Demokracia pas zgjedhjeve Evropiane

Pavarësisht përhapjes dramatike të procedurave demokratike në dekadat e fundit, ekziston një defiçit i thellë dhe në rritje i demokracisë substanciale kudo. ‘Ata e quajnë demokraci por nuk është e tillë’ ishte një prej sloganeve të të indinjuarve (indignados) spanjollë.

0

MARY KALDOR

Nacionalizmi është një mënyrë për të zhvendosur pakënaqësinë kundrejt një koke turku, ‘’tjetri’’ – një emigrant apo Evropa. Është një mënyrë për të mobilizuar mbështetje politike duke shmangur ndërkohë çdo angazhim për të adresuar shkaqet themelore të pakënaqësisë, prandaj shpesh përshkruhet si populizëm. Ksenofobia dhe euroskepticizmi nuk mund të ofrojnë asnjëherë zgjidhje konstruktive.
Përkundrazi, sa më tepër sukses ka retorika nacionaliste aq më tepër shumëfishohen problemet tona dhe aq më tepër në fajësojmë ‘’tjetrin’’. Ekziston një histori e gjatë dhe alarmuese e shmangies së kërkesave demokratike nga tërheqja e nacionalizmit, për të cilën lufta e parë botërore është ndoshta kujtesa më prekëse. Kohët e fundit vlen të vihet në dukje se konfliktet sektare si në Bosnje ashtu edhe në Siri ishin dhe janë mënyra për t’ju përgjigjur lëvizjeve shtypëse. Në Ukrainë ajo që nisi si një protestë mbarë kombëtare kundër korrupsionit dhe për të drejtat e njeriut shumë shpejt po ri-formësohet si një konflikt ndërmjet rusëve ‘’lindor’’ dhe ukrainasve ‘’evropian’.
Pra cila është natyra e pakënaqësisë në themel? Është frustrimi i madh dhe mungesa e besimit në klasën politike. Pavarësisht të drejtës tonë për të votuar dhe për të protestuar publikisht, ka një sens të gjerë pafuqie, një ndjesi se çdo gjë që themi ose bëjmë nuk sjell asnjë ndryshim, se partitë e themeluara janë të gjitha njësoj dhe votimi është gjerësisht i parëndësishëm.
Në teorinë demokratike, bëhet shpesh dallimi ndërmjet demokracisë formale ose procedurale dhe asaj substanciale. Demokracia formale ka të bëjë me rregullat dhe procedurat e demokracisë, ato përfshijnë zgjedhje të rregullta, të drejtën e organizimit e kështu me rradhë. Demokracia substanciale ka të bëjë me barazinë politike. Ka të bëjë me të qenit i aftë për të influencuar vendimet që ndikojnë jetën tënde. Ka të bëjë gjithashtu me kulturën demokratike – ‘’zakonet e zemrës’’ sikurse e quan De Tocqueville. Pavarësisht përhapjes dramatike të procedurave demokratike në dekadat e fundit, ka një defiçit të thellë dhe në rritje të demokracisë substanciale kudo. ‘Ata e quajnë demokraci por nuk është e tillë’ ishte një prej sloganëve të të indinjuarve spanjollë.
Ka shumë arsye për dobësinë e demokracisë substanciale. Arsyeja më e dukshme është globalizimi. Demokracia procedurale organizohet në baza kombëtare. Megjithatë vendimet që prekin jetën tone merren në Bruksel, Uashington, në qendrat e korporatave shumëkombëshe ose nga gjenitë në Londër, Hong Kong ose Nju jork, që luajnë me tregun në ekranet e kompiuterëve të tyre.
Sado perfekte të jenë procedurat demokratike në nivele kombëtare, nëse vendimet që prekin jetën tone nuk merren në nivel kombëtar, atëherë votimi nuk mund t’i influencojë ato vendime. Megjithatë, kjo nuk është arsyeja e vetme. Globalizimi ka qenë një mënyrë për t’ju larguar asaj që mund të përshkruhet si sklerozë e shtet-kombit.
Institucionet e shtetit të thellë u rritën pas luftës së dytë botërore dhe janë futur thellë në rutinat dhe praktikat, duke përfshirë prirjet për kontroll dhe mbikqyrje që janë të vështira për t’u zhvendosur. Partitë politike kaluan nga të qenit pro debatit rreth interesit publik, në makina elektorale që përmes një sërë teknikash ishin të afta vetëm të përsërisnin dhe përforconin paragjykime ekzistuese të marra nga fokus grupet, që përfaqësojnë të ashtuquajturën shtresë e mesme.
Burokracitë që zhvilluan logjikën e tyre vetë-prodhuese përfshinë shërbimin civil, ushtrinë dhe agjencitë e inteligjencës. Aty ku ka iniciativa politike të hartuara për të sjellë ndryshim, ato shpesh ngecin në pengesa të tilla institucionale.
Paradoksalisht, kjo inerci statike është kombinuar me njëzet vite neoliberalizmi që supozohet se ka për qëllim të minojë shtetin. Gjithsesi, ndërkohë që neoliberalizmi ka rritur tej mase pabarazinë dhe ka gërryer shtetin e mirëqenies, ka lënë gjithashtu një shtet të thellë ose të paprekur ose të përzier me kapitalin përmes premtimeve për diktatura të ardhshme dhe konsultime pas veçimit.
Ka çuar në një kulturë individualizmi egoist dhe ka forcuar së tepërmi fuqinë e parasë dhe pushtetin e saj mbi klasën politike. Është mbizotërimi i financës kundrejt financimit të partive dhe medias që shpjegon gjerësisht vijimin e neoliberalizmit në botën post-përplasjes, sikurse shpjegon Colin Crouch.

Kur kombësia është frikë – cila është alternativa?

Pra, si mund të rekuperohet demokracia substanciale apo si mund të krijohet ajo? Përgjigja nuk është kthimi tek vendimet e shtet-kombit sepse edhe nëse kjo do të ishte e mundur në këtë kontekst të ndërlidhur neoliberal, një kthim tek shtet-kombi është në fakt një kthim tek inercia, paternalizmi, mbikqyrja dhe frika nga ‘’tjetri’’.
Përgjigja nuk është as përmirësimi i procedurave të demokracisë në Bashkimin Evropian, edhe pse kjo mund të jetë e dëshirueshme, meqë procedurat pa substancë do na lënë atje ku jemi sot.
Me demokraci substanciale dua të them si mund të influencojnë njerëzit e zakonshëm, vendimet që ndikojnë jetët e tyre në Evropë si një e tërë. Dua të them demokraci post-kombëtare në Evropë, në vend të risjelljes së demokracisë kombëtare apo demokratizimit të Bashkimit Evropian, megithëse të dyja mund të jenë pjesë e përgjigjes. Ta bësh këtë të mundur, do të argumentoja, kërkon si transformime nga poshtë-lart ashtu edhe transformime nga lart- poshtë.
Përgjigja nga poshtë-lart ka të bëjë me hapjen e sferës publike në të gjitha nivelet, zhvillimin e formave të reja dialoguese dhe të lira të politikës, veçanërisht në nivel lokal dhe ndërkombëtar, që ndërtohen mbi bazën e kulturës së shkrimit dhe redaktimit dhe jo vetëm të leximit. (Shihni Selchow dhe Moore). Ka të bëjë me delegimin e vendimeve që ndikojnë tek jeta jonë tek komunitetet e menaxhueshme të interesit si lokal ashtu edhe ndërkombëtar. Ka të bëjë me ndërtimin e një infrastrukture diverse dhe heterogjene të një angazhimi intensiv publik.
Megjithatë, kjo nuk është e mundur pa masat lart-poshtë që i hapin rrugën mundësive të tilla. Na duhet një formë qeverisjeje globale që mund të mbrojë këto hapje nga stuhitë e globalizimit – pengesat mbi spekulimet financiare ndoshta përmes një takse Tobin, rregulloreve të kompanive shumëkombëshe duke përfshirë heqjen e parajsave të taksimit, ose politikat për të ngadalësuar ndryshimet klimatike duke përfshirë një taksë për karbonin.
Qëllimi duhet të jetë rregullimi, pengesa dhe taksimi i të këqijave globale duke gjeneruar ndërkohë të ardhura në nivel global për të promovuar të mira të tilla si stabilizimi i euros, promovim i punësimit, mbështetja e reformave mbi transparencën dhe llogaridhënien, investimin tek burimet e kursimit dhe energjia e rinovueshme, ose ndërhyrjet e paqes. Me fjalë të tjera, qëllimi i qeverisjes globale është krijimi i një kornize për civilizimin e globalizimit në mëynrë të tillë për të bërë të mundshme që vendimarrja të shpërbëhet në nivelet më të ulëta dhe t’i kthehet qytetarëve.
Image Source: Nathalie Paco
Bashkimi Evropian duhet të jetë një model i tillë i qeverisjes globale, por i duhet dukshmëri dhe llogaridhënie më e madhe. Anti-europianizmi nuk është e vetmja arsye që shpjegon përse partitë populiste kanë dale kaq mirë në zgjedhjet evropiane. Është gjithashtu supozimi se zgjedhjet evropiane nuk kanë rëndësi. Bashkimi Evropian është abstrakt dhe burokratik; mendohet se Parlamenti Evropian ka pak pushtet. Ajo që është më e rëndësishme, votimi për Parlamentin Evropian ndërmerret në fakt në nivel kombëtar. Sikurse vë në dukje Ana Topalski, nuk mund të votosh për një parti evropiane në zgjedhjet evropiane, duhet të votosh për parti kombëtare.
Përveç Gjermanisë, ku kishte pamje të Martin Schultz, kandidati socialist për President të Komisionit gjatë zgjedhjeve, pothuajse mungonte diskutimi rreth zyrtarëve të ardhshëm evropian apo politikave të ardhshme evropiane. Të votosh në zgjedhjet evropiane nuk do të thotë të zgjedhësh një Parlament Evropian, ka të bëjë me protestë ndaj politikave kombëtare. Është në rregull të jesh i papërgjegjshëm në zgjedhjet evropiane sepse asnjë nuk e ka idenë për çfarë po voton. Por në fakt nuk është në rregull. Ajo vë në lëvizje një retorikë antievropiane që mund të paralajmërojë vdekjen e Evropës me pasoja të pallogaritshme.
Transformimi i Bashkimit Evropian ka nevojë për një ndryshim bazik procedurash. Qytetaria mund të bazohet tek vendbanimi në vend të kombësisë, duke fuqizuar kështu emigrantët në Evropë. Votimi duhet të jetë transkombëtar dhe të bazohet tek parti ndër-evropiane në vend që të jenë kombëtare dhe të bazuara tek partitë kombëtare. Zgjedhjet evropiane duhet të bëhen në momente të ndryshme nga ato lokale dhe kombëtare në mënyrë që të fokusohen tek çështjet evropiane. Ndoshta duhet të ketë votim për një parlament evropian, në mënyrë që Bashkimi të asociohet me një person dhe jo me një burokraci. Por këto procedura bëjnë sens vetëm nëse shoqërohen me një sërë politikash ndryshe që lejojnë demokratizimin në nivele të tjera.
Së fundi, një fjalë për vendim tim, Britaninë. Tahsmë komentuesit po i bëjnë thirrje udhëheqësve politikë që të marrin sfidën e UKIP, që arriti në krye të sondazhit. Ata po i karkojnë partive të jenë euroskeptike dhe të shqetësohen seriozisht për emigrimin. Kjo është pikërisht ajo që nuk duhet të ndodhë. Që t’i bësh të respektueshme këto çështje gjeneron një momentum kundrejt populizmit që na parandalon nga adresimi i problemeve të demokracisë.
Deri tani, udhëheqësi laburist, Ed Miliband, i ka rezistuar këtyre presioneve. Ai me të drejtë flet për problemet e banesave, çmimet e energjisë, Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë dhe kostot e jetesës. Rezistenca ndaj këtyre çështjeve është më tepër se një strategji zgjedhjesh. Kjo është një strategji për shmangien e rënies në një rreth të frikshëm nacionalist dhe shpërbërjeje.

SHPËRNDAJE