Komuniteti LGBT në Shqipëri vazhdon të përballet me stigmë sociale, pavarësisht një kuadri legjislativ progresiv dhe investimeve nga komuniteti ndërkombëtar.
Sashenka Lleshaj, reportere e TCJE
TIRANË, 21 Maj – Po binte shi pa ndalur atë fundjavë, por ata prapë i pedaluan biçikletat e tyre përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës, duke valëzuar flamurin e ylbertë që tashmë simbolizon të drejtat e homoseksualëve rreth e qark botës.
Anëtar të komunitetit shqiptar të LGBT-ve, të ndjekur nga mbështetës dhe aktivistë, mbajtën manifestimin e tyre të tretë vjetor kundër homofobisë, duke pedaluar biçikleta përgjatë bulevardit krysor të Tiranës, Dëshmorët e Kombit, më datë 17 Maj.
“Mesazhi ynë kryesor është që ne jemi të gjithë të barabartë dhe gëzojmë të njëjtat të drejta si pjesa tjetër e shoqërisë”, tha Xheni Karaj, një prej organizatorëve.
Ndërkohë, pjesëmarrësit u shprehën se pati po aq të huaj sa edhe shqiptarë në grup; po aq heteroseksualë mbështetës të të drejtave të homoseksualëve sa edhe gay dhe lesbike shqiptarë në grup.
Edhe pse ka pasur më shumë sensibilizim gjatë viteve të fundit, homoseksualët shqiptarë akoma mbeten në hije të shoqërisë. Ata vazhdojnë të përballen me një stigëm sociale në një vend që vlerat konservative mbizotërojnë, pavarësisht faktit që vendi ka implementuar një kuadër legjislativ progresiv në mënyrë që të mbrojë të drejtat e homoseksualëve dhe komuniteti ndërkombëtar ka investuar gjërësisht për të nxitur pranueshmërinë e tyre.
Ndryshe nga vendet e tjera në rajon ku manifestime të ngjashme janë përballur me dhunë ose janë anulluar nga frika e dhunës, manifestimi në Shqipëri ishte paqësor, pa ndonjë incident, kjo edhe si pasojë e faktit që policia e kishte rritur ndjeshëm prezencën e vet duke e shoqëruar të gjithë pedalimin.
Një ndryshim brezash
Ndërkohë pedalimi i së shtunës nuk kaloi pa u vënë re nga ata që kundërshtojnë të drejtat e homoseksualëve. Kanalet e mediave sociale ishin plot me mesazhe më së shumti të inatosura që e karakterizonin homoseksualitetin si “sëmundje” dhe si “jo-shqiptare”.
Kishte gjithashtu reagime publike të organizuara.
Me 21 Maj, 59 intelektual dhe figura publike nga Shqipëia, Kosova dhe Maqedonia nënshkruan një peticion “pro familje”, nën moton “Familje e shëndoshë ─ Atdhe i shëndoshë”.
“Jo përkrahje publike modeleve që e shndërrojnë shoqërinë tonë në Sodomë dhe Gomorrë!” tha peticioni, duke shënjestruar komunitetin LGBT në mënyrë direkte.
Peticioni kryesohej nga figura të respektuara publike të moshës së tretë, si akademiku kosovar 78-vjeçar Adem Demaçi dhe futbollisti tiranas 84-vjeçar Shyqyri Rreli, ndërkohë që përfshinte edhe figura publike më të reja si Ermal Mamaqi, Sidrit Bejleri dhe Jonida Maliqi. Numri i burrave që nënshkruan peticionin ishte shumë më i madh sesa numri i grave.
Në të njëjtën frymë, partia nacionaliste Aleanca Kuq e Zi në fillim të muajit gjithashtu shpalli fillimin e një fushate të quajtur “Pro Familje, Pro Moral”, me liderin e saj Kreshnik Spahiu që shënjestroi direkt komunitetin LGBT gjatë një konference për shtyp. Ai u shpreh se homoseksualiteti ishte një “virus” që mund të shkaktonte probleme në shoqërinë shqiptare. “Prona, familja nuk janë të siguruara nga papunësia dhe krimi sot. Këto duhet të jenë prioriteti i manifestimeve në Shqipëri”, tha Spahiu. “Ne s’mund të manifestojmë në mbështetje të imoralitetit”.
Nga monitorimi i reagimit publik mund te vërehet një ndryshim brezash në qëndrimet sociale ndaj komunitetit LGBT. Ndërkohë që shumica e aktivistëve LGBT janë të rinj dhe të rinjtë janë ata që shfaqin qëndrimet më të hapura në mbështetjen ndaj të drejtave të komunitetit LGBT, akoma mbizotëron një ngurtësi në qëndrimet e pjesës tjetër të popullsisë në lidhje me këto të drejta duke qënë se këta të fundit priren të argumentojnë pozicionin e tyre duke iu referuar vlerave, traditës, familjes dhe fesë.
Eksperienca botërore tregon që nuk është e pazakontë që vlerat e bazuara mbi familjen të theksohen nga grupet anti gay, gjë kjo që vërtetohet edhe nga fakti që 15 Maji është Dita Ndërkombëtare e Familjes dhe shumë aktivistë anti gay dhe komunitete fetare e celebrojnë atë edhe si një kundërpeshë për 17 Majin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë.
Shqipëri ka parë raste të drejtpërdrejta të përdorimit të gjuhës së urrejtjes në të shkuarën, ku asnjë masë ndëshkuese nuk është marrë ndaj personave në fjalë. Në vitin 2012, Lideri i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu, në atë kohë zëvendës ministër, bëri thirrje që homoseksualët të “rriheshin me shkopinj”, komente këto që u pritën me reagime të ashpra nga shumë aktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë si dhe nga mbrojtës të të drejtave civile.
Komentet e tij vinin pas kalimit të një ligji të ri kundër diskriminimit në Shqipëri në 2010-ën, i cili u cilësua si një ligj mjaft progresiv dhe në përputhje me standartet europiane. Edhe pse deklarat e Spahiut mund të ndëshkoheshin sipas ligjit, asnjë masë ligjore nuk u ndërmorë kundër tij. Shpresat në atë kohë u varën tek një organ i ri i krijuar sipas të njëjtit ligj ─ Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Edhe në këtë rast, përveç deklaratave publike kundër gjuhës së urrejtjes, asnjë masë konkrete nuk u ndërmorë.
Ekspertët thonë se rasti i Spahiut vendos shumë pikëpyetje mbi angazhimin substancial të Shqipërisë që vërtetë të respektojë dhe mbrojë të drejtat themelore të grupeve të margjinalizuara. Ligji mbi anti-diskriminimin pa vullnetin për të ecur përpara me përforcimin e ligjit duket mirë vetëm në letër, si përmbushje formale e një prej kritereve në listën e gjatë të kushteve të BE-së.
Investimi ndërkombëtar
Kordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe UNDP-së në Shqipëri Zineb T. Benjelloun thotë se institucionet shqiptare janë angazhuar gjithnjë e më shumë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të LGBT-ve. Kjo frymë e respektit për të ndryshmen duhet të shpërndahet në të gjithë shoqërinë, tha ajo.
“Kopshti i Diversitetit … është një shënjues i frymës shqiptare kundrejt të drejtave të LGBT-ve” shkroi ajo në një editorial javën e shkuar duke iu referuar një hapësire të veçantë në Tiranë, e ndërtuar nga OKB-ja për të celebruar diversitetin. OKB-ja ka qënë e vetmja organizatë nga trupi diplomatik dhe grupet e të drejtave civile që është angazhuar prej kohësh në mbështetje të të drejtave të LGBT-ve në Shqipëri.
Ambasada Hollandeze dhe ajo e Shteteve të Bashkuara sëbashku me Delegacinin e BE-së në Shqipëri kanë qënë gjithashtu në krye të nismave të ngjashme. Ndërkohë që BE-ja ka theksuar gjithnjë nevojën për të respektuar të drejtat e njeriut si kusht për avancimin e Shqipërisë me hapat e antarësimit, përfaqëistë diplomatike të vendeve anëtare kanë qënë një zë i fuqishëm publik në mbështetje të të gjitha nismave të ndërmarra nga komuniteti LGBT në promovimin e të drejtave të tyre, përfshirë nismën e fundit ─ Pedalimin e Homoseksualëve.
Ndërkohë, përshirja e organizatave ndërkombëtare në promovimin e të drejtave të LGBT-ve në Shqipëri nuk ka kaluar pa kundërshtime lokale.
Kur Ambasadori i SH.B.A-ve në Tiranë, Alexander Arvizu, iu drejtua Facebook-ut për të shprehur pikëpamjet e tij kundër homofobisë, ai u përball me një seri komentesh negative nga shqiptarët.
“Unë e kuptoj që ndryshimi është i vështirë, por njerëzit duhet të respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit… Të drejtat e homoseksualëve janë të drejtat e njeriut”, theksoi Arvizu.
Përgjigjet përfshinin referenca ndaj homoseksualitetit si “sëmundje mendore” apo “gjymtim”. “Shqiptari i vërtetë që ka gjak shqiptari nuk është homoseksual”, shkruajti njëri nga komentuesit, i identifikuar në Facebook si Dhimo Hoxha.
Qëndrime të tilla tregojnë se një pjesë e shoqërisë shqiptare ka akoma rrugë për të bërë, thonë aktivistët. Ishte viti 1990, kur Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e hoqi homoseksualitetin nga lista e saj e sëmundjeve duke thënë se “homoseksualiteti nuk është një sëmundje, çrregullim apo perversitet”.
Një rajon armiqësor
Ndërkohë, nëse shikohet korniza më e gjerë ku rajoni merret në konsideratë, krahasimisht Shqipëria paraqet një situatë më të mirë të respektit për komunitetin LGBT ku qëndrimet e popullsisë dhe institucioneve janë më të mira.
Për shembull, situata në Serbi është shumë më gri me zyrtarët dhe qeveritarët që janë kundër çdo nisme për të zhvilluar një Paradë Gay [Gay Pride] në Beograd pas përplasejeve të dhunshme që ndodhën në vitin 2010. Kjo histori dhune nuk është as e krahasueshme me rastin e Shqipërisë.
Për më tepër, edhe pse komunitetet fetare në Shqipëri gjithashtu promovojnë një seri vlerash konservative që lidhen me familjen dhe martesën midis një burri dhe një gruaje, ato kanë qënë të kujdesshme në deklaratat dhe gjuhën e përdorur kur u janë referuar LGBT-ve.
Kreu i Kishës së Malit të Zi, Metropoliti Amfilohije, deklaroi para pak kohësh se “duke dërguar përmbytjet mbi ta, Zoti po e ndëshkonte popullin e tij për Conchita Wurst të Eurovizionit dhe për manifestimet gay që janë planifikuar për në Beograd dhe Podgoricë”.
Edhe pse situata në Shqipëri duket relativisht pozitive, Sondazhi Social Europian [European Social Survey] i zhvilluar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Shqipëri në vitin 2013-të tregoi një tablo më pak optimiste. Sipas këtij sondazhi, 53 përqind e shqiptarëve besonin se “homoseksualët nuk duhet të jenë të lirë të jetojnë jetën e tyre sikur dëshirojnë”. Nëse ky tregues merret në konsideratë, atëherë Shqipëria do të ishte vendi më homofobik krahasuar me vendet e tjera europiane që ishin pjesë e sondazhit.
Pavarësisht qëndrimeve të shqiptarëve ndaj LGBT-ve, fakti që flamuri i ylbertë u hap në mënyrë paqësore në Tiranë më 17 Maj tregon se hapi i parë është hedhur, thonë ekspertët e të drejtave të njeriut.
Por aktivistët e të drejtave të homoseksualëve gjatë manifestimit të 17 Majit thanë se ka shumë shqetësime që akoma mbeten si diskriminimi, papunësia, por mbi të gjitha alienimi nga familja dhe shoqëria.
Kristi Pinderi, një nga përfaqësuesit e komunitetit LGBT, thotë se pas kalimit të barrierës për zhvillimin e manifestimeve, tani njerëzit po fillojnë të dëgjojnë vështirësitë e vërtetat jetësore me të cilat përballen homoseksualët në Shqipëri, pasi ata, si shumë shqiptarë të tjetër, përballen me një seri problemesh të cilat përkeqësohen edhe më shumë nga fakti që ata janë homoseksualë.
Ky artikull është publikuar si pjesë e Programit për Raportimin e të Drejtave të Njeriut të Qendrës për Ekselencë në Gazetari – Tiranë. Vizitoni http://tcje.org/ për më shumë informacion. Leja është e nevojshme për ripublikim.