Ne prezantohemi: Friedrich Ebert Stiiftung ne Shqiperi

0

Në artikujt vijues dëshiroj të prezantoj shkurtimisht Fondacionin Friedrich Ebert (FES) dhe punën e tij. Këtu nuk synojmë të bëjmë një prezantim të gjerë, por më shumë të prezantojmë disa aspekte të rëndësishme të punës sonë me organizata të ndryshme partnere në Shqipëri. Disa partnerë e përshkruajnë këtu bashkëpunimin me ne njësoj siç i ka paraqitur edhe ekipi i FES-it disa nga temat kryesore. Gjatë punës së tij për një periudhë kohore më shumë se 20-vjeçare në Tiranë, FES-i i është kujdesur gjithmonë që të mbështesë si partner punën e vështirë të politikës dhe të shoqërisë gjatë ndryshimeve demokratike të vendit. Qëllimi ishte dhe mbetet t´i urojë së shpejti Shqipërisë, si një vend social dhe demokratik, mirëseardhjen në BE.

Büro Tirana Albanien
Fondacioni Friedrich Ebert (FES) është themeluar në vitin 1925 si trashëgimia politike e Presidentit të parë të Rajhut Gjerman të zgjedhur ne mënyrë demokratike Friedrich Ebert.
Socialdemokrati Friedrich Ebert – me një karrierë në ngjitje nga një zejtar i thjeshtë në detyrën më të lartë shtetërore – bazuar në përvojën vetjake në politikë nxiti krijimin e një fondacioni me qëllimet në vijim:
Ofrimin e mbështetjes për formimin politik dhe shoqëror të njerëzve në të gjitha fushat e jetës, me frymën e demokracisë dhe pluralizmit, mundësimin e ndjekjes së studimeve në Universitet për të rinjtë, pavarësisht mundësive materiale të prindërve, duke i mbështetur me bursa, dhënia e kontributit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.FES, i ndaluar nga nacional socialistët në vitin 1933 dhe rithemeluar në vitin 1947, vijon ndjekjen e këtyre qëllimeve edhe në ditët e sotme nëpërmjet aktiviteteve të shumta. Si një institucion jofitimprurës, privat dhe kulturor ai angazhohet për idetë vlerat themelore të demokracisë sociale.

Qëllimet strategjike të FES janë:

Formësimi i një rendi të drejtë ekonomik dhe social
Fuqizimi i pjesëmarrjes politike dhe i bashkëpunimit shoqëror
Mbështetja për modernizimin e Demokracisë Sociale
Thellimi i dialogut midis sindikatave dhe politikës
Formësimi i globalizimit social

Të dhëna nga viti 2012
617 punonjëse dhe punonjës në godinat në Bon dhe Berlin, në Akademitë, në Zyrat e Landit dhe Zyrat rajonale si edhe jashtë shtetit
3.000 aktivitete arsimore, forume diskutimi, takime shkencore dhe ekspozita, me mbi 220.000 pjesëmarrëse dhe pjesëmarrës në Gjermani
107 zyra jashtë shtetit punojnë në mbështetje të demokracisë dhe drejtësisë sociale
Janë mbështetur 2.650 studentë dhe doktorantë, prej të cilëve 280 nga jashtë shtetit
970.000 vëllime në bibliotekën e madhe speciale me tema nga lëvizja punëtore në Gjermani dhe në mbarë botën

46.000 materiale me shkrim në arkivin tradicional më të pasur të të gjitha fondacioneve politike gjermane mbi historinë e socialdemokracisë, sindikatave, personaliteteve të tyre dhe lëvizjeve të tjera emancipatore.

_____________________________________________________________________

Historiku i veprimtarisë së FES-it në Shqipëri

Me fillimin e reformave në Shqipëri, Fondacioni “Friedrich Ebert“ hapi zyrën e tij në Tiranë në vitin 1991. Kjo ishte zyra e parë permanente që Fondacioni hapi në Ballkan. Në vitet e mëtejshme aktivitetet e Fondacionit u zgjeruan dhe deri më sot ato mbulojnë fusha të ndryshme.
Gjatë hartimit dhe implementimit të projekteve, Fondacioni „Friedrich Ebert“ i kushton vëmendje të veçantë çështjeve të barazisë gjinore dhe siguron një pjesëmarrje të lartë të grave.
Fondacioni përpiqet të arrijë objektivat e tij në konsultim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët e tij shqiptarë dhe rajonalë. Vetëkuptohet që linjat konkrete të projekteve dhe implementimi i tyre duhet të bazohen në përvojën e veçantë historike dhe politike në Shqipëri. Fondacioni „Friedrich Ebert“ nuk ka për qëllim të shesë modelin gjerman. Ne duam të shërbejmë si një moderator dhe lehtësues i ideve nga e gjithë Bota, në mënyrë që t’u sigurohen shqiptarëve sa më shumë zgjedhje që të jetë e mundur, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira dhe më të përshtatshme për Shqipërinë.
Fondacioni „Friedrich Ebert“ promovon idenë e Europes, e cila nuk është vetëm një zonë gjeografike, por edhe një tërësi vlerash bazuar në njohjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Ne besojmë në një shtëpi europiane me një çati, nën të cilën çdo individ i një rajoni, çdo rajon në një vend, dhe çdo vend në Europë mund të jetojë sipas kulturës dhe vlerave të veta.
Gjatë këtyre viteve në Shqipëri fondacioni „Friedrich Ebert“ me projektet e tij ka kontribuar në ndërtimin dhe qëndrueshmërinë e strukturave demokratike, zhvillimin e një kulture të demokracisë si edhe forcimi i shoqërisë civile.
Gjatë veprimtarisë se tij fondacioni me anë të bashkëpunimit me pushtetin lokal dhe institucionet përkatëse i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe pavarësisë së pushtetit vendor të pavarur i cili të mund ti ofrojë qytetarëve të tij shërbime sa më të mirë e më të dobishme.
Një qëllim tjetër i veprimtarisë së FES-it në Shqipëri, sic u përmend dhe më sipër, ka qenë dhe është forcimi i shoqërisë civile. Një rëndësi të veçan të iu është ku shtuar krijimit të mekanizmave për zgjidhjen e konflikteve, si dhe për të luftuar diskriminin e grave, si dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Me aktivitete të veçanta rëndësi i është dhënë edhe harmonisë dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri.
Në kuadër të këtij qëllimi me projektet e tij fondacioni ka kontribuar edhe në profesionalizimin e punës së medias, transparencës së saj si dhe ka synuar të kontribuojë në evidentimin dhe luftën e informalitetit në këtë fushë.
Një nga shtyllat kryesore të projekteve të fondacionit në Shqipëri kanë qenë dhe janë marrëdhëniet e punës duke u bazuar në parimet e dialogut social dhe tripartitizmit. Vëmendje të madhe ka pasur dhe gëzon ende forcimi i lëvizjes sindikaliste në Shqipëri, profesionalizimi dhe krijimi i kompetencave të brendshme në sindikatat shqiptare në mënyrë që ato të bëhen një aktor i rëndësishëm dhe të luajnë një rol më të madh në ndërmarrjen e reformave ekonomike dhe sociale në vend.
Promovimi i integrimit në BE dhe informimi i publikut mbi shanset dhe problematikën e aderimit në BE gjithashtu ka qenë një shtylle kryesore e projekteve kryesore të FES-it në Shqipëri. Me anë të aktiviteteve, botimeve, ekspertizave dhe konsulencave nga jashtë fondacioni ka kontribuar në krijimin e kapaciteteve brenda institucioneve shqiptare.

_____________________________________________________________________

Europa: Cili ishte reagimi Juaj i parë, kur dëgjuat, se do të shkonit në Shqipëri dhe cila ishte gjëja e parë që Ju preku kur mbërritët këtu?

Frank Hantke: Para se të filloja punën në Shqipëri unë kam drejtuar Zyrën e FES-it në Afganistan. Siç mund ta merrni me mend, kushtet e punës dhe të jetës atje ishin plotësisht të ndryshme nga Shqipëria. Kur mësova, se do të drejtoja Zyrën në Tiranë, u gëzova shumë. Sepse gjatë periudhës 2003 dhe 2009 unëkisha drejtuar një projekt rajonal të FES-it në Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilit ishte edhe Shqipëria. Pra unë e njihja disi vendin dhe njerëzit. Sigurisht që është diçka tjetër që të jetosh këtu për disa vite. Dhe ashtu siç veproj unë zakonisht, unë transferohem së bashku me familjen time për të jetuar tek vendi ku do të punoj, sepse vetëm kështu mund të depërtosh vërtet në shoqëri. Në këtë mënyrë unë mund të ndaj edhe me bashkëshorten time përvojat, të cilat janë shumë të ndryshme.
Ajo çka na ra në sy të dyve fillisht ishte fakti, që Shqipëria është një vend me një popullsi në moshë të re, kjo do të thotë, që na dukej sikur ndodheshim në një kampus universitar dhe jo në një kryeqytet europian. Përshtypja e parë ishte – siç ndodh përherë me europiano-perëndimorët – shumë pozitive. Vetëm pasi u ambientuam disi me jetën në Tiranë, filluam të perceptonim gjithnjë e më shumë një farë stresi në shoqëri, i cili në fillim nuk na kishte rënë fare në sy. Tani, pas më shumë se dy vitesh në Tiranë, mund të them se ky stres është shprehja e një shoqërie, e cila vazhdon të përjetojë ndryshime të thella dhe ndihet shumë e pasigurt. Dhe për këtë ka shumë arsye. Gjatë punës sime në Ballkanin Perëndimor unë nuk kam përjetuar asnjë vend me një model të tillë shoqëror, i cili përjeton ndryshime kaq të thella, si në Shqipëri. Qysh nga periudha e ndryshimeve politike vendi ka kaluar nga një vend me regjim të ashpër komunist dhe mjaft i izoluar në një model neo-liberal, i cili nuk përmban aspak struktura të përbashkëta dhe shoqërore, të cilat u japin njerëzve një farë sigurie për jetën e tyre. Nuk i besohet pothuajse askujt jashtë rrethit familjar dhe nuk mund të mbështetesh pothuasje aspak tek ndihma publike dhe sociale. E thënë shkurt, jeta për shumicën e njerëzve është bërë shumë e pasigurt dhe duket sikur gjithsecili kujdeset për vete, sepse nuk dihet se çfarë e pret të nesërmen. Unë besoj, se pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipëri kanë shumë dëshirë për të pasur shërbime dhe struktura publike, të cilat mund të ishin udhërrëfyesit dhe direktivat për një bashkëjetesë sociale.

Ju e mbështesni fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE. Duke qenë se vendi e ka marrë tashmë statusin evendit kandidat, si mendoni Ju, cilat janë sfidat më të vështira në Shqipërisë për të hedhuar hapat e tjerë në drejtim të fillimit të negociatave për anëtarësim?

– Fillimisht dëshiroj të shpreh kënaqësinë, që është hedhur hapi i parë në drejtim të anëtarësimit në BE! Sigurisht që ky ishte hapi më pak i vështirë, sepse dhënia e statusit kandidat është më tepër shprehja e besimit, se vendi mund t´i hedhë hapat e tjerë, shumë më të vështirë, drejt BE-së. Pra në një farë mënyre është shprehje paraprake e besimit të Bashkimit Europian. Tani Shqipëria duhet ta justifikojë këtë besim. Dhe duke qenë se këtu bëhet fjalë për shumë gjëra njëkohësisht, unë nuk dëshiroj të theksoj ndonjë prej tyre, sepse të gjitha sfidat apo zgjidhjet e tyre lidhen ngushtësisht me njëra-tjetrën. Nuk mund të arrihet rritja ekonomike, në rast se nuk ka një administratë funksionale. Dhe kjo administratë mund ta zhvillojë kompetencën e nevojshme për një periudhë afatgjatë, në rast se ajo mund të zhvillohet e pavarur nga varësia partiake. Kjo administratë mund të arrijë atje ku duhet vetëm me një drejtësi funksionale dhe të pavarur. Vendi dhe njerëzit vuajnë në përgjithësi nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, i cili e ushtron ndikimin e tij edhe në politikë. Por besimi tek drejtësia dhe ligji është gjithashtu një domosdoshmëri, ashtu si edhe një sistem arsimor dhe profesional i orientuar drejt së ardhmes. Dhe në këtë mënyrë mbyllet qarku, sepse një rini e arsimuar mirë do të mund t´i krijojë mundësitë vendit për lulëzimin e ekonomisë. Por të gjitha këto mund të bëhen realitet vetëm, nëse „të gjithë bashkëpunojnë“, do me thënë, duhet të gjenden patjetër rrugët e zgjidhjes së detyrave dhe problemeve me dialog dhe kompromis. Imagjinoni një varkë të vogël me rrema që ndodhet në det. Në varkë ndodhen 60 % e njerëzve, pjesa tjetër prej 40 % ndodhen mes valëve të larta të detit dhe natyrisht dëshirojnë të ngjiten në varkë. Në këtë situatë ndodhet aktualisht Shqipëria. Parimisht ekzistojnë dy alternativa: nga njëra anë njerëzit në varkë do të tentojnë t´i pengojnë ata në ujë që të ngjiten në varkë. Kjo kërkon shumë fuqi dhe mbetet pak forcë për t´u dhënë rremave. Nga ana tjetër mund të tentohej që të merreshin samë shumë njerëz në varkë, sepse në këtë mënyrë do të kishte shumë më tepër kapacitet për t´u dhënë rremave dhe varka mund të mbërrinte shumë më shpejt në ujëra më të qeta. Por kusht për këtë është, që në varkë të gjithë duhet të bien dakord për drejtimin e lëvizjes. Për ta thënë shkurt, unë besoj se të gjitha problemet e përmendura mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet dy kushteve themelore: nga njëra anë pavarësia e drejtësisë dhe e kontrollit – kjo nënkupton sigurisht edhe mediat -, nga ana tjetër një dialog politik dhe social, nëpërmjet të cilit mund të peshohen dhe balancohen interesa të ndryshme.

– Një temë e rëndësishme në punën e Fondacionit Friedrich-Ebert(FES) duket të jetë: rinia e vendit. Çfarë mund të na thoni për punën me të rinjtë – a japin të rinjtë shpresa për të ardhmen? Sa bashkëpunon rinia shqiptare me bashkëmoshatarët në rajon?

– Si ta them, këtë e theksova në pyetjen Tuaj të fundit. Shqipëria është një vend me moshë të re, sipas gjykimit tim ka potenciale të mëdha për t´u shndërruar në një shtet social funksional, por mungojnë dy gjëra. Nga njëra anë një rini, e cila beson tek vendi i vet dhe dëshiron të bëjë gjithçka për ta çuar atë në këtë rrugë, nga ana tjetër një ekonomi, e cila me gjithë fuqinë e mirëkualifikuar punëtore është në gjendje t´i shfrytëzojë realisht të gjitha potencialet. Këtu e kam fjalën për sektorë ekonomikë të rëndësishëm për të ardhmen, siç janë energjia e rinovueshme, turizmi i qëndrueshëm, një bujqësi dhe përpunim ushqimor efektiv etj.. Pra nga njëra anë ne kemi burime të mira njerëzore dhe nga ana tjetër potenciale ekonomike të mjaftueshme. Por deri tani nuk është bërë sa duhet për t´i bashkuar këto resurse me njëra-tjetrën – përkundrazi. Mbi 50 % të të rinjve nga shtresa të ndryshme arsimore dëshirojnë të largohen samë parë nga vendi, sepse ata nuk shikojnë mundësi zhvillimi për veten e tyre – ky ishte përfundimi i një studimi të FES-it. Nga ana tjetër investitorët –vendas dhe të huaj – ankohen se ata nuk gjejnë specialistë dhe për këtë arsye nuk afrohen apo investojnë në vende të tjera. Prandaj qëllimi i punës sonë me të rinjtë është që t´i afrojmë këta dy potenciale. Ne duam të bashkëpunojmë me të rinjtë, në mënyrë që interesat e tyre të përfaqësohen më fuqimisht. Kjo do të thotë, ne i mbështesim të rinjtë, që ata t´i perceptojnë në mënyrë aktive dhe kompetente interesat e tyre në politikë dhe shoqëri dhe të dalin nga letargjia e deritanishme e individëve. Nga ana tjetër ne duam ta bëjmë të qartë, që gjenerata aktuale e të rinjve është çelësi për suksesin ekonomik të vendit, sa kohë që ajo është e arsimuar mirë dhe drejt së ardhmes. Pra arsimi dhe perspektiva për të ardhmen nuk janë për të rinjtë vetëm një kërkesë sociale, por më shumë një instrument qëndror për politikat ekonomike! Po, unë natyrisht që shikoj arsye të mjaftueshme, që të rinjtë të kenë shpresë. Shumëprej tyre janë entuziastë për t´u angazhuar vetë për të ardhmen e tyre dhe na luten neve si edhe organizatave të tjera për ndihmë. Pra gjatë këtij bashkëpunimi bëhet fjalë jo vetëm për ta analizuar saktësisht situatën, por edhe për të hartuar bashkërisht skenare veprimi dhe për t´i realizuar ato së bashku në praktikë. Prej dy vitesh ne jemi duke organizuar me të rinjtë takime rajonale me grupime të tjera aktive të të rinjve nga shtet fqinje. Për këtë duhej që fillimisht të rrëzohej një mur i lartë paragjykimesh – dhe pas tij dolën në pah një sërë problemesh dhe interesash të përbashkëta – nga Greqia deri në Mal të Zi, nga Shqipëria në Kosovë deri në Maqedoni. Pas takimeve të para janë projektuar hapat për konkretizimin e bashkëpunimit. Por kjo mbetet ende në të ardhmen, sepse në muajt në vijim të rinjtë duhet të reflektojnë për këtë – sigurisht me mbështetjen tonë, aq sa ajo të konsiderohet e nevojshme.

Cili është mendimi Juaj i sinqertë, cili është ndikimi i FES-it në jetën politike dhe sociale në Shqipëri? Ku janë lënë gjurmë?

– Kur dhashë përgjigjen e fundit e përmenda, se si punon FES-i – jo vetëm në Shqipëri. Ne absolutisht nuk e konsiderojmë veten si organizatë donatore, por punojmë së bashku me organizatat partnere shqiptare për projekte dhe realizimin e tyre. Veprohet kështu, sepse asnjë organizatë e huaj nuk është e mandatuar që t´i ndryshojë gjërat në Shqipëri për llogari të saj. Të gjitha ndryshimet, përparimet etj. mund të arrihen nga vetë shqiptarët. Prandaj ne e japim ndihmën atje, ku ajo kërkohet, ose si urë midis grupeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Prandaj ne nuk synojmë që të vendosim gurët tanë miljarë dhe gëzohemi shumë më tepër kur miqtë dhe partnerët tanë shqiptarë arrijnë suksese të rëndësishme për vendin dhe njerëzit e tij në rrugën drejt një shoqërie sociale dhe demokratike. Nga ky këndvështrim ne krenohemi për punën tonë kur vlerësohemi si partnerë të ndershëm, mbështetës dhe kompetentë në vend. Dhe kjo përputhet me linjën e interesave tona, sepse interesi themelor i FES-it në Europë është dhënia e kontributit për një integrim të plotë në BE.

– A mund t´u jepni lexuesve tanë disa shpjegime për punën Tuaj aktuale, duke na folur për planet dhe idetë që mund të jenë interesante për zhvillimin e Shqipërisë?

– Unë fola për disa pika të rëndësishme, si p.sh. zhvillimi ekonomik dhe social i vendit, të cilin ne e mbështesim me aktivitetet tona. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Kështu, ne dëshirojmë që në bashkëpunim me Agjencinë Federale të Punës, me organizata rinore dhe punëdhënës të punojmë për një udhërrëfyes për këshillimin profesional, i cili – kështu shpresojmë – do të jetë ndihmë edhe për përmirësimin e vendimeve të tjera arsimore dhe të perspektivës në të ardhmen. Për këtë ne – si deri tani – do të angazhohemi me mundësitë tona për zgjerimin dhe përmirësimin e arsimit dhe formimit profesional. Së bashku me kontributin e rëndësishëm të partnerëve shqiptarë ne synojmë të marrim pjesë në diskutimin për implementimin e reformës territoriale, sepse ne besojmë, që në këtë mënyrë do të arrihet një kthesë e rëndësishme për më shumë demokraci nëpërmjet decentralizimit dhe njëkohësisht për më shumë zhvillim ekonomik nëpërmjet angazhimit të njerëzve në vend. Një projekt i madh më mbush me shumë kënaqësi, sepse ne ia kemi dalë mbanë, që për përmbushjen e një një detyre të përbashkët dhe afatgjatë të ulim së bashku disa prej Think Tanks-ave më të njohur. Hipoteza e punës që kemi shtruar ne është, që një shtet demokratik, social dhe i suksesshëm mund të arrihet, nëse ekziston një raport i mirë midis qytetarëve dhe shtetit. Ne të gjithë besojmë, se aktualisht ky raport nuk është edhe aq i mirë. E parë nga një këndvështrim tjetër, por me fokus tek e njëjta temë, ne synojmë që modelin social të Europës ta paraqesim edhe si vizion për Shqipërinë, e cila synon të arrijë samë shpejt standardet europiane – dhe pjesëe kësaj janë edhe standardet minimale demokratike dhe sociale. Fillimisht ne kemi tentuar që nëpërmjet anketimeve të shumta të hulumtojmë gjendjen aktuale të këtij raporti. Ne kemi intervistuar qytetarë, kemi folur me qindra nëpunës të administratës dhe kemi pyetur gjithashtu edhe shumë anëtarë të partive politike. Ende nuk mund të shprehem për rezultatet, të cilat do t´ia prezantojmë publikut në muajin tetor ose nëntor. Por më i rëndësishëm se analiza do të jetë për ne skicimi i veprimeve të mëtejshme, që do t´i afrojnë më shumë qytetarët dhe shtetin, do të rrisin besimin e ndërsjelltë dhe në këtë mënyrë do të japin më shumë forcë dhe mbeshtetje për zhvillimin e vendit. Sepse ky është një kusht per integrimin e vendit në BE dhe ky integrim duhet të jetë rezultat i zhvillimit të vendit – dhe jo anasjelltas. Prandaj ne shpresojmë, se në të ardhmen së bashku me kontributin e gjerë të shoqërisë shqiptare do të arrin përparime të rëndësishme. Në rast se kjo do të arrihet vitet e ardhshme, atëherë ky sigurisht që do të ishte një sukses i bukur për të gjithë partnerët tanë në vend.

_____________________________________________________________________
Modeli Social Evropian si vlerë evropiane

Modeli Social Evropian (MSE) përkufizohet si një bashkësi politikash që u ofrojnë qytetarëve rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, standarde të larta të jetesës dhe kushte pune të përshtatshme. Megjithëse nuk ka një model unik të MSE – vende të ndryshme përdorin një gamë të ndryshme të karakteristikave të MSE – të gjitha modelet përmbajnë në shkallë të ndryshme komponentët e punësimit të plotë, mbrojtjen sociale universale, përfshirjen sociale dhe një demokraci funksionale. MSE është guri i themelit i modelit shoqëror Evropian pas Luftës së Dytë Botërore duke qenë dhe tipari kryesor i shtetit të mirëqenies (welfare state).
Kriza botërore që filloi në 2008, duke ndikuar në rritjen ekonomike dhe në reduktimin e të hyrave buxhetore preku dhe shpenzimet për politika sociale të vendeve të BE-së. Ky fenomen u transmetua menjëherë në përkeqësimin e mirëqenies së shtresave jo të favorizuara të popullatës. Vendet evropiane në kuadrin e ristrukturimit buxhetor dhe fiskal (Greqia, Spanja dhe Portugalia) aplikuan masa drastike për uljen e kostos së punës nëpërmjet uljes së rrogave, shoqëruar me uljen e numrit të të punësuarve në sektorin publik. Nën presion, sistemet e mbrojtjes sociale po ofrojnë gjithnjë e më pak mbështetje për popullsinë në nevojë dhe kanë vështirësuar qasjen e qytetarëve si në skemat e përfitimeve sociale (p.sh për papunësinë) ashtu dhe në ato universale (ndihma për fëmijët, strehimi, shëndeti, etj). Shkalla e lartë e papunësisë ka justifikuar reforma drastike të tregut të punës duke rritur fleksibilitetin kryesisht nëpërmjet zbutjes së rregullave mbi marrjen në punë dhe shkëputjen nga puna. Kjo situatë ka rezultuar në një pasiguri në rritje të të punësuarve mbi vendin e tyre të punës.
Po ashtu në një optikë afatgjatë globalizimi vazhdon të ushtrojë presion mbi nivelin e rrogave të punëtorëve evropiane si dhe mbi numrin e vendeve të punës në ofertë. Funksionimi optimal i shtetit të mirëqenies në Evrope dhe i vete MSE, është vënë nën presion.

Shteti i mirëqenies në Shqipëri dhe demokracia funksionale

Në Shqipëri rënia e komunizmit dhe vendosja e demokracisë dhe sundimit të ligjit, përkoi me suksesin në shkallë botërore të doktrinës neo-liberale në organizimin e shoqërisë dhe të ekonomisë. Çka kishte rëndësi atë botë ishte liria ekonomike në një ekonomi tregu. Politikat e mirëqenies nuk përbënin shqetësimet kryesore të politikanëve të asaj kohe, dhe fokusoheshin kryesisht në lehtësimin e varfërisë dhe në uljen e përjashtimit social. Instrumenti kryesor i politikave sociale në Shqipëri dhe sot e kësaj dite ka mbetur shërbimi social.
Por shteti i mirëqenies ka një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin dhe ofrimin e të drejtave bazike politike, qytetare, ekonomike, sociale dhe kulturore. Vlerat bazë të demokracisë sociale janë liria, drejtësia dhe solidariteti. Të tria formojnë vetë themelin e shtetit të mirëqenies. Barazia në lidhje me dinjitetin, respektin dhe aftësinë për të qenë i zoti i vetes janë parakushte për funksionimin e demokracisë. Pa ushqim, pa strehim, pa kujdes shëndetësor, pa shërbime qytetare bazë, një liri individuale formale nuk ka vlera. Shteti i mirëqenies ofron mundësinë për të krijuar kushtet e arritjes dhe përkryerjes se lirisë individuale dhe të demokracisë.
Për të qene funksionale, demokracia ka nevoje për garanci materiale dhe jo-materiale që kalojnë përtej nevojave bazë të qytetarit. Për shembull, shkalla e pjesëmarrjes politike të qytetarëve – shkalla e pjesëmarrjes në zgjedhje, implikimi në jetën e partive politike, pjesëmarrja në manifestime qytetare, dhe forma të tjera të aktiviteteve politike – janë të lidhura me sigurinë e qytetarit dhe mirëqenien e tij. Demokracia nuk nënkupton vetëm ekzistencën dhe garantimin formal të të drejtave dhe lirive qytetare, të zgjedhjeve politike dhe të gjykatave të pavarura, por dhe implikimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën sociale dhe politike.

_____________________________________________________________________

Friedrich Ebert Stiftung dhe shoqëria civile mbi MSE në Shqipëri

Sidoqoftë në kuadrin e krizës aktuale, shtrohet pyetja nëse MSE dhe shteti i mirëqenies ka një të ardhme në Evropë dhe a është ky një model i përshtatshëm për Shqipërinë? N.q.s po, si mund të aplikohet në vendin tonë duke marrë parasysh karakteristikat e stadit të zhvillimit të Shqipërisë? Këto pyetje u ngritën gjatë takimit të organizuar nga FES Tirana në 18 Dhjetor 2013.
Ndërsa të gjithë pjesëmarrësit konfirmuan rëndësinë e reformave sociale sidomos në kohë krize, vëmendja u përqendrua në veçoritë e kontekstit shqiptar. Karakteristikat kryesore të MSE – punësimi total, mbrojtja sociale universale, përfshirja sociale dhe demokracia funksionale – u analizuan për të identifikuar qasjen me efiçiente drejt një plani aksioni. Duke marrë parasysh situatën ekonomike dhe sociale të vendit si dhe stadin e avancimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ashtu si dhe profilin dhe kapacitetin njerëzor dhe financiar të organizatave pjesëmarrëse, u vendos të fillohej me komponentin e demokracisë.

_____________________________________________________________________

Fushat e kërkimit dhe aktivitetet

Bazuar në sa më sipër, u përcaktuan tre tema kërkimi: IDM do të fokusohej në studimin mbi “Perceptimi Administratës Publike mbi marrëdhëniet Shtet / Qytetar”; AIIS mori përsipër të studiojë se si arkitektura e tanishme e institucioneve demokratike në Shqipëri, ndikon në qëndrimin e qytetarëve mbi çështjet e demokracisë, të ekonomisë së tregut, të mundësive të barabarta, të mbrojtjes sociale dhe të solidaritetit. Si e këqyrin qytetarët shtetin e mirëqenies? Ndërsa CDI/Shteti Web ndërmori të studionte demokracinë e brendshme të partive politike kryesore shqiptare në dy faza. Në fazën e parë do të analizohej konfigurimi i brendshëm i formacioneve politike sipas statutit dhe rregullave të brendshëm krahasuar me partitë simotra në Evropë. Në fazën e dytë do të këqyrej në terren nëpërmjet një vrojtimi tek anëtarët e partisë, të aplikimit në realitet të normave demokratike të shkruara në statut. Krijimi i një platforme ndërveprimi me opinionin publik me qëllim ndarjen e rezultateve të tre studimeve të mësipërme dhe jo vetëm, do të realizohen nga ACFR nëpërmjet debateve publike, ato televizive si dhe leksioneve të hapura në universitete dhe shkolla.

Bashkëpunim i mbështetur mbi solidaritet si një nga risitë e projektit

Për herë të parë në Shqipëri, në një projekt të shoqërisë civile, FES Tirana aplikoi një model pune me shumë partnerë bazuar në transparencë dhe bashkëpunim në të gjitha hapat. Eliminimi i fazës së tenderimit në zgjedhjen e partnerëve dhe vendosja e marrëdhënieve transparente dhe të bazuara në profesionalizëm dhe mirëbesim, ndikoi në mënyrë eksponenciale në angazhimin e partnerëve në aktivitet, në krijimin e një klime bashkëpunimi dhe kontributi të të gjithë partnerëve në krijimin e sinergjive dhe në pasurimin e ndërsjelltë të rezultateve. Për të theksuar rëndësinë dhe rolin e pazëvendësueshëm të bashkëpunimit dhe të besimit tek partnerët dhe kolegët në trajtimin e problemeve komplekse, FES Tirana zgjodhi një metodë pune të bazuar në solidaritet dhe ja doli me sukses.

Rezultatet e deritanishme, sfidat dhe hapat e ardhshëm

Gjatë fazës së vrojtimit statistikor, IDM intervistoi 1,600 zyrtarë të punësuar në nivelin lokal dhe qëndror, nga të cilët 1,352 pranuan të mbushin pyetësorin. AIIS intervistoi 1,200 individë përfaqësues të popullatës së vendit për nga gjinia, mosha, shkollimi, shtrirja gjeografike etj. CDI analizoi statutet e tre partive politike me të mëdha shqiptare dhe të akteve plotësuese, si dhe intervistoi 300 anëtarë partie të baras-ndarë për çdo parti, për çdo qark si dhe duke respektuar ndarjen anëtar asambleje dhe anëtar i thjeshtë. Raportet e ndërmjetme të organizatave të mësipërme janë ndarë me të gjithë anëtarët e grupit punues për ti pasuruar me vërejtjet dhe sugjerimet e ndërsjellta.
Ndër sfidat kryesore IDM paraqiti hezitimet e hasura gjatë kontakteve dhe intervistave me zyrtarët publikë për sa i përket ndikimit në karrierën e tyre të pjesëmarrjes në këtë vrojtim. CDI nënvizoi vështirësitë e identifikimit të dokumenteve të brendshme të partive politike, problemet me identifikimin dhe pranimin e anëtareve të partive (metoda statistikore e vrojtimit u zgjodh “vrojtimi i qëllimshëm” – purposive sampling dhe anëtarët u zgjodhën përmes metodës së “ortekut” (snowballing). Si do qoftë të gjitha këto sfida u tejkaluan me sukses.
Punimet finale të të tre organizatave do të publikohen në tetor ku dhe do të shoqërohen me prezantime në konferencat e planifikuara në disa qytete të vendit.

_____________________________________________________________________

Për një politikë lokale në funksion të zhvillimit të vendit

Qeverisjet vendore gjatë dy dekadave të fundit kanë evoluar duke u bërë një pjesë e rëndësishme e hartimit dhe zbatimit të politikave publike në vend. Gjithnjë e më shumë përfaqësues të rëndësishëm të politikës janë bërë pjesë e angazhimeve për tu zgjedhur në nivele lokale të përfaqësimit publik. Në këtë kuadër Friedrich Ebert Foundation në bashkëpunim me Institutin për Politika Publike dhe Private ka krijuar një model të ri të mbështetjes në 12 bashki në Shqipëri qysh në përfundim të zgjedhjeve vendore të 2011 sipas programit “Providing consultancy in local governance” për një periudhe 3 vjeçare. Një qasje e re e të asistuarit të bashkive nëpërmjet field-visit u aplikua duke krijuar:
• Një model të ri të strukturës administrative e cila u bë pjesë e menaxhimit të bashkive duke krijuar një kulturë të re të shërbimit ndaj qytetarëve por edhe të efiçiencës për një menaxhim më të mirë të resurseve humane dhe financiare të qyteteve,
• Një politikë të re fiskale lokale të kontributeve të qytetarëve dhe të shpenzimeve lokale në funksion të një marrëdhënie të re të bashkisë me qytetarët duke sjellë një vetëdije të rritur mbi detyrimet qytetare por edhe një përgjegjshmëri më të lartë për përdorimin e tyre në rritjen e cilësisë së shërbimeve lokale dhe të investimeve publike,
• Një koncept të ri buxhetimi jo vetëm në balancimin e të ardhurave dhe shpenzimeve publike brenda një viti por si një plan strategjik afat-mesëm me shtyllat kryesore për një planifikim afatgjatë. Për herë të parë u hartuan programet buxhetore afatmesme si një plan konkret pune për të gjitha departamentet e bashkive. Një qasje e re e buxhetimit me pjesëmarrje deri në organizimin edhe të dëgjesave publike u inicua duke krijuar një model të ri të hartimit por edhe të zbatimit të programit më të rëndësishëm buxhetor vjetor të një bashkie. Kryetarët e bashkive përpara komunitetit prezantuan por edhe shpjeguan punën dhe perspektivën e zhvillimit në planet financiare të qyteteve të tyre.
• Një mënyrë e re e të komunikuarit me organin legjislativ të bashkisë duke e bërë atë pjesë të debateve dhe diskutimeve me komunitetin për programet kryesore të qytetit.
• Programe të veçanta për rininë dhe gruan në Bashkitë e Burrelit dhe Patosit.
Duke pasur parasysh se sfida e zhvillimeve të sotme ekonomike është e lidhur me integrimin e politikave publike për të adresuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit, një manual mbi impaktin e reformës territoriale në këto zhvillime është realizuar, duke e parë këtë impakt si një harmonizim i çdo politike publike në krijimin e sinergjive të duhura për të maksimizuar potencialet e zhvillimit të vendit me një impakt pozitiv në rritjen ekonomike.
Nga analiza në këtë manual rezulton se njësitë e vogla të pushtetit vendor janë shpesh ekonomikisht të paqëndrueshme. Me reformën administrative territoriale do të rritet efiçienca, efikasitetiti dhe do të përmirësohet cilësia dhe aksesi i qytetarëve në shërbimet publike vendore; do të rriten burimet financiare dhe asetet për qeveritë vendore; si dhe do të përmirësohen mekanizmat e demokracisë përfaqësuese dhe do të fuqizohen instrumentat e demokracisë direkte.
Stuktura e sotme e sistemit publik, e fragmentuar në masën më të madhe të saj të territorit në nivelin e parë të qeverisjes vendore ka minimizuar potencialet për të rritur kërkesën ekonomike, e cila kërkon një adresim vendor në ofrimin e ofertës publike që zhvillohet nëpërmjet planeve të zhvillimit në masën më të madhe në nivelet vendore.
Rezulton se territori është zhvilluar nga nevoja për zhvillim, si rezultat i kërkesës për strehim apo punësim i njerëzve dhe bizneseve pa qenë pjesë e planeve ekonomike të zhvillimit, duke krijuar realitete të cilat nuk rezultojnë në një shfrytëzim maksimal të territorit dhe të resurseve, qoftë resurse humane por edhe kapitale financiare. Pamundësia e shtetit dhe sidomos e qeverisjes vendore në nivelin e parë për ta konturuar këtë energji të iniciativës humane si pjesë e planeve të zhvillimit ekonomik dhe social ka krijuar një realitet “informal” (në kuptimin administrativ), i cili ka nevojë të konturohet si pjesë e mundësisë për tu zhvilluar atje ku potenciali territorial ekziston. Reforma territoriale do ta mundesojë përdorimin maksimal të resurseve humane dhe natyrore në menyrë efiçiente.
Në muajt në vijim do të organizohen 5 evente publike me shoqërinë civile, komunitetet vendore, qeverisjet vendore, aktorët e interesit jo vetëm për një kuptim më të mirë dhe të qartë të sistemit të ri të bashkive në nivelin e parë të qeverisjes vendore por edhe për të marrë mendimet e para rreth mënyrës së organizimit të bashkive në një territor më të madh dhe ofrimin e shërbimeve deri tek qytetari më i skajshëm.
Reforma në nivelin e parë të vet-qeverisjes, pozon nevojën për një diskutim mbi decentralizimin dhe autonominë vendore në nivelin rajonal dhe lokal I cili do të shpaloset në eventet publike që do të zhvillohen me qëllim krijimin e ideve të para lidhur me këtë proces që është në hartim e sipër nga Qeveria dhe Parlamenti duke përthithur jo vetëm mendimet e tyre por duke mundësuar edhe pjesëmarrjen e tyre në krijimin e një modeli të ri të qeverisurit në nivelin vendor dhe forcimin e demokracisë lokale.

_____________________________________________________________________

Në realitetin shqiptar, një kongres rinor

Brezi i prindërve të mij të cilët kanë lindur në komunizëm, duke patur për mission që të edukonte brezin tim, brezin e fëmijëve të tyre, ia doli në krye jo vetëm me shumë pasion, por edhe me sakrifica. Ata na edukuan me shumë passion, që ne ta shihnim demokracinë si sistemin më të mirë në histori. Për ta, demokracia ishte Mesia që solli lirinë e mendimit, pluralizmin, lirinë ekonomike dhe lirinë e zgjedhjes. Brezi im, i cili është lindur në vitet e para të tranzicionit, pra nga 1989, 1990, 1991, pati mundësinë të ishte dëshmitar ocular gëzimin e njerëzve të cilët ishin më në fund të liruar prej zinxhirëve të së kaluarës. Sidoqoftë, jo gjithçka ishte kaq e bukur san ë këtë përshkrim të ngushtë. Teksa rritej, gjenerata ime e kuptoi se demokracia nuk ishte parajsa. Neve na është dashur të ecim përmes një shoqërie e cila ndryshonte nga muaji në muaj. Njerëzit shkonin e vinin si emigrant ilegalë në Europë, Sh.B.A, e kudo tjetër. Kishte njerëz që bëheshin milionerë Brenda natës, dhe të tjerë që varfëroheshin ditë pas dite. Probleme me sistemin shëndetësor, korrupsionin në gjykata, arsimimi i vjetëruar dhe një klasë politike tejet neglizhente.
Për mua si adoleshent, e gjitha kjo ishte patjetër një makth. Kur hyra në gjimnaz, u njoha për herë të parë me parlamentin rinor, me klubin e debatit, me lëvizjen “Mjaft”, dhe me grupe të tjera rinore të cilat më njohën me jetën publike dhe shoqërinë civile në miniaturë. Që prej asaj kohe, të ndihmoj dhe sfidoj demokracinë, ka qenë një dimension i rëndësishëm në jetën time. Që prej asaj kohe, kam mundur të kontribuoj si vullnetar apo të organizoj dhe marr pjesë në një numër të madh aksionesh publike nëpër OJF, dhe iniciativa të tjera qytetare. Pasi mora një bursë studimi në Universitetin Europian të Tiranës, pata mundësinë që ta zgjeroja edhe më shumë rrjetin tim të aktivistëve. Në një prej ditëve intensive të prillit 2013, unë shkova të përfaqësoja jetën studentore të UET në një asamble të quajtur Kongresi Rinor Kombëtar. Ky kongres, ishte një iniciativë e Friedrich Ebert Foundation në Tiranë, mbështetur edhe nga Olof Palme Centre. Unë isha shumë i lumtur që shihja bashkë miq dhe kolege prej rreth 30 OJF-ve dhe forumeve rinore të partive politike, nga e gjithë Shqipëria. Ishte një ngjarje që ma shtoi frymëzimin. Ky ishte grumbullimi më i madh që kishte ndodhur, që kur unë kisha marrë pjesë në shoqërinë civile active. Eventi na dha mundësinë që të shprehnim hapur mendimet tona dhe të flisnim me njëri – tjetrin për gjëra që secili prej nesh i konsideronte të rëndësishme për jetën e të rinjve në Shqipëri. Diskutimet ishin të gjalla dhe i konverguan të gjitha debatet tek tre çështje kryesore: – Problemet e një sistemi të vjetëruar arsimor i cili as nuk është i orientuar kah tregu i punës; – Mospërfshirja e të rinjve në jetën politike; – dhe mungesa e jetës social-kulturore në qytete të tjera jashtë kryeqytetit.
Këto përfundime u pranuan si baza e përbashkët e punës për të gjithë ne aktivistët, dhe të gjithë bashkë pranuam të zgjidhnim disa prej nesh që të punonin më nga afër me këto çështje, dhe të përfaqësonin të gjithë kongresin. Ky grup prej 18 vetash, u zgjodh aty për aty me votim të hapur. Pas kësaj dite, unë nisa të mendoja për një grup të fuqishëm idealistësh të cilët do ta rigjallëronin shpirtin e shoqërisë civile të këtij vendi. Ne nisëm të takoheshim si grup për që prej fillimit kuptuam që do të hasnim vështirësi: 4 prej të 18-ëve nuk erdhën asnjëherë, 4 të tjerë punonin gjithë ditën dhe nuk ishin të gatshëm për asnjë përgjegjësi dhe 4 të tjerë jetonin jashtë kryeqytetit. Kështu që mbetëm 6 persona vetëm, të cilët mund të punonim më intensivisht. Sigurisht që përpara se të punonim publikisht, neve do të na duhej të bëheshim një grup prej vërteti. Një grup miqsh më shumë sesa kolegësh dhe një grup ekspertësh për gjërat për të cilat do të flisnim në public. Kështu, nga maji e deri në tetor 2013, ne patëm mundësinë që të merrnim disa trainime për t’u aftësuar në të folurën në publik, organizim dhe menaxhim, lobim dhe advokim, sistemi dual gjerman i arsimimit, etj. E megjithatë, sikurse e përmenda, ne nuk mundëm kurrë të mblidheshim si një Grup Pune i plotë. Gjatë nëntorit dhe dhjetorit ne provuam që të riorganizoheshim kështu që u ulëm dhe punuam për të ndërtuar një strukturë të qendrueshme për kongresin që t’ua bënim gati pasardhësve tanë.
Duke patur parasysh se Kongresi i dytë po afrohej, ne punuam për të realizuar një mjedis sa më të mirë për këtë gjë. Më në fund në mars 2014 ne mundëm të organizonim Kongresin Rinor Kombëtar 2, i cili rezultoi të ishte i suksesshëm. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, na njohu si partnerët e saj zyrtarë mbi çështjet rinore dhe që prej asaj kohe ne kemi patur takime me stafin e tyre për t’i raportuar njëri-tjetrit zhvillimet më të fundit të proçeseve rinore.
Tani, ne kemi mundur të zgjedhim një grup prej 5 vetave, një president, një drejtor ekzekutiv dhe një sërë përgjegjësish të tjera. Ne presim të shohim një reormë reale në sistemin arsimor, dhe një treg pune miqësor ndaj të rinjve i cili inkurajonzhvillimin e aftësive profesionale. Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrjen politike është e rëndësishme dhe prandaj ne planifikojmë të lobojmë pranë partive kryesore për përfshirjen e të rinjve në strukturat e tyre drejtuese dhe listat zgjedhore. Ne shpresojmë që veprimet tona të sotme të përmirësojnë sadopak realitetin e shoqërisë shqiptare dhe sidomos të të rinjve, dhe po punojmë me dedikim për t’ia arritur.

_____________________________________________________________________

Bashkëpunimi i FES me sindikatat

Kur filluam të bashkëpunojmë me Fondacionin FES, ne ishim sindikata të brishta. Vinim nga një sistem diktatorial, ku sindikatat nuk kishin luajtur asnjëherë rolin e përfaqësuesve të punëtorëve.
Tashmë ky bashkëpunim është një proces që ka shumë vite që ndikon pozitivisht në demokracinë shqiptare. Bashkëpunimi me sindikatat, si hallka të demokracisë, por në të njëjtën kohë si organizata punëtorësh, që aspirojnë drejt perëndimit e ka bërë FES-in një organizëm të domosdoshëm dhe në të njëjtën kohë të respektueshëm për sindikatat.
FES, ka arritur të njohë, të analizojë dhe të përçojë në shoqërinë shqiptare me të mirat dhe mangësitë e saj dhe pikërisht këtu qëndron sekreti i suksesit të këtij fondacioni në vendin tonë.
FES ka arritur të trajnojë e perfeksionojë qindra drejtues të strukturave sindikaliste, por edhe aktivistë të bazës. Ka përçuar përvojën e sindikatave të përparuara, ka dhënë koncepte bashkëkohore mbi funksionimin e sindikatave si një partner social i rëndësishëm në botën e punës. Pas trajnimeve të FES-it, sindikatat shqiptare e kanë luajtur më mirë rolin e tyre si partnerë socialë dhe aktorë të dialogut social në Shqipëri. Ka qenë këmbëngulja e FES nëpërmjet trajnimeve dhe dhënies së metodave të sindikatave perëndimore për të ndërgjegjësuar sindikatat shqiptare për rolin e pakontestueshëm të dialogut social, për ta kthyer atë në mjet të fuqishëm në duart e organizatave sindikale.
Ekspertizat e bëra nga FES për lëvizjen sindikaliste në Shqipëri dhe orientimet e dhëna prej tij kanë ndryshuar metodën dhe stilin në punë, sidomos në marrëdhëniet me partnerët tanë socialë, punëdhënësit. Nëpërmjet trajnimeve të FES, ne kemi arritur të kemi negociatorë të aftë e të suksesshëm në hartimin, negocimin e më pas në implementimin e kontratave kolektive të punës, sepse FES ka ndikuar në përgatitjen e përfaqësuesve të punëtorëve , në pajisjen e tyre me një kulturë ligjore duke dhënë orientime shumë të nevojshme, sidomos në fazat e para të bashkëpunimit, lidhur me dialogun social si instrumenti më i rëndësishëm i punës së sindikatës.
Përzgjedhja e tematikave të trajnimit të sindikatave e konsultuar me ekspertë të FES-it ka bërë që sindikatat të orientohen drejt asaj çka i duhet për mirëvajtjen dhe zgjidhjen e problemeve sociale në Shqipëri, në kritikat dhe propozimet për ndryshime ligjore në favor të punëtorëve. por edhe përgatitjen e sindikatave për përballimin e mjaft sfidave, me të cilat duhet të ndeshen në veprimtarinë e tyre të përditshme.
Pozitivisht kanë ndikuar në formimin sindikalist temat mbi rolin e sindikatës për minimizimin e punës informale, si një burim që shton edhe radhët e anëtarësisë në sindikatë, por edhe si një nevojë për përfitimet, që u jep Kodi i Punës dhe legjislacioni i punës në përgjithësi atyre, që ushtrojnë këtë lloj veprimtarie. Karta sociale europiane dhe benifitet në fushën e të drejtave ka qenë një tjetër këmbëngulje e FES për t’u njohur e përvetësuar nga sindikalistët shqiptarë.
Shumë e rëndësishme është puna e bërë me lektorët e konfederatave duke ngritur një strukturë sindikaliste të mirinformuar, përgatitur dhe perfeksionuar, të gatshme për realizimin e trajnimeve që do t’i nevojiten strukturave sindikaliste në Shqipëri.
Pa hezitim mund të thuash se ky bashkëpunim ka sjellë kontigjente aktivistësh të përgatitur, të cilët luajnë në organizatat e tyre rolin e transmetuesit të njohurive të marra në trajnime dhe janë shndërruar në organizatorë dhe nxitës të debatit konstruktiv për shumë probleme, që shtrohen për zgjidhje në sindikatat shqiptare e sidomos atyre të bazës.
Lidershipi sindikalist është orientuar për politika sociale dhe strategji zhvillimi jo vetëm brenda sindikatës, por edhe në debatin me përfaqësues të qeverisë duke marrë përsipër detyra dhe duke ndihmuar në zgjidhjen e situatave në favor të punëtorëve.
Bashkëpunimi me FES ka sjellë edhe një bashkëpunim të frytshëm edhe me shoqërinë civile, duke ndërmarrë aksione të përbashkëta, që kanë sjellë zgjerimin e fushës së veprimtarisë së sindikatës, si në rastin e ligjit të Barazisë Gjinore, kundër diskriminimit të gruas dhe të rejave në vendin e punës. Ka sjellë bashkëpunimin rinor në një luftë të përbashkët të tyre për punë e paga të denja. Ky bashkëpunim ka sjellë një risi që sindikatat më parë nuk e kishin menduar, që është shfrytëzimi i resurseve ekzistuese siç është rinia studentore dhe angazhimi i saj nën moton: “nesër pas bankave të shkollës do të jetë anëtar i sindikatës”.
Një vlerë e pokontestueshme kanë qenë edhe botimet e bëra nga FES që janë shfrytëzuar nga sindikatat për të reformuar dhe ristrukturuar veprimtarinë e tyre në favor të plotësimit të nevojave të punëtorëve.
Falënderojmë FES për ato çka bëri për ne!

_____________________________________________________________________

Loja simuluese mbi politikën vendore në Shqipëri

Friedrich Ebert ka thënë: “Demokracisë i nevojiten demokratë“. Është fakt i mirënjohur që politikanët i shohin të rinjtë si të painteresuar e të paangazhuar, ndërsa të rinjtë ankohen për mungesën e mundësive për t’u përfshirë, kontribuar dhe bashkëpunuar me politikëbërësit. Ky model mos-bashkëpunimi është më i prekshëm dhe më i spikatur në rastin e politikës vendore, në realitetet lokale ku mungojnë mekanizmat e konsultimit, këshillimit dhe dialogut mes politikbërësve dhe grupeve të interesit. Secila palë qëndron në kufinjtë e vetë, me mendimet dhe perceptimet saj, pa ndërmarrë veprime për të thyer këto steriotipe. Ende në Shqipëri mungojnë modele të ndërveprimeve mes aktorëve lokalë apo dhe të aplikimit të praktikave të mira të proceseve demokratike vendimmarrëse.

Loja simuluese: Instrument i Fondacionit Friedrich-Ebert në mbështetje të rinisë

FES krijoi në vitin 1998 “Lojën simuluese mbi politikën vendore: Pa rini nuk ka shtet” me qëllim zgjimin dhe simulimin e interesit të rinisë për politikën vendore dhe krijimin e mekanizmave të dialogut dhe bashkëpunimit midis aktorëve lokalë. Loja parashikon angazhimin e plotë të të rinjve për të hyrë në rolin e këshilltarëve vendor, duke sjellë argumenta për çështje me interes publik. Ajo kultivon e stimulon metoda të dialogut konstruktiv mes përfaqësuesve të grupimeve të ndryshme politike.
Në vitin 2010 FES Tirana konsideroi përshtatjen dhe aplikimin e kësaj loje simuluese në Shqipëri duke pas parasysh klimën e polarizuar politike në nivel qendror e vendor, mungesën e dialogut konstruktiv dhe besimit midis aktorëve.
Zbatimi i Lojës simuluese mbi politikën vendore në Shqipëri

Training of trainers
Zbatimi i lojës simuluese mbi politikën vendore filloi me trajnimin e trajnerëve, dhe në bashkëpunim me një numër organizatash joqeveritare u krijua grupi i trajnerëve potencial- 13 te rinj (9 femra/4 meshkuj) u trajnuan për të drejtuar lojën simuluese.
Gjatë trajnimit të rinjtë krijuan një kuptim të plotë mbi funksionimin e pushtetit vendor në Shqipëri si edhe një ide të qartë mbi zhvillimin e lojës simuluese. Trajnimi u kombinua me metoda dhe elementë praktik ndëraktiv, referate me karta dhe punë në grup. Të rinjtë patën mundësi të përfshiheshin dhe të zbulonin kreativitetin dhe potencialin e tyre si edhe të përmirësonin aftësitë komunikuese dhe argumentuese.

Realizimi i lojës simuluese
Loja simuluese realizohet në katër faza: faza e parë synon një prezantim rreth qëllimit dhe kuptimit të lojës, një hyrje në politikën vendore, si edhe funksionimin aktual të bashkisë respektive; gjatë fazës së dytë të rinjtë të ndarë në grupe politike përpilojnë me ndihmën e këshilltarëve të ‘vërtetë’ kërkesat dhe propozimet për mbledhjen e tyre të simuluar; gjatë fazës së tretë të rinjtë marrin pjesë në një mbledhje reale të këshillit bashkiak/komunal, ku paraprakisht u shpjegohen rregullat e institucionit, rendi i ditës; faza e katërt konsiston në mbledhjen e simuluar, e cila është e hapur dhe miq, të afërm apo mësues të të rinjve bashkohen në këtë ngjarje

Reflektime mbi realizimin e lojës simuluese
Loja simuluese u drejtohet kryesisht të rinjve, por përfitues të saj kanë qenë të gjithë aktorët lokale në mënyrë direkte apo indirekte.
Të rinjtë përfituan njohuri mbi pushtetin vendor, rolin dhe funksionet e tij, ata ndryshuan ndjenjat dhe perceptimet ndaj politikanëve dhe realitetit në nivel lokal si edhe qëndrimet dhe sjelljen ndaj tyre dhe problemeve të komunitetit.
Albana Kulari, trajnere e FES, tregon se gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, maj 2011, “Grupi i të rinjve të trajnuar u dëgjua me seriozitet dhe nënshkroi një kontratë sociale për zgjidhjen e disa shqetësimeve të komunitetit me të dy kandidatët për kryetar në bashkinë e Fierit”.
Kjo lojë shërbeu si një stimul për një marëdhënie besimi, mirëkuptimi dhe të qëndrueshme mes pushtetit vendor dhe rinisë. Një anëtare e këshillit bashkiak Fier thotë që “është e vlefshme të organizohen më shumë takime të tilla me të rinjtë. Kjo do të forcojë lidhjet pushtet vendor-të rinj dhe në mënyrë reciproke do të ndihmojë në zgjidhjen më të mirë të shumë problemeve”.
Loja simuluese ndikoi në gjallërimin e jetës së të rinjve, veçanërisht në qytete të vogla dhe më pak të zhvilluara.
Loja simuluese nuk favorizon promovimin e ngjyrave të caktuara politike (shumë prej të rinjve vijnë me një background të caktuar politik dhe synojnë ta përdorin lojën për të promovuar ngjyrat e tyre politike) por në mënyre konstruktive zhvilloi aftesitë komunikuese dhe kuptimin e politikës vendore.

Lessons learned
Vlera dhe ndikimi i lojës simuluese mbi politikën vendore është më i madh në qytete të vogla. Ndërgjegjësimi dhe tranformimi i të rinjve në këto qytete është më i dukshëm.
Për të realizuar lojën simuluese në mënyre sa më efektive këshillohet bashkëpunimi me drejtoritë arsimore dhe qendreat rinore. Drejtorite arsimore sigurojnë pjesëmarrjen e të rinjve në të. Qendrat rinore janë një faktor suksesi për realizimin e lojës simuluese dhe përfshirjen e të rinjve dhe jetëgjatësisë të efekteve të lojës. Të rinjtë ndërmarrin projekte dhe iniciativa pas realizimit të lojës. Albana, trajnere e FES, tregon se “Të rinjtë e Fierit të përfshirë në lojën simuluese gjatë Janarit 2011, nxitën qytetarët gjatë fushatës zgjedhore të votojnë, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet. Ata ideuan dhe bënë fushatë për një të ri për të qenë anëtar i këshillit bashkiak në Maj 2011”

Vazhdimësia e projektit
Aplikimi i projektit në njësi të tjera vendore në vazhdimësi do të kontribuojë në përgatitjen, ndërgjegjësimin dhe angazhimin e të rinjve në politikë për të qenë pjesë aktive e politikës vendore.

____________________________________________________________________

Hapat e para drejt një njohjeje më të mirë

Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, Shqipëri-Serbi, kanë qënë prej shumë kohësh të penguara prej politikës së vjetër dhe dialektikës historike të gjithë Ballkanit. Media, në planin kombëtar dhe rajonal, nuk ka ndihmuar shumë në mbylljen e kësaj plage. Në këtë moment Shqipëria është një nga të vetmet oaze ku po lulëzojnë idetë e majta social-demokrate, duke qënë se në planin politik e djathta dhe nacionalizmi janë mjaft të fuqishme në shumicën e vendeve të Ballkanit. Mendoj se e majta është e vetmja “kurë” ndaj plagës së vjetër ballkanike. Sipas të njëjtës logjikë, çtensionimi i marrëdhënieve duhet të vijë nga entitete të cilat nuk janë të influencuara prej “politikës së madhe”. E kush më mirë se një forum rinor i majtë mund ta kryejë këtë detyrë? Natyrshëm vjen deduksioni se rinia jo vetëm që mund të ketë ndikim shumë të madh në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por madje edhe duhet ta ndërmarrë këtë mision. Nevojitet që të ndërtojmë një frymë të re të shëndetshme ballkanike për brezat që vijnë. Kjo frymë ndërtohet nëpërmjet konferencave të përbashkëta me forumet simotra, shkëmbimit kulturor, artistik, shkëmbimit të eksperiencave dhe burimeve njerëzore.
Me këtë frymë u nis Beograna, e cili ishte një përpjekje disa-mujore e ndërsjelltë mes FRESSH dhe Demokratska Omladina e cila u materializua në momentin kur gjeti mbeshtetjen e zyrës së FES-it në Tiranë.
Një nga problemet më të mëdha përbashkuese të të rinjve social-demokratë të të gjithë Ballkanit është arsimi. Sikundër edhe diskutimet përgjatë Konferencës Beograna dëshmuan, këto shqetësime janë thellësisht të justifikuara në Shqipëri dhe Serbi. Ajo çka diskutuam përgjatë dy ditësh gjatë këtij aktiviteti ishte “Sfidat e arsimit në Shqipëri dhe Serbi, parë nga këndvështrimi i të rinjve”. Këtë temë të përgjithshme e fragmentuam në tre panele, të cilat fokusoheshin së pari tek problemet specifike, tek nevojat dhe tek zgjidhjet praktike në lidhje me arsimin në të dy vendet.
Është me rëndësi të theksohet se gjetjet dhe idetë që u parashtruan përgjatë Beograna po mblidhen dhe po redaktohen në një botim, i cili do të shërbejë si një manual orientues që do t’u sugjerohet qeverive të dy vendeve.
Për të kuptuar boshtin logjik të gjithë qëndrimit në lidhje me arsimin, duhet marrë parasysh edhe rrethana politike e të dy forumeve tona në këtë moment. Në Shqipëri e majta po lulëzon, duke ndihmuar edhe të rinjtë të kenë akses dhe pjesëmarrje politike. Megjithatë nuk mund të thuhet se e njëjta gjë po ndodh në pjesët e tjera të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe Serbinë. Kësisoj idetë e shtruara në lidhje me arsimin përgjatë Konferencës Beograna, pavarësisht se të ngjashme mes të rinjve të të dy vendeve, ruajnë edhe specifikën kontekstuale.
Pjesa më e madhe e të rinjve serbë vinin në Shqipëri për herë të parë. Për shkak të axhendës së ngjeshur të Beograna, ata nuk patën mundësinë të shikonin më shumë se Tirana dhe Durrësi. Megjithatë sipas një prej të rinjve të Beogradit, Tirana ishte një surprizë e këndshme përtej çdo fushate ndërkombëtare marketingu të bërë deri më sot. Mund të thuhet se në këtë dimension, ata e përjetuan mirë Shqipërinë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vizionin ideologjik. Sipas prof. Artan Fuga, qyteti është një gjendje mendore e banorëve të tij, përtej nocioneve gjeografike. Së fundmi Tirana është kthyer në një hapësirë lulëzimi të ideve progresive, dhe puna që po bëjmë me FRESSH e vërteton këtë çtensionim social. Psikologjikisht, kjo tregon për një klimë mjaft të mirë të brendshme. Kjo sjell një optimizëm për të ardhmen, i cili nuk ka sesi të mos “u ngjitet” edhe vizitorëve tanë. Pra mund të themi me siguri se për aq sa patën mundësinë të vizitonin, të rinjtë serbë Shqipërinë e gjetën të bukur dhe në transformim drejt një hapësire të gjerë rinore. Jemi të lumtur që Forumi ynë po jep një kontribut të madh në këtë ndryshim cilësor.
Faza e dytë e Konferencës Beograna do të vazhdojë në Beograd për të hedhur hapin e dytë për shkëmbimin e eksperiencave për idetë mbi arsimin, qoftë në lidhje me rindërtimin e një fryme solidare social-demokrate në Gadishullin Ballkanik. Jam shumë e lumtur që Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë ndërmori përsipër një projekt dhe rol kaq të madh, falë një baze mjaft cilësore të rinjsh. Kemi ide, të ngjashmit tanë nëpër Ballkan i ndajnë të njëjtat ide, dhe ky është momenti për të konkretizuar përpjekjen tonë të përbashkët.

_____________________________________________________________________

Shqipëri – Greqi: Një Projekt pilot plot befasi dhe rëndësia e njohjes reciproke!

Gjithkush që është i njohur me marrëdhënien komplekse të Shqipërisë me Greqinë është po ashtu i ndërgjegjshëm që perceptimi popullor i fqinjëve në të dy vendet kundrejt njëri tjetrit është shumëdimensional, në shumë raste problematik por dhe në shumë raste të tjera befasues. Pikërisht projekti pilot i matjes dhe analizës së perceptimeve popullore nëpërmjet sondazheve kombëtare dhe diskutimi i mëtejshëm i rezultateve në konferenca kombëtare është një risi e rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe. Ai mundëson shtjellimin në mënyrë të saktë dhe të bazuar në metodologji të besueshme të perceptimeve dhe hartimin e rekomandimeve të dobishme për qartësimin e keqkuptimeve, aq të dëmshme për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve ku një është anëtar i familjes europiane dhe një aspiron të jetë. Fatmirësisht vizioni i Friedrich Ebert Stiiftung për marrëdhëniet dypalëshe përfshin investimin në njohjen e mangësive dhe keqkuptimeve dhe analizën e hollësishme të tyre, një vizion ky që duhet të përqafohet dhe nga aktorë publikë të diplomacisë e politikës së jashtme të Shqipërisë.
Ky projekt na dha mundësinë jo vetëm të njihnim njëkohësisht se cfarë mendojmë për njëri tjetrin po dhe të punonim në krah të kolegëve të institutit prestigjoz ELIAMEP duke shkëmbyer përvoja e metoda pune, përvojë kjo që na ka pasuruar të dyja palët. FES Athinë fatmirësisht mundësoi që ELIAMEP të realizonte të njëjtat aktivitete dhe të gjeneronte një studim mbi perceptimet e qytetarëve grekë në lidhje me cështje kyçe në marrëdhëniet Shqipëri -Greqi. Ky bashkëpunim i dha shtysë edhe nismave të tjera për të punuar e kërkuar së bashku duke konsoliduar partneritetin midis IShSN dhe ELIAMEP.
Rrezultatet që projekti prodhoi ishin një minierë informacioni që mundësojnë komente, analiza dhe rekomandime të shumta. Nga të dhënat krahasimore te perceptimi i rrezikut të Greqisë në palën shqiptare tek ato sinjalizuese si mungesa e dijenisë për cështje të rëndësishme dhe të ndjeshme për Shqipërië në palën greke, spektri i të rejave të cilat u prodhuan nga studimet e IShSN dhe ELIAMEP ishtë domethënës. Të gjithë lexuesit që u bënë kuriozë studimin e plotë mund ta gjejnë në faqen e Internetit të FES Tirana.
Konferencat në Tiranë dhe Athinë ishin pjesa më interaktive dhe interesante e projektit. Ato prodhuan një kuriozitet dhe interes të madh të audiencës por dhe të medias kombëtare në të dy vendet. Për herë të parë diskutimi mbi si e shohim njëri tjetrin u zhvillua sipas një modaliteti serioz dhe të besueshëm e jo provokativ dhe sensacional.
Jemi të lumtur që këtë vit Friedrich Ebert Stiiftung po mbështet fazën e dytë të këtij projekti që përqendrohet te një prej rekomandimeve që rezultoi gjatë pjesës së parë: investimi në njohjen e mbulimit mediatik mbi marrëdhëniet Shqipëri-Greqi në të dy vendet, identifikimi i problemeve në raportimin e çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me dy vendet tona. Ky projekt lind si një ballafaqim mbi trysninë e fuqishme që media ushtron në opinionin publik në të dy anët e kufirit. Nuk mund të imagjinonim një partner më të besueshëm dhe konstruktiv sesa FES në këtë sfidë të re!

_____________________________________________________________________

A do t’i lihet bota rinisë, si thonë shpesh të moshuarit, apo varet nga ne, rinia, ta rrembejë atë?

Kampi Veror për të Rinj mbi Demokracinë Sociale i organizuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert u përpoq të përcaktonte strukturën e duhur të përfshirjes për të rinjtë e Ballkanit nëpërmjet pjesëmarrjes së gjashtë vendeve (Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia). Kjo strukturë përfshinte diskutime dhe debate mbi çështje të ndryshme në lidhje me rininë, shkëmbim eksperiencash mbi vlera të ndryshme demokratike, mirëkuptim kulturor, tejkalimi i stereotipeve dhe paragjykimeve, diskutime mbi bashkëpunimin rinor rajonal, punësimin e të rinjve, projektet e BE-së për rininë, principet kryesore të demokracisë sociale etj. FES Tirana gjithashtu mundësoi që ne të afrohemi më afër tek objektivi ynë se si “të rrëmbejmë” botën që i përket të rinjve dhe se si ta përmirësojmë atë.
Unë do të flas mbi eksperiencën time personale në Kampi Veror për të Rinj mbi Demokracinë Sociale të FES dhe suksesin e arritur në të dy kampet verore të organizuara në Voskopojë në vitin 2013 dhe sërish në Tiranë në vitin 2014. Mbaj mend që gjëja e parë që vura re kur erdha këtu, ishte se pothuaj të gjithë pjesëmarrësit nga vendet e përfaqësuara kishin ardhur në kamp me paragjykime të shumta të bazuara në kombësitë tona. Prej këndej, konsiderohej e mirëqenë që ne Maqedonasit ishim “armiq” të deklaruar me Grekët, Serbët supozohej që ishin “armiq” me Kosovarët dhe Shqiptarët etj. Por, ajo çfarë ky kamp na mundësoi ishte që ne si të rinj që jemi të kuptojmë dhe të tregojmë se ne kemi më shumë të përbashkëta se sa dallime dhe keqkuptime apo probleme.
FES Tirana na mundësoi të flisnim hapur për ndryshimet mes nesh, të shpreheshim mbi mendimet tona të ndryshme dhe interpretimet mbi çështjet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendet tona. Në këtë mënyrë, ne hodhëm një hap përpara në tejkalimin e stereotipeve dhe paragjykimeve, por ajo që është më e rëndësishmja ne mësuam që të gjithë ne kemi versionin tonë të historisë dhe mësuam se si të respektojmë mendimet e njëri tjetrit. Nuk iu shmangëm çështjeve të ndjeshme për secilin prej nesh të bazuara në kombësinë tonë, por folëm hapur për to. Këto dallime mbi çështje të ndryshme nuk na ndanë më tej, por na ndihmuam të dilnim jashtë kornizës të aplikuara nga politikanët dhe u bëmë më të afërt në marrëdhëniet me njëri tjetrin.
Në ditën e parë, njerëzit uleshin në tavolina me bashkëpatriotët e tyre. Ditën e fundit, isha tepër i lumtur kur pashë që në një tavolinë ishin ulur njerëz të kombësive të ndryshme. Leksionet e marra dhe vizita në qytetin e Korçës që ishin pjesë e programit adresuan çështje të rëndësishme në lidhje me rininë, si papunësia, mënyrat për përmirësimin e bashkëpunimit etj, të cilat patën rezultate.
FES na lejoi të mësojmë mbi domethënëiet e ndryshme të demokracisë në të gjitha vendet e përfaqësuara. Edhe pse shumë njerëz mendonin se demokracia është e njëjtë kudo, ne arritëm në konkluzionin se thelbi kryesor i demokracisë është i njëjtë, por domethënëia e saj për secilin prej nesh është e ndryshme. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme të mësoje se rinia nga kjo anë ka pak a shumë të njëjtat probleme që ne hasim në vendin tonë. Këtu, ne arritëm të gjejmë disa zgjidhje dhe plane paraprake të cilat do të përpiqemi t’i zbatojmë në vendet tona. Në arritëm në konkluzionin se është përgjegjësia jonë për të shfrytëzuar këtë rast dhe për të luftuar për atë që ne mendojmë se ka nevojë për përmirësim.
Kampi i dytë Veror për të Rinj i FES në Tiranë ishte një dëshmi e asaj që është bërë vitin e shkuar. Ne folëm për situatën politike në vendet tona dhe nëse diçka ka ndryshuar që nga takimi ynë i fundit. Ishte e jashtëzakonshme të dëgjoje që shumë njerëz ishin pozitivë dhe ishin përpjekur të zbatonin shumë prej konkluzioneve të mëhershme. Ishte akoma më e jashtëzakonshme të shikoja se unë do të ndaja dhomën me dikë nga Kosova, dhe një gjë e tillë nuk i shkaktonte pakënaqësi askujt.
Takimi që patëm me Ministrin Erion Veliaj ishte një tjetër eksperiencë e jashtëzakonshme në lidhje me perspektivën e përfshirjes së të rinjve në vendimarrjen e tyre, si dhe hapave që ata ndërmarrin për të ulur papunësinë e të rinjve. Ne patëm gjithashtu mundësinë për të diskutuar mbi idetë tona që shpresojmë se do të ndihmojnë në këtë proces përmirësimi. Ishte fantastike të shikoje që Ministri më në fund përfitoi nga rasti dhe u ul gju më gju me ne (në vend që të ulej përballë nesh)
Ata që kuptojnë sado pak nga politika e dinë se kjo tregon një qasje krejt të hapur ndaj nesh, rinisë. Patëm gjithashtu një leksion/debat me Fatos Lubonjën mbi shoqëritë tona dhe mbi drejtimin që ato duhet të marrin dhe më në veçanti mbi detyrën e secilit prej nesh, njerëzve të rinj. Ishte e jashtëzakonshme të shikoje entuziazmin e shfaqur dhe idealizmin e njerëzve. Të jesh idealist, tregon se ne dimë, ne mendojmë, ne planifikojmë, ne kemi një vizion dhe duhet të luftojmë për to.
Arritëm konkluzione të mëdha që mund të ndihmojmë në arritje të mëtejshme. Shpresoj sinqerisht që FES Tirana do të vazhdojë me organizimin e Kampit Veror për të Rinj dhe të na japë mundësinë të shkëmbejmë mendime dhe përvoja, të arrijmë mirëkuptim kulturor etj në mënyrë që ne, udhëheqësit e të ardhmes të jemi më të pregatitur krahasuar me politikanët dhe udhëheqësit aktualë, për sfidat me të cilat përballet çdo vend.

SHPËRNDAJE