Letër nga Lampeduza

1

Matthias Schwartz

 

SPIRANCA

Afrikanët që rrezikojnë të gjithë për të mbërritur në Europë, shohin si shpëtimtarin e tyre një prift.

Në Eritrea, kur mbush tetëmbëdhjetë vjeç shkon ushtar dhe qëndron në ushtri shumë vjet, madje hera-herës edhe për gjithë jetën. Punon për disa dollarë në ditë në ndërtim, në bujqësi apo miniera. Ata që nuk pranojnë futen në burg. Nuk ka rrugë tjetër.

Ne dëshironim një jetë më të mirë, një jetë të lirë dhe normale. Dëgjonim se në Europë mund të jetosh si të duash. Ndaj ikëm nga Eritrea dhe u futëm në shkretëtirë. Ecnim më këmbë dhe kishim pak gjëra me vete – disa të dhëna, ujë, një numër për të telefonuar, kur të na mbaroheshin paratë dhe një numër për të telefonuar nëse ia dilnim të mbërrinim në Europë.

Ecëm në drejtim të perëndimit, nëpër Sudan, në Kartum, pastaj nëpër Sahara dhe në Libi. Ishim njëqind e tridhjetë e një vetë. Kjo është historia që i treguam më pas policisë, gazetarëve dhe gjykatave. Një ditë në Libi, mbi ne u sul një bandë somalezësh të armatosur. Ata na futën me zor nëpër furgonë dhe na çuan në qytetin e Sabës, ku na mbyllën në një shtëpi. Ata na mbajtën me orë të tëra. Na lidhën kokëposhtë dhe na qëllonin në shputat e këmbëve. Na vinin armët te koka dhe qëllonin me plumba në dysheme. Ata morën dy të reja nëpër shkretëtirë, i përdhunuan dhe kthyen vetëm njërën. Derdhën ujë nëpër dysheme dhe u përpoqën të na kapte korrenti elektrik me një tel, por arritën vetëm sa të digjeshin dritat.

Somalezët kërkonin një haraç prej treqind dollarësh për kokë. Dy javë më pas, shumica e familjeve tona i pagoi dhe ata na çuan në Tripoli. Atje na çuan te kontrabandisti Ermias. Ai ishte një zeshkan rreth të tridhjetave, i ushqyer mirë. Ai mori njëmijë e gjashtëqind dollarë nga secili prej nesh për të siguruar një anije për në Lampeduza, që është një ishull italian rreth një ditë larg nga bregdeti i Libisë. Shumë prej nesh nuk kishin parë kurrë det dhe nuk dinim të notonim. I pyetëm nëse mund të paguanim para të tjera për jelekë shpëtimi, por Ermias nuk pranoi. Njerëzit e tij na mbyllën në një magazinë me shumë të tjerë, ku pritëm gjatë gjithë muajit shtator 2013. Më 2 tetor, disa orë para se të agonte, na çuan në bregdet dhe na hipën në një anije njëzet metra të gjatë. Ata futën rreth pesëqind veta mbi urë, nëpër kuvertë dhe pastaj nëpër kabina. Kontrabandistëve nuk iu pëlqeu pamja e anijes, aq e rëndë, aq e zhytur në ujë dhe aq e vjetër. Megjithatë ata thanë: ‘Zoti është kudo, do të jini me fat.’

Anija u nis. I dërguam gratë dhe fëmijët në kuvertë, ku do të ishin më rehat. Disa prej nesh shkruan numrat e telefonave të familjeve tona përmbi rroba. Një grua, e ngjeshur në një kabinë plot e përplot, shkroi një numër përmbi veshjen e anijes. Ai ishte i një prifti katolik, Aba Musie Zerait – At Moisiu. Numri i tij shkruhej mbi muret e burgjeve në Libi. Ne besonim se ai mund ta shpëtonte një anije që shfaqej në mes të detit.

Kapiteni ishte një tunizian që nuk e dinte gjuhën tonë. Ai i ndezi motorët në perëndim të diellit. Në orën tre të mëngjesit të 3 tetorit motori u fik. Ne ishim aq afër sa shihnim dritat e bregut të Lampeduzës. Pritëm që motori të ndizej përsëri. Filluam të zhyteshim në ujë. Kapiteni seç mori një gjë dhe e grisi – ishte një çarçaf, ndonjë copë rrobë apo ndonjë batanije? E zhyti atë në karburant dhe i vuri zjarrin si sinjal për ndihmë. Disa njerëz, kur panë atë copë të digjej, i zuri paniku dhe të gjithë po shtyheshin nga bashi. Ai u zhyt nga pesha jonë, anija u përmbys dhe na hodhi në det.

‘Le ta provojmë fatin’- thamë ne. Filluam të notojmë. Duart po na tërhiqnin poshtë. I mblodhëm. Nga dritarezat anësore shihnim brenda kabinave. Disa panë bijtë, bijat dhe gratë e tyre dhe vendosën të zhyteshin, kurse disa u zhytën duke u munduar që t’i shpëtonin. Disa shqiptuan emrat e tyre dhe të fshatrave të tyre, që lajmi i vdekjes së tyre të përcillej drejt bregut.

Rreth orës 9 të mëngjesit të tre tetorit, zilja e telefonit të At Musie Zerait nisi të binte pa pushim. Jashtë apartamentit të tij, në dioqezën katolike të Friburgut në Zvicër, Alpet ngrihen mbi çatitë me tjegulla të kuqe dhe katedralen gotike të qytetit mesjetar. Telefonatat vinin nga Suedia, Norvegjia, Eritrea, Italia, Sudani dhe Lampeduza. Një anije që vinte nga Libia kishte marrë zjarr dhe ishte mbytur. Të paktën njëqind e njëmbëdhjetë njerëz kishin vdekur dhe më shumë se dyqind të tjerë nuk po gjendeshin. Ai ishte nja lajm i hidhur, i njohur – gjatë njëzet viteve të shkuara, gjatë rrugës për në Europë kishin vdekur më shumë se dymijë emigrantë. E do të ishin akoma më shumë sikur të mos ishte Zerai, një emigrant eritreas tridhjetë e nëntë vjeçar, numri i telefonit të të cilit qarkullon nëpër afrikanët që kufizohen me Europën si Mesdheu 911. Anijet që janë në hall i telefonojnë Zerait me telefona celularë dhe ai shkruan koordinatat e tyre të cilat ua përcjell autoriteteve italiane për të organizuar shpëtimin. Kur nuk kryhet shpëtimi, Zerai del në televizionin dhe radion italiane dhe dërgon mesazhe të shumta me emrat e atyre që ai beson se janë përgjegjës. Sipas Rojës Bregdetare Italiane, telefonatat e Zerait kanë ndihmuar për të shpëtuar pesë mijë njerëz.

Ajo që e tronditi Zerain, më 3 tetor, ishte afërsia e anijes me tokën. Mbytja e qindra njerëzve më pak se një kilometër nga Lampeduza dukej si një manifestim i qasjes së Europës ndaj emigracionit afrikan – forcimi i kufijve të saj, i dyfishuar me indiferentizëm shqetësues për jetën e njeriut. Ai tregoi në një emision lajmesh italiane se vdekjet ishin ‘fryt i marrëdhënieve të këqija midis veriut dhe jugut të botës’, një vërejtje që u mor me shpejtësi nga La Repubblica. Atë ditë, Papa Françesku e quajti mbytjen e anijes ‘një turp’. Zhytësit e Rojës Bregdetare e kaluan javën e ardhshme duke nxjerrë trupat nga trupi i anijes. Mes tyre, në thellësinë e ujit 45 metra, ishte një foshnjë e porsalindur, akoma e lidhur me kërthizën te nëna e saj, që ishte mbytur ndërkohë që po lindte.

Zerai u rrit gjatë luftës së gjatë të Eritreas për pavarësi. Kur ishte shumë i ri, qyteti i tij i lindjes u sulmua. Ndërsa muret e shtëpisë së tij dridheshin nga shpërthimet e bombave, gjyshja e çoi atë dhe vëllezërit e tij në një bunker nën tokë, ku e ulur më gjunjë së bashku me ta po lutej. Më pas kur një kushëriri i afërt i tyre vdiq, ajo vuri re se Zerai ishte i vetmi pjesëtar i familjes që nuk shfaqi ndonjë emocion. ‘Po ti, çfarë ke futur në bark që të bën kaq të ftohtë – ndonjë gur?’ – e pyeti ajo.

Zerai e mban jetën e tij të brendshme të fshehur deri më sot. ‘Nuk është puna se unë nuk zemërohem, – thotë Zerai. –Unë zemërohem. Por kur duhet të kem dialog me mediet apo politikanët përpiqem t’i paraqes arsyetimet e mia me qetësi.’

‘Nga mungesa e një bote më të mirë, ai ka vërtet një hijeshi, – më thotë Luis CdeBaca, ambasador i zyrës së Departamentit të Shtetit kundër trafikut të qenieve njerëzore. – Nuk ke ç’bën veçse të prekesh nga dikush që ka një qetësi të vërtetë, një spiritualizëm të vërtetë.’

Zerai punon për Vatikanin si prift famullie, duke iu shërbyer mijëra katolikëve eritreas që jetojnë në Zvicër. Në kohën e lirë ai ndjek punën e tij të emigracionit, me anën e Agjencisë Habeshia, një organizatë bamirëse, që e ka emërtuar duke përdorur një fjalë të lashtë për popujt e Eritreas dhe Etiopisë. Faturat e tij të telefonit arrijnë mijëra euro në muaj. Për një kohë, Zerai po mblidhte dhjetëra mijëra euro për të paguar haraçet e telefonuesve të tij, deri sa e kuptoi se kjo ishte si të shuaje zjarrin me shkarpa. Ai e ka ngritur gjendjen e vështirë të emigracionit afrikan para ministrave italianë, komisionerëve të Bashkimit Europian dhe dy papëve. Nga ana e tyre ai ka pasur shumë fjalë mirësie, por një ndryshim të vogël në politikë. Në fakt, situata po bëhet akoma më e keqe. Numri i emigrantëve që mbërritën në brigjet italiane në tre muajt e parë të vitit 2014, siç raportonte Times, ishte dhjetë herë më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Javën e kaluar, brenda dy ditëve, në bregdetin italian mbërritën katër mijë njerëz. Frontex, ekuivalenti europian i Departamentit për Sigurinë e vendit, planifikon të përdorë satelitët dhe avionët e telekomanduar për të ruajtur kufijtë e Europës dhe i këshillon forcat e tij të sigurisë lidhur me dallimin midis drejtimit të ‘të kthyerve’ përsëri në Afrikë dhe angazhimit për t’i prapësuar, që është shkelje e të drejtës ndërkombëtare. Në fillim të shkurtit, në një video në internet tregohej se si oficerët e policisë përdornin plumba gome në ujë, afër afrikanëve që po mundoheshin të notonin pranë një pengese që mbronte një enklavë spanjolle në Marok. Pesëmbëdhjetë veta u mbytën.

Dy javë pas mbytjes së anijes më 3 tetor, Zerai pyet veten nëse do të kishte ndonjë reagim për këtë fatkeqësi. ‘Politikanët vetëm flasin, flasin, flasin. Por…., – vazhdon ai dhe mbledh supet, – çdo vit, të njëjtën gjë. Pas disa muajve askush s’ka për ta mbajtur mend këtë gjë. Po qe se ne – nuk vazhdojmë ta kujtojmë.’ Atij i mbushet balli me djersë dhe e fshin me shaminë e tij të dorës.’ Nuk është e mundur të pranohet kjo tragjedi si normale, – thotë ai. – Ky nuk është një aksident normal.’

Lampeduza është një pikë me shtatë milje gur gëlqeror dhe tokë të thatë. E ndodhur pranë Lampiones, ajo është shenjë e fundit e Italisë mbi shelfin kontinental të Afrikës. Pjesa më e madhe e bregut të saj jugor është një terren i pakalueshëm, ku shiroku shtyn valët mbi shkrepat e zhveshura. Në vitin 1843, Fedinandi II e kërkoi Lampeduzën për Mbretërinë e Dy Siçilive, kurse gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo u bombardua fuqimisht nga aleatët. Pas luftës, ajo gëzoi gjashtëdhjetë vjet si një enklavë e përgjumur peshkatarësh dhe turistësh. Në vitin 2000, një valë e dhunës së ksenofobisë nga Muamer Kadafi i Libisë bëri që emigrantë të zhvendosur nga Afrika filluan të mbërrijnë me anije. Në vitin 2009, pasi toleranca e Italisë për të porsaardhurit ra krahas me ekonominë e saj, qeveria e Silvio Berluskonit e riemërtoi qendrën njëmbëdhjetë vjeçare të pritjes në Lampeduza si Qendra për Identifikimin dhe Dëbimin. Sot, krahas me Marokun spanjoll, Qipron, Ishullin e Krishtlindjeve dhe Naurun, Lampeduza është një zonë burgu global, ku kombet e zhvilluara vendosin se kush meriton më shumë një jetë të re në anën tjetër të murit. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, në ishull kanë zbarkuar më shumë se dyqind mijë njerëz. Në Libi, kontrabanda e njerëzve quhet ‘biznesi Lampa-Lampa’. Gjatë revolucioneve të Pranverës Arabe 2011, politikanët italianë paralajmëruan për ‘një eksod biblik’, ‘një dyndje’ që ‘do ta gjunjëzonte’ vendin.

Shumica e atyre që shpëtuan më 3 tetor aspironin të fitonin statusin zyrtar ‘si refugjatë’ , që do të thoshte se i kishin shpëtuar persekutimit politik dhe se kishin të drejtë të mbroheshin sipas të drejtës ndërkombëtare. Disa i quajtën të mbijetuarit ‘azilkërkues’ për të zvogëluar natyrën e kërkesave të tyre. Në Itali ata quhen klandestinë. Në Algjeri quhen harraga, fjalë arabe për ‘ata që djegin’ – disa afrikanë i asgjësojnë dokumentet e tyre përpara mbërritjes, për të shmangur kthimin prapa. Media i quan ‘emigrantë’, duke nënkuptuar që ata ikin nga Afrika për arsye thjesht ekonomike. Kompetencën për të vendosur se kush është refugjat dhe kush është emigrant zakonisht e kanë ata që i intervistojnë kudo ku të mbijetuarit arrijnë të kërkojnë azilin. Përqindja e atyre që iu jepet azil ndryshon shumë. Në Lampeduza, të porsaardhurit përpiqen t’i shmangen marrjes së shenjave të gishtave në Itali me qëllim që të kërkojnë azil në Norvegji, Zvicër apo Suedi, që pranojnë më shumë kërkesa të azilkërkuesve ertitreas se çdo vend tjetër. Kodi i Kufijve Shengen, 2006, që ka ngritur muret ligjore, që rrethojnë Europën dhe ka ulur muret e brendshme, është në favor të të ardhurve që vazhdojnë drejt veriut.

Të afërmit udhëtojnë tridhjetë orë nga Oslo në Sicili dhe kthehen me pjesëtarin e familjes së tyre, duke përfituar nga kufijtë e hapur të brendshëm të BE-së. Ata që nuk kanë se kë të telefonojnë përfundojë shpesh duke jetuar nëpër baraka – në kasollet jashtë Milanos apo Romës.

Deri kohët e fundit, Zerai e kishte qendrën në Romë. ‘Kur e pyeta për lëvizjen e tij ai më tha se ‘Ky nuk ishte vendimi im. Peshkopi im thotë shko në Zvicër dhe unë shkoj.’ Zvicra është dy ditë larg nga Lampeduza. Më 21 tetor, pasi ndërroi dy trena dhe pas një fluturimi të shkurtër me avion, Zerai hipi në një barkë nate nga Siçilia. Së bashku me të udhëtonte edhe Meron Estefanosi, një suedeze e lindur në Eritrea, që mbron gjithashtu azilkërkuesit eritreas. Ajo merr shumë telefonata nga eritreasit në Sinai, që i luten për haraçe deri në dyzet mijë dollarë, ndërkohë që grabitësit e tyre iu derdhin mbi shpinë plastika të shkrira. Si aktiviste, Estefanosi është me e hapur se Zerai, duke u përzierë me hakerat në konferenca për të drejtat e njeriut dhe duke luftuar me mbështetësit e qeverisë eritrease në Twitter.

Estefanosi dhe Zerai morën me qira një furgon për të shkuar në qytetin e vogël port të Lampeduzës, ku ajri i ngrohtë dhe i kripur, si dhe ndërtesat e ulëta dhe të zbehta evokojnë Tunisin apo Algjerin. Rruga për në qendrën e ndalimit kalon nëpër një kantier të mbushur me mbeturina anijesh, në faqet e të cilave duken akoma shkrime arabisht. Furgoni ndalon afër një porte të ndryshkur, ndërsa pak më tej, duke ardhur rrotull me tuta të dhëna nga qeveria, ishte një grup të ndaluarish.

Zerai kishte një këmishë me mëngë të shkurtra, ngjyrë blu dhe me një katror të bardhë në qendër të jakës. Mjekra e tij, ku duken edhe thinja, i mbulon pjesën më të madhe të qafës dhe i ngjitet deri te mollëzat e faqeve. Më tërheqës janë sytë e tij – ata këna qepalla të dendura dhe formën e një çelësi violonçeli. Me gjestet e tij të kujdesshme dhe pamjen serioze, ai duket si një Haile Selasie i rëndë.

Pas disa diskutimeve, ushtarët italianë që ruajnë qendrën, lejojnë që një numër i vogël nga të ndaluarit t’i afrohen portës. Estefanosi nxori magnetofonin e saj për të intervistuar një eritreas të quajtur Mogos. Ai ishte rreth të njëzetave dhe pat mbërritur në Lampeduza gjashtë ditë më parë. Estefanosi e pyeti se përse e pat bërë atë udhëtim të rrezikshëm.

‘Situata në Libi është vërtet e keqe, – tha Mogosi duke folur në tigrinian, gjuha e tij e parë. –Gjithçka që bën del nga njëri burg dhe hyr te tjetri. Mendonim më mirë të vdisnim se sa të rrinim gjithë kohën në burg.’ Një ditë më parë, qeveria italiane kishte ngritur një përkujtimore për të vdekurit e 3 tetorit, por shërbesa u krye në Sicili dhe viktimat përfaqësoheshin me një numër të madh kurorash. Në Lampeduza, të mbijetuarit nuk u lejuan të shkonin me traget për të marrë pjesë në atë shërbesë dhe ata bllokuan rrugën përpara bashkisë. Shumë prej tyre kishin filluar grevën e urisë, përfshi edhe Mogosin. Hera-herës ai mezi i shqiptonte fjalët dhe fytyra e tij simpatike ishte dobësuar. Ai dukej se po e mbante veten me gishta që ishin kapur te hekurat e portës. Ai nuk kishte fuqi të shprehte plotësisht përvojën e hidhur – se si e patën qëlluar rojet ndërkohë që u arratis nga një burg libian, se si kontrabandistët e patën mbajtur në një vend që e quanin Mazra’a, një plevicë e braktisur, ku ai priti së bashku me të tjerët një anije. Mazra’a, tha ai më pas, ishte aq e nxehtë sa asnjëri nuk vishte rroba. Një ditë erdhi policia dhe pasi i shtriu me fytyrë për tokë hapi zjarr. ‘Na shpëtoi Zoti, – tha Mogosi më pas. – Për ta jetë jonë është më pak e rëndësishme se e një mize shtëpie.’ Më herët, gjatë një lundrimi të dështuar në det, ai pa një pasagjer tjetër që u mundua të arratisej nga rojet libiane të kufirit. Ata e spërkatën me benzinë, i vunë zjarrin dhe e hodhën trupin në ujë.

Duke qëndruar te porta e Lampeduzës, Mogosi u duk se e mbajti këtë kryesisht për vete. ‘Ju lutem, jepini të falat tona At Musies, – tha ai, duke mos e ditur që Zerai po qëndronte disa hapa më tej. Zerai dëgjoi emrin e tij dhe iu drejtua Mogosit. ‘Ne nuk kemi bërë akoma asnjë gjë për ju’ – tha ai.

Një ushtar i gjatë italian iu afrua Zerait. Ai dukej i shqetësuar, një njeri nën urdhra të paqarta. ‘Buongiorno, Padre, -i tha ai. –Tutto bene? Zerai e mori mënjanë. Ai e pyeti me zë aq të ulët që të mos kalonte as portën (Ndryshe nga anglishtja, që po e mësonte kohët e fundit, italishtja e Zerait kishte një saktësi të madhe). Ushtari e çoi te një grua e re, që ishte përgjegjëse e marrëdhënieve me publikun në atë qendër. Zerai përsëriti rastin e tij. Një ushtari tjetër kjo gjë iu duk qesharake. Ai u kthye nga shoku dhe qeshi. Zerai vazhdoi të fliste për njëzet minuta, por pa dobi. U duk se ai nuk çuditi njeri me këtë rezultat. ‘Një oficer i rangut të ulët mundohet të ushtrojë një lloj kompetence, megjithëse praktikisht nuk mund të bëjnë më shumë, – tha ai më pas. – Por ata i përdorin kompetencat e tyre vetëm sa për të qenë atje, për të humbur kohën. Ai që mund të bëjë diçka, që ka kompetenca, ndodhet diku gjetkë.’

Zerai lindi në vitin 1975 në Asmara, ku i ati punonte inxhinier. Sot, Asmara është kryeqyteti i Eritreas, kurse në atë kohë mbahej nga qeveria marksiste e Etiopisë. Kur Zerai ishte pesë vjeç, nëna e tij vdiq gjatë lindjes. Dy vjet më pas, policia e fshehtë i arrestoi të atin, që pagoi për të ikur nga burgu dhe u arratis, duke arritur përfundimisht në Itali. Zerai me shtatë vëllezërit e motrat e tij u rritën nga gjyshja, Kudusani, një grua e fortë, që shkonte në meshën katolike për ditë. Ai e quan atë ‘dëshmia ime e parë për besimin’.

Kur ishte djalë, Zerai kërkoi strehim në kishë, ku luante volejboll, futboll dhe këndonte në kor. Të shtunave, murgjit e çonin në dyqan për të blerë ushqime. Pasi i pat humbur të dy prindërit, ai pa se priftërinjtë mund të kishin një familje më të madhe dhe në moshën katërmbëdhjetëvjeçare i tha gjyshes se donte të bëhej prift. Ajo pyeti peshkopin. Peshkopi i tha t’i kërkonte lejë babait, që e ftoi Zerain në Romë.

Kur Zerai iku nga Eritrea, në fillim të moshës nëntëmbëdhjetëvjeçare, vendi i tij pothuajse e kishte siguruar pavarësinë pas tridhjetë vjet lufte. Isais Afeveriki, udhëheqësi rebel që kishte marrë kontrollin e qeverisë së re të Eritreas, gëzoi besimin e vendit për gjashte vjet relativisht paqësorë, por pastaj filloi të godiste pozitën. Ai u fut në luftë me Etiopinë dhe imponoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Vëllai i Zerait, Biniamini më tha se Zerai, gjatë vitit të tij të fundit në Eritrea vendosi ta kalonte kohën me ‘njerëz të mëdhenj’ – biznesmenë, juristë, gjyqtarë. Ai ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, por ‘mendja e tij nuk ishte si e një fëmije’, më thoshte Biniamini. Zerai udhëtoi për në Romë me aeroplan, me një valixhe. Babai i Zerait ishte martuar përsëri dhe nuk i jepte dot shumë ndihmë që Zerai të sistemohej. Babai i tyre, thotë motra e Zerait, Senaiti, që tani jeton në Ugandë, ‘shkonte sa andej-këndej. Ai nuk qëndron në një vend.’ Zerai e gjeti rrugën e vet te një prift britanik, që punonte në një zyrë në stacionin qendror hekurudhor të Romës dhe ndihmonte të vegjlit e pashoqëruar për të kërkuar azil. Me ndihmën e tij Zerai siguroi leje banimi.

Roma nuk ngjante aspak me Asmarën. Ai mund të shkonte kudo ku dëshironte pa pasur frikë se mos arrestohej. Të shtunave natën ai shkonte në mbrëmje me miq eritreas në disko në Via Casakina dhe Via Cassia – sa herë që ishte mirë. Ai donte ‘ta provonte jetën’ pa menduar kurrë për vitet me teka të Franceskut apo Augustinit. Hera-herës, Zerai dëgjonte sharje raciste në autobus dhe në një nga punët e tij të para në ndarjen e gazetave. Kur afrikanët bënin gabime, drejtuesit i quanin budallenj apo negro di merda. Zerain e pushuan dhe gjeti një punë te një tezgë frutash në Sheshin Vitorio, ku praktikoi italishten duke biseduar me klientët. Ai shijoi fruta që nuk i kishte parë kurrë në Asmara –‘dardha abate, mollë rëneta, – thoshte ai. -Kivit nuk i kisha parë kurrë.’ Pas pune ai punonte vullnetar te prifti britanik si përkthyes dhe si konsull jo zyrtar. Ai mësoi si të ndiqte proceset zyrtare për të siguruar identifikimin, lejet e banimit, kartat e shëndetit, pensionet tridhjetëvjeçare, format e taksave. Emigrantët ‘mund të kishin ecur vetë, por nuk e dinin gjuhën apo logjistikën’ – më thoshte ai.

At Xhampiero, prifti i dytë i një prej famullive me të cilën punonte Zerai, e kujton atë ‘shumë të qetë, me një ndjeshmëri të thellë, me një spiritualizëm të dukshëm dhe që tregon një vëmendje të madhe ndaj të tjerëve.’ Xhampiero e rekomandoi që ai u fut me skalabrinët, një urdhër fetar i njohur për ndihmën ndaj emigrantëve. Tre vjet më parë, Zerai kishte parë në televizor lumturimin e themeluesit të urdhrit, Gjon Baptist Skalabrini, që predikonte objektivitetin dhe përulësinë.

Zerai i kaloi tre vjet duke studiuar me skalabrinët në Piaçenca, qyteti i themeluesit të urdhrit. Në vitin 2003 ai u rikthye në Romë, ku jetoi shtatë vjet në një mision skalabrin. Gjatë kohës që ai ishte larg, kushtet e emigrantëve ishin keqësuar. Shumë afrikanë flinin nëpër baraka apo në fabrika të braktisura. Puna e tij me priftin britanik dhe me Xhampieron e kishin bërë të besonte se vështirësitë me të cilat ndesheshin emigrantët ishin kryesisht burokratike dhe mund të kapërceheshin duke këmbëngulur, megjithëse kishte edhe probleme më të mëdha. Ai filloi të organizonte demonstrata nëpër rrugë dhe të lobonte me zyrtarët e BE-së në Bruksel. Atij filluan t’i telefononin eritreas nga Libia, Sudani dhe Egjipti. ‘Brenda një kohe të shkurtër numri im i telefonit u bë publik’.

Një ditë Zerain e thirri në zyrë eprori i tij. ‘Ti je i mbytur me punë deri në grykë, – i tha ai. – Ki kujdes. Ti nuk je shpëtimtari i botës. Shpëtimtari i botës është Jezu Krishti.’

Zerai e kujton këtë këshillë, kur ndjen se misioni i tij e shtyn drejt rraskapitjes. “Unë e di se cili është kufiri im, – thotë ai. – I them vetes ‘Moisi, ti nuk je shpëtimtari i botës.’ Është e rëndësishme të bësh atë që është e mundur. Dhe kur bëj gjithçka që është e mundur dhe nuk kam përfundime të mira, është e rëndësishme të kujtoj se cili jam unë.”

Në kohën e vizitës së Zerait në Lampeduza, qendra e ndalimit ishte mbushur plot e përplot. Disa të ndaluar flinin jashtë.

Pasi ra mbrëmja, në një shesh me gurë, ku ndodhet një kishë katolike, në qendër të qytetit, Zerai u ul duke biseduar me një grup eritreas, iu dha numrin e tij, kur Mogosi sulet drejt tij. Sytë i ishin zmadhuar dhe po i shndrisnin. Ai i kapi dorën Zerait, e puthi dhe e vuri përmbi ballë. ‘At Mosiu është njeri i mirë, – tha ai. –Çdokush në Libi e ka numrin e celularit të tij. Unë jam këtu i gjallë për shkak të At Moisiut’.

Në një kafe aty pranë, Zerai dhe Estafanosi takuan një grup me moshë pak më të madhe, nga të mbijetuarit e 3 tetorit, që shërbenin si përfaqësues për pjesën tjetër. Njëri prej tyre, Mesfin Asmelashi, ishte dyzet vjet, i gjatë dhe i thatë. Ai kishte atletike të bardha Nike, që ia kishte dërguar një kushëri, kur ishte në Sudan. Ai i tregoi Estefanosit një listë, të shkruar me dorë, me emrat e të vdekurve të 3 tetorit, me moshën, shtetësinë dhe adresën e shtëpisë të secilit. Kur nuk gjenin dot emrat, regjistronin shenja të tjera dalluese, si moda e flokëve. Familjet e pasagjerëve të munguar i kishin dhënë Estafanosit emrat e tyre për t’i kontrolluar te lista. Të katër ata kishin vdekur.

Zerai e çoi Asmelashin dhe pjesën tjetër të grupit për darkë, në një restorant aty pranë. Ai ishte i preokupuar me detajet që i kishte dëgjuar disa herë gjatë asaj dite – se pak përpara mbytjes së anijes, asaj i ishin afruar dy anije të tjera, që pastaj u larguan. Disa thoshin se ato ishin të Rojës Bregdetare Italiane, por disa të tjerë nuk ishin të sigurt. (Një zëdhënës i Rojës Bregdetare e mohoi me vendosmëri çdo kontakt me anijen e eritreasve).

Të nesërmen në mëngjes, Zerai, me nja kapelë të bardhë dhe një togë të bardhë, qëndroi para altarit të kishës te sheshi. Afër hyrjes varej një pikturë e Palit, këmbëzbathur e me vargonj, duke lundruar mbi një dhogë. Ai po voziste si i burgosur nga Palestina për në Romë, kur barkën e tij e përfshiu stuhia. Ai mbërriti në Maltë, ku banorët treguan një ‘mirësi të jashtëzakonshme’.

Para Zerait ishin ulur rreth tetëdhjetë eritreas, gati gjysma e atyre që mbijetuan më 3 tetor, që kishin ardhur nga qendra e ndalimit. Zerai iu tregoi si t’i prezantonin historitë e tyre para zyrtarëve që do t’i intervistonin. Ai foli edhe për çështje shpirtërore. Ata që kishin shpëtuar nga mbytja e anijes tani kishin rilindur. Ata duhet të mendonin se çfarë duhet të bënin me jetën e tyre të re dhe të mos rronin tej mase me atë që pat ndodhur.

Jashtë, në shkallët e kishës, një burrë rrinte vetëm me një peshqir hedhur mbi qafë si shall. Ky ishte ai burri, të cilit iu mbyt gruaja duke lindur. Në diasporën e Eritreas, më pas u përhap nëpërmjet internetit një vajtim për atë foshnjë: ‘Nëna e tij lufton pa fuqi të mbetet mbi ujë/ dhe një djalë porsa lindi/askush nuk i pa sytë e tij/ të hapur një çast/dhe pastaj të mbyllur përgjithmonë.’

Nga Lampeduza, Zerai shkoi në Vatikan, ku në mëngjesin e 25 tetorit u zgjua në orën shtatë, hëngri mëngjes me pak bukë dhe një gotë qumësht dhe u lut. Pastaj eci drejt Sheshit të Shën Pjetrit dhe mori një taksi. Atë ditë kishte një listë të gjatë takimesh – me dy ministra dhe kryetaren e Dhomës së Deputetëve.

Takimi i parë në Romë ishte me shefin e zyrës së Afrikës nënsahariane në Ministrinë e Punëve të Jashtme, një burrë rreth të gjashtëdhjetave, i rregullt, me një kostum dopiopet, të shkopsitur dhe me duar të kryqëzuara bënte sikur dëgjonte me vëmendje. Zerai dhe dy aktivistë të tjerë u përpoqën të siguronin ndihmën e tij për transportimin e të vdekurve të 3 tetorit në Eritrea, por pa shumë sukses. Nga Ministria e Jashtme, Zerai shkoi me taksi në obeliskun antik egjiptian në Piazza di Montecitorio, ku disa qindra eritreas nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Zvicra kishin ardhur për të protestuar kundër politikave të emigracionit të BE-së. Pas takimit me një ministër të kabinetit, Zerai drejtoi një protestë tjetër në Teatro Valle, ku ai mbajti një fjalim. Ai kërkoi hetim lidhur me akuzat se Roja Bregdetare i kishte parë dhe i ishte afruar anijes së 3 tetorit disa minuta para se të mbytej. ‘Treqind e gjashtëdhjetë njerëz do të kishin shpëtuar sikur ata të kishin bërë detyrën e tyre, – tha ai. –Dikush duhet të mbajë përgjegjësi.’ Ai u largua më herët pasi brenda njëzet minutave duhej të paraqitej në televizion. Në orën 3 të pasdites Zerai ishte drejtpërsëdrejti ne Televizionin Sky. ‘A është Italia një vend racist?’ e pyeti prezantuesja.

‘Racizëm ka, por në Itali nuk janë të gjithë racistë’ – iu përgjigj Zerai. Në fakt, të parët që u shpëtuan më 3 tetor, u shpëtuan nga Vito Fiorino, një qytetar i Lampeduzës, i cili u ndodh aty pari duke peshkuar. Ai dhe shokët e tij nxorën nga uji dyzet e shtatë të mbijetuar.

Ndërkohë që Zerai ishte në televizion, udhëheqësit europianë ishin mbledhur në Bruksel. Emigracioni ishte në rend të ditës. Kancelaria gjermane Angela Merkel tha se ajo ishte’ thellësisht e shqetësuar’ nga këto mbytje ‘të tmerrshme’ anijesh. Udhëheqësit e BE-së premtuan më shumë mjete – anije, aeroplanë, mjete të tjera mbikëqyrjeje. Prezantuesja e pyet se çfarë dëshironte ai nga qeveria italiane. Zerai jep disa propozime. Europa duhet të hapë një ‘korridor humanitar’, që përdoret nga civilët, të cilët shpëtojnë nga zonat e luftës – t’u japë azil kërkuesve një alternativë të ndryshme nga ajo e anijeve të kontrabandistëve.

Ndërkohë intervistuesja i sjell lajme të reja nga Brukseli. Nuk ka asnjë aksion të menjëhershëm, i tha ajo. Bisedimet e tjera janë shtyrë për në dhjetor dhe qershor. Me të thënë e me të bërë shkon në mes një det i tërë, – tha ajo.

Takimi i fundit i ditës, në Dhomën e Deputetëve, pati një ton më të ngrohtë. Laura Boldrini, kryetare e Dhomës, shprehu keqardhje për situatën në Lampeduza. Ajo inkurajoi dhe këshilloi, por zgjidhje nuk po dukeshin.

Me kalimin e muajve Zerai po bëhej pesimist. Të vetmit njerëz, që u bënë përgjegjës për vdekjet e 3 tetorit, ishin kapiteni tunizian dhe një somalez, që akuzohej se i pat ndihmuar për të rregulluar atë udhëtim. Të dy përballen me akuza penale në Itali. Askush në Uashington apo Bruksel nuk flet seriozisht për një korridor humanitar trans-mesdhetar apo për pranimin e kërkesave të refugjatëve në misionet e tyre në Afrikë. BE po përpiqet të shmangë një katastrofë tjetër si ajo e 3 tetorit, ndërkohë që anijet nisen nga Afrika Veriore me ritmin më të shpejtë që nga Pranvera Arabe.

Aty nga fundi i ditës, Zerai hipën në një furgon dhe shkon në Kolegjin Etiopian, ku ulet pranë një tryeze lisi sa të bëhet pica. Duket i lodhur dhe i paduruar. Të nesërmen në mëngjes duhej të ishte në Zvicër të drejtonte meshën. Pas tij, në një kuti qelqi ishte një Bibël në etiopisht, kurse kapaku i zbukuruar me një kryq të artë. Në krye kishte një shkrim të shndritshëm:

Dhuratë nga H.I.M.

Haile Selassie I

Perandori i fundit i Etiopisë.

Selasie pretendonte se rridhte nga Mbreti David. Gjatë vizitës së tij në Xhamajka, në vitin 1966, atë e priti në aeroport një turmë me mijëra veta, që e përshëndeti si Mesi. Megjithëse Zerait i mungojnë pretendimet perandorake të Selasiesë, te ai kanë shpresa shumë të mëdha një numër i madh njerëzish të dëshpëruar. E pyeta atë për krenarinë.

‘Për mua ky është vetëm një shërbim, – tha ai. – Unë nuk e kam këtë lloj …si thatë? …krenari. Jo. Unë jam prift. Jam bariu i njerëzve. Edhe kur njerëzit më puthin dorën, ata nuk më puthin mua. Ata puthin Jezu Krishtin. Jo mua.’

Zerai kërkon falje për të rezervuar një fluturim herët për në Zvicër. Ai fjeti pak orë atë natë dhe pak më shumë në aeroplan dhe mbërriti në kohën e duhur për meshën.

SHPËRNDAJE