Universiteti, koha për të ndryshuar

0

TONIN GJURAJ

Reforma aktuale e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri përcakton qartë se arsimi i lartë është dhe mbetet shërbim publik, pavarësisht pranisë në vend,deri tani, të të dy sektorëve, atij shtetëror dhe privat. Kjo reformë ka qenë, së fundi, një prej çështjeve më të debatueshme midis individëve dhe grupeve të interestit, agjencive të ndryshme shtetërore dhe joshtetërore, aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm poltikë, IAL-ve të qendrës apo të periferisë, akademikëve, intelektualëve, kërkuesve, etj.. Përtej këndvështrimeve të ndryshme, pluralitetit të ideve, moskuptimeve apo keqkuptimeve të draftit të parë dhe më tej të raportit përfundimtar, reformambështetet, të paktën,në katër parime themelore:

Së pari, ajo priret të “bind” shoqërinë shqiptare, familjet shqiptare, studentët dhe grupet e ndryshme të interesit se “edukimi kushton”. Arsimi i lartë nuk mund të mbulohet dhe mbështetet më tej tërësisht prej shtetit, më konkretisht prej buxhetit të shtetit, por tani e tutje lipset edhe kontributi i aktorëve të tjerë dhe mobilizimi i burimeve të tjera financiare: bizneseve, pushteteve lokale, donacione të ndryshme, alumni, si dhe vetë familjeve shqiptare. Duhet pranuar hapurdhe pa asnjë ekuivok pamundësia e shtetit për të financuar dhe mbështetur arsimin e lartë, në atë shkallë që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore. Buxheti i shtetit ka në dispozicion aktualisht rreth 40 milionë EURO për 140 000 studentë në unversitetet shtetërore, me një shtesë rreth 20 milionë EURO nga të ardhurat dytësore që ata sigruojnë. Nga ana tjetër, sektori privat i arsimit të lartë ka rreth 22 000 mijë studentë, me rreth 20 – 25 milionë EURO. Me këtë buxhet sektori shtetëror siguron vetëm 300 EURO për student, kurse ai privat 1000 – 1500 EURO për student, ndërkohë që vendet më modeste të BE-së, për shembull, Rumania dhe Bullgaria financojnë rreth 2700-2900 EURO për student, pa përmendur këtu Francën dhe Britaninë e Madhe që shkojnë deri në 10 000 – 11 500 EURO për student, Zvicra 15 700 EURO, Suedia 15 210 EURO, kurse SHB-të 22 000 EURO. Pas vitit 1992, në Shqipëri, buxheti për arsimin, me ndonjë përjashtim, nuk ka qenë kurrë më i lartë se 3% e PBB-së, më konkretisht midis 2.2 – 2.8% të PBB-së, ose 10-15% të shpenzimeve totale të buxhetit. Brenda këtyre shifrave, vetëm për arsimin e lartë, Shqipëria nuk jep më shumë se 0.4 – 0.6% të PBB-së, si një përqindje e përbashket për të dy sektorët, ndërkaq vendet e OECD-së japin midis 1.5 – 3% të PBB-së. Duke iu referuar këtyre shifrave, Shqipëria shpenzon sot 500 – 600 EURO për student, ndërkohë që nevojiten të paktën 3 – 4 herë më shumë për t’u barazuar më Rumaninë dhe Bullgarinë. Me fjalë të tjera, Shqipëria duhet të synojë të paktën 1500 – 2000 EURO për student, gjë që për buxhetin e shtetit është praktikisht e pamundur dhe e papërballueshme, të paktën edhe për një dekadë. Kështu që, reforma parashikon një financim ndryshe të arsimit të lartënëShqipëri, duke kërkuar, lejuar dhe siguruar një diversifikim të burimeve të financimit të këtij sistemi.

Së dyti, reforma synon të sigurojë fonde publike konkurruese, ku bëhet më e qartë, se buxheti/paraja shkon tek studenti dhe jo tek institucioni, si dhe i hap rrugë core grant-eve të ndryshme. Po ashtu, ajo nxit konkurrencën për programe që kanë treg dhe garanton, përveç kësaj, ruajtjen dhe funksionimin normal të atyre programeve dhe/ose profileve me interes kombëtar dhe pa treg, bachelor-in profesional, studentët e talentuar, ekselencat, studentët e varfër, me bursa të pjesshme ose të plota. Nga ana tjetër, reforma u krijon mundësinë universiteteve private të kthehen në organizma jofitimprurëse, legalisht të pavarura dhe pjesë e sektorit publik.Kthimi i universiteteve private në fondacione apo në statusin e një OJF-je nënkupton “institucione pa fitim”, por me liri maksimale për t’u administruar dhe zgjedhjen e bordeve drejtuese, me formulë të mirëpërcaktuar. Kthimi i universiteteve shtetërore (siç janë aktualisht) në publike, nënkupon një status të pavarur të tyre, një “rilindje” apo “rithemelim” të tyre, duke fituar kështu autonomi reale universitare, jo në letër si deri tani, vetëmanaxhim, lirinë për të përcaktuar “çmimin e studimeve” dhe “çmimin për program studimi”, numrin e stafit mësimdhënës, motivimet dhe shpërblimet, strukturat administrative, pagat e lektorëve, investimet, etj..

Së treti, reforma vendos devizën “një kut, një masë”, për të dy sektorët e arsimit të lartë, atë shtetëror dhe privat. Pra, parimi i standardeve të cilësisë, zbatimi dhe kontrolli/monitorimi detyrohen “për të gjithë”.Universitetet kthehen në ente të pavarura publike, si organizma profesionale dhe jo organizata pushteti, si dhe me një etikë të lartë funksionimi. Universiteti privat humbet fitimin, por fiton konkurrencën, kurse ai shtetëror fiton vetëmanaxhimin, por duhet të pranojë konkurrencën. Shteti/qeveria garanton realizimin e standardeve në arsimin e lartë nëpërmjet kryerjes së rregullt të procesit të akreditimit dhe rankimit të universiteteve, mundësisht me kompani apo agjenci të njohura dhe të specializuara ndërkombëtare, duke shpallur çdo vit në mënyrë transparente gjendjen e tyre para familjeve dhe publikut shqiptar.Kjo ndihmon këta të fundit të zgjedhin për fëmijët e tyre IAL-në që dëshirojnë, pa kuota të orientuara për programe të caktuara dhe për universitete të veçanta.Ky proces nxit konkurrencën midis IAL-ve dhe kjo më pas çon drejt sigurimit të cilësisë. Studentët pajisen me dije të profesioneve të së tashmes dhe së nesërmes dhe inkurajon prodhimin e ekselencvea në shumë fusha, por mbi të gjitha, në pjesëmarrjen aktive në jetën komunitare e publike. Universiteti i dekadës tjetër, bazuar në reformën e propozuar, synon, jo vetëm të merren/fitohen dijet e profesionit, por edhe fryma e debatit mbi dijen, fleksibiliteti për t’u dhënë zgjidhje problemeve të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike, duke përqafuar qasjen analitike dhe duke bërë analizë kritike të atyre problemeve, si dhe pjekurinë për të gjykuar. Universiteti i ri synon të sigurojë dije dhe profesion, studime postdiplomike në universitetite prestigjioze të huaja, përfshirje në jetën akademike të kërkuesve të mirëfilltë,si dhe kontribute të tjera në shoqëri, përmes angazhimeve të ndryshme.

Së katërti, reforma e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor vendos standarde minimale për të gjithë, që do të thotë një numër të caktuar lektorësh për studentë, m2/hapësirë të caktuar për çdo IAL, mbi bazën e numrit të studentëve, stafe administrative dhe mbështetëse, facilitete të tjera dhe një çmim të përllogaritur për student, të përafërta me standardet më bashkëkohore. Është jetike që IAL-të në Shqipëri të mbështesin reformën për arsimin e lartë dhe shkencën dhe t’i përshtaten asaj, sipas traditës, specifikave, programeve dhe profileve që ata ofrojnë, kapaciteteve fizike dhe burimeve njerëzore që disponojnë, me qëllim që të rriten, të pranojnë dhe të përballojnë konkurrencën, për t’u krahasuar me praktikat më të mira evropiane dhe botërore. Reforma synon sigurimin e cilësisë dhe rritjen e saj, duke zbatuar rigorozisht parimin, për të dy sektorët, atë shtetëror dhe privat: “një kut, një masë”.
Modeli ku frymëzohet reforma është ai britanik dhe këtë duhet ta themi me zë të lartë, pa hezitim, pasi, mbështetur në këtë model, kemi të bëjmë më garantimin e një mirëqeverisjeje të universiteteve shqiptare, me pavarësi të gjerë financiare, administrimi dhe rekrutimi, i cili lejon zhvillimin e kompetencave personale dhe profesionale, përmbush potencialet e veta, dhe është vetëpërforcues, avancon më tej dijen përmes kërkimit dhe erudicionit, vihet në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe i përgjigjet tregut.Është koha të përshtatemi me një botë që me shpejtësi po tejkalon çdo kufi të imagjinueshëm, me nje ekonomi që po kalon kriza të njëpasnjëshme e me një strukturë në dinamizëm të përhershëm, me një shoqëri që po evoluon çdo ditë. Kjo kërkon vendosmëri në shërbim të studentit, në shërbim të shoqërisë shqiptare, në shërbim të prindërve që na besojnë fëmijët e tyre, në shërbim të partnerëve ndërkombëtar, që ndajnë me ne projekte të përbashkëta dhe vizione integruese, apo të gjithë atyre që ndajnë me ne të ide a debate të diverse për shoqërinë.

SHPËRNDAJE