TEODOR LACO
Kur u botua rreth katër dekada më parë, ky libër u shfaq në panoramën letrare si krejt i veçantë. Të jesh i veçantë në një realitet ku njëtrajtshmëria jo vetëm predikohet, por edhe imponohet, do të thotë të thyesh disa rregulla. Dhe të thyhesh rregullat, kur sundon censura, do të thotë te jesh guximtar. Jo se ishte ky autor i pari. Të tjerë para e pas tij, kishin thyer kokën pas murit që “bëzante”. Por sepse ai guxonte ta pasqyronte luftën ashtu siç kishte qenë, siç e kishte përjetuar vetë. Me heroizmin dhe me deheroizmin, me moralin dhe amoralitetin, me romantikën dhe banalitetin, me propagandën e idealeve dhe me falsitetin e jetësimit të tyre. Kjo pamje e luftës që sillte S. Godo, thyente shumë klishe. Mjaft autorë, që ishin rrekur ta rroknin këtë temë para tij, kishin qenë të kujdesshëm ndaj udhëzimeve të realizmit socialist. Dhe ja, vinte ky rebel dhe na tregonte se, përveç të tjerave, në këtë luftë, nën petkun e saj heroik, ndodhte që zëvendëskomisari (sekretari i partisë) ia përlante vajzën e dashur partizanit të thjeshtë! Duke perifrazuar autorin, mund të themi se ky libër “hyri si një jetim i gëzuar që kërkon një buzëqeshje”.
Dhe buzëqeshjen e mori. Shumë shkrimtarë e pritën si një gjë të re, si në një rrugë, ku mund të ecej. Por… vetëm për pak javë, derisa aty lart ku mblidheshin rrufetë, u lexua me syze te zeza. Të vërtetat e Godos ishin lakuriq. Ku kishte humbur manteli, me të cilin i mbulonte e i zbukuronte partia? Zullumin më të madh e bënte tregimi i gjatë “Fushata”, që ishte edhe shtylla kurrizore e librit. Mund të mbyllej një sy ndoshta kur partizani Dilaver, në një fshat ku treqind çupa presin të gjejnë burra, flirton natën me një vajzë malazeze, por si mund të pranohej që pikërisht njeriu që përfaqësonte partinë, zëvendëskomisari, ta joshte dhe pastaj t’ia rrëmbente partizanit partizanen që dashuronte? Dhe ja si mëkatonte pena e autorit: “Ajo po ecte me zëvendëskomisarin e batalionit. Ai i fliste dhe e shikonte si një krijese të tijën, që s’duhej të merrte as frymë pa e pyetur atë, sekretarin e partisë. Ajo dëgjonte e lumtur, kokëvarur si një lule. Pastaj ai i kishte vënë dorën në sup, që ajo të ngrinte kokën dhe ai t’i shikonte sytë. Dilaveri kishte qëndruar në vend dhe po priste. Zëvendëskomisari, me lëkurën e bardhë dhe me fytyrë kali, pa Dilaverin, i kaloi një hije pakënaqësie mbi ballë e në buzë dhe pastaj qeshi si mësues. ‘E Dilaver, po nxjerr kuadro kompania”, – tha ai. Përsëri kjo fjala kuadro. Kuadrot, sindikatat punëtore dhe gjesti me dorë si një thikë që pret e ndan, fytyra e vrerosur si një homazh për proletariatin e shtypur. Të gjitha këto përbënin personalitetin e atij njeriu, që nuk lejonte të lëvizte ne batalion as miza. Le të bënte ndokush ndonjë shaka dhe menjëherë mbledhje: kuadrot, proletariati dhe ajo dora, që të binte në shesh të kokës”. Sikur mos mjaftonte kjo, ja edhe vetë komandanti i divizionit (!) del e flet para partizanëve…i dehur!” Divizioni ishte luftuar dy muaj në dëborë, pa fishekë dhe pa buke, i bindur se po kryente një heroizëm, ndërsa komandanti shtronte gosti, dehej dhe kërkonte të mbante fjalime.
Dilaveri ndjeu se brigada kishte ngrirë në vend”. Më tutje Godo thur rrjetën e ironisë e sarkazmës, një nga armët e forta të mjeshtërisë së tij si shkrimtar dhe jo vetëm si shkrimtar. I deleguari i seksionit politik të divizionit shpjegon një kapitull të materializmit dialektik. “Pastaj i deleguari u kërkoi ndjesë shoqeve komuniste, se do të fliste për një temë delikate. Duke zhvilluar më tej evolucionin fizik të njeriut, ai tha se gruaja është akoma në një gjendje primitive. Në të ardhmen, gruaja do të çlirohet nga disa ngarkesa trupore, si p.sh. gjoksi, i cili do të bëhet i padobishëm, flokët, që janë një stoli e kotë dhe fundi i kurrizit, i cili pengon lëvizjet e gruas”. Shto këtu edhe episode të vrasjeve pa gjyq, që i bën vetë komisari, madje edhe këshilli i fshatit (“Intendenti”), si edhe të vërteta të tjera të padëshirueshme dhe kupa mbushej e derdhej. E kishte radhën “dora që të binte në shesh të kokës”. Nga dyert e burgut e shpëtonte një gardian që quhej…Ali Pashë Tepelena! Romani biografik i Godos kishte bërë një bujë të madhe dhe ishte pëlqyer deri në kupolë. Por sakrilegji, gjithsesi, duhej ndëshkuar. E heqin nga profesioni i lirë, e dërgojnë në një punë të rëndomtë dhe ia heqin të drejtën e botimit për një kohë të pacaktuar. Sa për librin, edhe ai e kishte “strehën” e vet: në fondin e librave të ndaluar që ruheshin në Bibliotekën Kombëtare. Në vitin 1982, kur më rikthyen në LSHA, pas 7 vite qarkullimi në Fier, në Lidhje ishte edhe një listë me 250 tituj veprash të ndaluara! Kjo nuk është pa domethënie.
Tregimet e Godos, jashtë skemave tradicionale, dëshmojnë edhe për kërkime formale. I veçantë për këtë gjetje është tregimi “Bunkeri”, ku, duke mos qëndruar te zhbirimi psikologjik i personazheve, autori krijon me bunkerin në shkëmb një metaforë të papritur. Në një kuptim skematik mund të pritej që shkëmbi të ishte simbol i partizanëve. Përkundrazi, autori e përdor atë simbolikë për armikun, si për të pohuar më fort ashpërsinë dhe egërsinë e luftës.
“Zëra nga burime të nxehta”, pas ribotimit të tij, mbetet edhe sot një libër i veçantë. Ai vjen për të dëshmuar se përkundër etiketimeve, që buisën veçanërisht në vitet e para të tranzicionit, se ne nuk trashëgojmë asgjë në letërsi e arte nga vitet e diktaturës, (përveç Kadaresë që askush s’mund ta përjashtonte dot), ka ende autorë dhe vepra, që janë shkruar pa pasur në krahun e majtë “rregulloren” e realizmit socialist, me heroin pozitiv, partishmërinë, tendenciozitetin klasor e të tjera bilmemera. Dhe kjo sepse ka ekzistuar një letërsi e së vërtetë, thjesht realiste dhe pa bishtra të tjera, një letërsi e të vërtetave të historisë, të luftës e madje edhe të aktualitetit. Është në nderin e studiuesve dhe të botuesve që të shpluhurosin vlerat e fjetura, që ta kthejnë fytyrën edhe ndaj tyre. “Zërat…” e Godos e pohojnë këtë kërkesë më së miri.