Një ‘Amerikë e vogël’ përtej Adriatikut

0

Mijëra studentë, punonjës dhe biznesmenë italianë tani jetojnë përtej Adriatikut dhe e shohin Shqipërinë si një vend me mundësi. Qeveria shqiptare dëshiron të vijnë më shumë, sidomos ata që hapin biznese dhe krijojnë vende pune.

Për më shumë se dy dekada, lëvizja e njerëzve midis Shqipërisë dhe Italisë dukej qartë se ishte vetëm nga njëra anë – shqiptarët iknin nga Shqipëria për në Itali, për një jetë më të mirë. Por duke ecur në qendër të Tiranës këto ditë, duket qartë se numri i italianëve në qytet është duke u rritur. Ata janë studentë, punëtorë, bashkëshortë të shqiptareve dhe biznesmenë. Shqipëria dëshiron akoma më shumë, sidomos nga ky grupi i fundit për të investuar dhe për të krijuar këtu më shumë vende pune.

Shqipëria tani është një ‘Amerikë e vogël’, matanë Adriatikut, për italianët dhe për njerëzit që lëvizin në drejtimin e kundërt  të atij që ka qenë një normë prej vitesh, shprehet për Agjencinë italiane të lajmeve, ANSA, ministri shqiptar i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj.

Qeveria shqiptare shprehet se 19,000 italianë kanë ardhur në Shqipëri për të punuar në sektorë të ndryshëm – nga restorantet dhe qendrat telefonike e deri te moda dhe infrastruktura e energjisë. ‘Kjo tregon se drejtimi i erës po ndryshon dhe kjo përfaqëson një shenjë pozitive për integrimin europian, – thotë Veliaj. – Ne dëshirojmë ta sjellim Europën në Shqipëri dhe jo Shqipërinë në Europë…Oreksi ynë për reforma nuk do të ndalet me vendimin e Brukselit për të na dhënë statusin e kandidatit.’

Kreu i Senatit Italian, Pietro Grasso, që ndodhej kohët e fundit në Tiranë për të çelur Javën Italiane, foli për nevojën e integrimit të atyre pjesëve të Ballkanit që nuk janë ende në BE, sa më shpejt që të jetë e mundur, nën dritën e zhvillimeve në Ukrainë dhe frikës që Rusia do të fillonte të ushtronte më shumë presion në këtë rajon.  Për qeverinë shqiptare sjellja e më shumë njerëzve me mendjen nga biznesi duket qartë se është një përparësi.

Duke kërkuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e ekonomisë së saj, Shqipëria kërkon të tërheqë sa më shumë investitorë dhe sipërmarrës nga Italia, tha kryeministri i vendit. Kryeministri Edi Rama, kohët e fundit, iu tha investitorëve italianë se Shqipëria është një vend pjellor dhe i mirëpret investimet e tyre në vendin tonë.

‘Këtu fitimi do të jetë më i madh, pasi taksat janë më të ulëta dhe burokracia është më e pakët se në Itali. Nevoja jonë për vende punë është më e madhe dhe kostot e fuqisë punëtore janë shumë më të vogla, – iu tha Rama investitorëve të mundshëm italianë në një takim të kohëve të fundit. – Ka shumë që besojnë se nëse arrijmë ë kapërcejmë murin e paragjykimeve dhe të kuptojmë se një sipërmarrje duhet të lëvizë më me shpejtësi nga ideja te zbatimi, atëherë do të kemi një shtim të vëllimit.’

Nxitja e investimeve të huaja dhe krijimi i vendeve të reja të punës ka qenë një nga premtimet kryesore që Partia Socialiste në pushtet iu ka bërë votuesve. Dhe ajo e sheh Italinë si një burim të mundshëm, kryesor, që mund të krijojë më shumë vende pune – madje edhe sikur ato të mos jenë shumë të paguara.

Investitorët italianë deri tani kanë arritur sukses në industri që mbështeten në kostot e lira të fuqisë punëtore dhe përfitojnë nga aftësia e shumë shqiptarëve që flasin rrjedhshëm  italisht – ato përfshijnë prodhimin e veshjeve dhe të këpucëve, si edhe qendrat telefonike për shërbime dhe telemarketing.

Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, shprehet se bizneset italiane po bëhen të vetëdijshme gjithnjë e më shumë për mundësitë që ofron Shqipëria, por ata, kur investojnë, e shohin si mjaft të rëndësishme ekzistencën e një klime të mirë dhe të sigurt biznesi brenda vendit dhe mbi të gjitha, se kushtet e njëjta iu ofrohen njëlloj të gjitha bizneseve.

Ambasadori, duke folur në një nga aktivitetet e Javës Italiane, tha se kostoja e ulët e fuqisë punëtore në Shqipëri është ajo që tërheq kryesisht bizneset italiane në këtë vend. Ai shtoi se marrëdhëniet dypalëshe janë forcuar me investimet e mëdha dhe donacionet që shteti italian i ka dhënë Shqipërisë në dy dekadat e shkuara, që arrijnë në 650 milion euro donacione dhe stimuj që kanë ardhur nga Italia në Shqipëri.

Kriza ripërcakton tregtinë

Italia është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë. Sidoqoftë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet nga fundi, për sa i përket vëllimit të përgjithshëm të tregtisë dhe investimeve.

Zyrtarët e qeverisë shprehen se Shqipëria ofron mundësi për investime jo vetëm për shkak të fleksibilitetit të tregut të saj të punës dhe si një nga regjimet fiskale më të ulëta të botës, por edhe për shkak të asistencës së dukshme ndaj investitorëve vendas dhe të huaj.

Italia merr 50 për qind të eksporteve totale të Shqipërisë dhe jep 30 për qind të importeve. Më shumë se 80 për qind e produkteve të veshjeve dhe këpucëve, që prodhohen në Shqipëri, që janë dhe eksportet kryesore të vendit, shkojnë në Itali. Sipas grupit lobist Confindustria, në Shqipëri veprojnë rreth 300 kompani italiane, kryesisht në prodhimin e veshjeve dhe këpucëve.

Të dhënat tregojnë se eksportet drejt Italisë, destinacioni i më shumë se gjysmës së eksporteve shqiptare, janë prekur nga kriza e atjeshme dhe rritja e tyre është ngadalësuar.

Greqia fqinje tani renditet e gjashtë për sa iu përket eksporteve shqiptare, pas Spanjës, Kosovës, Kinës, Gjermanisë dhe Turqisë, me vetëm 3 për qind të totalit dhe destinacioni i dytë më i rëndësishëm për sa iu përket importeve, me rreth 10 për qind. Spanja ka dalë si destinacioni i dytë më i rëndësishëm për eksportet shqiptare, kryesisht për shkak të eksporteve të naftës nga kompania kanadeze Bankers Petroleum.

SHPËRNDAJE