KIM MEHMETI
Maqedonia si shtet shumetnik, shumëfetarë e shumëkulturor, u shndërruar në shoqëri ku edhe përkatësia etnike e ajo fetare, u bënë pjesë e “profesionit” dhe emblemë nëpërmjet të cilave matet çdo veprim yti i keq. Kështu që mosdurimi ndëretnik në këtë vend e ushqejnë edhe institucionet e shtetit, ngaqë edhe për policin, edhe për gjykatësin, më e rëndësishme është përkatësia etnike e atij që i japin gjobë apo gjykojnë, se sa akti për të cilin akuzohet. Pastaj Maqedonia është shtet ku kryeministri, gjatë fushatës parazgjedhore, hapur kërkon mbështetje sa më të madhe të atyre që sot vetveten e quajnë maqedonas, që të mundë të mbrohet nga “shantazhet” e shqiptarëve. Andaj edhe nuk është e çuditshme pse në këtë vend edhe faji i kriminelit ordiner, nuk matet sipas peshës së krimit, por vlerësohet sipas përkatësisë etnike, andaj pra nuk është e çuditshme pse kur një i ri maqedonas vret një të ri shqiptar (siç ndodhi para ca vitesh në një shkollë të mesme në Shkup) kjo vrasje edhe kalon si një krim ku ke viktimën dhe vrasësin, por kur ndodh që një i ri shqiptar të dëmtojë një maqedonas, kjo ka tjetër dimension dhe fajësia merr dimension kolektiv. Merr këtë dimension ngaqë këtu u rrit një gjeneratë maqedonasish duke dëgjuar për çdo ditë brohoritjet “Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptarë i mirë”. Dhe për këtë janë fajtorë edhe vetë shqiptarët, apo më mirë thënë përfaqësuesit e tyre politik, të cilët thuajse e mësuan palën maqedonase me diçka perverse: që sa më shumë e sa më vrullshëm një pjesë e tyre e thonë hapur se nuk i duan shqiptarët, aq më shumë kryesuesit e BDI-së betohen në emër të shqiptarëve se i duan maqedonasit dhe këtë shtet. Dhe në ndërkohë nuk vërejtën se është mirë që shqiptarët e Maqedonisë të bëjnë çmos që të mos infektohen nga sëmundja çoroditëse që quhet urrejtje ndaj popujve tjerë, por nuk është mirë kur respektin nga tjetri e kërkon si lëmosh, apo kur kërkon mirëkuptimi nga ai që të urren.
Në Maqedoninë shumetnike të paskonfliktit të 2001, u rritën të rinjtë maqedonas që thuajse u bindën se urrejtje ndaj shqiptarëve jo që nuk ndëshkohet, por ajo edhe të çon përpara, siç janë disa nga funksionarët e sotëm të VMRO-DPMN-së, të cilët kanë vetëm një të kaluar të “lavdishme” politike: protestat kundër shkollimit të shqiptarëve në gjuhën amtare! Në ndërkohë u rritën edhe gjeneratat e të rinjve shqiptarë, të cilët shihnin si shteti ku ata jetonin, thuajse e institucionalizoi manifestimin publik të urrejtjes nda shqiptarëve. E në ndërkohë, politikanët shqiptarë thuajse e bindën një pjesë të popullit maqedonas që ushqen mosdurim ndaj shqiptarëve se sado që ata mund të urrejnë e të mos e duan shqiptarinë, populli shpotarë është “tolerant e me vlera evropiane”, është populli i gatshëm të flijoj çdo gjë për të ruajtur stabilitetin e Maqedonisë e atë rajonal dhe si të tillë, atë asgjë nuk mund ta provokojë aq sa ta çojë drejtë ndonjë veprimi që do shkaktonte krizë politike në vend, apo mos e bëftë Zoti, që të thotë: zotërinj, ne nuk dimë të urrejmë, por gjithashtu nuk duam të jetojmë në një dhomë të përbashkët me ata që na duan vetëm kur jemi të vdekur!
Pra në Maqedoni u rritën gjeneratat e maqedonasish që mezi presin të dëmtojnë pronat e shqiptarëve (siç ishte rasti në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit), e të cilët janë pasqyrë ku shihet fytyra e prindërve të tyre, pasqyrë që tregon pamjen e vërtet të një shoqërie ku gazetari maqedonas, i cili hapur shpreh urrejtje ndaj shqiptarëve, bëhet i preferuari i pushtetit dhe miku më i afërt e kryeministrit, por ku gjithashtu u rritën gjenerata shqiptarësh që e përjetonin këtë urrejtje dhe pyesnin vetveten: vallë ku janë përfaqësuesit tanë, ata që duhet të na mbrojnë nga rrahjet nëpër autobusë, ata që duhet të na mbrojnë nga kjo përbuzje publike që na bëhet.
Dhe kjo gjeneratë e mllefosur dhe e frustruar të të rinjve shqiptarë, është ajo që sot proteston rrugëve të Maqedonisë. Pra, kjo është ajo gjeneratë që thuajse të gjithë i çoi përnjëherë të pyesin vetveten ç’ka është duke ndodhur në këtë shtet dhe ku mbeti e çka u bë më Marrëveshjen e Ohrit. Dhe gjithë atyre duhet rikujtuar se pas konfliktit të 2001-shit, të gjithë shpresuan se Maqedonia e kishte kuptuar se nuk mund të ishte vetëm dëshirë e atyre që vetveten e quajnë maqedonas. Pra shqiptarët e këtushëm shpresuan se elitat politike maqedonase më në fund e kishin kuptuar të vërtetën se ekzistenca e këtij shteti varet nga shqiptarët po aq, nëse jo edhe më shumë, sesa edhe nga maqedonasit. Pastaj duhet rikujtuar se konflikti i 2001-shit, shqiptarëve të Maqedonisë ua ngjalli shpresën se më në fund edhe ata do e kishim të qartë si do të dukej shoqëria e tyre në përbërjen e këtij shteti, se lirshëm do e ndërtonin “Shqipërinë” e tyre në Maqedoni, duke e kultivuar njëkohësisht në vetvete edhe ndjesinë për përkatësinë shtetërore, përkatësi e cila nuk do e pengonte degën e këtushme shqiptare të ndiejë edhe lëngjet e trungut të shqiptarisë. Por, ndodhi ajo që nuk kishte mundur ta parashikonte askush, doli se kodi gjenetik i politikës maqedonase, ishte e pamundur të ndryshonte, se mbetej ai që ishte ngjizur në zyrat antishqiptare të Beogradit. Kështu që, shumë shpejt pas konfliktit, me ardhjen e qeverisë së Gruevskit, filloi një betejë antishqiptare, por tani, nëpërmjet përmendoreve, nëpërmjet përbuzjes së shqiptarisë, nëpërmjet arrogancës që shprehej me “Enciklopeditë” që fyenin popullin shqiptarë, nëpërmjet “Sopotëve”, ku burgoseshin shqiptarë në procese të kurdisura gjyqësore, nëpërmjet “Brodecave”, “Radushës”, ku në pritë, policia likuidoi heroin e UÇK-së, Harun Aliun, me çka shqiptarëve thuajse u përcillej një porosi e vetme, por shumë e qartë, e të cilën nuk e lexonin drejtë vetëm kryesuesit e BDI-së: ju na kapët ngushtë më 2001-shin, por tani kur ne e kemi korrigjuar gabimin dhe kemi forcuar policinë, e jo armatën, do e shihni se s’keni forcë të bëni asgjë.
Dhe çudia më e madhe ndodhi kur shqiptarët e këtushëm e panë se edhe “çlirimtarët” e tyre të 2001-shit, iu nënshtruan kësaj politike, se ata thjesht u bënë vasalë të një sunduesi që bënte thuajse ç’të donte, e ndërkohë burrështetasit shqiptarë dilnin dhe e qetësonin popullin e vet, apo edhe i shërbenin Gruveskit si mbulesë para ndërkombëtarëve. Andaj, lirisht mund të thuhet se bashkautorë të kësaj që u ndodhi shqiptarëve të Maqedonisë, janë edhe dy partitë e këtushme shqiptare, të cilat u bënë pengje të VMRO-së, e cila gabimisht besoi se ai që i ka nën kontroll këto dy parti, e kontrollon edhe tërë shqiptarinë e këtushme. Pastaj këtë strategji të Gruevskit, që ka vite që shqiptarët e këtushëm kishin lexuar, vonë e zbërthyen edhe Tirana e Prishtina. Gjë që ishte e logjikshme ngaqë zyrtarët atje edhe nuk mund ta kuptonin si është e mundur që me aq deputetë, me alamet ministra e funksionarë të lartë shtetërorë dhe duke qenë 30 përqindëshi i popullatës së përgjithshme të shtetit, të mos mundesh politikisht t’i kundërvihesh një populisti qesharak, siç është Gruevski. Pra Tirana e Prishtina zyrtare me vonesë e kuptuan atë që e alarmonin shqiptarët e Maqedonisë me vite: se Gruevskin e bëjnë të fortë partitë politike shqiptare, se sikur të mos ishin ato, ai qëmoti do të ishte e kaluara politike e këtij shteti. Kështu që doli puna se përfaqësuesit e këtushëm shqiptarë, të dehur nga të mirat që ua ofronte pushteti, menduan se barazia qytetare realizohet atëherë kur qeveria multietnike u mundëson të gjithë pushtetarëve, pa dallim feje e etnie, të pasurohen ngutshëm. Ata pra nuk e lexuan atë që e thoshin shqiptarët e këtushëm vite me radhë: se Gruevski përdor një strategji shumë të thjeshtë – e që shqiptarët e kishim shijuar në lëkurën e vet gjatë dekadave të socializmit – se më lirë të del të paguash shtrenjtë qindra shqiptarë që ndershëm kryejnë detyrën e vasalit, sesa tërë një populli t’ia japësh hisen që i takon. Dhe ja, tani Maqedonia dhe shqiptaria në të janë këtu ku janë: thuajse atje ku ishim në dekadat e socializmit, në kohët kur atë që u takonte, shqiptarët e kërkonin nëpërmjet protestave rrugëve, në kohët kur policia ata i ndante në shqiptarët këtej kordonëve policore që donin ta “prishnim” shtetin, nga shqiptarët andej kordonëve policore që e mbronin shtetin nga pjella “destruktive” e popullit të tyre!
Por duhet thënë hapur: të jesh 30 përqindëshi i popullatës së përgjithshme në shtet, e të ankohesh se të ka shkel ai që nuk përbën më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit, nga pak është absurde, madje e pakuptimtë dhe tragjikomike dhe se ka vetëm një domethënie: ose atë që të përfaqësojnë janë kokëzbrazur, ose janë xhepmbushur! Por ja, siç duket në këto hapësira janë të mundura edhe gjërat absurde. Dhe janë të mundura mbase pse heronjtë ndërtohen brenda ditës dhe po aq shpjet shpallen edhe gomar! Shqiptarët e Maqedonisë, duke u ngutur që të mos ua njolloste dikush 2001-ën, me vetëdëshirë i mitimizuam të kthyerit nga Zvicra, ata që përvetësuan UÇK-në, që përvetësuan 2001-shin, që përvetësuan edhe Marrëveshjen e Ohrit, të cilën nuk e kishin nënshkruar, ata që mbi këto përvetësime që ishin pronë e tërë popullit, i vunë themelet e BDI-së. Pra i mitimizuan ata që mbi gjakun e rinisë shqiptare ndërtuan parti, e që sot pohojnë se ka individ e grupe që duan t’i keqpërdorim protestat, që duan të përdorim disfatën e gjashtë shqiptarëve të dënuar me burg të përjetshëm, që të bëjmë parti!?
Por sido që të jetë, atyre që gjatë konfliktit ky popull ua dha fëmijët, s’kishte si të ngurronte e të mos ua jepte edhe votën! Dhe mbase ndodhi e paimagjinueshmja dhe diçka që mbase askush nuk mund ta paragjykonte: ata të cilëve populli ua dha të gjitha që t’u dilte hakut për atë që bënë në 2001-shin, filluan politikisht të sillen sikur edhe populli ishte pronë e tyre. Dhe doli punë që nuk u kishte mjaftuar vetëm aq. Kështu që nuk dëgjonin zërin e kësaj rinie, por vetëm atë të sunduesit. Kështu që më nuk ndienin nevojë të ishin të pëlqyerit e popullit të vet, por të palës maqedonase e të ndërkombëtarëve. Kështu pra doli puna që duke pasur aq përfaqësues nëpër institucione më të larta shtetërore, shqiptarët e këtushëm edhe më tej të kishin nevojë për mbrojtjen e ndërkombëtarëve. Gjë që edhe zgjoi pyetjen e logjikshme: Ç’na duhen këta përfaqësuesit tanë nëse njësoj si dikur kur ishim pa ta, të drejtat tona duhet t’i realizonim nëpërmjet protestave dhe të ndihmuar nga organizata ndërkombëtare!? E në ndërkohë, elitat politike maqedonase e kishin lexuar më mirë se shqiptarët e këtushëm se shumica e partiakëve të BDI-së e PDSH-së, veprimin politik e kishin barazuar me biznesin që brenda natës të bën të pasur, që të sjell aq pasuri sa mos të kesh frikë popullin, të cilit mund t’ia blesh votat. Dhe pasi e kishin kuptuar këtë, pasi ishin bindur se ata janë shokë që i përshtaten parimit se “shqiptar shtetformues është vetëm shqiptari i korruptueshëm” edhe Gruevski harroi se këtu jetojnë shqiptarë, kështu që rinisë së këtushme shqiptare iu desh që nëpërmjet protestave t’ia rikujtojë atij se e ka gabim dhe se ky gabim mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë atij dhe tërë Maqedoninë.
Andaj mund të thuhet se rinia shqiptare e Maqedonisë aot ka ngritur zërin që ky shtet, por edhe Tirana e Prishtina, ta kuptojnë se këtu jo që nuk ka vdekur shqiptaria, por ajo është e gatshme ta merr fatin e saj në dorë. Ajo rini u përcjellë porosi të qartë edhe përfaqësuesve të vet politik, porosinë se këtë tokë e kanë shkelur shumë sundues e vasal të tyre shqiptarë, por ata kurrë nuk ia kanë dal të shkelin mbi shqiptarinë. Dhe kjo rini sot shprehë mllefin kundër një keqqeverisje, kundër padrejtësive që u bëhen shqiptarëve si dhe shpalosë të vërtetën se sikur Marrëveshja e Ohrit të realizohej në afatet e caktuara, pra nëse parimet bazë të saj do të implementoheshin deri në vitin e paraparë 2004, në mos më shumë do të mbetej gjallë fryma e saj dhe do të mund të shkohej më tej me harmonizim e interesave dhe marrëdhënieve ndëretnike. Kjo rini donë të shpalosë të vërtetën se vetë fakti se edhe pas 13 vitesh nga nënshkrimi i saj flitet për (mos)zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, se vetë fakti se kjo rini shqiptare duhet të protestojë, dëshmon se kjo Marrëveshje është një kufomë të cilën tani nuk duan ta varrosin ata që asaj ia morën frymën! Dhe se sot, kjo Marrëveshje ka vetëm një simbolikë: atë që tregon se marrëveshjet e këtyre hapësirave ngjajnë me urat e ndërtuara ngutshëm pas vërshimeve, e shkaku i të cilave pastaj të shpëtuarit grinden se kush duhet t’i mirëmbajnë ato! Pra, kjo marrëveshje sot simbolizon të vërtetën se marrëveshjet e nënshkruara nga ballkanasit, në të shpeshtën e rasteve vetëm i shtojnë mosmarrëveshjet.
Por, është e padrejtë për këtë të fajësohet vetëm pala maqedonase, ngaqë për mosrealizimin e saj fajtore janë edhe partitë e këtushme shqiptare që këtë marrëveshje e lexuan vetëm si konkurs publik për t’i punësuar partizanët partiakë, e jo si dokument bazat për ndërtimin e një demokracie konsensuale ndëretnike. Kështu që qysh në fillim, nuk shkuan as katër vite nga konflikti i 2001-shit, thuajse u zhbë komiteti i bashkësive etnike, që duhej të ishte njëfarë “Dhomë parlamentare” e etniteteve të këtushme, me të cilën u zbeh kjo marrëveshje aq saqë sekretari shqiptar i sekretariatit për implementim e saj pranë qeverisë së Maqedonisë, tani atë e sheh vetëm si vendim që përcakton postin e tij të përjetshëm të punës edhe si zëvendëskryeministër!
Dhe ja, sot shqiptarët e këtushëm ndihen të lodhur edhe duke parë këtë kufomë që me vite askush nuk e varros, duke e gënjyer popullin se ajo do të ringjallet një ditë. Njësoj siç ndihen të lodhur edhe nga angazhimi i epur i kryesuesve të BDI-së në ruajtjen e stabilitetit të shtetit e të rajonit, por duke i flijuar kërkesat shqiptare, duke e shtyrë realizimin e tyre për kohën kur Maqedonia do të anëtarësohet në NATO e BE. Dhe të përkushtuar që Maqedoninë ta anëtarësojnë në NATO e BE, politikanët shqiptarë nuk panë se ky vend rrëshqiste rrugës së gabuar dhe bëhej “Kore Veriore”, se shkonte drejtë asaj që shqiptarët e kishim jetuar me dekada në diktaturën njëpartiake, në kohët kur “nëna parti” ishte ajo që e dinte se çka i takon e sa duhet t’i jepet popullit. Partitë shqiptare pra, e pranuan mendësinë e partive maqedonase, me çka ua rikujtonin atyre dekadat e socializmit kur thuajse hapur u thuhej:: Ç’keni ju shqiptarët që nuk kënaqeni kurrë dhe gjithmonë ankoni për diçka, pse nuk e kuptoni se ne kujdesemi për të mirën tuaj! E shqiptarët e këtushëm edhe asokohe edhe tani, donin vetëm një gjë: që vetë ta përcaktojnë cila është e mira e tyre. Thjesht, edhe partitë e këtushme shqiptare donin që populli i tyre të mos mendojë fare, pasi kishim “nënën parti” që mendonte e vendoste për të mirën e popullit. Ndërkohë, shqiptarët e këtushëm shihnin se në këtë shtet, asgjë nuk mund të realizonin pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, pasi vetë përfaqësuesit politik shqiptarë silleshin si vëzhgues ndërkombëtarë, apo si anëtarë të forumeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që bënin regjistrimin e shqiptarëve të burgosur e të dhunuar dhe pastaj ato lista ua dorëzonin ndërkombëtarëve.
Thënë edhe më qartë, protestat e rinisë shqiptare në Maqedoni u përcjellin porosi të qartë të gjithë atyre që dine të lexojnë dhe që kanë vesh të dëgjojnë sy të shohin. E ajo porosi është: ne duam anëtarësim të vendit në NATO e BE, por jo ashtu që e sotmja jonë të shndërrohet në përmendore nëpërmjet të cilave rindërtohet e kaluarën e munguar e atyre që sot vetveten e quajnë maqedonas, ne duam të ecim rrugës euroatlantike, por jo me mendësinë leniniste të përfaqësuesve tanë politik që thonë se shohin çka na pret “përtej kodrave”, por nuk i shohin gropat para këmbëve, që ua gërryen Gruevski. Kjo rini u përcjellë edhe një porosi shumë të qartë edhe Tiranës e Prishtinës zyrtare. E ajo porosi telegrafisht ka këtë përmbajtje: ju na fajësoni se një prejse e jona është manipuluar, se ka rënë nënë ndikim të qarqeve që nuk kanë të bëjnë me shqiptarinë, por kurrë nuk e pyetët vetveten se çka betë ju që të na shpëtoni nga kthetrat e manipuluesve, a erdhët ndonjëherë t’i vizitoni lagjet e Gazi Babës e të Çairit të Shkup, ku jetojmë të getoizuar si palestinezët ne Rripin e Gazës? Pra ata pyesin Tiranën e Prishtinën zyrtare se a u intereson e mira e popullit, apo mirëqenia e shokëve të tyre – politikanë shqiptarë të këtushëm, që u shtrojnë ahengje të begata gjatë vizitave në Shkup e Tetovë, e të cilat ahengje i paguna ky popull i varfëruar, popull i cili qëmoti e ka kuptuar se sa më shumë ai varfërohet, aq më të pasur bëhen partiakët e tij. Dhe nëse kësaj radhe kjo rini nuk merr përgjigje të qartë edhe nga Tirana e Prishtina zyrtare, ajo do mund ato t’i bie në situate që të mos kenë të drejtë morale t’i gjykojnë veprimet e saj të mëtejme. Andaj, protesta e të rinjve shqiptarë në Maqedoni, në njëfarë mënyre do dëshmojnë edhe forcën e boshtit tone mbarëkombëtarë, do dëshmojnë sa e kemi kuptuar se politikës të dëmshme ndaj shqiptarëve të regjimit VMRO-BDI, duhet t’i kundërvihemi mbarëkombëtarisht. Dhe duhet t’i kundërvihemi kështu ngaqë edhe mbarëkombëtarisht e legjitimuam këtë regjim me heshtjen tone edhe atëherë kur duhej ngritur zërin lartë, si për shembull kur u botua “Enciklopedia” që fyente popullin shqiptarë, si dhe kur ndodhnin “Sopotët”, “Brodecat”, “Radushta”, “Monstrat”…, kur ndërmerreshin aksione policore, e Tirana e Prishtina zyrtare reagonin thuajse bëhej fjalë për sulmet izraelite në Gazë! Kjo rini pra përcjellë porosinë e qartë se sot fati i mëtejmë i Maqedonisë varet nga elitat e këtushme politike maqedonase, se shqiptarët dhanë thuajse të pamundurën, se ata investuan pritjen dhe durimin 24-vjeçar, që elitat maqedonase ta kuptonin se Maqedonia është projekt që më shumë qëndron mbi shtyllën shqiptare sesa mbi atë maqedonase. Dhe gjatë këtyre 24 viteve, kjo rini kurrë nuk morri përgjigje të qartë nga elitat maqedonase se a duan shtet që do e bashkëdrejtojnë dhe bashkësundojnë me shqiptarët. Ajo rini nuk morri përgjigje as nga përfaqësuesit e saj se si ata e paramendonin “Shqipërinë” në Maqedoni, edhe atë pasi që ishte mbajtur referendum për autonomi, edhe pas konfliktit të 2001-shit. Kjo rini i përcjell porosi shumë të qartë BDI-së shqiptare, kryesuesit e së cilës edhe sot premtojnë se nëpërmjet ndihmës së ekspertëve ndërkombëtarë, do zbardhet e vërteta lidhur me procesin gjyqësorë “Monsta”. Porosia që rinia shqiptare ia përcjellë BDI-së që është pjesë e regjimit të Gruevskit është në formë pyetjeje dhe ka këtë përmbajtje: Ç’na duhen këta përfaqësuesit tanë politikë, nëse Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut do të duhet të na mbrojnë nga padrejtësitë që na i bëjnë institucionet e shtetit!? Dhe ajo rini thotë: nëse edhe sot, ndërkombëtarët janë ata që i mbrojnë të drejtat tona, atëherë pse BDI-ja nuk kërkon ekspertë të huaj që do të zinin vendet ministrore që i takojnë kësaj partie dhe mos vallë funksionet shtetërore BDI-ja i ka kuptuar si mundësi për të punësuar më të dëgjueshmit e kryetarit të partisë!?