“Mbetet thelbësore – dhe ne po e ndjekim nga afër – që Shqipëria të shfaqë vendosmërinë e saj për ndërtimin e një politike me zero tolerancë kundër korrupsionit, përfshirë edhe rastet që lidhen me nivelet e larta, duke dhënë një sinjal të qartë se askush nuk është mbi ligjin.”
Intervistë eksluzive me ambasadorin Sequi
Aleksandër Furxhi
Furxhi: Opinioni publik në Shqipëri është në njëfarë mënyre i lodhur nga pritja e përgjigjes pozitive për statusin e vendit kandidat në BE. Sa janë shanset që në qershor 2014 të hidhet ky hap?
Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur përmes miratimit të masave kyçe në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike dhe rishikimit të rregullores së parlamentit, që ishin edhe kushtet e rekomanduara nga Komisioni lidhur me vendimin për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Veç kësaj, zgjedhjet parlamentare të qershorit, të identifikuara nga Këshilli i dhjetorit 2012 si një test vendimtar për funksionimin e qetë të institucioneve demokratike të vendit, u kryen në mënyrë të rregullt dhe u vlerësuan pozitivisht nga misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve. Rekomandimi i Komisionit që Këshilli t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat me mirëkuptimin që vendi të vazhdojë të ndërmarrë hapa në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte një vlerësim i drejtë i këtij progresi dhe një inkurajim që Shqipëria të vazhdojë reformat që lidhen me BE-në.
Javën e kaluar, Shtetet Anëtare, pasi e diskutuan këtë rekomandim dhe njohën zhvillimet shumë të rëndësishme që janë bërë në Shqipëri këtë vit, deklaruan qartë se e presin me padurim vendimin lidhur me dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në qershor 2014. Shtetet Anëtare të BE-së presin vazhdimin e zbatimit të strategjive të luftës kundër korrupsionit dhe reformës së gjyqësorit, legjislacionin përkatës të miratuar së fundmi, si dhe një prirje të vazhdueshme hetimesh dhe përndjekjesh pro-aktive, duke përfshirë fushën e krimit të organizuar. Siç theksohet në Konkluzionet: “Këshilli mirëpret veprimet e mëtejshme të ndërmarra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe angazhimin e qeverisë së re, si dhe lavdëron intensifikimin e përpjekjeve në këto fusha dhe nxit autoritetet ta ruajnë këtë vrull të ri.” Këshilli nënvizon gjithashtu se dialogu konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës për reformat që lidhen me BE-në do të jetë vital për të siguruar të ardhmen e Shqipërisë në BE. Siç deklaroi Komisioneri Füle: “Për sa kohë Shqipëria do ta vazhdojë punën e saj të mirë të deritanishme, presim që ajo ta marrë statusin e vendit kandidat në qershor. Tashmë varet nga Shqipëria – qeveria, opozita dhe autoritetet që të punojnë së bashku dhe të mbështeten në arritjet mbresëlënëse të deritanishme .
Sidoqoftë Statusi i vendit kandidat është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe kërkues, që do të kërkojë shumë punë, përkushtim të madh dhe një dozë durimi.
Furxhi: Progres raporti i Komisionit është hartuar 13 herë prej vitit 2001 dhe çdo herë aty është nënvizuar nevoja për të luftuar korrupsionin në radhët e administratës. A ka ende instrumente të pashfrytëzuara nga Brukseli për të rritur sensibilitetin e klasës politike në Tiranë në këtë drejtim ?
Bashkimi Evropian ka një qëndrim të qartë lidhur me çështjen e luftës kundër korrupsionit. Korrupsioni duhet luftuar dhe duhet trajtuar me sukses sa më shpejt të jetë e mundur me qëllim që vendi të bëjë përpara në rrugën e tij drejt integrimit në BE. Ajo që ka ndryshuar vitet e fundit është vendosja pritshmërive tona në kohë. Ne presim që vendet potenciale dhe kandidate të ndërmarrin më shpejt se në të kaluarën hapa konkrete për përmbushjen e kapitullit 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe kapitullit 24 (Drejtësia, liria dhe siguria). Kjo ngase ne e dimë se lufta kundër korrupsionit është një rrugë e gjatë dhe e vështirë dhe nuk është një betejë që mund të fitohet lehtë. Jam i bindur se autoritetet shqiptare janë plotësisht të ndërgjegjshme për çështjet në fjalë dhe se nuk është nevoja të rritet ndjeshmëria e tyre; plani i veprimit që të çon drejt anëtarësimit në BE është i qartë. Ajo që duhet bërë është rritja e ndjeshmërisë së gjithë shoqërisë ndaj kësaj lufte, angazhimi dhe fuqizimi i çdo qytetari për ta refuzuar korrupsionin si një rrugë e thjeshtë për shmangien e pengesave burokratike apo të metave të administratës publike. Qytetarët duhet të bëhen të përgjegjshëm; po ashtu duhet të bëhen edhe përfaqësuesit, nëpunësit civilë, mjekët, mësuesit dhe gjykatësit e tyre. Lufta kundër korrupsionit – dhe gjithashtu garantimi i shtetit ligjor ekonomik – duhet të nisë nga niveli i lartë drejtues, por do të jetë një betejë e humbur pa një përkushtim gjithnjë në rritje të qytetarëve.
Furxhi: Sistemi i drejtësisë është ndoshta më i godituri nga korrupsioni dhe gjerësisht perceptohet si plaga më e rendë e tranzicionit shqiptar. Ndihma e BE për reformimin e sistemit nuk ka munguar. Por efikasiteti është e qartë se mungon. Cila është mënyra më e mirë për ta nxjerre Shqipërinë nga ky ngërç?
Nga viti 2007 deri më sot BE-ja e ka mbështetur reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri me afërsisht 70 milionë € në kuadrin e projektit IPA. Në vitin 2014 do të nisë një mision i ri asistence për drejtësinë i EURALIUS-it. Ky sektor është shumë kompleks dhe sfidues dhe ende përballet me shumë dobësi. Megjithatë, ka pasur njëfarë progresi përmes miratimit të legjislacionit kyç që duhet zbatuar plotësisht. Ne kemi besim se, me kalimin e kohës, efikasiteti, transparenca dhe pavarësia e gjyqësorit do të garantohen plotësisht, ngase këto janë kushtet themelore që sigurojnë funksionimin e mirë të gjithë institucioneve demokratike. Reforma e drejtësisë është një fushë që aktualisht po zhvillohet shumë shpejt në nivelin e BE-së dhe gjithnjë e më shumë do të zhvendosemi nga një sistem parimesh dhe praktikash të mira drejt një acquis të qëndrueshme të BE-së, nga e cila Shqipëria do të mund të përfitojë përmes agjendës së zgjerimit të BE-së. Amendamentet kushtetuese lidhur me imunitetin e gjykatësve dhe deputetëve ishin një hap shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Ne kemi besim se amendamentet e vonuara të Kodit të Procedurës Penale, të nevojshme për sqarimin e procedurave përkatëse hetimore, do të përkufizohen qartësisht për të lejuar një zbatim të qetë të reformës së imunitetit dhe për t’u lejuar autoriteteve të ndërtojnë një precedent të fuqishëm hetimesh dhe dënimesh.
Ajo çka mbetet thelbësore është që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) të shqyrtojë në mënyrë proaktive deklarimin e pasurive të magjistratëve dhe të verifikojë në bazë rast pas rasti nëse ato përputhen me realitetin në terren.
Gjithashtu është shumë e rëndësishme të garantohet që sistemi i imuniteteve të mos pengojë hetimet penale kundër magjistratëve që dyshohen për krime që lidhen me korrupsionin. Duhet parë gjithashtu me kujdes ngritja e një mekanizmi të besueshëm ankesash për qytetarët dhe partneriteti me një organ të pavarur, si për shembull, Transparency International, për menaxhimin e sistemit.
Furxhi: Çështja e të drejtave të lidhura me pronën, është thuajse një nyje gordiane në Shqipëri. Legjislacioni është tejet i komplikuar dhe njëkohësisht ka shumë mbivendosje ligjesh e rregullash në këtë rrafsh. Në ç’mënyrë do të asistohet Shqipëria për të ecur drejt zgjidhjes së kësaj sfide ?
Nevojiten përpjekje të mëdha dhe sistematike për trajtimin problemeve të vazhdueshme në fushën e të drejtës së pronësisë. Kthimi i pronave, kompensimi dhe ndërtimet e paligjshme janë çështje që duhen trajtuar. Shqipëria duhet të miratojë dhe komunikojë një plan të besueshëm për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi të drejtën e pronësisë.
Me miratimin e Strategjisë qeveritare për të Drejtën e Pronësisë 2013-2020, në Ministrinë e Drejtësisë është krijuar një Drejtori për Koordinimin e Çështjeve të Pronësisë që koordinon veprimtaritë e gjithë institucioneve shtetërore të përfshira në çështjet e pronave me qëllim që të përmirësohet procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, regjistrimit të titujve të pronësisë, si dhe për analizimin dhe përmirësimin e legjislacionit në fuqi. Megjithatë, që të përmbushë plotësisht misionin e saj, kjo drejtori ka nevojë për mbështetje.
Për këtë qëllim, në kuadrin e programit IPA 2013, janë siguruar fonde prej rreth 1 milion Euro për financimin e mbështetjes teknike për forcimin e sistemit të së drejtës së pronës përmes zbatimit të vendimeve të gjykatave mbi të drejtën e pronësisë, sipas standardeve evropiane dhe praktikave më të mira në këtë fushë. Reforma për të drejtat e pronësisë do të kontribuojë në rritjen e investimeve shqiptare dhe të huaja në sektor.
Ajo çka kërkohet urgjentisht është përcaktimi dhe renditja (me autoritetet përkatëse dhe Bankën Botërore) e një numri veprimtarish të besueshme dhe koherente që do të financohen në kuadrin e projektit IPA 2013 dhe do të lidhen përmes referimeve me synimet strategjike të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Sektorit për të Drejtat e Pronësisë 2013-2020.
Furxhi: Aktualisht ka një debat mjaft të ashpër dhe kritika të forta të opozitës në adresë të qeverisë për çështjen e ligjit të statusit të nëpunësit civil si dhe për mënyrën se si qeveria po kryen reformën e administratës publike. Si po e monitoron BE këtë proces dhe si po e vlerëson atë ?
Shqipëria ka arritur progres në administratën publike përmes miratimit të ligjeve të rëndësishme strukturore. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për përmbushjen e kësaj përparësie kyçe që përbën një parakusht që Shqipëria të nisë negociatat, siç përcaktohet në Dokumentin Strategjik të Komisionit Evropian të tetorit 2013. BE-ja mbështet një administratë publike të qëndrueshme dhe kompetente. Ne i kemi kushtuar vëmendje vendimit të kohëve të fundit të Gjykatës Kushtetuese që e konsideroi miratimin e aktit normativ si jokushtetues dhe po presim të shohim formulimin zyrtar të Gjykatës. Aktualisht, autoritetet po hartojnë legjislacionin dytësor të Ligjit mbi Shërbimin Civil (LShC) me ndihmën e projektit SIGMA të BE-OECD-së. Procesi do të përmbyllet më 31 dhjetor. Ne do të monitorojmë çdo hap me qëllim që të garantohet cilësia e legjislacionit dhe të sigurohen parimet e LShC-së. Në vitin 2014 do të nisë një asistencë e re teknike me qëllim që të mbështesë zbatimin e këtij ligji.
Furxhi: Shqipëria është në një nga momentet më të vështira ekonomike të tranzicionit, me një rritje ekonomike shumë të ulët. Por fatmirësisht nuk e ka njohur recesionin. Sa peshë ka performanca ekonomike në procesin e afrimit të vendit me BE ?
Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm drejt shndërrimit në një ekonomi të tregut të lirë. Por siç e pranojnë Raportet e Progresit, ekonomia mbetet e brishtë dhe e cenueshme ndaj dobësive të brendshme dhe strukturore, si dhe ndaj paqëndrueshmërisë ekonomike globale.
Nga ana tjetër, rëndësia e kritereve ekonomike të Kopenhagës është jetike dhe nuk duhet nënvlerësuar. Kriteret e ekonomisë së tregut të lirë përbëjnë – dhe mund të jenë vërtet – një ndikim i rëndësishme për reformën. Për më tepër, disa nga kapitujt e negocimit me rëndësi ekonomike mund të mbyllen vetëm pasi vendi të bëhet ekonomi e tregut të lirë – dhe kjo për të shpjeguar se do të duhet një kohë e gjatë.
Është gjithashtu e vërtetë se ndikimi i krizës e ka rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e “qeverisjes ekonomike”.
Nëse i referohemi strategjisë së zgjerimit të Komisionit mund të shohim se Komisioni i vë qartazi një theks të fuqishëm qeverisjes ekonomike përmes paraqitjes së dy propozimeve të reja: së pari, forcimit të Programit Ekonomik Para Anëtarësimit (PEP) dhe së dyti, programeve të reja konkurruese.
Kjo nënkupton para së gjithash një monitorim më të rreptë të kritereve ekonomike gjatë ecjes përpara, si dhe një kontroll më të rreptë të përputhshmërisë ndërkohë që vendi ecën përpara.
Furxhi: Kritikët e qeverisë mendojnë se disa prej aksioneve të saj aktualisht (prishja e ndërtimeve pa leje, rishikimi i ligjit të buxhetit të shtetit, akti normativ për statusin e nëpunësit civil) janë në kufijtë e paligjshmërisë. Cili është vlerësimi i Komisionit Evropian në këtë aspekt?
Sërish është çështje e garantimit të shtetit ligjor, por edhe i ngritjes së një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Kur themi se një shtet i fuqishëm ligjor është një vlerë thelbësore e BE-së, kjo do të thotë se ndërsa përbën një element kyç për një progres të vërtetë drejt anëtarësimit në BE, ai është gjithashtu edhe një pritshmëri legjitime e qytetarëve shqiptarë. Mbetet thelbësore – dhe ne po e ndjekim nga afër – që Shqipëria të shfaqë vendosmërinë e saj për ndërtimin e një politike me zero tolerancë kundër korrupsionit, përfshirë edhe rastet që lidhen me nivelet e larta, duke dhënë një sinjal të qartë se askush nuk është mbi ligjin.
Lidhur me shqyrtimin e ligjit mbi Buxhetin e Shtetit, Shqipëria e ka rishikuar shpesh buxhetin vjetor gjatë tre viteve të fundit, zakonisht duke e ulur nivelin e objektivit të buxhetit. Megjithatë, ajo çka mbetet thelbësore është se procesi për një shqyrtim të tillë duhet të jetë pjesëmarrës, transparent dhe i qëndrueshëm.
BE-ja po ndjek nga afër zhvillimet në administratën publike dhe ka nënvizuar gjithashtu se duhet garantuar transparenca e plotë dhe respektimi i legjislacionit të zbatueshëm lidhur me lëvizjet në shërbimin civil. BE-ja ka theksuar gjithashtu se memoria institucionale dhe vazhdimësia e veprimtarisë në administratën publike janë thelbësore për proceset e integrimit në BE. Ne presim që këto mesazhe të priten mirë.
Këto pritshmëri janë shprehur qartë dhe unë dua ta përmbyll shkurtimisht duke thënë se ndërsa është thelbësore që integrimi evropian të mbetet një përpjekje e vërtetë kombëtare dhe një projekt gjithëpërfshirës, është po aq e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë të zbatojë reformën në administratën publike, të forcojë pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësinë e gjyqësorit, të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme, të forcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut.