Europa: Shkëlqesia juaj, Italia mban në këto gjashtë muaj presidencën e rradhës së Bashkimit Evropian. Cilat janë prioritetet e vendit tuaj në përgjithësi gjatë këtyre gjashtë muajve?
Massimo Gaiani: Përparësitë e programit të presidencës tonë të Këshillit të Bashkimit Evropian mund të përmblidhen sikurse vijon: Rritje ekonomike dhe punësim; një hapësirë për liri dhe siguri, ushtrim i plotë i të drejtave qytetare dhe një rol më i fortë i Evropës në botë.
Presidenca italiane do të përpiqet ta vendosë rritjen dhe punësimin në qendër të politikave evropiane dhe të përcaktojë një kornizë ekonomike të aftë për të inkurajuar reforma strukturore brenda shteteve anëtare. Ekonomia e vërtetë, ‘’rilindja industriale’’, me fokus specifik tek SME-të, si edhe politikat energjetike dhe klimatike për vitin 2030 do të jenë në zemër të nismave të rritjes.
Një tjetër përparësi është minimizimi i hendekut të perceptuar të qytetarëve evropian ndërmjet tyre dhe institucioneve të BE-së. Presidenca jonë do të promovojë një rol më aktiv të BE-së në fusha ku iniciativa evropiane shton vlera, si mbrojtja e të drejtave themelore si edhe politikat e migrimit dhe azilit. Në këtë kontekst, presidenca Italiane ka për qëllim të zhvillojë një solidaritet të çiltër në nivel evropian dhe të promovojë politikën emigruese evropiane.
Italia do të përpiqet gjithashtu që politika e jashtme e BE-së të jetë e besueshme, koherente dhe e pajisur me mjetet e nevojshme për të adresuar sfidat globale dhe rajonale. Dhe, nëse shohim vendet fqinje, zgjerimi është një prioritet strategjik për Presidencën italiane. Ndaj, negociatat e anëtarësimit me Ballkanin Perëndimor do të inkurajohen dhe ne do të punojmë që t’i japim një imput të ri edhe negociatave me Turqinë.
Europa: Natyrisht, zgjerimi i BE-së dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është shumë i rëndësishëm për shqiptarët, dhe Italia ka qenë shumë përkrahëse. Si e shihni të ardhmen e procesit për Shqipërinë?
M.G: Dhënia e statusit kandidat Shqipërisë ishte një hap i rëndësishëm përpara për aspiratat evropiane të vendit. Sigurisht që vendi i Shqipërisë është brenda familjes evropiane, por rruga drejt anëtarësimit të plotë në BE nuk është e shtruar me lule dhe eksperienca ka treguar se sa më shumë afrohet një vend aq më e madhe është sasia e punës dhe sfidat me të cilat ai vend përballet në përthithjen dhe zbatimin e standardeve dhe vlerave evropiane. E ardhmja e procesit është mjaft e qartë: hapja e negociatave të anëtarësimit varet nga përmbushja e pesë përparësive kyçe. Puna dhe cilësia e reformave do të jenë thelbësore për të ardhmen. Lajmi i mirë është se procesi është në interes të vendit tuaj dhe është në dobi të qytetarëve.
Europa: Çfarë roli do të luajë Italia në procesin e integrimit të Shqipërisë?
M.G: Në të ardhmen Italia do të vijojë të luajë të njëjtin rol mbështetës që ka luajtur deri më tani: duke qenë një advokues i besueshëm i Shqipërisë në Evropë dhe partner që ndihmon, orienton dhe ndan eksperiencat për të lehtësuar proceset reformuese të ndërmarra nga vendi, sidomos në fushat e pesë përparësive kyçe.
Lufta kundër krimit të organizuar për shembull do të jetë thelbësore për arritjen e synimit të Shqipërisë për integrimin evropian dhe Italia ashtu sikurse Bashkimi Evropian, do të vijojnë ta asistojnë vendin në këtë fushë. Ne kemi një traditë të gjatë bashkëpunimi në këtë fushë që shkon pas në vitet 90’ kur Departamenti Italian i Sigurisë Publike filloi të jepte një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Policisë së Shtetit përmes trajnimit dhe ofrimit të pajisjeve dhe burimeve. Thelbësor është gjithashtu konsolidimi i kapaciteteve ligj zbatuese. Në këtë fushë vendi ynë ofron një kontribut të rëndësishëm duke udhëhequr programin evropian PAMECA, që ka për qëllim sjelljen e performancës së policisë shqiptare dhe gjyqësorit pranë standardeve evropiane.
Europa: Ministrja e jashtme italiane, Federica Mogherini, kohët e fundit vizitoi Tiranën si pjesë e një turneu rajonal. Çfarë zhvillimesh të reja kishte gjatë vizitës në Tiranë?
M.G: Vizita e ministres Mogherini në Ballkanin Perëndimor, një prej misioneve të para që kur Italia mori Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, konfirmon rëndësinë që Italia i kushton politikës së zgjerimit dhe mbështetjen tonë për integrimin evropian të të gjithë rajonit të Ballkanit. Gjatë vizitës së saj, Ministrja lajmëroi gjithashtu gatishmërinë tonë për të ndërmjetësuar dialogun ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, duke organizuar gjatë presidencës tonë një takim tre palësh në Romë. Një protokoll bashkëpunimi për periudhën 2014-2016 u nënshkrua, duke alokuar një shumë prej 81.7 milion euro në fusha të tilla si rritja e qëndrueshme, konkurrenca dhe përdorimi efikas i burimeve natyrore, investimeve tek burimet njerëzore, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit.
Europa: Si janë marrëdhëniet aktuale midis Shqipërisë dhe Italisë në nivel politik?
M.G: Në nivelin më të mirë të mundshëm! Gjatë vizitës së saj të fundit, ministrja Mogherini i përkufizoi marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona jo vetëm si miqësore por edhe vëllazërore. Në një periudhë prej nëntë muajsh Shqipëria ka pritur dy herë Ministren e Punëve të Jashtme. Ministrja e mëparshme Emma Bonino erdhi në tetor 2013 dhe disa ditë më parë Ministrja aktuale Federica Mogherini u takua në Tiranë me përfaqësues të të gjithë institucioneve shqiptare. Në mars 2014 Shqipëria u vizitua nga Presidenti i Republikës Italiane Giorgio Napolitano dhe në maj nga Presidenti i Senatit Italian Pietro Grasso, dy zyrtarët më të lartë të shtetit. Autoritetet tuaja vizituan gjithashtu Italinë dhe patën vizita me homologët e tyre. Kryeministri juaj u takua me Kryeministrin Letta dhe ministren e Punëve të Jashtme vitin e kaluar në Romë dhe pjesa më e madhe e ministrave tuaj kanë takuar homologët e tyre në Itali. Shpeshtësia e këtyre takimeve të nivelit të lartë bashkë me nënshkrimin në vitin 2010 të Deklaratës së Përbashkët mbi Partneritetin Strategjik konfirmon sa të ngushta dhe të mira janë marrëdhëniet tona dypalëshe.
Europa: Ekonomikisht, Italia është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë. Si e shihni këtë rol? Dhe a mund të bëhet më shumë për të rritur investimet, të cilat kanë rënë disi prapa niveleve të tregtisë?
M.G: Sikurse e thatë edhe ju Italia luan rol udhëheqës në Shqipëri. Shkëmbimet dypalëshe tregtare janë në nivele mjaft të larta dhe vitet e fundit kanë vijuar të shënojnë një trend pozitiv, duke arritur në afërsisht 2 miliard euro në vit, një shifër që është edhe më e konsiderueshme nëse krahasohet me të dhënat e popullsisë shqiptare, që është reth 3 milion. Sa i përket fushave kryesore të shkëmbimit, ato janë kryesisht makineri dhe pajisje, produkte ushqimore dhe bujqësore, materiale ndërtimi, tekstile dhe këpucë.
Unë besoj në zhvillimin e një tregu të integruar të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka një pozicion strategjik gjeografik dhe luan rol udhëheqës në këtë proces: është portë hyrëse në vendet e tjera të Ballkanit dhe ka një treg të madh për rajonin. Shqipëria ka përparuar në sektorin e infrastrukturës, duke përmirësuar në mënyrë domethënëse kushtet për lëvizjen e mallrave dhe vitet e fundit ka treguar rritje në eksport, duke kërkuar konsumatorë jashtë kufijve kombëtarë. Në lidhje me këtë e shoh bashkëpunimin ndërmjet kompanive italiane dhe shqiptare si mundësi për të ofruar produkte konkurruese për gjithë rajonin e Ballkanit.
Italia e ka mbështetur Shqipërinë në këtë rrugë përmes financimeve domethënëse në infrastrukturë, si ndërtimi i rrugëve dhe rrjeteve energjetike që lidhin Shqipërinë me Greqinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Në mënyrë që t’i shfrytëzojë plotësisht këto mundësi, do të jetë thelbësore përmirësimi i klimës së biznesit, reduktimi i barrës së burokracisë dhe forcimi i sundimit të ligjit.
Europa: Ekziston një komunitet shumë i madh emigrantesh shqiptarë në Itali; çfarë roli mendoni se luan komuniteti në marrëdhëniet midis dy vendeve?
M.G: Me më tepër se 500 000 njerëz që jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Itali, shqiptarët përfaqësojnë komunitetin e dytë më të madh në vendin tonë. Ata kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme për t’u integruar, duke ruajtur ndërkohë pasurinë e kulturës dhe traditave të tyre, që kanë themele të lashta në vendin tonë. Ne nuk duhet të harrojmë se ka gjithashtu fshatra historike të banuara nga shqiptarë në jug të Italisë. Dua të theksoj gjithashtu se një numër i konsiderueshëm i studentëve që zgjedhin të ndjekin universitetet italiane arrijnë rezultate të shkëlqyera dhe konsiderohen studentët më të mirë të huaj në Itali në terma absolutë.
Përgjatë viteve, emigrimi shqiptar ka patur kryesisht efekte pozitive si për Italinë ashtu edhe për Shqipërinë, duke krijuar një urë lidhëse ndërmjet të dy vendeve. Shqiptarët kanë dhënë një kontribut thelbësor për rritjen ekonomike italiane; në të njëjtën mënyrë shumë prej tyre kanë kontribuar dhe po vijojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë: në fillim përmes remitancave dhe kohët e fundit duke u kthyer në Shqipëri me eksperienca, ekspertizë dhe profesionalizëm në fushat mjekësore, ligjore dhe kulturore, të cilat i kanë përftuar në Itali.
Europa: Mijëra italianë – studentë, punëtorë dhe profesionistë jetojnë tashmë në Shqipëri. Ka shumë investitorë, dhe qeveria shqiptare kërkon edhe më shumë nga këta të fundit. Si e shihni ju këtë zhvillim?
M.G: Mendoj se është shumë pozitive. Besoj se ka ende potencial për rritjen e investimeve italiane sa i përket fushave tradicionale të bashkëpunimit ekonomik dypalësh, veçanërisht në sektorët bujqësore dhe të industrisë përpunuese, veçanërisht në fasoneri, në të cilën kompanitë tona mund të rrisin ekspertizën.
Për më tepër, sikurse e theksuat edhe ju, qeveria shqiptare ka identifikuar disa sektorë prioritarë të cilët i konsideroj si fusha bashkëpunimi në rritje për të dy vendet. Nëse rregullohen mirë, ato do të përfaqësojnë pa dyshim faktorë udhëheqës për zhvillimin e Shqipërisë në vitet në vijim. Po i referohem për shembull turizmit, veçanërisht atij bregdetar, që ka potencial të madh duke patur parasysh bukurinë e bregdetit shqiptar.
Sektorët që përmenda ishin fokusi i një aktiviteti të madh – ‘’Java Italiane në Shqipëri’’ – organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë në maj, me synim prezantimin e mundësive të investimit në vend për rreth 200 kompani nga Italia. Ky është një sinjal i mirë për interesin në rritje të investitorëve tanë kundrejt Shqipërisë. Qeveria shqiptare dhe ajo italiane po punojnë për të krijuar kushtet që ta kthejnë këtë interes në investime konkrete.