10 vitet e Polonisë në BE: Një mundësi e shfrytëzuar
RADOSŁAW SIKORSKI
Një dekadë më parë, Polonia dhe nëntë vende të tjera iu bashkuan BE-së. Kjo u bë e mundur falë përpjekjeve tona të mëdha për të përmbushur kriteret e anëtarësimit. Nuk u anëtarësuam në BE për një tekë. U bëmë pjesë e Bashkimit sepse kryem reformat gjithëpërfshirëse, veçanërisht duke e rimodeluar vendin nga poshtë lart. Në më pak se një dekadë, ndërtuam demokracinë dhe një ekonomi të lirë tregu – dy shtyllat e Evropës së bashkuar.
Polonia e bëri këtë kërcim duke nisur rrugën e transformimit të sistemit, që filloi në vitin 1989. Në 4 qershor do të festojmë 25 vjetorin e zgjedhjeve të para pluraliste dhe pjesërisht të lira në vendin tonë – dhe zgjedhjet e para në këtë pjesë të Evropës, të hapura për kandidatë anti-komunistë – pas dekadash totalirazmi.
Në atë kohë, duke u rimëkëmbur nga 40 vite sundim komunist, Polonia kishte falimentuar ekonomikisht dhe politikisht – dhe ishte një dhimbje koke për udhëheqësit botëror. Sot, ne po ndihmojmë në zgjidhjen e problemeve, në Evropë por edhe përtej saj. Kemi provuar se duke qëndruar në kurs, është e mundshme të ndryshosh rrjedhën e historisë. Edhe ndërsa festojmë sukseset tona, ne shërbejmë si burim frymëzimi – qoftë në Ukrainë, Tunizi apo Mianmar – pavarësisht kombësisë, ngjyrës apo besimit.
Këtë vit jubilar shpresoj se do të frymëzoheni nga historia e rrugës së Polonisë drejt lirisë dhe integrimit evropian. Mjafton të thuhet se gjatë këtyre 10 viteve të anëtarësimit në BE, PBB-ja e Polonisë ka arritur majat, duke u rritur me 48.7%. Edhe gjatë periudhës së krizës globale financiare, 2008-2013, ekonomia jonë u rrit me 20% – rezultati më i mirë në BE. E gjitha kjo shërben për të treguar se polakët i kanë përdorur mirë mundësitë e tyre historike. Në vitin 2012, investimet totale të huaja në Poloni vlenin rreth 178 miliard euro, duke u katërfishuar që prej vitit 2003. Gjatë 10 viteve të anëtarësimit në BE, Polonia ka krijuar 2 milion vende pune. Numrat flasin vetë.
Por integrimi ka sjellë përfitime edhe për partnerët tanë. Është e gabuar të pretendojmë se zgjerimi i BE-së qëndronte pas ngadalësimit ekonomik. Në fakt, të dhëna makroekonomke tregojnë se zgjerimi ‘’Big Bang’’ pati impakt pozitiv tek pjesa më e madhe e ekonomive të BE-15. Fituesit më të mëdhenj ishin ata që nxitën tregtinë me rajonin tonë apo që i hapën tregjet e tyre për anëtarët e rinj.
Në të vërtetë, të gjitha vendet e BE-së – si ato që po i bashkohen asaj ashtu edhe vendet tashmë anëtare – përfitojnë më së shumti duke ndërhyrë tek potenciali i ofruar nga tregu i brendshëm, veçanërisht lëvizja e lirë e të mirave dhe njerëzve. Një fakt që ja vlen ta përmendësh, veçanërisht kur përballet me një valë skepticizmi të lirë dhe të rremë.
Dhjetë vite nuk janë më shumë se një pulitje sysh historike. Çerek shekulli mbulon vetëm një brez. E megjithatë, në këtë periudhë të shkurtër, kemi arritur ta transformojmë këtë pjesë të Evropës. Duke hedhur shikimin pas tek suksesi ynë, shpresojmë që ai të replikohet nga ata që aktualisht po implementojnë reformat e vështira në rajonin tonë – që shpesh po e paguajnë me gjak, si heronjtë e Maidanit. Shembulli i Polonisë tregon se lufta e tyre ja vlen çdo përpjekje.
__________________________________________________________________
Polonia, si të ndërtosh një politikë të jashtme të pavarur
Intervistë me ZV. Ministren e Jashtme të Polonisë, Henryka Mościcka-Dendys
Këtë vit do të ketë disa përvjetorë të rëndësishëm në Poloni: 25 vjetori i rënies së regjimit komunist, 15 vjetori i anëtarësimit në NATO dhe 10 vjetori i anëtarësimit në BE. Nën dritën e këtyre ngjarjeve, çfarë do të thotë për Poloninë ky çerek shekulli dhe cila është rëndësia e këtyre përvjetërove? Çfarë ka sjellë anëtarësimi në NATO dhe BE për Poloninë?
Gjatë 25 viteve të fundit, Polonia ka bërë rrugë të gjatë nga një vend i falimentuar komunist në një demokraci në lulëzim dhe ekonomi të gjallë. E kemi bërë këtë kapërcim gjigand në vetëm 2 dekada! Një arritje historike – por veçse një pulitje sysh në kornizën historike. Siç thuhet në një raport të ri të Bankës Botërore, ne kemi mundur të “arrijmë nivelet më të larta të të ardhurave në krahasim me Evropën perëndimore që prej vitit 1500, ndaj në vetëm 20 vite kemi kompensuar 500 vite rënieje ekonomike”. Kemi arritur ta rrisim nivelin e PBB për frymë në Poloni nga vetëm 33% e mesatares së BE-së në vitin 1989 në 67% në vitin 2013. Edhe pse parashikimi i të ardhmes është punë me zarar, sipas parashikimeve jemi në rrugën e duhur për ta ngushtuar hendekun ndërmjet nesh dhe partnerëve më të pasur. Në vitin 2017 pritet që të arrijmë në nivelin e 74% të mesatares së BE-së.
Integrimi në BE ishte faktori kryesor i ndryshimit për vendin tim. Ne duhet të bënim shumë punë për të arritur të tjerët, por duke i përafruar ligjet tona me standardet më të larta të BE-së, arritëm të korrim përfitime të mëdha ekonomike dhe socio-politike: rritja jonë e përgjithshme në 2004-2013 arriti rreth 48% të PBB-së, krahasuar me 11% të të gjithë BE-së. Mbështetja popullore për anëtarësimin në BE, që shkon më tepër se 70%, reflekton gjithashtu suksesin tonë.
NATO është themeli i sigurisë tonë dhe jemi krenarë që për 15 vitet e fundit Polonia është bërë një nga partnerët kryesorë brenda aleancës.
Si anëtar i BE-së dhe NATO-s, Polonia luan një rol aktiv në rajonin e Evropës qëndrore duke promovuar bashkëpunimin e Grupit të Vishegradit, duke punuar bashkë me shtetet nordike dhe balltike në disa formate dhe së fundi, por jo nga rëndësia, me Francën dhe Gjermaninë në formulën e quajtur Trekëndëshi i Vajmarit.
Sigurisht që rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë, reformat kanë qenë të kushtueshme dhe të dhimbshme. Por falë përpjekjeve të mëdha ne kemi sot arsye kaq të mira për të festuar.
Polonia sot po merret si shembull i suksesshëm, në mos më i suksesshmi, i tranzicionit politik, ekonomik dhe shoqëror që ka ndërtuar një shoqëri demokratike ndër vendet e tjera të ish lindjes socialiste. Në mendimin tuaj, cili ka qenë çelësi i këzij tranzicioni të suksesshëm dhe procesi integrimi?
Mendoj se elitat e përgjegjshme dhe largpamëse, të gatshme për të hequr dorë nga interesat personale për hir të vizionit strategjik kanë qenë kyçe në këtë proces. Që prej vitit 1989 kemi patur konsensus të gjerë politik sa i përket integrimit euro-atlantik, që është perceptuar si një ‘’rikthim’’ në Evropën Perëndimore dhe komunitetin evropian të vlerave.
Në terma ekonomike besoj se tranzicioni ynë i suksesshëm nuk do të kish qenë i mundur pa një politikë makroekonomike të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. Kemi arritur të themelojmë institucione efikase që gaantojnë qëndrueshmërinë ekonomike, si Danka Qëndrore e pavarur, Autoriteti Financiar Mbikqyrës apo Fondi i Garancisë Bankare. Kushtetuta polake qysh në vitin 1997 ka vendosur një tavan për borxhin publik, që ka ndaluar në mënyrë efikase mbi-shpenzimet. Si rezultat, gjatë viteve kritike të krizës financiare Polonia ishte i vetmi vend i BE-së që i shpëtoi recesionit.
Kjo u bë e mundur sepse u siguruam të përdornim të gjitha mundësitë e ofruara nga anëtarësimi në BE. Për shembull – që prej vitit 2004 aksesi tek tregu i përbashkët i ka lejuar kompanive polake të eksportojnë produkte për rreth 800 miliard euro, duke e kthyer kështu Poloninë në eksportuesin më të madh ndërmjet vendeve që iu bashkuan BE-së në vitin 2004 (mbi 25% e të mirave që eksportohen nga Evropa qëndrore dhe lindore e kanë origjinën tek vendi im).
Cilat do të ishin rekomandimet e Polonisë për vendet e tjera që tani po aspirojnë të futen në BE? Çfarë është vërtetë thelbësore për fazën përgatitore të një vendi, që ky i fundit t’i bashkohet BE-së?
Situata e secilit vend kërkon zgjidhje enkas për ata. Por pronësia kombëtare është sigurisht gjëja më e rëndësishme. Konsensusi i gjerë ndërmjet partive politike në rrugën e integrimit evropian është i domosdoshëm, që ta udhëheqë vendin përmes një procesi të gjatë e të vështirë negociatash. Për më tepër implementimi koherent dhe i palodhshëm i reformave të brendshme, edhe nëse këto janë të dhimbshme, është thelbësor. E fundit, por jo nga rëndësia: shpjegimi i përfitimeve të anëtarësimit të ardhshëm në shoqëri. Në Poloni nivelet e larta të mbështetjes për anëtarësimin në BE kanë qenë dhe ende janë një prej faktorëve kryesorë të suksesit tonë.
Bashkimi Evropian po kalon një peridudhë të vështirë, veçanërisht sa i përket procesit të thellimit, që i atribohet jo vetëm arsyeve ekonomike por edhe faktorëve të tjerë politikë dhe gjeopolitikë. Si e sheh Polonia të ardhmen e Bashkimit Evropian?
Mendoj se BE-ja është në formë më të mirë nga sa argumentojnë kritikët e saj. Ekonomikisht, pjesa më e keqe e krizës financiare ka kaluar. Ne po kërkojmë burime të reja rritjeje ekonomike, gjithashtu duke patur pikëpamje të reja për axhendën e politikave energjetike apo tregun e përbashkët dixhital. Papërshtatshmëritë në ndërtimin e Unionit ekonomik dhe monetar po korigjohen në mënyrë të suksesshme. Projekte të reja interesante janë në progres, si Tregtia Transatlantike dhe Partneriteti i Investimit me partnerët tanë amerikanë, që do të shtojnë rreth 0,5% të rritjes sonë vjetore të PBB. BE-në e të ardhmes e shohim si një akor konkurrues dhe të fuqishëm në skenën globale, jo thjesht si një entitet të fortë ekonomik por edhe si një komunitet politik të vlerave demokratike, me një komponent të fuqishëm të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. BE-ja është ende projekti më i suksesshëm i integrimit në histori.
Le të flasim pak më tepër për politikën e zgjerimit të BE-së, veçanërisht për zgjerimin drejt lindjes. Si e vlerëson Polonia zgjerimin e BE-së drejt vendeve ish komuniste? A duhet të vijojë ky zgjerim?
Zgjerimi drejt lindjes nuk është në axhendë sot, megjithëse procesi i integrimit evropian nuk mund të shihet si i plotë. Në këtë kuadër, pozicioni i Polonisë është i qartë: ne gjithnjë i referohemi nenit 49 të Traktatit të BE-së. Aktualisht po bëjmë më të mirën tonë për të rritur bashkëpunimin me fqinjët tanë lindorë – platforma më e rëndësishme për këtë është Partneriteti i Lindjes, filluar nga Polonia dhe Suedia. Qëllimi i përgjithshëm, është sjellja e fqinjëve lindorë më pranë standardeve të BE-së. Një mjet për këtë është e ashtuquajtura Marrëveshje Asocimi, me komponentë të shumtë ekonomikë (të ashtuquajturit DCFTAs). Pjesa politike e Marrëveshjes së Asocimit me Ukrainën sapo është nënshkruar. Ne shpresojmë që marrëveshje të ngjashme do të nënshkruhen së shpejti edhe me Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Aktualisht janë disa vende në Ballkan që janë kandidatë ose kandidatë potencialë për anëtarësim. Polonia e ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme procesin e zgjerimit të Ballkanit dhe kohët e fundit ka treguar gjithashtu mbështetje për Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat. Si e shihni procesin e integrimit në Ballkan dhe a do të thonit se ka shanse të vërteta suksesi për vendet e rajonit dhe veçanërisht për Shqipërinë?
Shtetet e Ballkanit perëndimor (bashkë me Turqinë) janë sot i vetmi grup vendesh me një perspektivë të qartë evropiane dhe Polonia mbështet në vazhdimësi integrimin e tyre në BE. Ne do të vijojmë mbështetjen tonë praktike për politikën e zgjerimit të BE-së si të tillë dhe për vendet individuale kandidate në Grupin e Talinit, në Grupin e Vishegradit si edhe duke ndërmarrë iniciativa dypalëshe. Vitin e kaluar ne nënshkruam marrëveshje për ndarjen e eksperiencës sonë të integrimit si me Serbinë ashtu edhe me Malin e Zi. Në maj të këtij viti kemi përfunduar një marrëveshje të tillë edhe me Shqipërinë.
Vendet e rajonit do të bëhen eventualisht anëtarë të plotë të komunitetit evropian, që do të japë një kontribut të madh në qëndrueshmërinë e Ballkanit perëndimor. Më lejoni të përmend në këtë kontekst suksesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që ka domethënie historike.
Po i mbajmë gishtat e kryqëzuar për suksesin e Shqipërisë në integrimin evropian. Anëtarësimi në BE kërkon përpjekje të mëdha, si nga shteti ashtu edhe nga njerëzit gjatë bërjes së reformave, por shpërblimi që vjen më pas ja vlen.
Këtë vit keni vizituar Shqipërinë. Cilat janë përshtypjet tuaja duke pasur parasysh si pritshmëritë që mund të keni pasur për vendin ashtu edhe realitetin që patë?
Përshtypjet e mia personale kanë qenë mjaft pozitive. Kam zbuluar një shoqëri dinamike dhe të hapur, dedikuar idesë së bashkëpunimit të ngushtë me BE-në. Jam impresionuar nga përpjekjet tuaja për reforma dhe shpresoj që do të vijoni në këtë rrugë me përfitime për vendin tuaj.
Si do t’i përshkruanit marrëdhëniet ndërmjet Polonisë dhe Shqipërisë? A ka fusha në të cilat këto mund të zhvillohen më tej? A ka fusha konkrete në mendimin tuaj ku bashkëpunimi duhet të fillojë?
Marëdhëniet tona janë të hapura dhe miqësore, siç pritet nga aleatët në NATO dhe partnerët e ardhshëm në BE. Fusha më e rëndësishme e bashkëpunimit tonë është ekonomia. Volumi i tregtisë dypalëshe rritet me shpejtësi – në vitin 2012 rritja arriti në 74% krahasuar me vitin 2011. Ka ende shumë vend për rritje të mëtejshme, veçanërisht në fushat e bujqësisë, procesimit ushqimor, minierat, industrinë e mikpritjes dhe turizmit. Shqipëria po kthehet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët polakë.
Ne gjithashtu po ndërtojmë marrëdhënie të ngushta politike. Në maj ministri i jashtëm, Z. Ditmir Bushati, ka vizituar Poloninë. Me këtë rast kemi firmosur memorandumin e lartëpërmendur mbi bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian.
Bashkëpunimi ynë do të fokusohet tek fusha që janë të rëndësishme për procesin e integrimit duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës institucionale në sektorin publik si edhe ndërtimin e kapaciteteve në shërbimin civil.
Nuk mund të shmangim zhvillimet e fundit dramatike në Ukrainë dhe Krime. Cili është pozicioni i Polonisë në aneksimin e Krimesë nga Federata Ruse?
Aneksimi i Krimesë është veprim i paligjshëm, që shkel sovranitetin dhe integritetin territorial ukrainas. E kemi dënuar fuqimisht “referendumin” e orkestruar që ndoqi ndërhyrjen ushtarake të forcave të armatosura ruse. Kjo përbën shkelje të disa akteve themelore të së drejtës ndërkombëtare, duke filluar me Kartën e OKB dhe Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975, si edhe rregullat e tilla si ndalimi i kërcënimit apo përdorimit të forcës dhe respketimi i integritetit territorial.
A ndjehet Polonia e kërcënuar? Cila do të ishta zgjidhja e mundshme nga këndvështrimi polak?
Ushtarakisht nuk ndjehemi të kërcënuar. Megjithatë, jemi të shqetësuar për zhvillimet në territorin e fqinjit tonë dhe një partner i rëndësishëm i NATO-s.
Duhet të jemi gati të përdorim një sërë masash – politike, diplomatike dhe ekonomike – për ta bindur Rusinë t’i kthehet pistës së marrëdhënieve bashkëpunuese.
Ju jeni një eksperte e njohur e së drejtës ndërkombëtare. Si e perceptoni aneksimin e Krimesë nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare? A mendoni se paralelet që Kremlini po përpiqet të ofrojë, duke e krahasuar Krimenë me Kosovën, janë të vlefshme?
Siç e thashë, aneksimi përbën shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe standardeve të saj bazike. Rusia përpiqet ta justifikojë veprimin e saj duke pretenduar se Krimea ka ushtruar të drejtën e vetëvendosjes, duke u shkëputur nga Ukraina dhe duke iu bashkuar Federatës Ruse. Ky pohim nuk gjen asnjë bazë tek e drejta ndërkombëtare. Integriteti territorial prevalon ndaj të drejtës së jashtme për vetëvendosje. I vetmi përjashtim i këtij rregulli, i shpjeguar nga rasti i Kosovës, është një situatë ku shoqëria lokale ndalohet të ushtrojë të drejtën e saj të vetëvendosjes nga brenda, veçanërisht për shkak të shkeljeve masive të normave themelore dhe të drejtës humanitare.
Rusia e përdor “narrativën e Kosovës” në përpjekje për të maskuar veprimet e saj dhe për t’i paraqitur ato si shkelje masive të së drejtave të njeriut etj., ndaj paraleli ndërmjet Kosovës dhe Krimesë është i pathemeluar, edhe në vetë termat e tij.
Në mendimin tuaj, a po shkojmë drejt një përplasjeje ndërmjet perëndimit dhe lindjes?
Fatmirësisht situata sot nuk është aq komplekse krahasuar me luftën e ftohtë. Rusia nuk është në qendër të një blloku vendesh të bashkuar ideologjikisht. Në fakt krejt e kundërta – është relativisht e izoluar në politikën e saj, madje edhe partnerët e saj të afërt në Azinë qendrore ndjehen të shqetësuar për veprimet e saj.
Cili duhet të jetë qëndrimi dhe sjellja politike e Bashkimit Evropian në këtë kontekst?
E gjithë BE-ja beson me vendosmëri se nuk ka vend për përdorimin e forcës dhe ndryshimin e kufijve në Evropën e shekullit 21. Mbetemi të angazhuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe i qëndrojmë pranë qeverisë ukrainase në përpjekjet e saj për të stabilizuar vendin. Kjo është arsyeja përse kemi pezulluar negociatat me Rusinë për liberalizimin e vizave dhe marrëveshjen e re ndërmjet BE-së dhe Rusisë dhe kemi miratuar sanksione kundër njerëzve përgjegjës për shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.
BE-ja po i ofron Ukrainës mbështetje në shumë fronte. Kemi nënshkruar tashmë pjesën politike të marrëveshjes së Asocimit me Ukrainën. Pjesa ekonomike, Zona e Thellë dhe Gjithëpërfshirëse e Tregtisë së Lirë, do të nënshkruhet sa më shpejt. Deri atëherë, BE-ja po heq taksat doganore për eksportet e Ukrainës në BE. Komisioni Evropian i ka ofruar Kievit një paketë asistencë ekonomike prej rreth 11 miliard eurosh.
Duke patur parasysh sërish krizën në Ukrainë, çfarë do të thonit për rëndësinë relative të vendeve të Evropës Lindore me NATO-n, BE-në dhe Shtetet e Bashkuara?
Kriza në Ukrainë është më e rënda e dy dekadave të fundit, që ka sjellë pasoja negative për të gjithë Evropën. Vendet e Evropës lindore ndjehen të shtypura ndërmjet BE-së së qëndrueshme, të pasur dhe moderne me ekonominë e saj të zhvilluar dhe Rusisë që ka qasje tjetër ndaj politikës ndërkombëtare. Nëse këto vende duan të ndërtojnë shoqëritë e tyre bazuar tek vlera të tilla si respekti për të drejtat individuale, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë – perëndimi nuk duhet t’i injorojë, por t’i ndihmojë ato.
_____________________________________________________________________
10 vjet anëtarësim në Bashkimin Europian-refleksione nga Polonia
MAREK JEZIORSKI, Ambasadori i Republikës së Polonisë
Dëshiroj të falënderoj Institutin Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare dhe drejtorin e tij, Zotin Albert Rakipi për ftesën për pjesëmarrje në Forumin e Politikës së Jashtme si dhe për mundësinë për të ndarë me Ju refleksionet e mija lidhur me përvojën polake të dhjetë viteve tashmë anëtarësimi në Bashkimin Europian. Saktësisht më 1 maj bëhen 10 vjet nga momenti i hyrjes në BE të Polonisë dhe 9 shteteve të tjera, që shënon prurjen më të sukseshme në historinë e bashkësisë së shteteve që ndajnë të njëjtat vlera dhe parime, që realizojnë në praktikë të njëjtat standarde, që ndërtojnë politikë të përbashkët në shumë fusha e që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së përditshme të qytetarëve të tyre, bashkësisë që ndjek një politikë të përbashkët të jashtme, politikë të përbashkët sigurimi dhe mbrojtjeje. Në fjalën time do të doja të përqendrohesha tek disa çështje thelbësore:
• Tek eksperiencat më të rëndësishme dhe efektet e anëtarësimit të Polonisë në BE;
• Drejtimet më thelbësore të politikës europiane të Polonisë;
• Refleksionet polake që kanë të bëjnë me zgjerimin e BE;
• Tek vlerësimi polak i hapave të mundshëm në fushën e politikës energjetike të BE, të cilët forcojnë sigurinë e saj dhe e bëjnë më të efektshme politikën e saj të jashtme.
Eksperiencat më të rëndësishme dhe efektet e anëtarësimit të Polonisë në BE
Padyshim që efektet pozitive më të ndjeshme dhe të dukshme të procesit të integrimit të Polonisë në BE kanë të bëjnë me ekonominë dhe nivelin e jetësës së qytetarëve polakë.
Përgjatë më shumë se 20 viteve të fundit, duke llogaritur këtu periudhën e negociatave hyrëse plus 10 vjet anëtarësim në BE, Polonia ka shënuar rritje të pandërprerë ekonomike. Për periudhën në fjalë polakët nuk provuan ç’është recesioni dhe nuk ndjenë efektet negative sociale të tij. Rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Brutto, për 20 vjet rresht, ka shkuar në dobi të përmirësimit të ndjeshëm të kushteve të jetesës. Kjo u bë e mundur, nga njëra anë falë vendosmërisë ekonomike dhe kreativitetit të miliona sipërmarrësve polakë, ndërsa nga ana tjetër falë orientimit të drejtë të përpjekjes ekonomike të polakëve përmes aplikimit të standardeve dhe reformave europiane.
Për rrjedhojë Polonia përjetoi një hop domethënës civilizues. PPB për frymë në vitet 1990-2012 u rrit gati katër herë (nga pothuaj 6000 USD në vitin 1990 në më shumë se 22000USD në vitin 2012). Bëhet fjalë për një rritje të qëndrueshme, e cila e bën ekonominë polake të shquhet për stabilitet të lartë në mesin e shumë shteteve europiane. Nuk ka dyshim se në një masë të madhe kjo është njëkohësisht edhe meritë e përdorimit adekuat të fondeve europiane, qoftë në periudhën e paraanëtarësimit, qoftë edhe pas saj. Ministria e Infrastrukturës dhe Zhvillimit përllogarit se në periudhën 2007-2011 mesatarisht rreth 1% e rritjes vjetore ekonomike ka qenë rezultat i investimeve të bashkëfinancuara nga BE. Ritmi mesatar vjetor i rritjes për këtë periudhë rezulton të ketë qenë 4,3%, në një kohë kur mesatarja europiane ishte në nivelin 0,5%.
Triumfator i madh i procesit transformues rezultoi të ishte eksporti polak, i cili u rrit më shumë se dhjetë herë. Polonia përpunoi ndërkohë një sistem shumë të qëndrueshëm financiaro-bankar. Kjo erdhi jo aq nga investimet e duhura, sesa në një masë të madhe nga përpilimi adekuat i dispozitave dhe mbikëqyrjes së efektshme bankare. Anë e fortë e ekonomisë polake është njëkohësisht tregu i kapitaleve, i mbikëqyrur mjaft mirë dhe gjithmonë në rritje, në një kohë kur Bursa e Varshavës mbetet një ndër më dinamiket mes simotrave të saj në Europë. E gjitha kjo rrit rezistencën e vendit ndaj ndonjë krize eventuale.
Vlen ndërkohë të përmendet ndikimi kyç i integrimit europian në rritjen e madhe të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Poloni. Në fundin e vitit 2012 vlera e përgjithshme e këtyre investimeve arriti në rreth 180 mld Euro. Në të njëjtën kohë u rrit ndjeshëm, më shumë se 18 herë, niveli i investimeve të firmave polake jashtë vendit. Investimet polake u përqendruan para së gjithash në vendet e BE.
Fluksi i fondeve europiane ndikoi gjithashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e funksionimit të administratës në nivel qendror dhe lokal.
Së pari –dispozitat e BE që kërkonin bashkëfinancim të projekteve europiane diktonin krijimin në të gjitha nivelet të mekanizmave të përshtatshëm që garantonin një bashkëfinancim të tillë. Kjo kishte të bënte si me përshtatshmërinë e akteve ligjore, ashtu edhe me formimin e lartë profesional të nëpunësve që administronin këto fonde.
Së dyti- ky realitet kërkonte një qasje të re në hartimin e buxhetit të shtetit si dhe garantimin e mjeteve financiare të mjaftueshme për bashkëfinancimin e projekteve dhe investimeve europiane. Kësisoj anëtarësimi në BE po ndikonte drejtpërdrejt në implementimin e parimeve të një buxheti me detyra të përcaktuara dhe në përdorim më racional të resurseve ekzistuese buxhetore.
Së treti- mekanizmi i shfrytëzimit të fondeve të BE solli një planifikim më afatgjatë të investimeve të domosdoshme në nivel vendi dhe në nivel lokal. Ndikoi njëherësh në hartimin e një qasjeje më strategjike ndaj zhvillimit të një vargu fushash të tjera të bashkëfinancuara me mjetet europiane siç ishin: kultura, arsimi, mbrojtja e mjedisit, kërkimet shkencore dhe zhvillimi teknologjik.
Së katërti- aplikimi në praktikë i dispozitave europiane që kishin të bënin me funksionimin e administratës ekonomike dhe financimin e zhvillimit ndikoi thelbësisht në reduktimin e hapësirës korruptive. Kjo shkoi paralelisht me reformimin e sektorit të drejtësisë, forcimin e institucioneve të kontrollit dhe atyre të hetimit, respektimin nga ana e tyre të dispozitave antikorrupsion, duke mos kursyer as politikanët me influencë.
Përcaktimi i hyrjes në BE si qëllim strategjik i Polonisë ka kërkuar qysh në fillim të periudhës së transformimit krijimin e bazave për një administratë publike moderne.
Në vitin 1990 u krijua Shkolla Kombëtare e Administratës Publike KSAP. Nga momenti i krijimit deri më sot KSAP ka përgatitur qindra nëpunës shtetërorë mjaft të përgatitur, të cilët përbëjnë themelin e administratës në nivel qendror dhe lokal, të palidhur me asnjë parti politike dhe që mbetet në këto funksione pavarësisht ndryshimeve politike në vend.
Forcimin e cilësisë së administratës e favorizuan gjithashtu reformat e shërbimit civil dhe atij të shërbimit të jashtëm, të realizuara në vitet që paraprinë anëtarësimin e Polonisë në BE. Falë këtyre vendimeve ne ishim në gjendje t’i përballonim kërkesat për ndërtimin e një politike të jashtme të pavarur të Polonisë sovrane, kërkesat të negociatave hyrëse si dhe të atyre të funksionimit në kuadër të BE.
Një përvojë jashtëzakonisht e rëndësishme nga lëmi i integrimit të Polonisë është gjithashtu edhe politika e jashtme.
Në përmbushje të ambicjeve të veta europiane Polonia ka hartuar dhe ndjekur vetëdijshëm një politikë të jashtme të orientuar kah bashkëpunimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet fqinje, një politikë të jashtme të prirur për të krijuar forma dhe mekanizma që favorizonin përmbushjen e qëllimit strategjik të hyrjes në BE, një politikë dhe kulturë diplomatike që synon arritjen e kompromisit kaq të domosdoshëm në radhët e BE.
E vlen të kujtohet se në fillim të viteve ‘90 Polonia kishte rreth kufijve të vet, për shkak të bashkimit të Gjermanisë, shpërbërjes së BRSS si dhe ndarjes së Çekosllovakisë, shtatë shtete të reja. Në hapësirën e pak viteve me të gjithë fqinjët e rinj Polonia nënshkroi traktatet bazë të miqësisë dhe bashkëpunimit që përmbanin njëkohësisht vendime mbi të drejtat e individëve që u përkisnin pakicave kombëtare. Kjo përbënte një sukses të madh të politikës së jashtme, teksa Polonia kësisoj sillte në BE një kontribut të qenësishëm në trajtën e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Qysh në krye të herës kemi bashkëpunuar edhe me partnerët tanë të Europës Qendrore me synim përmbushjen e qëllimeve tona të përbashkëta europiane. Këtu kam në mend para së gjithash Grupin e Vishehradit, këtij mekanizmi jashtëzakonisht aktiv në bashkëpunimin e Çekisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Polonisë. Kemi përshkuar së bashku një rrugë të gjatë, nga bashkëpunimi në vitet e para pas 90-ës për t’i dhënë fund pranisë ushtarake sovjetike në vendet tona, deri tek bashkërendimi i politikave të Unionit dhe rritjes së mirëqenies dhe sigurisë në kuadër të BE dhe NATO. Ky përbën një sukses të jashtëzakonshëm, të cilin duam ta forcojmë edhe më shumë dhe ta mbrojmë.
Drejtimet më thelbësore të politikës europiane të Polonisë.
Si shteti më i madh nga anëtarët e rinj të BE, pas hyrjes në vitin 2004, Polonia ka ndjekur vetëdijshëm një politikë europiane ambicioze, proaktive, që shpalos potencialin politik dhe fuqinë ekonomike në rritje të vendit tonë.
Në mënyrë konsekuente Polonia rreh të dëshmojë se interesi i saj me anëtarësimin në BE nuk kufizohet vetëm tek shfrytëzimi efikas i mjeteve të bashkësisë, por edhe që ka idera dhe resurse që i shërbejnë zhvillimit të gjithë BE. Falë kësaj qasjeje, midis të tjerash, dhjetëvjeçari i parë i pranisë në BE ka treguar se janë shuar tanimë ndarjet në anëtarë “të vjetër” dhe “të rinj” të BE.
Me hyrjen e Polonisë në BE qëllimi ynë strategjik është pozicionimi në mesin e shteteve që i japin tonin hapave që kanë të bëjnë me të ardhmen e integrimit europian. Këtë gjë e favorizon trajektorja e zhvillimit ekonomik të shtetit tonë, i cili po e shkurton gjithnjë e më shumë distancën nga vendet më të zhvilluara anëtare të BE. Kriza financiaro-ekonomike që preku gjithë botën perëndimore në vitin 2008 (duke përfshirë edhe zonën euro dhe gjithë BE) dhe rezistenca e ekonomisë polake ndaj efekteve të kësaj krize po përshpejton procesin e fashitjes së disnivelit zhvillimor.
Në aspektin politik, rezistenca ndaj krizës ekonomike në BE, e lidhur kjo me qendrueshmërinë e qeverisë së kryeministrit D. Tusk pas vitit 2007, e rritën peshën e zërit të Polonisë në BE. Mendimi europian polak është tashmë mjaft i dallueshëm në Komisionin Europian. Komisarë nga Polonia kanë ushtruar përgjegjësira në portofole kyçe nga pikëpamja e interesave të BE dhe të ardhmes së saj: në vitet 2004-2009- Polonia ka pasur komisarin për politikën rajonale, kurse në mandatin 2009-2014- komisarin për hartimin e buxhetit dhe planifikimit financiar. Ish kryeministri i Polonisë Jerzy Buzek ka qenë kryetar i Parlamentit Europian. Pozicionin e Polonisë e ka përforcuar gjithashtu drejtimi për herë të parë i Këshillit të BE në gjysmën e dytë të vitit 2011, i cili u vlerësua gjerësisht si pozitiv.
Gjithnjë e më shpesh Polonia po shihet në prizmin e rolit të saj të trefishtë: si një nga shtetet të ashtuquajtura Big Six, që do të thotë se gjendet në mesin e shteteve më të mëdha dhe më me influencë në radhët e BE, si një nga vendet lider në rajon si dhe si shteti që inspiron bashkëpunimin në boshtin Veri-Jug me pjesëmarrjen e shteteve balltike, skandinave si dhe të shteteve të Europës Qendrore dhe Jug-Lindore.
Në interesin afatgjatë të Polonisë është transformimi i Bashkimit Europian në një union politik, çka nuk duhet identifikuar me prirjen për të krijuar një supershtet europian që do të vinte në rrezik themelet e shteteve kombëtare. Pandryshueshmërisht ne bëjmë pjesë në ato shtete që janë për ruajtjen e formulës së bashkësisë, me një rol të fuqishëm të Komisionit Europian si bazament i funksionimit të BE.
Prioritetet e politikës europiane të Polonisë fokusohen rreth tre sloganeve kryesore: konkurueshmëria, solidariteti dhe hapja. Polonia bën pjesë ndër ato shtete anëtare që janë flamurtare të përfundimit të ndërtimit të një tregu unik, të rritjes së konkurueshmërisë globale të BE si dhe të eliminimit të praktikave proteksioniste.
Polonia ka vepruar efektshëm në favor të garantimit të një buxheti ambicioz të BE sa i përket politikës së kohezionit, çka bën të mundur eliminimin e diferencave në nivelin e zhvilimit midis shteteve më të pasura dhe atyre më të varfra të BE. Në sajë të angazhimit të qeverisë polake politika e përbashkët energjetike e BE po bëhet realitet në një shkallë gjithnjë e më të madhe. Polonia përfaqëson më së miri argumentet në dobi të një politike të ekulibruar të BE në fushën e kundërveprimit ndaj ndryshimeve klimatike. Polonia është ndërkohë promotor me peshë i parimit të hapjes, çka gjen shprehjen e vet në të qenit aktive në politikën e zgjerimit të BE, politikën europiane të fqinjësisë si dhe në Politikën përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
Përgjatë dekadës së parë të anëtarësimit në BE Polonia ka dëshmuar se, duke realizuar interesat e saja në fushat e sipërpërmendura, është në gjendje të ndërtojë efektshëm koalicionin e shteteve që gjykojnë njëlloj me të dhe mbi këtë bazë të jetësojë sipërmarrje të rëndësishme politike (për shembull pranimi dy herë rresht i kornizave të favorshme financiare shumëvjeçare, Partneriteti Lindor).
Gjatë këtyre 10 viteve edhe vetë BE ka kryer një reformë të thellë, në të cilën Polonia ka marrë pjesë aktivisht. Traktati i Lizbonës ishte traktati i parë i negociuar me pjesëmarrjen e plotë të Polonisë si vend anëtar i BE. Kontributi ynë i qenësishëm në këto punime rezultoi të ishte i një rëndësie kapitale për trajtën përfundimtare të kompromisit.
Duke marrë parasysh rritjen sistematike të prerogativave të Parlamentit Europian, Polonia në mënyrë konsekuente është përpjekjur për të siguruar një numër gjithnjë e më të madh mandatesh në këtë organizëm, që t’i korrespondonte potencialit njerëzor dhe politik të vendit tonë. 51 europarlamentarët polakë në legjislaturën aktuale dhe atë pasuese përpiqen dhe do të përpiqen të pranojnë zgjidhje që forcojnë pozicionin e Bashkimit Europian, gjithmonë duke marrë në konsideratë interesat kombëtare legjitime si dhe që garantojnë solidaritetin e bashkësisë, kohezionin dhe hapjen. Në këtë kontekst vështirë të nënvlerësohet rëndësia e zgjedhjeve për në Parlamentin Europian në maj 2014.
Në punimet mbi vendimin që konstituon Shërbimin Europian të Veprimeve me Jashtë (EEAS-shkurtimi në gjuhën angleze) u morën në konsideratë të gjitha kërkesat më të rëndësishme që parashtroi Polonia, u pranua parimi i rekrutimit të personelit EEAS që merr në konsideratë ekuilibrin gjeografik, u sigurua pjesëmarrja e përshtatshme e shteteve anëtare të EEAS- së paku 1/3 e numrit të përgjithshëm të nëpunësve si dhe detyrimi për një bashkëpunim të ngushtë të EEAS me shërbimet diplomatike të shteteve anëtare. Paralelisht me procesin e ndërtimit të një arkitekture të re institucionale të BE Polonia u përpoq të kishte përfaqësimin e saj të duhur në diplomacinë e Unionit.
Perspektiva e zgjerimit të BE
Qysh në krye të herës Polonia ka qenë mbështetëse e politikës së zgjerimit të BE. Historia ka dëshmuar se kjo ka qenë një nga politikat më të sukseshme dhe të efektshme të BE, nga e cila përfitojnë jo vetëm vendet e reja anëtare, por e gjithë BE. Dëshmia më e mirë e kësaj është rritja e konsiderueshme e investimeve të kompanive nga i ashtuquajturi Unioni i vjetër në vendet anëtare rishtare me efekte të dukshme pozitive financiare dhe pozicionim të këtyre kompanive në Europë dhe botë. Polonia ndërkohë ka shprehur gjithmonë bindjen se suksesi i politikës së zgjerimit të BE varet në një shkallë determinante nga respektimi rigoroz i parimeve të besueshmërisë dhe kushtëzimit. Këtu dua të nënvizoj se parimi i plotësimit të kushteve nuk është asesi një instrument frenimi në procesin e pranimit të anëtarëve të rinj, ndryshe nga ç’paraqitet ndonjëherë në komentet që bëhen në shtetet kandidate. Nga njëra anë ky është një mekanizëm që garanton nivel të lartë të përgatitjes së kandidatëve për anëtarësim si dhe pakthyeshmërinë e reformave që përmirësojnë gjendjen e ekonomisë, kushtet e funksionimit të biznesit, cilësinë e shtetit dhe jetën e qytetarëve. Nga ana tjetër- është një instrument i domosdoshëm që siguron nivelin më të lartë të mundshëm të kohezionit në BE.
Cila do të jetë e ardhmja e politikës së zgjerimit? Shumëçka do të varet nga dinamika politike në BE si dhe në vendet e veçanta anëtare. Gjykoj se gjithsesi mund të shquajmë disa trende, të cilët do ndikojnë në ritmin e realizimit praktik të kësaj politike.
Karakteri ndërqeveritar i politikës së zgjerimit me shumë gjasë do të përforcohet. Me këtë kam parasysh ndikimin gjithnjë në rritje të shteteve anëtare si edhe të Këshillit Europian, në ecurinë e tij. Të mos harrojmë që parim i rëndësishëm i politikës së zgjerimit është unanimiteti, nga pikëpamja formale 28 vendet anëtare kanë 1960 raste për të bllokuar procesin (çdo vend anëtar duhet të shprehet për çeljen dhe mbylljen e çdonjërit prej 35 kapitujve negociues, pa folur këtu për miratimin e mëhershëm të të gjithëve për statusin e kandidatit dhe çeljen e negociatave).
Politika e zgjerimit ka pasur gjithmonë karakter politik më pak apo më shumë të dukshëm. Ana politike e procesit të zgjerimit mund të gjejë pasqyrimin e vet në një qasje gjithnjë e më subjektive të shteteve anëtare ndaj vendimit mbi fatin e secilit vend kandidat. Kriza ekonomike, e cila përherë shoqërohet me një tërheqje më të fuqishme drejt interesit kombëtar, me gjasë e përforcon një tendencë të tillë.
Procesi i zgjerimit të BE mund të ketë njëkohësisht një karakter teknik gjithnjë e më të dukshëm. Kushtet e veçanta dhe kriteret do të jenë gjithnjë e më shumë të saktësuara. Kjo gjë ka anët e veta të mira. Dokumentet e BE që përkufizojnë etapa të veçanta të hyrjes duhet të përbëjnë një pikë referimi sa më të qartë për kandidatët.
Duhet presupozuar se politika e forcimit të kushteve do të vazhdojë në fusha të konsideruara thelbësore për kohezionin e gjithë BE si edhe në fusha shumë sensitive nga pikëpamja e reagimit shoqëror në vendet anëtare. Kjo u përket sferave të tilla si sundimi i ligjit, drejtësia, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionimi i administratës shtetërore dhe shërbimit civil, të drejtat e njeriut. Gjithnjë e më i rëndësishëm do të jetë po ashtu edhe aspekti ekonomiko-financiar i përgatitjes së kandidatit për anëtarësim. Nuk ka dyshim se politika ekonomike dhe fiskale e shteteve aspirante, përgjatë procesit negocjues hyrës, do t’i nënshtrohet një vlerësimi gjithnjë e më skrupuloz. Ky është një element, të cilin kandidatët duhet ta kenë qysh tani seriozisht në konsideratë gjatë procesit të përgatitjes së strategjisë së integrimit në BE.
Elementi i fundit, për të cilin do të doja të tërhiqja vëmendjen, është ndikimi eventual i problemeve dypalëshe ende të pazgjidhura në ritmin e procesit të zgjerimit të BE. Në disa raste ky ndikim është tashmë i dukshëm. Ekzistojnë gjithsesi premisa për të menduar se në të ardhmen ky ndikim mundet të forcohet edhe më shumë. Një dukuri jo e favorshme do të ishte shfrytëzimi më i fuqishëm i epërsisë konkurruese të vendeve anëtare ndaj vendeve kandidate fqinje dhe imponimi i faktorëve kombëtarë në procesin e hyrjes. Në një situatë të tillë tre elementë marrin një rëndësi thelbësore:
• Balancimi i përshtatshëm i prioriteteve kombëtare të vendeve kandidate.
• Ndjekja e një politike rajonale konstruktive me përpjekje për të zgjidhur problemet dypalëshe në kohën e duhur para fazës vendimtare të procesit të hyrjes.
• Bashkëpunimi mbarëkombëtar në shtetet kandidate për çështjen e integrimit në BE me qëllim përshpejtimin e gjithë procesit.
Forcimi i veprimeve të BE në kuadrin e sigurisë energjetike.
Kryetarët e shteteve dhe qeverive në mbledhjen e Këshillit Europian më 20-21 mars 2014, në sfondin e ngjarjeve të fundit në Ukrainë, bënë thirrje për të ndërmarrë veprime në dobi të forcimit të sigurisë së furnizimit me energji të BE si dhe të diversifikimit të burimeve energjetike, në shumicën e rasteve të dominuara nga furnizimet ruse. Komisioni Europian deri në qershor 2014 ka për të hartuar një plan veprimesh të BE në këtë fushë.
Në këtë kontekst Polonia evidenton gjashtë shtyllat më të rëndësishme të politikës së BE në fushën e sigurisë energjetike, të cilat në të ardhmen mund të sjellin krijimin e “Unionit Energjetik Europian”
• Përforcimi i mekanizmave të solidaritetit mes shteteve në rast çrregullimi të furnizimit me burime energjetike.
• Negocimi i përbashkët i kushteve për furnizime të reja me furnizues jashtë BE.
• Maksimalizimi i bashkëfinancimit me mjetet e BE të ndërtimit të një infrastrukture energjetike që forcon sigurinë energjetike dhe që garanton solidaritetin e BE në këtë sferë.
• Shfrytëzimi i plotë i burimeve hidrokarbure vendase në Europë, burimeve tradicionale dhe jokonvencjonale, duke respektuar mjedisin natyror.
• Shfytëzimi gjithnjë e më i madh i burimeve alternative të naftës dhe gazit në BE duke tërhequr furnizues të rinj, veçanërisht nga SHBA.
• Forcimi i sigurisë energjetike të fqinjëve të BE në Europën Lindore, Ukrainë dhe Moldavi, por edhe në Europën Jug-Lindore, përmes ndërtimit dhe fuqizimit të lidhjeve infrastrukturore si dhe përmes mbështetjes në kryerjen e reformave në tregun energjetik, në përputhje ma acquis e BE.
Fjalë e mbajtur nga Ambasadori i Republikës së Polonisë Marek Jeziorski në Forumin e Politikës së Jashtme të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, Tiranë, 29 prill 2014.
_____________________________________________________________________
BURSA E VARSHAVËS: mundësi të shumta
Bursa e Varshavës është një nga tregjet europiane që zhvillohet më dinamikisht, ndërsa në rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore, prej shumë vitesh, mbetet në pozicionin e liderit të pakundërshtueshëm. Strategjia e saj e re GPW. 2020 për periudhën 2014-2020 parashikon zhvillim të mëtejmë falë mbështetjes në tekonologjinë më të re dhe në kërkimin e partnerëve jo vetëm nga Polonia.
Në vitin 1989 Polonia nisi procesin e rindërtimit të ekonomisë së tregut, motor kryesor i të cilit ishte privatizimi si dhe zhvillimi i tregut polak të kapitalit. Pas afro 52 vjetësh ndëprerjeje Bursa e Varshavës rinisi aktivitetin e vet më 16 prill 1991. Në sesionin e parë të bursës me pjesëmarrjen e shtatë markave aksionare debutuan pesë kompani. Në atë rast pati 112 kërkesë oferta për shitje-blerje teksa qarkullimi i përgjithshëm në bursë arriti 1.990 zlloti.
Sot Bursa e Varshavës zhvillon një treg të regullt të obligacioneve dhe instrumenteve derivate, zhvillon njëkohësisht edhe tregun e aksioneve NewConnect për subjekte më të vogla. Bursa e Varshavës zhvillon edhe tregun Catalyst i destinuar për emetuesit e obligacioneve të korporatave dhe atyre komunale. Në ofertën e vet Bursa e Varshavës e ka gjithë gamën e instrumenteve- duke filluar nga aksionet, obligacionet, certifikatet investuese, instrumenteve derivate dhe deri tek produktet e strukturuara. Në të dyja tregjet e aksioneve janë regjistruar pothuaj 900 emetues, kapitalizimi i të cilëve e ka kaluar shifrën e 200 mld Euro. Bursa e Varshavës prej disa vitesh është shndërruar në bursën e zgjedhjes së parë për sipërmarrje të fushave të ndryshme, me fuqi të ndryshme dhe në faza të ndryshme zhvillimi, kryesisht nga rajoni i Europës Qendrore dhe Lindore. Momentalisht në Bursën e Varshavës gjenden 56 kompani të huaja nga 23 vende, në mesin e tyre ka kompani që e ushtrojnë aktivitetin e vet në Ukrainë, Çeki, Lituani, Bullgari, por edhe në SHBA dhe Kinë.
Mundësitë e diferencuara investuese, kushtet konkurruese të përthithjes së kapitalit, rrjeti i gjerë i bizneseve bëjnë që Bursa e Varshavës të ketë një ofertë atraktive për investitorët, emetuesit dhe ndërmjetësit si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij. Në Bursën e Varshavës veprojnë firma investuese globale të vendit dhe të huaja, por edhe brokera që janë aktivë në veprimtaritë e tyre në tregjet e Europës Qendrore dhe Lindore. Zhvillimin e vet dinamik Bursa e Varshavës ia dedikon infrastrukturës së saj moderne, tipike për tregjet e konsoliduara, të aftë të garantojë sigurinë e qarkullimit dhe kryerjen e transaksioneve. Zhvillimin e vet dinamik ia dedikon regulativëve të mirë europianë, bazës së diferencuar të investitorëve vendas dhe të huaj si dhe ofertës së pasur të produkteve adresuar investitorëve me tolerancë të ndryshme ndaj riskut.
Aplikimi i një sistemi të ri transaksionesh që plotëson standardet më të larta botërore dhe pritshmëritë në rritje të lojtarëve të tregut, duke garantuar njëherësh një organizim qarkullimi në përputhje me tendencat globale, mundëson zhvillimin e mëtejshëm të ofertës së produkteve. UTP, patentën e të cilit e ka NYSE Technologies, është bërë familjar për investitorët ndërkombëtarë dhe brokerat e tregjeve më të mëdhaja botërore- të njëjtën platformë qarkullimi përdorin edhe bursat e grupit NYSE Euronext me qendrat e tyre në Nju Jork, Paris, Lizbon, Amsterdam dhe Bruksel. – Futja e UTP, njërit prej instrumenteve më modernë të këtij tipi në botë, ka bërë të mundur t’u ofrohet aktorëve të tregut një nivel i ri cilësie në shërbimet e bursës. Me aplikimin e UTP –kemi hyrë në elitën e bursave botërore –thotë Adam Maciejewski, Kryetar i Bordit të Bursës së Varshavës.
Tekonologjia e re mundëson aktivizimin e segmenteve të reja të tregut. Në vitin 2013 oferta e Bursës së Varshavës u zgjerua me instrumente të tillë si kontratat e përkohshme për nivelin e interesave si dhe koshin e obligacioneve të thesarit. Ndërsa këtë vit investitorët do të kenë mundësi të investojnë opsionalisht në aksione të kompanive të veçanta si dhe në instrumente derivatore për indekse të reja. Bursa ka bërë gjithashtu ndryshime në indekset kryesore të bursës dhe ka nisurafishimin e indekseve të rinj, duke përfshirë indeksin WIG30, ku bëjnë pjesë 30 sipërmarrjet më të mëdha dhe më të zhdërvjellta të tabanit varshavian, WIG50 është për firmat e mesme dhe WIG250 për sipërmarrjet e vogla. Zgjerimi i përbërjes së indekseve më të rëndësishëm të bursës pasqyron më mirë rritjen e ekonomisë polake, strukturën e saj sektoriale si dhe zhvillimin dinamik të tregut polak të kapitalit.
Në kuadër të kërkimit të burimeve të reja të zhvillimit Bursa e Varshavës ka blerë aksione në Aquis Exchange Ltd., që është një platformë shumëpalëshe e qarkullimit me qendër në Britaninë e Madhe, e cila realizon sot qarkullimin e aksioneve të kompanive më të mëdha të Britanisë së Madhe, Francës, Holandës dhe Gjermanisë. Aquis synon të ofrojë qarkulllimin e aksioneve të më shumë se 1200 sipërmarrjeve nga 14 tregje europiano-perëndimorë.- Vitin e shkuar dolëm vendosmërisht mebiznes jashtë kufijve të Polonisë. Investimi në platformën Aquis në vështrim të parë ishte një provë e diversifikimit të shërbimeve tona. Në realitet ajo përfaqëson një projekt shumë të komplikuar por dhe ambicjoz gjithëeuropian, i cili do të bëjë të mundur në një të ardhme jo të largët, bashkë me planet tona të tjera ndërkombëtare, ta ngrejë Bursën e Varshavës në një stad më të lartë ndër bursat e botës – thekson Adam Maciejewski. Ndërkohë Bursa e Varshavës është në tratativa për bashkëpunim me grupin e bursave CEESEG, e cila grupon tregjet në Vjenë, Pragë, Budapest dhe Lublanë.
Në strategjinë e vet të re deri në vitin 2020 Bursa e Varshavës si mision ka përcaktuar jo vetëm mbështetjen e zhvillimit të tregut vendas, por edhe të atij të gjithë rajonit të Europës Qendrore dhe Lindore. Bursa e Varshavës mëton të forcojë pozitën e vet ndërkombëtare përmes krijimit të një qendre ndërkombëtare të kapitalit të kësaj pjese të Europës si dhe të mbështesë zhvillimin e ekonomive lokale dhe tregjeve të kapitaleve në rajon.
Materiali është ofruar nga Bursa e Letrave me Vlerë në Varshavë
Përgatiti: Astrit Beqiraj
_____________________________________________________________________
BANKA KOMBËTARE E POLONISË
Prof. MAREK BELKA, Guvernator i Bankës Kombëtare të Polonisë
Nëse shohim ekonominë polake nga një perspektivë historike pas vitit 1989, si dhe nga këndi i sfidave në të ardhmen, mund të shquajmë tre procese thelbësore dhe ngjarje të lidhura me to. E para është nisja e transformimit të ekonomisë polake pas vitit 1989. E dyta, hyrja e Polonisë në Bashkimin Europian në vitin 2004. E treta, me vështrim nga e ardhmja, hyrja në zonën Euro, çka do të shënojë kurorëzimin si të proceseve të transformimit të ekonomisë polake, ashtu edhe të integrimit ekonomik, institucional dhe shoqëror në srukturat e BE.
1. Transformimi ekonomik
Në tablonë e vendeve të tjera të rajonit Polonia përfaqëson një shembull të kalimit të suksesshëm nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut.
Faza e parë e transformimit, e pagëzuar me emrin terapia e shokut (vitet 1989-1991) kishte të bënte me realizimin e reformave sistemore bazë kah tregut. Plani i reformave parashihte afirmimin e sipërmarrjes private, integrimin me ekonomitë e Europës Perëndimore si dhe rikthimin e stabilitetit makroekonomik. Një nga elementët e programit stabilizues ishte rikthimi i besimit tek monedha vendase, futja e konvertibilitetit të zllotit, ndërsa më tej aplikimi i politikës së kursit të qendrueshëm të zllotit në raport me dollarin amerikan me qëllim parandalimin e hiperinflancionit.
Faza e dytë e proceseve të nisura transformuese (1992-1995) dha frytet e veta me rritje ekonomike, por që gjithsesi kërkonte një modifikim të zgjidhjeve të përdorura në periudhën e parë duke i përshtatur ato në mënyrë adekuate nevojave dhe kushteve në ndryshim. Vazhduan në këtë fazë reformat e tregut, nisën në shkallë të gjerë proceset e privatizimit të ekonomisë polake, u përmirësua cilësia e mjedisit të biznesit si dhe nisi aplikimi i regjimit juridik të Bashkimit Europian, të cilat synonin anëtarësimin në këtë grup (qysh në dhjetor 1991 u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE). Përparimi në procesin e frenimit të rritjes së inflancionit, reduktimi i borxhit të jashtëm (më 1991 nga Klubi i Parisit ndërsa më 1994 nga Klubi i Londrës) si dhe aplikimi i shkëmbyeshmërisë së zllotit me jashtë i hapën rrugën depërtimit të kapitalit të huaj në Poloni.
Fazën e tretë të transformimit e përbëjnë vitet 1996-2004 kur ekonomia polake u zhvillua dinamikisht (veçanërisht në fund të viteve ‘90) si dhe u gjend në fazën e negociatave hyrëse dhe përgatitjeve për anëtarësim në BE. Rritja relativisht e shpejtë ekonomike, anëtarësimi në OECD si dhe reformat ekonomike sollën me vete vërshimin e kapitalit të huaj, mes të tjerash në formën e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, çka është më e rëndësishmja për zhvillimin ekonomik. Këto investime nga ana e tyre diktonin ristrukturimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe rritjen e eksportit (ndonëse fillimisht shkaktuan rritjen e importit furnizues). Bashkë me integrimin gjithnjë e më të mirë të ekonomisë polake me atë globale po ndodhte njëherësh edhe procesi i lirimit të kontrollit të kursit të zllotit deri në çlirimin e tij të plotë në prill të vitit 2000. Falë transformimeve të sipërpërshkruara, për periudhën nga nisja e procesit të transformimit deri në vitin 2004 Prodhimi i Përgjithshëm Brutto për frymë u dyfishua1.
2. Integrimi europian
Hyrja në BE në vitin 2004 hapi një kapitull të ri në historinë politike, sociale dhe ekonomike të Polonisë. Ky moment i pritur gjatë u parapri nga një periudhë shumëvjeçare negociatash dhe përgatitjesh, por edhe dyshimesh2, të cilat, falë përgatitjes së duhur dhe konkurueshmërisë së ekonomisë polake, fatmirësisht mbetën veç dyshime.
Pas hyrjes në BE u rrit besueshmëria e ekonomisë, u rrit eksporti i produkteve polake drejt vendeve të BE3 si dhe hyrja e investimeve të huaja nga vende të saj. Në të njëjtën kohë Polonia përdori me efikasitet fondet strukturore, të cilat ndihmuan në ngritjen e cilësisë së infrastrukturës teknike, por edhe njerëzore, duke sjellë rritjen e kapitalit shoqëror dhe njerëzor4. Paralelisht me këtë emigrimi i polakëve drejt vendeve të BE dëshmoi sesa me vlerë kishte qenë kapitali njerëzor që dispononte ekonomia polake në momentin e hyrjes në të. Krahu polak i punës ia doli me mjaft sukses në Tregun e Unifikuar.
Krahas rritjes së tregtisë, pas hyrjes në BE ndodhi njëkohësisht diversifikimi i saj në lloje si dhe rritja e përparimit tekonologjik. Në sajë të rolit thelbësor të investitorëve të huaj (vendimtarë në pothuaj gjysmën e vëllimit të eksportit) Polonia ishte shndërruar në pjesë përbërëse të zinxhirit furnizues europian dhe global, çka shihej dukshëm në rastin e industrisë së prodhimit të automobilave. Krahas kompanive me kapital të huaj po ndodhte edhe grumbullimi i kapitalit vendas, në një kohë kur firmat vendase, kryesisht me baza familjare, gjithnjë e më me dëshirë po dilnin me ofertat e tyre jashtë Polonie. Dëshmi kjo e konkurueshmërisë ndërkombëtare në rritje5.
Falë treguesve të sipërcituar si dhe të politikës së mirë makroekonomike ekonomia polake rezultoi të ishte relativisht rezistente ndaj krizës më të madhe qysh prej viteve ‘30 të ekonomisë botërore. Në periudhën e problemeve më të mëdha ekonomike të vendeve të BE 2008-2012, në mesin e vendeve anëtare ekonomia polake u zhvillua më shpejt nga të gjitha. Midis tremujorit të parë të vitit 2008 dhe atij të katërt të vitit 2012, rritja e akumuluar ekonomike në Poloni arriti në 15%, në një kohë kur për BE dhe zonën Euro, për të njëjtën periudhë u regjistrua një rënie e PPB me rreth 3%.
3. Pranimi i Euros
Me hyrjen në BE Polonia detyrohej të zëvendësonte zllotin me monedhën e përbashkët, do të thotë euron. Analizat paraprake, të përfshira në dy raportet e Bankës Kombëtare Polake (të viteve 2004 dhe 2009), tregonin se përfitimet nga pranimi i euros (rënia e nivelit të interesave, zvogëlimi i riskut të kursit, rritja e besueshmërisë ekonomike) prevalojnë mbi kostot (humbja e politikës së pavarur monetare si dhe kursit të lëvizshëm). Kriza në zonën euro ndryshoi megjithatë mënyrën e arsyetimit mbi euron: aktualisht analizat statike të tipit “përfitim-kosto” u zëvendësuan me arsyetimin e tipit “shanse-rreziqe”, ku ky i dyti ka një karakter më dinamik. Shanset dhe kërcënimet, nga ana tjetër, do të varen para së gjithash nga dy faktorë: si do të duket zona euro si dhe në ç’shkallë ekonomia polake do të jetë e gatshme të funksionojë në kuadër të një politike të përbashkët monetare.
a. Ndyshimet në zonën Euro
Analizat mbi efektet e vendimit të pranimit ose jo të Euros aktualisht i bën të vështira kjo që në një masë të madhe ato do të varen nga trajta e ardhshme e zonës euro. Megjithëse viteve të fundit janë ndërmarrë një varg reformash, momentalisht ende nuk dihet çfarë trajte do të ketë ajo pas disa vitesh. Më poshtë po japim ndryshimet e shqyrtuara ose të planifikuara, të cilat janë ndarë në tri fusha:
-krijimi i unionit bankar
-kornizat e aplikimit të politikës fiskale
-koordinimi me politikën ekonomike të vendeve anëtare
Unioni bankar
Shembujt e mbledhur nga vendet e zonës euro tregojnë se ekziston një lidhje e fortë midis situatës së sektorit bankar dhe situatës së sektorit të financave publike. Një krizë eventuale bankare, në kushtet madje të një borxhi të ulët publik, mund të shkaktojë deri edhe falimentin e gjithë shtetit. Unioni bankar në zonën euro ka për të shpërbërë pikërisht këtë ndërvarësi të fortë të sektorit bankar të një vendi anëtar me sektorin e tij publik. Ky projekt përmban tre elementë thelbësorë: mbikëqyrjen e përbashkët europiane mbi bankat e mëdha, mekanizmin e ristrukturimit dhe nënshtrimit të falimentimit të bankave bashkë me fondin e emergjencës për bankat si dhe mekanizmin e njësuar të garantimit të depozitave. Deri më tash është vendosur që mbikëqyrja e drejtpërdrejtë mbi bankat e mëdha do të ushtrohet nga Banka Qendrore Europiane. Është arritur njëkohësisht një kompromis, i cili i hap rrugën krijimit të një mekanizmi rregullues për bankat. Vendimet e mëhershme megjithatë shkaktojnë një varg pyetjesh, të tilla si: masa e fondit të emergjencës a është vallë e përshtatur nevojave potenciale dhe ritmi i krijimit të tij mos është vallë ende tepër i ngadaltë. Me rëndësi kyçe për funksionimin efikas të unionit bankar është gjithashtu marrëveshja mbi sistemin e përbashkët të garantimit të depozitave. Në këtë kuadër tani për tani nuk ka ende një mirëkuptim politik për t’u shkëputur nga parimi, sipas të cilit çdo vend garanton vetëm depozitat e bankave të veta. Kjo do të thotë se mbetet ende shumë për t’u bërë para se të flasim për unifikimin e plotë bankar. E vlen megjithatë të theksohet se analizat e sipëpërmendura janë shumë të rëndësishme në kuadrin e vendimit për pranimin e euros për shkak të faktit se ky vendim do të bëjë që Polonia të hyjë automatikisht në unionin bankar.
Politika fiskale
Zona euro mbetet një bashkim valutor jotipik, sepse politika e përbashkët monetare nuk shoqërohet me zgjidhje federale në kuadër të politikës fiskale. Reformat e ndërmarra viteve të fundit kanë pasur të bëjnë kryesisht me modifikimin e rregullave fiskale, rritjen e efikasitetit të sanksioneve të vendosura në kuadër të procedurës së deficitit tepër të lartë si dhe me dhënien e kompetencave më të mëdha Komisionit Europian në kontekstin e kontrollit të përmbushjes së rekomandimeve të tij. Ndërkohë vendimi i Semestrit Europian ka përforcuar koordinimin e politikave fiskale të vendeve anëtare. Megjithë ndërhyrjet e bëra modeli bazë i politikës fiskale (e cila zhvillohet në nivel vendi) nuk pësoi ndryshime. Kështu që mbetet një pyetje e hapur nëse ky do të jetë një model i përjetshëm, apo ndryshimet eventuale në të ardhmen do të shkojnë në drejtim të krijimit të një buxheti të përbashkët, për çka flitet në raportin e Komisionit Europian (A Blueprint for a deep and genuine Economicand Monetary Union) si dhe në raportin e Herman Van Rompuy (Towards a GenuineEconomic and Monetary Union). Këtu e vlen të theksohet se një integrim fiskal më i thellë do të lidhej njëkohësisht me një integrim më të fortë politik. Pa dyshim që kjo do të përbënte një faktor tjetër në diskutimin mbi pranimin e euros nga ana e Polonisë.
Koordinimi i politikës ekonomike
Konjuktura e mirë para krize “mpiu” në një farë mënyre vigjilencën e vendimmarrësve dhe dobësoi vendosmërinë e vendeve për të futur reforma strukturore që përmirësonin funksionimin e tregut të punës dhe tregut të produktit. Ky ishte një ndër faktorët që sollën rritjen e çekuilibrave makroekonomikë në shumë vende të zonës euro. U desh mbërritja e krizës që të dilnin në pah dobësitë strukturore të ekonomive më të forta të rajonit. Veç kësaj u kuptua se dobësitë strukturore të një ekonomie të veçantë mund të çojnë në destabizimin e gjithë zonës euro. Kështu që nisi debati mbi një koordinim më të mirë të politikave ekonomike në BE dhe zonën euro, fryt i të cilit është veç të tjerash procedura që ka të bëjë me turbulencat e ekuilibrit makroekonomik. Vazhdojnë ndërkaq punët mbi të ashtuquajturin mekanizëm të solidaritetit, do të thotë i sistemit të stimujve financiarë që shkojnë për ndërmarrjen e reformave strukturore (në një kohë të shkurtër) me kosto të lartë sociale. Mbetet megjithatë çështje e hapur se në ç’masë ndryshimet e propozuara dhe të realizuara do të konvergojnë tek harmonizimi i regulativëve, veçanërisht në raport me funksionimin e tregut të punës dhe sektorit të shërbimeve. Në kontekstin e hyrjes në zonën euro, me pranimin e monedhës së përbashkët, çështje thelbësore mbetet gjithsesi shkalla e humbjes së autonomisë në kuadër të politikës ekonomike.
b. Përgatitjet e Polonisë për të pranuar euron
Një çështje e dytë kyçe në diskutimin rreth pranimit të euros ka të bëjë me atë që sa është e gatshme ekonomia polake të pranojë valutën e përbashkët. Këtu e vlen të theksohet se aktualisht Polonia mbetet një vend menivel relativisht të ulët të PPB për frymë, ku niveli i çmimeve është pakrahasimisht më i ulët sesa në ekonomitë kryesore të zonës euro. Kjo do të thotë se pas pranimit të euros niveli i interesave të përcaktuara nga Banka Qendrore Europiane me gjasë nuk do t’i përshtatet (është mjaft i ulët) nevojave të ekonomisë polake. Për më tepër aktualisht struktura e ekonomisë polake ndryshon thelbësisht nga ajo e ekonomive kryesore të zonës euro. Kjo prek gjithashtu edhe strukturën e përftimit të PPB si dhe rregullimin e tregut të punës, tregut të produkteve, apo tregut të pasurive të paluajtshme. Sikundër dëshmon përvoja e vendeve periferike, në kuadër të një politike fiskale të përbashkët dallime të kësaj natyre mund të shkaktojnë pështjellime serioze të balancave makroekonomike, të përkeqësojnë konkurueshmërinë si dhe të sjellin rënie të ritmit të rritjes ekonomike.
Hyrja në zonën euro mund të krahasohet me pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në futboll: kërkon sforcim të madh dhe shumë përgatitje, dhe ndërkohë, në rast mossuksesi, duhen bërë llogaritë që dëmet do të jenë edhe më të ndjeshme. Sidoqoftë vendosja e qëllimit për të avancuar në gjirin e kompeticioneve më të rëndësishme të klubeve të futbollit në Europë bën që skuadra të përpiqet të luajë më mirë, teksa klubi të mendojë për përforcime. Po kështu përfshirja në unionin valutor mund të sjellë përfitime të rëndësishme nëse je i përgatitur siç duhet për të mbërritur tek këto përfitime. Kjo gjithsesi kërkon shumë mund dhe shumë punë. Pavarësisht vetë faktit të pranimit të euros, ky sforcim gjithsesi e vlen, sepse sjellë fuqizimin e potencialit të ekonomisë polake.
E përktheu: Astrit Beqiraj
1 Në vlerësimet vijuese PPB për frymë nga 2.101 USD në vitin 1991 u rrit në 6.625 në vitin 2004. PPB për frymë llogaritur mbi bazën e Paritetit të Fuqisë Blerëse për të njëjtën periudhë nga 5.614 u rrit në 12 698 USD.
2 Dyshimet buronin kryesisht nga frika nëse do ia dilnin ose jo ndërmarrjet polake në Tregun e Unifikuar, nga frika se mos ndodhte rritje e madhe e papunësisë dhe falimentim ndërmarrjesh.
3 Sot rreth 75% e eksportit polak shkon drejt vendeve të BE.
4 Në periudhën 2004-2012 futja e akumuluar e fondeve të BE arriti në rreth 66 mld Euro.
5 Rritjen e konkurueshmërisë së eksportit polak e konfirmon rritja gati dyfish e pranisë së Polonisë në eksportin botëror për periudhën 1995-2012.
_____________________________________________________________________
DIZAJNI POLAK
ANGIESZKA SURAL
Grupin e fundit e përbëjnë projektuesit-artistë, të cilët projektojnë në kufijtë e artizanatit dhe artit.Nga ky grup emër kanë bërë Marek Cecula dhe Bartosz Mucha.
Ngjarja më e madhe në Poloni për vitin 2013 në këtë fushë ishte Lodz Design Festival. Në këtë konkurs u prezantuan projekte dhe produkte nga të trija tendencat.
Sikundër edhe u përmend dizajni është i pranishëm edhe nëpër muzeume dhe galeri. Në to ekspozohen objekte të së ardhmes duke nisur nga byzylikët me plastikë të praruar deri tek konstruksionet dekorative. Vend të veçantë në galeritë zënë padyshim objektet prej porcelani, ku më gjatë u komentua dizajni i modeleve polake dhe çekosllovake të viteve ‘50, ‘60.
Të ftuar në panaire dhe ekspozita dizajni nga më të rëndësishmet projektuesit polakë kanë treguar fuqi dhe imagjinatë në rritje të markave të tyre duke fituar famë ndërkombëtare dhe çmime të shumta.
Panairi me famë Salone de Mobile, i cili organizohet tash gjysmë shekulli pa ndërprerje, çdo vit tërheq mijëra ekspozues dhe qindra mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Në vitin 2013 në Milano shkuan disa dhjetëra projektues, firma dhe grupe projektuesish nga Polonia.
Ndërkaq në vitin 2014 në panairin Salone Internazionale del Mobile në Milano do të shkojnë sërish disa dhjetëra projektues e firma polake nga kjo fushë, të cilët do të prezantojnë punimet e tyre unikale, objekte universale.
Ekspozita të dizajnit polak ka pasur gjithashtu në qendra të rëndësishme projektimi si në International Contemporary Furniture Fair në Nju Jork, në London Design Festival, Paris Design Week, Businnes of Design Week në Hongkong. Ka pasur ndërkohë përfaqësime edhe në Hamburg, Bazel, Moskë, Goteborg, Kopenhagë, Stamboll dhe Tokio.
Veç panaireve dhe muzeumeve pikë e rëndësishme e promovimit të dizajnerëve polakë ka qenë edhe bashkëpunimi me universitete të huaja. Studentët e Royal College of Art, bashkë me studentët e School of Form nga Poznanji, kanë marrë pjesë në trajnimet “Art Food”, të drejtuara nga artisti i qeramikës Marek Cecula. Trajnime të ngjashme studiot polake të dizajnit kanë organizuar edhe në Nju Jork, Paris e gjetkë.
Gjatë Paris Design Week projektuesi polak Pawel Grobelny fitoi çmimin Rado Star Prize, çmim ky që akordohet për inovacion origjinal.
Në panairin ndërkombëtar International Furniture Fair Singapore në përfundim të Furniture Design Award dy çmime në dizajn shkuan për grupin projektues polak Manomoka.
Kariera botërore e Oskar Zięta nisi në vitin 2008 kur mori çmimin Red Dot Award për projektimin e ndenjësve me ajër PLOPP. Në vitin 2013 me teknikën e llamarinës me vakum ai projektoi suksesshëm statuetat The Icon Awards, të cilat organizatorët britanikë ua akordojnë laureatëve të konkursit për projektet dizajn-arkitekturor.
E ndërsa flasim për sukseset e dizajnit polak nuk mund të lemë pa përmendur interesimin në rritje për grafikën divulgative polake. Viti i shkuar u takoi Aleksander dhe Daniela Mizielinski, autorëve të “Hartave”, të përkthyera në 20 gjuhë. Botimi në format të madh mbërriti deri në finale të konkursit Waterstones Book of the Year 2013, kurse në Francë mori çmimin e lartë Prix Sorcieres 2013, që është çmimi më i vlefshëm francez për librat për fëmijë. Në fund të vitit 2013 revista New York Times e renditi ”Hartat” në listën e 6 librave grafikë për fëmijë më të mirë për atë vit.
Në edicionin e vitit 2013 të Europian Design Awards-Gold ED-Award për punimet më të mira në projektimin grafik dhe komunikim Polakët u nderuan me medaljen e artë për përpunimin grafik të faqes së internetit të Teatrit të Ri (http: //www.nowyteatr.org/pl/poeple/warlikowski.)
(Autorja ka shfrytëzuar informacionin e www.culture.pl – projekt i Institutit Adam Mickiewicz)
E përktheu: Astrit Beqiraj
_____________________________________________________________________
Shqipëria dhe letërsia polake
BEN ANDONI
Letërsia polake e ka bërë me krenari udhën e saj në Republikën e Letrave. Hapësira e tejmatë gjeografike i ka koinçiduar me një gjerësi të madhe pikash takimi apo dhënie-marrjesh me disa prej vendeve, që i kanë dhënëshpesh lëndë cilësoreletërsisë së përbotshme. Dhe, jo më kot, ajo ka komunikuardhe shprehur gjendjet jetësore përmes artit, si pakcili në Evropë. Ndër dekada, kultura dhe jeta polake e mbushur me nobelistë njihet për arritjen e madhe që ka mundur të sigurojë prej mjeteve të saj shprehëse të letrave, gati të suksesshme ndërkombëtarisht në të gjitha gjinitë.
Në kohën e gjatë të ekzistencës së saj, korpusi i letrave polakeka mbrujturdhe mbështetur një traditë që jo vetëm u zhvillua dhe u përmirësua në këtë vend, por u përcoll me sukses edhe përmes shumëgjuhëve të tjera të vendeve me të cilat ajo u lidh ngushtë përmes gjuhëve tëpërfaqësuesve të saj: të tilla si jidish, lituanisht, ukrainisht, bjellorusisht, gjermanisht dhe madje edhe deri nëesperanto.
E megjithatë, edhe kjo do të konsiderohej një hiçnajë, nëse në rastin e Polonisë, njerëzit e saj të letrave, nuk do arrinin që të shpalosninshpesh dhe në një rrugë të veçantëshpirtin e saj të madh, përmes formave të ndryshme e shpesh tejet inovative të artit. Ku sërish duhet të kujtojmë, qoftë edhe pa përfshirëartet e tjera, se do të mjaftonin vetëm emrat e katër nobelistëve të saj në letërsi për të kuptuar peshën e madhe të letrave polake në historinë botërore të letërsisë.Fillimisht në këtë pyllnajë të artit ata e gjetën veten më përfaqësues të dramës dhe sidomos poezisë, përfaqësues të së cilës i janë ngjitur disa herë me sukses Nobelit në shekullin e shkuar.
“Për shekuj, shkroi Çesllav Millosh, letërsia polake u fokusua më shumë në dramaturgjinë dhe në vetëshprehjen poetike sesa në fikshën që dominonte aq shumëatëkohënë letërsinë anglishtfolëse. Arsyet mund të ishin të shumëfishta, por më së shumti do qëndronin në rrethanat historike të kombit tonë. Shkrimtarët polakë në mënyrëtejet specifike kanë pasur shumëmë tepër një zonë të thellë të arsyeve për t’i motivuar, kur atyreiu desh të shkruanin për kataklizmat historike të dhunës së jashtëzakonshme që e përfshiu Poloninë si kryqëzim i Evropës, por gjithashtu edhe njësi mospajtim kolektiv tonin, polak, i cili kërkonte një reagim adekuat nga komunitetet e shkrimit të kujtdo periudhe”.
Ky nivel i lartë, që shpërfaq në thënien e tij autori më i njohur i dekadave të fundit, kërkonte edhe një shoqëri të emancipuar që dha dhe mori njëkohësisht me kulturën ndërkombëtare. U mbrujt prej kësajtë fundit dhe arritjeve më të mëdha të shoqërisë polake, por nga ana tjetër i dha edhe shumëpatos asaj, mu nga ajo që prodhuan letrarët e saj.
Në shqip, ajo nuk mund “t’i shpëtonte” grishjes së madhe që kishin shumë nga përfaqësuesit e saj të rritur jashtë vendit, por edhe emrit të madh, që përfaqësonte kjo letërsi. Mes tyre, njëri që do të dallohej dhe që do konsiderohej si përfaqësuesi më i denjë i lirikës shqiptare Ndre Mjeda, duhet të ketë pasur nga ndikimet më të mëdha sa i përket letërsisë. E megjithatë, besohet se letërsia polake është shfaqur edhe mëherët në shtypin shqiptar.Anipse, një studim i tillë i plotë mungon ende nëletrat shqipe. Autorët polakë mund tëkujtohen se kanë qenë prezentë që në revistën radiofonike që botohej në vitet ’40. Ndërsa ”Quo Vadis” i Shienkieviçitmendohet se ka qenë ardhur edhe pak më herët…
Për disa kohë, kjo marrëdhënie do të humbte disi, kurse në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, pati disa botime syresh, ndërsa duhet të themi se pas viteve ’90, gardhi është hapur tejet shumë për të. Disa nga përfaqësuesit e saj i kemi sot të botuar në masë të gjerë. Nga më i hershmi Shienkieviç dhe pastaj Reymont e duke vazhduar me Millosh e Shimborska, ku shqiptarët kanë provuar në gjuhën e tyre rrymat poetike të lëvruara, sidomos prej këtyre dy mjeshtrave të letrave. Në shqip, prej pak kohëshështështuar edhe Zagajevski e Herbert, por një sërë përkthyesish të talentuar janë munduar të sjellin autorë vazhdimisht, qoftë edhe në gjinitë e tjera. Së fundmi, Bruno Shulz dhe Gombroviç janë njohur nga auditori shqiptar për atë peshë si mendimtarë, faktpër të cilën janë vlerësuar, kurse Mihnjik qëështëedhe më afër kohëve tona, ka përcjellë veç emocionit edhe teknikë tërafinuar në publicistikë. Ndoshta me kohë do të vinë më shumë dhe më cilësisht, autorë të tjerë, sipas një trendi që duket se i shkon vërtetë shqiptarëve.
Që në mesin e shekullit të shkuar erdhi Mickieviçi prej përkthimit të Lasgush Poradecit dhe Ismail Kadares, bashkë me poemën e njohur patetike të Mickieviçit “Pan Tadeusz”.Letërsia polake duket se ka shërbyer edhe si një medium të themi për njohësit e letërsisë në Shqipëri, që duke shfrytëzuar këtë gjuhë njohën disa nga autorët më të mëdhenj të kohës.
Vitet do të përcillnin emocione të tjera, kur u liruan kufijtë. Publicisti dhe krijuesi i njohur Stashuk do të sillte disa nga rrëfimet më të mrekullueshme të rravgimeve të tij në Shqipëri me “Rrugës për në Babadag”, ndërsa për fat të keq në momentet e fundit nuk mundi të vinte fizikisht Kapushçinjski. Gjithsesi, pak vite më vonë, A. Beqirajna përcolli në shqip, falë një përkthimi mjeshtëror,korpusin e mjeshtrit të reportazhit duke filluar me “Perandorin”, “Imperium-in” dhe së fundi me “Udhëtimete Herodotit”. Një tërësi të interesuarish kanë shkuar drejt autorëve polakë falë gjuhëve të treta. Kurse të ashtuquajturit njohës të mirë të letërsisë e kanë tejkaluar atë pengesë, të themi të gjuhës dhe filtrit që kanë ardhur nga përkthyesit, sepse jo paki kanë lexuar në gjuhë të tretë, ashtu siç flitet që janë njohur tek shqiptarët Zagajevski, Prus, Tuvim, Krashnjiski.Institucione të tëra vazhdimisht e kërkojnë dhe e vlerësojnë këtë letërsi. Le të kujtojmë bashkëpunimin e gjerëqëerdhi për një nga kryeveprat, veprën e Mihnjik “Në kërkim të sensit të humbur”; apo Çesllav Milloshin me “Mbi udhëtimet në kohë”, apo “Në bregun tjetër të lumit”, që kanë qenë veç origjinalit dhe në gjuhë të dyta.
Si për ironi, ky ishte edhe fati i keq, por njëkohësisht edhe i mirë i disa prej autorëve polakë, që jeta dhe rrethanat e kohës i bënë të punojnë jashtë vendit. Ata u njohën në vende të huaja dhe nga gjuhë të tjera. Njësoj, si ndodhi edhe me punët e artistëve të mëdhenj të njohur të tillë si Xhorxh Oruell, ashtu erdhi që të njihen autorët emigrantë, të tillësi Milloshdhe Gombroviç. Ata u bënë të njohur jo vetëm si krijues por edhe si veprimtarë me shkrime dhe librat që analizonin situatën politike dhe rrëmonin në zgafellat të jetës dhe historisë polake. Leopold Tyrmand, një romancier i suksesshëm që emigroi po ashtu në SHBA do i shtojë këtij korpusi veprën e vet, kur ai arriti e botoi me sukses një seri të tërë esesh me kritika për komunizmin në kohën e Luftës së Ftohtë.
Një traditë që kohë më parë e kishin ngritur gati në perfeksion kritikët dhe eseistët si Artur Sandauer, Kazimierz Wyka, Jan Błoński, Andrzej Kijovski, që janë përkthyer dhe kanë qenëshumë të diskutuar në rrethe shoqërore intelektuale.
Kuptohet se masa e autorëve polakëtë ardhur nuk i përgjigjet asaj tëshqiptarëve, por që gjithsesi në Poloni është mëe madhe masa e autorëve shqiptarëse në shumë vende të tjera. Pa asnjë dyshim, falë Dorota Horodyskës, në vitet e fundit Kadarejaka shkuar me përkthime tëdrejtpërdrejta nga polonishtja dheprej tij kemi përmbledhjetqë fillojnë me “Nëpunësine pallatit të ëndrrave” , “Qorrfermanin”, “Komisionine festës”, “Vajzën e Agamemnonit”, “Pasardhësin”, “Aksidentin”. Ndërsa “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli thyer”, “Dosja H”, “Përbindshi”, “Piramida”- ishintë përkthyera që kohë më parë nga frëngjishtja. Në fakt, kontribut të dyanshëm ka realizuar poeti Mazllum Saneja që madje edhe kapërgatitur dhe botuar cilësisht “Antologjinë e poezisë shqiptare”, ku mes të tjerësh janë përfshirë përkthimet edhetëdisa vëllimevetë autorëve kosovarësi Ali Podrimja, Agim Gjakova dhe madje edhe poezinë e Fatos Arapit. Pa harruar që edhe Horodyska ka përkthyer së fundmi Arjan Lekën dhe poezitëe L. Lleshanakut, si edhe vëllimin me tregime të Ylljet Aliçkës me titull “Kompromisi”. Në traditën e shijes për publicistikëne mirë në Poloni është përkthyer publicistika e Fatos Lubonjës “Liri e kërcënuar” dhe proza Fatos Kongolit, ndërs G. Kapllani dhe L. Vorpsi thuhet se nuk janë direkt nga shqipja. Mbase përfshirja e emrave të tjerë të të rinjve në fushën e përkthimit mund t’i zbusë barrierat edhe më tej. Por, kjo ka akoma udhë, një trase që sot quhet e shtruar mes dy vendeve.
* * *
Mbase e gjitha duket pak, por gjithsesi të dy vendet dinë shumë më tepër tashmë nga letrat e njëri-tjetrit, dhe se shikojnë njëra-tjetrën jo më aq larg, por afër, ose krejt fare afër.