Ndizni një qiri për Kapuscinskin

0

Virgjil Muçi

Për hir të së vërtetës, një qiri është pak për një njeri për të cilin lypsej mbajtur një requiem, një meshë, edhe pse me ai, me atë natyrën e mbyllur, e fjalëpaktë, kokulur e i përunjur  deri në skaj të asaj që e kemi bërë zakon ta quajmë modesti, nuk kishte për ta pranuar një nder të këtillë. Gazetar, udhëpërshkues e udhëpërshkrues,  ekspert e historian arti (i diplomuar në këtë fushë në universitetin e Varshavës), antropolog (për nga përvoja dhe jo për nga shkollimi), historian (Herodoti, siç i vinte për osh të shprehej, ishte mësuesi tij, domethënë reporteri i parë në historinë e njerëzimit) dhe, e fundit, por jo për nga rëndësia, shkrimtar e autor librash që sot konsiderohen klasikë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, të përkthyer në mëse 30 gjuhë të botës. Në vitin 2003, Kapuscinski do të ishte ndër kandidatët e çmimit Nobel, ndonëse edhe pa e fituar, shkëlqimi nuk do të mpakej teksa dimensioni i tij intelektual nuk do të bjerrej.

E pra, ky është portreti profesional i Ryszard Kapuscinskit, “princit të reportazheve”, njeriut që u nda nga jeta, para pak kohësh, në moshën shtatëdhjetë e katër vjeçare, në Varshavë. Kapuscinski u lind më 4 mars të vitit 1932 në Pinsk, një qytezë që dikur i përkiste Polonisë, ndërsa sot Bjellorusisë. (Rastësi ose ironi e fatit, mund ta marrësh si të duash, por pasioni më fort se fati do ta bënin këtë njeri qytetar të botës, një nga udhëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. “Sa më shumë që e njohim botën aq më fort bëhemi të vetëdijshëm për pafundësinë e saj dhe pamundësinë për ta shterruar njohjen: jo dhe aq në kuptimin e hapësirës fizike sesa atë të pasurisë kulturore aq të gjerë, pa anë e pafund.” Kështu shprehej ky njeri që u shndërrua në simbol të dijes e të njohjes dhe sidomos të daljes jashtë çdo suaze të konformizmit e jetës së mbyllur.) Interesant është fakti se nga të gjithë reporterët e mëdhenj të botës, Kapuscinski ka qenë më i varfri në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. E para, ai ishte një gazetar që vinte nga Lindja (siç quhej për eufemizëm, kampi socialist asaj kohe) dhe, e dyta, punonte për agjencinë e lajmeve polake Pap, pra, më të vobektën nga simotrat e saj Perëndimore. E megjithatë, asgjë nga këto nuk e penguan Kapuscinskin të bëhej jo vetëm një nga gazetarët më të njohur  të botës, por edhe një shkrimtar best-seller (siç është, fjala vjen, “Negus, shkëlqimi dhe mjerimi i një autokrati”, botuar më 1983 dhe, simbas Newsweek-ut, një nga dhjetë librat më të mirë në botë të atij viti), i cili, nuk ngurronte të rrinte në vend e të ndiqte rrjedhën e ngjarjeve edhe me shpenzimet e veta. Kjo gjë ndodhi gjatë revolucionit islamik në Iran, kur Ajatollah Khomeini përmbysi Shahun Reza Pahlevi dhe erdhi në pushtet. Siç do të shprehej më vonë, “do t’i ndiqte ngjarjet edhe mbasi reflektorët qenë fikur dhe kamerat qenë larguar”, thjesht për të arsyetuar, për të shkuar përtej lajmit, e për të kuptuar “si e qysh një popull vendos të ndryshojë regjimin e pushteteve.” Bash në këto momente, zinin fill librat e tij, të cilët shprehnin atë që gjuha e varfër e medias qe e pazonja. “E si mund ta përshkruaj një xhungël me gjuhën e shtypit?” do t’i përgjigjej dikujt me këtë pyetje retorike, kur e pyetën lidhur me nevojën që ka një reporter i njohur për të shkruar libra.

Në dyzet e shtatë vjetë veprimtari, Kapuscinski do të udhëtonte në rreth njëqind vende të botës, Azi, Afrikë (kontinentin që e desh aq shumë dhe për të cilin do të shkruante një nga librat më të bukur që janë shkruar ndonjëherë për kontinentin e zi, “Ebani”), Amerikë Latine e të Veriut dhe do të shkruante për revolucione, grushte shteti, ngjarje në përgjithësi që jo vetëm tronditën botën, por kanë lënë vrragë të thellë në historinë e njerëzimit, duke e ndryshuar atë në mënyrë të patjetërsueshme. Kur e pyetën një herë: “Si mund të bëhesh reporter lufte?”, njeriu që me veprën dhe jetën e vet ishte shndërruar në monument të gjallë, u përgjigj thjesht e shkoqur: “Të udhëtosh për të shkruar reportazhe nuk ka asgjë të përbashkët me të udhëtuarit si turist; çka lyp një punë të vështirë si dhe një përgatitje të mirë teorike, fjala vjen, të njohësh terrenin në të cilin ke për të lëvizur. Do të thotë të udhëtosh pa njohur asnjë grimë prehjeje, duke qenë vazhdimisht i përqendruar dhe i mobilizuar. Duhet të jemi të vetëdijshëm se vendi në të cilin kemi mbërritur mund ta shohim vetëm një herë dhe pas të gjitha gjasave nuk kemi për t’u kthyer kurrë më dhe shumë-shumë kemi vetëm një orë për ta njohur. Dhe brenda kësaj ore lypset të regjistrojmë atmosferën dhe situatën, të shohim, të kujtojmë e të dëgjojmë sa më shumë gjëra që të jetë e mundur. Të udhëtosh për të shkruar reportazhe do të thotë të kesh një ngarkesë emotive dhe shumë pasion. Madje pasioni është motivi i vetëm për të cilin ia vlen barra qiranë t’i hysh asaj pune. Bash për këtë gjë janë të paktë ata në mbarë botën që shkruajnë reportazhe. Nga të gjithë reporterët që i binin botës kryq e tërthor në vitet gjashtëdhjetë, kam mbetur vetëm unë. Të tjerët kanë hequr dorë dhe janë mbyllur nëpër zyra.”

Ja pra, ky ishte Kapuscinski, dinosauri i fundit i një gazetarie që shkruhej me shpirt dhe jo thjesht me laps e me kompjuter. Njeriu që edhe në mos nuk ia doli ta ndreqë botën me shkrimet dhe librat e vet, na ndihmoi ta njohim e ta kuptojmë edhe më mirë.

 

SHPËRNDAJE