GJERGJ SINANI
Në 28 Qershor 1992, presidenti francez François Mitterrand, bëri një viztë surprizë në Sarajevë, që atëherë ishte në qendër të një lufte ballkanike që i kushtoi më pas mijra jetë njerëzore rajonit ballkanik. Atëherë objektivi i kësaj vizite ishte që t’i kujtonte opinionit botëror gravitetin e krizës boshnjake. Atëherë prezenca e një burri plak shteti në goditjet e artilerisë u vlerësua dhe u admirua, por një detaj u la disi pas dore, data. Pse presidenti francez zgjodhi këtë ditë për të vizituar Srajevën? Sepse 28 Qershori ishte data e vrasjes së arqidukës Franc Ferdinant dhe pas disa javësh shpërtheu Lufta I Botërore. Por pak njerëz e kuptuan aluzionin e kësaj date. Kujtesa historike nuk ishte aq e gjallë. Prandaj, në këtë përvjetor duhet t’i bëjmë thirrje kujtesës për të kuptuar të tashmen, sepse, siç thoshte Niçja, të vërtetat që harrohen kthehen ne katastrofa dhe, fatkeqësisht, Ballkani ka njohur shumë katastrofa të tilla.
Në këtë 100 vjetor të përkujtimit të Luftës Parë Botërore mund të evokojmë historianë, politikanë, sociologë, politologë, por mendoj se edhe shkrimtarët mund të kontribuojnë në kuptimin e qenies sonë. Haidegeri shkruante se poetët mund ta kuptojnë më mirë qenien e të qenurit tonë se sa filozofët që e konceptualizojnë. Në këtë kuptim mendoj se edhe një shkrimtar i shquar mund të na e bëjë më të qartë atë banjo të parë gjaku që kaloi Europa si pasojë e marrëzisë së nacionalizmit. Lufta e Parë Botërore, që përfshiu masa të gjera të popullsisë, nuk mund të mos linte pasoja në shoqërinë europiane, ndryshime edhe në vetë thelbin e ekzistencës së njeriut. Pikërisht, për të kuptuar këto ndryshime të thella të ekzistencës njerëzore, mendoj se kuptimi i Europës, përmes një dëshmimtari okular dhe një shkrimtari të madh, do t’i shërbejë më mirë edhe njohjes së kohës dhe të vetes sonë, pasi që të kuptojmë se çfarë lloj njerëzish jemi, duhet më parë që të kuptojmë se çfarë kemi qenë, çfarë kemi bërë dhe si kemi menduar. Me të drejtë, që në parathënie, Cvajgu shkruan: “Secili nga ne, edhe më i fundit dhe i papërfillshmi, ka qenë tronditur në më intimen e ekzistencës së tij nga tronditjet vullkanike pothuajse të pandërprera të tokës sonë europiane; dhe unë, si të tërë, nuk mund t’i akordoj vetes tjetër privilegj veçse këtë: në cilësinë time si austriak, çifut, shkrimtar, humanist dhe pacifist, unë gjithmonë jam gjendur në vendin e saktë ku këto tronditje sizmike ushtronin pasojat e tyre me më shumë dhunë”1. Si asnjë tjetër ai na ka paraqitur atë dilemë në shprehjen “Nuk di ku të shkoj”, që karakterizon një njeri përballë tronditjeve të tilla vullkanike ku në horizont nuk duket kurfarë drite shprese dhe njerëzit bien në krahët e dëshpërimit më të thellë dhe ku liria dhe virtyti humbasin çdo kuptim. Kush ka jetuar në kushtet e një regjimi totalitar e kupton më së miri thelbin e kësaj dileme të ekzistencës njerëzore. Kur Europa vrapoi drejt vetvrasjes dhe u coptua në një luftë vëllavrasëse, atëherë shtrohet më me forcë edhe çështja se si të jetoj në mënyrë dinjitoze. Këto janë edhe periudhat kur refleksioni filozofik mbi njeriun merr një rëndësi të veçantë.
Kështu, njohja e një shpirti të veçantë mund të shërbejë për njohjen dhe kuptimin e kushteve të ekzistencës të një gjenerate, apo epoke të caktuar. “Të gjithë kuajt e irët të Apokalipsit janë lëshuar përmes ekzistencës time: revolucioni dhe uria, zhvelësimi i monedhës dhe terrori, epidemitë dhe emigracioni; unë kam parë të rritet dhe të përhapet nën sytë e mi ideologjitë e mëdha të masave, fashizmin në Itali dhe nacional-socializmin në Gjermani, bolshevizmin në Rusi dhe, para së gjithash këtë plagë të plagëve, nacionalizmin, që ka helmuar lulen e kulturës sonë europiane” 2.
Si ishte Europa para luftës? Paqja, zhvillimi ekonomik, zbulimet shkencore që përbënin bazën e optimizmit të gjeneratave të reja, shënonin fillimin e një vrulli të ri që ndjehej në të gjitha vendet e “Europës sonë”. Edhe kryeqytetet europiane po ndryshonin me shpejtësi. Rrugët beheshin më të gjera, godinat publike më impozante, dyqanet ishin më luksoze dhe të drejtuara me shumë shije. Madje edhe shkrimtarët shikonin që tirazhet e veprave të tyre vinin duke u shtuar nga viti në vit. Sipas Cvajgut, kurrë Europa nuk kishte qenë më e fuqishme, më e pasur, më e bukur dhe kurrë nuk kishte besuar në një të ardhme akoma më të mirë.
Nuk ishin vetëm qytetet që po ndryshonin, por edhe njerëzit. Ata po bëheshin më të bukur në sajë të sportit dhe një ushqimi më të mirë, të reduktimit të orëve të punës dhe të një marrëdhënieje më intime me natyrën. Koha e lirë kalohej në mënyrë më të kulturuar dhe udhëtimet ishin shtuar. Edhe gratë po shkëputeshin nga shumë vargoj të kohës dhe zakoneve. Pra, bota jo vetëm që ishte bërë më e bukur, por edhe më e lirë.
Stuhia e krenarisë dhe besimit nuk mund t’i fshihte retë që po mbulonin Europën. Ja si e përshkruan Cvajgu: “Italia donte Cirenaikën, Austria aneksoi Bosnjën. Serbia dhe Bullgaria u lëshuan kundër Turqisë dhe Gjermania, deri tani e mbetur mënjanë, shtrëngonte tashmë grushtin për të dhënë një goditje të fuqishme. Kudo gjaku ngjitej në kokë të shteteve, gati për të shpërthyer”3. E gjitha kjo transformohej në një dëshirë për ekspansion. Edhe përshkrimi i rivalitetit ekonomik nga Cvajgu është tepër interesant dhe aktual për të kuptuar Europën. Përfaqsuesit e industrisë franceze, që fitonin shumë, zhvillonin një fushatë urrejtjeje kundër gjermanëve, që edhe ata po dhjamoseshin, sepse të dy palët donin të prodhonin më shumë topa, si “Krupët dhe Shnaiderët e Krësot”. Kompanitë detare të Hamburgut, punonin kundër atyre të Southampton-it, fshatarët hungarëzë kundër atyre serbë, trustet e mëdha kundër të tjerave. Konkurenca e egër fitonte gjithnjë e më shumë terren. Në qoftë se do të shtrojmë pyetjen se pse hyri në lufta Europë më 1914, sipas, tij nuk do të gjejmë një motiv të arsyeshëm, madje as edhe një pretekst. “Nuk bëhej aspak fjalë për ide, fjala ishte për disa distrikte të vogla kufitare; nuk mund ta shpjegoj ndryshe veçse përmes këtij ekcesi të fuqisë, që si pasojë tragjike e këtij dinamizmi të brendshëm që ishte akumuluar gjatë këtyre dyzet vjetë paqe dhe që donte të shkarkohej dhunshëm. Çdo shtet kishte ndjenjën e të qenurit më i fortë dhe harronte se ishte kështu edhe për fqinjin… kështu diplomatët filluan lojën e tyre të bllofit reciprok. Katër herë, pesë herë, në Agadir, në luftërat ballkanike, në Shqipëri, bënin lojë; por koalicionet e mëdha shtrëngonin pa rreshtur lidhjet e tyre, militarizoheshin gjithnjë e më shumë”4. Në këtë mënyrë retë e luftës po mbulonin Europën. Kemi në këtë analizë një përshkrim të shkëlqyer të një dialektike ekonomike dhe minoritare që fare mirë mund t’i shpjerë kombet në luftë.
Cila ishte gjendja shpirtërore e njerëzve? Në fillim nuk ishte ende paniku, por një shqetësim i vazhdueshëm mbulonte gjithçka. Ne, shkruante Cvajgu, provonim gjithmonë një shqetësim të lehtë kur goditjet e zjarrit binin mbi Ballkan.
Si atmosfera e luftës i përfshin njerëzit edhe pa u ndërgjegjësuar? Në librat e historisë kjo pjesë e përjetimeve nuk duket, pasi mbizotëron ideja e gjetjes së arsyeve të një fenomeni. Një epokë mund të kuptohet duke rindërtuar faktet kryesore, por është e vështirë të kapet atmosfera morale. E ne na interson atmosfera morale e epokës së Luftës I Botërore. Prandaj, me të drejtë Cvajgu shkruan se “eksperienca ka treguar se është njëmijë herë më e lehtë të rindërtohen faktet e një epoke se sa atmosfera e saj morale; kjo e fundit nuk shfaqet në ngjarjet zyrtare, por më shumë në episodet e vogla personale”5. Merita e Cvajgut është se na ka përshkruar pikërisht këtë përjetim, duke na kaluar edhe një mesazh të rëndësishëm se sa e dëmshme është indiferenca, sidomos indiferenca e intelektualëve. Sipas tij, në mënyrë të ngadaltë, madje edhe në mënyrë të ndrojtur, fillojnë të grupohen forcat kundërshtare të luftës. Ishin socialistët europianë që e kundërshtonin luftën, kishte grupe të fuqishme katolike si dhe politikanë të arsyeshëm që kritikonin këto përgatitje të nëndheshme për luftë. Edhe shkrimtarët si Cvajgu rreshtoheshin në radhët e armiqve të luftësn “por gjithmonë të izoluar në individualizmin tonë, në vend që të ishim të bashkuar dhe të vendosur.
Fatkeqësisht qëndrimi i shumicës së intelektualëve ishte ai i indiferencës pasive, sepse, për faj të optimizmit tonë, problemi i luftës, me të gjitha pasojat e saj morale, absolutisht nuk kishte hyrë në horizontin tonë të brendshëm”6. Kjo sepse ata besonin se duke menduar si europianë, ata kishin si ideal kuptimin reciprok dhe vëllazërinë shpirtërore përtej kufijve të gjuhëve dhe shteteve. Ata besonin te Zhoresi, te Internacionalja socialiste, besonin se njerzit do t’i prishnin shinat e trenave për të mos i lënë shokët e tyre të shkonin drejt kasapanës, besonin te nënat se ato nuk do t’i dërgonin fëmijët dhe burrat e tyre drejt Molohut. Ata ishin të bindur se forca shpirtërore dhe morale e Europës do të triumfonte ndaj frymës së luftës.
Vetëm në vitin 1913, Cvajgu dhe intelektualë të tjerë, mbi të cilët shkëlqente Romen Rolland “njeriu që në orën deçizive, do të jetë ndërgjegja e Europës”, e kuptuan se ndërgjegja intelektuale e Europës nuk mund të qëndronte inaktive përballë një lufte të mundshme, nuk mund të qëndronin indiferentë ndaj “çshtjes së Savernës, krizës në Shqipëri” apo një interviste luftënxitëse. Për më tepër, roli i intelektualëve është që të mos i lenë popujt që të mashtrohen nga qeveritarët e tyre, sidomos në momentet e një krize serioze kur mundësitë e manipulimit të popujve rriten, sepse, siç thoshte Romen Roland “Sa më shumë një popull është naiv, aq më e lehtë është për t’i mashtruar”.
Nga ana tjetër, Cvajgu, si qytetar i botës, na tregon edhe rolin e asaj pjese të inteligjencës dhe shkrimtarëve që u vunë në shërbim të nxitjes së urrejtjes nacionale. Në këtë drejtim, një rol të madh luan media. Po e ilustroj me një shembull. Ne të gjithë kemi lexuar në librat e historisë se Lufta I Botërore filloi si rezultat e atentatit ndaj arqidukës Ferdinand dhe gruas së tij dhe Perandaria Austro Hungareze nuk mund ta pranonte këtë poshtërim etj. A ishte vërtet kështu? Cvajgu na jep një dëshmi tjetër. Lajmi i vrasjes u shpall. Por si u prit në fillim në Vjenë ky lajm? Cvajgu na thotë se lajmi i vrasjes nuk solli ndonjë keqardhje të madhe në dallim nga vetvrasja e princit Rodolf. “Por, shkruan Cvajgu, për të nderuar të vërtetën, në fytyrat enjerëzve nuk mund të lexoje asnjë shtangim, asnjë hidhërim. Ky trashëgimtar i fronit nuk ishte aspak i dashur”7. Sipas Cvajgut atij i mungonte ajo që vlerësohej në Austri, mirësjellja njerëzore, sharmi njerëzor dhe manierat e shoqërueshmërisë. Sigurisht të nesërmen gazetat shkruajtën nekrologji ku shprehën indinjatën për këtë atentat. Por asgjë nuk tregonte se kjo ngjarje do të shfrytëzohej në funksion të një aksioni politik kundër Serbisë. Për shtëpinë perandarake, kjo vdekje shkaktoi të tjera shqetësime që lidheshin me ceremonialin e varrimit, pasi ai duhej të varrosej në kriptën e Kapucinëve, varresa historike e habsburgëve. Mirëpo, Franc Ferdinandi ishte martuar me një konteshë Shotek (Chotec), që vërtet i takonte fisnikërisë së lartë, por sipas ligjit misterioz dhe disa herë shekullar të shtëpisë së Habsburgëve, nuk ishte baraz me princin nga lindja. Krenaria e oborrit u ngrit edhe kundër vdekjes, na thotë Cvajgu. Si, të vendosej trupi i konteshës në kriptën perandorake të Habsburgëve? Jo, kjo nuk mund të lejohej! Atëherë, drejtuesit e ceremonisë mortore gjetën si rugëdalje një fiksion se ishte dëshira e të vdekurve që të varroseshin në Artsetten, një qytet i vogël provincial dhe, nën këtë pretekst mund të shmangej butësisht ekspozimi i trupave. Kështu, arkivoilët e dy viktimave u transportuan pa zhurmë dhe u varrosën në Artsetten dhe Vjena filloi ta harronte këtë ngjarje tragjike. Dhe, ndoshta për disa javë figura e Franc Ferdinandit do të fshihej përgjithmonë nga historia.
Por, pas një jave, na thotë Cvajgu, filloi befas në gazeta një fushatë që do të vinte duke u intensifukuar. Filloi të akuzohej qeveria serbe si nxitëse e atentatit dhe se Austria nuk mund ta linte pa ndëshkuar këtë vrasje. Edhe pse media po bëhej më insistuese, askush nuk mendonte se puna do shkonte te lufta. As bankat, as dhomat e tregëtisë, as individët e veçantë nuk i ndryshuan qëndrimet e tyre. Zënkat tregëtare me Serbinë, lidheshin me disa traktate tregëtie në lidhje me eksportin e derrave nga Serbia, shkruan Cvajgu. Edhe në Europë nuk ndihej ndonjë shqetësim, përveç shitësve të gazetave që shqetësonin pushuesit në Ostende të Belgjikës duke bërtitur “Austria provokon Rusinë”, “Gjermania përgatit mobilizimin”. Kur Cvajgu po kthehej në Austri, ai pa se si trenat po mbusheshin plot me rekrutë duke valvitur flamujt. Ai e gjeti Vjenën në delir.
Në fillimet e luftës, media filloi përhapjen e gënjeshtrave, mbi “sytë e nxjerra” dhe “duart e prera”. Një teknikë e tillë synonte që t’i akuzonte ushtarët armiq me të gjitha mizoritë e imagjinueshme. Kjo propagandë bënte pjesë në materialin e luftës, njëlloj si municionet dhe avionët. Lufta, sipas Cvajgut, nuk ka asnjë lidhje me arsyen dhe të vërtetën. Asaj i duhet vetëm entusiazmi për kauzën e vet dhe urrejtja për kundërshtarin. Dihet se në natyrën njerëzore ndjenjat e dhunshme nuk zgjasin pafundësisht. Këtë gjë organizimi ushtarak e di shumë mirë, prandaj ka nevojë për një doping nxitës. Dhe, fatkeqësisht, kjo punë u bë nga intelektualë, poetë, gazetarë, të cilët, me ndërgjgje të mirë apo të keqe, luajalisht apo për rutinë profesionale, kjo ka pak rëndësi, në vend që ta luftonin urrejtjen kolektive i hodhën më shumë benzinë zjarrit.
Kështu, “Shekspiri u ndalua në skenat gjermane, Moxarti dhe Vagneri nga sallat e koncerteve në Francë dhe në Angli, profesorët gjermanë shpjegonin se Dante ishte një gjerman, francezët që Bethoveni ishte një belg, rekuiziononin pa skrupuj thesarin kulturor të vendeve të huaja, si grurin ose mineralet”8. Kur një gjë e tillë ndodhte në vendet më të kulturuara europiane, imagjinoni se në çfarë përpjestime ndodhte një gjë e tillë në zgjimin kombëtar të vendeve ballkanike.
Ky konfuzion shpirtëror shpie edhe në transformimin e njerëzve dhe ideve të tyre. Kështu, shkruan Cvajgu, shumë miq të tij që njiheshin si individualistë, madje edhe si anarkistë intelektualë, befas u shndërruan në patriotë fanatikë. Të gjitha diskutimet mbylleshin me frazën absurde “Kush nuk di të urrejë, nuk di as të dojë me të vërtetë”. Atëherë shfaqet dilema e intelektualit të vërtetë: të mbyllet në vetvete dhe të heshtë për aq kohë sa do të zgjasnin ethet dhe deliri i të tjerëve, apo të bëjë zgjedhjen e duhur. Por, Cvajgu e di se edhe të jetosh në egzil, dhe ai e provoi shumë herë në jetën e tij, nuk është më pëk e tmerrshme se sa të jetosh vetëm në atdheun tënd. Prandaj, ai brenda luftës së madhe vendosi për luftën e vet personale: “luftën kundër tradhëtisë ndaj arsyes në favor të pasionit aktual të masave”. Zgjedhja e parë është e dhimshme dhe me vuajtjen për të mos u kuptuar nga bashkohësit. E dyta është për sharlatanët që duan të përfitojnë nga pasioni i masave dhe sidomos nga pasioni nacionalist i masave.
Me qëllim që njerëzit të mos binin viktimë e mashtrimit, duhej edhe një kulturë e re europiane. Në këtë kontekst, shkrimtarët mund të luanin një rol të madh. Ai na sjell shumë shembuj se si shumë shkrimtarë e vunë penën e tyre në shërbim të urrejtjes për tjetrin. Është interesant fakti që konstaton Cvajgu, se në Luftën I Botërore fjala kishte më shumë pushtet se së në Luftën II Botërore. Ndoshta kjo ishte arsyeja, sipas tij, që shpjegon edhe suksesin e Hitlerit që arriti ta ngrinte gënjeshtrën në rangun e të vërtetës dhe e ngriti antihumanizmin në lartësinë e ligjit. Indinjata më e fortë shkon te ajo që ai e quante “gënjeshtra e luftës”, kur lexonte gazetën për humbjet minimale të austriakëve dhe humbjet e mëdha të armiqve. “Jo, shpërthen indinjata e tij, fajtorët nuk ishin nxitësit, të plogështit, indiferentët, por vetëm ata që, përmes fjalës, nxisnin luftën. Edhe ne gjithashtu ishim fajtorë, përderisa ne nuk u kundërvinim fjalën tonë”9. Nisur nga kjo përvojë, ai në krijimet, studimet dhe aktivitetin e tij konkret, do të shtronte nevojën e ngritjes së një ndërgjegje morale për Europën. Por, një gjë e tillë kërkonte edhe një heroizëm shpirtëror dhe moral si të shkrimtarëve dhe intelektualëve në përgjithësi. Prandaj, tërë periudha që erdhi pas Luftës I Botërore, ai ia kushtoi një ideje, bashkimit shpirtëror të Europës.
Nga ana tjetër, duke kaluar nëpër vendet e bombarduara dhe duke takuar shumë njerëz të thjeshtë, Cvajgu vuri re se këta njerëz të thjeshtë kishin për luftën një kuptim më të drejtë se sa “profesorët dhe poetët tanë”; kuptimin se lufta ishtë një fatkeqësi që u kishtë rënë atyre dhe ndaj së cilës nuk mund të bënin asgjë dhe secili nga ata që kishte rënë në këtë fatkeqësi ishte, në një farë mënyre, vëlla.
Me intuitën e shkrimtarit ai pa edhe si po vendosej një lloj tjetër diktature në Rusinë sovjetike, që e kishin shpikur “baballarët e vegjël Lenini dhe Trocki”. Këtë ai ne e jep përmes një letre që një person i futi në xhep pas një mitingu entusiazt të organizuar nga drejtuesit komunistë. “Mos besoni asgjë nga ajo që ju thuhet, më shkruante ky i panjohur. Mos harroni, me gjithçka që ju tregojnë, se ka shumë gjëra që nuk ju a tregojnë. Kujtoni se personat që flasin me ju, në shumicën e kohës, nuk ju thonë atë që duan t’ju thonë, por vetëm atë që ju është lejuar të thonë. Ne të gjithë survejohemi dhe ju jo më pak. Përkthyesi juaj raporton çdo diskutim tuajin. Ju dëgjojnë besedat tuaja telefonike, çdo hap juaji kontrollohet”10. Nuk ka si jepet më bukur vendosja e një diktature nën atmosferën e një entusiazmi se njerëzit po shkonin drejt lirisë.
Meqë jemi në Rusinë sovjetike dhe ky model diktature do të vendosej edhe në vendet e tjera të lindjes, është me interes të sjell një studim të Pitirim Sorokin, ish këshilltar i Kerenskit, i dënuar me vdekje nga Revolucioni i Tetorit, pas një amnistie që dha Lenini u dëbua nga Rusia dhe përfundoi profesor i sociologjisë në universitetin e Harvardit dhe, që për së gjalli, u bë një personalitet në sociologjinë e kulturës. Në një studim, të botuar në vitin 1920, pikërisht dy vjet pas Revolucionit të Tetorit ai përshkruan se si u vendos “socializmi militar” në Rusi duke e lidhur me pasojat e Luftës I Botërore në aspektin sasior dhe cilësor të popullsisë. Teza e Sorokinit, siç e thotë edhe vetë, është shumë e thjeshtë; lufta merr më të mirët dhe lë të mbijetojnë më të këqinjtë. Termat “më të mirë” dhe “më të këqinj” janë terma vlerësues. Me “më të mirët” ai kupton elementet e popullsisë që janë, a)bilogjikisht më të shëndoshë, b) energjikisht më të aftë për punë, c) shoqërisht, me moral më të lartë, d) psikologjikisht të pajisur me një vullnet më të fortë, me një talent më të madh. Veç kësaj lufta merr më shumë burrat se sa gratë dhe shtresa që e pëson më shumë janë intelektualët. Për më tepër një luftë e gjatë ndikon edhe në sjelljet e të gjallëve, mbi natyrën e tyre, artet ose reflekset e tyre. Lufta ngulit te popullsia edhe tipare dhe forma sjelljeje krejt të kundërta me jetën paqësore. Jeta paqësore zhvillon inisiativën, punën prodhuese, krijimtarinë, lirinë individuale (aq të vlerësuar nga Cvajgu), ndërsa lufta nxit varësinë pa kushte, nënshtrimin e papërgjegjshëm (disiplina), i ze frymën inisiativës vetiake, shpirtin e veprimit (nënshtrohu, zbato dhe mos kundërshto), anullon lirinë individuale (ligjet ushtarake, gjyqet dhe urdhërat pa apel), ngulit dhe bën zakon veprimet thjesht shkatërruese, shkul dhe çmëson punën prodhuese paqësore. Jeta paqësore krijon kushtet dhe ndihmon zhvillimin e mendimit në fushën e shkencës, arteve dhe kulturës në përgjithësi. Lufta u zë frymën. Ajo e lidh lirinë e mendimit dhe e shkatërron me mijëra procedura dhe mjete. Sipas tij, lavdia ushtarake i ka kushtuar shtrenjtë Rusisë se i ka zhdukur elementet më të mirë të popullsisë duke i hapur rrugën një organizimi shoqëror që ai e quan “shoqëria militaro socialiste”. Përcaktimi që i jep ai kësaj shoqërie vlen të jepet i plotë për të kuptuar edhe forcën parashikuese të formimit të shoqërisë totalitare kumuniste. Të mos harrojmë se ky parashikim daton vitin 1920. “Me shoqëri militaro – socialiste ideale ose çuar në ekstrem unë kuptoj një mekanizëm që karakterizohet nga:
1. Një vëllim i pakufizuar i ndërhyrjes, tutelës dhe rregullimit qeveritar për gjithë jetën dhe raportet ndërmjet të qeverisurve, duke filluar nga marrëdhëniet ekonomike, e deri te ato fetare, juridike, estetike, etj.
2. Një vëllim i pamjaftueshëm autonomie dhe vetqeverisjeje në të gjitha fushat e jetës dhe lidhjet endërsjellta.
3. Në një masë të caktuar, despotizmin barazimtar. Në një shoqëri të tillë pushteti është i pakufizuar. Ai nuk ka limite në vëllimin e ndërhyrjes në jetën e qytetarëve dhe në rregullimin e saj.
Për sa i takon gjendjes së autonomisë të të drejtuarve, ata nuk kanë fushë veprimi. Si ushtarët në rresht, ata kanë vetëm një detyrim: t’i nënshtrohen pa rezerva direktivave të pushtetit… Në lidhje me këtë, as që mund të shtrohet çështja e lirive individuale. Në të njejtën mënyrë inisiativa private, paprekshmëria e të drejtave të pronësisë etj. zhduken… Shkurt, e tillë është shoqëria militaro – socialiste ideale”11. Në fakt kjo shoqëri u bë realitet, jo vetëm në Rusi, por në tërë Lindjen komuniste.
Tani në këtë përvjetor të 100 të Luftës I Botërore detyra që shtrohet para shoqërive tona në Ballkan është që të ndërtojmë shtetin e të drejtës, demokracinë dhe liritë e të drejtat e njeriut. E thënë ndryshe, si mund të jenë të lumtur njerëzit, pas terrorit totalitar? A mund të realizohet një gjë e tillë duke thelluar veset e shoqërisë që sa po lamë, apo duke i ndriçuar qytetarët se si ta përdorin demokracinë për ta bërë jetën më të lirë dhe të lumtur? Tokëvili kishte treguar, duke analizuar demokracinë në Amerikë, se problemi i demokracisë konsistonte në manipulimin e instikteve demokratike të turmës dhe sharlatanët mund të përfitonin në politikë. Në Europën Lindore dhe veçanërisht në Ballkan ne jemi dëshmimtarë të dy lloj manipulimesh; manipulimin e instikteve demokratike dhe nacionaliste të turmave.
Duke parë se virtytet po zëvendësohen nga veset dhe i vetmi motiv nxitës i njerëzve ështe shpirti i përfitimit, atëherë nuk kemi pse të çuditemi pse pesimizmi po pushton shpirtin e njerëzve dhe prirja për ta kërkuar lirinë diku gjetkë duke ikur drejt vendeve europiane po shtohet. Këto janë momentet më delikate për një komb dhe vetëm një përtëritje e fortë shpirtërore mund ta shpëtojë shoqërinë nga kjo gjendje. A nuk kishte të drejtë Hegeli kur shkruante se një komunitet politik nuk mund të ndërtohet pa krijuar më parë një komunitet moral? A nuk kishte të drejtë Hyserli, i cili, duke folur për krizën në Europë, pak fara fillimit të Luftës II Botërore, tha se Europa mund të dalë nga kjo krizë vetëm duke realizuar një ripërtëritje shpirtërore?
Me fjalë të tjera, në regjimin totalitar individi ishte bërë një person, i cili vegjetonte dhe nuk ekzistonte kurajoja për të qenë vetvetja, por ekzistonte kurajua për të qenë pjesë e kauzës së socializmit dhe komunizmit dhe, në funksion të realizimit të kësaj kauze, ai e kishte flakur lirinë në këmbët e diktatorëve. Tani problemi që shtrohet para shoqërive tona është se si ta ngremë qenien njrëzore në nivelin e qytetarit, i cili duhet të jetë xheloz për lirinë dhe kurrë të mos e flakë lirinë e sapofituar. Monteskjë kishte të drejtë kur shkruante se “Qytetari mund të vdesë dhe njeriu të mbetet”12. Ne jetuam në një kohë që pamë vdekjen e qytetarit. Tani demokracia ka nevojë për qyetarë.
Ne nuk duhet të harrojmë se jetojmë nën kushtet e një krize të thellë morale që karakterizon shoqëritë në tranzicion. Fakti se demokracia ka nevojë për moralizim, shtrohet edhe nga fakti se jeta jonë po bëhet pothuajse e ammullt, plot pasiguri, për shkak të korrupsionit në rritje, për shkak të mosmbajtjes së detyrimeve të qeveritarëve ndaj të qeverisurve dhe kjo situatë e ndrydh mendimin dhe ja pret krahët shpresës.
Për një kohë të gjatë, Europa karakterizohej përmes bashkekzistencës konkuruese dhe shpesh armiqësore dhe e përgjakshme ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit. Tani kjo armiqësi është kapërxyer drejt një ideali më të lartë që quhet Europë. Megjithatë, ky projekt nuk mund të realizohet pa marrë parasysh “shpirtin e Europës”. Unë preferoj termin “shpirti i Europës”, i cili përmbledh lirinë, demokracinë, shtetin e të drejtës dhe të drejtat e njeriut dhe jo aq termin “identiteti europian”, sepse termi identitet ka konotacionin e kufirit dhe të frikës nga të tjerët. Ne duhet të mbajmë parasysh se me anë të politikës së frikës nuk ka Europë.
Ndërsa përsa i përket Ballkanit, bashkimi i këtij rajoni, që ka njohur luftëra dhe konflikte shekullore, me Europën është i domosdoshëm. Nuk mund të mos bashkohem me idenë e shprehur nga dy autorë, Bino Olivi dhe Alesandro Giacone, të cilët në parathënien e librit “Europa e vështirë”, që në vitin 1998 shkruanin: “E ardhmja e konstruksionit europian, që mbetet një projekt paqeje, luhet gjithashtu në Ballkan. Dikur e pafuqishme për të penguar pastrimin etnik, sot Unioni është thirrur për ta stabilizuar këtë rajon përmes një politike ambicioze të zgjerimit”13.
Dikur Tokëvili parashikonte dy rrugë për të ardhmen e njerëzimit; demokracinë liberale ose despotizmin demokratik. Për më tepër, sipas tij, të doje të frenoje demokracinë është njëlloj si të luftosh kundër Zotit dhe kombet nuk kanë tjetër zgjedhje veçse të përshtasin gjendjen sociale që u imponon providenca.
Cilën nga këto dilema duhet të zgjedhim? Sigurisht asnjë nga ne nuk do dilemën e dytë. Si përfundim ne duhet të bashkohemi me atë parashikim që bëri Hyserli për Europën në prag të Luftës II Botërore. “Kriza e ekzistencës europiane ka vetëm dy zgjidhje: ose rënien e Europës, që është bërë e huaj me kuptimin e saj racional të jetës, rënien në urrejtjen shpirtërore dhe barabari, ose rilindjen e Europës duke u nisur nga fryma e filozofisë, në sajë të një heroizmi të arsyes që e kapërxen përfundimisht natyralizmin. Reziku më i madh për Europën është lodhja. Le të luftojmë si “europianë të mirë” kundër këtij rreziku të rreziqeve, me këtë trimëri që nuk trembet as nga pafundësia e luftës, dhe ne do të shikojmë atëherë që të dalë nga zjarri i madh i nihilizmit, nga zjarri rrokullisës i dëshpërimit që dyshon në vokacionin e Oksidentit drejt njerëzimit, nga hiri i lodhjes së madhe, Feniksin e ringjallur të një jetë të re të brendshme dhe të nje ere të re shpirtërore, garanci për një të ardhme të madhe dhe të gjatë për njerëzimin: sepse vetëm shpirti është i pavdekshëm”14.
Prof. Dr. Gjergj Sinani është drejtor i House of Europe
www.houseofeurope.org
1. Stefan Zweig, LE MONDE D’HIER, Souvenir d’un Européen, Belfond, Paris, 1993, f. 9.
2. Stefan Zweig, vepër e cituar, f. 13.
3. Stefan Zweig, vepër e cituar, f. 246.
4. Stefan Zweig, vepër e cituar, f. 247.
5. Stefan Zweig, vepër e cituar, f. 256.
6. Stefan Zwig, vepër e cituar, f. 248.
7. Stefan Zweig, vepër e cituar, f. 269.
8. Stefan Zweig, vepër e cituar, f. 291.
9. Stefan Zweig, vepër e cituar, f. 310.
10. Stefan Zweig, vepër e cituar, f. 414.
11. Pitim Sorokin, Të korrat e hidhura të Marsit, Të drejtat e njeriut, Q.SH.D.NJ., Tiranë, 1995, f. 90.
12. Montesquieu, De l’esprit des lois, Flammarion, Paris, 1979, p. 275. “La société est l’union des hommes, et non pas les hommes; le citoyen peut perir, et l’homme rester”.
13. Bino Olivi, Alessandro Giacone, L’Europe difficile, Gallimard, Paris, 1998, f. 4.
14. HUSSERL, La crise des sciences européennes et la phénomenologie transcendantale, tel gallimard, Paris, 1976, p. 382-383.