Isha pothuajse 12 vjeç, në vitin e pestë të barneskole-s. Herë-herë më dukej se vajzat më urrenin me gjithë mend, sikur të isha ndonjë çikërrimë pa vlerë; herë-herë ishte krejt e kundërta – ato jo vetëm që donin të flisnin me mua, por, në festat e klasës që kishim filluar të organizonim nëpër shtëpitë e njëri-tjetrit dhe në shkollë, ato kërkonin gjithashtu të kërcenin me mua. Qëndrimi im ndaj tyre ishte po aq i dyzuar, të paktën për sa u përkiste vajzave të klasës sime. Nga njëra anë, i njihja aq mirë sa ndihesha tërësisht shpërfillës ndaj tyre; nga ana tjetër, ato po ndryshonin: gjinjtë po u fryheshin poshtë bluzave, po zgjeroheshin tek ijet, madje edhe sjelljen nuk e kishin më njësoj. Ato ishin rritur më shpejtë se ne: papritur, vëmendja e tyre u rezervohej vetëm djemve dy-tre vite më të mëdhenj. Ne, me zërat tanë hollakë dhe shikimet vjedharake që admironin cilësitë e tyre femërore të sapofituara, nuk ishim veçse ajër i zbrazët për to. Por, sado e rëndësishme t’u dukej vetja, ato nuk kishin asnjë ide për botën që po i priste.E çfarë mund të dinin ato për meshkujt, femrat dhe dëshirën? A thua e kishin lexuar Wilbur Smith-in, ku femrat rrëmbëheshin me forcë nën qiejt e stuhishëm? Apo Ken Follet-in, ku një burrë i rruan pubikun një femre teksa kjo shtriqet symbyllur në një vaskë plot me shkumë? A thua ta kishin lexuar “Insect Summer” nga Knut Faldbakken-i: e di përmendësh atë pasazhin, ku djali i heq vajzës mbathjet mbi kashtën e mullarit? A thua sytë e tyre kishin shëtitur ndonjëherë mbi faqet e një reviste pornografike? Pastaj, e ç’dinin ato për muzikën? Ato pëlqenin vetëm atë që u pëlqente të gjithë të tjerëve, si The Kids, dhe gjithë gjepurat e tjera në majat e hit-paradave. Për to muzika nuk kishte asnjë kuptim; nuk kishin asnjë ide se çfarë do të thoshte muzikë e se çfarë të bënin me të. As nuk dinin si të visheshin; vinin në shkollë të veshura me lloj-lloj kombinimesh mbi trup. Dhe pastaj guxonin të më mbanin hundën përpjetë?
Çdo të premte organizonim një “Hit-paradë muzikore të klasës”. Gjashtë nxënës sillnin nga një këngë me vete dhe të gjithe votonim më të pëlqyerën mes tyre. E imja renditej gjithmonë e fundit, pavaresisht se çfarë përzgjidhja. Nuk kishte rëndësi nëse ishin Led Zeppelin, Queen, Wings, The Beatles, The Police, The Jam, Skids: rezultati qe i pandryshueshëm, vetëm një ose dy vota dhe vendi i fundit. E dija që shokët dhe shoqet e klasës votonin kundër meje dhe jo kundër këngës. Ata nuk i kushtonin vërtetë rëndësi muzikës. Kjo më irritonte përtej çdo caku. Iu ankova një ditë vëllait tim më të madh, Yngves, dhe ai jo vetëm që e kuptoi irritimin tim, por më mësoi edhe një marifet që t’i bëja të dëgjonin. Albumi i dytë i The Kids nuk kishte dalë ende në treg. Një të premte mora me vete në shkollë albumin e ri të Aller Værste!, “Materialtretthet”, të cilin Yngve e kishte blerë vetëm pak ditë më parë, dhe u thashë fëmijëve të tjerë se më kishte rënë në dorë albumi i ri i The Kids, që pritej të dilte ato ditë. Kur notat e para të këngës së parë mbushën klasën, fëmijët filluan të pëshpërisnin të kënaqur dhe entuziazmi erdhi duke u rritur, derisa arriti kulmin në momentin e votimit. Aller Værste! kishin korrur një fitore të padiskutuar. Imagjinoni triumfin që shkëlqente në syte e mi kur dola përpara tyre dhe i njoftova se nuk kishin votuar për The Kids.
Sigurisht që ata nuk ma falën kurrë. E humba mendjen, kujtoja se isha kushedi çfarë. Kërkoja gjithmonë të kisha të bëja me gjëra të çuditshme, në vend që të pëlqeja atë që pëlqenin edhe të tjerët. Por kjo nuk ishte dhe aq e vërtetë. Patjetër që nuk mund të ishte faji im fakti që më pëlqente muzika e mirë? Po mësoja gjithnjë e më shumë mbi të falë Yngves, revistave muzikore të tij dhe albumeve që nuk ngurronte të luante për mua. Ai më mësoi gjithashtu kordat e kitarës dhe, kur nuk ishte në shtëpi, merrja kitarën e tij Fender dhe luaja vetë. I vetmi person në shkollë që kishte shije të ngjashme me mua ishte Dag Magne. Kohën zakonisht e kalonim në shtëpinë e tij, duke dëgjuar albume të ndryshme dhe duke u përpjektur t’i imitonim ato me kitarën e tij me 12 tela, ose duke folur për vajzat dhe për grupin që do të krijonim, sidomos për emrin që do t’i vinim. Ai donte ta quanim “Dishepujt Anonimë” të Dag Magnes; unë doja ta quanim “Tromboza”. Ramë dakort se të dy emrat ishin njësoj të qëlluar dhe se nuk ishte e nevojshme të zgjidhnim derisa të vinte koha dhe të luanim në skenë.
Kështu kaloi dimri, me festat e para të klasës, ku luanim muzikë pas orëve të mësimit dhe kërcenim me ritëm të ngadaltë, vërdallë pistës, me vajza që i njihnim më mirë se motrat tona, dhe unë pothuajse u shastisa kur shtrëngova fort pas vetes trupin e Ana Lisbetit. Kundërmimi i flokëve të saj, shkëlqimi i syve që shndrisnin plot jetë. Ah, sigurisht, edhe gjinjtë e vegjël nën materialin e hollë të asaj bluze të bardhë.
A s’ishte kjo një ndjesi fantastike?
Ishte diçka krejt e re, e panjohur për gjithë ato vite, por, tani që e kisha zbuluar, doja ta përjetoja sërish.
Pranvera erdhi me shkëlqimin e saj dhe nata u zbyth pak nga pak për t’i lënë vendin ditës. Por edhe me shiun e ftohtë që shkrinte dëborën dhe e kthente në llucë. Në një nga ato mëngjeset e stuhishme të marsit, ne po bënim klasën e fizkulturës në palestrën e shkollës.
Më vonë, në dhomën e zhveshjes, grilat e ventilimit zhurmonin e kolliteshin sikur ndërtesa të ishte e gjallë, një bishë plot me dhoma, korridore dhe kthina, e cila kishte vendosur të rehatohej përbri shkollës dhe t’i këndonte e dëshpëruar pikëllimit të vetmisë që e kishte kapluar. Ose ndoshta ishin vetë tingujt ata që kishin ardhur në jetë. Mora peshqirin dhe iu drejtova dhomës së dusheve, e cila ishte mbushur me avuj të nxehtë. Gjeta një vend në mes të gardhit të zbehtë, pothuajse i zbardhëllyer si mermeri, me trupa djelmoshash, dhe përnjëherë u vesha me afshin e ujit të nxehtë, që në fillim më ra mbi kokë dhe pastaj u kthye në një çurg të pandërprerë mbi fytyrë dhe kraharor, mbi qafë dhe shpinë. Flokët mu ngjitën pas ballit dhe mbylla sytë. Pikërisht në atë moment dikush thirri.
“Torit i është bërë dru! Torit i është bërë dru!”
Hapa sytë dhe pashë Sverren, djalin që kishte bërtitur. Ai po tregonte me gisht drejt këndit tjetër të dusheve, aty ku po qëndronte Tori, me krahët anës trupit, duke qeshur si tuhaf ndërkohë që penisi i tij shigjetonte ajrin.
Tori kishte penisin më të madh në klasë, mbase edhe në të gjithë shkollën. I varej mes këmbëve si ndonjë salçiçe derri dhe ky nuk ishte aspak një sekret sepse Tori vishte gjithmonë pantallona të ngushta, ndërkohë që brenda tyre penisin e mbante gjithmonë në një kënd të tillë që merrte gjithmonë për lart, në mënyrë që të mos i shpëtonte syrit të askujt. Po, e kishte të madh. Por tani, në gjendje të erektuar, penisi i tij kishte përmasa të jashtëzakonshme.
“Hajde, bollë gjigante, hajde!” thirri Geir Hakoni.
Të gjithë i kishin mbërthyer sytë mbi Torin. Papritur, u duk sikur djemtë u mbërthyen nga ethet dhe u bë e qartë se diçka duhej bërë. Do të ishte e pafalashme të mos shfrytezoheshin këto rrethana të jashtëzakonshme.
“T’ia tregojmë zj. Hensel!” thirri Sverre. “Shpejt, nxitoni, përpara se të jetë tepër vonë!”
Zonja Hensel ishte mësuesja jonë e fizkulturës. Ajo vinte nga Gjermania dhe fliste një norvegjishte të çalë. Ajo shquhej për pedantizmin dhe seriozitetin e tepërt; me pak fjalë, një tip i rëndë. Si mësuese ajo ishte kthyer në makthin e nxënësve për shkak të dashurisë së saj për veglat e palestrës, që do të thoshte se rrallëherë na jepej mundësia të luanim futboll.
Tori protestoi dhe u përpoq t’i përvidhej Sverres dhe tre djemve të tjerë, por pa shumë shpirt, dhe këta e morën në krahë dhe dolën nga dushet. Ne të tjerët u shkuam pas. Ishte një pamje e hatashme: Tori, lakuriq siç e kishte bërë e ëma dhe me një erekesion shembullor, që mbahej në ajër nga katër djem të tjerë, edhe këta lakuriq, të pasuar nga një procesion kalamajsh po aq lakuriq sa edhe të parët. Kur arritën përpara zonjës Hensel, ata e ngritën Torin përpjetë, sikur ky të ishte një statujë që duhej ekzaminuar, e mbajtën ashtu për rreth pesë sekonda, pastaj e lëshuan përtokë si një deng me kashtë dhe ia mbathën turravrap në dhomën e zhveshjes.
Pak nga ne besonin se do të kishte pasoja, për arsyen e thjeshtë se do të ishte diçka e turpshme për zonjën Hensel që ta çonte çështjen më tej. Ishim gabuar. I vetmi person që doli me nderin e panjollosur ishte Tori, i cili në fund u quajt një viktimë, sepse drejtori, mësuesja kujdestare e klasës dhe zonja Hensel e gjykuan incidentin si një rast dhune ndaj tij, por edhe si një fitimtar, sepse tashmë të gjithë, përfshi vajzat, kishin mësuar për detajin mbreslënës të fizikut të tij, pa qenë nevoja që ky të lëvizte as gishtin.
Atë natë pozova lakuriq përpara pasqyrës për një kohë të gjatë.
Më e lehtë të thuhej se të bëhej. E vetmja pasqyrë sa një bojë njeriu ndodhej në korridor, pranë shkallëve. Sigurisht që nuk mund të rrija aty gollomesh, edhe nëse nuk kishte njeri në shtëpi, sepse dikush mund të hynte nga momenti në moment dhe, edhe po të reagoja me shpejtësinë e dritës, përsëri nuk do t’i shpëtonin nga sytë mollaqet e mia që fluturonin përpjetë shkallëve si ndonjë fantazmë.
Jo, duhej bërë patjetër përpara pasqyrës së banjës.
Por ajo ishte projektuar kryekrej për fytyrën. Nëse do të zgjatesha majë gishtave edhe mund të shihja një pjesë të mirë të trupit, por në atë kënd zor se do të kuptoja ndonje gjë domethënëse.
Ndaj prita derisa mamaja të shpëlahej pas darkës dhe të rehatohej mbi kolltuk në dhomën e ndënjies për të pirë kafen dhe lexuar gazetën. Pastaj mora një karrige nga kuzhina. Nëse më pyeste se ç’po bëja, do t’i thosha se do të vendosja magnetofonin mbi të ndërsa përdorja banjën.
Por ajo nuk më pyeti.
Në fillim kundrova pjesën e parme të trupit.
Penisi im nuk ishte aspak si i Torit. Ngjante më shumë me një tapë vere. Apo me një sustë. Sepse dridhej menjëherë sapo e cikja lehtë me majën e gishtit.
E mora në dorë. Sa i madh ishte?
Pastaj u ktheva në profil për ta parë nga një kënd tjetër. Në fakt, kështu më ngjante më i madh.
Sidoqoftë, nuk ndryshonte aspak nga të gjithë penisët e tjerë në klasë, me përjashtim të Torit, apo jo?
Me krahët e kisha më keq punën. Sa hollakë që ishin. Po kështu edhe gjoksi. Në stërvitjen e futbollit na kërkonin të bënim pompa, por unë gjeja gjithmonë një mënyrë për t’i bërë bisht, sepse në fakt nuk isha në gjendje të bëja as edhe një pompë të vetme. Vetëm une e dija këtë gjë.
Më në fund hyra në dush. Uji i nxehtë me shpoi lëkurën me një mijë gjilpëra, aq sa qe e pamundur të qëndroja ulur. Por në fund ia dola mbanë. U ula, u ngrita, u ula, u ngrita, u ula, u ngrita derisa lëkura mu mësua me temperaturen e ujit dhe mund të rrija pa lëvizur dhe të shijoja afshin e nxehtë, që më shpëlante trupin njesoj si muzika që vërshonte nga magnetofoni, dhe nisa të këndoj me sa më hante gurmazi, duke ëndërruar për kohët kur do të bëhesha i famshëm dhe se çfarë do të mendonin pastaj vajzat që njihja. Ndihem i ve-ve-ve, këndova. Ndihem i ve-ve-ve, ndihem i ve-ve-ve, ndihem i ve-ve-ve, ndihem i ve-ve-ve, ndihem i ve-ve-ve. Ve, ndihem i ve. Ndihem i ve. Ndihem shumë i vetmuar.Ndihem shumë i vetmuar. Ndihem shumë i vetmuar-i vetmuar-i vetmuar-ve. Ndihem shumë i vetmuar-i vetmuar-i vetmuar-ve. Ndihem shumë i vetmuar-i vetmuar-i vetmuar-ve. I vetmuar, i vet… Oh ndihem SHUMË I VETMUAR! Shumë i vetmuar. Shumë i vetmuar. Shumë i vetmuar. Shumë i vetmuar. Shumë i vetmuar. Ndihem shumë i vetmuar. Ndihem shumë i vetmuar.
Kapa çdo ngjyrim në zërin e Stingut, pa harruar angullimën vajtuese në fund fare.
Shtatëmbëdhjetë maji ishte kulmi i festivitetit të pranverës për ne, ashtu siç Krishtlindjet ishin për dimrin. Në shkollë këndonim,”Vi Ere en Nasjon, Vi Med”, “Norge i Rǿdt, Hvitt of Blått”, dhe “Ja, Vi Elsker”; mësuam mbi Henrik Vergelandin dhe atë që ndodhi në Eidsvoll në 1814. Në shtëpi nxorrëm jashtë shiritat dhe flamujt, bashkë me të gjitha fyejt dhe brirët që mund të gjenim. Që në mëngjes herët, të gjitha familjet në pallatin tonë, në Tybaken, do të dilnin nga shtëpitë e tyre veshur me kostume popullore ose me kostumet e tyre më të mira dhe do të drejtoheshin për në Arendal, ku turma kishte pushtuar të dy krahët e rrugës së gjatë ku do të kalonte procesioni. Sa për procesionin, ky ishim ne. Të gjitha shkollat e qarkut do të marshonin. Po binte shi kur çela sytë dhe më irritoi një fakt i tillë sepse do të më duhej të vishja një mushama mbi rrobat e reja. Më kishin dhuruar një palë xhinse “Levi” në blu të hapur, një palë këpucë tenisi “Trenton” në ngjyrë të bardhë dhe një xhaketë të përhimtë që më arrinte deri në brez. Atmosfera në Arendal ziente nga një ngazëllim i padurimtë. Kur iu qasëm zonës së mbledhjes, me skitë që e spërkatnin baltën gjithandej me një përpikmëri mbreslënëse, na u bë e qartë se do të marshonim krah për krah me një klasë nga shkolla “Roligheden”. Luaja futboll me disa nga djemtë, por shumicën e fytyrave i shihja për herë të parë.
Një vajzë u kthye me trup nga mua.
Kishte flokë biondë me onde dhe sy të mëdhenj ngjyrë blu. Më buzëqeshi.
Unë nuk i buzëqesha mbas, por as nuk i ula sytë. Procesioni filloi të lëvizte. Diku më përpara dëgjohej banda muzikore. Një nga mësuesit tanë filloi të këndonte. Pasi kishim marshuar për ndoshta njëzetë minuta, disa prej nesh, djemtë në veçanti, e humbën durimin; shpërthyen të qeshurat dhe lojrat. Kur disa nga djemtë patën idene të përdornin shkopinjtë e flamurëve për të ngritur fundet e vajzave, praktika u përhap gjithndaj si zjarri në kashtë. Unë zgjodha për objektiv vajzën bionde, bashkë me Dag Magnen për fat të mirë, sepse kështu mund ta justifikoja veten si pjesë e turmës. E ula shkopin nën palët e fundit të saj dhe e ngrita; ajo u rrotullua në vend, shtrëngoi fundin poshtë me njërën dorë dhe më bërtiti: “As mos guxo!” Por sytë e saj vazhdonin të buzëqeshnin.
Bëra të njëjtën gjë me disa vajza të tjera, në mënyrë që të hiqja çdo dyshim nëse i qasesha asaj përsëri.
“Mjaft!” ma ktheu ajo herën e dytë dhe nxitoi të arrinte shoqet. “Boll u solle si kalama!”
Vërtetë të ishte nxehur?
Kaluan disa sekonda. Pastaj u kthye dhe përsëri më buzëqeshi. Vetëm për një çast, por mjaftonte: nuk ishte zemëruar me mua, nuk mendonte se isha një kalama.
E studiova përsëri vajzën. Nuk ishte shumë e gjatë dhe kishte veshur një xhaketë rozë, një fund kaltërosh dhe geta të bardha dhe të holla. Hundën e kishte të vogël, gojën të madhe dhe mjekrën me një gropëz të vogël në majë.
Ndjeva një therje në stomak.
Kur ishte kthyer më parë që të ulte fundin, i kisha vënë re gjinjtë e mëdhenj; xhaketa ishte hapur dhe pulovra e bardhë nënvete kishte tradhtuar gjithçka.
Oh, Zot, më lër të dal me të!
As emrin nuk i dija.
Atë vjeshtë, grupi muzikor u bë më në fund një realitet. Fitoi emri që kisha zgjedhur unë: Tromboza ishte ajo çka shkruam mbi xhaketat dhe çantat tona të shpinës. Provat i bënim në bodrumin e kishëzës së re. Këtë e kishte rregulluar Dag Magne; mamaja e tij punonte si pastruese për një doktor, pjesëtar i komitetit të kishës. Dag Magne ishte gjithshtu i vetmi mes nesh që mund të luante apo të qulloste diçka që mund ta quaje talent. Ai i binte kitarës dhe këndonte, unë i bija kitarës, Kent Arne basit dhe Dag Lothari baterisë.Do të luamin në gjimnazim e shkollës gjatë shfaqjes së Krishtlindjeve që organizohej në fund të semestrit. Edhe pse performanca qe një katastrofë e vërtetë, ku secili luajti për kokë të vetë dhe Kent Arne çau një nga daullet, edhe pse shumica e audiencës mbajti një qëndrim kritik, ku nuk munguan as romuzet e hidhura nga ata të vitit të katërt, ndjenja e triumfit që na kishte pushtuar pas shfaqjes, tek rrinim në oborrin e shkollës me xhinset e grisura dhe shajet e lidhura rreth qafës, nuk kishte të krahasuar. Tashmë ishim në klasën e gjashtë, së shpejti do të shkonim në ungdomsskole dhe kishim krijuar grupin tonë muzikor. Fakti që grupi u nda vetëm pak orë më vonë përbënte një dështim, meqë as Dag Lothari dhe as Kent Arne nuk donin të vazhdonin më, por unë dhe Dag Magne vazhduam përpara si një dyshe, duke regjistruar këngë në shtëpinë e tij, duke dëgjuar muzikë dhe duke ëndërruar për shpërthimin tonë në skenën botërore.
Atë pranverë, në një mbledhje me prindër, ne luajtëm dy këngë. Përpara shfaqjes, unë mbajta një fjalim të shkurtër përpara prindërve tanë për t’i prezantuar me muzikën punk.
“Vitet e fundit, një muzikë krejt e re ka lindur nga gjiri i klasës punëtore angleze,” shpjegova unë. “Disa prej jush mund të kenë dëgjuar për të. Quhet punk. Ata që luajne punk nuk janë muzikantë kushedi se çfarë, por janë rebelë në rebelim kundër shoqërisë. Ata mbajnë xhaketa lëkure, rripa lëkure me kunja metalike dhe mbërthejnë paramanda gjithandej. Mund të mendoni me të drejtë se paramanda është simboli i tyre.”
Hodha një vështrim fitimtar mbi turmën e parukereve, sekretareve, infermiereve, pastrueseve dhe shtëpiakeve. Për pesë vite rresht, përpara çdo Krishtlindjeje dhe pushimeve të verës, ato më kishin parë në skenë, ose si Jozefi te “Lindja e Krishtit” ose si kryetari i bashkisë në “Borgmester i Byen”, dhe tani ja ku qëndroja përsëri përpara tyre si një zëdhënës i punk-ut dhe një pjesëtar i Trombozës.
Shfaqjen tjetër e bëmë gjatë mësimit. Luajtëm po ato dy këngë. Kur mbaruam, shumica e klasës na fishkëlleu dhe Finsadali, mësuesi mjekërkuq, iu afrua Dag Magnes dhe e lavdëroi për talentin e treguar në kitarë.
Kjo më lëndoi.
Dalëngadalë ëndërra e pushtimit të botës si një yll rroku u zbeh dhe një tjetër u shfaq në horizont: trajneri ynë i futbollit, Ovyndi, na mblodhi të gjithë në fund të një seance stërvitore dhe tha se kishte mundësi që një ndeshje përgatitore ta luanim në stadiumin “Kristiansand”, përpara ndeshjes IK Start-Mjøndalen. Për mua, të luaja në stadium, ku do të më shikonin jo vetëm turma e madhe me tifozë, por edhe lojtarët profesionistë, qe një ortek i vërtetë emocionesh. Luaja për një nga skuadrat më të mira të rajonit dhe e mendoja veten si një nga lojtarët më të keqinj të ekipit, i ngadaltë dhe pa talent, por kjo ishte gjithesi diçka e përkohshme. Në fakt, unë isha i zoti. Në fakt, unë mund të bëja gjithçka po aq mirë sa të tjerët. Ishte vetëm çështje kohe që talenti im të shkelqente. Ndihesha kështu sepse, në mendjen time, arrija të shënoja nga çdo kënd i mundur dhe i pamundur në fushë dhe arrija të dribloja çdo mbrojtës që më dilte përpara. Më duhej vetem të bashkërendoja veprimet me mendimet në kokë, t’i bëja një dhe të pandashme, dhe gjithçka do të përmbushej siç qe e shkruar. E pse mos të ndodhte diçka e tillë gjatë ndeshjes përgatitore në “Kristiansand”?
Po, kështu ishte. Dhe gjithçka ekzistonte vetëm në mendjen time.
Ndeshjet në shtëpi dhe stërvitjen i bënim në Kjenna, një fushë menjëherë pas pallatit të madh në Bratekleiv, rreth gjysëm ore larg me biçikletë nga Tybakeni, dhe shumica e djemve me të cilët luaja jetonin aty pranë.
Pikërisht aty e pashë përsëri.
Ishte fillimi i qershorit. Në qiellin blu nuk dukej asnjë shenjë resh. Edhe pse dielli ishte goxha ulët dhe hijet e pemëve zgjateshin mbi fushë, vapa mbytëse bënte që djersa të më rridhte çurg mbi fytyrë dhe qafë. Gulçonim dhe dihatnim rëndë tek vrapnonim dhe gjuanim topin mes nesh. Kisha veshur kilota të bardha “Umbro” dhe një palë atlete futbolli “Le Coq Sportif”, të cilat i pastroja pas çdo stërvitjeje dhe pastaj i rrotulloja në duar, duke i adhuruar me kënaqësi të pafund.
Ate mbrëmje, katër vajza kërcyen nga biçikletat e tyre në fund të fushës dhe filluan të shëtisnin plotë gaz e hare pranë disa shkëmbinjve afër vijës së bardhë. Kishte raste kur vajzat vinin dhe na shikonin tek luanim, por atë nuk e kisha parë kurrë të vinte aty më parë. Sepse ishte ajo, për këtë nuk kishte dyshim.
Gjatë gjithë stërvitjes mendjen e mbajta vetëm tek ajo. Gjithçka që bëja, e bëja për të. Kur mbaruam lojën, ushtrimet e shtriqjes dhe shuam etjen, unë u ula në bar bashkë me Lars dhe Hans Kristianin, afër vajzave. Larsi u përpoq t’i ofendonte me një romuz apo dy dhe si përgjigje mori të qeshura dhe romuze të tjera.
“I njeh gjë?” e pyeta në mënyrë sa më të shkujdesur.
“Po.”
“Në klasë i ke?”
“Po. Kajsan dhe Sunivan. Të tjerat janë në klasën e Hansit.”
U shtriva mbi bar, kokën mbi duar, dhe u mundova t’i përqëndroja sytë në portokallinë e diellit. Një nga shokët e ekipi e zhyti të gjithë kokën në një kovë me ujë. Pastaj drejtoi trupin dhe shkundi koken. Për një çast, stërkalat e ujit formua një hark shkëlqimtar në ajër përpara se të davariteshin në eter.
“Njërën prej tyre e kam parë edhe më parë,” thashë unë. “Atë në të djathtë. Si e quajnë?”
“Kajsa?”
“Oh, ashtu?”
Larsi më pa me vëmendje. Kishte flokë kaçurrela, quka dhe një pamje paksa të pacipë, por sytë i kishte të ngrohtë dhe gjithmonë me një shkëlqim të çuditshëm.
“Jemi fqinj,” tha ai. “Njihemi që të vegjël. Të pëlqen?”
“Jo-oo,” ia prita.
Larsi më shigjetoi gjoksin me gisht disa herë.
“Po-oo,” më tha dhe zbardhi dhëmbët. “Si thua të të prezantoj me të?”
“Të më prezantosh me të?” thashë unë dhe ndjeva gjuhën të më ngjitej pas qiellzës.
“Po kështu bëhen këto punë, si thua ti?”
“Besoj se po. Jo. Jo tani. Lëre fare. Nuk më intereson. Po pyesja ashtu kot. Mu duk se e kisha parë më parë.”
“Kajsa nuk është e keqe,” këmbënguli Larsi. Pastaj vazhdoi duke pëshpëritur: “Shiko sa të madh e ka gjoksin.”
“Po,” thashë unë. U ktheva pa u menduar dhe e pashë. Larsi qeshi dhe u çua. Ajo më pa.
Ajo më pa!
Rruges për në shtëpi i rashë me biçikletë nga rruga me zhavorr e pyllit, ku ajri ishte më i freskët. Dielli vazhdoi të shndriste në rrëzën e pyllit, aty ku zjarri i një viti më parë kishte krijuar një lëndinë, përpara se të perëndonte përfundimisht pas kodrave. Dy rradhë me lisa të gjatë mbronin rrugën si një gardh. Kisha të njëjtën biçikletë që kisha patur që i vogël, një DBS Kombi. Timonin dhe stolin i kisha ngritur lart në maksimum dhe kjo i jepte një pamje të çuditshme. Këndoja me sa më hante zëri, ndërsa i jepja biçikletës me një shpejtësi marramendëse mes gropave dhe gungave të rrugës, madje disa herë frenoja me rrotën e pasme dhe shpëtoja nga përplasja për një qime:
Shoot, shoot!
Dodiddilidodo
Shoot, shoot!
Dodiddilidodo
Shoot, shoot!
Dodiddilidodo
You come all flattarp he come
Groovin’ out slowly he got
Ju ju eyeballer he won
Holy roller he got
Here down to his knees
Got to be a joker, he just do what he pleases
Kjo ishte kënga e parë e albumit “Abbey Road” LP, “Come Together”, ose, të paktën, kështu më tingëllonte mua. Në fakt, e dija që fjalët nuk ishin pikërisht ato, por pak rëndësi kishte diçka e tillë kur po lëshohesha pikë plumbi poshtë kodrës, ndërkohë që në kraharor më gufonte lumturia. Kur arrija në ndonjë kryqëzim frenoja fort të shmangja makinat dhe pastaj pedaloja sërish furishëm me sa më hanin këmbët. Rrugës, desha s’desha, i gëlltita një apo dy insekte fluturake dhe u përpoqa më kot t’i pështyja jashtë. Pasi kalova rrugën kryesore, ndoqa shtegun e biçikletave që kalonte përbri stacionit Fina, ku një tufë kalamajsh qe ulur jashtë, me biçikletat dhe mopedet e tyre të parkuara aty pranë. Askush nuk ma vari, ndoshta as nuk më vunë re.
Rruga më e shkurtër për në shtëpi kalonte përgjatë rrugës kryesore, por unë iu shmanga dhe fillova t’i ngjitesha një kodre. Shumë shpejt u gjenda mes pemëve të një pylli. Nuk më zinte syri as edhe një shtëpi të vetme, as edhe një rrugë. Kudo mbretëronin vetëm pemet, me kurorat e tyre të gjera dhe zogjtë që këndonin mes gjethnajës gjelbërore. Shtegu që kisha marrë, që nuk ishte veçse dhé i shtypur dhe faqe e zhveshur shkëmbi, kryqëzohej në shumë vende me rrënjë të mëdha pemësh, të cilat më ngjanin me bishat prehistorike. Bari që shtrihej anëve të shtegut ngihej i gjatë dhe i dendur. Aty këtu shikoja pemë të rëna me trungje të lëmuar dhe plot bimë që kishin lindur mes degëve të tyre të zhveshura dhe të pajeta, të cilat dergjeshin aty për aq kohë sa mund të mbaja mend. E kisha të lehtë të imagjinoja se ai pyll ishte i thellë, pafundësisht i thellë dhe plot mister.
Kajsa nuk mu shqit nga mendja për javë të tëra. Kisha gjithmonë dy imazhe të saj që pasonin njëri tjetrin. Në të parin, ajo po kthehej me trup përballë meje, me ato flokët biondë dhe sytë blu, veshur me atë xhaketën rozë dhe fundin kaltërosh të 17 majit. Në të dytin ajo ishte shtrirë lakuriq përpara meje, mbi barin e fushës ku luaja futboll. Këtë të dytin e krijoja gjithmonë në mendje netëve përpara se të flija. I gjithë trupi më dhimbte nga dëshira kur përfytyroja gjinjtë e saj të mëdhenj dhe thithkat e trëndafilta. Ethet përvëluese pushtonin qënien time tek përfytyroja gjithfarë aktesh, sa të zjarrta aq edhe të paqarta, që bëja me trupin e saj. Imazhi i dytë zgjoi edhe diçka tjetër brenda meje. Njëherë, kur u hodha nga një shkëmb, tek pluskoja në ajër me diellin që më shkëlqente mbi fytyrë, për një moment mu faneps imazhi i saj dhe një gaz i egër më shpërtheu nga kraharori, pak a shumë të njëjtën kohë që këmbët e mia prekën siperfaqen e ujit dhe trupi im u zhyt në freskinë blu të detit. Ashtu, mes flluskave të shkumës që gëlonin rreth meje, rraha ngadalë krahët të ngjitesha në siperfaqe dhe, me shijen e kripur të ujit mbi buzë, ndjeva lumturinë që regëtinte dhe drithërohej brenda gjoksit tim. Në mbrëmje, në tavolinën e bukës, tek zhvishja merlucin nga lëkura ose kafshoja copat e prera të një mushkërie, imazhi i saj më shfaqej papritur, rrëzëllitëse si kurrë më parë, aq sa gjithçka tjetër kridhej në errësirë. Por në fakt nuk e shihja kurrë në të vërtetë. Distanca ajrore mes dy pallateve tona ishte vetëm dy kilometra, por distanca shoqërore ishte shumë herë më e madhe dhe nuk mund të përshkohej as me biçikletë e as me autobuz. Kajsa ishte një ëndërr, një shëmbëlltyrë në kokën time, një yll në kupën qiellore.
Pastaj diçka ndodhi.
Pas një seance tjetër stërvitore në Kjenna, mu afrua një vajzë. “A mund të flasim pak?” tha ajo.
“Po, sigurisht,” u përgjigja unë.
Një shpresë e harbuar u ndez brenda meje, aq sa nuk mund të mos buzëqeshja.
“E njeh Kajsan?” më pyeti ajo.
Unë u bëra lulekuqe në fytyrë dhe ula kokën.
“Po,” i thashë.
“Ajo më kerkoi të të pyesja diçka,” vazhdoi vazja.
“Çfarë?”
Një valë nxehtësie më vërshoi në të gjithë trupin, sikur gjoksi po më mbushej me gjak të vluar.
“Kajsa donte të dinte nëse dëshiron të dilni bashkë,” tha vajza. “Si thua?”
“Po,” u përgjigja.
“Shkëlqyeshëm!” tha ajo. “Ajo po të pret përpara dhomës së zhveshjes. Takohemi aty më vonë?”
“Po,” u përgjigja. “Në rregull.”
Kur vajza u largua, i mbajta sytë përtokë një copë herë. Faleminderit, Zot, thashë me vete. Sepse më në fund kishte ndodhur. Tani do të dilja me Kajsan!
Me Kajsan!
Ashtu i trullosur, fillova të çapitesha mbi vijën me shkumës të bardhë. Papritur e kuptova se kisha ndeshur në një problem serioz. Ajo ishte aty, duke më pritur. Do të më duhej t’i flisja. Do të na duhej të bënim diçka bashkë. Po çfarë?
Rrugës për në dhomën e zhveshjes, mund të pretendoja sikur nuk e kisha parë ose t’i dhuroja një buzëqeshje ashtu nxitimthi, meqë më duhej të ndërrohesha pikësëpari. Por…do të më duhej gjithsesi të dilja jashtë më vonë…
Ishte një mbrëmje e freskët, ajri kundërmonte era bar dhe zogjtë cicëronin. E kishim fituar ndeshjen dhe nga dhoma e zhveshjes mbërrinin tinguj triumfalë. Kajsa po qëndronte në rruginën aty pranë, bashkë me vajzën tjetër. Buzëqeshi. I buzëqesha mbas.
“Ç’kemi!” fola unë.
“Ç’kemi!” më tha ajo.
“Po ndërrohem shpejt e shpejt,” i thashë. “Kthehem menjëherë.”
Ajo pohoi me kokë.
Në dhomën si kotec, e mora shtruar procesin e ndërrimit të rrobave, ndërkohë që mendja më ziente për të gjetur një rrugë shpëtimi ku do të dilja me nder të panjollosur. Të dilja me të, ashtu i papërgatitur, ishte diçka e paimagjinueshme. Nuk do të funksiononte kurrë! Ndaj më duhej një justifikim bindës. Detyrat e shtëpisë? E peshova për një çast mundësinë, tek hiqja atletet plot baltë. Jo, kjo patjetër që do t’i linte një përshtypje të keqe tek ajo.
Në fund dola jashtë, fare i papërgatitur.
“Ç’kemi!” thashë unë dhe ndalova bashkë me biçikleten time përballë Kajsas dhe shoqes së saj.
“Sot luajte shumë mirë, të gjithë ju,” tha Kajsa.
Ajo kishte veshtur një bluzë të bardhë. Nënvete gjinjtë e saj dukej se po rrebeloheshin. Xhinset e i kishte “Levi’s 501”, me një rrip plastik ngjyrë rozë. Çorape të bardha. Atlete “Nike” të bardha me një logo të kaltër.
Unë u gëlltita.
“Vërtetë, ashtu mendon?”
Ajo pohoi me kokë. “Do të vish me ne?”
“Në fakt, sonte nuk kam shumë kohë.”
“Jo?”
“Jo. Më duhet të shkoj në shtëpi.”
“Oh, sa keq,” tha ajo pa mi ndarë sytë. “Çfarë ke me kaq rëndësi?”
‘I premtova babit se do ta ndihmoja me diçka. Me një mur që po ndërton. Po si thua të takohemi nesër?”
“Patjetër.”
“Ku, kur?”
“Mund të vij unë te shtëpia jote, pas mësimit.”
“E di ku jetoj?”
“Tybaken, apo jo?
“Po, aty.”
Hodha një këmbë mbi biçikletë. “’Pafshim”
“’Pafshim,” tha ajo. “Shihemi nesër.”
Fillova të pedaloj si zakonisht, të paktën kështu do t’i dukej dikujt tjetër, derisa e humba nga sytë, pastaj u ngrita mbi timon, përkula pak trupin përpara dhe fillova të pedaloja si i marrë. Ishte një ndjesi njekohësisht fantastike dhe absolutisht e tmerrshme. Do të vij te shtëpia jote, më kishte thënë. Ajo e dinte ku jetoja. Ajo donte të rrinte me mua. Dhe jo vetëm kaq. Ne do të dilnim bashkë. Unë do të dilja me Kajsan! Oh, gjithçka që kisha dëshiruar më në fund po përmbushej! Por ende jo. Çfarë do të flisja me të? Çfarë do të bënim bashkë?
Pas darkës shkova në dhomën e Yngves dhe i tregova ç’kishte ndodhur.
“Sot u lidha me Kajsan,” i thashë.
Ai ngriti sytë nga librat e shkollës që kishte përhapur mbi tavolinën e studimit dhe buzëqeshi.
“Kajsan? Sikur nuk ma kanë zënë veshët këtë emër? Kush është kjo?”
“Jeton në Roligheden. Është në klasën e gjashtë. Është shumë e bukur.”
“Nuk e vë në dyshim,” tha Yngve. “Urime!”
“Rrofsh,” thashë unë. “Vetëm se kam një problem…më duhet mendimi yt…”
“Po?”
“Nuk e di… Të them të drejtën nuk e njoh fare. Nuk e di…ç’të bëjmë bashkë? Ajo do të vijë këtu nesër, më kupton. Dhe s’kam asnjë idë për çfarë të flas me të!”
“Ka për të shkuar mirë,” tha Yngve.”Vetëm mos e vri shumë mendjen dhe gjithçka do të jetë në rregull. Pastaj, në vend që të flisni, mund ta kaloni kohën duke u puthur!”
“Ç’na the!”
“Do të shkojë mirë, Karl Ove. Qetësohu.”
“Je i sigurt?”
“Njëqind përqind!”
Mbas në dhomë, fillova të degjoj albumin “McCartney II” dhe u shtriva në krevat. Njëherë në kaq më dridhej trupi. S’më besohej që do të dilja me të! Ndoshta edhe ajo qe shtrirë në krevat, në dhomën e saj, në shtëpine e saj, duke menduar për mua po në atë çast? Ndoshta po flinte… vetëm me mbathjet në trup? U ktheva nga ana tjetër dhe nisa të fërkoj pelvisin pas dyshekut, ndërkohë që vazhdoja të këndoja “Temporary Secretary” dhe të mendoja për të ardhmen që më priste.
Ajo erdhi një orë pasi kishim ngrënë darkë. Unë veja e vija te dritarja që shihte nga rruga dhe ndihesha gati më shumë se kurrë. Sidoqoftë, u trondita kur e pashë t’i ngjitej kodrës me biçikletë. Për disa sekonda nuk isha në gjendje të merrja frymë normalisht. Kent Arne, Geir Hakoni dhe Leif Tore po rrinin në rrugë, të mbështetur mbi biçikletat e tyre, dhe kur të gjithë kthyen kokat për të parë atë, unë u pushtova nga një ndjenjë e fortë krenarie. Askush nuk kishte parë më parë një vajzë kaq tërheqëse në Tybaken. Dhe ajo kishte ardhur për mua.
Vesha këpucët dhe xhaketën, dola jashtë dhe mora biçikletën.
“Ajo po pyeste se cila ishte shtëpia jote, Karl Ove!” thirri Geir Hakoni.
“Ashtu?” ia prita unë dhe ndesha në vështrimin e Kajsas. “Ç’kemi,” i thashë. “E gjete lehtë rrugën?”
“Po, nuk ishte e vështirë,” tha ajo. “Nuk e dija se cila ishte shtëpia jote, por…”
“Shkojmë?” e pyeta.
“Shkojmë,” erdhi përgjigjja.
Unë i hypa biçikletes time, ajo të sajës.
“Shihemi!” u thashë djemve, “Mund të shkojmë këndej,” thashë pastaj duke u kthyer nga ajo.
“Shumë mirë!”
E dija që ata po na shikonin dhe se ndiheshin xhelozë për mua më shumë se zakonisht. E si dreqin ia paska dalë mbanë? po pyesnin me vete. Ku e ka takuar atë? Dhe çfarë fati që paska pasur që ajo ka pranuar të dalë me të!
Pasi pedaluam për një copë rruge, Kajsa zbriti nga biçikileta. Unë bëra të njëjtën gjë. Nga pylli erdhi një shkulm ere, ngriti në ajër një qerthull me gjethe dhe pastaj u fashit. Dëgjoheshin gomat që fërkoheshin pas asfaltit, xhinset e këmbëve që fërkoheshin pas njëra tjetrës, trokitja e sandaleve të saj mbi rrugë.
Prita për një moment që ajo të dilte përkrah meje.
“Sa xhaketë e bukur,” i thashë. “Ku e ke blerë?”
“Faleminderit. Te dyqani i Bajazzos, në Kristiansand.”
“Oh.”
Arritëm kryqëzimin me rrugën Elgstien. Gjinjtë e saj kërcenin sa lartë poshte si susta; nuk mund t’i shqisja dot sytë prej tyre. A thua të më kishte vënë re?
“Mund të shkojmë te dyqani dhe të shohim në ka njeri,” propozova unë.
“Hmm.”
Mos ishte penduar që kishte ardhur?
Ndoshta ky është momenti që duhet ta puth? Ky do të ishte veprimi i duhur, apo jo?
Kishim arritur në majë të kodrës dhe hodha një këmbë mbi biçikletë. Prita derisa këmbët e saj të ishin vendosur mbi pedale dhe pastaj u lëshova përpara. Një tjetër shkulm ere na rrahu kraharoret. E lashë bicikletën të lëshohej e lirë tatëpjetë kodrës së vogël, drejt marketit B-Max. Ishte mbyllur dhe vërdallë nuk dukej këmbë njeriu.
“Më duket se këtu nuk ka njeri,” i thashë. “Si thua të shkojmë te shtëpia jote?”
“Mirë.”
Vendosa se do ta puthja medoemos sa po të më jepej mundësia më e vogël. Dhe pa dyshim që do t’i mbaja dorën. Diçka duhej të ndodhte. Fundja, tani ishim të dashur.
Por asnjë mundësi nuk u shfaq në horizont. Pedaluam përgjatë rrugës me zhavorr që të çonte në Kjenna, e cila ishte krejt e boshatisur, pastaj iu ngjitëm kodrave në drejtim të shtëpisë së saj. Ndaluam jashtë pallatit. Nuk kishim shkëmbyer shumë fjalë gjatë rrugës, por kishim folur mjaftueshëm që takimi të mos ishte një katastrofë.
“Mami dhe babi janë në shtëpi,” tha ajo. “Nuk mund të vish brenda.”
Mos donte të thonte që mund të shkoja kur ata të mos ishin në shtëpi?
“Mirë,” i thashë. “Por ka shkuar vonë. Ndoshta duhet të kthehem në shtëpi.”
“Po, është goxha rrugë e gjatë.”
“Takohemi përsëri nesër?” i propozova.
“Nuk mundem,” tha ajo. “Nesër do të dalim shëtitje me varkë.”
“Atëherë të enjten?”
“Po. Do të vish të më marrësh?”
“Patjetër.”
Biçikletat i kishim gjatë gjithe kohës mes nesh. Ishte e pamundur të përkulesha përpara për ta puthur. Ndoshta as ajo nuk do ta kishte dashur një gjë të tillë, gjithsesi, të paktën jo përpara shtëpisë së saj.
I hypa përsëri biçikletës.
“Atëherë po ia mbath,” i thashë. “Shihemi!”
Të them të drejtën, mund të kishte shkuar edhe më keq. Nuk kisha arritur kushedi çfarë, por as nuk i kisha prishur punët përtej çdo shprese. Nga ana tjetër e kuptova se nuk mund të vazhdoja më kështu; nuk mund të mjaftoheshim vetëm duke folur. Duhej patjetër të arrija ta puthja; fundja duhet të bënim ato gjëra që bënin të gjithë të dashuruarit e tjerë të kësaj bote. Po si ta hidhja atë hap? Nuk ishte aq e thjeshtë sa t’i hidhja krahët rreth saj, ashtu si pa të keq. Përfytyroni sikur ajo të mos ta donte një gjë të tillë! Përfytyroni sikur të mos isha në gjendje ta ndërmerrja atë hap! E megjithatë duhej të ndodhte dhe do të ndodhte patjetër takimin tjetër, këtë s’e luante as topi. Dhe në vendin e duhur, ku askush të mos na shikonte.
Lavdi Zotit për shëtitjen e saj me varkë. Kështu kisha dy ditë të tëra për të planifikuar.
Gati sa po më zinte gjumi kur u kujtova se të enjten kisha stërvitjen e futbollit. Që do të thoshte se duhej ta merrja në telefon. Iu tremba këtij fakti gjatë gjithë ditës se nesërme. Në shtëpi, telefonin e kishim në korridor. Gjithkush mund të degjonte se çfarë po thoja, veç po të mbyllja derën rrëshqitëse, por kjo vetëm do t’u shtonte dyshimet prindërve të mi, ndaj veprimi më i zgjuar do të ishte t’i telefonoja nga një telefon publik. E dija që një i tillë ndodhej në stacionin e autobuzit, përballë stacionit Fina, dhe shkova aty me biçikletë sa më vonë që të ishte e mundur…që të jem i përpiktë, pak pas orës tetë. Nëse nuk kishte ndonjë event të vecantë, më duhej të kthehesha gjithmonë në shtëpi në tetë e gjysëm, sepse gjatë ditëve të javës rregulli e donte që të isha në krevat aty nga ora nëntë e gjysëm. Rregulli ishte i panegocueshëm, edhe pse të gjithë shokët e mi shkonin të flinin shumë më vonë.
Pasi parkova biçikletën, kërkova numrin e saj të telefonit në numrator. Kisha përpunuar në mendje gjithçka që duhej t’i thoja.
I rashë shpejt e shpejt të gjithë numrit, me përjashtim të numrit të fundit. Pastaj prita disa sekonda që të rifitoja frymën dhe i rashë.
“Familja Pedersen,” u përgjigj zëri i një gruaje.
“Ju lutem, a mund të flas me Kajsan?” thashë me nxitim.
“Kush po telefonon?”
“Karl Ove,” u përgjigja.
“Një minutë.”
Qetësi. Dëgjova zhurmë hapash që shuheshin në distancë, pastaj zëra. Nga faqja e kodrës zbriti një autobuz dhe u parkua ngadalë në stacion. E shtrëngova fort receptorin pas veshit.
“Përshëndetje!” tha Kajsa.
“Kajsa, ti je?”
“Po.”
“Jam Karl Ove.”
“E di, më thanë.”
“Ç’kemi!”
“Ç’kemi!”
“Nesër kam stërvitje futbolli,” i thashë. “Ndaj nuk vij dot te shtëpia jote siç e lamë.”
“Atëherë po vij unë aty. Stërvitjen e keni në Kjenna, apo jo?”
“Po.”
Heshtje.
“Si ishte?” fola unë.
“Si ishte çfarë?”
“Shëtitja me varkë. Ishe bukur?”
“Po.”
Heshtje.
“Shihemi nesër, pra!” thashë më në fund.
“Po, nesër!”
“’Pafshim!”
Ula receptorin. Ajri ishte i ngrohtë dhe plot me tymin e skrapamentos së autobuzit. I hypa biçikletës dhe u nisa. Djersët më kishin veshur ballin. Kalova dorën përmes flokëve. Edhe dorën e kisha me djersë. Por flokët i kisha në rregull; i kisha larë vetëm natën e shkuar dhe do të ishin të përsosur për takimin me Kajsan. Ndalova jashtë marketit B-Max. Ula njërën këmbë mbi trotuar.
Papritmas, e dija se si do ta bëja.
Vetëm pak javë më pare kisha qenë këtu, i rrethuar nga një turmë njerëzish, vëmendja e të cilëve qe përqendruar mbi Torin. Ai kishte një biçikletë që e kishte ndërtuar vetë, me një poltronë motoçiklete dhe përpara kishte vënë një rrotë të re me ingranazh dhe të stërmadhe. Tori po bënte disa numra cirku me biçikletë, duke u rrotulluar sa andej këndej mbi një rrotë, ndërkohë që pështynte pa pushim mbi asfalt. Merethe, e dashura e tij, ishte gjithashtu e pranishme. Unë kisha dalë me Dag Magnen, qemë takuar me ata të dy dhe kishim ndjenjur bashkë. Tori iu afrua Merethit me biçikletë dhe e puthi. Pastaj nxorri një orë dore nga xhepi (për rip kishte një zinxhir),i hodhi një sy dhe pastaj tha: “Pa të shohim për sa kohë mund të puthemi pa ndaluar, ëh?” Merethe pohoi me kohë, pastaj ata u afruan trup më trup dhe nisën të putheshin. Ajo i kishte mbyllur sytë dhe krahet i kishte kryqëzuar rreth qafës së tij; ai qëndronte me duar në xhepa dhe sytë i mbante hapur. Të gjithë po i vështronin. Pas dhjetë minutash, Tori ngriti lart orën dhe drejtoi trupin. Fshiu buzët me kurrizin e dorës. “Dhjetë minuta,” tha.
Këtë do të bëja edhe unë. Do të nxirrja orën time dhe do të pyesja nëse donte ta provonim sa gjatë mund të putheshim. Pastaj nuk do të na ngelej gje tjetër, veç të putheshim.
Nisa të pedaloj sërish. Ishte e rëndësishme të gjeja një vend të përshtatshëm. Sigurisht që në pyll, po ku tamam? Afër shtëpisë së saj? Jo, nuk e njihja mirë atë zonë.
Ah, po si s’më shkoi mendja më parë. Në pyll, siper shtegut që kalon pranë stacionit Fina. Nën pemët aty. Një vend i përsosur. Askush nuk do të na shikonte. Toka qe e butë. Dhe drita që binte nga kurorat e pemeve ishte e magjepsëse.
Pas stërvitjes së futbollit e zhyta kokën në kovën me ujë dhe u përpoqa të sillesa si zakonisht. Por nuk ishte e lehtë; fakti që ajo ishte aty dhe jo vetëm ajo, por edhe shoqet e saj, duke më parë, ishte gdhendur në vetdijen time.
Pastaj ajo mu afrua.
“Do ndërrohesh?” pyeti.
Unë pohova me kokë.
“Po vij me ty. Kam diçka për të të thënë më vonë.”
Për të më thënë? Mos donte t’i jepte fund?
Unë nisa të ecja. Ajo zgjati dorën. U fërkua me dorën time. Të ishte një rastësi? Apo mund ta mbaja?
E vështrova.
Ajo më buzëqeshi.
E rrëmbeva dorën e saj në timen si vetëtimë.
Dikush po pëshpëriste pas nesh. U ktheva. Ishte Larsi me Xhonin. Ata po zgërdhiheshin. Unë buzëqesha. Ajo më shtrëngoi lehtë dorën.
Ajo e ecur përgjatë fushës nuk kishte qenë kurrë aq e gjatë sa atë mbrëmje. Të mbaja dorën e saj në timen ishte diçka e papërballueshme; gjatë gjithë kohës luftova me yshtjen ta tërhiqja dorën vetëm që të shpëtoja nga ajo lumturi torturuese.
“Nxito,” tha ajo kur arritëm.
“O.K.”
Në kotecin e zhveshjes u mbështeta pas murit. Zemra po më rrihte si e marrë. Pastaj e mblodha veten, vesha rrobat e pastra dhe u bashkova me Kajsan. Dukej e lumtur. Ngriti dorën e vogël dhe filloi të luante me një kaçurrel që i kishte rënë mbi fytyrë. Thonjtë e gishtave i kishte lyer me një manikyr rozë gjysëm i tejdukshëm.
“Këtë të shtunë prindërit nuk do t’i kem në shtëpi,” më tha. “I thashë mamit se Sunniva do të vinte të flinte nga mua. Ndaj ajo do të na bëjë pica për darkë dhe do të blejë Koka-Kola. Por Sunniva nuk ka për të ardhur. Ke dëshirë të vish?”
Unë u kapërdiva.
“Patjetër,” mërmërita.
Disa nga djemtë e ekipit na brohoritën që nga ana tjetër e fushës.
Kajsa po qëndront me njërën dore mbi timonin e biçikletës dhe tjetrën anës trupit.
“Ikim?” thashë unë.
“Ikim!”
“Poshtë?”
Ajo pohoi me kokë dhe u hipëm biçikletave. Pedaluam përgjatë rrugës me zhavorr, unë përpara, Kajsa menjëherë pas meje.
Kur mbërrita në majë të kodrës, ndalova për ta pritur. Kështu do të bënin garë me njëri tjetrin në zbritje. Faqja e kodrës shkëlqente nën rrezet e diellit. Insektet në ajer ishin si xixëllima që dikush i kishte përhapur anembanë.
Po, kalimi mbi stacionin Fina ishte vendi i duhur.
Ethet e ankthit më përshkuan trupin. Ishte njësoj sikur të isha ngjitur shumë lart mbi një shkëmb dhe tani po shikoja ujin poshtë. Nuk kishte zgjidhje tjetër veçse t’i bëja ballë frikës dhe të hidhesha ose të tërhiqesha si burracak.
A thua e dinte se çfarë do të ndodhte? I hodha një sy vjedhurazi.
Oh, gjinjtë e saj të lavdishëm.
Oh, oh, oh.
Por në fytyrën e saj mbretëronte serioziteti. Çfarë do të thoshte kjo?
Zbritëm nga biçikletat dhe iu ngjitëm kodrës me këmbë deri në majë. Nuk kishim shkëmbyer asnjë fjalë që kur kishim lënë Kjennan. Nëse do të thosha ndonjë fjalë atë moment, duhej të ishte patjeter diçka e rëndësishme. Nuk mund të hapja gojën sa për të thënë.
Kishte veshur pantallona jeshile prej cohe pambuku dhe me një rip të thurur në brez. Pantallonat i vinin të gjera, por ngushtoheshin tek kofshët dhe mbi vithe. Sipër kishte veshur një bluzë me mëngë të shkurtra dhe një triko të lehtë, e bardhë në të verdhë. Kishte mbathur sandale, por pa çorape. Thonjtë e këmbëve i kishte lyer njësoj si me ato të duarve. Në njërin kyç të këmbës kishte lidhur një varëse.
Ishte mahnitëse.
Kur iu afruam rrugës kryesore dhe kur na ngelej vetëm një kodër larg vendmbërritjes së dëshiruar, e vetmja gjë që doja ishte të krisja e të arratisesha nga sytë këmbët, ta lija atë pas. T’u jepja pedaleve me sa më hanin këmbët dhe t’ia merrja shpirtin biçikletës. Por jo vetëm kaq. Të pedaloja përtej shtëpise time. Përtej Tybakenit, Tromojas, Aust-Agderit, Norvegjisë, Evropës, të lija gjithçka pas vetes. Mund të kthehesha në Hollandezin Fluturues, i dënuar të pedaloja perjetësisht rreth botës, me dritën e llampës së biçikletës që ndricon si fantazmë rrugëve të shkreta të fshatrave.
“Ku po shkojmë kështu?” pyeti ajo tek po zbrisnim faqen e kodrës.
“Di një vend të këndshëm,” u përgjigja unë. “Nuk është larg.”
Ajo nuk foli. Pedaluam pas stacionit Fina dhe i tregova me gisht kodrën mes pemëve. Ajo kërceu përsëri nga biçikleta sapo filloi malorja. Në ball i shkëlqente një shtresë e hollë djerse. Dielli vazhdonte të shndriste në perëndim si një flakërimë e heshtur. Cicërimat e zogjve mbushnin ajrin. Gati sa nuk po villja. Hymë në shtegun e pyllit. Drita filtrohej mes kurorave të pemëve ashtu siç e kisha përfytyruar dhe përthyhej poshtë njesoj siç do të përthyhej nën ujë. Kollonat të tëra drite dukej sikur kishin mbirë nga toka.
Ndalova.
“Mund t’i lëmë biçikletat këtu,” i thashë.
Ashtu bëmë. Kërcyem nga biçikletat dhe i parkuam afër një peme. Unë nisa të ecja. Ajo më ndoqi. Po kërkoja një vend të përshtatshëm për tu ulur. Bar ose myshk. Hapat tane tingëllonin fort dhe çuditshën në mes të natyrës. Nuk guxoja ta shikoja. Por ajo ndodhej menjëherë pas meje. Aty! Më në fund një vend i mirë.
“Mund të pushojmë këtu,” i thashë. U ula pa parë nga ajo. Pas njëfarë hezitimi, ajo u ul përtokë pranë meje. Unë futa dorën në xhep dhe gjeta orën. E nxorra jashtë dhe e mbajta mbi pëllëmbën e hapur përpara saj.
“Ke dëshirë ta provojmë sa gjatë mund të puthemi?”
“Si?”
“E sheh këtë orën,” thashë unë. “Tori dhe e dashura e tij u puthën për dhjetë minuta rresht. Në mund të shkojmë më gjatë.”
E vendosa orën në shesh (në mendje regjistrova faktin që ishte tetë pa tetëmbëdhjtë), vendosa duart mbi shpatullat e saj dhe e shtyva lehtë pas, ndërkohë ngjesha buzët e mia mbi të sajat. Kur ishim shtrirë i futa gjuhën në gojë dhe ndesha në gjuhën e saj, me majucë dhe e butë si e një kafshëze, dhe fillova ta lëviz rrotull e rrotull. Duart po i mbaja anash vetes. Nuk po e prekja me asgjë tjetër veç buzëve dhe gjuhës sime. Trupat tanë preheshin përtokë si dy varka të vogla që i kanë nxjerrë në breg dhe po pushojnë nën hijen e pemëve. U përqendrova që ta lëvizja gjuhën rrotull me sa më shumë finesë, ndërkohë mendoja për gjinjtë e saj, të cilat i kisha aq afër, dhe kofshët e saj, të cilat i kisha aq afër, dhe ate që ndodhej mes kofshëve të saj, nën pantallona, poshtë mbathjeve, përjetësisht e gdhendur në vetdijen time. Por nuk guxova ta prekja. Ajo qëndronte shtrirë, symbylur, duke rrotulluar gjuhën e saj rreth times. Unë i mbaja sytë hapur. Kërkova me dorë për oren, e gjeta dhe i hodha një sy. Tre minuta deri tani. Nga goja i rrodhi një çurg i hollë jargësh. Ajo u drodh. E shtyva pelvisin fort pas tokës dhe e lashë gjuhën të vinte rrotull e rrotull, rrotull e rrotull. Nuk ishte aspak siç e kisha përfytyruar, madje disi e lodhshme. U dëgjua kercitja e disa gjetheve të thara nën kokën e saj kur ajo lëvizi për të ndërruar pozicion. Gojët tona qenë mbushur me një përzierje të trashë pështyme. Shtatë minuta tani. Ngeleshin edhe katër. Ajo lëshoi një mërmërimë, por nuk ishte një tingull kënaqësie. Diçka nuk shkonte. Lëvizi trupin, por unë nuk e lëshova. Lëvizi kokën ndërkohë që unë vazhdoja të përdridhja gjuhën. Ajo hapi sytë, por ata nuk më panë mua, por qiellin. Nëntë minuta. Gjuha po më dhimbte. Një dozë tjetër jargësh rrodhi nga cepi i gojës së saj. Herë pas here, telat e dhëmbëve të mi fërkoheshin pas dhëmbëve të saj. Në fakt, nuk ishte e nevojshme të shkonim më gjatë se dhjetë minuta e një sekondë për të mundur rekordin e Torit. Dhe kishte ardhur ai moment. Por ndoshta mund ta shkërmoqnim fare rekordin e tij. Por gjuha po më dhimbte, madje dukej se po më ënjtej , dhe jargët, që nuk u kushtoje shumë rëndësi kur ishin të ngrohta, të ngjallnin një ndjesi neverie kur rridhnin jashtë, tashmë jo dhe aq të ngrohta. Dymbëdhjetë minuta. A thua mjaftojne? Ti jap fund? Jo, edhe pak. Edhe pak, edhe pak.
Pikërisht në orën tetë pa tre minuta unë tërhoqa kokën. Ajo u ngrit dhe fshiu buzët me dorë pa mi hedhur sytë.
“Shkuam pesëmbëdhjetë minuta!” thashë unë duke u ngritur në këmbë. “E mundëm me pesë minuta më shumë!”
Biçikletat tona shkëlqenin në anën tjetër të shtegut. U drejtuam për tek to. Ajo pastronte pantallonat dhe trikon nga gjethet dhe degezat e thyera.
“Prit,” i thashë. “Ke dhe mbi kurriz.”
Ajo ndaloi dhe i pastrova sa munda mbeturinat që i ishin ngjitur mbi triko.
“Mbarova.”
“Më mirë të kthehem në shtëpi tani,” tha ajo kur arritëm te biçikletat.
“Edhe unë,” u pergjigja dhe i tregova me gisht majën e kodrës. “Andej mund t’i bie shkurt.”
“’Pafshim!”
Ajo i hipi biçikletës dhe u lëshua me nxitim poshtë rrugës me gunga dhe gropa.
“’Pafshim!” ia ktheva dhe mora për nga kahu i kundërt, mbi faqen e kodrës.
Atë natë u shtriva duke fantazuar për gjinjtë e saj, të bardhë si qumshti dhe të mëdhenj, dhe të gjitha gjërat që mund të kisha bërë në pyll, derisa më zuri gjumi. Duhej t’i telefonoja sepse nuk e kishim lënë se kur duhej të shkoja në shtëpinë e saj të shtunën, por e shtyva gjithë diten tjetër dhe një pjesë të së shtunës, derisa nuk mund ta shmangia më dhe në orën dy i hipa biçikletës dhe pedalova përsëri deri tek kabina e telefonit publik. Ndërkohë duhej të zgjidhja edhe një problem tjetër, sepse më duhej të isha në shtëpi në orën tetë e gjysëm, pavarësisht se ishte e shtunë, gjë që nuk përshtatej aspak me stilin e jetës që po ndiqja ato ditë. Pastaj,çfarë do të mendonte ajo?
Qielli qe i vranët dhe mbulesa e përhimtë e reve dukej sikur e kishte zhveshur peizazhin nga ngjyrat dhe jeta. Rruga ishte gri, shkëmbinjte anës rrugës qenë gri, madje edhe gjelbërsia e gjetheve në pemë dukej sikur që përzhitur me një dozë grie. Nuk bënte më vapë. Nuk ishte as ftohtë, temperatura duhej të ishte rreth 16-17 gradë, por freskët mjaftueshëm që të mbërtheja trikon deri në grykë gjatë pedalimit. Xhaketa më fryhej pas si balonë.
E vendosa biçikletën pas strehës në formë kapele te stacioni i autobuzit. Aty afër kalonte një përrua, pas pemëve, shkurreve dhe pirgjeve me plehëra, më së shumti letra amballazimi për ëmbëlsira, ndoshta të stacionit Fina; mund të dalloja markat e Caramello, Hobby, Nero, Bravo dhe një mbështjellëse blu Hubba Bubba. Nxorra monedhat nga xhepi, hyra në kabinë dhe i vendosa mbi telefon, gati. I rashë numrit të saj ndërkohë në mendje mundoja të kujtoja ndonjë anekdotë për të thyer akullin. Pse ka kaq shumë emra Hansen në numrator? Sepse të gjithë kanë telefona. Centralist, centralist, më thirr një ambulance. O.K. ti je një ambulancë.
“Alo?” u dëgjua një zë.
Ishte Kajsa!
“Përshëndetje,” u përgjigja una. “Jam Karl Ove.Ti je, Kajsa?”
“Po. Ç’kemi!”
“Harruam të flisnim se në çfarë ore duhet të vij në shtëpinë tënde,” thashë unë. “Kur mendom se është më mirë të vij? Për mua s’ka rëndësi.”
“Hmm,” u dëgjua zëri i saj. “Në fakt, nuk bëhet.”
“Nuk bëhet?” thashë unë. “Nuk je vetëm? Domethënë prindërit e ty nuk kanë ikur?”
“Ajo që desha të thosha është se…” vazhdoi ajo. “Hmm…nuk mundem…të dal më me ty.”
Si?
Ajo po ndahej me mua?
“Alo?”
“Mori fund?” pyeta.
“Po,” erdhi përgjigja. “Mori fund.”
Nuk fola. Mund të dëgjoja zërin e saj në anën tjetër. Lotët po më rridhnin çurg mbi faqe. Kaloi një kohë e gjatë.
“Epo, mirupafshim,” tha ajo papritur.
“’Pafshim,” thashë unë.
Sytë më ishin verbuar nga lotët. I fshiva me kurrizin e dorës, teshtiva, i hipa biçikletës dhe mora rrugën për në shtëpi. Mezi e shihja rrugën përpara meje. Pse e bëri një gjë të tillë? Pse? Tani që gjërat kishin marrë drejtimin e duhur? Ditën që do të ishin vetëm në shtëpine e saj? Unë i pëlqeja vetëm pak ditë më pare, pse jo tani? Mos kisha folur më shumë nga ç’duhej?
Sa e bukur që ishte. Nuk më besohej sa e bukur që ishte.
Oh,Zot!
Oh, Zot! Oh, Zot!
Oh, Zot! Oh, Zot! Oh, Zot!
Kur arrita marketin B-Max i fshiva lotët me mëngët e xhaketës. Ishte e shtunë, duhej vetëm pak që marketi të mbyllej dhe parkingu ishte mbushur me makina dhe njerëz plot me trasta ushqimesh dhe fëmijë, një tufë me fëmijë. Ndoshta, po t’i vinin re lotët e mi, do të mendonin se ishin shkaktuar nga era. Në fund të fundit unë po i jepja biçikletës.
Boshllëku brenda meje sa vinte dhe rritej. Dhjetë sekonda të tëra mund të kalonin pa menduar as edhe një mendim të vetëm, duke harruar madje që ekzistoja, por pastaj imazhi i Kajsas rikthehej fuqishëm brenda meje papritur dhe papandehur, gjithçka kishte marrë mund dhe më pushtonin ngashërimat. Isha i paaftë ta përballoja.
E kyça biçikletën dhe e vendosa në vendin e saj jashtë shtëpisë. Qëndrova për një moment në korridor dhe mbajta vesh për të kuptuar se ku ndodheshin pjesëtarët e tjerë të familjes. Nuk isha aspak në terezi për të takuar njeri dhe kur kuptova se e kisha rrugën të lirë, u ngjita sipër shkallëve dhe shkova në banjë, ku lava me kujdes fytyrën përpara se të shkoja në dhomën time për tu shtrirë në krevat.
Pas njëfarë kohe u çova dhe shkova në dhomën e Yngves. Ai ishte ulur mbi krevat dhe po luante me kitarën. Kur hyra brenda, ai ndaloi dhe më vështroi.
“Ç’kemi! Ke qarë gjë?” pyeti. “Për shkak të Kajsas? U ndatë?”
Unë pohova me kokë dhe sërish u ngashëreva.
“Mos bëj kështu, Karl Ove,” tha ai. “Do të kalojë. Ka shumë vajza të tjera që po presin për ty. Bota është plot me vajza! Harroje. Nuk ia vlen.”
“Për mua, po,” ia prita unë. “Ne dolëm bashkë vetëm pesë ditë. Dhe ajo është shumë e bukur. Ajo është e vetmja femër për mua. Askush tjetër. Sot më shumë se kurrë.”
“Shiko, mos ik,” tha ai dhe u ngrit. “Do të luaj një këngë për ty. Ndoshta të ndihmon.”
“Çfarë kënge?” pyeta unë dhe u ula mbi krevat.
Ai rrëmoi mes një pirgu me albume mbi raft. “Kjo,” më tha dhe pashë se ishte një këngë e Aller Værste! “S’ka kthim mbas!”
“Oh, atë.”
“Dëgjo vargjet,” tha Yngve. E hoqi diskun nga kapaku, pastaj e vuri mbi gramafon dhe uli gjilpërën. Për një sekondë u dëgjua vetem zhurma gërvishtëse e gjilpërës mbi disk, pastaj tingujt plot energji të baterisë mbushën dhomën me jetë. Basi pasoi shumë shpejt, bashkë me kitarën dhe organon “Farfisa”. Tingujt karizmatikë të kitarës jehuan të ngazëllyer, duke i paraprirë zërit të solistit me atë theksin nga Stavangeri:
Nuk po gënjej kur them që e dija
Se unë dhe ti tashmë kishim marrë fund
Të pashë kur u përpoqe faktin ta fshihje
Deri kur prezervativi u ça
Planet afatgjata dhe vizioni ynë i përbashkët
Brenda një minute u shkërmoqën në hiç
Më përqafove; më shumë doja të të jepja
Por ti i dhe fund pa ta bërë syri tërr
“Dëgjo!” tha Yngve.
Gjithçka kalon – Gjithçka me kohë kalbëzohet
Shko të flesh; kur të çelësh sytë, një ditë e re do të ketë filluar
S’ka kthim mbas, asgjë për të të falenderuar
Asgjë për të thënë, ja xhaketa jote, ja dhe dera
“Po,” thashë unë.
Më gjatë dhe kuptimi do të kish humbur
Veten dëgjova të flisja dhe u irritova
E tepruam dhe ndjenjat na vunë përfund
Por fjalët qenë ende të infektuara
Një zemër të thyer dhe gonorrenë më ke dhuruar
Poezinë e sotme me penicilinë e kam shkruar
Pse dreqin kokat vazhdojme t’i përplasim
Pas të njëjtit mur të vjetër
Kur e dimë mirë, thellë thellë gjithçka urrejmë.
“Gjithçka kalon,” tha Yngve kur kënga kishte mbaruar dhe gjilpëra levizi të pushtonte në vendin e saj. “Gjithçka me kohë vdes. Shko të flesh; kur të çelësh sytë, një ditë e re do të ketë filluar.”
“E kuptoj se ç’do të thuash,” i thashë.
“Të ndihmoi ndopak?”
“Po, disi. A e vë prapë?”
Përktheu: Dhimitër Gjodede