Polonia: Nga tragjedia në triumf

0

Mitchell  A. Orenstein

Mitchell A. Orenstein është profesor dhe drejtues i Departamentit të Shkencave Politike tek Northwestern University dhe i asociuar tek Minda de Gunzburg Center for European Studies dhe Davis Center for Russian and Eurasian Studies tek Universiteti i Harvardit.

Çdokush që e njeh historinë polake nuk mund të mos mrekullohet me ngritjen e vendit nga rrënojat e së shkuarës së saj traumatike. Gjatë 25 viteve të fundit, Polonia pas shekujsh luftërash dhe nënshtrimi, ka gëzuar paqe, një ekonomi të qëndrueshme dhe në rritje, si edhe integrimin me pjesën tjetër të Evropës.

Një mbretëri e pavarur për 800 vitet e mëparshme, në vitin 1795 Polonia u zhduk nga harta e Evropës dhe u absorbua në tre fuqitë e mëdha fqinje – perandoria Prusiane, Ruse dhe Austro-Hungareze – një gjendje që zgjati deri në vitin 1918. E rilindur pas Luftës së Parë Botërore, Polonia përjetoi disa vite demokraci para se të tregonte se ishte e paqeverisshme, që i nënshtrohej diktaturave duke u pushtuar dhe ndarë edhe njëherë tjetër, këtë herë nga Gjermania Naziste dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1939. Në 6 vitet e ardhshme Polonia e gjeti veten në qendër të asaj që historiani Timothy Snyder e ka quajtur ‘’tokat e përgjakura’’ e Evropës; rreth 5 milion polakë vdiqën ndërmjet viteve 1939-1945, me më tepër se gjysmën polakë hebrenj. Nazistët dhe sovjetikët zhdukën gjithashtu ajkën e inteligjencias dhe elitës polake. Varshava u reduktua në rrënoja dhe varret masive dukeshin në të gjithë peizazhin e vendit. Më pas erdhën katër dekada gri të dominimit komunist. Vetëm Kisha Katolike u ofronte disi shpresë polakëve.

Megjithatë, me rënien e komunizmit në 1989-ën Polonia ka përjetuar një kthim radikal fati. Pasi drejtoi lëvizjen e protestës që përmbysi regjimin e vjetër, Sindikata Solidariteti fitoi zgjedhjet demokratike dhe filloi reforma ekonomike agresive të orientuara nga tregu. Partia Komuniste e Punëtorëve të Bashkuar Polakë u transformua në Aleancën e Majtë Demokratike, që fitoi zgjedhjet në vitin 1993 dhe 1995 dhe e çoi vendin drejt NATOs në vitin 1999. Dhe në vitin 2004, Polonia u anëtarësua në BE si anëtare e plotë, duke çimentuar kështu aleancën e afërt me Gjermaninë, antagonisten e saj të dikurshme.

Ndërkohë, ekonomia polake është rritur me shpejtësi këto dy dekada – më tepër se 4% në vit, më e larta në Evropë – dhe ka tërhequr investime masive në kompanitë dhe infrastrukturën e saj. Ekonomia e Polonisë renditet tashmë e gjashta në BE. Standardet e jetesës janë dyfishuar ndërmjet 1989 dhe 2012, duke arritur 62% të nivelit të vendeve të pasura në themel të Evropës. E gjitha kjo bëri që ekonomisti i Bankës Botërore, Marcin Piatkowski,  të arrinte në përfundimin se Polonia ‘’ka pasur ndoshta 20 vitet më të mira krahasuar me 1000 vitet e historisë së saj’’.

Si arriti Polonia të lëvizë me kaq vendosmëri përtej tragjedive të përsëritura të së kaluarës së saj? Kjo pyetje rrallë është bërë nga analistët e tregut, sensi i të cilëve për Poloninë nuk shkon më tej se sa reformat ekonomike të viteve 90’. Këto reforma janë në të vërtetë pjesë e historisë – por vetëm pjesë e saj dhe fokusimi vetëm tek to zbeh shkaqet më të thella të ringjalljes së vendit. Shpjegimi i bumit ekonomik të Polonisë – dhe përse ka gjasa të zgjasë – kërkon një vështrim më të thellë tek historia e saj e turbulluar.

Drejt Perëndimit!

Për shekuj me rradhë tragjedia e Polonisë ka qenë gjeografike. E vendosur në fushat e rrafshta dhe të hapura të Evropës veriore, pa kufij natyrorë që e ndajnë nga Gjermania në perëndim dhe Rusia në lindje, Polonia shpesh është ndarë ndërmjet të dyjave. Nga viti 1569 deri në vitin 1795, Polonia ka pasur një perandori që shihte nga lindja: Komonuelthi Polako-Lituanez, që përfshinte pjesë të mëdha të Bjellorusisë së sotme, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Ukrainës. Megjithatë, sot Polonia i është bashkuar Perëndimit – aq sa polakët e kanë inat kur vendi i tyre konsiderohet pjesë e Evropës lindore, duke këmbëngulur se ata jetojnë në Evropën qendrore. Megjithëse disa ia atribojnë këtë zhvendosje përqafimit të ngrohtë të BE-së, autori i vërtetë i transformimit perëndimor të Polonisë ishte veçse Joseph Stalin.

Kontributi i paqëllimtë i Stalinit erdhi prej mënyrës se si lideri sovjetik i riformësoi me forcë kufijtë e vendit pas Luftës së Dytë Botërore. Prioriteti i tij kryesor ishte zgjerimi i Bashkimit Sovjetik, ndaj ai i mbajti të gjitha pjesët e Polonisë lindore që kishte aneksuar në vitin 1939 dhe e kompensoi vendin me një pjesë të madhe të territoreve lindore gjermane të Silezisë, Pomeranisë dhe Prusisë Lindore. Përveç rritjes së përmasave të perandorisë së tij, Stalini ishte fokusuar tek dënimi i gjermanëve dhe në fakt miliona prej tyre u përjashtuan nga shtëpitë e tyre në territoret e reja polake. Miliona polakë u zhvendosën nga lindja e aneksuar tek perëndimi i porsa zbrazur.

Sot, vendimi i Moskës për ta shtyrë Poloninë drejt Perëndimit mund të duket si një gabim i madh strategjik. Kjo sepse efekti afatgjatë ishte lëvizja e ngadaltë e Polonisë në orbitën e Gjermanisë. Në fakt, Polonia e sotme, është më së shumti Gjermani, e banuar nga polakë. Që kur Gjermania e pranoi këtë situatë duke nënshkruar një traktat paqeje me Poloninë në vitin 1990 ka pasur për qëllim ta sjellë Poloninë më afër. Dhe Varshava është treguar partner i gatshëm.

Një pjesë e asaj që e bën Poloninë një vend kaq të mirë investimi sot është thellësia e bondit që ka përparuar me ekonominë udhëheqëse të Evropës. Marrëdhënia është përfituese për të dy vendet. Një pjesë e madhe e eksporteve gjermane bazohet tashmë në Poloni. Polonia merr investimet dhe tregjet gjermane për të mirat e saj dhe Gjermania përfiton nga mundësia për ta përdorur Poloninë si një platformë prodhimi me kosto të ulët dhe cilësi të lartë që konkurron me Azinë Lindore. Në fakt, disa industri gjermane kanë mundësi të prodhojnë të mira në Poloni me kosto më të ulët se sa në Kinë. Dhe Polonia i ofron Gjermanisë një klimë miqësore biznesi, forcë punëtore të kualifikuar dhe mbi të gjitha afërsi.

Gjermania i detyrohet shumë fqinjit lindor për suksesin e saj në industrinë e automobilave. Në fabrikën e tij në Poznan, Volkswagen punëson 6900 punëtorë që prodhojnë module tubash, koka cilindrash dhe pjesë të tjera makinash si edhe 155000 makina komerciale çdo vit. MAN Group punëson 4000 punëtorë në Poloni që ndërtojnë kamionë të rëndë, autobuzë qytetesh dhe sasi autobuzash në tre fabrika të ndryshme. Makinat dhe komponentët automatikë janë tashmë eksporti udhëheqës i Polonisë, pavarësisht faktit që vendi nuk ka një markë ndërkombëtarisht të njohur; një pjesë e madhe përfundojnë si marka gjermane. E njëjta gjë është e vërtetë për industritë e ndryshme si pajisjet shtëpiake dhe veshjet; shtëpia e modës gjermane Hugo Boss, për shembull i prodhon këpucët në një fabrikë në qytetin polak të Radomit.

Ngaqë Polonia është tashmë pjesë kryesore e rrjetit furnizues gjerman, është kthyer në një ekonomi eksportuese – eksportet tanimë përbëjnë 46% të GDP-së së saj. Një raport i kohëve të fundit të Morgan Stanley ka vlerësuar se 30 deri në 40% e eksporteve të Polonisë drejt Gjermanisë tani përfundojnë si eksporte gjermane tek pjesa tjetër e botës. Kjo ndërvarësi shpjegon përse Gjermania është partneri më i madh tregtar i Polonisë, që blen ose shet 25% të eksporteve dhe importeve të Polonisë, që arrin në total rreth 12% të ekonomisë së përgjithshme polake.

Asnjë nga këto nuk do të kishte ndodhur nëse marrëdhënia gjermano-polake nuk do të ishte përfshirë në BE. Që kur Polonia u anëtarësua në vitin 2004, BE-ja ka bërë çudira për të dhe pjesën tjetër të Evropës Lindore, duke siguruar liri demokratike dhe reforma administrative dhe duke e ndihmuar rajonin të liberalizojë tregjet e tij. Dekadën e fundit, BE-ja ka investuar rreth 40 miliard euro në infrastrukturën polake, duke ndërtuar autostradat që Polonia nuk i kishte pasur më parë; duke zëvendësuar autostradat e dala prej mode të mbi ngarkuara dhe shpesh vdekjeprurëse; duke rinovuar stacionet e trenit dhe linjat e trenit; duke pastruar lumenjtë dhe duke ndërtuar infrastrukturën kabllore. Në këtë proces Polonia është kthyer në kantierin më të madh të ndërtimit në Evropë. Ndërmjet 2000 dhe 2013, gjatësia agregate e autostradave polake u rrit pesëfish, duke reduktuar së tepërmi koston dhe kohën që nevojitet për të transportuar të mirat në perëndim. Dhe përfitimet duhet të vijojnë; ndërmjet 2014 dhe 2020 BE-ja pritet të pompojë 106 miliard euro në vend. Ky fluks parash do të jetë baraz me afërsisht 2% të GDP-së vjetore të Polonisë, një nivel financimi i ngjashëm me atë që Uashingtoni ofroi për Evropën përmes planit Marshall.

Menaxhimi i rritjes së Polonisë

Për shkak të centralizimit të investimeve të huaja në ekonominë polake (pjesa më e madhe e bankave të mëdha dhe sipërmarrjeve janë të huaja), mbështetja tek tregtia e jashtme dhe fakti që kaq shumë polakë punojnë jashtë vendit, ekonomistët politik shpesh e karakterizojnë Poloninë si ‘’një ekonomi tregu e varur’’. Kjo varësi krijon një dilemë themelore: për të tërhequr bizneset e huaja dhe për të ruajtur konkurrueshmërinë Polonia duhet t’i mbajë pagat e ulta, që për sot janë sa një e treta e vendeve më të zhvilluara të BE-së. Por punëtorët polakë jetojnë afër pjesës tjetër të Evropës, duke udhëtuar dhe punuar atje në numra të lartë, ndaj aspirojnë për standarde më të larta jetese. Ky fakt do ta bëjë të vështirë për Poloninë të ruajë avantazhet që vijnë me punën e lirë.

Polonia duhet të shqetësohet veçanërisht për këtë dilemë duke patur parasysh praninë e vendeve të tjera me paga të ulta në lagjen e saj, që mund të shërbejnë si baza prodhimi. Në vitin 2009, kur prodhuesi i kompjuterave Dell lëvizi fabrikën e tij kryesore evropiane nga Limerick, në Irlandë, tek Lodz në Poloni, kryebashkiaku i Limerick-ut parashikoi se ‘’Dell do t’i drejtohet Ukrainës në 6 apo 8 vitet e ardhshme’’. Mund të thuhet e njëjta gjë për call center-at që janë kthyer në shtyllën kryesore të punësimit në Poloni.

Për ta kaluar këtë sfidë, Polonia duhet të rrisë shkallën e vlerës së shtuar dhe të fillojë të prodhojë më tepër eksporte të pajisjeve të teknologjisë së lartë dhe të dijes intensive. Për momentin, Polonia nuk investon aq shumë në kërkime dhe zhvillime krahasuar me fqinjët e zhvilluar – vetëm 0.7% e GDP-së, krahasuar me rreth 2% në BE si një e tërë. Por ekzistojnë arsye për të besuar se Polonia mund të ndryshojë kurs. Aseti kryesor i vendit është sistemi masiv arsimor. Një prej përfitimeve të pakta të regjimit komunist që e la Poloninë me një prej shifrave më të larta të alfabetizmit në botë. Dhe që prej viti 1989, polakët kanë vijuar të investojnë shumë në arsim, duke mësuar anglisht, duke ndërtuar universitete të reja private dhe duke marrë pjesë në programin e shkëmbimit studentor Erasmus ndërmjet universiteteve evropiane.

Polonia ka tani shifrën e dytë më të lartë të regjistrimit në universitet në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Ndërkohë që kompanitë e vogla inovatore polake kanë filluar të lulëzojnë, rruga drejt një të ardhmeje teknologjie të lartë (high tech) po paraqitet.

Megjithatë, rreziku më i madh afatgjatë për Poloninë është se konsumi dhe pagat do të rriten shumë shpejt, duke populluar kështu investimet e brendshme dhe ndaluar bizneset e huaja. Në menaxhimin e rritjes së vendit të tyre, politikanët polakë duhet të ndjekin një vijë të hollë ndërmjet kënaqjes së shqetësimeve të votuesve dhe ruajtjes së kostove të lira të punës së vendit.

Dilema e varësisë shpjegon gjithashtu përse Polona nuk ka gjasa t’i bashkohet eurozonës, të paktën jo së shpejti. Megjithëse qeveria polake dhe elitat polake fillimisht trumbetuan se do të adoptonin monedhën e përbashkët, kriza financiare dhe ajo e borxhit kombëtar bënë që të ndryshojnë mendje. Pjesë e arsyes përse Polonia u përball mirë me krizën globale të vitit 2008 ishte se arriti të zhvlerësonte zlotin, që e ndihmoi Varshavën të mbante eksportet dhe të ruante vendet e punës në vend. Dhe kur kriza e borxhit kombëtar u shfaq në vitin 2009, Polonia u mbështet tek zhvlerësimi dhe stimulimi qeveritar për të shmangur rënien, duke e shndërruar atë në të vetmin vend evropian që bëri diçka të tillë. Varshava e di se mbajtja e monedhës së vet do të thotë që investuesit do të paguajnë kosto transaksioni, por do ta ndihmojë gjithashtu vendin t’i mbajë pagat poshtë. Ndaj mos prisni të shihni kartëmonedha të euros në rrugët e Krakovit apo Gdanskut derisa standardet e jetesës së Polonisë dhe eurozonës t’i afrohen më shumë njëra-tjetrës.

Përse Polonia?

Një sfidë e fundit me të cilën përballet Polonia, për të cilën investuesit e huaj duhet të interesohen, është përmasa në të cilën ajo, sikurse vendet fqinje, ka luftuar për të ndërtuar një burokraci efikase. Polonia ende renditet vetëm në vendin e 41 dhe 45-të respektivisht tek Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe Indeksi i Bankës Botërore për Lehtësinë e të Bërit Biznes – poshtë gjithë vendeve të Evropës Perëndimore me përjashtim të Italisë. Megjithëse, ka pak rrezik politik për të bërë biznes në Poloni – veçanërisht krahasuar me Rusinë – duhen muaj për të themeluar një kompani atje. Disa kompani ankohen se Varshava favorizon sipërmarrjet që janë pjesërisht të komanduara nga shteti, duke përdorur rregullore si mënyrë për të zgjedhur fituesit, ose se qeveria nuk ka punuar në mënyrë mjaftueshëm agresive për të hequr barrierat administrative për rritjen ekonomike. Edhe pse mundësitë për investimet ekzistojnë me bollëk, qeveria ka pak gjasa të ndihmojë.

Edhe përse disa vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore ofrojnë mundësi të ngjashme, Polonia ende mbetet një zgjedhje tërheqëse për fqinjët e saj. Popullsia e saj prej 38 milion – afërsisht katër herë më e madhe se popullsia e Republikës Çeke apo Hungarisë – do të thotë se ka një treg të madh të brendshëm. Ndërkohë që Republika Çeke dhe Hungaria kanë ekonomi më të pasura dhe të hapura, Polonia ka kosto pune më të ulëta dhe është rritur më me shpejtësi. Në të njëjtën kohë, strukturat e saj qeverisëse janë më tepër të lidhura me rregullat se sa ato të konkurruesve me paga të ulëta, si Bullgaria, Rumania ose të tjera jashtë BE-së. Të gjitha këto vende duhet të vijojnë të lëvizin në industri më të sofistikuara nga ana teknologjike përgjatë kohës, në mënyrë që t’i mundësojnë qytetarëve të tyre të rrisin standardet e jetesës.

Në disa mënyra Polonia është shembulli për Evropën që Kancelarja gjermane Angela Merkel shpreson të krijojë. Ka krijuar një zonë të veçantë kërkese shumë përfituese në makinerinë prodhuese gjermane dhe mund të lulëzojë me një ekonomi të orientuar kah eksportet, bazuar tek një monedhë e fortë dhe kërkesa të brendshme të pakësuara. Ky model gjerman ka provokuar zemërimin e Evropës jugore, por funksionon për Poloninë.

Varshava ndonjëherë quhet ‘’qyteti i feniksit’’ për shkak të mënyrës si u ngrit, si zogu mitik, nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore. Sot, shumë polakë të zakonshëm dhe investues pyesin sa lart mund të fluturojë ky feniks. Projektimet ekonomike sugjerojnë se ekonomia e Polonisë do të rritet me rreth 2.5% çdo vit deri në vitin 2030, duke u shndërruar në një nga 20 ekonomitë më të mira në botë para se t’i nënshtrohej eventualisht rënies demografike. Nëse vendi mund të krijojë një mjedis biznesi më miqësor, të ndërtojë një ekonomi bazuar tek dija dhe të inkurajojë emigrim dhe lindshmëri më të lartë, mund të vijojë të rritet me ritme edhe më të shpejta. Në fund të fundit, polakët kanë aftësi të mposhtin pritshmëritë.

SHPËRNDAJE