Të bësh biznes me gjermanët, jo e lehtë

0

Ervin Lisaku

Siguria ligjore, lufta kundër korrupsionit dhe krimit, transparenca e tenderave publikë, parashikueshmëria e politikave ekonomike dhe cilësia e arsimit profesional janë faktorët më problematikë për ndërmarrjet gjermano-shqiptare në Shqipëri. Përfundimet bëhën të ditura në sondazhin e fundit të kryer nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), e cila vepron që prej vitit 2008 si zëri i biznesit gjerman duke përfaqësuar 72 ndërmarrje gjermano-shqiptare.

Duke folur në prezantimin e sondazhit, ambasadori gjerman në Shqipëri, Hellmut Hoffmann tha se sipërmarrjet gjermano-shqiptare e vlerësojnë gjendjen e ekonomisë shqiptare aktualisht deri diku si më të mirë se ajo e vitit 2013 dhe se parashikimet e tyre lidhur me zhvillimet e ardhshme janë më pozitive se në vitet e shkuara.

“Kriteret që kanë të bëjnë me cilësinë e fuqisë punëtore vlerësohen pozitivisht në këndvështrime të ndryshme, por edhe njëherë duket qartazi se korrupsioni, kriminaliteti dhe mungesa e sigurisë ligjore konsiderohen si problemet më emergjente për sipërmarrjet,” tha Hoffmann.

“Ne kemi arsye të besojmë se Shqipëria në vitin 2014 po ecën në një rrugë të gjatë, të vështirë por në të duhurën,” shtoi ambasadori.

Rreth 100 ditë pasi DIHA i dorëzoi qeverisë shqiptare një dokument me 20 propozime dhe hapa konkretë për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri, ambasadori gjerman thotë se qeveria shqiptare së fundi ka ndërmarrë hapa përpara dhe vënë në rrugë të mbarë rregullimet ligjore përkatëse në të gjithë kapitujt e këtij dokumenti, konkretisht në komunikim, kudrin ligjor, aksesin në treg, doganat dhe tatimet, rregullimin e marrëdhënieve financiare dhe arsimim.

Krahasuar me rreth 20 destinacione të tjera në rajonin e Evropës Qendrore dhe Juglindore, Shqipëria vijon të renditetet në katër vendet më pak tërheqëse së bashku me Kosovën, Bjellorusinë dhe Ukrainën.

Megjthatë, rreth 86 përqind e kompanive që operojnë në Shqipëri shprehen se do të investonin sërish në Shqipëri nëse do t’u jepej mundësia edhe njëherë.

“Kjo është një votë e qartë për Shqipërinë, si vend për të bërë biznes, vlerësuar nga kompanitë, të cilat e njohin këtë vend. Shqipëria qëndron me këtë vlerësim mbi mesataren e të gjithave vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore,” thotë sondazhi.

Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u zhvillua me kompanitë anëtare të DIHA-s në fillim të vitit 2014, mbizotëron një optimizëm i matur si dhe shpresa për një situatë të përmirësuar të biznesit në kompanitë e tyre për vitin 2014. Pothuajse 40 përqind e kompanive të anketuara janë sërish optimiste si për të ardhmen e biznesit të tyre, ashtu edhe për situatën aktuale, krahasuar me vitet e mëparshme, kur ky vlerësim ka qenë gjithnjë në rënie.

Faktorët, të cilët kompanitë i marrin parasysh në zgjedhjen e një vendi për të investuar, vlerësohen veçanërisht në mënyrë kritike.

Vlerësimi i situatës aktuale ekonomike në Shqipëri nuk ka ndryshim të dukshëm krahasuar me rezultatet e një viti më parë. Vetëm 13 përqind e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht situatën ekonomike, ndërkohë që vitin e kaluar ishin 12 përqind. Rreth 26 përqind e kompanive pjesëmarrëse në këtë anketim mendojnë se situata ekonomike është deri diku e kënaqshme, ndërkohë që 62 përqind e të anketuarve e vlerësojnë atë si negative.

Për sa i përket së ardhmes së ekonomisë shqiptare në përgjithësi, kompanitë shpresojnë në përmirësimin e situatës. Rreth 23 përqind e të anketuarve besojnë se këtë vit ekonomia shqiptare do të ketë një zhvillim më të mirë.

Vlerësimi pozitiv i ecurisë së biznesit të tyre, nuk i shtyn kompanitë automatikisht në rritjen e disponibilitetit për investime më të larta. Më tepër se gjysma e kompanive të anketuara nuk do të realizojnë investime të mëdha si dhe nuk planifikojnë një rritje të dukshme të numrit të punonjësve.

Ndër faktorët që e bëjnë Shqipërinë tërheqëse si destinacion investimesh vendet e para i zënë produktiviteti, motivimi, kualifikimi i fuqisë punëtore, si dhe cilësia e arsimit akademik. Vlerësimin më të lartë e ka marrë kostoja e punës.

Vlerësim mesatar kanë marrë faktorë të tillë, si e drejta e punës, cilësia e furnitorëve lokalë, infrastruktura si dhe disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar. Megjithatë duhet përmendur se vlerësimi për këta faktorë është përkeqësuar krahasuar me vitin e kaluar. Sistemi dhe administrata tatimore, administrata publike si dhe disiplina në pagesa janë vlerësuar pak më mirë se në anketimin e vitit 2013. Faktorë të tillë, si kërkimi dhe zhvillimi, si dhe sistemi i arsimit profesional renditen ndër të fundit dhe krahasuar me vitin e shkuar, duke shënuar një përkeqësim në vlerësim. Barra tatimore, një faktor i rëndësishëm, ka zënë vendin e 14-të, duke shënuar në këtë mënyrë rënie krahasuar me rezultatet e anketimit të vitit 2013, ku ky faktor zinte vendin e 5-të. Një ndikim në këtë faktor ka patur dhe rritja e tatim fitimit për kompanitë nga 10 në 15 përqind dhe progresiviteti në tatimin e të ardhurave personale për pagat e larta.

Nën moton “20 Hapa për Ekonominë Shqiptare”, përfaqësuesit e biznesit gjermano-shqiptar bëjnë të qartë se shohin një potencial të madh në Shqipëri – veçanërisht në fushat si logjistika, infrastruktura, shërbimet financiare, energjia, minierat, nafta/gazi, industria e lehtë, bujqësia, ndërtimi, turizmi dhe tregtia. Në të njëjtën kohë, ata shprehin gatishmërinë e tyre për të dhënë kontribut në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Shqipërisë, si dhe për të ndihmuar në afrimin e saj drejt Bashkimit Europian.

Ekzistenca e një kuadri të përgjithshëm strukturor dhe ligjor të besueshëm në

përputhje me standardet europiane dhe përvoja pozitive e kompanive të huaja që operojnë tashmë në Shqipëri cilësohen si dy faktorët kryesorë për thithjen e investitorëve të rinj gjermanë.

“Për këtë do të duhej që të gjitha autoritetet përgjegjëse të dërgojnë sinjalet e duhura, për rritjen e shkallës së besueshmërisë, ndër kompanitë e huaja që tashmë janë në Shqipëri,” thotë ambasadori gjerman.
Kompanitë gjermanë në Shqipëri operojnë me sukses në sektorë si transporti, ndërtimi, tregti dhe logjistikë dhe farmaceutikë.

Investimet më të mëdha gjermane në Shqipëri gjenden në Aeroportin Ndërkombëtar, portin e Durrësit, bankën ProCredit dhe në shërbime logjistike në Tirana Business Park, dhe i shumëprituri gazsjellës TAP ku një kompani gjermane zotëron rreth 9 përqind të aksioneve.

Të dhëna të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve të huaja direkte gjermane në vitin 2012 llogariten në 84 million euro, një shifër e pandryshuar që prej vitit 2010, duke e pozicionuar Gjermaninë ndër 10 investitorët kryesorë në Shqipëri.

Ndërkohë, shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve janë rritur në vitet e fundit duke e pozicionuar Gjermaninë si partnerin e gjashtë për eksportet shqiptare, kryesisht fason dhe bimë medicinale dhe po te gjashtin për importe kryesisht makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Të dhëna nga INSTAT tregojnë që importet nga Gjermania në vitin 2013 pësuan një rënie të lehtë duke arritur në rreth 30 miliard lekë (210 million euro) ndërsa eksportet u rritën me rreth 43 përqind në 9.5 miliard lekë (66 milion Euro), të cilat mbeten modeste po të kemi parasysh se kemi të bejmë me ekonominë më të madhe në Europë.

Që prej vitit 1987 pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike pak para rënies së regjimit komunist, Gjermania është shndërruar në donatorin më të madh të Shqipërisë me një vlerë kredish dhe grantesh prej më shumë se 1 miliard euro, kryesisht në projekte zhvillimi në energji dhe ujësjellës kanalizime.

SHPËRNDAJE