“Qëndro më the dhe unë qëndrova”

0

AGNESE PURGATORIO

“Qëndro më the dhe unë qëndrova”. Nën këtë titull, artistja bashkëkohore italiane, Agnese Purgatorio po prezanton punët e saj në një ekspozitë personale në Tiranë e hapur me rastin e Presidencës italiane të Bashkimit Evropian.

Në ekspozitën në mjediset e Institutit Italian të Kulturës shfaqen 12 vepra dhe një video instalacion, pjesë e tri serive të ndryshme të realizuara nga artistja që prej vitit 2007.
Në fotomontazhin dixhital të serisë së parë, Agnese Purgatorio zëvendëson fytyrën e disa emigrantëve, të fotografuar direkt në anijet që i transportuan ata në portet jugore të Adriatikut, me ato të personaliteteve të njohura në fushën e artit, muzikës dhe kulturës, të zgjedhur për vendndodhjen e tyre metaforike të klandestinitetit kundrejt gjuhëve të kohës së tyre: nga Patti Smith te Joseph Beuys, nga Pasolini te Alda Merini. Pamja fotografike pëson kështu një ndryshim thelbësor që, edhe duke mos ndryshuar pamjen e saj në shikim të parë, rimodulon vazhdimisht kuptimin. Ajo ç’ka rrjedh është një përzierje e identitetit dhe një pikëpyetje mbi rolin e “profetit kulturor”. Në seritë më të reja, nuk ndryshon strategjia themelore e artistit, edhe pse turma e emigrantëve në këtë rast është më e madhe, gjithnjë më shtypëse, në det, e shoqëruar me tekste dhe shenja të artistëve të mëdhenj, thonë organizatorët e ekspozitës.

Ekspozita e Agnese Purgatorio është e para që organizohet si pjesë e projektit “Kufijtë: gjuhë, hapësirë, objekte, njerëz” i cili do të udhëtojë edhe në Këln, Strasburg, dhe Zagreb.
Brenda këtij programi të rëndësishëm artistik dhe kulturor renditet ekspozita personale, e tipit antologjik, e Agnese Purgatorio.

Artistja, e cila prej vitesh punon mbi temën e mërgimit dhe klandestinitetit, duke u përballur në mënyrë sistematike me idenë reale dhe metaforike të kufirit si rrugë e shënuar nga historia në trupin e gjallë të gjeografisë, është veçanërisht e përshtatshme të kthejë përmes veprave të saj idenë dhe temën e projektit.

SHPËRNDAJE