Një kambanë alarmi për Europën

2

Në mars, kur Barak Obama vizitoi Hagën dhe i bëri thirrje Evropës ta trajtonte ndërhyrjen ruse në Ukrainë si një kërcënim ndaj rendit ndërkombëtar, ai mori në këmbim një përgjigje mëse skeptike. Si pjesa dërrmuese e Evropës, Holanda iu bashkua si për inerci përpjekjeve për të vendosur sanksione ndëshkuese mbi Moskën dhe mes publikut holandez mbizotëronte prirja për ta trajtuar konfliktin ukrainas si një përplasje etnolinguistike ose si një shtendosje muskujsh mes rusëve dhe amerikanëve.

“Rendi ndërkombëtar” është diçka e vështirë për t’u përfytyruar në sferën politike holandeze dhe kishte pak mbështetje për të ndërmarrë hapa serioze në ndëshkimin e Rusisë për dhunimin e sovranitetit të Ukrainës, sidomos nëse këto hapa do t’u kushtonin kompanive holandeze një mal me para. Pra bëhej fjalë për një përpjekje në ngjitje për të bindur qytetarët e një vendi të pasur dhe të sigurt në zemër të Evropës Perëndimore se siguria e tyre po kërcënohej nga telashet në periferi të Evropës dhe se ishte detyra e tyre t’i rezistonin avancës së Vladimir Putinit dhe hibridit të tij të çuditshëm prej nacionalizmi autoritarian dhe pushteti mafioz.

Askush nuk mund të imagjinonte në atë kohë se aventurizmi rus në periferi të Evropës do të shndërrohej në diçka të përafërt me tmerrin e javës së shkuar. Pasagjerët e avionit të rrëzuar mbi Ukrainë mund të kishin qenë qytetarë të çdo vendi tjetër të botës. Por siç e deshi fati, ata qenë qytetarë holandezë dhe kjo e vendosi Holandën në një pozitë aspak të rehatshme. Në ditët që pasuan rrëzimin e avionit, retorika që rrodhi nga Uashingtonin, Londra dhe Kanberra u karakterizua nga vendosmëria dhe zemërata, ndërkohë që retorika e Hagës është karakterizuar nga një vetëpërmbajtje diplomatike. Z. Obama, i cili i bëri thirrje Rusisë “të distancohej” nga rebelët, e sheh pa dyshim krizën e MH17-ës si një mundësi për t’i dhënë fund një herë e mirë ndërhyrjes në Ukrainë. Mark Rutte, kryeministri holandez,është përqendruar kryesisht mbi nevojën për të kryer një hetim të pavarur mbi rrëzimin e avionit, për të tërhequr trupat e viktimave dhe për të garantuar ndëshkimin e “autorëve të krimit”, megjithëse emrat e këtyre të fundit i la pa i përmendur.

Këto përgjigje mëse të ndryshme pasqyrojnë pjesërisht interesat tregtare të Holandës në Rusi, të tilla si investimet gjigante të kompanisë Shell në fushat e naftës në Siberi, siç edhe raporton Thomas Erdbrink për New York Times. Holanda është gjithashtu një nga vendet kryesore në botë për kompanitë fantazmë ose mbulesë, të krijuara enkas për shmangien e taksave, një fakt që rusët e kanë shfrytëzuar pa kursim. Siç raporton faqja investigative Follow The Money në internet, një faqe me autorësi holandeze, këto kompani zotërimesh të rusëve, të regjistruara në Holandë, e kanë kthyer këtë të fundit, të paktën në letër, në investitorin e dytë më të madh në Rusi ndër vendet e botës. Një tjetër faqe holandeze në internet vë në dukje se Rostec, konglomerati rus i mbrojtjes, i cili ka shumë mundësi të ketë prodhuar raketën që rrezoi avionin MH17, zotëron një sërë kompanish fantazma me qendër në Amsterdam. Qëndrimet e politikës holandeze janë përshkruar si një luhatje e vazhdueshme mes de dominee en de koopman, ose mes “predikuesit dhe tregtarit”: ka raste kur Holanda përvetëson një ton moralist kundrejt pjesës tjetër të botës, ndërkohë që në raste tjera interesat e saj janë qartësisht tregtare. Të paktën për dhjetëvjeçarin e fundit, mund të thuhet se tregtarët kanë mbizotëruar skenën.

Por reagimet e ndryshme pasqyrojnë gjithashtu qëndrimet e ndryshme instinktive të dy vendeve në fjalë kundrejt agresionit ndërkombëtar. Holanda, një vend i vogël dhe i kapur në mes të fuqive më të mëdha evropiane, ka mësuar të jetë më pajtuese dhe diplomatike. Amerika, një superfuqi me kufij miqësorë, e sheh veten si një mbrojtëse globale e demokracisë liberale dhe një garantuese e rendit botëror. Amerika nuk heziton asnjëherë t’i kthejë konfliktet ndërkombëtare në kryqëzata morale dhe t’i shfrytëzojë këto kryqëzata për përfitime politike dhe një pushtet më të madh gjeopolitik. Dhe, pavarësisht të metave të shumta, fakti mbetet se Amerika është ende një mbrojtëse e demokracisë liberale dhe një garantuese e rendit ndërkombëtar. Askush tjetër nuk është gati të marrë përsipër këtë përgjegjësi.

Këto qëndrime të ndryshme kundrejt krizave ndërkombëtare të bëjnë edhe më përshtypje pjesërisht sepse, në drejtime të tjera, Amerika dhe Holanda ndajnë një numër të madh vlerash. Të dy vendet janë të dedikuara për sa i përket lirisë së besimit, demokracisë liberale, shtetit të të drejtës, sipërmarrjes së lirë, pjesëmarrjes së fuqishme të shoqërisë civile, drejtësisë ekonomike, barazisë shumetnike dhe rendit ndërkombëtar të qeverisur nga rregullat. Këto tingëllojnë si dërdëllitjet lajkatuese që presim t’i dëgjojmë në fjalimin e një ambasadori, por në rastin e Holandës kjo është mëse e vërtetë. Holanda, si Amerika, është një vend i ndërtuar mbi një sërë idealesh liberale të Iluminizmit.

E thënë ndryshe, Holanda dhe Amerika janë pjesë e bërthamës të asaj që dikur e quanim “Perëndim” ose “bota e lirë”, e cila shtrihej nga Japonia dhe Tajvani e deri tek një vijë e kontestuar ashpër diku në Evropën Lindore. Argumenti që Amerika është përpjekur të ndërtojë, qëkurse Rusia aneksoi Krimenë në shkurt, është se kriza ukrainase është një test nëse ky komunitet global,me shtete demokratike të qeverisura nga rregullat, është i gatshëm të mbroje kufijtë e tij. Në fillim, duket se përgjigjja ka qenë jo. Olaf Koens, një korrespondent që mbulon Rusinë për gazetën holandeze Volkskrant, është shprehur se:
“Pretenduam sikur asgjë e rëndësishme po ndodhte në Rusi, një kryevepër kjo e politikës së strucit për sa i përket botës jashtë kufijve tanë. Për aq kohë sa të ruajmë pamjen në dukje, të vazhdojmë biznesin si zakonisht, të shijojmë shitjet në rritje, të pranojmë anijet të ankorohen në portin e Roterdamit dhe të lejojmë regjimet kriminale të përdorin parajsat taksore që kemi ndërtuar, gjithçka do të shkojë mirë.”

Kur MH17-a u qellua dhe u rrëzua, shkruan z. Koens, papritur ky konflikt, në pamje të parë i largët, “na erdhi në shtëpi”. Për shumë holandezë, ngjarja ka qenë si një kambanë zgjimi, jo dhe aq e ndryshme nga sulmet e 11 shtatorit për Amerikën. Por ajo që do të ndodhë tani është mëse e ndërlikuar. Përvojat traumatike të Amerikës me terrorizmin në vitin 2001 i dhanë jetë ndërhyrjes dhjetë vjeçare në Lindjen e Mesme, e cila në fund doli të ishte një zgjidhje sa e gabuar, aq edhe zhgënjyese; në fakt, kjo përvojë ka zhdukur oreksin për përpjekje të mëtejshme për ndërtimin e demokracisë gjetkë. Ndaj lind pyetja se cila duhet të jetë përgjigjja ndaj situatës në Ukrainë. Ku qëndron ndryshim në këtë krizë?

Do të argumentojë se ndryshimi qëndron në faktin që Ukraine është në Evropë. Ndryshimi qëndron në faktin se me qindra mijëra ukrainas, të mbështetur nga pjesa dërrmuese e popullsisë, dolën rrugëve dhe u bënë ballë plumbave për të kërkuar që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Ukraina është ndryshe sepse dy muaj më parë ukrainasit zgjodhën me një rezultat domethënës një president të ri, i cili po kërkon hapur ndihmën e Perëndimit për të mbrojtur vendin e tij. Ukraina është ndryshe sepse nuk është e nevojshme që Perëndimi ta ndërtojë atë nga e para: sado i dyshimtë mund të ketë qenë gjashtë muaj më parë statusi i vendit si një shtet-komb i vërtetë dhe koherent, tashmë ai është bashkuar nën trysninë e luftës. (“Shtetet prodhojnë luftë dhe lufta prodhon shtete,” ka thënë Charles Tilly.) Ukraina është ndryshe sepse ajo është vija e parë e mbrojtjes kundër qasjes korruptuese dhe postmoderne të z. Putin ndaj manipulimit ndërkombëtar nga ana e një shteti mafioz.

Gjatë ditëve të fundit, qëndrimi holandez kundrejt Rusisë është ashpërsuar gjithnjë e më shumë. Me trupat e viktimave holandeze që po kthehen në shtëpi në një ditë zie kombëtare, një numër gjithnjë e më i madh holandezësh po kërkon sanksione kundër regjimit të z. Putin, edhe nëse kjo politikë do të dëmtonte ekonominë holandeze. Këtu kemi të bëjmë me atë lloj altruizmi ndëshkues, të cilin amerikanët e kanë kthyer në traditë, të paktën që nga lufta e parë botërore. Edhe pse kjo qasje shpeshherë jep rezultate të kundërta, ajo është gjithsesi një element i nevojshëm për të ndërtuar dhe zbatuar atë rend ndërkombëtar të qeverisur nga rregullat, që z. Obama e përmendi vetëm pak muaj më parë në mars. Ai ishte një fjalim i mirë. “Jetojmë në një botë ku idealet tona do të sfidohen pa reshtur nga forca që kërkojnë të na zhysin përsëri në konflikt ose korrupsion,” tha z. Obama.

“Ne nuk mund të rrimë dhe të presim që të tjerët të ngrihen dhe të përballen me këto sfida. Politikat e qeverisë suaj, parimet e Bashkimit Evropian, do të bëjnë dallimin domethënës nëse rendi ndërkombëtar, që shumë gjenerata përpara jush janë orvatur ta krijojnë, do të vazhdojë përpara apo do të zmbrapset.”

Kur ukrainasit u derdhën rrugëve vitin që shkoi dhe rrëzuan nga pushteti presidentin e tyre të korruptuar, ja se çfarë kërkonin ata: të jetonin në “një vend normal”, në një demokraci të qeverisur nga ligji, e cila të bënte pjesë në këtë rend ndërkombëtar. Në atë kohë, shumë holandezë dhe amerikanë nuk e kuptuan pse duhej të sakrifikonin për t’i ndihmuar. Sot, ndoshta, e kuptojnë.

(Mirënjohje The Economist)

SHPËRNDAJE