Jean-Paul Sartre: Nëse i shohim librat tuaj nga fillimi në fund, vëmë re se ju keni stile të ndryshme, sepse ju bëni ese, Kujtime, romane… Dhe veç kësaj, vëmë re se ju keni stile që ftillohen në udhë e sipër, nga fillimi deri në fund. A mund të më thoni, çfarë kuptoni ju me stil? Si punoni ju për t’iu dhënë një stil veprave tuaja?
Simone de Beauvoir: Siç e thatë dhe ju, kjo varet sipas gjinisë së shkrimit. Kur shkruaja «Gjinia e dytë», që është e vetmja ese e rëndësishme e imja, nuk bëhesha aq merak për mënyrën si ishte shkruar, përveç në disa pasazhe ku zbavitesha për të bërë diçka që do të mund ta quanim copëza të vogla trimërie – për shembull, mbi shtëpiaken –, por fundja, në tërësi, kishte gjëra për t’u thënë, dhe ato duheshin thënë qoftë dhe në një mënyrë disi të vështirë, që mbase nuk mund të kapet nga të gjithë, duke përdorur fjalor filozofik. Mbi të gjitha kërkoja saktësinë e mendimit teorik. Sigurisht, kur shkruaj një roman, është krejt ndryshe sepse më duhet t’iu jap jetë ca qenieve imagjinare; dhe për këtë, duhet që vetë gjuha të shërbejë si mish dhe kockë për këto personazhe.
Jean-Paul Sartre: «Gjinia e dytë» është pak e çuditshme si vepër – dhe këtu nuk do të flas në rrafshin e ideve, sepse këtë do ta bëni me të tjerë –, por ajo që të bie në sy është që ju e keni filluar atë si një studim të kushtit njerëzor pa pasur ide të paramenduara, pa shmangur asgjë a priori; ju donit të dinit çfarë ishit vetë: grua, me mjaft gjasë; gjithashtu, donit të dinit çfarë ishte një grua për ju, sepse ju mendonit tashmë të shkruani Kujtimet tuaja, apo jo?
Simone de Beauvoir: Pikërisht. Kur kam filluar të shkruaj, mbase doja të shkruaja një ese mbi veten time, jo saktësisht Kujtime; dhe këtu kam kuptuar se fillimisht duhet ta vendosja veten si grua, që të kuptoja se çfarë do të thoshte të jesh një grua… në sytë e të tjerëve. Kjo është arsyeja që kam filluar të flas për mitet e gruas tek burrat, dhe tek ca shkrimtarë të tjerë. Pastaj kam menduar se duhej thelluar realiteti, domethënë fiziologjia e historisë dhe në fund të studiohej zhvillimi i kushtit femëror.
Jean-Paul Sartre: Eshtë e habitshme që ju e keni filluar librin si një grua jo feministe, dhe pastaj jeni bërë e tillë në shkrim e sipër, i keni parë armiqtë tuaj, i keni goditur dhe keni përcaktuar qartë se çfarë do të thotë të jesh një grua.
Simone de Beauvoir: Feminizmi i ri, siç quhet kështu, ka filluar në Francë rreth vitit 1970, kur disa gra e kanë kuptuar se nuk mjaftonte të luftosh përkrah burrave për një botë më të mirë, porse duhej që gratë të luftonin bashkërisht kundër shtypjes së tyre; se kjo shtypje nuk ishte aspak një dukuri dytësore siç pretendohej, e varur nga lufta e klasave, por një dukuri madhore që duhej trajtuar më vete. Atëherë kam qenë plotësisht e tërhequr nga këto gra të reja që ishin në krye të kësaj lëvizje të re; veprimi im i parë ka qenë që të nënshkruaj bashkë me to atë çfarë është quajtur «manifesti i 343 buçeve», domethënë që ne ishim 343 gra që shpallnim hapur se kishim abortuar, çka kjo ishte dhe fillesa e një fushate për lirinë e abortit; «Gjinia e dytë» ka qenë pritur shumë mirë nga një numër i madh grash, por ka pasur reagime burrash që më kanë lënë gojëhapur.
Jean-Paul Sartre: Pa më thoni, çfarë do të thotë të ndihesh në jetë një zonjë e letrave?
Simone de Beauvoir: Një zonjë e letrave, një shprehje e çuditshme kjo… Nuk di nëse ka një dallim të madh ndërmjet faktit që të jesh një grua apo një burrë në këtë rast, por di që sot gratë përpiqen të gjejnë atë çfarë ato e quajnë një gjuhë e veçantë femërore; për mua, nuk ka qenë kështu. Për shembull, kam qenë ndikuar sa nga Hemingway aq dhe nga Kolet. Por megjithatë, njerëzit nuk duan ta pranojnë se një shkrimtare është pikësëpari një shkrimtare që ia ka kushtuar jetën e vet shkrimit, dhe që nuk iu ka lënë vend punëve të tjera femërore; për shembull, më kanë qortuar shpesh se nuk kam bërë fëmijë, ndërkohë që askush ska menduar t’ju qortojë juve për të njëjtin problem, sepse njerëzit mendojnë se një shkrimtare është pikësëpari një grua që zbavitet duke shkruar, gjë që nuk është aspak e vërtetë sepse e tërë jeta ime është e strukturuar nga shkrimi dhe mbi shkrimin.
Përktheu: Urim Nerguti