VIRGJIL MUCI
Kohët e fundit është botuar në Prishtinë nga shtëpia botuese “Koha” libri i Veton Surroit me titullin metaforik “Këmbët e gjarprit” dhe nëntitullin intrigues ‘Shënime heretike’. Si titulli ashtu edhe nëntitulli mbështjellin me një tis të mistershëm përmbajtjen e lëndës, çka davaritet sakaq kur nis e lexon dhe, dora-dorës, hyn në brendësi të librit. Narrativa e autorit zhvendoset në disa regjistra: nga kujtimet vetjake (Rambujeja, bombardimet e NATO-s, takime e biseda me personazhe të ndryshëm, , të gjallë e të vdekur, të huaj e kosovarë), te karakteri eseistik i rrëfimit, analiza politike, sociale dhe ekonomike e vendit, për të mbërritur, diku aty nga fundi, në krijimin e një paraleleje fikcionale, futuristike, e cila parathotë të ardhmen e dy adoleshentëve: një kosovari dhe bashkëmoshatarit të tij serb; një risi kjo, për hir të së vërtetës, në teknikën e narrativës eseistike të letrave shqipe, e cila, edhe pse ngjan një herezi letrare (një tjetër herezi surroiane), ndërthurret këndshëm dhe i rri krejt pas shtatit materies eseistike.
Në një vend ku fjala ka pësuar inflacionin më të madh, ku shoqëria përjeton orgazmën e pushtetit të radhës, ku media i ofrohet blerësit më të parë, vigjëlojnë sovrane tabutë, të shenjtat e të paprekshmet tabu: tabutë historike, tabutë letrare, tabutë morale and last but not least tabutë e politikës. Edhe pse, këqyrur hollë-hollë, tabutë tona, të gjitha tabutë tona, fund e krye, janë thjesht e vetëm monedha kallpe që nuk shërbejnë për gjësend në tregun global të ideve, vlerave, madje edhe të ekzistencës së përditshme, prapëseprapë sakën se guxon dhe i prek. Paskëtaj shoqëria e prirë nga mendësia kolektiviste, një atavizëm i utopisë komuniste, rend të të mbërthejë në shtyllën e turpit mediatik – autodafetë e periudhës sonë postmoderne – për të treguar faqe botës zellin e ndëshkimit të heretikut. Le ta themi qysh në krye, Veton Surroi është një detraktor i mitit dhe i mitologjisë, i shenjtërisë së rreme që shfrytëzohet nga rufianët e politikës për të nderuar breroren e paprekshmërisë dhe të përjetësisë, duke qenë se kombi lypset t’u jetë mirënjohës në jetë të jetëve heronjve, dje të luftës, sot të integrimit europian. Ja pra, si shkon e mbartet miti nga e kaluara në të sotmen për t’u shtrirë në të ardhmen me kahe të pakthyeshme drejt përjetësisë. Pa e çarë kryet se do ta anatemojnë e kryqëzojnë, Veton Surroi shkon dhe e vë gishtin drejt e në plagë, duke ngritur një aradhë pyetjesh që shumëkush mund t’i ketë bërë me vete, por s’ka guxuar t’i shtrojë me zë të lartë: A ka ekzistuar UÇK-ja? Pse është hero, dhe i lavdishëm Adem Jashari? Për ku është nisur e po shkon Kosova? e të tjera, e të tjera si këto.
Ndoshta shumëkujt mund t’i duket sikur e ekzagjerojmë me këto radhë, por unë mendoj që jo. Mitet e Kosovës janë edhe mitet tona, ndaj këto shënime heretike të Surroit janë edhe për ne. Madje janë më shumë për ne që shpesh, e duke u karfosur, kur vjen puna te Kosova s’lëmë rast pa marrë poza paternaliste e shfaqur sheshit rolin e vëllait të madh, edhe atëherë kur nuk na e kërkon kurrkush.