ADAM MICHNIK
(…) I sjell ndërmend këshillat e tim eti- hebreut dhe polakut, galicianit dhe komunistit- në kushtet e debatit të sotëm mbi trajtën e ardhshme të Bashkimit Europian.
Ideja e Bashkimit Europian lindi pas Luftës II Botërore si përgjigje ndaj disfatës së nazizmit dhe triumfit të komunizmit stalinist. Ishte një përgjigje praktike ndaj çmendurisë totalitare të shekullit XX si dhe ndaj nacionalizmit etnik, i cili kishte çuar në luftra dhe diktatura, ishte njëkohësisht edhe përgjigje përkundrejt praktikës totalitare të perandorisë sovjetike që konsistonte në retorikën e utopisë universaliste të shoqërisë pa klasa, drejtësisë shoqërore dhe ekonomisë së planifikuar.
Për ne, europianët e matanë perdes së hekurt, ideja e Bashkimit Europian ishte thjesht mohim i projektit komunist. Simbolizonte lirinë në vend të robërisë, kreativitetin në vend të bindshmërisë dhe frikës, larminë dhe pluralizmin në vend të grisë dhe uniformizmit, të drejtat e njeriut në vend të parimit se njeriu është pronë e shtetit, kufij të hapur dhe liri të shprehuri në vend të telit me gjemba, murit të Berlinit dhe censurës parandaluese.
Në këtë portretizim kishte me siguri edhe idealizim qoftë të praktikës së Bashkimit Sovjetik, qoftë edhe bazave të tij teorike. Për këtë arsye ende sot, gjatë negociatave të vështira dhe gjithmonë të kuptueshme lidhur me zgjerimin e Bashkimit Europian, shumë nga ne bëjmë të shqetësuar pyetje të reja. Krijimi i Europës së re të Bashkuar është pjellë e shpirtit filozofik apo e shpirtit të saj ekonomik? Krijuesit e saj do të jenë Aristoteli dhe Platoni, apo Shrëderi (më mirë me thënë Kohli) dhe van de Broek-u? Nëse Europa e re do të jetë produkt ekskluziv i ekonomisë dhe burokracisë së Brukselit, labirintet e saj në fillim të shekullit tonë mos do të jenë vallë realizim i labirinteve kafkiane nga fillimi i shekullit të shkuar?
Në qoftë se Europa e re do të jetë përgjigje ndaj Amerikës mos do të thotë se lënda thithëse e saj, përveç ekonomisë, përveç hapësirës së përbashkët të tregut të lirë, do të jetë vallë kultura popullore me emërues të përbashkët nga më të ultit e mundshëmn? Populizmi i politikanëve pragmatistë europianë a është vallë i gatshëm të bëjë lëshime para zërit të elitave intelektuale krijuese?
Mos vallë fundi i shekullit në Europë do të thotë fund i ideologjisë, fund i planeve eskatologjike, sociale dhe morale të ekzistencës sonë tokësore, mos do të thotë vallë fund i utopisë? Cila është fatura e shekullit të shpresave që përfunduan me gulagë dhe kampe përqendrimi? A mjafton, nëse e dimë, që nuk na lejohet që kjo histori të përsëritet? A jemi vallë, bash për këtë arsye, të gatshëm të heqim dorë nga çdo utopi?
Ç’do të bëhet me Europën periferike, me Europën e “popujve të vegjël” dhe kulturave që zhvillohen specifikisht mbi bazën e rrënjëve të përbashkëta? Ta integrojmë, të lejojmë që ta gllabërojnë rrymat që tentojnë qendrën, apo si? Diskutimi mbi identitetet e “popujve të vegjël”, mbi gjuhët dhe kulturat e tyre, mos është thjesht çështje “ekologjie”, e cila herët apo vonë do të humbasë sensin e vet?
Shkrimtari dhe intelektuali slloven Drago Jançar shtron një pyetje të rëndësishme, në thelb jo të re, kështu që edhe përgjigja nuk pritet të jetë dhe aq relevante. Askush nga ne nuk e di si do të jetë Europa e re. Në masë të madhe ajo varet nga vetë ne, qytetarët e vendeve anëtare si dhe nga qytetarët e vendeve që po trokasin në dyert e Bashkimit Europian- nga polakët dhe hungarezët, çekët dhe sllovakët, sllovenët dhe estonezët.
Gjithsesi mund të themi ndoshta diçka mbi dëshirat tona. Ne duam që Europa e ardhme të jetë një krijesë e organizuar sipas modelit të shteteve me pushtet të përqendruar absolutist, o në stilin jakobino-napoleonian, o në llojin gjerman Mitteleuropa.
Europa- do të përsëris këtu europianin e madh Denis de Rougement- është diçka që duhet ngjizur në një bashkësi qytetare. “Një bashkësi të tillë qytetare, përkundër kushteve, në të cilat në rrafshin logjik- me gjasë- nukka zgjidhgje- e ndërton dëshira. Dëshira që të mund të jetosh, fjala vjen, në një qytet çfarëdo, të mund të sillesh qetë dhe lirshëm, të shkëmbesh mendime dhe mallra, të marrësh pjesë në menaxhimin e tij; dëshira e të qenit qytetar të bën të ndërtosh një qytet të tillë, i cili do të krijojë traditat qytetare si dhe nevojën për t’i shkëmbyer ato. Pikërisht një bashkësi qytetare të tillë do të ndërtojnë europianët nëse do të donin ta kishin. Sepse krijimi i Bashkimit Europian nuk është se ka qenë dhe mbetet diçka e pashmangshme, nuk do të ndodhë spontanisht as edhe me diktatin e fuqive europiane. Bashkimi i zgjeruar Europian mund të jetë vetëm rezultat i zgjedhjes dhe vullnetit- njëlloj si në rastin e demokracisë, ku një shumicë e cilësuar banorësh frymëzon dhe tërheq pas vetes pakicën, por jo me dhunë, por veç me forcën e bindjes”.
E veçanta e Europës është kjo që si “gadishull i vogël i kontinentitaziatik” është zbuluesi i gjithë botës që askush tjetër nuk e kishte bërë. Për ç’tipare specifike e duam Europën? Kultura europiane, megjithë mëkatet e shumta që i rëndojnë në ndërgjegje, është kulturë e pluralizimit, kompromisit, dialogut dhe kundërshtimit, ironisë dhe humorit, kulturë e bazamentit kristian, të cilën e krijojnë njerëz të barabartë mes veti. Më shkoqur akoma- kultura europiane është kulturë e lirisë-“e vetmja liri e qenësishme për mua- do të thotë çdo europian i vërtetë- është liria e vetërealizimit, liria e kërkimit, gjetjes dhe përjetimit të së vërtetës sime, jo të vërtetës së të tjerëve, as edhe asaj të përcaktuar dhe servirur nga shtetet ose partitë. Në qoftë se do të humbisja këtë liri themelore, jeta ime do të kishte humbur kuptimin”- shkruante Denis de Rougement.
Të konceptuar kështu kulturën europiane nuk e kërcënon sot as nazizmi, as komunizmi totalitar, të cilët, fatmirësisht për ne, përfunduan në koshin e historisë. Europën sot e kërcënon, nga njëra anë, vala e re e shovinizmave fanatikë etnikë, kurse nga ana tjetër fenomeni që Denis de Rougement e quan “materializmi primitiv”. “Me nacionalizmin- shkruan- është pak si me rrufën, e cila për banorët e paimunizuar të Papuasë bëhet sëmundje vdekjeprurëse. Është një pasion që prej një shekulli e gjysmë po i shkakton ethe Europës dhe po kërcënon me katastrofë; ne nuk duam kurrsesi të shohim përmasën tragjike të ndonjë katastrofe të tillë kur ajo përfshin Azinë, botën arabe dhe Afrikën dhe nxjerrë pretendime plot urrejtje ndaj nesh për shkakun e vetëm se kemi parimet tona.
Nacionalizmi, kjo formë kolektive e fodullëkut, që nga natyra e vet është antikristiane, u dënua pa ekuivoke nga Papa dhe kokat e të gjitha besimeve të tjera; sido që të jetë vetë kushtet e sotme ekonomike, kultura, teknika e shekullit XX e japin vetvetiu ndëshkimin e nacionalizmit. Ai arrin, megjithatë, t’ua prishë ndonjëherë mendjen edhe europianëve, edhe popujve të lindur rishtaz. Nacionalizmi, nga brenda, kërcënon bashkësinë e shteteve tona të tipit federalist, çka mund të kthehet në armën tonë paqësore, kurse nga jashtë- shumëfishon forcat agresive të atyre që i shndërron në armiqtë tanë”.
Nga ana e vet “materializmi primitiv” mund të jetë kulti i komfortit ose kulti i fitimit, por që në llogari të fundit transformohet në “indiferencë shtazarake ndaj realitetit shpirtëror”, gjë që bllokon kreativitetin, sepse për kreativitetin vendos shqetësimi filozofik, sfida pasionante që i bëhet fatit dhe refuzimi i të ashtuquajturës “rrjedhë normale e gjërave”. Kështu i ka parë dhe përkufizuar problemet e Europës Denis de Rougement 30 vjet më parë. Claudio Magris, kolegu im i mrekullueshëm, 15 vjet më pas, në librin e tij të famshëm Danubi, merrej me të ashtuquajturën Europë tjetër, atë të përtej perdes së hekurt. Shkruante:“Europa nuk është vetëm Europa Perëndimore- jo vetëm Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia etj, por edhe e ashtuquajtura Europa tjetër, Europa Qendrore dhe Lindore që dikur ka qenë e harruar dhe e shtypur, e cila shkaktonte frikë dhe mosdëshirë. Natyrisht që dominimi sovjetik ishte shkaku i parë i kësaj ndarjeje, kësaj mosdëshire, apo së paku ndjesie për ta shtyrë tutje Europën Qendrore dhe Lindore, por sidoqoftë një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi paragjykimet e Perëndimit, paragjykime që mohojnë ose injorojnë këtë element fundamental të civilizimit tonë europian”.
Në librin e Claudio Magris gjej plotësimin e vizionit të Denis de Rougement dhe përgjigjen praktike për pyetjet e Drago Jançarit mbi fatin e kulturave të “popujve të vegjël” në Bashkimin Europian. Në të njëjtën kohë Magris analizon imtësisht anën tjetër të fenomenit të “materializmit primitiv”- nihilizmin. “Nihilisti ka iluzionin se, në skenën e historisë së përgjithshme që i vjen fundi, sheh para vetes një pazar të besimeve të zhvlerësuara dhe nuk vë re, i ngrati, se edhe ai vetë merr pjesë në këtë paradë të përgjithshme. Paraziti i parealizuar mbrohet nën guackën e mohimit absolut, duke u vërtitur, sipas tij, rehatshëm midis kundërshtive të ekzistencës dhe kulturës dhe theksuar sheshazi absurditetin e tyre në vend që të provojë të kuptojë qoftë edhe dyluftimin absurd të së mirës me të keqen, të vërtetës me gënjeshtrën, që e bart në vetvete çdo ditë që kalon”.
“Mohimi absolut, shënon Magris, është një dredhi e rehatshme për të zgjidhur definitivisht çdo problem dhe për t’u mbuluar para çdo lloj dyshimi; mungesa e vlerave sjell sfilitjen e kotësisë dhe vdekjes”.
Do të doja të qëndroja edhe më me librin e Magris-it për shkak të vlerës së tij të jashtëzakonshme, qoftë edhe për të ndihmuar reflektimet e mija vetjake. Frymëzim për librin mbi civilizimin e Mbidanubit- këtij tigani kombësish, kulturash, gjuhësh dhe fesh- ishte vendlindja e tij Trieste, për të cilën shkruante:“ishte tigan, por njëherësh edhe arqipelag, vendtakim i kulturave dhe kapitujve të tyre, dhe, siç ndodh rëndom në kufij, ishte urë- edhe digë njëherësh”. Danubi ishte bërënjë metaforë e madhe e Triestes dhe gjithë Europës Qendrore. Mos është vallë edhe metaforë e gjithë kontinentit europian? Magris-i shkruante për “popujt e vegjël” se “kultura e tyre është fortesë mbrojtëse e sigurtë kur ndjehemi të kërcënuar nga bota, kur sulmohemi nga jeta dhe frigohemi se mos humbasim busullën në një realitet armik. Mbyllemi atëherë në shtëpinë tonë, fshihemi në letrat e zyrave dhe proces-verbalet, fshihemi nëpër biblioteka. Vetëm në Europën Qendrore jetojnë kësisoj “popujt e vegjël”? Po flamandët në Belgjikë, irlandezët në Ulster, po baskët, korsikanët? Kompleksi i” popullit të vogël” konsiston në ndjesinë që vazhdimisht i duhet ta përgënjeshtrojë ose ta fshijë këtë shprehje, apo në të kundërt të vetëmbushet me të si shenjë dalluese”.
Ky përjetim, kjo përvojë, kurorëzohet me veprime fondamentaliste për kulturën europiane. Magris përmend Franz Kafkën dhe Elias Canett-in, Eugen Ionesco-n dhe Emil Cioran-in, Issac Singer-in dhe Manes Sperber-in. Por sa e sa emra të tjerë të tillë ka- duke nisur nga i madhi Çesllav Millosh. Po Uliksi i Joyce-t a nuk ka lindur nga historia dramatike e “popullit të vogël”, fati i të cilit u shndërrua në metaforë të fatit njerëzor?
Në librin e Claudio Magris-it ka edhe një linjë jashtëzakonisht të rëndësishme- linja e së majtës dhe komunizmit si dhe ajo e fajit të së majtës me komunizmin. Tek shihte kompleksin shulamaq të shtëpive punëtore në Vjenë, Magris sillte ndërmend se ai u krijua me dëshirën për reformim, me besimin në përparim, me idenë e ndërtimit të një shoqërie të hapur për klasa të reja, të cilat do të bëheshin forcë udhëheqëse. Sot vetëm mund të qeshet me grinë monotone prej kazermash të këtij kompleksi. Oborret dhe lulishtet nuk e kanë humbur ende një farë melankolie ngazëllimi, ato tregojnë për argëtimet e vocërrakëve, të cilët, para ngritjes së këtyre shtëpive, strehoheshin nëpër skuta dhe baraka, tregojnë gjithashtu për krenarinë e familjeve që për herë të parë mund të jetonin këtu me dinjitet si qenie të vërteta njerëzore.
Ky monument i Modernizimit simbolizon shumë iluzione përparimtare të periudhës së midisluftrave që nuk u realizuan dot, por që gjithsesi mbetën dëshmi e një përparimi vërtet të madh, të cilin vetëm një injorancë përçmuese mund të mos e vlerësojë.
Në vitin 1934 këto shtëpi u bënë qendër e shpërthimit të madh punëtor që u shtyp me gjak nga kancelari austrofashit Dolfus. E djathta është patriote, vetëm se më shpesh dhe më me dëshirë shtie mbi bashkëkombësit e vet sesa mbi invadorët e huaj.
Kjo vërejtje sarkastike dhe e hidhur na fut në qendër të debatit bashkëkohor europian mbi fashizmin dhe komunizmin. Çfarë ndodhi në kohën e hitlerizmit dhe stalinizmit?- shtron pyetjen Magris. Atëherë u thye besimi tek komunizmi. Këtu Magris thërret Sperber-in:“Ai që del nga partia ndihet jetim, i braktisur nga ideja globale; kur një veprimtar komunist në ilegalitet që i ka kushtuar tërë jetën e vet revolucionit dhe i bie të jetojë nën një diktaturë fashiste, zbulon tradhtinë bolshevike të revolucionit dhe e kupton se ndodhet në tokën e askujt, i huaj për çdo shoqëri dhe i nxjerrë madje jashtë jetës së vet”.
Magris këtu shton edhe diçka nga vetja: “Këtyre devijatorëve të komunizmit stalinist u jemi mirënjohës për këtë mësim të rëndësishëm, sepse nga marksizmi ata ruanin fytyrën monolite klasike të njeriut, besimin tek universaliteti i konceptit të njerëzimit që shprehej ndonjëherë naivisht në stil démodé. Humanizmi i tyre, i cili nga disfatat e përkohëshme të ëndrrave të tyre nuk nxirrte justifikime për lojrat e papërgjegjshme intelektuale, është tërësisht i ndryshëm nga koketeria e jetimëve të marksizmit, të cilët zhgënjimin që nuk rezultoi një formulë historike e tipit “Sezam hapu!” tani ia dorëzojnë talljeve të zhurrmshme me atë që deri dje u ishte dukur e shenjtë dhe e pagabueshme.”
Kjo vetëpërmbajtje plot dhimbje e të braktisurve të djeshëm mund të na ndihë në përballimin e situatës së sotme. Të mbetesh jetim nga ideologjia është njëlloj e natyrshme si të mbetesh jetim nga prindërit, është moment i dhimbshëm, megjithatë nuk lidhet domosdoshmërisht me derdhjen në bronz të prindit të vdekur, sepse vdekja e tij nuk do të thotë shkëputje edhe nga mësimet e tij. Veprimtaria politike nuk është një Kishë mitike ku gjithçka është shumë e lidhur, por është një punë e përditshme pa qenë blerje përfundimtare e botës, ndaj edhe është e ekspozuar ndaj gabimeve që duhen ndrequr. Po kështu edhe për marksizmin ka ardhur momenti i një laiciteti liberal të tillë që përjashton admirimin dhe nostalgjinë për Vietnamin dhe që krijon personalitete të pjekura, të afta t’u bëjnë ballë zhgënjimeve të vazhdueshme.”
Do të doja të falënderoja sot Claudio Magris-in për këto fjalë. Duhej zgjuarsi jo e vogël t’i thoshe këto gjëra 15 vjet më parë dhe të parandjeje se po vinte brezi i “pjellave pa mëkatin fillestar”, brezi që do të gëzonte lirinë e vet, vetëm se ajo mungesë e memorjes dhe vetëdijes për konfliktin moral do ta bëjë këtë brez të ngjashëm me “një grumbull të vendosur jashtë të mirës dhe të keqes, një grumbull pa trajtë dhe pa ngjyrë, pa mëkat dhe lumturi, të pafajshëm dhe bosh.”
Këtë dije, dijen e njerëzve që kanë gabuar dhe që janë infektuar me mëkatin fillestar, po ia sjellim tash Europës.
Përktheu: Astrit Beqiraj