuk mund të ofrojë siguri në aeroport kjo do të dëmtojë transportin ajror evropian si një i tërë. Nëse një shtet anëtar ofron kushte jo njerëzore për azilkërkuesit atëherë sistemi i azileve në Evropë do të shkatërrohej. Nëse vendet e krizës fillojnë të mbyllin tregjet e tyre për të mbrojtur prodhuesit e brendshëm, tregu i brendshëm dhe politika e përbashkët tregtare kërcënohen. Nëse kriza ekonomike në një vend anëtar arrin në pikën ku tregjet financiare spekulojnë për daljen e tyre nga bashkimi monetar, kjo mund të shkatërrojë monedhën e përbashkët.

Ofrimi i këtyre të mirave publike mund të funksionojnë pavarësisht falimentimit të mundshëm të një vendi anëtar. Kjo nuk do të thotë se furnizimi i tyre duhet të centralizohet tërësisht. Mund të jetë e mjaftueshme që BE-ja të mundësohet të ndërhyjë për të dhënë mbështetje gjatë krizës. BE-ja nuk duhet të fillojë të ndërtojë strehim të përshtatshëm për azilkërkuesit, por duhet të paktën të mbështesë financiarisht ato shtete që nuk mund ta arrijnë këtë me forcat e tyre.

Këto katër pika – përgjegjësia e kreditorëve, mbrojtja e mundësive, mbrojtja e demokracisë dhe sundimit të ligjit si edhe mbrojtja e të mirave publike – janë minimumi që kërkohet për ta mbajtur gjallë euron. Por më tepër duhet bërë për të zhvilluar potencialin e plotë të BE-së. Ajo duhet të promovojë të mirat e përbashkëta publike që të gjithë të përfitojnë.

Ne shohim potenciale të veçanta në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Në një botë multipolare në të cilën Kina, Rusia dhe vende të tjera po zgjerojnë sferën e tyre të influencës dhe supremacia globale e SHBA-së po bie, Evropa duhet të jetë e aftë të mbrojë interesat e saj të përbashkëta në mënyrë efektive. Europa ka mundësi të ndjekë një strategji të përbashkët të tregtisë globale dhe legjislacionit financiar si edhe të përdorimit të pasurive të përbashkëta globale, si deti apo hapësira kozmike. Është e dukshme se vendet e zonës së euros me monedhë të përbashkët duhet gjithashtu të pretendojnë një vend të përbashkët në FMN dhe BB. Nëse do të kishte një politikë të jashtme të përbashkët dhe struktura të centralizuara vendim-marrëse për politikën e sigurisë, një vend i përbashkët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të ishte i arritshëm.

Sfidat e shekullit të 21-të shkojnë përtej atyre të sigurisë klasike dhe politikës së jashtme. Çështja e NSA-së ka treguar, për shembull, se qytetarët e BE-së nuk mund të presin që shtetet të mbrojnë privatësinë e tyre. Ajo që nevojitet është një treg evropian për sigurinë e të dhënave, një që përcakton privatësi të plotë në internet dhe standarde kodimi dhe zbatimin e këtyre brenda qëllimit të marrëveshjeve me vende të treta, në vend që t’i hedhin poshtë ato përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të inteligjencës. Në mënyrë idelae, këto të mira publike duhet të krijohen për Bashkimin Evropian si një i tërë, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar. Meqenëse kjo është e pamundur, zona e euros duhet të mbajë opsionin strategjik të një Evrope me shpejtësi të ndryshme në këto fusha.

 

Një Euro-traktat për euro-unionin

Për të arritur këtë program politik, zona e euros ka nevojë për një bazë të vetën kontraktore. Ai që sot quhet euro-traktat për të zëvendësuar reformat e mëparshme. Me një kontratë të tillë, eksperiencat e përbashkëta nga kriza mund të depozitohen përgjithmonë. Një euro-traktat do ta rifokusonte debatin publik te nevojat dhe dëshirat politike të Evropës, larg nga shqetësimet e momentit me atë që është ligjërisht e arritshme. Çështja e amendamenteve të Ligjit Themelor të Gjermanisë, që mund të kërkohet në kontekstin e integrimit të mëtejshëm evropian, do të diskutohej më në fund në mënyrë specifike duke iu referuar euro-traktatit.

Ideja e një Evrope me shpejtësi të ndryshme nuk është e re. Kriza e euros ka treguar megjithatë se një thellim i tillë duhet të përfshijë të gjithë zonën e euros. Në mënyrë që të shmanget ndarja e Evropës, interesat e shteteve anëtare duhet të merren në konsideratë, veçanërisht të shteteve më të vogla.

Duke u përballur me krizën e euros deri më tani tonin e kanë dhënë kryetarët e shteteve dhe të qeverive. Por ky ndërqeveritarizëm nuk iu përshtatet detyrave që duhen përmbushur në një bashkim monetar. Kjo është arsyeja kryesore përse Banka Qendrore Evropiane, me hir apo me pahir, e ka parë veten të detyruar të marrë përsipër një rol kaq qendror në ruajtjen e monedhës së përbashkët.

Më në fund, na duhet një ekzekutiv evropian që mund të negociojë paketën e reformës me vendet e krizës, të vendosë mbi mbylljen e bankave dhe të sigurojë furnizimin me të mirat publike. Euro-unioni ka nevojë për një qeverisje ekonomike të aftë për të vepruar.

Kjo qeveri ekonomike duhet të ketë të drejtë të ndërhyjë në autonominë kombëtare buxhetore. Për sa kohë shtetet anëtare përmbushin detyrimet e tyre, kjo mund të përfshijë vetëm rekomandime që nuk janë detyruese. Nëse një shtet anëtar shkel kriteret e stabilitetit, atëherë qeverisja ekonomike duhet të jetë e aftë të përcaktojë kushte të detyrueshme se sa duhet të kursejë një shtet – dhe i takon shtetit të vendosë se ku të kursejë.

Qeverisja ekonomike gjithashtu ka nevojë për një buxhet për promovimin e të mirave publike, si edhe fondin e zhvillimit për të mbështetur proceset e reformave në vendet e zonës së euros. Në parim, ky buxhet do të ishte i mundur të financohej përmes taksimit. Por ka arsye të forta për të mos i dhënë qeverisjes ekonomike mundësi të mëdha te baza e taksave evropiane. Ky euro-buxhet ka kuptim të financohet përmes një pagese anëtarësie, që mund të jetë rreth 0.5% e PBB-së.

Euro-qeverisja duhet të zgjidhet dhe vëzhgohet nga euro-parlamenti. Është e arsyeshme që ky organ të ketë në staf deputetësh të parlamentit evropian, që përfaqësojnë vendet e zonës së euros, meqë qëllimi i tij është ofrimi i të mirave publike në zonën e euros. Ka gjithashtu zëra në grupin tonë që preferojnë që euro-parlamenti të përbëhet nga anëtarët e parlamenteve kombëtare, për t’u siguruar se kontrolli ndaj shpenzimeve qeveritare mbetet në duart e tyre.

Sido që të jetë, vendet që planifikojnë të prezantojnë euron në të ardhmen e afërt (‘’kandidatet’’) duhet të përfshihen në negociatat e euro-traktatit që në fillim. Kjo aplikohet edhe për institucionet e Euro-Bashkimit – përmes një përfaqësimi me të drejtën e fjalës, por jo të votës.

Askush nuk duhet t’i nënshtrohet idesë së gabuar se kriza do të zhduket dhe se mekanizmat stabilizuese, që janë kombinuar bashkë do të mjaftojnë për ta bërë euron një sukses afatgjatë. Një prej baballarëve themelues të Bashkimit Evropian, Zhan Mone, dikur ka thënë: ‘’L’Europe se fera dans les crises’’. Kriza aktuale është ndoshta kriza më e madhe që ka provuar Bashkimi Evropian në historinë e tij. Tashmë varet nga ne ta përdorim këtë mundësi historike.

SHPËRNDAJE