Tonino Picula
Kroacia po feston përvjetorin e saj të parë të anëtarësimit në BE në një vit që na sjell kujtime historike. Këtë qershor kremtuam njëqindvjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, por ka edhe data të tjera ‘të plota’ të shënuara, si 75 vjetori i shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, 64 vjetori i Deklaratës së Shumanit, 25 vjetori i rënies së Murit të Berlinit dhe dhjetë vjet nga ‘goditja e madhe’ e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Thjesht sa për kujtesë, Kroacia ishte vendi i parë që kishte aplikuar për anëtarësim në shekullin e njëzet e një. Asnjë vend nuk kishte aplikuar përpara për anëtarësim në BE, pasi hyri në fuqi monedha e vetme, me një zgjerim të pashembullt me 27 anëtarë dhe më pas zhvilloi bisedime me një BE të trazuar nga probleme serioze në eurozonë dhe nga trazirat politike në gjithë fqinjët e tij.
Njëzet e një vjet pas njohjes ndërkombëtare, trembëdhjetë vjet pasi ishin vendosur lidhjet institucionale me Bashkimin Europian dhe gati tetë vjet që kur kishin filluar bisedimet, Kroacia i është afruar qëllimit të saj themelor. Anëtarësimi në BE ishte një qëllim përtej përkatësisë thjesht politike. Ai ishte dhe është ende një sipërmarrje shumëplanëshe, jo vetë nga qeveritë, parlamenti ao degët e tjera të pushtetit, por edhe i komunitetit të biznesit, shoqërisë civile, sindikatave, OJQ-ve dhe një numri individësh.
Më lejoni të them se pavarësisht nga gjithë debatet dhe përplasjet midis shumicës qeverisëse dhe opozitës në Kroaci, ne kishim krijuar që në fillim një aleancë të patundur, të quajtur Bashkimi për Europën, për të përcaktuar një kuadër të qëndrueshëm në nivel kombëtar për të shtyrë përpara dhe rishikuar bisedimet me Bashkimin Europian dhe kjo gjë shkoi mirë.
Por mbi të gjitha, përse Kroacia në BE? Krahas faktorëve politikë, historikë dhe të tjerë, është për t’u zbavitur fakti që pothuajse asnjë qytet kryesor i Kroacisë nuk është më shumë se 40 km larg nga çdo kufi shtetëror.
Kroacia ishte shembull i një shoqërie pas-konfliktuale, një vend që ndryshoi jo vetëm sistemin e saj politik në fillim të viteve nëntëdhjetë, por që ishte krijuar edhe si një shtet i pavarura në kushte të këqija lufte.
Kroacia ishte vendi i parë, që u fut në BE, i prekur thellë nga luftërat në ish-Jugosllavi. Pas gjithë atyre përplasjeve, shteti i ri doli në hartën politike të Europës me një gjatësi kufiri prej 4000 km.
Gjatë njëzet e pesë viteve të fundit, jashtë shtetit Kroacia është parë në tri pamje: Kroacia jugosllave, Kroacia e kohës së luftës dhe Kroacia europiane. Nga ana tjetër, perceptimi i BE-së në Kroaci ka ndryshuar me kalimin e kohës, nga euforia e fillimit, te euroskepticimi i herëpashershëm dhe eurorealizmi, që mbizotëron sot. Dhe kjo do të thotë se BE nuk është zgjidhje e problemeve në vetvete, por një mjet i vlefshëm për zgjidhjen e problemeve.
Si një vend me përvojën e madhe të pasluftës dhe me kritere më të forta për të arritur standardet e anëtarësimit, pas zgjerimit të vitit 2007, Kroacia gjatë këtyre viteve ka reformuar veten për të mirën dhe përfitimet e popullit të vet.
Gjatë bisedimev, Kroacia duhej të përmbyllte 35 kapitujI, të plotësonte 400 objektiva dhe të miratonte 1503 ligje për t’iu përshtatur trashëgimisë ligjore të Bashkimit Europian. Kroacia e kishte të vështirë që pranimi i saj nuk po bëhej në kuadrin e rrugës pothuajse të zakonshme të futjes së anëtarëve të rinj, por nën hijen e debateve të ashpra rreth funksionimit dhe të ardhmes së Bashkimit Europian.
Ne mësuam se procesi i pranimit nuk është një garë me shtetet e tjera, por e ndeshjes me kapacitetet e tua të vogla. Ndaj krahasimi me vendet e tjera kandidate vërtet që nuk ndihmon. Nuk ia vlen edhe sikur të jesh më mirë se ata. Duhet të jesh më i mirë se ç’je.
Siç e dini, ky proces ka tre drejtime: bisedimet, reformat dhe komunikimin. Këto duhen kaluar me sukses të tria së bashku.
Me pak fjalë, Kroacia mori një mesazh: ose hyni fare të pastër, ose nuk hyni fare.
Më lejoni të përmend dy pengesa specifike për pranimin me të cilat u ndeshëm ne:
- Bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë
Bashkëpunimi pa kushte i Kroacisë me GJNKJ-në shihej shpesh si një kërkesë për vazhdimin e procesin të pranimit dhe ka shkaktuar shpesh vonesa: a) ratifikimi i MSA-së kishte ngecur për shkak të çështjeve të ekstradimit; b) hapja e negociatave u shty për disa muaj pasi Prokurori i GJNKJ-së i konsideroi të pamjaftueshme përpjekjet e Kroacisë për arrestimin e gjeneralit Gotovina; c) GJNKJ vazhdonte të bllokonte pranimin deri sa Kroacia të jepte prova se i kishte hetuar plotësisht rrethanat me të cilat lidheshin dokumentet që mungonin dhe të garantonte GJNKJ-në dhe BE-në se ajo nuk kishte më dokumente të tjera.
- Mosmarrëveshjet kufitare me Slloveninë
Kroacia kishte probleme të kahershme kufitare me Slloveninë, lidhur me Gjirin e Piranit, për të cilin ajo e bllokoi pranimin e Kroacisë nga dhjetori 2008 dhe deri në shtator-tetor 2009. Sllovenia bllokoi hapjen e 8 kapitujve dhe mbylljen e 3 të tjerëve, duke pretenduar se dokumentacioni i bisedimeve kroate paragjykonte kufirin. Përfundimisht të dy vendet ranë dakord për një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE për ta zgjidhur çështjen nga gjykata e arbitrazhit.
Unë po rendit edhe disa nga pengesat e pranimit të Kroacisë, që Shqipëria mund t’i ndeshë në të ardhmen e afërt:
- Reforma në drejtësi dhe të drejtat e njeriut
Kërkesat e pranimit përfshinin: reformën në drejtësi për forcimin e pavarësisë, përgjegjësisë, paanshmërisë, profesionalizmit dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë, goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar (kjo çoi në dënimin e ish-Kryeministrit Ivo Sanader për mitmarrje); forcimin e mbrojtjes së pakicave; zgjidhjen e problemeve të rikthimit të refugjatëve; përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
- Problemet e privatizimit
Kroacisë iu kërkua të ndalonte subvencionimin e industrisë së ndërtimit të anijeve, që çonte në privatizime, mbyllje dhe pakësimin e kapacitetit prodhues.
- Pronësia mbi tokën
Blerja e lirë e pronës së patundshme nga të huajt është një çështje e ndjeshme në Kroaci. Kjo lidhej veçanërisht me italianët, sidomos në Istria. Nga mesi i vitit 2006, Kroacia dhe Italia arritën një marrëveshje që i lejonte qytetarët italianë të blinin tokë në Kroaci dhe qytetarët kroatë të blinin tokë në Itali. Edhe anëtarë të tjerë të Bashkimit Europian duhej të zgjidhnin çështje të ngjashme: Sllovenia, Sllovakia, Polonia dhe sidomos Malta.
- Opinioni publik
Qeveria kroate ndeshej shpesh me rënien e mbështetjes nga publiku për hyrjen në BE, për shkak të vendimeve dhe reformave jopopullore që kërkoheshin gjatë periudhës së bisedimeve. Kërkesat e GJNKJ-së, privatizimi, pezullimi i bisedimeve nga Sllovenia dhe në përgjithësi çështja e transferimit të një pjese të sovranitetit kombëtar ishin vetëm disa nga çështjet kryesore që dominonin shtimin e zërave anti-BE në Kroaci.
Pavarësisht nga përpjekjet e qeverisë, ndjenja për Bashkimin Europian nuk u ngroh sa duhet, ndërkohë që bisedimet arritën në përfundimin me sukses dhe u bënë ndryshimet kushtetuese për të ndryshuar ligjin mbi referendumet. Siç do ta tregonin rezultatet, referendumi për hyrjen në Bashkimin Europian nuk do të ishte i suksesshëm pa një amendament që e konsideronte referendumin të vlefshëm edhe me pjesëmarrjen e më pak se 50% të votuesve të regjistruar.
Po ashtu, megjithëse nuk kishte asgjë rutinë rreth procesit të pranimit në BE, edhe dymbëdhjetë muajt e parë të anëtarësimit të Kroacisë tregonin se nuk kishte rutinë as në konsumimin e anëtarësimit. Rasti Perkoviç është jo vetëm shembulli më i mirë për Procedurën e Tejkalimit të Deficitit, por nga njëra anë, ka edhe probleme me krijimin e mekanizmave për fondet e Bashkimit Europian për thithjen e fondeve për një varg projektesh infrastrukturore dhe qeveritare dhe nga ana tjetër, për trajnimin e qeverisjes vendore, biznesit dhe individëve për të marrë pjesë në këtë lojë të re.
Nëse më duhet të përmend disa sfida dhe mundësi për Kroacinë, unë do të vija në dukje se pas anëtarësimit në BE, Kroacia doli nga Traktati i CEFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Europiane Qendrore). Për shkak të ndryshimeve në sistemin tregtar, humbjet e Kroacisë llogariten të jenë rreth 100 milion euro në vit.
Në përgjithësi, ekonomia kroate po i afrohet periudhës së pas-subvencioneve. Kompanitë kroate duhet ta provojnë veten në një treg 120 herë më të madh se sa tregu vendas. Fatkeqësisht, papunësia e të rinjve deri në moshën 24 vjeç, nga viti 2008 deri në vitin 2011 u shtua me 41.7%.
Megjithatë, pas 1 korrikut 2013, Kroacisë i duhet një fokus i ri jo vetëm mbi politikëne saj të jashtme, por edhe mbi politikën e saj të përgjithshme. Megjithëse ndryshimet demografike në fillim të viteve 1990 e kishin homogjenizuar popullin jo vetëm në kërkesat e tij për pavarësinë e shtetit, por kishin krijuar edhe mundësinë e shprehjes së mendimeve të ndryshme politike, pranimi i vendit në BE nxirrte përsëri një varg problemesh të rëndësishme për të cilat nuk kishte konsensus shoqëror.
Anëtarësimi duket qartë se ushtron një presion pozitiv konstant për reformimin e të gjitha strukturave me të cilat vendi hyri në BE. Duket sikur viti i parë i anëtarësimit të Kroacisë në BE provoi se ishte vetëm gjysma e parë e përshtatjes së saj të plotë ndaj standardeve që ka BE.
Është e vërtetë se pas një viti të anëtarësimit, Kroacia në BE ndeshet pikërisht me ato sfida që kishte para hyrjes në BE. Gjithsesi, sot që ne merremi me ato sfida kemi në dispozicion një varg të madh rezervash (në nivel kombëtar dhe në nivel europian), prej të cilave mund dhe duhet të përfitojmë.
Ka edhe një aspekt tjetër që lidhet me anëtarësimin tonë në BE: Kroacia, si shteti më i ri anëtar, ka përvojën më të fundit të bisedimeve dhe kufizohet me tri vende që janë në faza të ndryshme të pranimit në BE.
Kufijtë e Kroacisë me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi, bëhen kufij të jashtëm të Bashkimit Europian. Që nga 1 korriku 2013, BE, për herë të parë ka kufij tokësorë me Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Kroacia u bë shteti i parë anëtar i Bashkimit Europian nga i ashtuquajturi trekëndësh i vendeve të Dejtonit, që përfshin Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Kroacinë.
Mua më pëlqen të besoj se me Kroacinë si një shtet anëtar i Bashkimit Europian, ne jemi dëshmitarë të një procesi të padiskutueshëm dhe të pakthyeshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kroacia do ta përfundojë procesin e tranzicionit të saj të plotë vetëm kur të gjithë fqinjët e saj të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Prandaj një politikë e fortë rajonale do ta ndihmonte Kroacinë.
Nuk ka dyshime se anëtarësimi i Kroacisë në BE, mes të tjerash, është një kontribut me vlerë për rivlerësimin e termit Vendet e Ballkanit. Megjithatë ne po presim për të parë nëse BE do të shërbejë për vendet e Ballkanit si një ndërmjetës dhe lehtësues i mirë në vitet e ardhshme, ashtu siç shërbeu për Europën Perëndimore në 60 vjetët e fundit.
Ndërsa BE zgjerohet në drejtim të Juglindjes, ka gjithmonë mundësi që disa çështje të pazgjidhura dypalëshe që nga periudha e Luftës së Ftohtë apo akoma më të hershme, të bëhen çështje konflikti gjatë bisedimeve.
Duke u zgjeruar nëpër kontinent për 60 vjet, BE ka ofruar bashkëpunimin dhe ka sjellë perspektivën e anëtarësimit te fqinjët e tij. Ideja që ndihmoi Perëndimin dhe më pas gjithë Europën, për të kapërcyer interesat kontradiktore kombëtare mund dhe duhet t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në projektin europian.
Në mesin e viteve 1990, vendet e Ballkanit Perëndimor ishin ndër problemet qendrore të politikës botërore. Sot nga kriza serioze është prekur jo vetëm BE.
Unë theksoj shpesh se ishte më e lehtë të krijoje Bashkimin Ekonomik Europian në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar se sa të futesh në Bashkimin Europian më 2013.
Historia e Bashkimit Europian është edhe historia e zgjerimit të tij. Në lidhje me deklaratën e fundit që vjen nga presidenti i ri i Komisionit Europian, unë besoj se thellimi dhe zgjerimi nuk janë domosdo procese kontradiktore. BE duhet të mbetet një bashkim i hapur për anëtarë të rinj dhe për nisma të reja. Ai nuk duhet të shkojë te ndarja me zona qendrore dhe periferike. Përfitimet e tij politike, ekonomike dhe kulturore duhet të shpërndahen njëlloj.
Të dashur miq dhe kolegë shqiptarë. Unë jam i bindur se rruga e gjatë që kini kaluar dhe kini lënë pas është më e shkurtër se rruga që duhet të përshkoni në të ardhmen për të arritur qëllimin tuaj në BE.
Unë ju këshilloj ta përdorni përvojën më të mirë që ka krijuar Kroacia dhe t’i shmangni shumicën e gabimeve që ne kemi bërë gjatë këtij procesi.